Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

GJURMËVE TË TALENTEVE TË RINJ MUZIKOR

Shko poshtë

GJURMËVE TË TALENTEVE TË RINJ MUZIKOR Empty GJURMËVE TË TALENTEVE TË RINJ MUZIKOR

Mesazh nga Shaban Cakolli Fri 24 Apr 2009 - 11:12

GJENIT E SHEKULLIT U LINDËN NË GJILAN

Nuk është thënë rastësisht, se talentet e rrallë lindin njëherë brenda një shekulli!
Se është vërtetë kështu , më së miri dëshmon fenomeni i rrallë i dy talenteve të rinj , të cilët më 28 Mars 2009, për herë të parë në jetën e tyre , u ngjiten në skenën publike para artdashësve të muzikës popullore, në sallën e Teatrit të qytetit të Gjilanit, në kuadër të një Koncerti të muzikës popullore të organizuar nga Ansambli Muzikor “Gurra” nga Gjilani .
Vërtetë, salla e përmbushur përplot me adhurues të këngëve dhe valleve tradicionale popullore, thua se frymonte në heshtje, të cilën herë pas here e thyenin duartrokitjet që i bëheshin solistëve të këngës popullore dhe të asaj folklorike .
Pa pritur , në skenë para publikut u paraqiten dy fëmijë të vegjël, të veshur me kostume kombëtare, me plisa të bardhë dhe me tupan në krah, të cilët i shoqëronin me ritme të gjalla meloditë e surleve dhe grupin valltarë të burrave, të cilët i vallëzonin vallet e rënda tradicionale të Anamoravës, Malësisë së Karadakut dhe Luginës së Preshevës !
Me të paraqitur në skenë, të këtyre dy djelmoshave – fëmijë, publiku i pranishëm në sallë, sikur u “zgjua nga gjumi i heshtjes “ dhe u ngritë i tëri në këmbë nga befasia e pa pritur dhe nga kureshtja për t’ i parë këta dy fenomen të rrallë , që deri më tani nuk janë parë , as imagjinuar në skenat e muzikës sonë popullore!
Të gjithë u mahnitën me këtë mrekulli të Zotit, u ngritën në këmbë duke iu duartrokitur , duke i prekur hundët që të mos iu bien mësysh dhe duke brohoritur me zë:”Mashalla ! Mashalla!”
Të gjithë të pranishmit mundoheshin që t’ i bëjnë nga katër palë sy e veshë , për t’i parë dhe dëgjua mrekullitë e Zotit! Të gjithë i nxorën nga xhepi foto-celularët, foto-aparatet dhe foto-kamerat, që t’i fotografojnë dhe t’ i xhirojnë këta dy talent . Madje, në sallë filloi një rrëmujë e madhe nga ana e adhuruesve, të cilët shtyheshin në mes veti se cili më parë do të fotografohet me këta dy fëmijë dhe cili do t’i puthë e përqafojë më parë?!
Qytetarët - adhurues dhe njohës të vlerave tradicionale muzikore, dolën nga salla të mahnitur dhe secili prej tyre, uronte nga zemra për këta dy fëmijë:”Zoti i ruajt! Zoti ju dhëntë shëndet dhe paçin jetë të gjatë!”
Që nga aj moment, qytetarët pjesëmarrës të këtij Koncerti, shkonin duke komentuar dhe duke i thënë njëri – tjetrit:
“Gjenit e shekullit u linden në Gjilan!”
Gjurmëve të hulumtimit të këtyre dy talenteve – gjeni, u vu edhe autori i këtij shkrimi dhe në vazhdim për lexuesit tanë të respektuar, po ju sjellim disa të dhëna më të hollësishme , për të shpjeguar se kush janë këta dy gjeni?!
Gjeniu i parë, quhet:
Ernes (Driton) Aliu

Është i lindur më datën 05 Gusht 2006, në Gjilan. Pra, ka vetëm 2 vjet e 7 muaj jetë.
Rrjedh nga një familje me prejardhje nga fshati Depcë i Malësisë së Karadakut, komuna e Preshevës, të cilët jetojnë në Gjilan. Kjo familje brez pas brezi është marrë me kultivimin e muzikës tradicionale burimore.
Gjyshi i Ernesit - Abdullah Aliu , ka luajtur me def, darabuk, tupan dhe është instrumentist shumë i dalluar i këtyre anëve. Po ashtu, edhe daja i babait të Ernesit – Dritonit, Murat Baliu ka qenë instrumentist i Ansamblit “Kastriotët” nga Ferizaj, ku ka marrë pjesë në shumë koncerte e festivale, si kitarist, kontrabasist dhe instrumente tjera muzikore.
Edhe dajallarët e gjyshit të Ernesit – Abdullahut:Halit Isufi, Arif Isufi,Besnik Isufi dhe Bujar Isufi, tradicionalisht janë marrë me kultivimin e muzikës dhe luajtjen në instrumente muzikore, si: mandolinë, violinë, def, tupan, lodra, saksofon etj.
Babai i Ernesit – Dritoni, luan për mrekulli me tupan, në duet me të vëllain – Agronin. Edhe djali i hallës së Dritonit – Mefail Ibrahimi, është interpretues solistik i këngës popullore.
Vogëlushi Ernes Aliu, që kur i kishte 12 muaj jetë, jepte shenjat e para të interesimit dhe talentit të tij , ndaj muzikës, e në veçanti vërehej dëshira e tij për të luajtur me tupan.
Në moshën 14- mujore , i ka ditur së pakut 20 valle të ndryshme popullore, të cilave ua përcillte me përpikëri ritmet, duke e dëgjuar mikun e shtëpisë – Behlul Rexhepin, se si i luante ato valle me surle.
Në moshën 18 mujore , i ka përvetësuar thuaja se të gjitha vallet e rënda popullore të burrave, të cilat tradicionalisht kultivohen në Anamoravë, Malësinë e Karadakut dhe Luginë të Preshevës.
Ernesi i vogël, për çdo ditë mbyllet në një dhomë dhe ushtron me tupan, pa u lodhur asnjëherë . Kur dikush e pengon gjatë ushtrimeve, ai bëhet shumë nervoz dhe proteston para atyre që e pengojnë!
Gjatë ushtrimeve me tupan, Ernesi ushtron duke dëgjuar muzikë nga radioja, incizimet e ndryshme, por ushtrimet më të suksesshme i bënë gjatë kohës kur i dëgjon gjyshin, babanë dhe shokët e tyre, se si ushtrojnë ata!
Babai i Ernesit, tregon me përgjegjësi të plotë, se asnjëherë në jetë askush nga familjarët e tij, nuk ia ka imponuar ushtrimet muzikore, as lojën me tupan, djalit të tij !
Mirëpo, kur gjyshi i Ernesit – Abdullahu, i këndon këngët dhe meloditë e valleve (me gojë), Ernesi luan saktësisht me tupan, duke ua perceptuar rrënjësisht ritmet e tyre, madje jo vetëm ritmet e thjeshta, por edhe ritmet e përziera, të cilat nganjëherë as të rriturit nuk mund t’ i kapin !
Dhe vetëm atëherë kur ushtron me gjyshin, ndihet shumë i lumtur, i disponuar dhe tamam si “Mbret i vogël i muzikës!”
Para masës publike, luan me tupan pa u frikësuar, pa u habitur dhe pa e humbur ritmin në asnjë moment! Nuk ekzistojnë ritme të muzikës sonë tradicionale popullore , që e dëgjon Ernesi vetëm njëherë, e të mos ia kapë veshi dhe t’ mos ia luajnë duart!
Publiku kudo e mirëpret në mënyrë madhështore, nga se nuk kanë pa këso fenomenesh . Disa , mbase mbetën edhe të habitur me talentin e tij kur e shohin në skenë kaq të vogël! Është interesante se si ky vogëlush, aq me përpikëri , maturi dhe mjeshtri di se si dhe kur të dilet në skenë, si qëndron para publikut dhe si kthehet nga publiku, pa u habitur asnjëherë!
Ndaj njerëzve është i butë, i dashur, i afërt dhe i patrembur . Me Arditin janë shumë shokë të mirë, të pandashëm , të dashur dhe shumë herë ushtrojnë së bashku . Edhe kur dalin me prindër në kafene , ata që të dy pinë lëngje së bashku nga e njëjta shishe, nga se nuk duan që të pinë ndaras !
Gjeniu i dytë, quhet:
Ardit (Behlul) Rexhepi

Është i lindur më datën 20 Shtator 2004, në Gjilan . Pra, ka vetëm 4 vjet e 6 muaj jetë. Rrjedh nga një familje e cila tradicionalisht është marrë me kultivimin e muzikës popullore autoktone. Familja e Arditit, ka prejardhjen nga fshati Burincë i Malësisë së Karadakut, komuna e Gjilanit.
Gjyshi i Arditit – Rizahu, ka kënduar bukur dhe ka luajtur me fyell e kavall . Babai i Arditit – Behluli, qysh në moshën 14- vjeçare ka marrë pjesë në aktivitetet e lira muzikore në Shkollën fillore “Selami Hallaqi” në Gjilan, ku luante mrekullueshëm me fyell. Pastaj , ka luajtur me çifteli, kurse aktualisht luan me surle dhe është mjaftë aktiv në jetën muzikore amatore dhe gazmendet e ndryshme familjare.
Ka marrë pjesë në shumë aktivitete kulturore, si në Shkollën fillore “Selami Hallaqi” në Gjilan, pastaj në SHKA “Rreze dielli” të fshatit Remnik, komuna e Vitisë, kurse 6 vitet e fundit është anëtar aktiv në Ansamblin “Gurra” të Gjilanit, si dhe në SHKA “Kemajl Azizi” në Viti.
Arditi , që në moshën 3- vjeçare tregonte interesim të madh për muzikën, sidomos në luajtjen me tupan. Kur babai i tij – Behluli, nuk ia lejonte tupanin që të luante në te, Arditi i vogël , nga mllefi ia merrte kovat e turshive dhe duke ushtruar me to si në tupan, ia shponte të gjitha, derisa babai ia lejoi tupanin !
Babai i Arditit, është mjeshtër i vërtetë i lojës me surle, por asnjëherë nuk ka luajtur me tupan. Por, biri i tij, Arditi i vogël e dëgjonte me vëmendje, sa herë që luante me surle dhe e shoqëronte me ritmet e tupanit. Për një kohë të shkurtër i mësoi të gjitha ritmet e valleve tradicionale popullore, të cilat i luante me surle babai dhe ky e shoqëronte vazhdimisht me tupan.
Arditi i vogël, për herë të parë ka dalë në skenën publike si instrumentist me tupan, më datën 25 Mars 2009, në Festivalin “Flakadani i Karadakut” në Viti, kurse më 28 Mars të po këtij viti, mori pjesë në Koncertin e muzikës popullore, të cilin e organizoi Ansambli “Gurra” në sallën e Teatrit të qytetit në Gjilan.
Arditi, ushtron me tupan, së pakut nga 4 orë në ditë, pa ia imponuar askush. Ai, i ushtron ritmet e këngëve dhe valleve popullore, kryesisht duke i dëgjuar programet e radios, ose incizimet e ndryshme.
Por, ushtrimet më të suksesshme dhe më të dashura për te, janë atëherë kur i thotë nënës së tij:”Nënë, ti këndo e unë do të përcjell me ritmet e tupanit!”
Është fëmijë shumë i urtë, i dashur, i sjellshëm dhe shumë komunikativ me njerëzit, anëtarët e ansamblit dhe publikun kudo që është i pranishëm.
Në skenat publike, del pa kurrfarë treme dhe asnjëherë nuk e humb ritmin, as qëndrimin para publikut.
Është interesante të ceket veçantia talentore si e Ernesit, ashtu edhe e Arditit, nga se ata që të dy, i perceptojnë me përpikëri të gjitha ritmet tradicionale të këngëve dhe valleve popullore, si ato të thjeshta, ashtu edhe ritmet e kombinuara të “Valleve të rënda të burrave” të cilat janë karakteristike në Anamoravë, Karadak dhe Luginë të Preshevës, e që këto ritme nuk e kanë të lehtë t’i kapin shumë nga instrumentistët e moshuar më me përvojë!
Le të shpresojmë se me këta dy gjeni të vegjël të muzikës tradicionale popullore, në një të ardhme të afërt, do të mburret jo vetëm Gjilani e Kosova, por mbarë populli shqiptarë kudo që jetojnë e punojnë! Por, edhe historia e muzikës tradicionale shqiptare, një ditë do të pasurohet me veprat artistike të cilat do të dalin nga duart dhe veshi i këtyre dy gjenive të rrallë të muzikës sonë!

Gjilan, Prill 2009. Demir KRASNIQI
Shaban Cakolli
Shaban Cakolli
Hapësira Jonë - Forum
Hapësira Jonë - Forum

<b>Postime</b> Postime : 3445
 <b>Piket</b> Piket : 3590
Regjistruar : 24/04/2009

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi