Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Voskopoja, djepi i kapitalizmit të munguar

Shko poshtë

Voskopoja, djepi i kapitalizmit të munguar Empty Voskopoja, djepi i kapitalizmit të munguar

Mesazh nga Arla Sun 9 May 2010 - 9:47

Voskopoja është një vendbanim mesjetar i hershëm që daton prej vitit 1330. Nga Shën Prodhomi hapet para vizitorit një pamje e mahnitshme nga duken majat e Lënies dhe Ostrovica, me një lartësi prej 2246 metra. Lulëzimin më të madh Voskopoja e ka pasur në vitin 1764, atëherë kur popullsia e saj arriti në rreth 30 mijë banorë. Në atë periudhë kishte 25 kisha me afreske nga më të lakmuarat, ndërsa tani nuk kanë mbetur më shumë se 8 kisha. Në të njëjtën periudhë në këtë qytetërim ka pasur Akademi, Bibliotekë, Shtypshkronjë, 1720,
artizanat të zhvilluar e tekstile dhe shërbeu si urë lidhëse jo vetëm
brenda vendit, por edhe midis vendeve fqinje Greqi e Turqi.
Shkatërrimin e parë e ka pasur në vitin 1769, të dytin më 1789 dhe të tretin në 1916. Voskopoja ruan vlera të mëdha të artit mesjetar.


Voskopoja, djepi i kapitalizmit të munguar


Zhvillimi në Voskopojë i profesioneve të zejeve të kohës së vet u bë
një nxitës real konkurence në të gjithë Ballkanin duke dhënë shenjat e
para të një kulturë paraindustriale që do të sillte padyshim një
zhvillim parakapitalist të domosdoshëm për zhvillimin e rajonit.
Mallrat që prodhoheshin në Voskopojë kanë qenë të famshme dhe
ndonjëherë për t’u dalluar mbanin të gdhendur shqiponjën siç ndodhte me
sënduqet (Referenca vjen nga Dumont në veprën e tij për Ballkanin të
çituar nga Ligor Mile: “Zejtaria fshatare shqiptare gjatë Rilindjes
Kombëtare” f. 120) Sipas Aurel Plasarit, “Në qytet kishte 14 korporata.
“Mund të themi pa e zmadhuar, se historia e qytetit është historia e
korporatave të saj” (V. Papacostea “Despre corporatiile” f358). Në një
studim gjeografik të botuar në Vjenë (të quajtur “Geografia neoterike
eranistheisa apo dhiaforous suggrafeis para Dheniel ieromonakou kai
Gregoriou ierodhiakonou ton Dhimetrieon, vëll.I, Vienë 1791, f.27) nën
kujdesin e Daniel Jeronomakut dhe Gregor Jerodjakut pohoet se
voskopojarët qenë grupuar në 14 korporata, që përfaqësonin kategoritë e
mëdha industriale dhe tregtare; interesante është vërejtja e tyre: “me
një fjalë ekziston në Turqi një qytet i pajisur me gjithë sa është
pajisur një qytet europian” (Fenomeni Voskopojë, Aurel Plasari,shtëpia
botuese Phoenix dhe Shtëpia e Librit, f43). Por duke pasur parasysh se
në Perandorinë otomane (Historia e Perandorisë Osmane nën drejtimin e
Robert Mantranit , f.316), profesioni i tregtarit ishte një profesion
të krishterësh dhe ebrenjsh është e kuptueshme që paria e qytetit ishte
një pari e krishterë (të mos harrojmë edhe faktin se në Voskopojë ende
dhe sot e kësaj dite janë mbetjet e 24 kishave dhe të asnjë xhamie).


Voskopoja e demokracisë urbane mesjetare


Elementi më i çuditshëm i Voskopojës ishte standarti demokratik i
administrimit. Ajo drejtohej nga borgjezia tregtare dhe zejtare në
mënyrë të pavarur nga Porta e Lartë nëpërmjet parimit të votimit. Këtë
e konstatojnë shumë studiues të huaj (të cilat çitohen edhe në librin
“Historia e Perandorisë Osmane” nën drejtimin e Robert Mantranit, f.
314) Voskopoja ishte një qytet autonom brenda Perandorisë Otomane i
përbërë nga shqiptarët, grekët dhe vllehët. Po ti referohemi referimeve
të studiuesit Aurel Plasari, “Voskopoja nuk ekzistonte as në Suret
Defter-in e Sanxhakut Arvanid”, (botuar nga H. Inalcik, pjesa Defteri i
Përmetit dhe i Korçës përkthyer shqip nga V. Buharaja, Tiranë 1969).
Nuk përjashtohet mundësia që Voskopoja të jetë trajtuar prej
autoriteteve osmane “jashtë Shqipërisë”; rast i ngjashëm do të ishte ai
i vilajetit të Përmetit, i vënë në dukje nga vetë Inalciku: ky vilajet
“iu dha si shtojcë Jakub Beut, të birit të Teodor Muzakës” dhe si i
tillë, “kjo krahinë konsiderohej jashtë Shqipërisë”.(Fenomeni
Voskopojë, Aurel Plasari,shtëpia botuese Phoenix dhe Shtëpia e Librit,
f. 15) Gjithashtu Plasari i referohet edhe V. Papacosteas (tek “Despre
corporatiile” f.358) i cili i përckton Voskopojën si një qytet “jashtë
pushtetit të Portës” i cili në fakt ishte një “qytet tentakular në
kuptimin e plotë të fjalës” i cili tërhiqte rreth vetes gjithë sa i
vlente: tregtarë, afaristë, intelektualë të kohës, rini të fshatrave”
(Fenomeni Voskopojë, Aurel Plasari,shtëpia botuese Phoenix dhe Shtëpia
e Librit f. 31). Ky është fakti më kuptimplotë që Voskopoja ishte
shqiptare sepse duke qenë një qytet tentakular që thithte mes trojeve
shqiptare një popullsi prej dhjetra mijë banorësh, kuptohet që elementi
joshqiptar nuk mund të ishte kurrë minorancë. Po ti referohemi dy
kronikanëve të besueshëm të kohës, historianit Peyfuss dhe konsullit
francez në Perandorinë Otomane, Pouqueville, përcaktimi i popullsisë
shkon nga 20.000 në 40,000 banorë madje deri në 60,000 banorë (Peyfuss
e konsideron ekzagjerim entuziast të Pouqueville shifrën prej 60.000)
(Peyfuss' study in Neagu Djuvara, ed., Aromânii. Istorie. Limbă.
Destin), (Aromanians. History. Language. Destiny), (Bucureşti: Ed.
Fundaţiei Culturale Române, 1996). Po t’i referohemi përsëri Plasarit
(f.31), mbi hiearkinë urbane të popullsisë, dhe rregullave themeluese
të qytetit, sipas studiuesit K.H. Skënderes (K.H. Skënderes: Istoria
tes arhaias kai syghronou Moskopoleos, en Athenais 1928 f15 dhe P.P.
Arabantinos: Perigrafe tes Epeirou vëll. II.f.36) rritja e popullisë
solli krijimin e lagjeve të reja e që përbëheshin nga banorë themelues
e të ardhur. Patriarkati i vendasve, koxhobashët (paria korporative e
banorëve të vjetër) kishin përcaktuar disa rregulla të vështira
integrimi për të ardhurit e rinj (V. Papacostea tek Despre corporatiile
f362) por duke pasur parasysh numrin e popullsisë dhe rolin tentakular
të qytetit është e kuptueshme që kemi të bëjmë me një qytet me
mazhorancë shqiptare, fakt i mohuar nga shumë studiues grekë dhe rumunë
por jo europianë perëndimorë të kohës.
Voskopoja, Djep i Rilindjes Kombëtare


Prof. Aleks Buda (në “Shkrime Historike” Tiranë 1986, Vëll.I, f368),
shprehet “unë nuk ngurroj ta quaj këtë epokë dhe këtë lëvizje që na jep
Voskopoja në fund të shek. XVIII Iluminizëm i hershëm dhe një stad që
nuk do të thotë ende rilindje kombëtare, qoftë edhe vetëm në fillimet e
saj, por që e përgatit atë me siguri” (Fenomeni Voskopojë, Aurel
Plasari,shtëpia botuese Phoenix dhe Shtëpia e Librit, f. 50)





Sipas Robert Elsie “Akademia e Re ose Hellênikon Frontistêrion ishte
një qendër e dijes e themeluar më 1744, e ngjashme me akademitë që
dihet se kanë qenë në Bukuresht, Jash, Konstantinopojë, Mecovë, Janinë,
në Malin Atos dhe Patmos”. Akademia e Re, Biblioteka dhe e vetmja
Shtypshkronjë e Perandorisë së asaj kohe, ka qenë një trekëndësh
kulturor unikal në Ballkanin e mesit të shekullit XVIII. Për aq kohë sa
Voskopoja lulëzoi, një numër shumë i madh të rinjsh shqiptar, grekë dhe
vlleh u shkolluan dhe formuan një identitet europian të mbrujtur me
idetë iluministe të dijeve pozitiviste. “Diplomantët e atyshëm e
siguronin me lehtësi hyrjen në universitetet e kryeqyteteve europiane,
kryesisht studimet si mësues, doktorë, ekonomistë, filozofë dhe
juristë.” (Shqiptarët – Historia e popullit shqiptar nga lashtësia deri
në ditët e sotme, Edwin Jacques, f.315) Arti dhe kultura patën një
zhvillim të paparashikuar duke e kthyer Shqipërinë në një far që
ndriçonte të gjithë Ballkanin otoman. David Selenica, ka qenë artisti
më influent i Rilindjes së të gjithë artit ballkanik dhe ndikimi i tij
u ndje në të gjithë artin ortodoks të Ballkanit sepse ai dha shenjat e
para të kapërcimit të klisheve të pikturës zyrtare të Malit Athos
(qëndra e ortodoksisë kishtare të kohës). Në fakt shqiptarët e njohin
David Selenicën si piktorin e filmit “Kohë e largët” që e helmoi Mirush
Kabashi eremit. Por pika më e fortë dhe njëkohësisht më e dobët e
Voskopojës ka qenë pa dyshim shtypshkronja e saj. Po ti referohemi
studiuesit të mirënjohur Bernard Lewis (“Islami dhe Perëndimi”, f.49),
shtypshkronja e Voskopjës ishte e vetmja në të gjithë Perandorinë
Otomane sepse shtypshkronja tjetër e Stambollit që u hap nga Said
Mehmet Efendiu në 1727, 7 vjet pas Voskopojës, u mbyll që në 1740.
Voskopoja e gjuhës shqipe


Nga të dhënat e copëtuara dhe të keqpërdorura që vijnë sot, rezulton
se Voskopoja po projektonte për të parën herë krijimin e një gjuhe të
shkruar shqipe. Teodor Kavaljoti (1710 - 11 gusht 1789) ishte shqiptar
me origjinë nga Kavaja (siç i referohet prof. Dhimitër Shuteriqi
dëshmisë që vjen nga i biri i tij, Anastas Kavaljoti, të cilit i
referohet studjuesi i shek. XIX Gjergji Roza), përgatiti të parin
alfabet shqip dhe shkroi traktate si “Logjika” (1749), “Frika” (1752)
dhe “Metafizika” që janë zhdukur përgjithmonë. “Po t’i referohemi
filologu gjerman Von Hahn (Lexicon Tetraglossan), Kavaljoti kishte
shpikur një alphabet gërmat e të cilit i cili mund të identifikoheshin
si si “analoge me ato të glagolitishtes ilire” (Shqiptarët – Historia e
popullit shqiptar nga lashtësia deri në ditët e sotme, Edwin Jacques,
f. 315). Ky alfabet që është zhdukur në rrënojat e Voskopojës (apo
mbahet i fshehur në ndonjë arkiv grek apo rumun), u kurorëzua me aktin
më të rëndësishëm të kohës së vet: përkthimin e të parës Dhjatë të Re
nga gjuha greke në gjuhën shqipe (G. Von Hanh v.II, f.320). Sipas Prof.
Dhimitër Shuteriqi, “Kavaljoti u shqua si perkrahes i ideve iluministe
dhe shkroi nje sere veprash, qe per fat te keq jane zhdukur, ku shpreh
pikpamjet e veta filozofike. i paisur me kulture te gjere ai u be
udheheqesi i levizjes kulturore jo vetem ne Voskopoje por edhe ne
krahinat e tjera te Shqiperise se Mesme e te Jugut. Ai eshte nje nga
dijetaret shqiptare te kohes qe beri perpjekje per t’i dhene kishes
ortodokse te Shqiperise nje karakter shqiptar. Vete Kavaljoti per kete
qellim, sikurse thuhet, ndermori perkthimin e "“Dhjates se re” ne
shqip”. Gjithashtu edhe Zëvendësrekori i Akademisë së Re, në vitin
1762, Grigor Voskopojari (nga Berati që ka vdekur në 1772), kishte
përfunduar shqipërimin e të dyja Dhiatave (të së Vjetrës e të së Resë).
“Ishte ky një aksion shumë i madh, që kishte të bënte me përkthimin në
gjuhën e vendit të librave bazë të kishës. Liturgjia në kisha
pjesërisht thuhej me kohë edhe në shqip. Kjo vazhdoi edhe në shek.
XVIII, edhe më pas. Në procesin mësimor të shkollës së drejtuar nga
kleri hynte dhe shqipja, së pari përmes teksteve fetare, që zinin
vendin më të madh në programet, por edhe përmes lëndëve të tjera. Në
tekstin e Theodhor Bogomilit (njohur më shumë si Anonimi i Elbasanit),
i shek. XVII, përfshihet edhe një predikim i lirë fetar. Dhaskal Todri
na ka lënë edhe një fabul të shqipëruar të Ezopit. Edhe Kostë Ikonomi
hartoi tekste tri gjuhësh (në greqishte të vjetër, në atë të re dhe në
shqip). Këto tekste i ka përdorur edhe mësuesi vithkuqar Kostë Cepi
(shek. XVIII-XIX), prej të cilit i njohim të kopjuara. Ai ka dhënë
mësim jo vetëm në vendlindje, por edhe në Elbasan e gjetiu.” Grigor
Voskopojari shkruante me një alfabet origjinal, si edhe Bogomili, që e
kishte shpikur vetë për shqipen që shkroi. Të njëjtën gjë bëri edhe
Dhaskal Todri, ndofta nën ndikimin e Bogomilit, por edhe të Grigorit,
të cilin e pati mësues në Voskopojë. Edhe ky përdori një alfabet
origjinal, që e shpiku vetë e që u përhap edhe në njerëz të tjerë në
Elbasan.” Kështu, Voskopoja ishte edhe qendër e lëvrimit të shqipes.
Këtë gjuhë nuk e shkruanin vetëm Kavaljoti, Adam Haxhiu dhe Grigori,
por edhe të tjerë, duke arritur të shqipëroheshin Dhiatat në atë qytet,
të përdorej jo vetëm alfabeti grek, por edhe një alfabet i krijuar
posaçërisht për shqipen. Kjo do të shërbente pikërisht si bazë për
krijimin e identitetit shqiptar dhe bazën për kalimin nga një identitet
protonacional drejt një identiteti nacional dhe që do të ndikonte në
krijimin e nacionalizmit shqiptar para grekëve, serbëvve dhe
bullgarëve. Voskopoja po kthehej kështu pak nga pak në një fanar
ndriçues dhe orientues drejt nacionalizmit dhe pavarësisë shqiptare jo
vetëm nga Perandoria por edhe nga Patriarkana Helene e Stambollit. Kjo
ishte edhe pika e dobët e Voskopojës. Sepse Gjuha shqipe ishte kulmi
por edhe vdekja e Voskopojës. Sepse gjuha shqipe e folur në atë kohë
deri në rrethinat e Athinës plot xhami (që sot janë zhdukur), po të
shkruhej, do të shkruante ndryshe historinë e territoreve të Shqipërisë
dhe të Greqisë.
Vlerat kulturore


Voskopoja është shënjestra e ithtarëve të kishave, qofshin
restauratorë, qofshin vjedhës. Çdo vit ato nuk i shpëtojnë babëzisë së
njeriut që kërkon të pasurohet duke shitur pronën e këtij qytetërimi të
hershëm. Aktualisht në fshat kanë mbijetuar 8 kisha që nuk mund të
konsiderohen aspak në gjendje të mirë. Kisha e Shën Ilias
është e dëmtuar dhe pritet që të merret në dorëzim nga një shoqatë
franceze, për t’u restauruar. Këto objekte me vlera historike nuk i
kanë shpëtuar as fatkeqësive të natyrës, motit të keq, lagështisë,
shiut dhe dëborës që po i shkatërrojnë nga dita në ditë kulturën disa
shekullore që mbartin mbi supe. Me mbështetjen amerikane si dhe
interesimin e seksionit francez “Patrimone Sans Frontiere” (Trashëgimi pa kufi) filloi restaurimi i kishave më 2003, që mund të vazhdojë edhe për 5 vjet të tjerë. Të vetmet ndihma të dhëna për këto kisha kanë qenë edhe fondet e kufizuara nga Instituti i Monumenteve të Kulturës, apo të ndonjë shoqate tjetër.
Turizmi në Voskopojë


Ish-Kampi i Pionierëve në këtë zonë është shndërruar prej disa
vjetësh në pikën e vetme, ku mund të gjesh kushtet e nevojshme për
turizëm malor. Hoteli te ish-Kampi me një vendndodhje mes pishash të
shumta, është pagëzuar me emrin ‘Akademia’. Ndërtuar që në vitin 1954,
vitet e fundit është restauruar duke i dhënë një stil unik, në harmoni
me natyrën përreth, me një pistë në qendër të sipërfaqes së tij. Pika
është e frekuentuar gjithmonë jo vetëm nga njerëz aktivë, që duan
natyrën dhe sportet, por edhe nga vizitorë që çmojnë qetësinë dhe
relaksin që ofron largësia e pikës nga pjesa tjetër e banuar.
‘Akademia’ ka një numër të kufizuar dhomash, 28, por jo gjithnjë është
plot. Pushuesit nuk qëndrojnë shumë gjatë, por me periudha një javore.
Hoteli ka parkim, kënd lojërash, kënd sportiv basketbolli dhe
mini-futbolli.
Lojrat dimërore


Në dimër funksionon Pista e Skive
dhe zhvillohen garat e famshme rajonale. Në të janë zhvilluar gjithmonë
edhe kampionate kombëtare. Është një nga vendet e rralla ku mund të
zhvillohen këto lloje sportesh dimërore, por ende mungon iniciativa për
ta zgjeruar dhe çuar më tej turizmin alpin dhe sportin dimëror. Banorët
e fshatit mirëpresin idetë e reja dhe shprehen të gatshëm madje të
ndihmojnë në zhvillimin e shërbimeve turistike, që në fund të fundit do
t’i shërbenin zhvillimit të zonës dhe do të ishin edhe një mundësi më
shumë punësimi për vendasit. Ajo që mungon është investimi konkret i
fondeve dhe projekteve, që do t’ia ndryshonin destinacionin këtij djepi
të hershëm të qytetërimit e do ta kthenin në një vend akoma më të
lakmuar për pushuesit.
Arla
Arla
Hapësira Jonë - Forum
Hapësira Jonë - Forum

<b>Postime</b> Postime : 2501
 <b>Piket</b> Piket : 2696
Regjistruar : 06/01/2010

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi