Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Lasgush Karadeci

Faqja 2 e 2 Previous  1, 2

Shko poshtë

Lasgush Karadeci - Faqe 2 Empty Lasgush Karadeci

Mesazh nga engjell a djall Sat 2 May 2009 - 2:55

First topic message reminder :

Ikja e shtrigut

Lasgush Poradecit


Iku dhe me i fundit shterg i shekullit
Fluturoi neper Mal te Thate
me Shqiponjen e aratisur
a me Nositin gji-care preku fundin e liqerit.
Gjeniu iku!
Ne mbetem mes tallazeve te poezise


Edituar për herë të fundit nga eridr në Sat 2 May 2009 - 3:01, edituar 1 herë gjithsej
engjell a djall
engjell a djall
Hapësira Jonë - Forum
Hapësira Jonë - Forum

<b>Postime</b> Postime : 7372
 <b>Piket</b> Piket : 8226
Regjistruar : 25/04/2009

https://hapesira.albanianforum.net/shkrimtare-shqiptare-f48/poezi

Mbrapsht në krye Shko poshtë


Lasgush Karadeci - Faqe 2 Empty Re: Lasgush Karadeci

Mesazh nga engjell a djall Sat 2 May 2009 - 3:08

Më 1944, kur Shqipëria u çlirua, Lasgush Poradeci ishte, jashtë çdo diskutimi, shkrimtari më i madh që jetonte në vend. I madhi tjetër, Fan Noli, ndodhej në SHBA.
Pas luftës, nga shtatë shkrimtarët më të mëdhenj të gadishullit Ballkanik, tre i përkisnin Greqisë: Kazanzaqisi, Seferisi dhe Elitisi, dy Shqipërisë, Poradeci dhe Noli dhe dy Jugosllavisë Andriçi dhe Kerlezha.



Qysh më 1929, Eqrem Çabej, në një artikull të tij, pasi e përqaste me poetë të shquar të kohës si Rilke, D’Anunzio etj., shkruante se poezitë e tij të gjera e plot gremina ishin si tragjedi të vogla, me stil të rëndë e ziplot, dhe dalloheshin nga ato të Naim Frashërit siç ndryshonte muzika bethoveniane nga ajo e Moxartit. Çabej e shpallte poet të madh shqiptar e europian, të cilin një fat i mirë duket sikur ia ka falur Shqipërisë, që të bëhet ai shkrimtari, të cilin Shqipëria do t’ia falë një herë botës.
Për fat të keq, paralajmërimi i gjuhëtarit të madh nuk u dëgjua dhe Lasgushi ra pre e forcave të errëta që mohonin vlerat e kombit shqiptar. Më 1945, kur u krijua Lidhja e Shkrimtarëve të Shqipërisë, drejtuesit e saj, në atë kohë e më pas, në vend që ta afronin, bënë sikur e harruan. Cmirëzinj e meskinë, ata u përpoqën ta zhvlerësonin, ta mbanin sa më larg, në mënyrë që ai të mos ishte i pranishëm në festë. Ngucjet kundër tij që, për fat të keq, u vazhduan edhe nga poetë që hiqeshin të shquar e që përligjeshin me gjoja parime të artit të ri, nuk kishin veçse një bazë: cmirën.
Dukej sikur ishte e lehtë ta harroje Lasgush Poradecin. Ai vetë, dukej se të grishte për këtë mënjanim, ngaqë vetzhdukej herë pas here, tretej në mjegull. Qysh nga viti 1929, në gjithë Shqipërinë letrare s’flitej veç për një sëmundje të tij të rëndë, (Çabej e ndërmend në artikullin e tij), kështu që bashkë me lavdinë, qysh në ato vite, (ai ishte 33 vjeç), u paralajmërua vdekja e tij e parakohshme. Ai vdiq më 1987, pra pas 58 vjetësh! Megjithatë, vula e vdekjes, një vulë aspak e rëndomtë, por fine, luksoze, i mbeti qysh atëherë. Ai nuk e përmend kurrë në vjershat e tij, nuk shkroi, p.sh., vargje të tilla si në vdeksha i ri më varrosni këtu apo atje etj., etj., tundim ky, që një poet me fatin e tij, vështirë se do t’i bente ballë. As në biseda nuk e përmendte kurrë, jo vetëm atë, por as vdekjen në përgjithësi. E, megjithatë, hija e saj, e tjetërfartë, si çdo gjë tjetër e tij, ishte përherë pranë.
Ai ishte kështu i dyzuar dhe ndokujt mund t’i dukej se mund të merrte cilën të donte prej anëve të tij: të gjallën ose të vdekurën. Këtë gënjim pësuan dhe ata që e sulmuan pa fre. Kujtuan se mund të komplotonin me atë vetë, me vetmohimin e tij, me vetmënjanimin e tij, për ta shtyrë në harresë.
Mirëpo, aq sa i lehtë ngjan harrimi i një shkrimtari të tillë, aq i pamundur është. Ashtu si mali që befas zbulohet nga mjegulla, ashtu ata faniten papritur në horizont, të mëdhenj, më shtypës dhe më kërcënues se ç’kujtohej.
Lasgush Poradeci nuk u fut luftë me tufën e mediokërve dhe as kërkoi kurrë drejtësi nga askush. Përbuzëz gjer në fund ndaj tyre, i ndërgjegjshëm për vlerën e veprës së tij, ai e dinte se ishte i pashkatërrueshëm.
Ajo që më habiste më shumë se çdo gjë, ishte ndjenja sovrane që kishte për veten. Çdo poeti tjetër, në vend të tij, do t’i pëlqente që në rrethin e ngushtë të miqve të qahej për mënjanimin, të ankohej për shtetin, t’i quante ata zyrtarët e lartë e kështu me radhë. Mirëpo ai, duke qenë një antikonformist më i madh, nuk ngashnjehej kurrë nga kjo lloj disidence. Dhe këtë nuk e bënte për kurrfarë frike ose kujdesi. Ishte aq mospërfillës e i pakujdesshëm, sa një grup gazetarësh, që kishin ardhur për ta intervistuar më 1985 ikën të tmerruar nga shtëpia e tij.
Ai nuk ankohej, sepse, ndonëse i mënjanuar, e qunate veten njeri kryesor i Shqipërisë, pra përgjegjës për gjithçka që ndodhte në vend. Mund të dukej më se e çuditshme, por nga biseda dilte se ai së brendshmi e qunate veten udhëheqës, ministër, peshkop dhe prokuror i shtetit.
Një ditë më tha:
Kur e dënuam me 80 vjet burg Vinçens Prenushin, ai ishte 76 vjeç.
Më bëri pështypje folja e dënuam dhe duke kujtuar se e dëgjova gabim i thashë:
Ju thatë e dënuam, në mos gaboj? Atëherë e futni edhe veten në dënimin e tij?
Ai më vështroi gjate siç e kishte zakon në kësi rastesh dhe u përgjigj:
Sigurisht. Poeti përgjigjet për çdo gjë.
Shpeshherë, në mendjen tij qeveria, poetët, shtabi i ushtrisë, ministria e jashtme, bëheshin njësh.
Në ç’regjim jetojmë?, më pyeti një ditë.
Në socializëm, zoti Lasgush.
Nje copë herë heshti, pastaj ia bëri hm.
Më pas e pyeta se vërtet e kishte harruar në ç’regjim jetonim, apo ishte një trill? Ai më vështroi gjithë zemërim:
E kisha harruar vërtet, tha, Poetit i lejohet çdo gjë.
Ishte shumë vështirë të ndaje tak ai harresat ose ngatërrimet e kohës qe shkaktoheshin prej moshës, nga ato që truri i tij i jashtëzakonshëm i filtronte apo i përzgjidhte pas mënyrës së vet.
Kur fliste për studimet e tij në Austri, të cilat kishin zgjatur rreth dhjetë vjet, ai herë e thoshte shifrën e saktë, e pak më pas e dyfishonte. Por habia ime arriti kulmin, kur një ditë nguli këmbë që studimet e tij në Austri kishin vazhduar dyzet vjet. Kundërshtimit tim, iu përgjigj me ironi therëse: Nga të tjerët e prisja këtë, më tha, mund ta prisja edhe nga i dashuri Çabej, sepse trurin e tij e ka mbyllur shkenca, por nga ti që je poet, kurrsesi. Sepse ti duhet ta dish që koha këtu, (dhe i ra me gisht tëmthit), në kokën e poetit është ndryshe.
Edhe herë të tjera më kishte folur për trurin e poetit, që, ndryshe nga i gjithë të tjerëve, ishte sipas tij i hapur, i çarë.
Tek vështroja flokët e tij të hirnosur, shpesh mendoja se me anë të ç’krisjeje vallë truri i tij jepte e merrte me zonat e paarritshme për të tjerët. Nëpër ç’të çarë fironte ajo pjesë e rëndomtë dhe e panevojshme e mendimeve, e ndjesive të zakonshme, për t’u zëvendësuar aty për aty nga të tjera, qä kushedi nga ç’hapësirë astrale rridhnin për të mbushur zbrazëzinë?
Duke dëgjuar ato që thoshte për të çarën e trurit të poetit, mendoja se asnjë gjuhë tjetër në botë nuk e kishte një sinonim aq të bukur për fjalën i çmendur, sesa në gjuhën shqipe. Kjo ishte fjala i krisur, që për nga tingëllimi ngjante aq shumë me crazy të anglishtes.
Në shumicën e gjuhëve evropiane, fjala i çmendur, vinte nga latinishtja, dementis, (i çmendur) dhe follis (kaçup me ajër). Në gjuhë të ndryshme sinonimet e shumta për këtë fjalë, që me sa dukej e cyste tepër mendjen njerëzore, bazoheshin me idenë e çrregullimit, të zhvendosjes, daljes prej hullie, të humbjes së drejtpeshimit, të lehtësisë prej zogu, të ikjes, të kapërcimit të masës etj. Shqipja, përveç këtyre, (i çmendur, i marrë, i lojtur, i lajthitur, i rrjedhur, i shkalluar, firifiu etj.), kishte krisjen, fjalë në të cilën marrëzia takohej me gjeninë, sipas një perftimi të vjetër që vetëm pak njerëz në botë e kanë të çarën, ma anë të së cilës komunikojnë me të pakomunikueshmen.
Më tregonte vetë se, qysh në rini, e quanin të krisur, madje për këtë e kishin çuar në manastirin e Shën-Naumit, ku qe njohur me murgjër rusë, të çmendur vërtet, që i kishin folur së pari për Dostojevskin.
S’ishte vetëm koha që rridhte ndryshe në mendjen e tij. Shumë gjëra i tregonte çuditshëm, megjithatë përcaktimet e tij kishin në të shumtën e herës një saktësi të pashoqe. Një poeti të njohur për vjershat e tij entuziaste i tha në sy të të gjithëve, si për ta lavdërtuar, se ishte bori e Partisë, kurse poetë të rinj lirikë i quante nimfa të Partisë. Por të gjitha këto i thoshte me hije të rëndë dhe nuk e kishte zakon kurrë që të pranonte se kishte ironizuar dikë.
Biseda e tij, sa e turbullt dhe mistike ngjante një herë, aq e kthjellët bëhej herën tjetër. Bisedën mund ta bënte lirisht në katër-pesë gjuhë, ndonëse parapëlqente gjermanishten dhe frëngjishten. Por po aq lirshëm fliste italishten, greqishten e rumanishten, ndërsa lexonte anglisht, rusisht e sanskritisht!
Një ditë, tek bisedonim, nisi të fliste gjermanisht dhe unë me kujdes, si me ata që kemi drojë mos i trembim kur i zgjojmë nga gjumi, i thashë: Zoti Lasgush, po flisni gjermanisht!
Një vit, gjatë gjithë pranverës ngatërronte një ngjarje të jetës së tij me atë të Gëtes. Ishte fjala për një ballo, në Korçë ose në Vjenë, ku ai ose Gëte, u zemërua pa të drejtë me mikeshën e vet. Ma përsëriti këtë disa herë, por në mënyra aq të ndryshme, saqë ishte e pamundur të ftilloje diçka. Më tepër do të besoje se kishin qenë rivalë që të dy për atë vajzë shqiptaro-gjermane, në një shekull që s’ishte as i njërit e as i tjetrit.
Nganjëherë bëhej aq i padepërtueshëm, sa të fuste frikën. Një ditë ishim në shtëpinë e tij në Tiranë dhe ime shoqe, duke parë portretin që ia kishte bërë një piktor gjerman i viteve tridhjetë, për të nxitur, me sa dukej, bisedën që nuk po ecte, tha:
Sa i bukur ky portret.
Një copë herë u fol për autorin e portretit, kur befas Lasgushi ngriti kryet dhe me zë të ftohtë tha:
Këtë portret nuk e ka bërë asnjë gjerman: por e kam bërë vetë.
Vështruam njëri-tjetrin, por vajza e tij e quajti të nevojshme të ndërhynte:
Kjo dihet që e ka bërë një piktor gjerman, baba.
S’është e vërtetë, tha Lasgushi krejt i sigurt.
Heshtja që pllakosi ishte e padurueshme. Ai ndenji sa ndenji ashtu me sytë nga dritarja, pastaj tha:
Ja të ngrihem ta shoh edhe njëherë!.
U ngrit nga kanapeja, iu afrua portretit, që kishte dyzet e ca vjet që gjendej në atë dhomë. Tregoi me gisht emrin e autorit gjerman që dallohej fare qartë dhe tha:
Ja ku shkruan: Lasgush Poradeci. U bindët tani?
Ne s’dinim ç’të përgjigjeshim, vetëm i bëmë shenjë vajzës të mos e acaronte më.
Eshtë ndërgjegjja jote e keqe që të shtyn të vësh në dyshim atë që them unë, iu drejtua vajzeës dhe me kaq biseda u mbyll.
E vrava mendjen shumë herë më pas të shpjegoj, qoftë dhe përafërsisht, logjikën e sjelljes së tij, por ajo ishte e pashpjegueshme. Një mister, nga të shumtat, që mori me vete.
Por, nganjëherë, ishte fare ndryshe. Më fliste shpesh për të fejuarën e tij të parë, një piktore që ishte leshverdhë sa ishte e fejuara ime dhe pastaj u bë e zeshkët kur un ndamë. Kurse vajzën holandeze, që e kishte sjellë nga jashtë shtetit dhe që iku befas një ditë, nuk e zinte ngoje kurrë. Ç’kishte ndodhur brenda tij, ç’shpërthim i brendshëm, si ato që ndodhin brenda diellit, e kishte hedhur atë vajzë në sferat qiellore, për ta yllësuar? Dihej nga të gjithë, se ndjekjen që ai i bëri asaj me aeroplan nga aeroporti i vogël provincial i Korçës në atë në Tiranë, nga ky i fundit në atë të Romës e pastaj atë të Budapestit, të Kopenhagenit, atë ndjekje të dëshpëruar e të pashpresë, ai e shndërroi në poezinë e tij në një ndjekje yjsh, që nuk arrijnë dot kurrë njeri-tjetrin. E kishte nxjerrë kështu nga vetja e tij, dhe jo vetëm nga vetja, por nga krejt sistemi diellor, ndaj dhe ndoshta nuk e përmendte më.
Nuk fliste as për dashurinë e fundit të tij, që e kishte përshkruar për çudi në prozë, në një nga prozat e rralla të mrekullueshme që kam lexuar prej tij: Vizitat e zonjushës Ana X. në kullën time.
Një njeriut, që nuk e njihte Lasgushin, do t’i dukej e folura e tj për prozën përçmuese. Por, duke mos njohur kodin e tij, duke mos ditur, p.sh., se ç’quante ai prozë, nga njëra anë dhe ç’mund të ishte përçmimi lasgushian nga ana tjetër, ishte vështirë të gjykoje për të.
Ai e quante prozën vdekje të poezisë, baltë, dhe kur një ditë ia kundështova këtë mendim, ai duke më hedhur vështrimin e zakonshëm në kësi rastesh, atë vështrim që mund të cilësohej si: dhe ti o Brutus?, më tha:
Unë thashë vdekje dhe baltë, po a ka gjë më të gjerë e fisnike se vdekja dhe balta?
Më pas, shpesh kam menduar se ai e shkroi pasionin e tij të fundit në prozë, ndoshta pikërisht ngaqë po i afrohej vdekja.
engjell a djall
engjell a djall
Hapësira Jonë - Forum
Hapësira Jonë - Forum

<b>Postime</b> Postime : 7372
 <b>Piket</b> Piket : 8226
Regjistruar : 25/04/2009

https://hapesira.albanianforum.net/shkrimtare-shqiptare-f48/poezi

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Lasgush Karadeci - Faqe 2 Empty Re: Lasgush Karadeci

Mesazh nga engjell a djall Sat 2 May 2009 - 3:08

E donte shumë liqenin e Pogradecit, që i kishte kushtuar disa nga perlat më të bukura. Rrallë, një mase uji, i është kënduar me aq thellësi, përkushtim dhe zi të përndritur së brendshmi.
Kur shëtiste në breg të tij, ndonëse qyteti ishte plot turistë e verues, nuk guxonte ta shqetësonte askush.
Dukej sikur vazhdimisht kërkonte diçka, ndoshta vendin e varrit të tij. Si të gjithë poetëve të mëdhenj edhe atij këmbët i venin vetvetiu te varri apo shtatorja e tij e ardhshme.
Përherë e më tepër ngjante qenie e të gjitha kohërave, që gjendej këtu dhe atje, njëkohësisht, ashtu siç kishte shkruar në vjershat e tij. Por ngjashmëria e tij ishte e vërtetë dhe jo shtihane, dhe fakti që ai paguante gjithmonë për të, flijonte rëndshëm për të, i vinte asaj vulën e së vërtetës. Si për të bërë të besueshme afërinë e tij me tragjikët e lashtë, filluan, që në gjallje, humbjet e veprës së tij. Shumë fletore të tij u zhdukën gjatë stinëve, kur ai e braktiste kullën e Pogradecit, për të kaluar dimrin në Tiranë.
Një prej humbjeve është proza Vizitat e zonjushës Ana X. në kullën time! [Shënim i redaksisë: Në kohën kur është shkruar nga autori Portreti Lasgush Poradecit, ky ditar konsiderohej i humbur. Tani e disponojnë vajzat e poetit]. Një person, që nuk e di në ç’rrethana kishte arritur t’ia merrte, ma dha për ta lexuar vetëm për një natë. Më pas, kur pas vdekjes së tij e pyeta për fatin e dorëshkrimit, ma mohoi. Nuk ju kam dhënë kurrë një dorëshkrim të tillë dhe as e kam patur kurrë në dorë, më tha duke më vështruar si të më thoshte: ndoshta e keni parë në gjumë.
Me Lasgush Poradecin mund të ndodhte gjithçka, dhe që nga thellësia ku qe varrosur ai mund të dërgonte mbi tokë dyzimin e tij, misterin dhe ëndrrën që e kishte rrethuar sa qe gjallë.
Do të besoja se isha sëmurur prej tij dhe ta kisha parë vërtet në ëndërr dorëshkrimin e tij të paqenë, sikur të mos kisha dëshmitare time shoqe, me të cilën i lexuam bashkë ato faqe të paharrueshme.
Diçka e papërballueshme, fatale e shtynte përherë të shkonte në Pogradec. Vitin e fundit, kur nuk qe në gjendje ta bënte rrugën e gjatë për atje, i thanë se ndërkaq ndodhej atje, madje për t’ia bërë të besueshme, vunë ca degë molle në dritare që ta bindnin se përtej dritares ishte kopshti me mollë i atjeshëm.
U varros sipas dëshirës atje. Ishte dymbëdhjetë nëntor 1987, por koha qe e bukur. Ndërsa i mbulonin arkivolin me dhé, dielli përndritte si ditë të kremte copërat e baltës përpara se të binin mbi të. ai po futej kështu nen dhé veshur me diell, mbathur me hanë, siç kishte shkruar në një vjershë të tij Pjetër Bogdani, treqind vjet më parë.
engjell a djall
engjell a djall
Hapësira Jonë - Forum
Hapësira Jonë - Forum

<b>Postime</b> Postime : 7372
 <b>Piket</b> Piket : 8226
Regjistruar : 25/04/2009

https://hapesira.albanianforum.net/shkrimtare-shqiptare-f48/poezi

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Lasgush Karadeci - Faqe 2 Empty Re: Lasgush Karadeci

Mesazh nga engjell a djall Sat 2 May 2009 - 3:08

Kroj i Fshatit t'one

Kroj i fshait t'one uje i kulluar,
C'na mburon nga pylli dyke mermeruar.

Vene mbushin uje vashat an'-e-mbane,
Cipezen me hoje lidhur me-nj'-ane;

Cipezen e bardhe,cipezene kuqe,
Gushen si zembaku,buzen si burbuqe.

E si mbushin uje, bubu! c'm'ju ka hije
Ndaj kethehen prape me hap nuserije:
Ndezur yll'i ballit si yll shenterije.

II

Kroj i fshatit t'one, ngjyre-'rgjendi-i-lyer,
Qe nga rrez'e pyllit c'na mburon rrembyer.

Vene pijne uje trimat an'-e-mbane
Takijen me lule permbi sy me-nj'-ane.

Takijen e dlire, takijen e nxire,
Buzen me te qeshur...me te psheretire...

Mbrenave kur uji mermeron nga-dale,
Vjen t'i thote trimi vashes nj'a dy fjale:

Vashezene bujare qe po vij me krua
Sec e pershendeta,sec m'u turperua
Papo ula kryet e shkova si grua.

Kroj i fshatit t'one,tete sylynjare,
Ne tete krahina qenka kroj i pare;

Qenke nje ne bote,s'paskerke te dyte,
C'na sheroka plaget,c'na sheroka syte.-

Kroj i fshatit t'one,n'ate pyll me flete,
Derdhet aq i eger,derdhet aq i qete,
Posi mall'i zemres mun ne gji te shkrete:

Derdhet aq i eger,derdhet aq i qete,
Posi mall'i vashes,qe djeg me te fshete,
Posi mall'i trimit,qe bucet perpjet,
Obobe!si malli,qe nuk vdes perjete.
Lasgush Karadeci - Faqe 2 User_offline
engjell a djall
engjell a djall
Hapësira Jonë - Forum
Hapësira Jonë - Forum

<b>Postime</b> Postime : 7372
 <b>Piket</b> Piket : 8226
Regjistruar : 25/04/2009

https://hapesira.albanianforum.net/shkrimtare-shqiptare-f48/poezi

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Lasgush Karadeci - Faqe 2 Empty Re: Lasgush Karadeci

Mesazh nga Sponsored content


Sponsored content


Mbrapsht në krye Shko poshtë

Faqja 2 e 2 Previous  1, 2

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi