Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Shtetet Ilire

Faqja 2 e 2 Previous  1, 2

Shko poshtë

Shtetet Ilire - Faqe 2 Empty Shtetet Ilire

Mesazh nga Geri Thu 4 Mar 2010 - 8:40

First topic message reminder :

Perseri nga Historia e Shqiperise nje permbledhje mbi Iliret dhe
organizimin e jetes se tyre.


K R E U I I I


SHTETET ILIRE




Në fundin e shek. V p.e.sonë ilirët hynë në rrugën e zhvillimit
skllavopronar. Në shekujt që pasuan e deri në pushtimin romak krahinat
më të përparuara ilire, ato jugore, kryesisht bregdetare, njohën
zhvillimin e tyre më të lartë shoqëror e politik të pavarur. Urbanizimi
intensiv i kësaj treve dhe zhvillimi që mori, për pasojë, mënyra antike e
prodhimit në shek. IV-III p.e.sonë çoi në krijimin e një shoqërie
antike të mirëfilltë dhe në formimin e një vargu shtetesh ilire, të
cilat u inkuadruan në qytetërimin e përparuar të botës mesdhetare.
Midis formacioneve shtetërore që u formuan në trevën e gjerë ilire, ai
që arriti një shkallë të lartë të zhvillimit politik dhe që luajti një
rol të shquar në ngjarjet politike të kohës qe Shteti Ilir apo Mbretëria
Ilire. Që nga dukja e këtij shteti emrat ilir dhe Iliri morën, përveç
kuptimit të gjerë etnik, edhe një kuptim të ngushtë politik, që u lidhën
me fatet historike të këtij formacioni shtetëror dhe të popullsisë së
tij, e cila në burimet e shkruara do të njihet me emrin Illyrii
propriedictii (ilirë të mirëfilltë). Në kohë të ndryshme Mbretëria Ilire
ushtroi pushtetin e vet, natyrisht me luhatjet që i imponuan rrethanat
politike, në një territor të gjerë që përfshinte krahinat prej lumit
Naretva (Narona) në veri e deri te lumi Vjosa (Aous), në jug me një
shtrirje drejt lindjes deri te liqenet Lyhnide në kufi me Maqedoninë dhe
më në veri me Mbretërinë Dardane.
Në krahinat më jugore ilire u formua një shtet tjetër i rëndësishëm ilir
i njohur me emrin Shteti i Epirit, i cili shquhet sidomos në ngjarjet
politike të fundit të shek. IV dhe të çerekut të parë të shek. III
p.e.sonë. Në kohën e shtrirjes më të gjerë të tij, ai përfshinte tokat
prej lumit Vjosa (Aous) e deri në gjirin e Artës (Nikopolit), duke u
kufizuar nga jugu me Akarnaninë, kurse nga lindja me Thesalinë e
Maqedonisë.
Në këtë hapësirë kanë ekzistuar si formacione shtetërore të pavarura
edhe një varg qytetesh shtete, si Dyrrahu, Apolonia, Ambrakia, historia
politike e të cilave u zhvillua herë në lidhje të ngushtë e herë në
kundërshtim me atë të Shtetit Ilir dhe të atij të Epirit. Në rrethana të
caktuara politike lindin gjithashtu formacione më pak të rëndësishme në
formën e lidhjeve qytetare (Koinon), si ajo e Bylinëve etj., që kanë
një peshë më të vogël në historinë politike të Ilirisë.
Në krahinat e brendshme jugore dhe qendrore ilire u formuan tri mbretëri
të vogla ilire: e paionëve, e dardanëve dhe e athamanëve. E para
shfaqet me një shkëlqim të shkurtër në shek. IV p.e.sonë për të rënë
pastaj shpejt nën goditjet e politikës ekspansioniste të shtetit
maqedon, kurse dy të fundit dalin në arenën politike në shek. III me një
rol të parëndësishëm.
Popullsitë ilire të krahinave të brendshme qendrore e veriore nuk njohën
deri në fillim të erës sonë një organizim politik shtetëror; edhe në
këtë kohë ato arritën të organizohen vetëm në federata fisnore, siç
është rasti i dalmatëve ose i fiseve të tjera.




1. ZHVILLIMI EKONOMIK E SHOQËROR I ILIRËVE NË SHEK. IV
P.E.SONË




Lindja e qyteteve dhe e jetës qytetare


Zhvillimi ekonomik e shoqëror i Ilirisë gjatë epokës së hekurit dhe
veçanërisht gjatë shek. VII-V p.e.sonë kishte përgatitur kushtet për
lindjen e qyteteve dhe të jetës qytetare. Siç dëshmojnë të dhënat
arkeologjike, qytetet ilire ngrihen mbi bazën e vendbanimeve të
fortifikuara të epokës së hekurit dhe të qendrave protourbane që u
krijuan si rezultat i zhvillimit të zejtarisë, të bujqësisë, të
blegtorisë, si edhe të intensifikimit të marrëdhënieve të këmbimit me
botën greke. Kjo dëshmohet nga prania e gjerë e qeramikës së importuar
korinthike e jonike dhe më pas edhe nga prodhimet e kolonive greke në
Dyrrah e në Apoloni, të cilat kishin hyrë në marrëdhënie të ngushta me
prapatokën ilire.

Lindja dhe zhvillimi i jetës qytetare ishte një dukuri me karakter
ekonomik e shoqëror tërësisht e re. Thelbi i saj ishte vendosja e
ekonomisë antike të tregut që u materializua me krijimin e qyteteve si
qendra prodhimi e shkëmbimi. Kjo është e lidhur me shkëputjen e plotë të
zejtarisë nga bujqësia, me krijimin e mënyrës antike të prodhimit dhe
me zbatimin e punës së skllavit në degët e ekonomisë.

Njoftimet më të hershme për ekzistencën e qyteteve në Iliri i takojnë
mesit të shek. IV p.e.sonë. Historiani grek, Diodori, duke përshkruar
fushatat e Filipit II kundër ilirëve thotë se mbreti i Maqedonisë “u
lëshua mbi Ilirinë me një ushtri të fortë, plaçkiti vendin, nënshtroi
shumë qytete të vogla dhe u kthye në Maqedoni me plaçkë të madhe”.
Oratori i madh, Demosteni, duke paralajmëruar athinasit për rrezikun që i
kërcënonte nga mbreti maqedon, vë në dukje gjithashtu se “Filipi po
fortifikonte qytete në Iliri”. Pak më vonë historianët grekë të shek. II
p.e.sonë Ariani e Rufi përmendin me emër Polionin si qytet i
Dasaretisë, kurse historiani i shek. IV p.e.sonë Theopompi përmend
qytetin Oidanton. Më në fund nga të dhënat numizmatike të fillimit të
shek. IV p.e.sonë mësojmë emrin e një qyteti të rëndësishëm ilir,
Damastion. Kuptohet se origjinën e këtyre qyteteve, që janë të pranishme
në mesin e shek. IV p.e.sonë, (një rast vërtetohet qysh në fillim të
këtij shekulli), duhet ta kërkojmë pak më parë, d.m.th. në fundin e
shek. V p.e.sonë.

Nuk dihet me saktësi se ç’paraqesin në vetvete këto qytete të hershme
ilire. Dëshmitë e autorëve antikë, përveç faktit që kumtojnë ekzistencën
e tyre, janë tepër të varfra për të ndihmuar që të rindërtohet pamja
reale e këtyre qendrave urbane.

Edhe nga pikëpamja arkeologjike nuk ka ende gjurmime të tilla, nëpërmjet
të cilave të dallohet qartë qyteti i kësaj kohe. Megjithatë, prej
qyteteve antike, rrënojat e të cilave ruhen në vendin tonë, mund të
pohohet se qyteti i mirëfilltë në Iliri formohet kryesisht gjatë shek.
IV p.e.sonë. Në këtë kohë kemi edhe dëshmitë e qarta si nga burimet e
shkruara, ashtu edhe nga ato arkeologjike.

Këto qytete ashtu sikurse vendbanimet e fortifikuara të epokës së
hekurit, ngrihen mbi kodra të mbrojtura nga pikëpamja natyrore, por
shtrihen me sipërfaqe relativisht më të gjera, që arrijnë deri në 10-20
ha. Muret e tyre rrethuese janë ndërtuar me një teknikë më të përparuar
me blloqe shumëkëndëshe, trapezoidale; ato janë mjaft të fuqishme dhe me
një bukuri të rrallë (Amantia, Klos, Çuka e Aitojt etj.), por sistemi i
fortifikimit në përgjithësi është ende i thjeshtë; ai nuk njeh kullat,
rolin e të cilave e luajnë deri diku kthesat me kënd të drejtë, që bën
muri herë mbas here për arsye qëndrueshmërie; edhe portat në këtë sistem
janë të pakta e me një mbrojtje më të dobët.

Qytetet e mëdha zënë një pozitë qendrore në krahinën që zotërojnë dhe
shtrihen në një hapësirë prej 30-40 ha, siç është rasti i Bylisit, i
Antigonesë, i Lisit etj., dhe janë të mbrojtura me mure të fuqishme.
Duke folur për qytetet e kësaj kohe Diodori i quan ato me termin
polisma, që do të thotë qytete të vogla, me sa duket ende në shkallën
fillestare të zhvillimit të tyre. Demosteni, në shek. IV p.e.sonë
përkundrazi, përdor termin poleis që do të thotë qytet. Ndryshimi që
vërehet në termat e përdorur prej këtyre dy autorëve nuk duket të jetë i
rastit; ai shpreh me sa duket një diferencim që u bëhet këtyre qendrave
urbane ilire dhe që lidhet me karakterin e tyre. Pak dritë mbi këtë
çështje hedh pohimi i Arianit, i cili e quan Pelionin si “qytetin më të
fortë” midis qyteteve të Dasaretisë. Duket se disa qytete kishin mundur
të ecnin përpara dhe të dalloheshin prej të tjerave. Interes të veçantë
paraqet në këtë drejtim Damastioni, i cili është dhe i pari qytet ilir
që pret monedha. Burimet tregojnë se ky qytet gjendej në shpinë të zonës
bregdetare, diku midis kësaj zone dhe liqeneve lynkeste. Duke folur për
këtë Straboni në shekullin e parë shkruan kështu: “Pas Epidamnit dhe
Apolonisë gjer te malet Keraune ndodhen bylinët, taulantët, parthinët
dhe brygët; aty afër gjenden dhe minierat e argjendit në Damastion, mbi
të cilat diestët vendosën sundimin e tyre, si dhe enkelejtë, të cilët i
quajnë dasaretë; afër këtyre vijnë lynkestët..”. Mungesa e të dhënave më
të sigurta ka penguar që ky qytet të lokalizohet me saktësi, por duke u
nisur nga arsenali i gjetjeve të monedhave të tij, ai duhet kërkuar në
krahinat e brendshme ilire, diku në lindje të Drinit të Sipërm.

Pasazhi i Strabonit ka një rëndësi të veçantë dhe për një fakt tjetër.
Ai tregon se Damastioni qe një qytet që lindi dhe u zhvillua në një zonë
të pasur me miniera, të cilat, me sa duket përbënin edhe bazën
ekonomike të tij. Shfrytëzimi i tyre dhe zhvillimi i zejtarisë së
përpunimit të metaleve qenë degët kryesore të kësaj ekonomie. Karakteri i
saj bëhet i qartë edhe nga simbolet që mbajnë monedhat e qytetit, të
cilat paraqesin midis të tjerash çekanin e minatorit dhe shufrat
metalike.

Damastioni është, kështu, shembulli i një qyteti zejtar të përparuar të
kësaj kohe, por padyshim jo i vetmi. Pelioni shfaqet në burimet, jo
vetëm si qyteti më i fortë midis qyteteve të Dasaretisë, por edhe si
kryeqendër apo qendër rezidenciale e mbretit ilir. Ka mundësi që qytetet
e tjera më të vogla, ato që Diodori i quan polisma, do të kenë qenë
qendra njësish gjeografiko-ekonomike, ku do të ketë mbisunduar ekonomia
bujqësore-blegtorale me ndonjë degë të kufizuar të zejtarisë.


Zejtaria, bujqësia e blegtoria


Lindja e qyteteve i dha një shtytje të re zhvillimit të degëve të
ndryshme të ekonomisë ilire.
Zejtarinë e shfrytëzimit të minierave dhe të përpunimit të metaleve
ilirët e njihnin dhe më parë, por asnjëherë si tani ajo nuk paraqitet si
degë e veçantë e një qyteti, siç është rasti i Damastionit. Në shek. IV
në zejtarinë e punimit të metaleve nuk vihet re ende ndonjë ndryshim
cilësor, fjala vjen në punimin e veglave të punës, të armëve apo të
zbukurimeve, në krahasim me shekujt pararendës. Por tani mund të flitet
për një veprimtari më të gjerë e më intensive si në shfrytëzimin e
minierave, ashtu edhe në prodhimtarinë e degëve të veçanta të zejtarisë
metalpunuese. Bie në sy në mënyrë të veçantë rritja e prodhimit të
armëve, që përbëjnë në këtë kohë gjetjet më të shumta nëpër nekropolet
në krahasim me zbukurimet.

Megjithatë, nuk pati ndonjë përparim, në fushën e zejtarisë së prodhimit
qeramik, madje importi e dobësoi për një kohë këtë degë të zejtarisë
ilire.
Ndërkaq në fushën e ndërtimeve ndodh një revolucion i vërtetë. Mjeshtrat
e ndërtimit shquhen në shek. IV për aftësitë e tyre arkitektonike e
teknike dhe për njohuritë e thella në fushën e artit të fortifikimeve,
që i zbatonin në nivelin më të përparuar të kohës, ashtu si në shumë
vise të tjera të botës mesdhetare. Muret rrethuese të qyteteve të
ndërtuara në stilin poligonal janë dëshmia më e qartë e arritjeve në
këtë fushë.

Të dhënat për bujqësinë dhe blegtorinë e ilirëve për shek. IV janë të
varfra. Autorët bashkëkohës, si Aristoteli, Skymni, Ariani etj., nuk
bëjnë tjetër veçse përsërisin Hekateun, për shkak të njohjes ende të
pamjaftueshme të Ilirisë; megjithatë Iliria për autorët grekë ishte
vendi i një bujqësie e blegtorie të zhvilluar, tokat pjellore të së
cilës shfrytëzoheshin vende-vende në mënyrë intensive dhe që krahas
kulturave bujqësore (rritja e ullirit, kopshtaria e bletaria), në
kullotat e pasura rritnin bagëti të mira të racës.
Të dhënat arkeologjike i vërtetojnë këto njoftime. Parmenda e paraqitur
në buzët e një pitosi gjetur në fushën e Korçës, si dhe figurat
simbolike të paraqitura në monedhat e Dyrrahut e të Apolonisë, apo në
monumentet varrimore të kohës, si kalliri i grurit, dega e ullirit,
bistaku i rrushit, bleta, lopa si dhe briri i bollëkut, simbol i
pjellorisë dhe i begatisë, u bëjnë jehonë pasurive të tokës ilire dhe
zhvillimit që kishin marrë bujqësia e blegtoria ilire në këtë kohë.


Tregtia dhe qarkullimi monetar



Si rrjedhim i zhvillimit të zejtarisë dhe të degëve të tjera të
ekonomisë ilire u zgjeruan shkëmbimet dhe tregtia. Gjetjet arkeologjike
dëshmojnë për një shtrirje të gjerë të prodhimeve të zejtarisë ilire.
Tipat standardë të armëve, të zbukurimeve dhe të enëve prej balte që
përsëriten në gjetjet nga një krahinë në tjetrën, dëshmojnë për
marrëdhënie intensive midis popullsisë së krahinave të ndryshme dhe për
një zhvillim të konsiderueshëm të këmbimeve midis tyre.
Një zhvillim më të gjerë morën në këtë kohë shkëmbimet me botën greke.
Jo më kot pasuritë minerale dhe disa prodhime bujqësore tërhoqën
vëmendjen e autorëve antikë të kësaj kohe. Duket se këto prodhime ishin
ndër artikujt kryesorë të eksportit ilir. Një vend me rëndësi zinin
këmbimet me kolonitë greke të bregdetit Adriatik dhe qytetet e Halkidës,
të cilat merrnin nga Damastioni argjendin për prerjen e monedhave të
tyre, kurse nga tokat e afërta të Atintanisë serën, që u duhej për
ndërtimin e anijeve dhe lyerjen e enëve të transportit.

Kundrejt tyre ilirët merrnin prodhime luksi të artizanatit grek, midis
të tjerave prodhime atike e italike. Krahas prodhimeve të Dyrrahut e të
Apolonisë, enët e këtyre qendrave janë gjetje jo të rralla në
vendbanimet e zonës bregdetare. Por ato fillojnë të duken më dendur edhe
në krahinat e brendshme ilire. Pas Trebenishtit ato shfaqen edhe në
luginën e mesme të Drinit, në afërsi të Kukësit e të Krumës. Këto
prodhime arrijnë këtu nëpërmjet rrugëve tregtare të shkelura qysh në
shek. VI-V, duke ndjekur luginat e lumenjve me pikënisje si nga qendrat e
bregut Adriatik, ashtu edhe të Egjeut.


Monedhat e argjendit përdoren gjerësisht si ekuivalent shkëmbimi. Në
krahinat bregdetare gjejnë një përhapje të madhe monedhat e Dyrrahut e
të Apolonisë, kurse në ato të brendshme dhe lindore monedha e
Damastionit. Gjetjet e deritanishme tregojnë se kjo monedhë qarkulloi në
një zonë të gjerë që përfshinte krahinën e diestëve, penestëve dhe
pjesërisht atë të lynkestëve.
Prerja dhe hedhja në treg e monedhave nga një qytet ilir si Damastioni
është një fakt me rëndësi të veçantë. Ai tregon se tani, në pjesën e
parë të shek. IV p.e.sonë, krahas Dyrrahut dhe Apolonisë, të cilat me
monedhat e tyre, qysh nga shek.V p.e.sonë kishin mbuluar krahinat e
afërta të ultësirës bregdetare dhe i kishin tërhequr ato në orbitën e
marrëdhënieve skllavopronare, një qytet ilir, Damastioni, lindi dhe u bë
qendër e rëndësishme ekonomike e krahinave të brendshme. Ai hodhi në
treg monedhën e vet dhe me këtë shënoi shtrirjen e mëtejshme të sistemit
monetar në krahinat e brendshme të Ilirisë Jugore. Ekonomia monetare
theu kështu dhe në këtë pjesë të Ilirisë ekonominë e prapambetur
natyrore, për t’i hapur rrugën një sistemi të ri ekonomik,
skllavopronarisë.
Geri
Geri
Fondatore St@ff Forum
Fondatore St@ff Forum

<b>Postime</b> Postime : 19707
 <b>Piket</b> Piket : 23805
Regjistruar : 21/04/2009
 <b>Mosha</b> Mosha : 35
 <b>Vendbanimi</b> Vendbanimi : Ne qytetin e dashur Tirone

Mbrapsht në krye Shko poshtë


Shtetet Ilire - Faqe 2 Empty Re: Shtetet Ilire

Mesazh nga Geri Thu 4 Mar 2010 - 8:48

2. KRYENGRITJET E ILIRËVE



Kryengritjet e ilirëve në mesin e shek. I p.e.sonë



Megjithëse popullsitë e ndryshme ilire ishin mundur në beteja të veçanta
nga ushtria romake, kjo e fundit nuk e kishte thyer përfundimisht
qëndresën e tyre. Pas luftërave mbrojtëse filluan kryengritjet. Mizoritë
e ushtrive romake, veprimet arbitrare të komandantëve e të qeveritarëve
romakë, taksat e rënda, plaçkitjet e grabitjet e pushtuesve i shtynë në
kryengritje ilirët e veriut dhe të jugut. Pushtimi romak bëhej përherë e
më i rëndë; në krahinat e pushtuara nuk ishin të siguruara as gjëja, as
nderi dhe as jeta e ilirëve.

Kjo bëri që në gjysmën e dytë të shek. I p.e.sonë, gjatë krizës politike
që kaloi Republika Romake për shkak të luftës civile, lufta çlirimtare e
ilirëve të zgjerohej edhe më shumë. Në krahina të ndryshme të Ilirisë,
sidomos në ato bregdetare u krijua një situatë e favorshme, e cila u dha
shkas përpjekjeve për çlirim. Duke pasur synime të qarta politike,
ilirët u përpoqën të përfitonin nga konfliktet që lindën në gjirin e
klasës sunduese romake. Kështu në vitet 50 të shek. I p.e.sonë një pjesë
e qyteteve (ku ishin vendosur qytetarë italikë) që kishin filluar të
zhvilloheshin ekonomikisht, morën anën e Cezarit; paria ilire, e nisur
nga interesat e saj jetësore, përkrahu kundërshtarin e tij, Pompeun.

Të parët që morën armët dhe u ngritën kundër romakëve qenë pirustët; në
vitin 50 p.e.sonë ata sulmuan krahinat jugore të vëna nën administrimin e
Cezarit. Shteti romak mori masa mbrojtjeje kundër pirustëve
kryengritës, dërgoi forca të reja ushtarake dhe fortifikoi qytetet. Ne
kemi dëshminë e tri mbishkrimeve latine të gjetura në Lezhë dhe të vetë
Cezarit për rindërtimin e fortifikimeve të Lisit, që duhet të ketë qenë
një nga qytetet e para të sulmuara nga pirustët.

Atë që nuk mundën ta bënin pirustët, dëbimin e pushtuesve romakë nga
vendi i tyre, e bënë dalmatët. Në vitet 50 të shek. I p.e.sonë dalmatët
rimëkëmbën federatën e tyre. Në kufirin verior me liburnët ata çliruan
qytetin Promona dhe thyen ushtrinë e fortë romake të dërguar kundër tyre
nga Cezari. Në vitet 47-48 në një betejë të madhe ata shkatërruan
tërësisht ushtrinë romake të përbërë nga 15 kohorta këmbësorësh e 3 000
kalorës. Më shumë se 2 000 ushtarë, 30 centurionë e 4 tribunë romakë u
vranë në këtë betejë. Me disfatë përfunduan edhe operacionet e tjera të
ushtrisë romake, e cila u thye, duke humbur edhe flamujt. Sipas Apianit,
dalmatët pas këtyre betejave “nga plaçka e shumtë që zunë jo vetëm u
pasuruan në të holla, por rritën fuqinë e tyre ushtarake”. Dalmatët
mbetën të pavarur dhe të fuqishëm edhe pas vdekjes së Cezarit.
Kundër pushtuesve romakë u ngritën edhe parthinët, tokat e të cilëve
gjatë luftërave u bënë shesh lufte.

Me pasoja për ta qe lufta midis Cezarit e Pompeut që shkatërroi
ekonominë e tyre. Gjatë kësaj lufte ushtritë romake grabitën popullsinë
parthine dhe krijuan aty një gjendje pasigurie. Për herë të parë
parthinët ngritën krye në vitin 48 p.e.sonë, por kryengritja më e madhe e
tyre ka qenë ajo e vitit 39, gjatë së cilës u shkaktuan pushtuesve
romakë humbje të mëdha. Por në luftimet u vranë rreth 5 000 kryengritës.
Sipas tregimit të Apianit, edhe pasi ishte shtypur kryengritja, njëri
prej komandantëve romakë, Mark Antoni, do të ndihmonte ushtrinë që
kishte në tokat ilire dhe me qëllim që ta bënte të pasur dhe
njëkohësisht ta stërviste, e hodhi këtë ushtri kundër parthinëve.

Gjatë gjysmës së dytë të shek. I fise të tjera kryengritëse ilire të
veriut vazhduan të luftojnë kundër pushtuesve romakë. Oktaviani, që
ishte bërë në vitet 40 sundimtar i vetëm i shtetit romak, u detyrua të
vinte vetë në viset ilire të çliruara në krye të një ushtrie prej 8-10
legjionesh (pothuaj 1/5 e ushtrisë së tij). Me këtë fushatë të madhe
ushtarake Oktaviani kërkonte të forconte njëkohësisht edhe pozitën e tij
në Itali. Në vitin 35 p.e.sonë ushtria i sulmoi nga toka dhe nga deti
liburnët, kaonët dhe japodët. Këta të fundit u bënë legjioneve pushtuese
një qëndresë të madhe. Në qëndresën ilire të kësaj kohe mbetet si një
shembull i madh lufta për mbrojtjen e Metulit, qytetit kryesor të
japodëve. Romakët mundën të pushtonin këtë qytet vetëm kur ai u
shkatërrua i tëri dhe kur ishin vrarë mbrojtësit e tij. Për të mos rënë
në duart e armikut, gratë metulase me fëmijët e tyre u hodhën në zjarrin
që përfshiu qytetin. Shteti romak sulmoi pastaj edhe fise të tjera
ilire si panonët, dalmatët e dardanët.

Pas kësaj fushate të përgjakshme që u kushtoi rëndë romakëve, këta të
fundit arritën deri në Danub, duke hapur edhe rrugën tokësore që lidhte
krahinat danubiane me detin Egje. Ilirët kryengritës, që luftonin jo të
bashkuar u mundën nga ushtria e madhe romake e armatosur dhe e
organizuar mirë. Por popullsitë ilire nuk iu nënshtruan pushtuesit as
pas fushatës së viteve 30, me gjithë masat e marra nga shteti romak,
largimin me forcë prej vendit të tyre të shumë kryengritësve dhe kthimin
në skllevër të robërve të zënë gjatë luftërave pushtuese.


Kryengritja e ilirëve e viteve 6-9 të erës sonë



Kryengritja më e madhe ilire kundër pushtuesve romakë ka qenë ajo e
viteve 6-9 të e.sonë. Ajo dallohet nga kryengritjet e tjera për
shtrirjen e gjerë të saj, pjesëmarrjen e popullsive të tëra ilire, për
luftën e paepur të kryengritësve dhe për gjendjen e vështirë që krijoi
për shtetin romak. Kryengritja filloi në një kohë kur Perandoria Romake,
duke vazhduar politikën pushtuese të saj, po përgatitej për luftën
kundër markomanëve gjermanikë, të cilët kishin krijuar në tokat e Çekisë
së sotme një federatë fisnore të fuqishme. Shteti skllavopronar romak
kishte ngarkuar me tribute popujt e pushtuar dhe i kishte detyruar të
jepnin rekrutë për luftërat e reja pushtuese. Për luftën kundër
markomanëve ishte përgatitur një ushtri e madhe prej 12 legjionesh, e
cila do të plotësohej me reparte ndihmëse. Ushtarët e këtyre reparteve
do të rekrutoheshin kryesisht tek fiset e mëdha të veriut: dalmatët,
desidiatët, panonët etj.

Rekrutimi i bërë me forcë i shtyti përsëri në kryengritje ilirët, që
ishin rënduar edhe nga pagesa e taksave. Dalmatët edhe para kësaj
kryengritjeje kishin qëndruar të qetë. Të parët u ngritën desidiatët dhe
shumë shpejt kryengritja u përhap edhe tek popullsitë e tjera ilire,
nga lumenjtë Sava e Dava në veri, deri tek lumi Mat në jug, ku u ngritën
pirustët. Kjo ka qenë kryengritja më e madhe ku, për të parën herë, një
tërësi popullsish ilire rrokën armët së toku dhe u hodhën në luftë
kundër pushtuesve romakë. Ushtria kryengritëse ilire përbëhej nga 200
mijë këmbësorë e 9 000 kalorës dhe udhëhiqej nga tre komandantë: nga
Bato Desidiati dhe nga një tjetër Bato e Pini nga fisi i breukëve
panonë. Duke bashkërenditur veprimet e tyre, kryengritësit ilirë filluan
operacionet në tri drejtime: 1) Një grup kryengritësish u drejtuan nga
krahinat bregdetare adriatikase dhe, duke çliruar mjaft qytete e
kështjella, zbritën në jug deri në afërsi të qytetit të Apolonisë, në
provincën e Maqedonisë. 2) Një grup tjetër kryengritësish u drejtua nga
veriperëndimi, për të çliruar krahinat ilire në kufi me Italinë dhe për
të forcuar mbrojtjen në këto vise. 3) Një pjesë tjetër e kryengritësve
qëndroi në brendësi të viseve dalmate, duke pasur si detyrë jo vetëm
çlirimin e plotë të vendit, por edhe organizimin e mbrojtjes.

Lufta çlirimtare e ilirëve dhe fitoret e para të tyre u bënë shqetësuese
për romakët, të cilët po humbnin kështu tokat e pushtuara në pjesën
veriore të Ballkanit. Vrulli i kësaj lufte e tronditi shumë pushtetin
qendror romak. Në Romë u shpall mobilizimi i përgjithshëm. Vetë
perandori Oktavian lëshoi kushtrimin në senat, se “në dhjetë ditë, po të
mos merren masa mbrojtjeje, armiku mund të hyjë brenda në Romë”.
Perandori kërkoi që për nevojat e ushtrisë shtresat e pasura të jepnin
një pjesë të pasurisë së tyre. U thirrën nën armë veteranët e luftërave
të mëparshme dhe u pranuan në ushtri edhe skllevërit e liruar. Me
markomanët shteti romak bëri një marrëveshje, e cila u lehtësua edhe nga
fakti që nuk kishin filluar veprimet e luftës. Legjionet romake, të
dërguara kundër markomanëve dhe të vëna nën komandën e Tiberit, morën
urdhër të drejtohen për në Iliri, ku ziente kryengritja.

Me gjithë masat e forta që mori Perandoria Romake, gjatë dy viteve të
para të luftimeve me legjionet romake, iniciativa ishte në duart e
kryengritësve, të cilët duke vepruar me shpejtësi dhe shkathtësi e
goditnin ushtrinë romake në befasi dhe në disa drejtime në një kohë,
sulmonin kolonat e furnizimit etj. Në luftë kundër kryengritësve ilirë,
shteti romak solli nga Siria dy legjione nga më të fortat, kërkoi
ndihmën e aleatit të tij Remetalkut, mbretit të Trakëve dhe dërgoi në
Ilirik komandantët më të mirë ushtarakë. Ushtria romake gjatë
operacioneve në viset ilire përdori të gjitha mjetet për të mposhtur
qëndresën e ilirëve, forcën e armëve, djegien e qendërbanimeve të
ilirëve kryengritës, shkatërrimin e arave, të kopshteve e të pyjeve,
vrasjen e kthimin e popullsisë ilire në skllevër. Në vitin e tretë të
kryengritjes duke shfrytëzuar gjendjen e vështirë të krijuar pas dimrit
të fortë në vitet 7/8, duke përdorur intrigat dhe përçarjet, romakët
mundën me anë premtimesh të bënin për vete Baton, njërin prej prijësve
breukë.

Megjithëse Batoja i breukëve u kap shpejt nga kryengritësit dhe u dënua
si tradhtar, kryengritësit panonë ishin përçarë dhe ushtria romake
mundi ta shtypte qëndresën e fiseve kryengritëse të Panonisë.
Në vitin 9 vatra kryesore të kryengritjes mbetën krahinat dalmate.
Shteti romak, në luftën kundër kryengritësve ilirë angazhoi të gjitha
forcat ushtarake të grumbulluara. Kryengritësit ilirë, ndër të cilët
forcën kryesore e përbënin dalmatët, qenë të detyruar t’u bënin ballë
sulmeve të një ushtrie armike disa herë më të madhe dhe që zotëronte
mjete të shumta lufte. Kryengritësit dalmatë treguan në luftimet kundër
legjioneve romake një trimëri e vendosmëri të madhe dhe u shkaktuan dëme
të shumta armiqve. Nën muret e kështjellës së Andetrit, në Dalmati
romakët nga rrethues u shndërruan në të rrethuar dhe shpëtuan nga një
katastrofë e madhe, të ndihmuar përsëri nga tradhtia e disa
përfaqësuesve të parisë vendase.

Në mbrojtje të një kështjelle tjetër, Arbudës, me kryengritësit u
bashkuan edhe gratë, të cilat për të mos rënë në duart e armiqve u
hodhën me fëmijët e tyre në zjarrin që kishte përfshirë kështjellën dhe
në humnerat poshtë saj. Kështjellat dalmate, të mbrojtura nga
kryengritësit ranë në duart e pushtuesve romakë si gërmadha dhe pa
banorë. Popullsi të veçanta ilire e vazhduan qëndresën edhe pas rënies
së kështjellave dalmate. Të fundit që u mposhtën qenë desidiatët e
pirustët, të cilët sikurse shkruan historishkruesi romak Velei
Paterkuli, pjesëmarrës në luftën kundër kryengritësve ilirë, “ishin
pothuaj të pathyeshëm në sajë të pozitës së vendeve dhe të maleve, të
natyrës së tyre të egër, të zotësisë së tyre të çuditshme për të
luftuar...”.

Kryengritja e ilirëve e viteve 6-9 të e.sonë, sipas historishkruesit
romak Suetonit, “ishte më e tmerrshme nga të gjitha luftërat e jashtme
pas luftës punike”. Gjatë luftës për mposhtjen e kryengritjes shkruan
një tjetër historianshkrues antik, “shumë njerëz humbën dhe u shpenzua
një sasi e madhe të hollash. Sepse gjatë kësaj lufte u desh të mblidhej
shumë ushtri, ndërsa plaçka e luftës ka qenë shumë e paktë”. Pasojat e
kryengritjes së madhe ilire, dobësimi i fuqisë ushtarake të Perandorisë
Romake, që nuk dispononte mjete të mjaftueshme për një luftë të re, u
dukën shumë qartë në disfatën e në humbjen e tri legjioneve në pyllin e
Teutiburgut në viset gjermane. Kryengritja e madhe e ilirëve e viteve
6-9 krijoi në Perandori një situatë të nderë e të vështirë. Ajo i dha
fund periudhës agresive të politikës së jashtme të Oktavianit.

Shteti romak u detyrua të hiqte dorë nga politika e tij pushtuese
kundër markomanëve gjermanikë dhe Evropës Qendrore.
Raprezaljet që bënë romakët në viset ku shpërtheu kryengritja qenë të
tmerrshme. Kryengritësve iu mor toka dhe çdo gjë që kishin; disave u
prenë duart, kurse shumë të tjerë u shitën si skllevër. Vetëm pas më
shumë se një shekulli e gjysmë luftimesh pushtuesit romakë mundën të
mposhtnin qëndresën e armatosur të ilirëve dhe t’i nënshtronin “në një
farë mënyre”. Straboni shkruante asokohe se shkretimi i Ilirisë “ka
filluar prej shumë kohësh dhe në disa vise nuk ka pushuar as sot e kësaj
dite për shkak të kryengritjeve...”. “Romakët po ngrehin lëmet në
shtëpitë e tyre”.

Pas kryengritjes së madhe të viteve 6-9 të e.sonë ndonëse nuk pati
lëvizje të mëdha të organizuara të ilirëve kundër romakëve, qëndresa e
ilirëve ndaj pushtuesve, e sidomos kundër romanizimit e asimilimit
vazhdoi gjatë.
Geri
Geri
Fondatore St@ff Forum
Fondatore St@ff Forum

<b>Postime</b> Postime : 19707
 <b>Piket</b> Piket : 23805
Regjistruar : 21/04/2009
 <b>Mosha</b> Mosha : 35
 <b>Vendbanimi</b> Vendbanimi : Ne qytetin e dashur Tirone

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Shtetet Ilire - Faqe 2 Empty Re: Shtetet Ilire

Mesazh nga Geri Thu 4 Mar 2010 - 8:48

K R E U VIII

ILIRIA NË PERIUDHËN E ZGJERIMIT DHE TË RËNIES
SË PERANDORISË ROMAKE




1. GJENDJA EKONOMIKO-SHOQËRORE DHE ADMINISTRIMI I
ILIRISË NË SHEK. I-III E.SONË



Shteti romak si gjatë luftërave, ashtu edhe pas mbarimit të tyre u mor
me organizimin administrativ të viseve të pushtuara, të cilin e kreu në
disa etapa dhe me ndryshime sipas koniunkturave që krijoheshin herë pas
here dhe në pajtim me mundësitë që kishte vetë shteti romak. Qëllimi
kryesor i organizimit administrativ të Ilirisë, ka qenë përforcimi i
pushtetit romak, me anë të të cilit do të kalohej në një administrim e
shfrytëzim më racional e sistematik të provincave ilire. Kjo ka ndodhur
në periudhën e fundit të Republikës së Romës dhe në mënyrë të veçantë me
krijimin e perandorisë. Këtij qëllimi i shërbyen masa të tilla si
konfiskimi i tokave dhe ndryshimet në pronësinë tokësore, shndërrimi i
disa qyteteve në koloni romake dhe ngulimet e një popullsie italike e
orientale, zhvillimi i teknikës dhe i prodhimit, shfrytëzimi i minierave
dhe ndërtimi e rindërtimi i rrugëve dhe në përgjithësi situata e rëndë
që iu imponua ilirëve, veçanërisht duke filluar nga shek. I e.sonë.
Bashkë me këtë politikë Roma bëri përpjekje të mëdha për asimilimin,
“romanizimin” e popullsisë ilire, por pa arritur rezultate të dukshme.



Marrëdhëniet agrare. Krijimi i latifondeve


Që në shek. I p.e.sonë, por në mënyrë të veçantë pas shek. I e.sonë,
shteti skllavopronar romak filloi zbatimin në viset ilire të një
politike agrare, në thelb të së cilës ishte marrja me forcë, konfiskimi i
tokave më të mira e pjellore, të cilat i shpalli “ager publicus”, prona
të shtetit romak. Një pjesë të madhe të tokave të konfiskuara Roma ua
dha qytetarëve romakë, kolonistëve romakë e italikë dhe veteranëve të
ushtrisë, të cilët banonin në periferinë e qyteteve, duke i shndërruar
në toka të qyteteve që qenë kthyer në koloni e në municipe. Por nga
fondi i tokave të grabitura morën prona edhe përfaqësuesit e
aristokracisë tokësore; në këtë mënyrë në Iliri u krijuan ekonomitë e
mëdha bujqësore, latifondet. Latifondet gjendeshin kryesisht në fushat,
zonat e ulëta kodrinore dhe në luginat e ulëta të lumenjve, më tepër
pranë rrugëve të mëdha, sepse ato furnizonin me prodhime bujqësore
qendërbanimet e mëdha. Nga burimet e shkruara del se zotërime të mëdha
tokash, latifonde ka pasur në krahinat bregdetare dhe në fushat e
brendshme. Përreth Buthrotit ka pasur prona të mëdha tokësore Pompon
Atiku, që i përkiste parisë skllavopronare romake, kurse në rrethet e
kolonive të Ulpianës e të Skupit, në Dardani, zotëronte prona të gjera
tokësore familja patrice romake e Turëve.

Me gjithë konfiskimet tokësore pushtuesit romakë i lanë toka edhe
popullsisë ilire dhe në këtë drejtim vepruan sipas qëndrimit që mbanin
kundrejt fiseve të ndryshme. Në mënyrë të veçantë pronat tokësore të
vendasve u ruajtën në viset e brendshme ilire, ku në shekujt e parë të
erës sonë, një pjesë e madhe e popullsisë jetonte, ende në fshatra, e
organizuar në bashkësi fshatare. Pjesëtarët e këtyre bashkësive
fshatare, krahas pronës së përbashkët, kullotave, djerrinave e pyjeve
zotëronin ngastra toke, të cilat i punonin vetë, me mjetet e tyre.

Skllavopronarët romakë, pas tyre dhe paria ilire, vazhduan të
konfiskonin tokat duke bërë përpjekje të reja për t’i rritur pronat e
tyre tokësore. Të dhënat mbishkrimore tregojnë se në fillim të shek. II
të erës sonë, territori bujqësor i qytetit të Dyrrahut arrinte deri në
Skampin (Elbasan) që ishte një fshat “vicus” i varur nga Dyrrahu.
Mbishkrimet latine, të zbuluara në fshatra të ndryshme të fushës së
Tiranës dhe që i takojnë shek. I të erës sonë mbajnë emra jo ilire, çka
do të thotë se edhe në këtë zonë pronat bujqësore u ishin marrë
vendësve. Në lidhje me grabitjen e tokave të bashkësive fshatare vendëse
me shumë interes është një mbishkrim i shek. II të erës sonë i zbuluar
në tokat e orestëve, që banonin në krahinat kufitare juglindore ilire.
Në këtë dokument mbishkrimor, i gjetur pranë Vatinës, theksohet e drejta
e njohur e orestëve për zotërimin e tokave shtetërore në territorin e
qytetit Vatina.

Në mbishkrim theksohet gjithashtu se nga kjo e drejtë përjashtohen “të
huajt”, në këtë rast pronarët romakë të tokave që kërkonin të zgjeronin
pronat e tyre tokësore. Një organizim të ngjashëm me orestët, pra edhe
marrëdhënie agrare të ngjashme me ta kanë pasur edhe dasaretët. Një
veçanti e krahinave të banuara nga orestët, dasaretët dhe popullsitë e
tjera malësore të Ilirisë Juglindore është mungesa, në gjetjet
arkeologjike, e dokumenteve mbishkrimore në gjuhën latine. Kjo mungesë
mund të shpjegohet vetëm me një status të posaçëm të këtyre krahinave
ilire.

Marrëdhëniet e reja agrare të vendosura në Iliri gjatë sundimit romak e
keqësuan shumë gjendjen sidomos të asaj pjese të fshatarësisë ilire që i
ishin grabitur tokat. Fshatarët e mbetur pa tokë u detyruan të iknin
dhe të kërkonin punë si argatë në qytetet dhe në minierat. Ata që
mbeteshin në fshat për të jetuar, u shtrënguan të punonin si mëditës -
arrendatorë - në pronat tokësore të qyteteve dhe të latifondistëve
romakë. Në veprën e tij “Mbi ekonominë fshatare” shkrimtari romak
Varroni shkruan për ekzistencën në shek. I të erës sonë të fshatarëve të
varur, të skllavëruar në borxhe, të cilët ai i quan “obaerati”, që
sipas tij gjendeshin me shumicë në Iliri dhe punonin në vende e në
kushte të vështira. Edhe gjendja e fshatarëve të lirë nuk ishte aspak e
mirë; mbi ta rëndonin taksa e detyrime të ndryshme, të cilat i çuan në
shkatërrim të plotë. Shumë prej fshatarëve të shpronësuar, në pamundësi
për të përballuar jetën hynin në borxhe, shpeshherë duke u kthyer edhe
në skllevër. Skllevërit në përgjithësi i bënin punimet bujqësore në
latifondet dhe në pronat tokësore të qyteteve.

Zhvillimi i ekonomive bujqësore në territoret e konfiskuara nga qytetet,
rritja e pronave të mëdha tokësore e shpejtoi procesin e zëvendësimit
të pronës së përbashkët (prona kolektive u bë pronë e “shtetit romak”)
me atë private dhe pati si pasojë shtrirjen dhe thellimin më tej të
marrëdhënieve skllavopronare në fshatin ilir. Ky proces preku edhe
pronat e vogla private në ato vise që hynin nën administrimin e qyteteve
ose ku kishte mundësi të zhvilloheshin latifondet. Më pas u bënë
përpjekje për t’i shtrirë marrëdhëniet e reja agrare edhe në viset e
brendshme. Megjithatë, në krahinat e brendshme ilire vazhdoi të ruhej
edhe prona e vogël tokësore dhe fshatarët e lirë. Në këto krahina
blegtoria, krahas bujqësisë, mbeti një degë e fuqishme e ekonomisë së
popullsisë ilire.
Geri
Geri
Fondatore St@ff Forum
Fondatore St@ff Forum

<b>Postime</b> Postime : 19707
 <b>Piket</b> Piket : 23805
Regjistruar : 21/04/2009
 <b>Mosha</b> Mosha : 35
 <b>Vendbanimi</b> Vendbanimi : Ne qytetin e dashur Tirone

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Shtetet Ilire - Faqe 2 Empty Re: Shtetet Ilire

Mesazh nga Geri Thu 4 Mar 2010 - 8:49

Qytetet


Duke filluar nga shek. I i e.sonë në krahinat ilire ndodhën ndryshime
edhe në jetën qytetare. Këto ndryshime u bënë natyrisht në pajtim me
traditat vendase të urbanizimit dhe me kushtet e reja politiko-ekonomike
të krijuara në tre shekujt e parë të erës sonë.
Kështu në Ilirinë e Jugut dhe në Epir, gjatë shekujve të mësipërm nuk u
ngritën qytete të reja, madje në krahasim me periudhën pararendëse numri
i tyre u pakësua. Nuk kanë të bëjnë me procesin e urbanizimit të asaj
kohe, disa kështjella (castra), me karakter thjesht ushtarak, të cilat u
ngritën gjatë rrugëve më të rëndësishme.

Me pushtimin romak dhe me organizimin administrativo-ekonomik provincial
pjesa më e madhe e qyteteve autoktone nuk i kishin më funksionet
ekonomike e politike që kishin pasur më parë dhe, duke mos pasur mundësi
të zhvilloheshin më tej, filluan të bien. Në kushte të tilla banorët e
disa qyteteve e qytezave të fortifikuara ilire braktisën vendbanimet
kodrinore-malore dhe zbritën në fushë. Disa prej tyre, megjithëse u
kthyen administrativisht në gjendjen e fshatrave, nuk kanë pushuar së
qeni qendra qytetare, të tjerat u bënë vendbanime fshatare duke u marrë
kryesisht me bujqësi. Pati edhe ndonjë qendërbanimi të fortifikuar
ilire, që duke pasur qysh në fillim karakter mbrojtës u shndërrua si
qendër e një garnizoni ushtarak romak.

Shpëtuan nga rrënimi për dy-tre shekuj pak qytete që përfituan nga
politika e diferencuar që zbatuan në fillim autoritetet pushtuese
romake. Kjo politikë mbështetej në qëndrimin proromak të disa qyteteve
gjatë periudhës së luftërave iliro-romake dhe ndikohej nga fakti se
romakët për një farë kohe nuk qenë në gjendje të qeverisnin
drejtpërdrejt të gjitha krahinat bashkë me të gjitha qytetet e
pushtuara. Në krye të këtyre qyteteve ishte ai i Apolonisë, ku u ruajtën
krahas autonomisë së brendshme edhe traditat kulturore-artistike
helenistike, gjuha greke dhe punishtja monetare, ku priteshin monedha
deri në fillim të shek. III të erës sonë. Statusin e vjetër dhe një
autonomi të brendshme ruajtën edhe qytetet Amantia e Foinike.

Një impuls të ri në zhvillimin e tyre ekonomik e kulturor patën në të
gjithë Ilirinë qytetet që morën statusin e kolonisë dhe të municipit. Në
Ilirinë e Jugut koloni romake u bënë Skodra, Dyrrahu, Bylisi dhe
Buthroti, kurse në Ilirinë e Veriut dhe të brendshme si koloni të
rëndësishme qenë Narona, Salona, Jader, Epidauri dhe Skupi. Të dhënat që
kemi për këto koloni tregojnë se një pjesë e konsiderueshme e
popullsisë së tyre përbëhej nga italikë të ardhur aty, nga veteranë të
legjioneve romake dhe banorë me prejardhje nga Lindja. Kjo popullsi,
pavarësisht nga përbërja etnike, kishte të drejtën e qytetarisë romake
dhe formonte shtresën më të pasur të qyteteve. Në duart e saj ishin
përqendruar postet më të rëndësishme administrative. Mbajtja e tyre, që
konsiderohej detyrë nderi, ishte e lidhur edhe me detyrime në fushën e
ndërtimeve, të zbukurimit të qyteteve etj. Përfaqësuesit e shtresës së
pasur, kalorët, financonin shfaqje teatrale, garat sportive dhe luftërat
e përgjakshme të gladiatorëve. Të hollat për të gjitha këto nxirreshin
nga puna e skllevërve dhe e masës së gjerë të popullsisë së varfër.

Në përbërjen e shtresave të larta ka pasur edhe ilirë të pasur,
përfaqësues të shtresës skllavopronare ose të parisë së vjetër fisnore,
të cilët kishin marrë qytetarinë romake. Në një situatë të tillë, paria
provinciale ilire, si një shtresë e privilegjuar, e cila më të shumtën i
përkiste shtresës së kalorëve dhe prej nga dilnin edhe komandatë
ushtarakë, u bë një përkrahëse e shtetit romak, sepse ajo shihte te
pushteti i fortë perandorak mbrojtësin e interesave të saj.
Shtresat e tjera të popullsisë së lirë, me të drejta qytetare,
përbëheshin nga pronarët e vegjël të tokave, zejtarët e tregtarët.
Banorët vendës që në to kanë qenë të paktë, sepse qenë dëbuar që në
fillim, madje edhe nga zonat periferike bujqësore, nuk kishin të drejta
politike dhe kryenin punë të rënda si punëtorë krahu, druvarë, barinj
etj.

Kolonitë, bashkë me municipet, kanë qenë baza ekonomike të Romës dhe
njëkohësisht bërthama përçuese të politikës së asimilimit të popullsisë
ilire. Veprimtaria ekonomike e kulturore e tyre ka qenë e lidhur ngushtë
me Romën e modelet romake dhe gjuha zyrtare e tyre ka qenë gjuha
latine.
Institucionet municipale ishin të njëjta në të gjitha qytetet-koloni të
Ilirisë dhe ishin organizuar sipas shembullit të Romës. Organ drejtues
ka qenë këshilli i qytetit ordo decuriorum, i cili vendoste për çështjet
më me rëndësi. Pushteti ekzekutiv ushtrohej nga një kolegj prej dy
magjistratësh të lartë, të zgjedhur për 5 vjet, duumviri quinquennales.
Funksionarë të tjerë të qytetit ishin edilet (aediles), të cilët
kujdeseshin për ndërtimet publike e furnizimin e popullsisë, kuestorët
(questores), që kishin nën kontrollin e tyre arkën e shtetit. Në
administrimin e qytetit një detyrë e lartë ka qenë detyra e mbrojtësit
ose e patronit të kolonisë (patronus coloniae), i cili ishte i ngarkuar
nga perandori për të mbrojtur interesat e saj.

Në krahinat ilire, përveç qyteteve-koloni në shekujt e parë të erës sonë
një rol të rëndësishëm kanë luajtur disa qendërbanime të vogla të
quajtura municipe, të cilat kanë pasur një vetëqeverisje më të kufizuar.
Municipet zotëronin gjithashtu prona tokësore në periferinë e afërt;
zejtaria e tregtia nuk kanë qenë aq të zhvilluara dhe në përgjithësi në
këto qendërbanime nuk ka pasur institucione, që ishin karakteristike për
kolonitë. Municipe ka pasur edhe në viset e brendshme, disa prej të
cilave kanë qenë lidhur me minierat. Një municip i tillë ka qenë Ulpiana
në Dardani (afër Prishtinës), e ngritur në fillim të shek. II të erës
sonë pranë një qendre minerare, që u bë shpejt qendra kryesore e
krahinës.

Në municipet e zonave të brendshme popullsia ishte thuajse tërësisht
vendase, në to puna e skllevërve ka qenë përdorur fare pak, për të mos
thënë aspak, kurse banorët ilirë në pjesën më të madhe të tyre kanë qenë
marrë me bujqësi e blegtori. Në këto qendërbanime u ruajtën më të forta
traditat e lashta vendëse dhe politika asimiluese e shtetit romak gjeti
një kundërshtim e një qëndresë më të madhe se në rajonet bregdetare.

Burimet e shkruara antike tregojnë për ekzistencën në Iliri të disa
qendërbanimeve të vogla të fortifikuara, të cilat i quajnë castella ose
oppida (kështjella apo qyteza), banorët e të cilave nuk kishin të
drejtën e qytetarisë romake. Këto kështjella e qyteza ilire ishin edhe
qendra të njësive krahinore të brendshme civitates-ve, ku qenë vendosur
paria vendase dhe autoritetet provinciale të perandorisë që zbatonin
politikën sunduese të saj.
Geri
Geri
Fondatore St@ff Forum
Fondatore St@ff Forum

<b>Postime</b> Postime : 19707
 <b>Piket</b> Piket : 23805
Regjistruar : 21/04/2009
 <b>Mosha</b> Mosha : 35
 <b>Vendbanimi</b> Vendbanimi : Ne qytetin e dashur Tirone

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Shtetet Ilire - Faqe 2 Empty Re: Shtetet Ilire

Mesazh nga Geri Thu 4 Mar 2010 - 8:49

Zejtaria, tregtia dhe komunikacioni



Zhvillimi i mëtejshëm i qyteteve dhe lulëzimi i jetës qytetare në
shekujt e parë të erës sonë në provincat ilire ka qenë i lidhur ngushtë
me zhvillimin që morën degët e ndryshme të ekonomisë, zejtaria, tregtia
dhe bashkë me ta rrjeti i komunikacionit. Me gjithë ngritjen që pati në
dy shekujt e parë të perandorisë provinca e Maqedonisë, ku qenë
përfshirë edhe Iliria e Jugut dhe Epiri, këto nuk arritën gjendjen që
kishin pasur në kohën kur qenë të pavarura. Ndryshe prej tyre, në
krahinat e brendshme e të veriut, në Dalmati, Panoni, Dardani etj.,
vendosja e mënyrës antike (romake) të prodhimit u pasua nga një zhvillim
ekonomik më i lartë se ai që kishin pasur më parë.

Në këtë periudhë u zhvilluan në Iliri ato degë të zejtarive, prodhimet e
të cilave ishin të destinuara për të plotësuar kërkesat e një rrethi të
gjerë konsumatorësh, në radhë të parë të vendasve. Në këtë kategori
hynin veglat e punës, orenditë shtëpiake, enët prej balte, qelqi dhe
stolitë. Zhvillimi i metalurgjisë dhe i disa zejeve të rëndësishme u
pasua me futjen në përdorim të një sërë veglash të reja pune, të cilat e
shtuan edhe më tej prodhimin. Njëkohësisht vërehet edhe krijimi,
sidomos në qytetet e mëdha, të punishteve, të cilat i zotëronin
skllavopronarë të njohur italikë, sikurse është rasti i kandilave prej
balte të pjekur të prodhuar në Bylis nga firmat e njohura FORTIS e FELIX
të Italisë së Veriut, të cilat ishin llogaritur gjithashtu për tregun
vendës. Nga fundi i shek. I dhe sidomos në shek. II të e. sonë bëhet i
zakonshëm edhe në provincat prodhimi i kandilave me firmë, me kallëpe të
sjella nga Italia. Në qytetet e mëdha ku zejtaria ka qenë më e
zhvilluar zejtarët ishin të bashkuar sipas zejeve në shoqata (collegia).
Disa mbishkrime të zbuluara përmendin kolegjet e zejtarëve që punonin
hekurin, gurin e drurin. Shumë qytete të Ilirisë kanë qenë të njohura
për prodhimin e tullave e të tjegullave, të armëve, të tekstileve etj.

Një nga degët e ekonomisë që mori një zhvillim të madh në krahinat ilire
në shek. I-III të erës sonë dhe për të cilën pushtuesit treguan një
zell të madh ka qenë shfrytëzimi i minierave. Pas pushtimit të Ilirisë
edhe minierat e arit, të argjendit, të bakrit e të hekurit të Dalmatisë,
të Dardanisë e të viseve të pirustëve u bënë prona të shtetit romak dhe
patën një rëndësi të madhe për perandorinë. Shfrytëzimin e minierave
perandorake ose e bënte vetë shteti ose ua jepte sipërmarrësve të vegjël
romakë. Në minierat punonin, në kushte të këqija, skllevërit dhe
banorët e lirë vendës. Minierat e provincave ilire filluan të
shfrytëzoheshin në mënyrë intensive në shek. II e.sonë. Flori, historian
i shek. I-II të e.sonë, tregon se pas kryengritjes së viteve 6-9
romakët i shtrënguan dalmatët “të gërmojnë tokën dhe të nxjerrin prej
saj arin”. Më vonë minatorët dalmatë e pirustët u dërguan me forcë për
të punuar në minierat e provincës së Dakisë.

Një rol jo të vogël në jetën e krahinave ilire ka luajtur edhe tregtia.
Më e zhvilluar ishte tregtia që bënin qytetet si qendra të prodhimit
zejtar me periferinë e tyre bujqësore dhe me viset e brendshme, në të
cilën merrnin pjesë gjerësisht shtresat e gjera të popullsisë vendëse.
Një zhvillim të madh mori gjithashtu tregtia tranzite dhe ajo që bëhej
në Gadishullin Italik e në provincat mesdhetare të perandorisë, që ishte
në duart e shtresës së tregtarëve negotiatores, të cilët u dukën në
viset ilire që në gjysmën e dytë të shek. I p.e.sonë. Nga tregtia
përfituan ato krahina që ishin në afërsi të qendrave të mëdha tregtare
ose të përshkuara nga rrugët e mëdha të komunikacionit. Qendra të
rëndësishme tregtare të kësaj kohe qenë Dyrrahu, Salona, Jader etj., në
skelat e të cilave shkarkoheshin mallra të ndryshme që drejtoheshin nga
perëndimi në lindje dhe anasjelltas.

Sipas një burimi të shkruar, nga krahinat dardane eksportohej djathë,
kurse Dalmatia, përveç djathit, eksportonte lëndë druri të përshtatshme
për ndërtime dhe hekur.

Qytetet dhe qendërbanimet e rëndësishme të provincave ilire të kësaj
kohe kanë qenë lidhur me rrugë. Shteti romak, fill pas pushtimit të
tyre, nisi ndërtimin e rrugëve të reja dhe rregullimin e rrugëve të
vjetra. Një rrugë e njohur dhe e rrahur ka qenë rruga Egnacia (e
ndërtuar fill pas formimit të provincës së Maqedonisë (mesi i shek. II
p.e.sonë), mbi rrugën më të vjetër të Kandavisë), e cila duke u nisur
nga Dyrrahu e Apolonia dhe duke kaluar nëpër Thesalonik arrinte në
Bizant (Kostandinopojën e mëvonshme), pasi kishte përshkuar një pjesë të
mirë të krahinave jugore të Ballkanit. Sipas Strabonit, rruga Egnacia
ka qenë e gjatë 553 milje, afërsisht 830 km.

Ajo ishte rruga më e shkurtër dhe më e sigurt midis Italisë së Jugut,
Greqisë Veriore, Maqedonisë e Azisë së Vogël. Një rrugë e rëndësishme
transballkanike ka qenë edhe ajo që nisej nga bregdeti jugor i
Adriatikut, kalonte nëpër Lis, kapërcente Drinin dhe dilte në Dardani
duke arritur në Nais. Në Nais ajo lidhej me rrugën që vinte nga Veriu
(Danubi), nga Singiduni e Viminaci dhe që mbaronte në Thesalonik. Rrugë
të tjera të dorës së parë kalonin gjatë bregdetit për në veri dhe për në
jug. Të dhëna më të plota për këto rrugë gjenden në itineraret (lista
rrugësh e harta grafike, të hartuara që në fillim të shek. III e.sonë),
që janë një burim i çmueshëm për rrugët e lashta, ku jepen edhe emrat e
vendbanimeve dhe situata gjeografike.

Mjetet e nevojshme për ndërtimin e rrugëve dhe krahët e punës romakët i
nxirrnin nga popullsia vendase. Gjatë këtyre udhëve ka pasur vende për
këmbimin e kuajve (mutatio) dhe stacione të posaçme me bujtina (mansio).
Geri
Geri
Fondatore St@ff Forum
Fondatore St@ff Forum

<b>Postime</b> Postime : 19707
 <b>Piket</b> Piket : 23805
Regjistruar : 21/04/2009
 <b>Mosha</b> Mosha : 35
 <b>Vendbanimi</b> Vendbanimi : Ne qytetin e dashur Tirone

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Shtetet Ilire - Faqe 2 Empty Re: Shtetet Ilire

Mesazh nga Geri Thu 4 Mar 2010 - 8:49

Organizimi administrativ i Ilirisë



Në fund të shek. I.p.e.sonë u krijua provinca e Ilirikut (Illyricum), ku
qenë përfshirë krahinat e Ilirisë Veriore. Provinca e Ilirikut
përfshinte një territor shumë të gjerë: në veri arrinte deri në Danub,
kurse në jug deri te lumi Mat; në lindje provinca e Ilirikut shtrihej në
qendër të Ballkanit, duke përfshirë në përbërjen e saj edhe territorin e
Serbisë së sotme. Ndryshimet që ekzistonin midis krahinave perëndimore
bregdetare dhe atyre të brendshme malore bënë të nevojshëm krijimin në
pjesën qendrore të Ilirisë të një province tjetër. Provinca e Mëzisë -
me këtë emër u quajt provinca e re - përfshinte edhe Dardaninë, e cila
deri atëhere kishte bërë pjesë në provincën e Maqedonisë.
Kryengritjet dhe në përgjithësi kundërshtimi që iu bë pushtimit në viset
ilire, sidomos në ato të provincës së Ilirikut e detyruan shtetin romak
të rishikojë marrëdhëniet me provincat dhe të riorganizojë aparatin
administrativ. Pas kryengritjes së madhe të viteve 6-9 të e.sonë
provinca e Ilirikut u nda më dysh: në jug u krijua provinca e Dalmatisë
dhe në veri ajo e Panonisë. Në etapën e fundit të organizimit
administrativ të provincave ilire, nga Perandoria e hershme Romake
(shek. II e.sonë), u krijua provinca e Epirit, ku u futën krahinat ilire
në jug të Vjosës, i gjithë Epiri dhe Akarnania e Etolia, në jug të tij.

Provincat e nënshtruara e të qetësuara në një farë mënyre, ishin nën
mbikëqyrjen e senatit romak, kurse provincat që kishin rëndësi
strategjike, ku gjendja ishte e pasigurt dhe ku ishte e nevojshme të
mbaheshin reparte ushtarake, vareshin drejtpërdrejt nga perandori. Në
Iliri provinca perandorake ishin Panonia, Dalmatia, Mëzia e Epiri, kurse
Maqedonia ishte provincë e varur nga senati.

Në krye të provincave qëndronin sundimtarë të posaçëm, mëkëmbësit, të
cilët sipas rëndësisë së provincave ishin të rangjeve të ndryshme. Në
provincën perandorake të Dalmatisë, mëkëmbësi ishte në rangun e
konsullit (legatus) (Augustipropraetore). Provinca e Epirit hynte në
grupin e provincave të dorës së dytë dhe sundohej nga mëkëmbës që vinin
nga shtresa e kalorëve romakë. Në krye të provincës së Maqedonisë kanë
qenë vënë senatorë në rangun e propretorit.

Mëkëmbësit emëroheshin në administrimin e provincës për një vit, duke
pasur edhe funksionin e lartë gjyqësor dhe politikën fiskale. Në
provincat ku mbaheshin reparte ushtarake ata kishin në dorë edhe
pushtetin ushtarak. Mëkëmbësit kanë qenë zotër të vërtetë të provincave
dhe kanë pasur një pushtet të pakufizuar. Veprimtaria e mëkëmbësve në
provincat ka qenë jashtë çdo kontrolli, ata kishin në duart e tyre jetën
e banorëve të provincave dhe shfrytëzonin postin e tyre për interesat
vetjake, duke shtuar pasurinë e tyre me anë të grabitjeve sistematike.
Në përgjithësi veprimet e mëkëmbësve të provincave karakterizoheshin nga
një arbitraritet i theksuar. Shembull i abuzimeve dhe i plaçkitjeve të
sundimtarëve romakë, i shthurjes dhe i paligjshmërisë së plotë në
provincat, ishte bërë provinca e Maqedonisë, gjatë sundimit të
mëkëmbësit romak Kalpurn Pizonit, në vitet 57-55 p.e.sonë. Në një
ligjëratë të mbajtur kundër Pizonit, oratori i njohur romak Ciceroni, e
ka përshkruar gjendjen e krahinave ilire në provincën e Maqedonisë të
asaj kohe me këto fjalë: “Dyrrahu e Apolonia të shkatërruara...
parthinët e bylinët të gënjyer, Epiri krejt i shkatërruar ... të gjithë
kanë provuar se ti kishe ardhur vetëm për t’i vjedhur, plaçkitur,
keqpërdorur dhe trajtuar si armiq...”.
Në provincat ilire mëkëmbësit kishin mjaft nëpunës ndihmës, midis tyre
ishin kuestorët që merreshin me financat, prokuratorët që drejtonin degë
të ndryshme të ekonomisë dhe legatët që kryenin detyrat e tyre në
ushtri dhe në gjyqe. Një detyrë themelore e mëkëmbësve dhe e ndihmësve
të tyre ka qenë mbledhja e taksave nga popullsia ilire.

Shteti romak kishte përpunuar një sistem të hollësishëm të nxjerrjes së
taksave dhe të detyrimeve të tjera në popullsitë e viseve të pushtuara.
Taksat kryesore kanë qenë ato që paguheshin për tokën dhe ato për frymë
(tributum soli dhe tributum capiti). Baza e sistemit fiskal romak ka
qenë regjistrimi i pasurisë. Me caktimin e taksave janë marrë
prokuratorët, të cilët i caktonin ato sipas të ardhurave, sipërfaqes dhe
cilësisë së tokës. Këto taksa, në fillim i paguanin vetëm banorët
vendës, të cilët romakët i quanin “peregrini” (të huaj). Më vonë taksat u
shtrinë edhe mbi qytetarët romakë të vendosur në provincat ilire.

Përveç taksave të drejtpërdrejta, popullsia vendëse ka qenë e shtrënguar
të paguante edhe taksa të tjera të tërthorta, që merreshin pjesërisht
në të holla e pjesërisht në natyrë, si p.sh. taksën për ndërtimin e
rrugëve, për pyllin, për peshkimin dhe taksën doganore. Taksa doganore
apo e kufirit paguhej për disa mallra të importuara që kalonin nëpër
rrugët tokësore lumore ose detare nga një njësi administrative-doganore
në tjetrën. Një njësi doganore më vete përbënte Iliriku (portorium
Illyrici), në të cilën qenë përfshirë provinca e Dalmatisë, e Panonisë, e
Mëzisë, e Norikut dhe më vonë provinca e Dakisë. Nga banorët e
provincave ilire nxirreshin shuma të mëdha në të holla për mbajtjen e
administratës romake dhe të reparteve ushtarake të dislokuara në to. Të
gjitha taksat e abuzimet e nëpunësve romakë rëndonin thuajse tërësisht
mbi popullsinë e thjeshtë.

Përfaqësuesit e pushtetit perandorak, legatët, prokuratorët,
fajdexhinjtë e tregtarët italikë i shihnin provincat si objekt
grabitjeje. Një nga provincat që u shkatërrua shpejt nga veprimtaria
grabitqare e sundimtarëve romakë ka qenë provinca e Maqedonisë.
Pasiguria e krijuar në këtë provincë, kundërshtimet dhe kryengritjet e
banorëve të saj kundër qeveritarëve romakë, bënë që më vonë ajo të
kthehej nga një provincë e administruar nga senati në një provincë
perandorake.

Grabitjet dhe barra e rëndë e taksave kanë qenë më të theksuara në
krahinat bregdetare dhe në ato të përshkuara nga rrugët e mëdha të
komunikacioneve, ku kishte gjithfarë nëpunësish romakë. Në viset e
brendshme dhe në krahinat malore të provincave ilire, pushtuesit romakë
nuk mund të vendosnin marrëdhënie të tilla vartësie as edhe të
nënshtronin plotësisht banorët vendës ndaj autoriteteve shfrytëzuese të
perandorisë. Shumë krahina e bashkësi territoriale ruajtën për një kohë
të gjatë një vetadministrim të brendshëm. Këto bashkësi, të quajtura
civitates, ishin të përbëra nga qendërbanime të vogla e fshatra që
kishin përreth tyre një territor bujqësor të gjerë, që shtrihej në
kufijtë e vjetër të popullsive ilire dhe që ishte pjesërisht tokë
private dhe pjesërisht pronë e përbashkët.

Në krye të civitates-ve ka pasur një prefekt (praefectus civitatis) që
zakonisht zgjidhej midis ushtarakëve të reparteve të afërta. Në këto
bashkësi prefektët ushtronin autoritetin e tyre në emër të shtetit
romak, pa pëlqimin e të cilit nuk mund të merrej asnjë vendim. Më vonë
oficerët romakë u zëvendësuan nga përfaqësues të parisë vendëse që
kishin marrë qytetarinë romake. Duke organizuar bashkësitë vendëse
sundimtarët romakë, mundën të siguronin një farë kontrolli mbi
popullsinë vendëse dhe ta tërhiqnin atë në jetën e shtetit romak. Në
burimet mbishkrimore përfaqësuesit e parisë ilire të vënë në krye të
bashkësive autonome, si p.sh. te dalmatët, japodët, desidiatët e
dokleatët, janë quajtur praepositi (kryetarë). Pranë tyre ka pasur edhe
një këshill fisnor, i përbërë nga përfaqësues të ndryshëm të parisë
vendëse, principes, që ishin gjithashtu njerëz të besuar të Romës. Kjo
shtresë e parisë ilire erdhi gjithnjë duke u kufizuar; nga gjiri i saj
kanë dalë më vonë ata që bënë përpjekjet e fundit, por pa rezultat, për
të mëkëmbur perandorinë e hershme romake dhe për të mbajtur gjallë
skllavopronarinë që ishte në shthurje e sipër.

Për të lehtësuar sundimin e tyre romakët krijuan krahina të mëdha
gjuhësore-administrative, të quajtura kuvende (conventus provinciae). Në
provincën e Dalmatisë ka pasur tri kuvende. Në kuvende merrnin pjesë
përfaqësuesit e shtresave sunduese të qyteteve dhe të parisë ilire të
bashkësive territoriale; midis tyre zgjidhej për një vit, kryetari i
kuvendit dhe prifti i kultit të perandorit.
Geri
Geri
Fondatore St@ff Forum
Fondatore St@ff Forum

<b>Postime</b> Postime : 19707
 <b>Piket</b> Piket : 23805
Regjistruar : 21/04/2009
 <b>Mosha</b> Mosha : 35
 <b>Vendbanimi</b> Vendbanimi : Ne qytetin e dashur Tirone

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Shtetet Ilire - Faqe 2 Empty Re: Shtetet Ilire

Mesazh nga Geri Thu 4 Mar 2010 - 8:49

2. ILIRIA NË PERIUDHËN E RËNIES SË PERANDORISË ROMAKE



Historia e ilirëve gjatë shek. IV, V e VI e. sonë, një periudhë që ka të
bëjë me krizën e sistemit antik të prodhimit dhe me rënien e
Perandorisë Romake, ndryshe nga ajo e tre shekujve të parë të erës sonë
ka mbetur më pak e studiuar. Vëmendjen e studiuesve për këtë periudhë e
kanë tërhequr sulmet e “barbarëve” dhe luftërat që Perandoria Romake dhe
më pas perandoria e hershme bizantine kanë bërë për mbrojtjen e kufijve
veriorë. Nuk ka munguar interesimi i historiografisë së huaj edhe për
“perandorët ilirë”, të cilët bënë përpjekje për t’ia zgjatur jetën
Perandorisë Romake dhe njëkohësisht rendit skllavopronar në rënie e
sipër.

Kjo është, në historinë e ilirëve, një periudhë plot me ngjarje të
rëndësishme, në të cilën ndodhën invazione e dyndje popujsh të ndryshëm,
që u shoqëruan me ndryshime në përbërjen etnike të popullsive
ballkanike. Shekujt IV-VI janë jo vetëm periudha e përballimit me sukses
të invazioneve barbare, por edhe periudha e rigjallërimit të ilirëve
pas rënies së Perandorisë Romake, rigjallërim që shfaqet në shumë
aspekte të jetës e të kulturës së tyre. Ndryshe nga ajo e veriut,
popullsia ilire e trevave jugore u qëndroi dyndjeve dhe invazioneve
“barbare” duke ruajtur fizionominë e vet etnike. Kjo me të drejtë është
njohur si një premisë themelore historike e etnogjenezës së popullit
shqiptar, sepse në këtë trevë, në mesjetën e hershme, u mbrujt kombësia
shqiptare.



Kriza e sistemit antik të prodhimit dhe e Perandorisë Romake



Duke filluar nga shek. III e. sonë, në Perandorinë Romake mënyra antike e
prodhimit i kishte shteruar mundësitë e saj për një zhvillim të
mëtejshëm dhe filloi të shkonte drejt rënies. Skllavëria nuk sillte të
ardhura si më parë. Rendimenti i skllevërve, që nuk kishin asnjë nxitje
për punë, bëhej gjithnjë e më i pakët, kurse shfrytëzimi i tyre më pak i
leverdisshëm dhe skllevërit e tepërt ishin bërë një barrë e rëndë për
pronarët e tyre. Marrëdhëniet e vjetra po bëheshin një pengesë në rrugën
e zhvillimit shoqëror. Filloi kështu kriza e përgjithshme e sistemit
antik të prodhimit.

Në fushën e ekonomisë kriza u shfaq me rënien e prodhimit, me varfërimin
e masave të gjera të popullsisë, dobësimin e lidhjeve tregtare midis
krahinave e provincave të ndryshme. Në shumë qytete pati një ulje të
nivelit të jetës, çka është vërejtur edhe në zbulimet arkeologjike. Me
rënien e qendrave të mëdha zejtare banorët e provincave nisin t’i
prodhojnë në vend sendet për të cilat kishin nevojë, por kësaj radhe për
një rreth të ngushtë konsumatorësh. Në gjendjen e krijuar duke filluar
nga shek. IV u rrit edhe më shumë roli i bujqësisë. Ajo u bë dega
vendimtare e prodhimit në gjithë botën antike. Ekonomia e latifondeve,
që ishte bazuar në punën e skllavit nuk sillte më të ardhura ndaj,
ekonomia e vogël u bë përsëri e vetmja formë e bujqësisë që sillte
fitime.

Banorët e provincave mbetën gjithnjë nën presionin e vazhdueshëm të
taksave, prej të cilave nëpunësit perandorakë kërkonin të nxirrnin
burime të ardhurash sa më të mëdha. Burimet e shkruara antike përmendin
Probin, sundimtarin e Ilirikut, i cili që nga fundi i shek. III e.sonë,
duke mbledhur taksat në mënyrë të padrejtë, i kishte dobësuar krahinat
veriore ilire, para se ato të shkatërroheshin nga barbarët.

Një shenjë tjetër e krizës ishte edhe dobësimi i pushtetit qendror në
perandori. Gjendja e keqe e popullsisë qytetare e fshatare u bë shkak
për shpërthimin e kryengritjeve. Në kryengritjet me skllevërit e kolonët
u bashkuan si fshatarët e varfër, dhe vegjëlia e qyteteve. Lufta e tyre
e tronditi thellë regjimin perandorak. Shpeshherë perandorët e
sundimtarët për të shtypur kryengritjet e popullsive të provincave
kërkonin ndihmën e barbarëve. Kështu veproi perandori Honor me gotët e
udhëhequr nga Alariku: në vitin 395 e. sonë kishin ngritur krye
taulantët dhe duke mos qenë në gjendje të shtypte “kryengritjen e
shtetasve të tij”, Perandori dërgoi kundër ilirëve vizigotët që ishin
futur asokohe në Ballkan.
Në acarimin e krizës së përgjithshme të sistemit antik të prodhimit një
rol jo të vogël kanë luajtur sulmet e “barbarëve”. Kufijtë veriorë e
verilindorë që nga shek. III e këtej filluan të sulmoheshin gjithnjë e
më shumë nga fise të ndryshme “barbare”.

Një nga shfaqjet më të rënda të krizës që ndikoi në dobësimin e
perandorisë ka qenë edhe prirja e qarqeve sunduese të provincave për t’u
shkëputur nga pushteti qendror dhe sidomos lufta për pushtet ose lufta
midis senatit e ushtrisë, midis perandorëve të senatit e perandorëve të
ushtrisë, bashkë me ta edhe ndryshimet e shpeshta në fron. Mbështetja e
vetme e sigurt e pushtetit perandorak u bë ushtria. Në periudhën e
krizës dhe pas saj, pjesa më e madhe e ushtrisë vinte kryesisht nga
popullsia fshatare e provincave. Në provincat periferike një vend të
dorës së parë zinin provincat ilire, sidomos ato veriore e lindore ku
ishin përqendruar njësi ushtarake të shumta dhe ku prona e vogël e tokës
kishte një peshë të madhe. Ushtria, e cila vinte nga këto shtresa, u bë
mburoja e fundit e perandorisë dhe filloi të luajë një rol vendimtar në
ngjarjet politike të kohës. Nga gjiri i saj u krijua një pari e fortë
provinciale e interesuar për ruajtjen e skllavopronarisë dhe e gatshme
për të luftuar kundër skllevërve, kolonëve dhe shtresave popullore, të
cilat ngrinin krye herë pas here.

Në vitin 212 e. sonë, i imponuar nga fillimet e krizës dhe situata e
krijuar si pasojë e saj, perandori Karakalla shpalli ediktin e tij, me
anë të të cilit popullsive të provincave të konsideruara deri atëhere
“të huaja” iu dhanë të drejtat e qytetarisë romake. Perandoria Romake e
mori këtë masë për të zgjeruar bazën shoqërore mbi të cilën mbështetej
pushteti qendror dhe për rëndësinë që kishin provincat e pasura të
Gadishullit Ballkanik. Në këtë mënyrë u thellua edhe më shumë procesi i
“provincializmit” dhe i “barbarizmit” të Perandorisë Romake. Masat e
marra nga perandorët në shek. III dhe më vonë nuk mundën të ndalonin
krizën e përgjithshme dhe të ruanin skllavopronarinë. Këtë nuk mundën ta
bënin as disa nga përfaqësuesit e shtresave sunduese provinciale, të
cilët arritën të bëhen edhe perandorë.

Në shekujt III-IV e. sonë, madje deri në shek. IV në krye të Perandorisë
Romake kanë qenë disa perandorë me prejardhje ilire. Perandorë
“ushtarë” ilirë kanë qenë: Deci, Klaudi II, Aureliani, Probi,
Diokleciani dhe Konstandini. Burimet e shkruara bashkëkohëse tregojnë se
këta perandorë, si përfaqësues të qarqeve sunduese provinciale, në vija
të përgjithshme ndoqën një politikë, e cila synonte të forconte
pushtetin e perandorit, të ruante skllavopronarinë dhe të shtypte
lëvizjet kryengritëse. Ata forcuan ushtrinë dhe me anën e saj u përpoqën
të mbronin kufijtë e perandorisë nga sulmet e jashtme. Figura më
kryesore midis perandorëve ilirë ka qenë Diokleciani, një ilir nga
qyteti Dioklea (në provincën e Dalmatisë), që sundoi në vitet 284-305.
Diokleciani ndoqi të njëjtën politikë si paraardhësit e tij, por ai bëri
edhe disa reforma administrative e ushtarake. Perandoria Romake u nda
në katër prefektura dhe 12 dioceza.

Në pjesën lindore të saj gjendej prefektura e Ilirikut, e cila ndahej
në tri dioceza e në disa provinca. Tokat shqiptare që nga gjysma e parë e
shek. IV, qenë përfshirë në provincën e Prevalit me qendër Shkodrën, ku
bënin pjesë Dalmatia e Jugut, Mali i Zi dhe Shqipëria Veriore, në
provincën e Dardanisë me qendër Skupin, ku hynin pothuaj të tëra
krahinat e Kosovës së sotme, në provincën e Epirit të Ri me qendër
Dyrrahun, që përmblidhte krahinat e Shqipërisë Qendrore e Jugore deri te
lumi Vjosa dhe në provincën e Epirit të Vjetër, me qendër Nikopolin, ku
hynin tokat në jug të Vjosës deri në gjirin e Prevezës.
Me reformat e tij ushtarake Diokleciani e rriti numrin e legjioneve dhe
formoi me ushtarë të zgjedhur njësi ushtarake të lëvizshme, të cilat në
kohë lufte shoqëronin sundimtarët dhe në kohë paqeje qëndronin si
garnizone në qytetet e kështjellat e provincave.

Duke filluar nga gjysma e dytë e shek. III, por në mënyrë të veçantë
gjatë shek. IV në provincat ilire u bënë ndërtime me karakter
fortifikues dhe u hapën e u riparuan rrugë të ndryshme. Në radhë të parë
këto punime u bënë në provincat veriore dhe shërbyen për mbrojtjen e
kufijve nga sulmet e “barbarëve”. Por edhe në provincat e brendshme
jugore, po për qëllime ushtarake u rifortifikuan shumë qytete dhe u
ngritën kështjella të reja. Ndryshe nga ato të veriut, përveç detyrës së
mbrojtjes së Perandorisë nga invazionet e “barbarëve”, që mund të hynin
në Gadishullin Ballkanik, ato patën edhe një mision tjetër, shërbyen
për qëndrimin e garnizoneve dhe për të përballuar kryengritjet e
vendësve, të cilat u shtuan në situatën e krijuar nga kriza e rendit
skllavopronar.

Reformat administrative e ushtarake dhe ndërtimet fortifikuese të bëra
nga Diokleciani e vonuan pak rënien e Perandorisë Romake, por nuk mundën
ta ndalonin. Në këtë drejtim një rol jo të vogël kanë luajtur provincat
veriore e verilindore ilire, por ndihmuan edhe rrethanat politike,
sidomos lufta kundër sulmeve të barbarëve në kufirin danubian. Kjo luftë
kishte një karakter të dyfishtë për perandorët e komandantët ushtarakë
ilirë, ishte një luftë për mbrojtjen e vendit të tyre, por edhe për
mbrojtjen e Perandorisë me të cilin ishin lidhur ngushtë interesat e
tyre.

Në sajë të disa masave që mori paria e re provinciale, duke përfshirë
edhe atë ilire, u bë e mundur të përballohej për një farë kohe kriza e
Perandorisë Romake. Por ato nuk mundën ta shmangnin atë.
Geri
Geri
Fondatore St@ff Forum
Fondatore St@ff Forum

<b>Postime</b> Postime : 19707
 <b>Piket</b> Piket : 23805
Regjistruar : 21/04/2009
 <b>Mosha</b> Mosha : 35
 <b>Vendbanimi</b> Vendbanimi : Ne qytetin e dashur Tirone

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Shtetet Ilire - Faqe 2 Empty Re: Shtetet Ilire

Mesazh nga Geri Thu 4 Mar 2010 - 8:50

Tiparet e krizës në provincat ilire



Shthurja e sistemit antik të prodhimit, që përfshiu gjithë perandorinë
dhe që ishte arsyeja themelore e krizës së saj, nuk pati kudo
përpjesëtime të njëjta. Në Lindje dhe në Ilirik, ku prona private ishte
zhvilluar më ngadalë, kjo krizë nuk qe aq katastrofike sa në provincat
perëndimore.
Pas shek. III e. sonë edhe në provincat ilire bujqësia fitoi një rëndësi
të madhe. Në fshatin ilir, deri në fund të shek. IV e. sonë ka pasur
një rritje të prodhimit bujqësor. Sipas burimeve të shkruara në Ilirik
ka pasur fshatarë të pasur që kishin skllevër, të cilët ishin,
kryesisht, robër lufte me origjinë gote. Në provincat ilire, për një
farë kohe u gjallëruan edhe pronarët e mëdhenj të tokave, që i shtuan
pronat e tyre pas rënies së qyteteve. Por latifondet qenë relativisht të
pakta dhe të kufizuara në ultësirat bregdetare.

Me gjithë gjendjen e keqe që u krijua në Perandorinë Romake, në
provincat ilire fshatarët e lirë mbetën edhe për një farë kohe një forcë
e madhe. Për ruajtjen e popullsisë së lirë fshatare dhe për ta mbrojtur
atë nga shkatërrimi prej borxheve, ishin të interesuar edhe perandorët,
të cilëve u duhej si rezervë për ushtrinë dhe për taksat e ndryshme. Në
zonat e brendshme malore ilire kishte edhe bashkësi fshatare,
pjesëtarët e të cilave ishin zotërues tokash.

Zbulimet arkeologjike dëshmojnë për një zhvillim të bujqësisë dhe të
vendbanimeve fshatare në Iliri në shek. III-IV. Veglat bujqësore prej
hekuri ishin të zakonshme dhe mbizotëruese në inventaret e varreve të
kësaj kohe, që u takonin vendbanimeve fshatare kryesisht të vogla.
Vendbanimet fshatare u shtuan edhe në zonat e brendshme; disa prej tyre
qenë lidhur me minierat e ndryshme, të cilat në kohën e krizës kishin
kaluar në duart e banorëve vendas.
Në pronat bujqësore të provincave ilire filloi të shtohet numri i
kolonëve, një dukuri që njihej edhe më parë. Kolonët në fillim kanë qenë
qiramarrës të lirë dhe vinin kryesisht nga radhët e fshatarëve të
rrënuar dhe të mbetur pa tokë.

Kolonë zunë të bëheshin edhe robërit e luftës. Borxhet, që erdhën duke u
shtuar i shkatërruan kolonët, fillimisht të lirë, dhe i bënë pjesë të
pandarë të tokës. Në përgjithësi gjendja e kolonëve edhe në Ilirik ka
qenë e keqe dhe nuk ndryshonte nga ajo e skllevërve. Në kushte të tilla
kolonët braktisnin shpesh tokat dhe arratiseshin. Perandori Konstandin,
me anë të një dekreti, kishte shpallur se të gjithë ata që fshihnin
kolonët e ikur gjobiteshin, kurse kolonët e arratisur duhej të
ktheheshin me forcë në vendbanimin e tyre. Ky ligj u përsërit disa herë,
por pa sukses. Në vitin 371 të e. sonë u lëshua një urdhër i posaçëm
për kolonët e Ilirikut. Tani ligjet ndalonin shitjen e kolonëve pa
tokën, kështu që këta të fundit u shndërruan në një shtresë shoqërore që
lidhej me tokën.

Të gjitha masat që mori perandoria në kohën e krizës në fushën e
marrëdhënieve agrare kishin të bënin me politikën fiskale të saj. Taksat
që paguanin pronarët e tokave caktoheshin jo vetëm sipas sipërfaqes së
tokës që ata kishin, por edhe nga numri i frymëve, i njerëzve që punonin
në to. Kolonët mbetën të lidhur me tokën, ata ishin paraardhësit e
bujkrobërve të kohës së mesjetës.

Pas shek. III e. sonë kriza e tatëpjeta e përgjithshme pati përfshirë
edhe mjaft qytete të provincave ilire, sidomos të atyre jugore, duke
ndikuar në rënien e jetës qytetare, ndonëse jo në atë masë si në pjesën
perëndimore të perandorisë. Qytete të rëndësishme, si Apolonia, Bylisi,
Amantia, Foinike, Antigonea e ndonjë tjetër që si koloni, municip apo
qytet “i lirë” i qenë përshtatur organizimit administrativ, me fillimin e
krizës së sistemit antik të prodhimit e me rënien e ekonomisë morën
tatëpjetën për t’u zhdukur më vonë bashkë me ato qytete ilire që kishin
filluar të binin që në dy shekujt e parë të erës sonë. Disa prej këtyre
qendrave të vjetra qytetare nuk mundën të qëndrojnë si të tilla edhe pse
u bënë qendra peshkopatash. Një dukuri që nis të duket në shek. IV e.
sonë ka qenë ngritja e gjallërimi i disa qytezave të lashta e të reja,
të fortifikuara me nismën e fuqinë e popullsisë vendase, roli ekonomik i
të cilave u rrit, i ndihmuar nga kriza ekonomike e politike e
perandorisë.

Në rrënimin e qyteteve ndikuan faktorë të ndryshëm. Së pari, duhet
theksuar rënia e pronës së vogël e të mesme bujqësore të lidhura me
qytetin, të cilat kishin ruajtur deri vonë tiparet e një ekonomie
skllavopronare. Gjatë shek. IV pronat tokësore të qyteteve u fortifikuan
nga perandorët dhe nga kleri kristian ose kaluan në duart e pronarëve
të mëdhenj. Pronat e mëdha tokësore dhe fshatrat me bashkësi të lira
luanin asokohe një rol të rëndësishëm në jetën ekonomike të perandorisë.
Në këto prona e fshatra u zhvillua edhe zejtaria, me të cilën u morën
në latifondet skllevërit e kolonët dhe në fshatrat zejtarët e lirë.
Pranë tyre u zhvendosën një pjesë e popullsisë së qyteteve dhe u krijuan
tregjet. Qytetet humbën edhe autonominë e privilegjet e vjetra duke
kaluar nën vartësinë e prokuratorëve, të cilët ishin emëruar nga
sundimtarët e provincave. Edhe gjendja e shtresës së lartë qytetare
ishte keqësuar shumë. Kuritë që kishin zënë vendin e dekurionëve të
mëparshëm, të cilët mbanin ofiqet administrative në qytetet, u pakësuan.


Ata jo vetëm që duhej të nxirrnin nga qytetet detyrimet e taksat, por
ishin të detyruar të paguanin edhe vetë. Detyra e kurive u bë një barrë e
rëndë; nën shtrëngimin e sundimtarëve, në disa qytete ajo u bë e
trashëgueshme. Kurialët që të shpëtonin nga detyrimet e rënda
largoheshin nga qytetet, duke ikur në fshat ose duke u futur në ushtri.
Në gjysmën e dytë të shek. IV ndonjë perandor bëri përpjekje për të
rimëkëmbur kuritë qytetare, por pa sukses. Rendi i kurive e kishte
jetuar kohën e tij. Qytetet mbetën në duart e nëpunësve perandorakë, të
cilët u pasuruan në sajë të shpërdorimeve që bënin në kurriz të
shtresave të ulëta qytetare. Kjo gjendje vazhdoi në ato qytete që
përballuan krizën.
Në provincat jugore jeta qytetare nuk u shua; pati edhe qytete, të cilat
mbetën si qendërbanime të rëndësishme, sidomos në ultësirën bregdetare.
Në një burim të shkruar, kur tregohet për pushtimet e bëra nga
Teodoriku në provincën e Epirit të Ri thuhet: “askush nuk do të duronte
që ai të mbante qytete kaq të mëdha”.

Qyteti më i madh në trevën jugore ilire, i cili jo vetëm ruajti
fizionominë e tij, por nga shekujt V e VI, sidomos në këtë të fundit,
pati një zhvillim e lulëzim të mëtejshëm, ka qenë Dyrrahu. Ai ishte
njëkohësisht edhe kryeqendër e provincës dhe seli peshkopale. Një
funksion të tillë ka pasur edhe qyteti i Skodrës. Mbetën si qendra
qytetare, edhe pse për një farë kohe u degraduan si kështjella me
karakter më tepër ushtarak, qytetet e qytezat e lashta të Lisit, të
Antipatresë, të Aulonit, të Kaninës, të Adrianopolit, të
Justinianopolit, të Buthrotit etj. Në shekujt IV-VI pati edhe kështjella
ushtarake që u kthyen në qendra qytetare, sikurse ndodhi me Skampinin.

Një tablo tjetër kemi në qytetet e provincave veriore dhe të brendshme
ilire, të cilat kishin reparte ushtarake të shumta. Në disa qytete, si
në Salona, Naisi e ndonjë tjetër ka pasur një ngritje të madhe të atyre
degëve të zejtarisë që lidheshin me ushtrinë. Për këtë qëllim u zgjerua
punimi i hekurit dhe punishtet për përpunimin e tij. Në provincat
ballkanike prodhohej rreth 40% e armëve të ushtrisë romake. Qyteti Nais i
Dardanisë ishte njëri nga qytetet ku ndodheshin punishtet e mëdha
perandorake për prodhimin e armëve. Nga provincat e Dalmatisë dhe të
Dardanisë, sipas një burimi të shkruar të kohës, vazhdonin të
tregtoheshin si mallra të kërkuara, hekuri, druri dhe prodhimet
blegtorale.
Por me gjithë zhvillimin që patën disa qytete, gjendja që u krijua në
përgjithësi në qytetet e provincave ilire që kishin përballuar krizën,
qe e rëndë.

Kjo bëri që perandorët të merrnin disa masa për të shmangur rrënimin e
shtresave të ulëta e të mesme qytetare të përbëra nga zejtarët,
tregtarët, pronarët e tokave, sepse ndryshe rrezikoheshin të ardhurat
shtetërore. Për këtë qëllim në qytetet e Ilirikut u krijua institucioni
për mbrojtjen e shtresave të ulëta qytetare, i cili duhej të kishte
pushtet në çështjet policore, juridike dhe financiare. Por këto masa nuk
u zbatuan dhe gjendja e vështirë e popullsisë së qyteteve të Ilirikut
nuk u përmirësua; nëpunësit perandorakë vazhduan veprimet e tyre
grabitëse, sepse më vonë dolën dekrete të tjera që kishin të njëjtën
frymë.

Ashtu si në pronat bujqësore e në fshatrat, edhe në qytete u lëshuan
urdhëresa perandorake që të siguronin pagesën e rregullt të taksave dhe
furnizimin e ushtrisë me mallra e prodhime të ndryshme. Në shek. IV të
gjithë zejtarët qenë shtrënguar të regjistroheshin në kolegje nga të
cilat as fëmijët e tyre që trashëgonin zanatin nuk mund të largoheshin.
Por si skllevërit, kolonët e fshatarët e varfëruar, edhe shtresat e
ulëta qytetare nuk e duruan këtë gjendje, ndaj ngritën krye, duke u
bashkuar edhe me “barbarët” që invadonin gjithnjë e më shpesh
Gadishullin Ballkanik.
Geri
Geri
Fondatore St@ff Forum
Fondatore St@ff Forum

<b>Postime</b> Postime : 19707
 <b>Piket</b> Piket : 23805
Regjistruar : 21/04/2009
 <b>Mosha</b> Mosha : 35
 <b>Vendbanimi</b> Vendbanimi : Ne qytetin e dashur Tirone

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Shtetet Ilire - Faqe 2 Empty Re: Shtetet Ilire

Mesazh nga Geri Thu 4 Mar 2010 - 8:50

Provincat ilire



Me ndarjen e Perandorisë Romake në fund të shek. IV provincat ilire
mbetën me perandorinë e Lindjes, Bizantin. Edhe pasi u bënë pjesë e
Perandorisë Bizantine struktura ekonomiko-shoqërore e provincave ilire
nuk ndryshoi. I vetmi ndryshim ishte se ato u bënë krahina periferike të
perandorisë, çka ndikoi më vonë në jetën e tyre.
Në Perandorinë Bizantine, ku bënin pjesë krahina të pasura me qendra të
mëdha zejtare dhe ku ruheshin fshatarët e zejtarët e lirë, kriza e
skllavopronarisë nuk ishte ndjerë aq shumë. Edhe pse nuk arriti të
ndalonte dyndjet e “barbarëve” në Ballkan, Perandoria Bizantine me
burimet e saj ekonomike mundi të përballonte gjendjen e krijuar gjatë
këtyre dyndjeve dhe të qëndronte si një shtet i madh edhe një mijë vjet
të tjera. Kurse perandoria e Perëndimit nuk mundi të rezistojë para
sulmeve të “barbarëve” dhe në vitin 476 ra në duart e gjermanikëve, të
udhëhequr nga Odoakri.

Në shek. V-VI provincat jugore e juglindore ilire si Prevali, Dardania,
Epiri i Ri dhe Epiri i Vjetër, pas shkatërrimeve e dëmeve të shkaktuara
nga invazionet barbare u mëkëmbën, madje në shek. VI patën një farë
ngritjeje që u vu re në shumë drejtime.
Bujqësia mbeti edhe në këta shekuj një degë e rëndësishme e ekonomisë.
Karakteri i pronave bujqësore mbeti ai që kishte qenë edhe më parë. Në
disa vendime shtetërore që i takojnë vitit 535 duket shumë qartë gjendja
e pronave bujqësore në Ilirik. Qëllimi i këtyre vendimeve ishte ndalimi
i përpjekjeve të pronarëve të mëdhenj dhe i fajdexhinjve për t’u marrë
fshatarëve borxhlinj tokat e bagëtitë. Në pronat e mëdha bujqësore
figura qendrore ka qenë koloni. Në legjislacionin e asaj kohe flitet për
kolonë të lirë e kolonë të varur. Të parët, krahas tokës që merrnin nga
pronarët, kishin edhe ngastra e vegla të tyre, kurse të fundit ishin të
lidhur pas tokës; as vetë, as edhe fëmijët e tyre nuk mund të
largoheshin nga vendet ku ishin regjistruar. Më vonë, midis kolonëve nuk
kishte më asnjë ndryshim çka u pasqyrua më pas edhe në legjislacion.

Edhe në shekujt V-VI në provincat ilire nuk qenë zhdukur pronat e vogla
tokësore; në viset malore vazhdonin të ruheshin edhe bashkësitë e lira
fshatare. Si më parë, edhe tani shteti bizantin duke ruajtur pronat e
vogla fshatare dhe duke ndaluar rrënimin e tyre, kërkonte të siguronte
një prodhim sa më të madh drithërash, të mblidhte taksat dhe të
rekrutonte ushtarë. Fshatarët ishin të detyruar të kryenin edhe angari
të shumta në hapjen e rrugëve, në ndërtimin e urave e të kështjellave.
Për t’u shkëputur nga vështirësitë ekonomike, ngarkesat e shumta me
taksa, veprimet e padrejta e dhuna e nëpunësve të financave dhe për të
mos u kthyer në kolonë, fshatarët kërkuan mbrojtjen e pronarëve të
mëdhenj me ndikim që ishin të interesuar të kujdeseshin për ta (v. 468).
Lindi kështu patronazhi latifondar, i cili u përhap mjaft saqë
perandorët nxorën urdhra për ta ndaluar atë.

Rrënimi i fshatarësisë u bë më i theksuar, veçanërisht në fund të shek.V
dhe në fillim të shek.VI, kur ajo u ngarkua me taksa edhe më të rënda.
Fshatarët e provincave ilire qenë të detyruar t’u paguanin pronarëve të
mëdhenj të tokave një taksë të re në të holla, ndërsa shtetit në ar. Të
gjitha këto ndihmuan në ruajtjen në këto provinca të marrëdhënieve
mall-para, por fshatarët qenë shtrënguar të shisnin në treg prodhimet e
tyre ose të merrnin hua nga fajdexhinjtë. Duke mos qenë në gjendje për
të paguar me kohë borxhet ata duhet t’u dorëzonin atyre gjithçka
zotëronin dhe pastaj të kërkonin mjete jetese në qytetet ose të hynin në
radhët e ushtrisë. Në këtë mënyrë, në ushtrinë e perandorisë së hershme
bizantine hynë shumë ilirë.

Për provincat jugore ilire të asaj kohe ka qenë karakteristik zhvillimi i
bujqësisë në qendërbanime të vogla, të fortifikuara, të cilat, sikurse
tregojnë të dhënat e arkeologjisë, të shek. V-VI, ishin bërë qendra të
rëndësishme ekonomike. Por në këta shekuj ekzistonte një ndryshim midis
provincave jugore e veriore; këto të fundit i përballuan të parat
goditjet e sulmeve të “barbarëve”. Në provincat jugore që nuk u prekën
aq nga inkursionet e barbarëve dhe qenë krahina pa trupa të rregullta
ushtarake, u ruajt në mënyrë më kompakte popullsia e vjetër fshatare e
qytetare. Burimet e shkruara tregojnë se edhe në shek. V dardanët
përbënin një popullsi të madhe e kompakte, kurse nga burimet
mbishkrimore rezulton se në këtë provincë edhe në shek. VI vazhdonin të
ruheshin emra vetjakë e emra fshatarësh ilirë.

Në provincat ilire edhe në shek. V e VI jeta qytetare vazhdoi pa
ndërprerje, megjithëse numri i qyteteve ishte pakësuar edhe më shumë.
Hierokli, në udhërrëfyesin e tij të shek. VI përmend në katër provincat
jugore ilire, emrat e 27 qyteteve, disa prej të cilave ishin edhe qendra
peshkopale. Sidoqoftë, me gjithë numrin e pakësuar të qyteteve dhe
krizën e skllavopronarisë, në shek. VI, në Iliri kishte ende qytete
relativisht të pasura ose qytete që kishin ruajtur rëndësinë e tyre. Në
këtë kohë, pas shkatërrimeve të shekujve paraardhës, ka qenë
karakteristike një rigjallërim i jetës në qytet dhe në fshat, dhe një
qëndrueshmëri në raportet mall-para.

Që nga fundi i shek.V dhe gati gjatë gjithë shek. VI, kur ndodhi
rilulëzimi i jetës qytetare, numri i monedhave u shtua në mënyrë të
ndjeshme. Monedha të kësaj kohe, e sidomos monedhat e perandorit
Justinian, të perandorit Justin qarkullonin gjerësisht; ato gjendeshin
jo vetëm në qytetet, por edhe në qendërbanime të fortifikuara e të vogla
e në zona të brendshme malore.
Në pjesën ballkanike të perandorisë së Bizantit një qytet i madh ka qenë
Dyrrahu. Në Dyrrah vinin anije nga vende të ndryshme të Mesdheut, kurse
rrugët tokësore që niseshin nga ky qytet nuk e kishin humbur rëndësinë e
tyre. Këtu ndodheshin punishtet dhe arsenalet që furnizonin me armë e
me mjete të tjera ushtrinë e flotën perandorake. Qyteti, dy herë i
dëmtuar nga tërmetet dhe nga pushtimi i gotëve, ishte mëkëmbur dhe
zbukuruar me mure të reja. Perandori bizantin Anastasi (v. 491-518) që
ka qenë me origjinë nga ky qytet, e rrethoi Dyrrahun me një kurorë
trefishe muresh mbrojtëse dhe ndërtoi aty një hipodrom të madh.
Shkrimtari i shek. VI, Prokopi nga Gaza, e përshkruan Dyrrahun “si një
qytet të madh që zgjatet nga toka në det, që ka me tepricë nga ato që
mund të prodhojë toka e deti”.

Ndërtime me karakter fortifikues në provincat jugore ilire janë bërë
edhe pas sundimit të Anastasit. Prokopi i Cezaresë, bashkëkohës i
perandorit Justinian ka shkruar se ky i fundit, për të mbrojtur
perandorinë e provincat e saj nga sulmet e mundshme të barbarëve,
ndërtoi e rindërtoi një varg kështjellash. Vetëm në tri provincat ilire
jugore sipas listës së hartuar nga autori i mësipërm, numri i
qendërbanimeve të fortifikuara arrinte deri në 168. Kërkimet
arkeologjike kanë treguar se në shek. V-VI në Iliri janë ndërtuar një
tok kështjellash, shumë prej të cilave nuk përfshihen në listën e atyre
kështjellave, që sipas Prokopit të Cezaresë janë ndërtuar e rindërtuar
nga perandori Justinian. Përveç qyteteve të rrethuara rishtas me mure,
por shpeshherë të kufizuar në sipërfaqe të vogla, vërehen në këta dy
shekuj përpjekje të vetë popullsisë për të fortifikuar qendërbanime të
reja ose për t’u kthyer në kështjellat e vjetra. Sikurse është provuar
nga të dhënat arkeologjike, në këta shekuj vihet re një rritje e rolit
ekonomik të qytezave të reja të fortifikuara, sidomos në ato krahina ku
ishte dobësuar autoriteti perandorak. Kjo bëri, sidomos në periudhën
parafeudale, që të rigjallërohet popullsia vendëse dhe që krahinat e
brendshme të fitojnë një rëndësi të veçantë, e cila do të shfaqet që nga
shek. VII e më tej në vendosjen e feudalizmit si sistem ekonomik.

Në shek. VI u krijuan kushtet jo vetëm për ndërtime me karakter
mbrojtës, por edhe për ndërtime të tjera me karakter monumental. Kësaj
kohe i përkasin ndërtime të shumta të kultit të krishterë në qytetin e
Bylisit, Butrintit si dhe në qendrat e tjera të vogla. Këto kanë qenë
monumentet e fundit të shoqërisë antike.
Në shek. VI autoriteti perandorak ishte ende i fortë në krahinat
bregdetare dhe në qytetet. Qytetet e provincave ilire nuk kishin më
magistraturat municipale, as edhe vetadministrimin e vjetër. Ato kishin
rënë në duart e funksionarëve perandorakë. Nga paria e vjetër sunduese
kishte mbetur një pakicë e vogël e përbërë nga pronarët e mëdhenj të
tokave. Funksionarët shtetërorë dhe të kishës i ruajtën të paprekura
pozitat sunduese. Nga radhët e kësaj shtrese qenë zgjedhur edhe
perandorët. I tillë ka qenë edhe Anastasi që vinte nga gjiri i
aristokracisë senatoriale të Dyrrahut.

Por edhe në këtë kohë ushtria vazhdonte të luante një rol të rëndësishëm
në shtetin e Bizantit dhe prej asaj vazhduan si më parë, të dilnin
perandorët. Ushtarakë ilirë, që kishin bërë karrierë në ushtrinë
bizantine qenë edhe perandori Justin I (518-527) dhe ai Justinian
(527-565). Sipas një burimi të shkruar bizantin perandori Justin,
fshatar me origjinë nga Dardania, duke mos siguruar dot jetesën në
vendlindjen e tij kishte shkuar në Konstantinopol dhe kishte hyrë në
radhët e ushtrisë, ku arriti më pastaj deri në postin më të lartë
shtetëror.

Me kohë, në qarqet sunduese të provincave ilire, si kudo në perandori,
një rol të madh filloi të luante kisha e krishterë e përfaqësuar nga
kleri i lartë, i cili për shërbimet kundrejt perandorisë merrte si
dhuratë toka e pasuri të ndryshme. Në shek. VI kisha e krishterë ka
pasur prona të saj në provincat e Bizantit prej nga nxirrte të ardhura
të mëdha.

Shek. VI përbën përpjekjen e fundit të rigjallërimit të antikitetit në
Ballkan. Në gjysmën e dytë të shek. VI dhe në gjysmën e parë të shek.VII
do të rifillojnë invazione e dyndje të reja popujsh, të cilat do të
sjellin ndryshime në përbërjen etnike të gadishullit dhe do të çojnë në
rënien e plotë të sistemit antik të prodhimit. Në Perandorinë e Lindjes,
në të cilën bënin pjesë edhe provincat ilire, ku skllavopronaria ka
qenë më pak e zhvilluar, procesi i shthurjes së mënyrës antike të
prodhimit dhe vendosja e feudalizmit u bë më me ngadalë.
Geri
Geri
Fondatore St@ff Forum
Fondatore St@ff Forum

<b>Postime</b> Postime : 19707
 <b>Piket</b> Piket : 23805
Regjistruar : 21/04/2009
 <b>Mosha</b> Mosha : 35
 <b>Vendbanimi</b> Vendbanimi : Ne qytetin e dashur Tirone

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Shtetet Ilire - Faqe 2 Empty Re: Shtetet Ilire

Mesazh nga Geri Thu 4 Mar 2010 - 8:50

3. KULTURA NË PROVINCAT ILIRE



Kultura në shekujt e parë të erës sonë



Në shek. I të e.sonë, me pushtimin e plotë të Ilirisë, nisi të përhapej
edhe kultura romake, duke u ndërthurur me kulturën vendëse ilire dhe
duke zhdukur pak nga pak edhe ndryshimet kulturore që ekzistonin deri
atëherë midis krahinave ilire. Një rol të rëndësishëm në përhapjen e
kulturës romake në provincat ilire ka luajtur aparati
administrativo-ushtarak i pushtuesve romakë. Vatra kryesore të përhapjes
së kulturës romake u bënë kolonitë e municipet, ato qytete, të cilat si
pasojë e organizimit të ri administrativ u bënë qendra të rëndësishme
ekonomike dhe patën një jetë të gjallë kulturore-artistike. Dukuritë më
të shumta kulturore, të ndikuara nga Roma, zunë vend, në masën më të
madhe, tek banorët e ardhur nga Italia ose nga provincat e tjera dhe te
përfaqësuesit e shtresës së pasur vendëse.

Në provincat ilire, sikurse edhe në provincat e tjera të perandorisë
romake u zhvilluan arkitektura zyrtare, skulptura - veçanërisht
portreti, arti i mozaikut dhe piktura murale.
Pushtuesit romakë për nevojat e tyre bënë ndërtime të shumta, të cilat
në disa raste ndryshuan planet e vjetra urbanistike të qyteteve. Këto
ndryshime në planin urbanistik të qyteteve të vjetra në provincat jugore
ilire u bënë sepse romakët nuk ngritën ndonjë qytet të ri. Më qartë ato
shihen në Buthrot e Apoloni. Në njërën nga tarracat e mëdha, të
formuara në kodrën ku shtrihej qyteti i Apolonisë, në pjesën perëndimore
të saj, gërmimet kanë nxjerë në dritë tepricat e një ansambli godinash
me karakter shoqëror të ngritura në fillim të shek.II e.sonë. Këto
ndërtime, që i takojnë lagjes qendrore të qytetit, u bënë mbi rrënojat e
godinave më të lashta ose duke i ndryshuar ato që i përkisnin
gjithashtu qendrës së qytetit para pushtimit romak.

Në ansamblin e godinave të kësaj pjese qendrore të qytetit, bënin pjesë
një teatër i vogël i mbuluar (odeon), një bibliotekë dhe një godinë me
një fasadë monumentale, e quajtur në literaturën arkeologjike, monumenti
i agonotetit, e cila ka shërbyer si seli e këshillit të qytetit
(buleteurion). Me interes është këtu edhe mbishkrimi i skalitur në
arkitekturën e fasadës që tregon, jo vetëm se kush e kishte ndërtuar
këtë godinë monumentale, por edhe se me rastin e inaugurimit të saj
ishin organizuar dyluftime midis 25 çifte gladiatorësh. Kjo supozon se
në atë kohë në Apoloni ekzistonte një arenë amfiteatër i madh dhe se
luftimet e gladiatorëve ishin shfaqje të futura nga shtresa
skllavopronare sunduese e italike. Me kompleksin e godinave me karakter
shoqëror të mësipërme lidhej edhe një hark triumfi me tri porta, i
ngritur në mes të sheshit dhe një rrugë magjistrale, e cila nga godina e
këshillit zbriste në drejtim të lagjeve të pjesës perëndimore të
qytetit, ku ndodheshin edhe banesat e parisë skllavopronare apoloniate.

Të gjitha këto godina nga pikëpamja e planimetrisë dhe e teknikës së
ndërtimit nuk ndryshojnë nga ato bashkëkohëse të ngritura në provinca të
tjera ballkanike.
Një plan të ri urbanistik ka pasur, në shekujt e parë të erës së sonë,
edhe qyteti i Buthrotit. Nuk ka të dhëna që të provojnë nëse në fillim
të erës sonë ndryshoi plani urbanistik i qytetit të Dyrrahut.
Megjithatë, dihet se në këtë qytet, në shek. II, u ndërtua një
amfiteatër i madh, një pjesë e të cilit është zbuluar.
Një zhvillim të mirë ka pasur në tre shekujt e parë të e. sonë edhe arti
plastik, skulptura. Skulpturën e kësaj kohe e njohim në mënyrë të
veçantë nga zbulimet e bëra në rrënojat e Apolonisë.

Karakteristike për skulpturën apoloniate të kësaj kohe është se një
pjesë e mirë e veprave skulpturore i mbetën besnike traditave të artit
klasik e helenistik ose riprodhojnë vepra më të njohura të artit grek,
kurse në portretet shpesh janë zbatuar rregullat kompozicionale dhe të
skalitjes karakteristike për skulpturën romake. Në vargun e gjatë të
skulpturave apoloniate të tre shekujve të parë të erës sonë ka vepra
origjinale, të denja për mjeshtra të zotë e me përvojë të madhe,
portrete të stilit augustian e më të vona, si busti i Karakallës e
ndonjë tjetër, por ka edhe kopje të veprave klasike, të cilat kanë një
forcë të madhe shprehëse, janë shumë të bukura dhe dëshmojnë për një
pjekuri artistike të autorëve të tyre (portreti i Demostenit, busti i
Filozofit e ndonjë tjetër). Ndryshe ka ndodhur në relievin sidomos atë
mortor, ku nuk ndeshen më kompozimet e bukura të stileve sepolkrale
apoloniate dhe në vend të tyre skaliten relieve me një dekoracion
uniform e monoton të marrë nga repertori i stileve romake.
Në plastikën e vogël vendin kryesor e zënë figurinat prej bronzi, të
gjetura në qytete dhe në lokalitete fshatare.

Në këto figura bronzi të vogla, të prodhuara më të shumtën në seri, të
cilat lidhen me hyjni ashtu edhe me personazhe laike (aktorë, fëmijë,
atletë etj.), ka edhe modele me vlera artistike të vërteta.
Një përhapje të gjerë, gjatë periudhës së pushtimit romak ka pasur edhe
arti i mozaikut. Edhe mozaikët dhe zhvillimi i tyre, ashtu sikurse
veprat më të bukura të arkitekturës dhe të skulpturës, kanë qenë lidhur
me shtresat e larta të provincave, si të atyre të qyteteve, ashtu edhe
të vendbanimeve fshatare, të zotëruesve të vilave e latifondistëve. Në
këta mozaikë ku mbizotëron dekoracioni gjeometrik ndeshen edhe elemente e
skena të marra nga mitologjia greke e tejlashtë (Akili e Pentesilea në
mozaikët e Apolonisë etj.).

Ndryshime të dukshme ndodhën edhe në kulturën materiale e shpirtërore,
veçanërisht në qytetet dhe në periferitë e tyre. Krahas me futjen në
prodhim të një sërë veglash të reja pune, gjatë shekujve të parë të
pushtimit romak hyjnë në përdorim edhe stoli të reja, një pjesë prej të
cilave lidheshin me modele veshjesh të ardhura. Midis stolive vendin e
parë e zënë fibulat, funksioni i të cilave sigurohej nëpërmjet një
thumbi ku kapej gjilpëra, duke u zënë vendin atyre fibulave ku mbyllja
sigurohej nëpërmjet një spiraleje, nga dilte gjilpëra. Fibula të kësaj
kohe të llojit të quajtur “Aucissa”, me këmbë përthyer ose të tipit
“pincete” përhapen gjerësisht në provincat jugore ilire.

Me forma e teknikë të re paraqitet në tre shekujt e parë të erës sonë
edhe qeramika, duke përfshirë edhe qeramikën e ndërtimit. Përveç
punishteve të poçarisë vendëse, që prodhojnë forma enësh të zakonshme,
edhe në provincat e tjera romake, një përhapje të gjerë mori në dy
shekujt e parë (në drejtim më tepër si imitacion) qeramika e quajtur
“terra sigillata”. Në këtë kohë zgjerohet më shumë edhe përdorimi i
enëve prej qelqi.
Në qytetet e në zonat fshatare deri në thellësi hyjnë në përdorim
tjegulla - solene e kaliptere - të lakuara, tulla me trajta e përmasa të
ndryshuara, ndërsa në ndërtim hynë llaçi e gëlqerja, të cilat sollën
ndryshime në teknikën e ndërtimit, në cilësinë dhe në pamjen e godinave.

Ajo që bie në sy në gërmimet e zbulimet arkeologjike është se këto
ndryshime në kulturën materiale sikurse shfaqjet e tjera të kulturës së
veçantë, i takojnë ultësirës bregdetare, periferive të qyteteve dhe disa
luginave të përshkuara nga rrugë magjistrale. Në këto krahina është
vërejtur edhe prania e kulteve të hyjnive romake dhe më rrallë edhe të
hyjnive me prejardhje lindore. Viset e brendshme ilire u prekën shumë më
pak nga ndikimet e kulturës romake. Në përgjithësi në këto krahina
elementet e kulturës materiale e shpirtërore romake janë të pakta,
ndërsa ato vendase më të shumta. Ky raport do të thellohet edhe më tepër
në shekujt që pasojnë, në kohën e krizës së skllavopronarisë, kur
elementet kulturore vendase, tradicionale e të reja zënë një vend
gjithnjë e më të madh në jetën e banorëve të provincave ilire.
Geri
Geri
Fondatore St@ff Forum
Fondatore St@ff Forum

<b>Postime</b> Postime : 19707
 <b>Piket</b> Piket : 23805
Regjistruar : 21/04/2009
 <b>Mosha</b> Mosha : 35
 <b>Vendbanimi</b> Vendbanimi : Ne qytetin e dashur Tirone

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Shtetet Ilire - Faqe 2 Empty Re: Shtetet Ilire

Mesazh nga Geri Thu 4 Mar 2010 - 8:50

Kultura në kohën e vonë antike (shek. IV-VI)



Gjendja ekonomike e politike që u krijua në provincat ilire në shek. IV
të e. sonë ndikoi edhe në zhvillimin e kulturës, nxiti gjallërimin dhe
vazhdimin e traditave kulturore të lashta. Në shekujt që pasuan, kultura
materiale, bashkë me ndikimet bizantine filloi të marrë tipare të qarta
anase, mbi bazën e të cilave do të formohet kultura e hershme
shqiptare. Ajo nuk pati atë zhvillim të madh si më parë, por në këtë
lindën elemente të reja të rëndësishme (si në kulturën materiale, dhe në
marrëdhëniet shoqërore), të cilat në mesjetë u zhvilluan në mënyrë më
të plotë.


Ndryshe nga periudha pararendëse, në provincat ilire u zhvilluan më
tepër ndërtimet me karakter fortifikues ushtarak dhe ato me karakter
fetar, të krishterë. Në grupin e parë hynin kryesisht kështjellat e reja
dhe kështjellat e lashta të fortifikuara për qëllime ushtarake,
ndërtimi dhe rindërtimi i të cilave pati filluar që në shekullin IV dhe
arriti kulmin në shek. VI në kohën e sundimit të perandorit Justianian, i
cili sikurse shkruan biografi i tij, në dy provincat Epir i Ri dhe Epir
i Vjetër, ndërtoi dhe rindërtoi 94 kështjella.

Nga qytetet, në të cilat u bënë ndërtime të mëdha e të rëndësishme që
prekën edhe sistemin e brendshëm urbanistik ka qenë Dyrrahu. Këto
ndërtime u bënë në kohën e sundimit të perandorit bizantin Anastas, që
ishte me origjinë nga ky qytet. Nga këto objekte, me të vërtetë
monumentale, janë ruajtur pjesë të sistemit fortifikues: muret rrethuese
trefishe të Dyrrahut të ngritura nga perandori Anastas, të cilat
llogaritet të kenë qenë 4 400 m të gjata, rreth 12 m të larta dhe 3,50 m
të gjera. Me interes është edhe rrjeti i kanalizimeve që dëshmon
gjithashtu për një qytet të madh dhe mjeshtra të aftë.

Arkitektura e banesave, siç kanë treguar zbulimet arkeologjike, nuk pati
ndryshime të dukshme. Si në planin, ashtu edhe në ndërtimin e saj u
ruajtën traditat e lashta.
Monumentet arkitektonike që lidhen me fenë e krishterë, dhe që ishin
karakteristike për antikitetin e vonë kanë qenë bazilikat. Këto godina
kulti janë me interes për planimetrinë e tyre, plastikën dekorative dhe
për dyshemetë me mozaikë. Përsa u përket planimetrive janë gjetur
bazilika të thjeshta me tri anijata (në Tepe të Elbasanit) dhe bazilika
të tipit trikonke (në Lin të Pogradecit). Shpesh godinat e kultit
paleokristian janë ngritur mbi ndërtime më të lashta, duke ndryshuar
planimetritë e tyre (bazilika në Tiranë, pagëzimorja e Butrintit).

Rrënojat e një bazilike monumentale janë zbuluar në qytetin e sotëm të
Ballshit, që në mesjetë u bë një qendërbanim i rëndësishëm shqiptar (në
burimet mesjetare është njohur me emrin Kefalonia-Glavinica). Në këtë
bazilikë monumentale është vërtet e pasur dhe me vlerë artistike
plastika dekorative arkitektonike. Në plastikë përveç kapiteleve,
harqeve, arkitrave, spikasin në mënyrë të veçantë disa pilastra e panele
të perdes ndarëse të altarit. Si pilastrat, dhe panelet janë punuar në
reliev, kanë një trajtim të mirë artistik dhe një dekoracion të pasur ku
nuk mungojnë elementet zbukuruese tradicionale vendase.

Midis monumenteve të skulpturës të kohës së vonë antike dhe që nuk
lidhen me kultet fetare janë disa relieve mortore, të punuara nga
artistë vendas. Këto relieve nga mënyra e trajtimit artistik,
kompozimit, frymëzimit, modelimit e nga paraqitja e figurave dhe veshja e
tyre, përbëjnë një tërësi që i veçon nga ato relieve sepulkrale të
zakonshme për tre shekujt e parë të erës sonë. Ajo që i bën edhe më
interesante këto vepra artistike ilire (sepse u takojnë ilirëve), është
se ato janë gjetur jo në qendra qytetare, por në lokalitete të
brendshme, në fshatra dhe se figurat që mbajnë paraqesin zakonisht
njerëz të punës, fshatarë e zejtarë. Karakteristike për këtë kohë janë
edhe disa portrete tek të cilët nuk vërehet as idealizmi i artit grek,
as natyralizmi i skulpturës romake; portretet pasqyrojnë qoftë edhe në
mënyrë të thjeshtë karakterin burrëror, por edhe të rreptë të popullsisë
ilire.

Karakteristike për periudhën e vonë antike ka qenë lulëzimi i artit të
mozaikut. Duke filluar nga shek. IV e. sonë arti i mozaikut përhapet
edhe në viset e brendshme të provincave ilire, duke u lidhur në fillim
me qendërbanimet rurale, “vilat” fshatare dhe më pas me godinat e
kultit, bazilikat paleokristiane. Në këta mozaikë janë të pranishme,
krahas elementeve të reja dekorative, edhe ato tradicionale më të
lashta. Kështu në dyshemetë me mozaikë të godinave të kultit vërtet
mbizotërojnë figurat që përfytyrojnë kafshë, shpendë e peshq tipike për
artin masiv paleokristian, por krahas tyre, në kornizat që rrethojnë
emblemat vërehen elemente dekorative gjeometrike, figura rombesh, motivi
i gërshetës, i rrathëve që priten etj., që lidhen me një traditë të
lashtë. Mozaikët e kohës së vonë antike, nga të cilët janë zbuluar mjaft
në këto vitet e fundit, tregojnë për një lulëzim të këtij arti, sidomos
në shek.V e VI dhe për praninë e atelieve mozaikpunuese vendase.

Në antikitetin e vonë ndodhën ndryshime të dukshme edhe në kulturën
materiale. Zhvillimi i bujqësisë u shoqërua me futjen në përdorim dhe
përsosjen e një sërë veglash bujqësore. Shfrytëzimi intensiv i
vendbanimeve me metale bëri të nevojshëm shtimin e përmirësimin e
veglave të minatorëve. Shek. IV, sipas të dhënave arkeologjike, me
gjithë krizën e përgjithshme, ka qenë periudhë e një gjallërimi të
zejtarive, të qyteteve të mëdha dhe të qendrave të brendshme. Kjo
vërehet në prodhimin e stolive, ku vendin e parë e zënë fibulat, të
cilat edhe në këtë kohë vazhdojnë të kenë një funksion praktik e
estetik. Një përhapje të gjerë kanë pasur fibulat e gjoksit të tipit të
quajtur me koka qepe dhe ato me këmbë të përthyer, pararendëse të
fibulave të përdorura nga shqiptarët në mesjetën e hershme.

Edhe qeramika masive (tullat e tjegullat), edhe qeramika e përdorimit të
përditshëm nuk ndryshon shumë nga ajo e shekujve pararendës. Ndërsa në
elementet dekorative përdoret pikturimi me breza ngjyrë kafe e të kuqe,
trajtat e enëve thjeshtohen. Gjithnjë e më shpesh enët prej balte të
pjekur zbukurohen me motivin e gropëzuar, çatalla dhe vija rrethore ose
të valëzuara të gërricura, motive këto të traditës ilire.

Përsa i përket kulturës shpirtërore për antikitetin e vonë kultet e
besimit fetar të krishterë, përhapen gjithnjë e më shumë në popullsinë e
provincave ilire. Feja e krishtere, e cila në fillim lindi si një fe e
shtresave të varfra, të cilat mendonin të gjenin tek ajo rrugën e
shpëtimit, u përqafua më vonë edhe nga shtresat e pasura dhe u bë fe
zyrtare.
Geri
Geri
Fondatore St@ff Forum
Fondatore St@ff Forum

<b>Postime</b> Postime : 19707
 <b>Piket</b> Piket : 23805
Regjistruar : 21/04/2009
 <b>Mosha</b> Mosha : 35
 <b>Vendbanimi</b> Vendbanimi : Ne qytetin e dashur Tirone

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Shtetet Ilire - Faqe 2 Empty Re: Shtetet Ilire

Mesazh nga Geri Thu 4 Mar 2010 - 8:51

Qëndresa e ilirëve ndaj romanizimit



Gjatë gjithë periudhës së pushtimit, Perandoria Romake, zbatoi në
provincat ilire një politikë asimilimi, ose, sikur është cilësuar
ndryshe, romanizimi. Për të realizuar këtë politikë dhe për të forcuar
pushtimin, shteti romak ka synuar që në krye të tërhiqte dhe të bënte
për vete parinë vendëse. Për këtë, që herët, kësaj shtrese iu dha e
drejta e qytetarisë romake dhe poste të ndryshme në administratën
provinciale. Edhe rekrutimi i të rinjve në ushtrinë romake që Roma ka
zbatuar gjerësisht në disa provinca, si në Dalmati, Panoni e Dardani
ndikonte në këtë politikë të forcimit të sundimit të saj në Iliri. Të
rinjtë e rekrutuar, që në fillim kryenin detyrimin ushtarak në
formacionet ndihmëse të ushtrisë romake (në burimet e shkruara latine
përmenden kohortat dalmate e dardane dhe kalorët dalmatë). Shteti romak i
largonte nga vendlindja, i dërgonte në provincat veriore dhe në ato të
Afrikës. Në këtë mënyrë, nga njëra anë, zëvendësoheshin humbjet e
ushtrisë gjatë luftërave pushtuese, ndërsa, nga ana tjetër, dobësohej
qëndresa e popullsisë ilire.

Në tregjet e provincave ilire shiteshin asokohe prodhimet e punishteve
të mëdha italike e jashtitalike. Në fushat e ndryshme të prodhimit, në
metalurgji, në zejtari dhe në bujqësi hynë në përdorim një tok veglash
të reja pune më të përsosura e më praktike. Bashkë me to u përhapën edhe
stoli e objekte zbukurimi të reja. Përhapje të gjerë ka pasur edhe
qeramika romake e kuqe me lustër, e quajtur “terra sigillata”, dhe në të
njëjtën kohë u bë uniformizimi i shumë prodhimeve të qeramikës. Në
përgjithësi në provincat ilire, sidomos në shekujt I-II të e.sonë,
kishin hyrë elemente të kulturës materiale e artistike romake, bashkë me
to edhe disa shfaqje të kulturës shpirtërore, që kishin marrë karakter
kozmopolit dhe ndesheshin edhe në provincat e tjera.

Duke u nisur nga kjo pamje e përgjithshme që kanë pasur provincat ilire
në tre shekujt e parë të erës sonë, disa dijetarë kanë shfaqur mendimin
se sikurse popujt e tjerë, dakët, galët, iberët, edhe ilirët u
“romanizuan” plotësisht. Sipas tyre asimilimi nga ana e Romës u bë “me
anë të gjuhës, të antroponomisë, të fesë dhe të disa shfaqjeve
shoqërore-politike”. Mirëpo, argumentet që sjellin dijetarët për
“romanizimin” në tërësi të ilirëve, nuk arrijnë ta provojnë këtë. Duhet
pasur parasysh fakti se procesi i romanizimit, preku gjerësisht shtresat
e larta të popullsisë vendëse, të cilat për shkak të pozitës së tyre të
privilegjuar ishin më të ekspozuara ndaj ndikimeve romake, por jo masën
e popullsisë ilire. Pastaj ky proces nuk u zhvillua njëlloj në të
gjitha krahinat e fushat e jetës dhe ndikimet e tij kanë ndryshuar nga
njëra krahinë ose provincë në tjetrën. Kështu p.sh. procesi i
romanizimit mori përmasa më të gjera në Ilirinë Veriore, ku u zhvillua
edhe dalmatishtja, një gjuhë romane, e cila u zhduk përfundimisht në
shek. XIX.

Një argument që përdoret për të provuar romanizimin e ilirëve është
përhapja e gjuhës latine si gjuha zyrtare e kohës. Ka edhe gjuhëtarë që i
mbahen pikëpamjes se përdorimi i gjerë i gjuhës latine në të shkruar e
në të folur, bëri që gjuha ilire të zhduket. Dokumentet mbishkrimore të
zbuluara në provincat ilire tregojnë se gjuha latine ka qenë gjuha e
administratës dhe e kulturës dhe nuk ka pasur në çdo kohë dhe kudo një
përhapje të gjerë. Në mënyrë shumë të qartë kjo vërehet në provincat e
Ilirisë Jugore, ku numri i mbishkrimeve latine është shumë i vogël dhe i
kufizuar, madje edhe në kolonitë romake dhe në periferinë e tyre të
afërt.

Në shumë krahina të këtyre provincave, sidomos në brendësi të vendit,
nuk ka dëshmi mbishkrimore të përhapjes së gjuhës latine. Gjuha latine
nuk mundi asnjëherë t’i zinte vendin gjuhës ilire si mjet shprehës në
marrëdhëniet shoqërore e familjare, madje as në qytetet ku ilirët
bashkëjetuan me banorët italikë të ardhur. Hieronimi, një ilir nga
Dalmatia dhe që ka jetuar në shek. IV të e. sonë, shkruante se ilirët në
kohën e tij flisnin gjuhën e tyre, e cila ndryshonte nga gjuha latine.
Për më tepër, vetë prania e gjuhës shqipe në trevat e Ilirisë Jugore
dëshmon qartë kundër romanizimit të një pjese të madhe të popullsisë së
këtyre trevave.

Një fushë tjetër, ku del qartë gjithashtu, qëndresa ilire, është
onomastika, ruajtja e emrave tradicionalë vendës, si tek njerëzit, emrat
e vendeve, lumenjve, maleve etj. Emra vetjakë ilirë ka me shumicë në
mbishkrimet latine të gjetura në provincat e ndryshme ilire. Emra ilirë
ka edhe në monumentet mbishkrimore që u takojnë edhe personave zyrtarë e
ushtarakëve që kishin marrë qytetarinë romake dhe ishin dërguar për të
kryer shërbimin ushtarak larg atdheut. Ilirët ruajtën, bashkë me
qendërbanimet, e tyre edhe emrat e lashtë. Si të tilla mund të përmenden
Skodra, Lisi, Dyrrahu, Aulona, Skupi, Naisi etj.

Të rralla kanë qenë edhe midis qendërbanimeve të reja, që u zhvilluan si
qytete, ato që mbanin emra romakë. U ruajtën, gjithashtu, edhe emrat e
shumë lumenjve e maleve, si Drilon (Drin), Mathis (Mat), Skardi (Sharr) e
shumë të tjerë, të cilët kanë mbetur si të tillë deri në ditët tona.
Ilirët nuk i kishin humbur vetitë e tyre kulturore e etnike dhe këtë e
tregojnë riti i vjetër i varrimit me vendosjen e trupit në varr dhe
mënyra e ndërtimit të varreve. Në monumentet skulpturore, kryesisht në
gurët e varreve, përveç emrave ilirë, figurat e skalitura mbajnë edhe
veshjen popullore ilire.

Studiuesve të këtyre monumenteve u ka rënë në sy se shumica prej tyre,
sidomos relievet, janë punuar disi më ndryshe nga ato të njohura si
vepra të skulpturës romake. Ato ruajnë disa tradita të artit helenistik,
të gërshetuara me një stil vendës, që është i ngjashëm dhe rrjedh nga
ai i gdhendjes së drurit.
Një fushë tjetër ku pushtuesit romakë u ndeshën me traditat e lashta
vendëse dhe ku hasën qëndresë, ka qenë besimi, feja. Romakët nëpërmjet
kolonive e qytetarëve romakë përhapën hyjnitë e panteonit të tyre. Në të
njëjtën kohë ata mundën që të unifikonin disa hyjni të vjetra vendëse
me ato romake duke u dhënë edhe veshjen e jashtme, emrin latin
(interpretatio romana). Në këtë mënyrë hyu i madh i parthinëve u barazua
me Jupiterin romak, por në mbishkrimet ai do të cilësohet Jupiter
Parthinus, sikurse hyjnesha e Kandavëve, kulti i së cilës ishte shumë i
përhapur; ajo barazohej me Dianën e do të quhej Diana Candavensis -
(Diana e Kandavëve).

Në Dalmati hyun e vjetër ilir Vidas romakët e identifikuan me Silvanin e
tyre, mirëpo në relievet ai vazhdoi të paraqitej me atributet e vjetra.
Shumë nga kultet e vjetra ilire, me gjithë interpretimin romak, edhe
gjatë tre shekujve të parë të e.sonë, vazhduan të zinin një vend të
rëndësishëm në jetën shpirtërore të ilirëve.


Të nisur nga këto fakte e të dhëna të tjera, dijetarë të ndryshëm e
gjithnjë më të shumtë e kundërshtojnë tezën e “romanizimit” të ilirëve.
Duke sjellë argumente gjuhësore, arkeologjike e jashtarkeologjike këta
dijetarë kanë provuar se edhe pas futjes nën sundimin romak, ilirët nuk u
shfarosën dhe as u asimiluan, por ruajtën elemente të shumta të
kulturës shpirtërore e materiale, u ruajtën si një popullsi kompakte dhe
e qëndrueshme, se “kombësia ilire i qëndroi romanizimit më mirë” në
Ilirinë Jugore (pak a shumë tokat e banuara sot nga shqiptarët) dhe se
gjatë sundimit romak, me përjashtim të disa qyteteve bregdetare, si
Dyrrahu, Apolonia etj. në tokat e brendshme populli duhet të ketë folur
ilirishten.
Geri
Geri
Fondatore St@ff Forum
Fondatore St@ff Forum

<b>Postime</b> Postime : 19707
 <b>Piket</b> Piket : 23805
Regjistruar : 21/04/2009
 <b>Mosha</b> Mosha : 35
 <b>Vendbanimi</b> Vendbanimi : Ne qytetin e dashur Tirone

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Shtetet Ilire - Faqe 2 Empty Re: Shtetet Ilire

Mesazh nga Sponsored content


Sponsored content


Mbrapsht në krye Shko poshtë

Faqja 2 e 2 Previous  1, 2

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi