Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Arjan Leka: “Poezia nuk vdes nga mosleximi”

Shko poshtë

Arjan Leka: “Poezia nuk vdes nga mosleximi” Empty Arjan Leka: “Poezia nuk vdes nga mosleximi”

Mesazh nga Geri Sun 8 Aug 2010 - 4:26

Arjan Leka ka zgjedhur ta ndajë procesin krijues mes poezisë dhe prozës, ndërsa kohën fizike edhe me angazhimin si botues. “Poeteka”, si i pari festival i poezisë, e ka lidhur më shumë imazhin e tij me këtë zhanër. Vetëm pak ditë më parë, ka qenë protagonist si poet në një festival të madh në Francë. Një festival kushtuar poetëve të Mesdheut, ku poezia është kthyer përgjatë ditëve në një mënyrë të jetuari. I kthyer nga një eksperiencë, ku autorët janë ndier “të gjallë”, Leka është gjithsesi optimist për poezinë shqipe të njëzet viteve të fundit.

Vetëm pak ditë më parë keni qenë pjesëmarrës në një festival në Francë dedikuar poezisë. Çfarë solli kjo eksperiencë për ju si poet dhe si organizues i një festivali poezie?

Festivali “Zërat e gjallë të Mesdheut” (Voix vive de Meriteranee en mediteranee) u organizua në qytetin Sete të Francës nga 23-31 korrik nën kujdesin e UNESCO-s. Ishte një zgjedhje e qëllimshme, sepse ky qytet ka një traditë të jashtëzakonshme të poetëve shëtitës gjatë Mesjetës. Njëkohësisht përfshin edhe shkollën e krijimit të poezisë në gjuhën oksitane, dialekt i fuqishëm brenda frëngjishtes. Arsyeja tjetër është lidhja e këtij qyteti me emrin e një poeti shumë të madh të modernitetit, Paul Valery. Është një festival i dimensionit më të gjerë europian, ku parapëlqehet e jetuara ‘live’ me poezinë dhe koncepti më i lartë i këtij festivali është që qyteti të mbulohet me poezi në kohë dhe në hapësirë. Të gjitha rrugët, të gjitha sheshet, kthinat, kopshtet e vockla ishin të zëna me festivalin. Kishe shumë pak kohë për të fjetur, shumë pak kohë për të parë ëndrra, duhej t’i jetoje gjërat. Emrat pjesëmarrës ishin nga më përfaqësuesit: Adonis nga Libani, Ahmed Rached Thani nga Emiratet e Bashkuara Arabe, Venus Khoury nga Ghata, Liban, Bernard Mazo dhe Lionel Ray për Francën, Monzer Marsi për Sirinë, Hasan Zeqtan nga Palestina. Poezitë u lexuan të gjitha në gjuhët origjinale dhe çdo poet kishte aktorin deklamues në frëngjisht dhe të shoqëruar nga muzika mesdhetare. Unë, Afroviti Gusho dhe Edi Shukriu nga Kosova u shoqëruam prej violinistes Gentiana Tonuzi. Ishte një nderim i madh që iu bë poetëve dhe poezisë në një kohë që harta poetike ngushtohet. U gjet një mënyrë për të thënë që 10 ditë ju jeni. Është një skenë mahnitëse se si mund të punohet me poezinë. Kemi fatin që një pjesë e këtij festivali, qoftë si strukturë, qoftë si pjesëmarrës, do të jenë në tetor në “Poetekë”.

Përveç poetëve, sa jetonte publiku me poezinë?

Ishte interesante të shihje se as ky festival, as poezia nuk i imponoheshin publikut. Ndodhte në mënyrë shumë të thjeshtë. Njerëzit dilnin për pazar, dëgjonin poezi dhe ndalnin hapat. Kam fiksuar në foto shumë njerëz që dilnin të ndernin rrobat dhe rrinin mbi gjysmë ore për të dëgjuar poezi. Nuk ishin as admirues poezish e ndoshta as lexues. Për më tepër, gjatë leximeve ishin të shumtë ata që incizonin poetët për të koleksionuar zërat. Ishte kthyer në një lloj epidemie. Kjo mënyrë komunikimi e drejtpërdrejtë me poezinë ishte mjaft e këndshme. Poetët kishin dreka e darka të hapura dhe kishte plot bashkëpunim. Ndërsa një panair ku nuk shiteshin librat, por botuesit francezë takoheshin me poetët, nxiste botimin e poezive jo si libër më vete, por si fletë të veçanta. Kjo ishte menduar si një formë qarkulluese dhe mënyrë komunikimi më e gjerë.

Është quajtur takim i poetëve mesdhetarë. Çfarë e bashkonte dhe e ndante poezinë e vendeve të ndryshme mesdhetare?

Në të vërtetë kishte edhe vende që nuk e përfaqësojnë shumë kulturën mesdhetare, siç ishte Maqedonia apo Serbia, por zgjerimi i hartës poetike mbase i bën mirë edhe zgjerimit të hartave të tjera. Nuk ka pse të mos jemi bashkë, s’ka pse të mos komunikojmë. Ishte një refleksion për kulturën detare dhe ishte bukur të dëgjoje aq shumë poezi për detin. Kjo gjë na bashkon të gjithëve.

Nëse kthehemi te poezia shqiptare dhe veçanërisht pas ‘90-s, a e bën ajo jetën e saj në publik?

Poezia është një produkt i krijuar në vetvete dhe nuk është i domosdoshëm publiku. Është si të thuash që në një vend të pabanuar nuk duhet të mbijnë lule, sepse nuk ka njerëz t’i shohin. Unë kam mendimin shumë pozitiv për poezinë pas ‘90-s. Është krijimtaria më e mirë dhe arritja e artit të shkruar shqiptar. Këto 20 vite do kenë pasur edhe paskthimet e veta për të plotësuar kohën e humbur. Shpeshherë poezia ka ardhur edhe si eksperiment, edhe si formë imitative, por këto janë thjesht për të plotësuar ato zbrazëtira që ka lënë një kulturë e munguar. Ne s’kemi mundur të kemi futurist, impresionist, surrealist në poezi. Vitet e para u shërbyen edhe formave eksperimentale, ndërsa tani besoj se ka plot poetë origjinalë. Padyshim ka edhe pjesë të poezisë që nuk është shija ime.

Nuk i besoni jetës së poezisë jashtë autorit?

Padyshim që po, por nuk ndikoj dot që publiku ta ndjekë detyrimisht. Ne po përpiqemi pak që të krijohet një lloj lexuesi që të kthejë kokën kur dëgjon vargje, një lloj lexuesi që të mos i largohet poezisë se ajo është “elitare”. Poezia është komunikative, thjesht duhet kohë. Autorët e kanë bërë punën e tyre. E kanë zgjatur dorën për të thënë: Po, unë kam një libër. Tani mbetet që të tjerët të zgjasin dorën për të thënë: Unë kam pak kohë të lexoj poezi. Por poezisë nuk do t’i vijë e keqja nga mosleximi, ndoshta nga mosshkrimi. Dekurajimi i lexuesit uroj të mos mbërrijë tek autori. Njerëzit shkruajnë se nuk rrinë dot pa shkruar dhe sepse kjo formë është e papërsëritshme.

Si është përqasja juaj me poezinë?

Poezia ka komoditet të madh, mund ta shkruash kudo. Nuk do studio më vete, nuk do libra konsultativë. Thjesht duke ecur mund të vijë ritmi në mënyrë të natyrshme. Nga muaji dhjetor e këtej nuk kam shkruar asgjë. Ka vetëm pak ditë që kam shkruar diçka. Kjo është shenjë e mirë, do të thotë që je gjallë.

Janë të privilegjuar poetët nga ju si botues?

Po. Shtëpia botuese “Ideart”, ku unë kam një kontribut, është e vetmja që ka botuar poezi shumë të mira, si poezi të letërsisë shqipe, zgjedhur sipas shijes sonë jo të pagabueshme, dhe poezitë më të mira botërore. Autori i fundit ka qenë Ceslav Milos.

Cilat janë planet më të afërta si krijues?

Po punojmë për një projekt të vjetër, atë të një libri poetik me bashkautorësi me poeten Aurelia Lassaque. Është një libër një plus një, ku ajo do të shkruajë në oksitanisht dhe unë në një shqipe të Shqipërisë së Mesme, ndërkohë që do të kemi në mes edhe frëngjishten zyrtare. Janë poezi dashurie që do të shoqërohen me ilustrime. Pjesa tjetër janë botime të miat në gjuhë të huaja: do të botohen në Austri po në gjermanisht “Poezi të zgjedhura” në Edition Thanhauser, duke vazhduar në Francë në Edition Baudelaire, në Bullgari do të botohet romani “Gjarpri i shtëpisë”. Vetëm dy ditë më parë kam marrë njoftimin se një shtëpi botuese amerikane po boton antologjinë e prozës së shkurtër amerikane, ku nga dhjetë autorë europianë është zgjedhur edhe tregimi im “Vëllezër në brisk”. Është një vit i mbarë me botime.
Geri
Geri
Fondatore St@ff Forum
Fondatore St@ff Forum

<b>Postime</b> Postime : 19707
 <b>Piket</b> Piket : 23805
Regjistruar : 21/04/2009
 <b>Mosha</b> Mosha : 35
 <b>Vendbanimi</b> Vendbanimi : Ne qytetin e dashur Tirone

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi