Pirro I Epirit (Pirro Shqiponja)
Faqja 1 e 1
Pirro I Epirit (Pirro Shqiponja)
Në vitin 307, në moshën 12 vjeçare, Pirrua u kthye në Epir me ndihmën e
Glaukut dhe u bë mbret. Por më 302, kur ndodhej përsëri te taulantët,
kundërshtarët e tij ngritën krye dhe shpallën si mbret Neoptolemin e
II, birin e Aleksandër Molosit. Pasi nuk mund të kthehej më në Epir ai
hyri në
shërbim të Diadokëve më në zë të kohës, Dhimitër Poliorketit të
Maqedonisë, Ptolemeut të i I të Egjyptit si dhe mbretit Agathokli të
Sirakuzës, ku u
njoh me jetën shoqërore, administrative dhe ushtarake të këtyre
shteteve helenistike dhe u kalit në një tok betejash. Në vitin 296, me,
ndihmën e
mbretit Ptoleme të Egjyptit si dhe mbretit Agathokli të Sirakuzës u
kthye përsëri në Epir. Për një kohë e ndau pushtetin me Neoptolemin,
pastaj e vrau
atë dhe u bë sundimtar i vetëm i Epirit. Pas kësaj ai i dha fund edhe
autonomive që kishin fiset në simahinë e mëparëshme.
Pirrua erdhi në fuqi edhe sundoi në një kohë kur fqinjtë e Epirit,
Mqedonia dhe Greqia, ndodheshin në një kaos të plotë politik dhe ishin
dobësuar nga
luftat e gjata e shkatërrimtare që bënin midis tyre pasardhësit e
Aleksandrit të Maqedonisë, Diadokët. Në këto lufta u përzie edhe Pirrua
dhe u bë një
nga pretendentët për fronin maqedon. Në fillim ai ndërhyri në luftën që
bënin midis tyre dy djemtë e Kasandrit, pas vdekjes së të jatit. Nga
kjo luftë
ai i shkëputi Maqedonisë tokat që i përkisnin Epirit: Paravinë,
Tymfenë, Amfilokinë, Akarnaninë dhe qytetin Ambraki, të cilin i bëri
kryeqytet të
mbretërisë së vet. Por mbret i Maqedonisë u shpall Dhimitër Poliorketi.
Pak më vonë Pirrua u lidh me sunduesin e Thrakisë dhe Jonisë,
Lisimakun, dhe e
dëbuan Dhimitrin nga Maqedonia kurse tokat dhe ushtrinë e tij i ndanë
midis tyre. Tani kufijtë e shtetit të Pirros u shtrinë në lindje deri
në lumin
Aksios (Vardar), në veri përtej Apollonisë kurse në jug deri në
Peloponez. Por Pirrua nuk mundi t'i mbante gjatë tokat e pushtuara.
Lisimaku e dëboi
nga një pjesë e mirë e krahinave maqedone e greke dhe u bë vetë zot i
tyre. Rasti e bëri Pirron t'i drejtonte sytë pas kësaj nga Italia.
Tarenti dhe qytete të tjera greke të Italisë së jugut, të kërcënuara
nga Roma, e ftuan këtë për ndihmë. Pirrua u kap pas kësaj ftese dhe
filloi të
ëndërronte për krijimin e një monarkie të madhe në perëndim sikurse ajo
e Aleksandrit të Maqedonisë në lindje. Në pranverën e vitit 280 Pirrua
zbarkoi
në Itali me një ushtri të madhe të stërvitur dhe të armatosur mirë. Kjo
ishte më tepër një ushtri mercenare që Pirrua e kishte mbledhur jo
vetëm në
Epir por edhe në krahina të tjera të Greqisë. Ajo përbëhej prej 20.000
këmbësorësh të armatosur rëndë, 300 kalorësish, 2000 shigjetarësh, 5000
hobetaisësh dhe 20 elefantësh, përdorimin në luftë të të cilëve Pirrua
e kishte parë në lindje. Shpenzimet e luftës i kishte marrë përsipër
Tarenti, i
cili ishte i detyruar t'i jepte edhe ushtri ndihmëse. Ndeshja e parë e
Piros me romakët u bë në qytetin Heraklea. Përleshja qe shumë e ashpër.
Fatin e
luftës e vendosën elefantët dhe kalorësia e Pirros. Nga kjo disfatë
romakët humbën Lukaninë.
Në anën e Pirros kaluan brutët, lukanët, samnitët dhe pothuajse gjithë
qytetet greke të Italisë së jugut. Një vit më vonë Pirrua ndërmori një
sulm të
ri kundër romakëve, të cilët kishin grumbulluar këtë radhë një ushtri
të madhe që arrinte deri në 70.000 vetë. Në betejën që u zhvillua afër
qytetit
Auskulum romakët pësuan përsëri disfatë, por edhe Pirros fitorja i
kushtoi shumë. Humbjet e tij qenë kaq të mëdha sa që kur e uruan thuhet
se u
përgjegj: "Edhe një fitore si kjo dhe unë nuk do të kem me se të
kthehem në Epir". Prej kësaj rrjedh edhe shprehja "fitore si ajo e
Pirros" e cila
përdoret sa herë që duan të tregojnë për një fitore me humbje të rënda.
Pas këtyre dy betejave gjendja e Pirros në Itali u keqësua. Forcat e
tij ishin
dhjetuar kurse Tarenti dhe qytetet e tjera aleate kishin filluar të
lëkundeshin dhe të ishin të pakënaqura.
Roma përkundrazi kishte akoma rezerva të mëdha në njerëz dhe një
mbështetje të shëndoshë në aleatët latinë. Për Pirron u bë e qartë se
lufta kundër
Romës kërkonte kohë dhe sakrifica të reja. Ndërkaq në Siçili kishin
hyrë kartagjenasit dhe Sirakuza e kërcënuar i u drejtua per ndihmë
Pirros. Në këto
rrethana Pirrua vendosi të bënte paqe me Romën dhe t'i drejtonte forcat
kundër Kartagjenës me shpresë se këtu do të arrinte fitore më të lehta.
Kushtet e paqes ishin me sa duket të favorëshme për Romën, megjithatë
senati nuk i pranoi, sepse kartagjenasit, të interesuar që ta mbanin
Pirron në
Itali dhe të mos e linin të hidhej në Siqeli, i propozuan Romës aleancë
dhe ndihme ushtarake.
Duke u mbeshtetur në këtë aleancë Roma vendosi ta vazhdonte luftën. Pa
përfunduar paqën me Romën Pirrua u largua në vitin 278 nga Italia dhe u
drejtua
me ushtritë e veta në ndihmë të Sirakuzës duke lënë në Itali vetëm dy
garnizone të vogla. Në Siçili Pirrua korri në fillim disa suksese. Ai i
theu dhe
i ndoqi kartagjenasit pothuajse nga gjithë Siçilia. Vetëm qyteti
Lilibea në skajin jugperëndimor të ishullit mbeti në duart e
kartagjenasve. Pirrua u
nderua nga banorët e Siçilisë me titullin "prijs e mbret". Monedhat e
prera në Siçili mbanin tani emrin e mbretit epirot. Pas këtyre fitoreve
Pirrua
filloi përgatitet për t'u hedhur në Afrikë. Por këtë plan nuk mundi ta
realizonte sepse në marrëdhëniet e tij me qytetet filluan të lindin
mosmarrëveshje të mëdha. Pirrua po i ngarkonte me taksa të rënda dhe
sillej me to keq duke ndërhyrë në mënyrë brutale në punët e brendëshme
dhe duke
mos respektuar traditat demokratike të tyre. Kjo i bëri disa nga
qytetet të ngriheshin kundër tij kurse disa të tjera të hidheshin në
anën e
Kartagjenës. Kartagjenasit nuk vonuan to shfytëzonin rastin. Në Siçili
doli përseri një ushtri e tyre, a cila në pakë kohë asgjësoi të gjitha
fitoret
e arritura nga Pirrua; në duart e tij mbeti Sirakuza. Në këtë mënyrë
planet e Pirros në Siçili dështuan.
Por edhe në Itali gjendja nuk ishte më e mirë. Romakët ishin hedhur në
sulm dhe pasi kishin kapur disa qytete ish-aleate të Pirros po vepronin
me
sukses kundër samnitëve dhe lukanëve. Kjo i detyroi grekët dhe italikët
që ishin akoma të lidhur me Pirron t'i drejtoheshin këtij prap për
ndihmë.
Pirrua vendosi të linte Siçilinë ku kishte humbur çdo shpresë dhe të
kthehej në Itali. Rrugës ai u sulmua nga flota e Kartagjenës, e cila i
shkatërroi
më shumë se gjysmën e anijeve. Megiithatë, në pranverën e vitit 275
Pirro zbriti përsëri në Itali dhe filloi përgatitjet per sulmin e ri
kundër
romakëve. Beteja vendimtare u zhvillua pranë qytetit Beneventum. Këtu
Pirrua pësoi disfatë të plotë. Kampi i tij u kap.
Ai vetë mundi të shpëtonte dhe të arrinte në Tarent prej nga, pas pak
kohe, u kthye në Epir. Gjatë mungesës së Pirros, mbreti i Maqedonisë.
Antigon
Gonata, kishte rimëkëmbur dhe forcuar shtetin e vet. Autoriteti i
Maqedonisë në Greqi ishte rritur përsëri. Sa u kthve nga Italia, Pirro
vendosi të
ndryshonte gjendjen e krijuar në Ballkan dhe të provonte edhe një herë
të zinte fronin e Maqedonisë. Për këtë qëllim ai sulmoi Antigon
Gonatën, por
mundi t'i shkëpuste vetëm disa toka nga shteti i tij. Pas kësaj ai u
nis për në Peloponez kundër mbretit spartan, Areut, aleatit të
Maqedonisë.
Këtu ai korri një varg fitoresh të reja, por në një përleshje rrugësh
në qytetin Argos (në gjirin a Korinthit) u vra më 272 dhe ushtria e tij
u
shpartallua plotësisht. Pirro ka qenë një nga udhëheqësit ushtarakë më
të shquar të kohës së vet. Kur e pyetën njërin nga shokët e Aleksandrit
të
Maqedonisë kush ishte tani strategu më i shquar ai u përgjegj: "Pirro,
kur të arrijë në moshë të pjekur". Më vonë strategu i madh i kohës së
vjetër,
Hanibali, i dha Pirros vendin e dytë pas Aleksandrit, kurse vehtes,
vetëm të tretin. Pirro nuk ishte vetëm një udhëheqës ushtarak i
praktikës, por
edhe një teoricient ushtarak. Shumë mendime mbi artin ushtarak ai i
shkroi në kujtimet e tij të cilat per fat të keq nuk na janë ruajtur.
Por Pirro,
ndonse ishte një udhëheqës ushtarak i shquar, me ekspeditat e tij mori
përsipër një barrë që ishte jashtë fuqive të Epirit: të krijonte një
perandori.
Këto plane e hodhën atë në një varg luftash që përfunduan pa sukses.
Gjatë sundimit të Pirros shteti i Epirit arriti kulmin e fuqisë. Luftat
e vazhdueshme u forcuan shumë pushtetin e mbretit dhe të rrethit të
tij;
institucioneve të rendit fisnor iu dha një grusht i rëndë.
Plaçka e luftës dhe robërit e kapur gjatë betejave e pasuruan
aristokracinë epirote dhe e bënë një burim për zhvillimin e mëtejshëm
të skllavërisë në
Epir. Por këto lufta të përgjithëshme i shkaktuan Eprit humbje të mëdha
në njerëz dhe rënduan shumë mbi masën e gjerë të popullsisë së Epirit.
Pas
vdekjes së Pirros shteti i Epirit u dobësua. Prej tij u shkëputën njëra
pas tjetrës të gjitha tokat e pushtuara të taulantëve, Maqedonisë e
Thesalisë.
Maqedonia u forcuar e detyroi shtetin e Epirit ta njihte epërsinë e
saj. Aleksandri i II, trashegimtari i Pirros, u përpoq të rifitonte së
paku në
veri tokat ilire.
Per këtë ai luftoi kundër mbretit taulant, Mytilit, të cilit i shkëputi
disa toka në jugë të Apollonisë. Por në një luftë kundër maqedonëve ai
u mund
dhe i humbi përsëri tokat ilire të luginës së Vjosës. Mbretëria e
Epirit u kthye kështu pothuajse në kufijtë e vjetër të saj. Pakënaqësia
e popullsisë
në kohën e pasardhësve të Pirros u shtua edhe më shumë. Këtë e
shfrytëzoi aristokracia epirote, e cila e shihte me pakënaqësi gjithnjë
më të madhe
përqëndrimin e gjithë pushtetit në duart e mbretit. Si pasojë, në Epir
shpërthyen konflikte të ashpëra që mbaruan me vrasjen, rreth vitit 230,
të
mbretëreshës së fundit të Epirit, Deidameia, dhe me përmbysjen a
pushtetit mbretëror.
Geri- Fondatore St@ff Forum
- Postime : 19707
Piket : 23805
Regjistruar : 21/04/2009
Mosha : 36
Vendbanimi : Ne qytetin e dashur Tirone
Similar topics
» Shqiponja me dy koka, simboli yne me i lashti i botes
» Pirro Cako
» Pse shqiponja e flamurit eshte me 2 koke
» Shqiponja me dy koka, simboli ynë, me i lashti i botës
» Shqiponja dykrenore në strukturat e trashëguara shpirtërore
» Pirro Cako
» Pse shqiponja e flamurit eshte me 2 koke
» Shqiponja me dy koka, simboli ynë, me i lashti i botës
» Shqiponja dykrenore në strukturat e trashëguara shpirtërore
Faqja 1 e 1
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi