Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Shtetet Ilire

Faqja 1 e 2 1, 2  Next

Shko poshtë

Shtetet Ilire Empty Shtetet Ilire

Mesazh nga Geri Thu 4 Mar 2010 - 8:40

Perseri nga Historia e Shqiperise nje permbledhje mbi Iliret dhe
organizimin e jetes se tyre.


K R E U I I I


SHTETET ILIRE




Në fundin e shek. V p.e.sonë ilirët hynë në rrugën e zhvillimit
skllavopronar. Në shekujt që pasuan e deri në pushtimin romak krahinat
më të përparuara ilire, ato jugore, kryesisht bregdetare, njohën
zhvillimin e tyre më të lartë shoqëror e politik të pavarur. Urbanizimi
intensiv i kësaj treve dhe zhvillimi që mori, për pasojë, mënyra antike e
prodhimit në shek. IV-III p.e.sonë çoi në krijimin e një shoqërie
antike të mirëfilltë dhe në formimin e një vargu shtetesh ilire, të
cilat u inkuadruan në qytetërimin e përparuar të botës mesdhetare.
Midis formacioneve shtetërore që u formuan në trevën e gjerë ilire, ai
që arriti një shkallë të lartë të zhvillimit politik dhe që luajti një
rol të shquar në ngjarjet politike të kohës qe Shteti Ilir apo Mbretëria
Ilire. Që nga dukja e këtij shteti emrat ilir dhe Iliri morën, përveç
kuptimit të gjerë etnik, edhe një kuptim të ngushtë politik, që u lidhën
me fatet historike të këtij formacioni shtetëror dhe të popullsisë së
tij, e cila në burimet e shkruara do të njihet me emrin Illyrii
propriedictii (ilirë të mirëfilltë). Në kohë të ndryshme Mbretëria Ilire
ushtroi pushtetin e vet, natyrisht me luhatjet që i imponuan rrethanat
politike, në një territor të gjerë që përfshinte krahinat prej lumit
Naretva (Narona) në veri e deri te lumi Vjosa (Aous), në jug me një
shtrirje drejt lindjes deri te liqenet Lyhnide në kufi me Maqedoninë dhe
më në veri me Mbretërinë Dardane.
Në krahinat më jugore ilire u formua një shtet tjetër i rëndësishëm ilir
i njohur me emrin Shteti i Epirit, i cili shquhet sidomos në ngjarjet
politike të fundit të shek. IV dhe të çerekut të parë të shek. III
p.e.sonë. Në kohën e shtrirjes më të gjerë të tij, ai përfshinte tokat
prej lumit Vjosa (Aous) e deri në gjirin e Artës (Nikopolit), duke u
kufizuar nga jugu me Akarnaninë, kurse nga lindja me Thesalinë e
Maqedonisë.
Në këtë hapësirë kanë ekzistuar si formacione shtetërore të pavarura
edhe një varg qytetesh shtete, si Dyrrahu, Apolonia, Ambrakia, historia
politike e të cilave u zhvillua herë në lidhje të ngushtë e herë në
kundërshtim me atë të Shtetit Ilir dhe të atij të Epirit. Në rrethana të
caktuara politike lindin gjithashtu formacione më pak të rëndësishme në
formën e lidhjeve qytetare (Koinon), si ajo e Bylinëve etj., që kanë
një peshë më të vogël në historinë politike të Ilirisë.
Në krahinat e brendshme jugore dhe qendrore ilire u formuan tri mbretëri
të vogla ilire: e paionëve, e dardanëve dhe e athamanëve. E para
shfaqet me një shkëlqim të shkurtër në shek. IV p.e.sonë për të rënë
pastaj shpejt nën goditjet e politikës ekspansioniste të shtetit
maqedon, kurse dy të fundit dalin në arenën politike në shek. III me një
rol të parëndësishëm.
Popullsitë ilire të krahinave të brendshme qendrore e veriore nuk njohën
deri në fillim të erës sonë një organizim politik shtetëror; edhe në
këtë kohë ato arritën të organizohen vetëm në federata fisnore, siç
është rasti i dalmatëve ose i fiseve të tjera.




1. ZHVILLIMI EKONOMIK E SHOQËROR I ILIRËVE NË SHEK. IV
P.E.SONË




Lindja e qyteteve dhe e jetës qytetare


Zhvillimi ekonomik e shoqëror i Ilirisë gjatë epokës së hekurit dhe
veçanërisht gjatë shek. VII-V p.e.sonë kishte përgatitur kushtet për
lindjen e qyteteve dhe të jetës qytetare. Siç dëshmojnë të dhënat
arkeologjike, qytetet ilire ngrihen mbi bazën e vendbanimeve të
fortifikuara të epokës së hekurit dhe të qendrave protourbane që u
krijuan si rezultat i zhvillimit të zejtarisë, të bujqësisë, të
blegtorisë, si edhe të intensifikimit të marrëdhënieve të këmbimit me
botën greke. Kjo dëshmohet nga prania e gjerë e qeramikës së importuar
korinthike e jonike dhe më pas edhe nga prodhimet e kolonive greke në
Dyrrah e në Apoloni, të cilat kishin hyrë në marrëdhënie të ngushta me
prapatokën ilire.

Lindja dhe zhvillimi i jetës qytetare ishte një dukuri me karakter
ekonomik e shoqëror tërësisht e re. Thelbi i saj ishte vendosja e
ekonomisë antike të tregut që u materializua me krijimin e qyteteve si
qendra prodhimi e shkëmbimi. Kjo është e lidhur me shkëputjen e plotë të
zejtarisë nga bujqësia, me krijimin e mënyrës antike të prodhimit dhe
me zbatimin e punës së skllavit në degët e ekonomisë.

Njoftimet më të hershme për ekzistencën e qyteteve në Iliri i takojnë
mesit të shek. IV p.e.sonë. Historiani grek, Diodori, duke përshkruar
fushatat e Filipit II kundër ilirëve thotë se mbreti i Maqedonisë “u
lëshua mbi Ilirinë me një ushtri të fortë, plaçkiti vendin, nënshtroi
shumë qytete të vogla dhe u kthye në Maqedoni me plaçkë të madhe”.
Oratori i madh, Demosteni, duke paralajmëruar athinasit për rrezikun që i
kërcënonte nga mbreti maqedon, vë në dukje gjithashtu se “Filipi po
fortifikonte qytete në Iliri”. Pak më vonë historianët grekë të shek. II
p.e.sonë Ariani e Rufi përmendin me emër Polionin si qytet i
Dasaretisë, kurse historiani i shek. IV p.e.sonë Theopompi përmend
qytetin Oidanton. Më në fund nga të dhënat numizmatike të fillimit të
shek. IV p.e.sonë mësojmë emrin e një qyteti të rëndësishëm ilir,
Damastion. Kuptohet se origjinën e këtyre qyteteve, që janë të pranishme
në mesin e shek. IV p.e.sonë, (një rast vërtetohet qysh në fillim të
këtij shekulli), duhet ta kërkojmë pak më parë, d.m.th. në fundin e
shek. V p.e.sonë.

Nuk dihet me saktësi se ç’paraqesin në vetvete këto qytete të hershme
ilire. Dëshmitë e autorëve antikë, përveç faktit që kumtojnë ekzistencën
e tyre, janë tepër të varfra për të ndihmuar që të rindërtohet pamja
reale e këtyre qendrave urbane.

Edhe nga pikëpamja arkeologjike nuk ka ende gjurmime të tilla, nëpërmjet
të cilave të dallohet qartë qyteti i kësaj kohe. Megjithatë, prej
qyteteve antike, rrënojat e të cilave ruhen në vendin tonë, mund të
pohohet se qyteti i mirëfilltë në Iliri formohet kryesisht gjatë shek.
IV p.e.sonë. Në këtë kohë kemi edhe dëshmitë e qarta si nga burimet e
shkruara, ashtu edhe nga ato arkeologjike.

Këto qytete ashtu sikurse vendbanimet e fortifikuara të epokës së
hekurit, ngrihen mbi kodra të mbrojtura nga pikëpamja natyrore, por
shtrihen me sipërfaqe relativisht më të gjera, që arrijnë deri në 10-20
ha. Muret e tyre rrethuese janë ndërtuar me një teknikë më të përparuar
me blloqe shumëkëndëshe, trapezoidale; ato janë mjaft të fuqishme dhe me
një bukuri të rrallë (Amantia, Klos, Çuka e Aitojt etj.), por sistemi i
fortifikimit në përgjithësi është ende i thjeshtë; ai nuk njeh kullat,
rolin e të cilave e luajnë deri diku kthesat me kënd të drejtë, që bën
muri herë mbas here për arsye qëndrueshmërie; edhe portat në këtë sistem
janë të pakta e me një mbrojtje më të dobët.

Qytetet e mëdha zënë një pozitë qendrore në krahinën që zotërojnë dhe
shtrihen në një hapësirë prej 30-40 ha, siç është rasti i Bylisit, i
Antigonesë, i Lisit etj., dhe janë të mbrojtura me mure të fuqishme.
Duke folur për qytetet e kësaj kohe Diodori i quan ato me termin
polisma, që do të thotë qytete të vogla, me sa duket ende në shkallën
fillestare të zhvillimit të tyre. Demosteni, në shek. IV p.e.sonë
përkundrazi, përdor termin poleis që do të thotë qytet. Ndryshimi që
vërehet në termat e përdorur prej këtyre dy autorëve nuk duket të jetë i
rastit; ai shpreh me sa duket një diferencim që u bëhet këtyre qendrave
urbane ilire dhe që lidhet me karakterin e tyre. Pak dritë mbi këtë
çështje hedh pohimi i Arianit, i cili e quan Pelionin si “qytetin më të
fortë” midis qyteteve të Dasaretisë. Duket se disa qytete kishin mundur
të ecnin përpara dhe të dalloheshin prej të tjerave. Interes të veçantë
paraqet në këtë drejtim Damastioni, i cili është dhe i pari qytet ilir
që pret monedha. Burimet tregojnë se ky qytet gjendej në shpinë të zonës
bregdetare, diku midis kësaj zone dhe liqeneve lynkeste. Duke folur për
këtë Straboni në shekullin e parë shkruan kështu: “Pas Epidamnit dhe
Apolonisë gjer te malet Keraune ndodhen bylinët, taulantët, parthinët
dhe brygët; aty afër gjenden dhe minierat e argjendit në Damastion, mbi
të cilat diestët vendosën sundimin e tyre, si dhe enkelejtë, të cilët i
quajnë dasaretë; afër këtyre vijnë lynkestët..”. Mungesa e të dhënave më
të sigurta ka penguar që ky qytet të lokalizohet me saktësi, por duke u
nisur nga arsenali i gjetjeve të monedhave të tij, ai duhet kërkuar në
krahinat e brendshme ilire, diku në lindje të Drinit të Sipërm.

Pasazhi i Strabonit ka një rëndësi të veçantë dhe për një fakt tjetër.
Ai tregon se Damastioni qe një qytet që lindi dhe u zhvillua në një zonë
të pasur me miniera, të cilat, me sa duket përbënin edhe bazën
ekonomike të tij. Shfrytëzimi i tyre dhe zhvillimi i zejtarisë së
përpunimit të metaleve qenë degët kryesore të kësaj ekonomie. Karakteri i
saj bëhet i qartë edhe nga simbolet që mbajnë monedhat e qytetit, të
cilat paraqesin midis të tjerash çekanin e minatorit dhe shufrat
metalike.

Damastioni është, kështu, shembulli i një qyteti zejtar të përparuar të
kësaj kohe, por padyshim jo i vetmi. Pelioni shfaqet në burimet, jo
vetëm si qyteti më i fortë midis qyteteve të Dasaretisë, por edhe si
kryeqendër apo qendër rezidenciale e mbretit ilir. Ka mundësi që qytetet
e tjera më të vogla, ato që Diodori i quan polisma, do të kenë qenë
qendra njësish gjeografiko-ekonomike, ku do të ketë mbisunduar ekonomia
bujqësore-blegtorale me ndonjë degë të kufizuar të zejtarisë.


Zejtaria, bujqësia e blegtoria


Lindja e qyteteve i dha një shtytje të re zhvillimit të degëve të
ndryshme të ekonomisë ilire.
Zejtarinë e shfrytëzimit të minierave dhe të përpunimit të metaleve
ilirët e njihnin dhe më parë, por asnjëherë si tani ajo nuk paraqitet si
degë e veçantë e një qyteti, siç është rasti i Damastionit. Në shek. IV
në zejtarinë e punimit të metaleve nuk vihet re ende ndonjë ndryshim
cilësor, fjala vjen në punimin e veglave të punës, të armëve apo të
zbukurimeve, në krahasim me shekujt pararendës. Por tani mund të flitet
për një veprimtari më të gjerë e më intensive si në shfrytëzimin e
minierave, ashtu edhe në prodhimtarinë e degëve të veçanta të zejtarisë
metalpunuese. Bie në sy në mënyrë të veçantë rritja e prodhimit të
armëve, që përbëjnë në këtë kohë gjetjet më të shumta nëpër nekropolet
në krahasim me zbukurimet.

Megjithatë, nuk pati ndonjë përparim, në fushën e zejtarisë së prodhimit
qeramik, madje importi e dobësoi për një kohë këtë degë të zejtarisë
ilire.
Ndërkaq në fushën e ndërtimeve ndodh një revolucion i vërtetë. Mjeshtrat
e ndërtimit shquhen në shek. IV për aftësitë e tyre arkitektonike e
teknike dhe për njohuritë e thella në fushën e artit të fortifikimeve,
që i zbatonin në nivelin më të përparuar të kohës, ashtu si në shumë
vise të tjera të botës mesdhetare. Muret rrethuese të qyteteve të
ndërtuara në stilin poligonal janë dëshmia më e qartë e arritjeve në
këtë fushë.

Të dhënat për bujqësinë dhe blegtorinë e ilirëve për shek. IV janë të
varfra. Autorët bashkëkohës, si Aristoteli, Skymni, Ariani etj., nuk
bëjnë tjetër veçse përsërisin Hekateun, për shkak të njohjes ende të
pamjaftueshme të Ilirisë; megjithatë Iliria për autorët grekë ishte
vendi i një bujqësie e blegtorie të zhvilluar, tokat pjellore të së
cilës shfrytëzoheshin vende-vende në mënyrë intensive dhe që krahas
kulturave bujqësore (rritja e ullirit, kopshtaria e bletaria), në
kullotat e pasura rritnin bagëti të mira të racës.
Të dhënat arkeologjike i vërtetojnë këto njoftime. Parmenda e paraqitur
në buzët e një pitosi gjetur në fushën e Korçës, si dhe figurat
simbolike të paraqitura në monedhat e Dyrrahut e të Apolonisë, apo në
monumentet varrimore të kohës, si kalliri i grurit, dega e ullirit,
bistaku i rrushit, bleta, lopa si dhe briri i bollëkut, simbol i
pjellorisë dhe i begatisë, u bëjnë jehonë pasurive të tokës ilire dhe
zhvillimit që kishin marrë bujqësia e blegtoria ilire në këtë kohë.


Tregtia dhe qarkullimi monetar



Si rrjedhim i zhvillimit të zejtarisë dhe të degëve të tjera të
ekonomisë ilire u zgjeruan shkëmbimet dhe tregtia. Gjetjet arkeologjike
dëshmojnë për një shtrirje të gjerë të prodhimeve të zejtarisë ilire.
Tipat standardë të armëve, të zbukurimeve dhe të enëve prej balte që
përsëriten në gjetjet nga një krahinë në tjetrën, dëshmojnë për
marrëdhënie intensive midis popullsisë së krahinave të ndryshme dhe për
një zhvillim të konsiderueshëm të këmbimeve midis tyre.
Një zhvillim më të gjerë morën në këtë kohë shkëmbimet me botën greke.
Jo më kot pasuritë minerale dhe disa prodhime bujqësore tërhoqën
vëmendjen e autorëve antikë të kësaj kohe. Duket se këto prodhime ishin
ndër artikujt kryesorë të eksportit ilir. Një vend me rëndësi zinin
këmbimet me kolonitë greke të bregdetit Adriatik dhe qytetet e Halkidës,
të cilat merrnin nga Damastioni argjendin për prerjen e monedhave të
tyre, kurse nga tokat e afërta të Atintanisë serën, që u duhej për
ndërtimin e anijeve dhe lyerjen e enëve të transportit.

Kundrejt tyre ilirët merrnin prodhime luksi të artizanatit grek, midis
të tjerave prodhime atike e italike. Krahas prodhimeve të Dyrrahut e të
Apolonisë, enët e këtyre qendrave janë gjetje jo të rralla në
vendbanimet e zonës bregdetare. Por ato fillojnë të duken më dendur edhe
në krahinat e brendshme ilire. Pas Trebenishtit ato shfaqen edhe në
luginën e mesme të Drinit, në afërsi të Kukësit e të Krumës. Këto
prodhime arrijnë këtu nëpërmjet rrugëve tregtare të shkelura qysh në
shek. VI-V, duke ndjekur luginat e lumenjve me pikënisje si nga qendrat e
bregut Adriatik, ashtu edhe të Egjeut.


Monedhat e argjendit përdoren gjerësisht si ekuivalent shkëmbimi. Në
krahinat bregdetare gjejnë një përhapje të madhe monedhat e Dyrrahut e
të Apolonisë, kurse në ato të brendshme dhe lindore monedha e
Damastionit. Gjetjet e deritanishme tregojnë se kjo monedhë qarkulloi në
një zonë të gjerë që përfshinte krahinën e diestëve, penestëve dhe
pjesërisht atë të lynkestëve.
Prerja dhe hedhja në treg e monedhave nga një qytet ilir si Damastioni
është një fakt me rëndësi të veçantë. Ai tregon se tani, në pjesën e
parë të shek. IV p.e.sonë, krahas Dyrrahut dhe Apolonisë, të cilat me
monedhat e tyre, qysh nga shek.V p.e.sonë kishin mbuluar krahinat e
afërta të ultësirës bregdetare dhe i kishin tërhequr ato në orbitën e
marrëdhënieve skllavopronare, një qytet ilir, Damastioni, lindi dhe u bë
qendër e rëndësishme ekonomike e krahinave të brendshme. Ai hodhi në
treg monedhën e vet dhe me këtë shënoi shtrirjen e mëtejshme të sistemit
monetar në krahinat e brendshme të Ilirisë Jugore. Ekonomia monetare
theu kështu dhe në këtë pjesë të Ilirisë ekonominë e prapambetur
natyrore, për t’i hapur rrugën një sistemi të ri ekonomik,
skllavopronarisë.
Geri
Geri
Fondatore St@ff Forum
Fondatore St@ff Forum

<b>Postime</b> Postime : 19707
 <b>Piket</b> Piket : 23805
Regjistruar : 21/04/2009
 <b>Mosha</b> Mosha : 35
 <b>Vendbanimi</b> Vendbanimi : Ne qytetin e dashur Tirone

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Shtetet Ilire Empty Re: Shtetet Ilire

Mesazh nga Geri Thu 4 Mar 2010 - 8:40

Vendosja e skllavopronarisë


Me lindjen e qyteteve u krijua edhe një popullsi qytetare, e cila më
parë nuk njihej. Burimet nuk e bëjnë të qartë përbërjen dhe karakterin e
kësaj popullsie, por meqë qytetet ishin qendra ekonomike dhe
administrative, edhe popullsia e tyre përbëhej nga masa e gjerë e
prodhuesve zejtarë, bujq e blegtorë, nga pronarët e punishteve zejtare,
tregtarët dhe aristokracia e vjetër fisnore që përbënte parinë e
qytetit. Si e tillë, popullsia e qytetit paraqitej e diferencuar në
shtresa shoqërore, me interesa të ndryshme. Prej tyre, pronarët e
punishteve dhe tregtarët formonin shtresën e re të pasuruar, e cila
zhvendos përfundimisht në plan të dytë aristokracinë e vjetër fisnore.

Si qendra ekonomike e politike më vete qytetet i rrethonte një popullsi
fshatare e lidhur me ta nëpërmjet interesave ekonomikë të ndërsjelltë.
Në burimet këto popullsi njihen akoma si fise të mëdha apo të vogla, por
fisi nuk ka më kuptimin e tij klasik. Vetë dukja e qyteteve dhe prerja e
qarkullimi i monedhave janë elemente që nuk pajtohen me rendin fisnor,
ato i japin bashkësisë një përmbajtje të re nga pikëpamja e
marrëdhënieve ekonomike e shoqërore.

Ashtu si në Maqedoni, edhe në Epirin fqinjë të kësaj kohe, shumica e
popullsisë në Iliri jetonte në fshatra; qytetet ishin ende në numër të
vogël. Masën kryesore të kësaj popullsie e formonte fshatarësia e lirë,
por burimet bëjnë fjalë edhe për një popullsi fshatare të varur.
Theopompi në veprën e tij “Filipika” shkruan se “ardianët kanë 300 mijë
prospelatë si helotë...”. Me prospelatë autorët e vjetër kuptonin një
popullsi të varur që merrej me punimin e tokës dhe që u jepte zotëruesve
të saj si detyrim një pjesë të prodhimit.

Duke i krahasuar prospelatët e ardianëve me helotët e Spartës, Theopompi
e përcakton edhe më mirë gjendjen e tyre sociale. Me sa duket edhe këta
ishin, sikurse helotët, një popullsi e nënshtruar që pas pushtimit
ishin shpronësuar dhe ishin kthyer në gjendje vartësie. Nuk kemi prova
nëse kjo ishte një popullsi e huaj apo një fis tjetër ilir që pësoi këtë
fat; numri i tyre gjithashtu duhet të jetë i tepruar, por mbetet i
padiskutueshëm fakti që kemi të bëjmë me një masë popullsie mbi të cilën
ushtrohet shtypje ekonomike dhe politike.
Midis ilirëve ky nuk ishte një fenomen i veçantë për ardianët. Një
shekull më vonë Agatharkidi në veprën e tij “Evropaikon” do të pohojë se
“dardanët kanë kaq shumë skllevër (ai i quan këta me emrin “dullos”),
sa dikush kishte 1 000, kurse të tjerë edhe më shumë. Secili nga këta në
kohë paqeje punon tokën, kurse në kohë lufte merr pjesë në ushtri duke
pasur si prijës zotin (“despotes”) e tij”.

Edhe pse Agatharkidi përdor termin dullos, shpjegimet e mëtejshme e
bëjnë të qartë se kemi të bëjmë me një popullsi të tipit të prospelatëve
ardianë. Nuk ka asnjë dyshim që termi “dullos” përdoret këtu me
kuptimin më të gjerë, ashtu sikurse ndodh shpesh që autorët antikë i
quajnë helotët “dullë të lakeldemonëve”.

Një rast tjetër është ai që përmend Atheneu, për penestët. Sipas tij
“thesalët quajnë penestë jo ata që lindin skllevër, por ata që shtihen
në dorë me anë të luftës”. Dihet se me emrin penestë quhej një fis i
tërë në territorin e Mbretërisë Ilire. Përkufizimi i Atheneut të çon në
përfundimin se popullsia e këtij fisi duhet të ketë qenë e ngjashme nga
pikëpamja e gjendjes shoqërore me prospelatët e ardianëve dhe dullët e
dardanëve.

Prania e një popullsie të tillë të varur e të shfrytëzuar ekonomikisht
midis ilirëve, është një dëshmi e rëndësishme për të përcaktuar
karakterin dhe strukturën e shoqërisë ilire. Siç tregojnë të dhënat e
autorëve antikë, popullsia e varur e tipit prospelatë-helotë-penestë
përfaqësonte në këtë kohë në Iliri një formë të hershme të skllavërisë
që ekzistonte në disa nga popullsitë kryesore ilire. Kjo kategori
njerëzish përdorej në masë në punimet bujqësore dhe mbase edhe në
shfrytëzimin e minierave. Zotërit e tyre (despotët) duket se banonin në
qendrat e vogla të fortifikuara ose në qytete. Kohën më të madhe ata e
kalonin në luftëra dhe jo rrallë me dëfrime. Theopompi na thotë se
sunduesit e prospelatëve ardianë “çdo ditë deheshin, bënin mbledhje dhe
shtroheshin në gosti, të dhënë pas të ngrënit e të pirit”. Pjesën tjetër
të popullsisë e përbënte masa e fshatarëve të lirë që luante, me sa
duket, ende një rol kryesor në prodhimin shoqëror.

Përveç përfitimit nga puna e popullsisë vendase, shtresa e pasur
siguronte të mira materiale nëpërmjet grabitjes kolektive të popujve
fqinjë me anë të luftërave. Tributet e përvitshme që detyroheshin të
paguanin popujt e nënshtruar tregojnë se këto grabitje kryheshin në
mënyrë sistematike.
Kështu në shek. IV p.e.sonë, shoqëria ilire paraqitet si një shoqëri e
ndarë në klasa e shtresa shoqërore. Kjo shoqëri njihte atëherë format e
hershme të varësisë skllavopronare, prandaj edhe ishte një shoqëri
skllavopronare.

Lindja e qyteteve ndihmoi për thellimin e diferencimit shoqëror, sepse
duke u bërë qendra të rëndësishme të zejtarisë dhe të tregtisë ato i
dhanë hov rritjes së prodhimit, shkëmbimit me para dhe shfrytëzimit të
punës së huaj.
Pa mbivlerësuar peshën dhe rolin e qytetit ilir në këtë periudhë të
hershme mund të thuhet se ai vepron jo vetëm si bartës i
skllavopronarisë, por edhe si përçues i saj në botën fshatare që e
rrethon. E lidhur me qytetin me anë të marrëdhënieve ekonomike dhe e
varur prej tij përmes këtyre marrëdhënieve, bota fshatare ilire, sidomos
ajo që ndodhej rreth qyteteve nuk është më bota e organizimit fisnor.
Ajo njeh tani marrëdhënie vartësie në formën e skllavërisë së tipit
helot.

Kështu, në shek. IV qyteti ilir na paraqitet me një rol e peshë të
ndjeshme në jetën ekonomike e shoqërore të Ilirisë. Si i tillë ai
shërbeu si bazë e organizimit politik shtetëror.
Geri
Geri
Fondatore St@ff Forum
Fondatore St@ff Forum

<b>Postime</b> Postime : 19707
 <b>Piket</b> Piket : 23805
Regjistruar : 21/04/2009
 <b>Mosha</b> Mosha : 35
 <b>Vendbanimi</b> Vendbanimi : Ne qytetin e dashur Tirone

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Shtetet Ilire Empty Re: Shtetet Ilire

Mesazh nga Geri Thu 4 Mar 2010 - 8:40

2. MBRETËRIA E PARË ILIRE. DINASTIA E BARDHYLIT
(FILLIMI I SHEK. IV - 335 P.E.SONË)




Ardhja në fuqi e Bardhylit



Shekulli i ri, i katërt, i gjen përsëri ilirët në konflikt me fqinjët e
tyre maqedonë për çështjen e Lynkestisë. Në vitet e fundit të sundimit
të mbretit maqedon, Arhelaut, në kapërcyell të shekullit, u zhvillua një
luftë e re midis ilirëve dhe maqedonëve për këtë krahinë. Në këtë luftë
mbreti i lynkestëve, Arrabeu, kishte si aleat mbretin Syra. Aristoteli,
që e përmend këtë fakt, nuk e cilëson origjinën etnike të Syras, por
burimet e tjera e bëjnë të qartë se ai ishte mbreti i ilirëve. Aleanca
midis tij dhe Arrabeut ka të ngjarë ta ketë zanafillën e
saj në ngjarjet e vitit 423 p.e.sonë dhe duket se ka qenë përforcuar me
një martesë dinastike midis Syras dhe një vajze të Arrabeut. Rezultatet e
kësaj lufte nuk njihen, por ngjarjet e mëpastajme tregojnë se nuk
ndodhi ndonjë ndryshim në gjendjen ekzistuese.


Vrasja e mbretit Arhelau (viti 399 p.e.sonë), shënoi për Maqedoninë
fillimin e një periudhe trazirash që zgjatën katër dekada me radhë.
Kontradiktat e brendshme që u bënë shkak për këtë vrasje dhe për
intrigat e mëvonshme dinastike, krijuan rast për hapjen e konflikteve
midis Maqedonisë dhe fqinjëve të saj. Në fillim të sundimit të Amyntës
II, që pasoi Arhelaun, u duk sikur konflikti iliro-maqedon gjeti një
zgjidhje. Martesa e Amyntës me një bijë të mbretit Syra, të quajtur
Eurydike, që ishte në të njëjtën kohë edhe mbesë e Arrabeut, fsheh në
vetvete faktin që midis ilirëve e maqedonëve ishte arritur një
marrëveshje pajtimi për çështjen e lynkestëve.

Por kjo gjendje nuk zgjati shumë. Ilirët, interesat e të cilëve ishin
ndeshur prej kohësh me ato të Maqedonisë në Lynkesti, ishin të
interesuar për dobësimin e mëtejshëm të Maqedonisë dhe jo për pajtim.
Rasti i volitshëm për ta arritur këtë qëllim paraqitet pikërisht tani,
që Maqedoninë e kishte pushtuar vala e turbullirave të brendshme. Në
vitin 393 p.e.sonë, ilirët u dyndën në Maqedoni, pushtuan një pjesë të
saj dhe pasi dëbuan Amyntën, vendosën në fron një farë Argeu, që thuhet
se zbriste prej dinastisë së lynkestëve. Nën presionin e pushtimit ilir,
një pjesë e tokave të Maqedonisë Lindore me pëlqimin e mbretit të
rrëzuar hyri në Lidhjen e Olinthit. Amynta u strehua në Thesali dhe
vetëm pas dy vjetësh mërgimi, ai mundi të kthehej në vend me ndihmën e
thesalëve, të cilët preferonin më mirë sundimin e tij se atë të Argeut
që përkrahej nga ilirët. Paqen me ilirët ai qe detyruar ta blinte me një
tribut vjetor që do t’ua paguante atyre.

Rrethanat në të cilat ndodhi ky ndryshim në marrëdhëniet e vendosura së
fundi midis ilirëve dhe maqedonëve nuk janë të qarta. Dihet vetëm se
ngjarjet e mëpastajme nuk janë të lidhura me Syran, por me emrin e një
mbreti të ri ilir, të quajtur Bardhyl. Megjithëse emri i tij shfaqet në
burimet shumë më vonë, në ngjarjet e vitit 359 p.e.sonë, prapë se prapë
duket se ai i udhëhiqte ilirët shumë kohë përpara. Sipas këtyre burimeve
Bardhyli jetoi një kohë të gjatë dhe kur u ndesh me Filipin II (359
p.e.sonë), ose pak më vonë, ishte në një moshë të thyer, 90 vjeçare.
Interes të veçantë lidhur me figurën e tij kanë lajmet që e paraqesin si
një mbret me prejardhje të ulët, në fillim qymyrxhi e pastaj
kryengritës (latro), që e pat fituar pushtetin me forcë dhe që gëzonte
simpatinë e luftëtarëve, meqenëse në ndarjen e plaçkës ishte i drejtë e i
paanshëm. Këto njoftime e paraqesin atë jo si një trashëgimtar të
Syras, por si një përmbysës të tij. Vetëm duke pranuar këtë fakt, mund
t’i jepet një shpjegim ndryshimit që ndodhi në marrëdhëniet e ilirëve me
maqedonët në vitin 393 p.e.sonë.

Duket se në Iliri forca të reja, në të cilat rol të rëndësishëm ka
pasur Bardhyli, e kundërshtuan marrëveshjen me Amyntën II, rrëzuan Syrën
dhe invaduan Maqedoninë. Pra, duhet të ketë qenë Bardhyli ai që
udhëhoqi ilirët në fushatën e vitit 393 p.e.sonë kundër Amyntës dhe e
detyroi atë t’i paguante tribut vjetor. Qe përsëri ai që theu përpjekjet
e Aleksandrit II në vitin 369 dhe të Perdikës III më 360 p.e.sonë për
t’u çliruar nga kjo gjendje. Tentativa e Perdikës përfundoi me dështim
të plotë. Ai mbeti në fushën e betejës së bashku me 4 000 maqedonë të
tjerë. Kjo qe humbja më e rëndë që pësuan maqedonët në vargun e
përpjekjeve të tyre për t’u çliruar nga ilirët.
Gjatë gjysmës së parë të shek. IV p.e.sonë burimet përmendin edhe një
ngjarje tjetër me rëndësi. Në vitin 385 p.e.sonë ilirët përfunduan një
aleancë me tiranin e Syrakuzës, Dionizin.

Ndërmjetës për këtë u bë mbreti i molosëve, Alketa, i cili qe dëbuar nga
vendi i tij prej partisë filospartane dhe qe strehuar në Sirakuzë.
Qëllimi i marrëveshjes ishte rivendosja e Alketës në fronin molos. Të
dyja palët qenë të interesuara për këtë, sepse ilirëve kjo aleancë u
siguronte dobësimin e ndikimit spartan dhe rrjedhimisht të atij maqedon
në Epir, kurse Dionizit i jepte mundësi të forconte pozitat e tregtisë
sirakuzane në brigjet e Adriatikut e të Jonit. Në tregimin e tij Diodori
vinte në dukje se Dionizi u dërgoi ilirëve një ndihmë ushtarake prej 2
000 vetash dhe 5 000 armë “meqenëse ilirët ishin në luftë”. Por nuk
thotë se me cilët luftonin ilirët në këtë kohë. Është supozuar se
Diodori e ka fjalën për luftën që përfundoi me dëbimin e Amyntës, por
kjo ngjarje me të drejtë është datuar në vitin 393 dhe jo më 385. Nuk
qëndron as pikëpamja se ilirët qenë duke luftuar me molosët, kur Dionizi
u dërgoi ndihmën dhe se ky e shfrytëzoi këtë luftë vetëm për të kthyer
Alketën. Vetë Diodori e ka sqaruar këtë fakt kur pohon se ilirët hynë në
Epir pasi u erdhi kjo ndihmë dhe “pasi mblodhën një fuqi të madhe”.

Në këtë rast duhet të jetë fjala për faktin se ilirët ishin në gjendje
lufte pothuajse të pandërprerë me fqinjët e tyre, maqedonët. Ndihma
ushtarake e Dionizit duket se i lehtësonte pak ilirët nga kjo barrë. Ky
fakt dhe pjesëmarrja aktive në aksion kundër molosëve për të sjellë në
fronin e tyre Alketën e vuri Sirakuzën në pozitën e aleatit të ilirëve
kundër armiqve tradicionalë të tyre, maqedonëve. Megjithatë forcat
kryesore në këtë aksion ishin ato ilire; ushtarëve të Dionizit nuk iu
caktua ndonjë rol i pavarur, përkundrazi Diodori thotë se “ushtrinë që u
erdhi në ndihmë ilirët e përzien me trupat e tyre”. Ndërmarrja
përfundoi me sukses të plotë. Në betejën e rreptë që u zhvillua ilirët
dolën fitues dhe molosët lanë në fushën e luftës shumë të vrarë. Ndihma
që u dërguan spartanët nuk u solli ndonjë dobi molosëve dhe Alketa zuri
përsëri fronin e vet në Mbretërinë Molose. Kjo ngjarje sqaron politikën
që Bardhyli ndiqte me fqinjët perëndimorë. Me sa duket, aleanca me
Syrakuzën ishte për të një mbështetje e shëndoshë në luftën kundër
Maqedonisë.


Fushata maqedone kundër Mbretërisë Ilire


Në vitin 359 Maqedonia mundi të dalë përsëri në fushë të betejës kundër
ilirëve, por tani ajo e kishte kapërcyer gjendjen e kaosit të brendshëm
politik dhe kishte mënjanuar rrezikun e sulmit nga kundërshtarët e
tjerë. Sundimtari i ri i saj, Filipi II, filloi fushatën kundër
Mbretërisë Ilire pasi ishte pajtuar me Athinën dhe kishte larguar
rrezikun trak e paion.
I çliruar, në këtë mënyrë, Filipi u sul kundër ilirëve me një ushtri të
madhe, të përbërë prej 10 000 këmbësorësh të armatosur rëndë dhe 600
kalorësish. Bardhyli i doli përpara armikut me një ushtri po kaq të
madhe, 10 000 këmbësorë të zgjedhur dhe 500 kalorës.

Megjithatë, mbreti plak e çmoi këtë radhë të pafavorshme ndeshjen e
armatosur me maqedonët dhe bëri përpjekje për marrëveshje. Ai i propozoi
Filipit paqe, me kusht që të dy palët të mbanin qytetet që kishin në
zotërim në atë kohë; Filipi nuk e pranoi dhe kërkoi që ilirët t’i
lironin të gjitha qytetet që i kishin pushtuar Maqedonisë. Meqenëse nuk u
arrit marrëveshja, filloi përleshja. Të dy ushtritë u ndeshën me
ashpërsi të madhe. Ushtria ilire i përballoi për mjaft kohë sulmet e
armikut. Goditjeve të falangës maqedone Bardhyli u kundërvuri
formacionin luftarak me radhë të shtrënguara në trajtë kuadrati. “Në
krye, - shkruan Diodori, - fitorja nuk anoi as nga njëra, as nga tjetra
palë, dhe kështu vazhdoi për një kohë të gjatë, sepse të dy ushtritë
luftuan me një trimëri të rrallë. Nga të dy anët u vranë shumë veta dhe
ca më shumë u plagosën”.

Megjithëse maqedonët e fituan më në fund betejën, Filipi e pa se nuk qe
në gjendje ta ndiqte armikun. Më vonë ilirët dërguan përfaqësues dhe
përfunduan paqen, pasi liruan të gjitha qytetet e Maqedonisë që kishin
pushtuar. Diodori bën të qartë edhe faktin se për cilat toka ishte
fjala, kur thotë se, pasi i vuri nën zotërimin e tij gjithë banorët gjer
në liqenin Lyhnid, Filipi u kthye në Maqedoni. Me këtë betejë, ai
zgjidhi përfundimisht çështjen e Lynkestisë dhe e ndryshoi gjendjen në
kufijtë perëndimorë në favor të Maqedonisë.

Në kushtet e krijuara rishtas ilirët u përpoqën të dilnin nga gjendja e
krijuar duke kërkuar aleatë kundër Maqedonisë. Në vitet e fundit të
jetës së tij Bardhyli u drejtua në jug, kundër molosëve, të cilët
ndërkaq ishin afruar me Filipin, duke synuar që t’i shkëpuste nga
ndikimi maqedon. Ushtria ilire invadoi tokat molose, por ndeshi në një
qëndresë të fortë dhe u detyrua të tërhiqej. Në vitin 356 p.e.sonë ky
synim u përsërit në përpjekjen për një aleancë të gjerë antimaqedone.
Këtë ngjarje Diodori e përshkruan kështu: “tre mbretër, ai i Trakisë, i
Paionisë dhe i Ilirisë, ishin bashkuar për të sulmuar Filipin. Këta
mbretër fqinjë e shikonin tërë smirë rritjen e fuqisë së Filipit dhe
duke qenë se nuk ishin aq të fortë për ta luftuar veçmas, u lidhën
ndërmjet tyre me shpresë që t’ia arrinin më lehtë qëllimit”. Por ata
ishin të zënë me grumbullimin e ushtrisë, kur ai i zuri në befasi dhe i
theu para se të bashkonin forcat e tyre. Ky lajm vërtetohet edhe me një
mbishkrim atik, që përkujton përfundimin e një koalicioni midis Athinës
dhe tre mbretërve të përmendur më lart.

Në këtë akt zyrtar mbreti i ilirëve quhet Grabo. Midis mendimeve të
ndryshme që janë shfaqur rreth figurës së tij, duket më i pranueshëm
supozimi sipas të cilit Grabo ka qenë pasardhës i Bardhylit, që në këtë
kohë duhet të ketë vdekur.

Frenimi që arriti t’u bënte ilirëve nuk e kënaqte Filipin. Ai nuk e
ndiente veten të qetë sidomos kur lufta për vendosjen e hegjemonisë
maqedone në Greqi kërkonte gjithë energjitë dhe forcat e tij. Për t’u
siguruar nga sulmet e shtetit ilir, Filipi u mundua ta vinte këtë shtet
në pozita mbrojtjeje. Prandaj, në vitin 344 p.e.sonë, e sulmoi përsëri
Ilirinë me një ushtri të fortë. Këtë radhë ilirët udhëhiqeshin nga
mbreti Pleuria. Ata i bënë një qëndresë të ashpër dhe i shkaktuan
armikut humbje të rënda. Vetë Filipi mbeti i plagosur dhe në fushën e
betejës ranë shumë nga rrethi i tij i afërm. Megjithatë, ai mundi të
hyjë në Iliri dhe të pushtojë disa qytete, të cilat më vonë i fortifikoi
dhe vendosi në to garnizone. Pasi shkretoi vendin, Filipi u kthye në
Maqedoni me plaçkë të madhe.

Në burimet nuk thuhet se deri ku mundi të ketë arritur dhe për cilën
pjesë të vendit është fjala kur flitet për qytetet e pushtuara, por
dihet nga pohimet e Isokratit se në bregdet nuk mundi të dalë. Ka të
ngjarë që ai të ketë vënë dorë mbi një pjesë të krahinës së banuar nga
fisi i dasaretëve dhe si kufi të kenë shërbyer ato që në burimet quhen
malet e Ilirisë ose të taulantëve dhe që mund të identifikohen me vargun
e maleve të Polisit, të Kamjes dhe të Ostrovicës.
Geri
Geri
Fondatore St@ff Forum
Fondatore St@ff Forum

<b>Postime</b> Postime : 19707
 <b>Piket</b> Piket : 23805
Regjistruar : 21/04/2009
 <b>Mosha</b> Mosha : 35
 <b>Vendbanimi</b> Vendbanimi : Ne qytetin e dashur Tirone

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Shtetet Ilire Empty Re: Shtetet Ilire

Mesazh nga Geri Thu 4 Mar 2010 - 8:40

Kryengritja e vitit 335 p.e.sonë


Pas vdekjes së Filipit II, ilirët e krahinave të nënshtruara ngritën
krye në vitin 355 p.e.sonë kundër pasardhësit të tij, Aleksandrit, kur
ky ndodhej larg vendit, duke luftuar me tribalët dhe popullsi të tjera
veriore. Këtu Aleksandrit i erdhi lajmi i kësaj lëvizjeje në Iliri.
Kliti, i biri i Bardhylit, ishte shkëputur prej tij dhe me të ishte
bashkuar edhe Glaukia, mbret i ilirëve taulantë. Si mësoi se Kliti
kishte pushtuar qytetin Pelion, Aleksandri u drejtua me forcat e tij
kundër këtij qyteti. Rufi dhe Ariani që bëjnë fjalë për këtë ngjarje,
përshkruajnë me hollësi pozicionin e qytetit, vendosjen e forcave
kundërshtare dhe stratagjemat që përdorën të dyja palët. Sipas tyre
Pelioni ishte një qytet i Dasaretisë, buzë lumit Eordai, dhe më i forti
në këtë vend.

Ushtria ilire ishte ndarë në dy pjesë: garnizoni që mbronte qytetin dhe
repartet e lëvizshme që kishin zënë rrugët dhe majat përqark tij.
Aleksandri vendosi t’i shkëpusë lidhjet midis tyre; ngriti lëmin pranë
qytetit dhe filloi ndërtimin e një muri që do të pengonte garnizonin të
dilte për të marrë pjesë në luftimet e jashtme. Mbërritja e befasishme e
Glaukisë me një ushtri taulantësh e vuri ushtrinë maqedone në pozitë të
vështirë dhe vetëm në sajë të një manovre të shpejtë, Aleksandri mundi
të tërhiqte pa humbje të mëdha trupat e veta. Por ilirët nuk ditën ta
shfrytëzonin fitoren. Duke besuar në një sukses të plotë, ata e lanë
ushtrinë e tyre pranë Pelionit në shkujdesje. Kjo i dha mundësi
Aleksandrit, që tri ditë pas tërheqjes, të kthehej fshehtas përsëri në
fushën e betejës dhe ta godiste natën ushtrinë ilire. Pasi pësoi humbje
të mëdha, masa kryesore e ushtrisë ilire u tërhoq në malet e taulantëve.
Vetë Kliti, pas dështimit të kryengritjes u mërgua në vendin e
taulantëve, ndërsa garnizoni u largua duke i vënë zjarrin qytetit.

Deri në prag të kryengritjes duket se Kliti sundonte në mbretërinë e tij
të dobësuar, duke njohur sovranitetin e mbretit maqedon. Kjo të paktën
mund të nënkuptohet nga shprehja e Arianit që thotë se ai “u shkëput”
prej Aleksandrit, kur e njoftuan për fillimin e kryengritjes. Por në
burimet nuk thuhet se cila qe gjendja juridike që u vendos në këtë pjesë
të Ilirisë pas largimit të Klitit. Aleksandri duket se u kënaq me
rivendosjen e gjendjes së mëparshme në këtë pjesë të shtetit të tij dhe
nuk e vazhdoi më tej konfliktin me ilirët; telashe të tjera e prisnin në
Greqi. Taulantët, të cilët Filipi nuk kishte mundur t’i shkelte,
paraqiten në këtë konflikt si një fuqi më vete dhe me një mbret të tyre.
Tokat e këtij fisi përbënin siç duket atë pjesë të Mbretërisë Ilire që
kishte mbetur e pavarur.


Organizimi politik i Mbretërisë Ilire


Gjatë veprimtarisë së tij tridhjetëvjeçare deri në vitin 360 p.e.sonë
Bardhyli e kishte rritur pushtetin e vet dhe kishte krijuar një mbretëri
të fortë. Pellgu rreth liqenit Lyhnid ishte krahina ku u zhvilluan
ngjarjet e rëndësishme të gjysmës së parë të shek. IV, por kjo krahinë
nuk mund të identifikohet me territorin e shtetit ilir, shtrirja e plotë
e të cilit është vështirë të rindërtohet. Sidoqoftë ai na paraqitet si
një forcë që ishte në gjendje t’i kundërvihej me sukses Maqedonisë.
Kuptohet vetiu që si i tillë ai përbënte një njësi të paktën të
barabartë me të, si nga pikëpamja e territorit, ashtu edhe e forcës së
gjallë njerëzore. Si rrjedhim, krahina të tjera të Ilirisë së Jugut, pa
përjashtuar ultësirën bregdetare, duhet të kenë bërë pjesë në këtë
njësi.
Organizimi politik i këtij formacioni shtetëror nuk njihet mirë.

Bardhyli quhet prej autorëve antikë “mbret i ilirëve”; po kështu
emërtohen dhe pasardhësit e tij. Kjo lejon që ky formacion të
konsiderohet si një mbretëri, e cila nuk kishte marrë ende tiparet e
qarta të një monarkie. Vetë Bardhyli, në fillimet e tij na paraqitet si
një prijës i thjeshtë ushtarak që respekton shumë zakone të rendit
fisnor. Duket më e besueshme, që mbretëria e tij të ketë qenë në fillim
një bashkim i thjeshtë bashkësish ilire, të cilat i lidhnin interesa
ekonomike dhe politike, në radhë të parë interesi i mbrojtjes nga
rreziku i jashtëm. Çdo bashkësi kishte në krye mbretin e vet të vogël që
njihte sovranitetin e mbretit të federatës dhe i nënshtrohej atij.

Me kalimin e kohës, autoriteti dhe pushteti i Bardhylit si mbret u rrit
e u forcua së tepërmi. Ky pushtet mbështetej në forcat e armatosura. Në
vitet 60 të shek. IV p.e.sonë, ai kishte një ushtri të rregullt, me një
organizim dhe taktikë luftarake të përparuar. Kjo ushtri formohej nga
një këmbësori e organizuar dhe e armatosur mirë që përbënte bazën e
forcave të armatosura dhe nga kaloria, e cila, megjithëse e vogël në
numër, ekzistonte si njësi më vete me cilësinë e një force të
manovrueshme goditëse.

Ngjarjet politike që jetoi Mbretëria Ilire e kohës së Bardhylit dhe e
pasardhësve të tij tregojnë gjithashtu se ajo përfaqësonte një forcë
serioze. Veprimet e saj nuk janë të shkëputura, por gjejnë vend në
kuadrin politik të kohës dhe janë shprehje e një qëndrimi që ka si
objektiv të qartë dobësimin e kundërshtarit kryesor dhe forcimin e
pozitave të veta në raport me shtetet fqinje. Kjo politikë mbështetej në
marrëveshje e aleanca politike e ushtarake. Nuk mund të përfytyrohet
dot një organizim fisnor apo një demokraci ushtarake që të luajë një rol
kaq aktiv në situatën ndërkombëtare dhe të ketë pikësynime kaq të qarta
politike, të cilat kërkonin përqendrim forcash e mjetesh, siç është
rasti i Mbretërisë Ilire të kësaj kohe. Një veprimtari kaq e gjerë dhe
kaq e guximshme në politikën e jashtme mund të ketë vend vetëm në
kushtet e një organizimi shtetëror.

Por nuk duhet të kujtojmë se shteti ilir i kësaj kohe ishte një
organizëm i përkryer që u përgjigjej të gjitha kërkesave të këtij
nocioni në kuptimin e plotë të fjalës. Megjithatë ai kishte tiparet
thelbësore që i duhen një shteti: territorin, ndarjen territoriale të
popullsisë sipas njësive gjeografike-etnografike dhe pushtetin publik në
duart e klasës sunduese. Struktura social-ekonomike e krijuar në gjirin
e shoqërisë ilire të kësaj kohe çoi gradualisht në lindjen e këtij
shteti, si një mjet që i duhej klasës sunduese për të nënshtruar
shtresat e tjera dhe për të mbrojtur interesat e saj.

Nuk mund të detyrohej masa e madhe e prospelatëve-dulle të punonte për
pjesën tjetër të shoqërisë ilire, për despotët pa një aparat shtrëngimi
të përhershëm siç ishte aparati shtetëror. Kjo përbënte funksionin
kryesor të brendshëm të shtetit ilir. Karakteri i shtetit shprehet edhe
në funksionin e jashtëm që realizohet nëpërmjet ndeshjeve me popujt
fqinjë me anë të fushatave pushtuese dhe ngarkimit të tyre me tribute.
Shteti ilir ndodhej në stadin e tij fillestar dhe karakterizohej nga
mbeturina të theksuara të rendit fisnor që gjenin shprehje në anë të
veçanta të jetës shoqërore. Por qytetet dhe popullsia e tyre, që
përbënin bazën themelore ekonomike e shoqërore të tij, kishin marrë një
zhvillim të dukshëm. Pozita dhe roli i tyre në jetën politike u bë më i
qartë në periudhat e mëpastajme, dora-dorës me zhvillimin e mëtejshëm të
shoqërisë antike ilire.

Shteti ilir lindi si rezultat i zhvillimit të brendshëm të forcave
prodhuese në Ilirinë e Jugut. Procesi i lindjes dhe i formimit të tij
përkon me periudhën e sundimit të mbretit Bardhyl; ai mund të
konsiderohet edhe si themeluesi i shtetit ilir. Luftërat me Maqedoninë
qenë, nga ana tjetër, një faktor i jashtëm me rëndësi që e shpejtoi këtë
proces. Dështimi i përkohshëm në luftërat me Filipin II dhe Aleksandrin
nuk e ndërpreu jetën shtetërore të ilirëve. Këto luftëra përbëjnë vetëm
një episod të shkurtër politik që nuk e ndali këtë proces të thellë
shoqëror në Iliri.

Shteti ilir lindi brenda territorit, të cilin e banonin sipas Plinit dhe
gjeografit romak të shek. I, Melës “ilirët e mirëfilltë” dhe do të
zhvillohet më tej në kuadrin e po këtij territori.
Geri
Geri
Fondatore St@ff Forum
Fondatore St@ff Forum

<b>Postime</b> Postime : 19707
 <b>Piket</b> Piket : 23805
Regjistruar : 21/04/2009
 <b>Mosha</b> Mosha : 35
 <b>Vendbanimi</b> Vendbanimi : Ne qytetin e dashur Tirone

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Shtetet Ilire Empty Re: Shtetet Ilire

Mesazh nga Geri Thu 4 Mar 2010 - 8:41

3. MBRETËRIA E DYTË ILIRE. DINASTIA E GLAUKISË
(335-231 P.E.SONË)




Rimëkëmbja e shtetit ilir



Shumë shpejt pasi pajtoi fqinjët veriorë dhe Greqinë, Maqedonia u
drejtua nga lindja duke e lënë të qetë shtetin ilir. Fqinjësia me
Maqedoninë nuk përbënte më atë rrezik serioz dhe ilirët u munduan ta
shfrytëzonin gjendjen e krijuar për rimëkëmbjen e shtetit të tyre. Rufi
njofton për trazira të reja në Iliri, por duket se ato nuk patën sukses,
sepse në vitin 323 p.e.sonë, kur u bë ndarja e perandorisë së
Aleksandrit, një pjesë e ilirëve ishte ende nën sundimin e Antipatrit,
që u bë mbret i Maqedonisë, i Greqisë, i Ilirisë, i Epirit dhe i
popullsive të tjera të pushtuara në Ballkan.

Gjendja e turbullt që u krijua në perandori pas vdekjes së Aleksandrit
dhe shthurjes së perandorisë së tij krijoi kushte më të përshtatshme për
çlirimin e tokave lindore ilire. Duke u lidhur me armiqtë e Maqedonisë,
Glaukia, mbret i taulantëve, arriti t’i çlirojë këto toka dhe t’i
bashkojë me mbretërinë e tij. Duket se pas kësaj ai mori edhe titullin
“mbret i ilirëve” në vend të titullit të mëparshëm “mbret i taulantëve”.

Pasi realizoi bashkimin e tokave ilire dhe rimëkëmbi shtetin ilir,
Glaukia u përpoq të dobësonte ndikimin maqedon në Epir. Për këtë qëllim
ai u afrua me mbretin e molosëve, Ajakidin dhe u martua me Berojën, një
bijë nga dera mbretërore molose. Në këtë politikë ai u ndesh me të birin
e Antipatrit, Kasandrin, që pas shumë përpjekjesh ishte vendosur në
krye të Maqedonisë. Në vitin 317 p.e.sonë, Kasandri rrëzoi nga froni
molos aleatin e Glaukisë, Ajakidin, i cili kishte ndërhyrë në grindjet e
brendshme për fronin maqedon, duke marrë anën e Olimbisë, nënës së
Aleksandrit. Në këtë kohë Glaukia mori nën mbrojtje dhe mbajti në
pallatin e tij birin e mbretit të rrëzuar, Pirron dyvjeçar. Me gjithë
kërkesat këmbëngulëse të Kasandrit, Glaukia nuk e dorëzoi Pirron; ai nuk
e bëri këtë as kur mbreti maqedon i premtoi si shpërblim shumën e madhe
prej 200 talentesh, as kur ky e kërcënoi me luftë.


Shtrirja e sovranitetit mbi Dyrrahun e Apoloninë



Tre vjet mbas kësaj ngjarjeje, në vitin 314, Kasandri, duke u nisur nga
Epiri, sulmoi nga deti Apoloninë, pastaj Dyrrahun dhe u fut në Iliri. Në
këtë luftë Glaukia u mund dhe Kasandri u bë zot i dy qyteteve të mëdha
të Adriatikut. Trazirat politike e detyruan të kthehej në Greqi pasi la
këtu garnizone të fuqishme. Një vit më vonë, më 313 p.e.sonë, Glaukia
rrethoi Apoloninë, por pa sukses. Sipas Diodorit, me ndërmjetësinë e
spartanëve ai pranoi të heqë rrethimin dhe të përfundojë një traktat
paqeje me apoloniatët. Kushtet e paqes nuk dihen dhe as që bëhej fjalë
për vendosjen e ndonjë forcë maqedone në qytet; por ngjarjet e
mëpastajme, të vitit 312 p.e.sonë, tregojnë se të dy qytetet mbroheshin
nga garnizonet maqedone. Në këtë vit apoloniatët dhe dyrrahasit ngritën
krye dhe i dëbuan forcat e Kasandrit nga qytetet e tyre. Një rol të
veçantë u atribuon Diodori në këtë ngjarje korkyrasve, të cilët kishin
ardhur për ndihmë. Sipas tij ata “çliruan Apoloninë dhe Dyrrahun ia
dorëzuan Glaukisë, mbretit të ilirëve”.

Burimet nuk japin një përgjigje të drejtpërdrejtë për çështjet se përse
korkyrasit ua dorëzuan Dyrrahun ilirëve, cili ishte roli i ilirëve në
këtë ngjarje, cilat kishin qenë raportet e tyre me Dyrrahun dhe
ç’raporte u vendosën me Apoloninë. Megjithatë nuk është vështirë të
kuptohet se korkyrasit në këtë rast vepruan si aleatë jo vetëm të
apoloniatëve dhe të dyrrahasve, por edhe të ilirëve. Dalja e Maqedonisë
në brigjet e Adriatikut cenonte interesat ekonomikë e politikë si të
shtetit ilir, ashtu edhe të Dyrrahut, Apolonisë e të Korkyrës, prandaj
ato u bashkuan kundër rrezikut maqedon. Dy qytetet e mëdha ishin, siç
duket, për ruajtjen e marrëdhënieve të vjetra me shtetin ilir dhe nuk
dëshironin t’i nënshtroheshin me dhunë mbretit të Maqedonisë. Dyrrahu
duket se kishte qenë para kësaj në duart e ilirëve ose kishte njohur
sovranitetin e mbretit ilir. Kundërshtimi që i bënë apoloniatët Glaukisë
më 313 p.e.sonë tregon për një mbizotërim të përkohshëm në këtë qytet
të një grupi promaqedon, i cili më vonë u përmbys nga kryengritja e
qytetarëve që dëbuan forcat e Kasandrit.

Mbreti maqedon u shpejtua të vijë me forcat e tij përsëri para mureve të
Apolonisë për të rivendosur gjendjen e mëparshme. Diodori pohon se
“apoloniatët ishin lidhur me ilirët”. Megjithatë, nuk dihet nëse ishte
kjo një aleancë e thjeshtë ushtarake apo diçka më tepër, por duhet
nënkuptuar se ilirëve u ishte caktuar një rol i dorës së parë qëkurse
forcat që mbronin qytetin “ishin më të mëdha” se ato maqedone. Kasandri u
thye keqas dhe u detyrua të largohej, pasi kishte humbur një pjesë të
mirë të ushtrisë. Përpjekjet e tij për t’u ngulur në Ilirinë bregdetare
dështuan dhe pas kësaj ai nuk provoi më të kthehej në këto anë.

Luftërat me Kasandrin tregojnë se fuqia e shtetit ilir ishte rritur aq
shumë saqë ai mundi të matej me sukses me Maqedoninë për zotërimin e
bregdetit Adriatik. Qytetet e mëdha të këtij bregdeti prej kohësh kishin
njohur sovranitetin e mbretit ilir; të paktën mbi Dyrrahun ishte
vendosur ky sovranitet, por që nga viti 312 p.e.sonë edhe ndikimi mbi
Apoloninë nuk duhet të ketë qenë më i vogël, megjithëse pozita juridike e
këtij qyteti ndaj shtetit ilir formalisht mund të ketë qenë pak e
ndryshme nga ajo e Dyrrahut.

Pas fitores mbi Kasandrin dhe forcimit të pozitës së tij në Dyrrah e në
Apoloni, Glaukia u mor me përgatitjen e ekspeditës që do të vinte Pirron
në fronin molos. Nuk ishte zemërgjerësia ndaj tij, as lidhjet që kishte
me të nëpërmjet së shoqes, Berojës, bijë nga dera molose, ato që e
shtynë Glaukinë në këtë ndërmarrje të guximshme. Epiri në këtë kohë
ishte pika më nevralgjike e kontaktit dhe hallka më e rëndësishme në
kontradiktat iliro-maqedone. Glaukia duhej ta shkëpuste këtë vend nga
ndikimi maqedon dhe t’i rikthente shtetit ilir aleatin e humbur. Për
këtë qëllim, në vitin 309 p.e.sonë, në krye të një ushtrie të madhe, ai
hyri në Epir dhe pasi mposhti kundërshtimin e grupit promaqedon që
përfaqësohej nga mbreti Alketa (ungji i Pirros), vuri në krye të shtetit
molos 12-vjeçarin Pirro. Me këtë akt konflikti me Maqedoninë u zgjidh
në favor të ilirëve. Veprimtaria politike dhe ushtarake e Glaukisë për
rimëkëmbjen e forcimin e pozitave të shtetit ilir u kurorëzua me sukses.

Gjatë sundimit të Glaukisë, shteti ilir jetoi ditë lavdie; ai u bë një
shtet i fuqishëm, duke përfshirë në gjirin e tij edhe qytetet Dyrrah e
Apoloni. Ai ishte e vetmja forcë serioze që iu kundërvu Maqedonisë në
këtë pjesë të Ballkanit, dhe u bë një faktor i rëndësishëm që ushtroi
një ndikim të fuqishëm në ngjarjet politike të kohës.


Forcimi i pushtetit mbretëror



Në vitin 302 p.e.sonë Glaukia ishte ende në krye të shtetit ilir. Pas
kësaj date ai nuk përmendet më. Periudha që pason është mjaft e errët
dhe njihet vetëm nëpërmjet burimeve të fragmentuara, por ndonjëherë
tepër të rëndësishme.
Rreth vitit 295 p.e.sonë si mbret i ilirëve përmendet Bardhyli i ri.
Rrethanat në të cilat ai u gjend në krye të shtetit ilir dhe
marrëdhëniet e tij me Glaukinë, të cilin e zëvendësoi, janë të paqarta.
Një lidhje martesore e paraqet Bardhylin si aleat të Pirros. Plutarku
thotë se pas vdekjes së gruas së parë, Antigonës, Pirroja “u martua me
shumë gra, për arsye politike dhe për të rritur fuqinë e tij”. Një ndër
to ishte edhe Brikena, bija e Bardhylit, mbretit të ilirëve. Historiani
romak Justini dhe shkrimtari romak i shek. I Frontini njoftojnë nga ana e
tyre për një fushatë të Pirros kundër ilirëve, në të cilën ai kishte
dalë fitimtar dhe kishte pushtuar edhe qytetin që ishte kryeqendra e
tyre, pa na thënë emrin e tij.

Edhe historiani grek i shek. II Apiani, gjithashtu, i bën jehonë kësaj
ngjarjeje, duke thënë se Pirroja zotëronte një pjesë të Ilirisë gjatë
bregdetit Jon. Të gjitha këto burime nuk e përcaktojnë, megjithatë, se
deri ku u shtri sundimi i mbretit molos mbi tokat ilire dhe si ndodhi që
ai i rritur në oborrin e Glaukisë ndërhyri me forcë në shtetin e tij.
Pas gjithë këtyre ngjarjeve fshihet një grindje e brendshme midis
trashëgimtarëve apo pretendentëve për fronin e Glaukisë, e cila u
shfrytëzua nga Pirroja. Por nuk është për t’u përjashtuar edhe pikëpamja
sipas së cilës Bardhyli i ri të ketë qenë një pinjoll i Bardhylit I, që
vjen në fuqi me ndihmën e Pirros, duke i lëshuar këtij të fundit një
pjesë të Mbretërisë Ilire. Vetëm kështu mund të shpjegohet se si Pirroja
u bë zot i krahinave perëndimore të Mbretërisë Ilire, ndofta edhe i
Apolonisë, kurse Bardhylit i la krahinat lindore rreth liqenit Lyhnid,
ose në perëndim të tij.

Por pushtimi i tokave ilire prej Pirros dhe sundimi i Bardhylit të ri si
“mbret i lirëve” mbi një pjesë të shtetit ilir nuk duhet të kenë
zgjatur shumë. Pasazhi i Apianit që thotë se këto toka i trashëguan dhe
pasardhësit e Pirros bie në kundërshtim me zhvillimin e ngjarjeve të
mëpastajme. Grindjet e brendshme për trashëgimin e fronit të Glaukisë
duket se u kapërcyen shpejt. Në prologun e librit XXIV të historianit
latin Trogut bëhet fjalë për “luftën që Ptolemeu e Kerouni (mbret i
Maqedonisë) bënë me Monunin ilir dhe Ptolemeun, të birin e Lysimahut”.
Ky lajm që i takon një ngjarjeje të vitit 280 p.e.sonë flet për një
sundimtar ilir që ndërhyn në grindjet për fronin maqedon si aleat i
pretendentit tjetër, birit të Lysimahut. Sipas renditjes së Trogut,
Monuni është kundërshtar i parë i Keraunit dhe mund të supozohet edhe
iniciator i kësaj lufte. Sidoqoftë ky Monun duhet të ishte sundimtar i
një vendi, kufijtë e të cilit takonin me Maqedoninë.

Supozimi se ai ishte një mbret dardan, sot është zhvleftësuar duke i
lënë vend mendimit se në rastin konkret kemi të bëjmë me një sundimtar
të shtetit ilir. Figura dhe veprimtaria e tij bëhet më e qartë nëpërmjet
një monedhe të Dyrrahut. Kjo është një tridrahme, e cila mban simbolet e
njohura të tridrahmes së mëparshme autonome të Dyrrahut; në faqe ka një
lopë duke e pirë viçi, në shpinë një katror të mbushur me zbukurime
lineare; ndryshe prej së parës monedha e re ka një peshë më të vogël
(10,3-10,5 gr. në vend të 10,4-11,5 gr.) dhe krahas legjendës ????? apo
??? ka edhe emrin e mbretit (??S???OS ?????????) dhe një nofull derri
mbi lopën, që mungojnë në tridrahmat e vjetra. Në një variant tjetër
monedhave të Monunit u është hequr legjenda e shkurtuar e qytetit dhe
është zëvendësuar me një heshtë. Këto tridrahme janë datuar me të drejtë
pas vitit 300 p.e.sonë dhe përputhen si kohë me Monunin e përmendur
prej Trogut.

Njoftimi i Trogut dhe prerja e kësaj monedhe dëshmojnë se me gjithë
tronditjen që kishte pësuar shteti ilir mbas vdekjes së Glaukisë nga
ndërhyrja e Pirros, Monuni kishte mundur të rimëkëmbte shtetin e tij në
të gjithë territorin e dikurshëm, prej brigjeve të Adriatikut deri në
kufi të Maqedonisë. Si duket, ai përfitoi nga largimi i Pirros për në
Itali për t’i rikthyer shtetit të vet tokat e pushtuara. Pushteti i tij
mbi Dyrrahun ishte rritur. Duke vënë dorë mbi punishten e monedhave, ai i
thelloi më shumë se paraardhësi i tij marrëdhëniet me këtë qytet.
Varianti i fundit i prerjeve të Monunit tregon se mbreti ilir duhet ta
ketë ndjerë veten mjaft të fortë qysh se hoqi prej kësaj monedhe emrin e
shkurtuar të Dyrrahut. Nuk dihet se si kanë qenë marrëdhëniet e tij me
Apoloninë, por s’ka ndonjë arsye për t’i konsideruar të ndryshme. Edhe
ky qytet duhet të ketë njohur sovranitetin e plotë të mbretit ilir, duke
iu nënshtruar atij si Dyrrahu politikisht dhe ekonomikisht.

Pasardhës i Monunit dhe i fundit prej dinastisë së Glaukisë ka qenë
Mytili. Edhe për të si traditë letrare kemi vetëm një njoftim të
shkurtër në prologun e librit XXV të Trogut ku thuhet se “... i biri i
tij /Pirros/, Aleksandri bëri me Mytilin luftën ilire”. Një monedhë
bronzi e prerë edhe kjo në punishten e Dyrrahut vërteton plotësisht
natyrën historike të personit të Mytilit. Kjo monedhë, e cila ka si
simbole kryet e Herakliut në faqe dhe armët karakteristike të këtij
heroi (harkun, mëzdragun dhe millin) në shpinë, ndryshon prej prototipit
të vet, sepse në vend të nëpunësit monetar të Dyrrahut atë e siglon
këtë radhë mbreti Mytil (??S???OS ???????), i cili ka hequr përveç kësaj
nga monedha edhe legjendën e qytetit. Vetë këto të dhëna të monedhës
tregojnë se Mytili ishte zoti i Dyrrahut dhe ushtronte mbi këtë qytet po
atë pushtet që kishte edhe paraardhësi i tij Monuni. Monedha është
tepër e rrallë, gjë që tregon se sundimi i tij ka qenë i shkurtër.

Lufta midis Mytilit dhe Aleksandrit, për të cilën bënte fjalë Trogu, i
takon vitit 270 p.e.sonë. Për fat të keq nuk është ruajtur ndonjë
njoftim i saktë mbi shkaqet dhe përfundimet e kësaj lufte, gjë që ka
dhënë shkas edhe për supozime të ndryshme. Mendimi se ajo përfundoi në
favor të Aleksandrit dhe se ky u bë përsëri zot i krahinave jugore të
shtetit ilir, madje edhe i Apolonisë, u referohet Frontinit dhe Apianit.
Një shqyrtim më i kujdesshëm i njoftimeve të tyre tregon se këto
përfundime nuk janë plotësisht të drejta. Është e vërtetë se Frontini,
që plotëson Trogun, bën fjalë për një ndeshje në të cilën Aleksandri
mundi ilirët, por përleshja zhvillohet në tokën epirote dhe nga ky lajm
nuk del se ai pushtoi qoftë edhe ndonjë pjesë nga tokat e shtetit ilir.
Sa për njoftimin e Apianit, ai ka karakter tepër të përgjithshëm dhe as
ky dhe as ndonjë autor tjetër nuk paraqesin prova se Apolonia ka qenë
nën sundimin e ndonjë mbreti epirot.
Geri
Geri
Fondatore St@ff Forum
Fondatore St@ff Forum

<b>Postime</b> Postime : 19707
 <b>Piket</b> Piket : 23805
Regjistruar : 21/04/2009
 <b>Mosha</b> Mosha : 35
 <b>Vendbanimi</b> Vendbanimi : Ne qytetin e dashur Tirone

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Shtetet Ilire Empty Re: Shtetet Ilire

Mesazh nga Geri Thu 4 Mar 2010 - 8:41

4. FUQIZIMI I SKLLAVOPRONARISË



Lulëzimi i qyteteve. Pamja e tyre



Periudha midis viteve 335-230 p.e.sonë është koha e shtrirjes së
mëtejshme të jetës qytetare në Iliri, e zhvillimit të vrullshëm dhe e
lulëzimit të qytetit ilir. Ajo përputhet me fuqizimin më të madh të
shtetit ilir. Jeta qytetare u zhvillua veçanërisht në krahinat e
ultësirës bregdetare, në shpinë të Dyrrahut e Apolonisë, zonë që
përbënte tani qendrën e shtetit ilir. Për Damastionin dhe qytetet e
tjera të brendshme në burimet nuk bëhet më fjalë. Duket se pas hyrjes së
disa krahinave lindore në përbërjen e shtetit maqedon, këto qytete e
humbën rëndësinë që kishin në kuadrin e shtetit ilir.

Qytete të tjera, si Bylisi, Amantia, Kanina (Thronioni ?) janë ndër ato
qytete të vjetra, që u rritën e u zhvilluan dhe luajtën në këtë kohë një
rol të dorës së parë. Krahas tyre lindën në këtë zonë edhe një varg
qytetesh të reja, si Dimli, Olympe (Mavrovë-Vlorë), Gurzeza (Cakran),
Antipatrea, qytetet në Zgërdhesh (Albanopoli ?), në Gradishtën e
Belshit, në Selcën e Poshtme, në Irmaj etj., të panjohura më parë. Që
nga kjo kohë jeta qytetare shtrihet edhe në krahinat bregdetare në veri
të lumit Mat. Qendrat e para urbane në këto anë, Lisi, Skodra, Meteoni,
Ulqini, Rizoni etj., lindën vetëm në fundin e shek. IV - fillimin e
shek. III p.e.sonë. Por në krahinat e brendshme të luginës së Matit e të
Drinit të mesëm nuk ka ende dëshmi të qendrave urbane dhe duket se jeta
qytetare këtu nuk u zhvillua.

Qytetet e reja si edhe më parë, zënë një vend qendror midis një krahine
të pasur nga pikëpamja ekonomike dhe lidhen me rrugët më të rëndësishme
të komunikacionit tokësor e detar. Procesi i lindjes së tyre ndjek në
përgjithësi rrugën e njohur të zhvillimit të mëtejshëm të vendbanimeve
të fortifikuara të epokës së hekurit, por në disa raste si në Dimale,
Olympe, Selcë e Poshtme etj., qyteti lind mbi një truall të ri.
Karakteristikë e veçantë e qyteteve në veri të lumit Mat është se ato
janë të kthyera me fytyrë nga deti. Për ndërtimin e tyre janë zgjedhur
gjiret e futura apo grykat e lumenjve, vende të lidhura me detin, por
edhe të mbrojtura nga rreziqet dhe të papriturat e tij.

Pamja e përgjithshme urbanistike nuk është e njëjtë për të gjitha
qytetet ilire të kësaj kohe. Ato dallohen sipas madhësisë dhe rolit
ekonomik e politik të tyre: ka qendra të mëdha qytetare, si Bylisi,
Dimale, Nikaja, Amantia, Antigona, Skodra, Lisi etj., ka edhe qendra më
të vogla prodhimi, si Albanopoli, Belshi, Irmaj, Symiza, Gurzeza,
Kanina, Treporti, Çuka e Ajtojt etj. Një kategori tjetër formojnë
qendrat me fizionomi qytetare, por me funksione ushtarake dhe
administrative, si Beltoja, Xibri, Dorezi, Peshtani, Rabija, Cerja,
Lekli, Selo, Ripsi etj.

Duke u mbështetur në kushtet e terrenit dhe të rrethanave në të cilat
lindi dhe u zhvillua qyteti ilir mund të veçohen tre tipa qytetesh.
Tipin e parë e përbëjnë ato qytete, të cilat kanë një akropol në majë
dhe qytetin poshtë tij. Të tilla janë Lisi, Zgërdheshi dhe ndonjë qendër
tjetër që u ndërtuan në faqe kodrash. Qendrat e vjetra që u dhanë jetë
këtyre qyteteve zinin më parë majat e kodrave. Me kalimin e kohës
kufijtë e ngushtë të këtyre qendrave u kapërcyen dhe qyteti u shtri
nëpër faqet e kodrave. Kur u forcuan ekonomikisht qytetet rrethuan
sipërfaqen e re me mure mbrojtëse, duke i zgjatur ato në vijim të mureve
ekzistuese të vendbanimit të mëparshëm; muri i poshtëm i qendrës së
vjetër u kthye në këtë rast në një mur të brendshëm të tërthortë, që
ndante qytetin në dy pjesë: në atë të sipërm - akropolin, dhe në atë
përfund tij - qytetin e poshtëm.

Në Lis, ky tip qyteti pati një zhvillim të mëtejshëm, duke krijuar një
ndarje të tretë, qytetin e mesëm, që veçohej prej pjesëve të tjera të
qytetit me një mur të dytë të brendshëm.
Qendra e vjetër e tyre ishte ndërtuar mbi pllajën e vogël të një kodre
të veçuar me faqe të thepisura, prandaj qyteti u zhvillua këtu rreth e
qark qendrës së vjetër. U krijua kështu një tip qyteti me akropolin në
mes dhe qytetin rreth tij. Qytetet e këtij tipi duket se nuk kishin një
mur të jashtëm rrethues për lagjet e jashtme dhe mjaftoheshin vetëm me
fortifikimin e akropolit.

Ndryshe prej këtyre qyteteve, Antipatrea, Dimale, Margëlliçi, Irmaj
etj., u ngritën mbi kodra që kishin një syprinë kryesisht të rrafshtë me
kurrize e thyerje të buta. Këto qytete që lindën mbi një truall të ri
duket se nuk kanë pasur akropol dhe territoret e tyre rrethoheshin me
një mur të vetëm. Ato përbëjnë tipin e tretë të qyteteve ilire.

Prej qyteteve të vjetra Bylisi ndoqi një rrugë të veçantë në zhvillimin e
tij. Kodra e Klosit, mbi të cilën ishte ngritur qyteti i vjetër, në
fund të shek. IV nuk i plotësonte më nevojat e zgjerimit të kësaj
qendre. I vetmi vend që paraqiste kushte më të përshtatshme për këtë
qëllim ishte kodra e Hekalit, 1 500 m prej Klosit, ku filluan të
vendosen qytetarët, duke i dhënë jetë një vendbanimi të ri. Që nga kjo
kohë të dyja qendrat u zhvilluan paralelisht si dy pjesë të veçanta, por
të ndërlidhura, të një dyqytetshi, ku i riu fitoi epërsinë dhe u bë më
përfaqësuesi. I parë më vete Bylisi ka të gjitha tiparet e qyteteve të
tipit të tretë, pa akropol. por së bashku me Klosin ai përbën një
kategori të veçantë qyteti.

Pavarësisht nga klasifikimet e ndryshme që mund t’u bëhen qyteteve
ilire, trajtimi i tyre urbanistik u përgjigjej disa kërkesave themelore,
siç ishin vendosja e qendrës së banuar në një terren jo të sheshtë,
rrethimi i saj me mure, ndarja e territorit brenda mureve në tri pjesë
kryesore, për banim, për veprimtari shoqërore e mbrojtje dhe krijimi
sipas kushteve të terrenit, i unitetit midis agorasë dhe komplekseve të
banimit.

Një nga kriteret bazë të qytetit ilir të asaj kohe ishte modelimi sipas
vijës së jashtme i mureve rrethuese, traseja e të cilëve shfrytëzon sa
më mirë mundësitë mbrojtëse të terrenit. Në këtë sistem fortifikimi
muret e qendrave të vjetra të epokës së hekurit shfrytëzoheshin vetëm
pjesërisht. Qytetet e ngritën mbrojtjen e tyre mbi një bazë krejt të re
që u përgjigjej nivelit dhe kërkesave të kohës. Muret rrethuese të Lisit
dhe të Shkodrës u ndërtuan në stilin e njohur trapezoidal-poligonal,
kurse ato të Bylisit, Dimales, Margëlliçit, Irmajt e të Zgërdheshit,
ndiqnin stilin kuadratik. Këto ishin mure të fuqishme të ndërtuara me
blloqe të mëdha e të skalitura me një trashësi prej 2,70-3,50 m dhe që
në kohën e vet arrinin një lartësi prej 10-12 m. Ato përforcohen tani me
kulla të shumta.

Në qoftë se vendbanimet e para kishin një ose dy porta, qytetet që kanë
tani një jetë më të dendur dhe lëvizje të madhe kanë porta të shumta, të
mëdha e të vogla, për të lehtësuar hyrjen e daljen e qytetarëve.
Meqenëse portat përbënin pikat më të prekshme, mbrojtjes së tyre i
kushtohej një kujdes i veçantë. Ato zakonisht vendoseshin midis dy
kullave dhe në rastin kur mbroheshin nga një e tillë e vetme, atëherë
kulla ngrihej në anën e djathtë të hyrjes, me qëllim që të shfrytëzohej
krahu i zbuluar i armikut.

Nuk njihet ende në masën e duhur ndërtimi i brendshëm i këtyre qyteteve,
por edhe ato të dhëna të pakta që kemi dëshmojnë se ato janë ndërtuar
sipas shembullit të qyteteve bashkëkohëse në Greqi, Maqedoni dhe në
Epir, në bazë të parimeve urbanistike të njohura të kohës helenistike.
Përveç ndarjeve të mëdha, akropolit dhe qytetit të mesëm e të poshtëm,
në këto qytete dallohet edhe pjesa ku ndodheshin sheshi publik dhe tregu
i qytetit. Skodra e Lisi dhe qytete të tjera të ngritura buzë detit apo
lumenjve, kishin edhe skelat e tyre.
Rrugët ishin një element themelor urbanistik që e ndanin qytetin në
insola, që niseshin nga hyrjet kryesore apo të dyta, përshkonin qytetin
në drejtime të ndryshme dhe lidhnin në mënyrë organike pjesët përbërëse
të tij.

Vendet më në dukshme janë përdorur në qytetet ilire për ndërtimin e
godinave të rëndësishme shoqërore. Vende të tilla zinin tempujt,
teatrot, portikët, stadiumi në Bylis, Amantie, Dimale etj., varret
monumentale në Selcë të Poshtme etj. Kur terreni ishte i pjerrët, ai
sistemohej për nevoja të ndërtimeve qytetare me anë tarracash.

Një kujdes i veçantë i kushtohej pajisjes së qytetit me kanale kulluese,
të cilat shkarkonin ujërat jashtë mureve rrethuese. Furnizimi me ujë të
pijshëm mbështetej kryesisht në sterat dhe rezervuaret që ndërtoheshin
brenda qytetit ose në trashësinë e mureve rrethuese.

Një ide mbi madhësinë e qyteteve ilire e japin hapësira që ato zinin dhe
perimetri i mureve të tyre rrethuese. Kështu, Lisi zinte një sipërfaqe
prej rreth 20 ha dhe muret e tij kishin një gjatësi prej 2 200 m; Bylisi
shtrihej mbi një sipërfaqe prej 28 ha, ndërsa muret ishin 25 550 m të
gjatë, kurse Klosi kishte pushtuar në kodrën e vet 18 ha tokë, që
rrethoheshin prej muresh me një gjatësi prej 1 850 m. Nuk dimë shtrirjen
e saktë të Skodrës, por duket se ka qenë pak më e madhe se ajo e Lisit.
Qytetet e tjera, si Antipatrea, Dimale, Zgërdheshi kishin një madhësi
mesatare: sipërfaqja e shtrirjes së tyre arrinte deri në 10-15 ha, kurse
muret perimetrale nuk i kalonin të 1 400 m. Një grup i tretë qytetesh,
si Irmaj, Margëlliçi etj., ishin më të vegjël; muret e tyre ishin nën 1
400 m të gjatë dhe rrethonin sipërfaqe të vogla prej 5-7 ha.

Megjithëse qytetet e kësaj kohe shtriheshin edhe tej mureve rrethuese
(jashtë tyre gjejmë dendur gjurmë banesash, tempuj e ndërtime të tjera),
prapëseprapë truallin kryesor të qytetit e përbënte territori brenda
mureve rrethuese.
Muret rrethuese dhe godinat shoqërore që janë ruajtur dëshmojnë se
ndërtimet e tyre u nënshtroheshin parimeve të njohura të urbanistikës
antike. Vetëm ndërtues të aftë dhe me njohuri të thella teknike mund të
zgjidhnin detyrat e ndërlikuara që paraqisnin ndërtimet mbrojtëse dhe
ato me karakter publik e privat, në atë shkallë të gjerë dhe në atë
nivel të lartë që njohin qytetet ilire që nga fundi i shek. IV deri në
mesin e shek. III. Jeta dhe kërkesat e kohës i përgatitën këta ndërtues
midis vetë popullsisë ilire. Realizimi i këtyre ndërtimeve ishte vepër e
një shoqërie skllavopronare që kishte mundësitë e organizimit dhe të
sigurimit të materialeve për një veprimtari kaq të gjerë ndërtuese.

Procesi i shndërrimit të disa qendrave të fortifikuara të epokës së
hekurit në qytete nuk përfshin dhe as që mund të përfshinte të gjitha
këto qendra. Midis tyre u veçuan dhe u kthyen në qytete vetëm ato që
kishin një pozitë gjeografike të përshtatshme për një zhvillim më të
lartë. Pjesa tjetër, më e madhja e tyre, ruajti pamjen e dikurshme me
një jetë ekonomike të kufizuar. Nevojat e mbrojtjes dhe të tregtisë
bënë, nga ana tjetër, që krahas këtyre qendrave të lindin në rrugët e
komunikacionit ose rreth qyteteve edhe një varg vendbanimesh të vogla,
të fortifikuara, me funksione ushtarake e administrative. Të tilla mund
të konsiderohen kalaja e Xibrit në Mat, e cila zinte një pikë kyçe në
rrugën që të çonte prej Dyrrahut në krahinat e brendshme lindore nëpër
Shkallën e Tujanit - Qafë Murrizë - Dibër - Maqedoni; qyteza e Shkamit
në rrugën e Krrabës, kulla e Kamunaut në Sulovë, në rrugën që lidhte
ultësirën bregdetare pas Apolonisë me luginën e Devollit; pikëvrojtimi i
Rabies në Mallakastër, në rrugën që ndjek krahun e djathtë të Vjosës e
të tjera si këto, të cilat gjenden pa përjashtim në të gjitha rrugët e
dorës së dytë që përshkonin truallin e vendit tonë. Tek autorët antikë
dhe në burimet epigrafike këto qendra përmenden si kështjella apo
fortesa rreth qyteteve me termat castellum apo peripolia. Ato janë në
funksion të qyteteve qoftë nga pikëpamja strategjike dhe administrative,
qoftë nga ajo ekonomike. E para duket në vendosjen e tyre pranë qafave
ose rrugëve që të çojnë drejt qytetit, duke krijuar një kurorë
fortifikimesh në zonën gjeografike ku qyteti mbizotëron me ekonominë e
vet. E dyta shprehet në faktin se ato më tepër konsumojnë prodhimet e
qytetit sesa prodhojnë vetë.
Geri
Geri
Fondatore St@ff Forum
Fondatore St@ff Forum

<b>Postime</b> Postime : 19707
 <b>Piket</b> Piket : 23805
Regjistruar : 21/04/2009
 <b>Mosha</b> Mosha : 35
 <b>Vendbanimi</b> Vendbanimi : Ne qytetin e dashur Tirone

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Shtetet Ilire Empty Re: Shtetet Ilire

Mesazh nga Geri Thu 4 Mar 2010 - 8:41

Rritja e prodhimit zejtar dhe e tregut


Në fushën e prodhimit kjo periudhë shënon përparime të dukshme. Punishte
të shumta metalesh funksiononin në çdo qytet. Mbeturinat e farkave,
zgjyrat, të cilat janë ndër gjetjet e zakonshme në trojet e këtyre
qyteteve, dëshmojnë qartë për këtë. Pasuritë minerale të Ilirisë së
Jugut, veçanërisht ato të bakrit dhe të hekurit u siguronin atyre lëndë
të parë të bollshme. Në këto punishte farkëtoheshin veglat e punës,
armët dhe punoheshin stolitë e enët metalike që u nevojiteshin
qytetarëve dhe banorëve të rretheve në jetën e tyre të përditshme.
Gjetja me shumicë e këtyre sendeve në qytetet dhe në varrezat e kësaj
kohe dëshmon për karakterin intensiv të prodhimit zejtar dhe për
konsumin e gjerë të këtyre mallrave.

Në qytete kishte edhe punishte zejesh të tjera si ato për regjjen e
lëkurave, punimin e veshmbathjes, endjen dhe thurjen e rrobave etj. Një
nga zejet më të rëndësishme ishte ajo e gurgdhendësve, të cilët
angazhoheshin në ndërtimet monumentale të qytetit, si në ndërtimin e
mureve rrethuese të qytetit, në godinat shoqërore, në ngritjen e varreve
monumentale etj.

Veprimtaria e grupeve të specializuara të gurgdhendësve provohet nga
guroret e zbuluara në Selcë të Poshtme, Bylis, Amantia, në shkallët e
Konispolit etj.
Zhvillim të dukshëm mori edhe zejtaria e prodhimeve qeramike. Enët prej
balte që dilnin tani nga punishtet e qyteteve ishin të punuara kryesisht
me çarkun e poçarit, kurse sasia e atyre të punuara me dorë është tepër
e kufizuar. Kalimi në teknikën e re të prodhimit të enëve u shoqërua me
largimin nga format tradicionale dhe me përshtatjen në shkallë të gjerë
të formave greke. Nuk mungojnë edhe përpjekjet për të zhvilluar format e
vjetra, por zakonisht ato çojnë në ndërthurje eklektike që nuk gjejnë
përhapje të gjerë, me sa duket për shkak se nuk u përgjigjeshin
kërkesave të tregut dhe shijeve të kohës. Prodhimi i enëve me forma
greke merr përhapje të gjerë.

Kështu nga furrat e punishteve qeramike të qyteteve ilire dalin tani
enë të llojeve të ndryshme, duke filluar prej atyre të mëdha, si pitosa e
amfora e deri tek enët e përdorimit të gjerë apo të luksit të lyera me
vernik të zi apo të pikturuara. Një vend me rëndësi në këtë kohë zë edhe
prodhimi i tullave e sidomos i tjegullave, që përdoreshin në ndërtimin e
banesave dhe të godinave shoqërore. Sot njihen pothuajse për çdo qytet
punishte qeramike të tilla që ishin pronë private e qytetarëve ilirë.
Sipas vulave që kanë enët apo tjegullat del se një punishte në Lis ishte
pronë e një farë Ortai; në Irmaj pronarët e punishteve quheshin Trito,
Pato, Bato dhe Pito; një vulë me emrin e Kleitit, nga rrethi i Gramshit i
takon një punishteje në Irmaj. Një Plator vulos buzën e një pitosi të
gjetur në Tren të Korçës, kurse një Epikad te një enë tjetër e këtij
lloji nga rrethi i Pogradecit. Pronari i një punishteje qeramike në
Selcë të Poshtme (Polion) quhej Gent , në Bylis (Klos) një punishte e
tillë i takonte Balaneut , kurse në Dimal kemi pronarët Epikad dhe
Olnio.

Në qytete të tjera, si në Zgërdhesh e Margëlliç vulat e pronarëve janë
të shënuara me monograme apo shenja simbolike. Krahas këtyre, nëpër këto
qendra ka edhe vula që mbajnë emra grekë e maqedonë. Prania e këtyre
emrave në vulat e punishteve qeramike të qyteteve ilire nuk është
domosdo e lidhur me qytetarë të origjinës greke apo maqedone në këto
qendra. Në periudha të caktuara dhe aty ku pati vend një pushtim i
qëndrueshëm maqedon, kjo gjë padyshim edhe mund të ketë ndodhur. Por kjo
dukuri lidhet kryesisht me ndikime të karakterit kulturor, si pasojë e
të cilave këta emra u përhapën dhe u adaptuan nga popullsia ilire.
Dëshmi të gjalla të kësaj dukurie vihen re në mbishkrimet varrimore të
Apolonisë e të Dyrrahut ku emri i parë është grek, kurse i dyti, ai i
atit, është ilir ose anasjelltas. Në Apoloni kemi emra të tillë, si
Nikanori i Gentit (???a???a Ge?????), ose në Dyrrah Anaia e Glaukisë
(?????a G?a???a), Epiktesi i Tritos (?p??t???? ???t??), Teutaia e
Aristionit (?e?t??a ??e?????), Euklidi i Tritos (?p??t?a?? ???t??),
Teutaia e Aleksenit (?e?t??a ??e??????), Brygu i Afrodisit (??????
?f??d?s?) etj.

Rritja e prodhimit zejtar i dha hov qarkullimit më të dendur të mallrave
dhe zgjerimit të tregtisë. Prodhimet e zejtarisë së qyteteve ilire
mbulojnë tani rrethin e tyre të ngushtë dhe lëvizin në drejtimet më të
ndryshme për të ushqyer reciprokisht tregjet e njëri-tjetrit; jo rrallë
ato shtrihen në krahina të brendshme. Në qoftë se deri në fund të shek.
IV popullsia e këtyre krahinave të largëta kënaqej me prodhimet e
qeramikës lokale të punuar me dorë ndërsa prodhimet e importit ishin
sende luksi tepër të rralla, më vonë prodhimet e qeramikës qytetare
ilire depërtojnë gjerësisht në këto anë dhe hyjnë në konsumin e
përditshëm të popullsisë. Zonat e thella të dasaretëve dhe të fiseve të
tjera më të vogla që banonin në krahinat malore të rrjedhjeve të sipërme
të Shkumbinit, të Devollit dhe të Osumit furnizonin me prodhimet e tyre
qytetet e jugut, të cilat ishin më të dendura dhe më të zhvilluara.
Marrëdhëniet e botës ilire me Dyrrahun e Apoloninë bëhen më intensive.
Megjithëse këto nuk janë më qendrat e vetme që furnizojnë tregun ilir,
prapëseprapë vazhdojnë të luajnë një rol të rëndësishëm.

Midis tyre duket se ka një ndarje të qartë të zonave të tregtimit:
ndërsa Dyrrahu shtrin veprimtarinë e vet kryesisht mbi krahinat në veri
të Shkumbinit, në orbitën e Apolonisë hyjnë ato në jug të këtij lumi.
Përmes këtyre dy qendrave përhapen gjerësisht në Iliri edhe prodhimet e
qyteteve të Apulisë. Mallrat e qendrave greke që gjenden krahas tyre
janë përkundrazi më të rralla, kurse ato maqedone dhe të Epirit ndeshen
kryesisht në zonat kufitare.
Rrugët kryesore nëpër të cilat lëviznin mallrat dhe zhvillohej tregtia
me botën ilire ishin luginat e lumenjve; ndër to ajo e Drinit, e
Shkumbinit, e Devollit, e Osumit dhe e Vjosës formonin arteriet më të
rëndësishme. Rrugë të tjera të shumta, të dorës së dytë, përshkonin
grykat e ngushta dhe qafat e maleve për të lidhur njërën krahinë me
tjetrën. Sado të vështira që ishin këto rrugë, asnjë krahinë e Ilirisë
Jugore nuk mbeti në këtë kohë e izoluar dhe jashtë ndikimit të
marrëdhënieve tregtare me qytetet. Më e rëndësishmja është se në tregun e
brendshëm mbizotëronin prodhimet lokale, të cilat konkurronin si me
prodhimet që vinin nga Dyrrahu e Apolonia, ashtu edhe me ato të importit
dhe që ishin kryesisht sende luksi.

Fuqizimi ekonomik dhe rritja e prodhimit zejtar u lejoi qyteteve Skodra,
Bylis, Amantia e Olympe të presin gjatë gjysmës së parë të shek. III
monedhat e tyre prej bronzi në emër të bashkësive qytetare përkatëse.
Geri
Geri
Fondatore St@ff Forum
Fondatore St@ff Forum

<b>Postime</b> Postime : 19707
 <b>Piket</b> Piket : 23805
Regjistruar : 21/04/2009
 <b>Mosha</b> Mosha : 35
 <b>Vendbanimi</b> Vendbanimi : Ne qytetin e dashur Tirone

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Shtetet Ilire Empty Re: Shtetet Ilire

Mesazh nga Geri Thu 4 Mar 2010 - 8:42

Organizimi shoqëror e politik


Burimet nuk hedhin dritë plotësisht mbi strukturën shoqërore dhe
organizimin politik të qytetit ilir. Megjithatë nuk është vështirë të
kuptohet se një bazë ekonomike e tillë si ajo që u krijua në Iliri në
kohën e lulëzimit të jetës qytetare i takonte një shoqërie antike të
zhvilluar me të gjitha tiparet e saj.
Duke qenë qendra ekonomike, një vend me rëndësi në popullsinë e qyteteve
zinte shtresa e prodhuesve zejtarë dhe e mjeshtërve ndërtues, të cilët
mund të ishin qytetarë të lirë ose dhe skllevër. Prania e këtyre të
fundit dëshmohet në qytetet ilire vetëm përmes burimeve që lidhen me
ngjarjet e mbarimit të shek. III dhe ato të fillimit të shek. II
p.e.sonë, por nuk ka dyshim se në këtë kohë ato nuk janë një dukuri e
re, ashtu si nuk janë vetë qytetet që përmendëm. Shtresën tjetër të
popullsisë e përbënin pronarët e punishteve zejtare, tregtarët dhe në
qytetet bregdetare, detarët. Krahas tyre, në qytetet ilire jetonin, me
sa duket, edhe përfaqësues të aristrokracisë së vjetër fisnore që
mbështeteshin në pronën e tokave dhe të blegtorisë. Si e tillë popullsia
e qyteteve paraqitej në këtë etapë e diferencuar shumë qartë në shtresa
shoqërore me interesa të ndryshme.

Nga pikëpamja e organizimit politik mbi bazën e federalizmit qyteti së
bashku me rrethinat fshatare dhe kështjellat që formonin sistemin e tij
mbrojtës dhe u shërbenin nevojave të tregtisë, përbënin koinonin që
mbante emrin e qytetit kryesor, i cili ishte qendra e kësaj njësie.
Koinoni kishte organe që zgjidheshin çdo vit nga eklesia ose mbledhja e
përgjithshme. Prej saj dilte këshilli legjislativ ose buleja, si dhe
organi përfaqësues i njësive i përbërë nga damiorgët. Zbatimi i
vendimeve bëhej nga një kolegj nëpunësish, të quajtur prytanë që
zgjidheshin çdo vit, të shoqëruar nga një sekretar. Në krye të koinonit
qëndronte strategu. Në koinonin e bylinëve strategu ishte një nëpunës
ushtarak që shoqërohej në këtë funksion edhe nga hiparku, komandanti i
kalorisë. Pastaj vinin me radhë nëpunësit e ngarkuar me edukimin e
rinisë (gymnasiarkët), me organizimin e festave dhe të garave sportive
(epimeletët), me drejtimin e rojeve (toksarkët, peripolarkët) etj.

Koinoni duke qenë një organizëm autonom përbënte një njësi
administrative të shtetit ilir. Si rrjedhim, shteti përbëhej nga disa
koinone të organizuara mbi bazën e federatizmit.
Veprimtari e rëndësishme e qyteteve ishte emetimi i monedhave. Skodra,
Lisi, Bylisi, presin monedhat e tyre në emër të bashkësive qytetare, gjë
që dëshmon jo vetëm për fuqinë ekonomike të këtyre qyteteve, por edhe
për një autonomi politike që ato gëzonin në kuadrin e shtetit ilir.
Simbolet e monedhave të tyre hedhin dritë, mbase edhe mbi karakterin e
pushtetit politik në këto qytete. Pasqyrimi i anijes në monedhat e
Skodrës ka mundësi të përfaqësojë një shenjë për tregtinë detare që
zhvillonte qyteti dhe të jetë, në këtë mënyrë, një e dhënë e tërthortë
për peshën sunduese të shtresës tregtare në qytet. Në Bylis,
përkundrazi, përdoret si simbol fytyra e themeluesit legjendar të
qytetit, duke theksuar me këtë traditën, me të cilën lidhej kryesisht
shtresa aristrokratike e qytetit.

Pak më i qartë bëhet ky problem në burimet e çerekut të fundit të shek.
III. Këtu për herë të parë bëhet fjalë se në krye të qyteteve qëndronin
polidinastet (sundimtarë të qyteteve), të cilët i nënshtroheshin
plotësisht pushtetit të mbretit.


Dyrrahu dhe Apolonia



Përfshirja e Dyrrahut dhe e Apolonisë në gjirin e shtetit ilir pati
pasoja të rëndësishme si për jetën e këtyre qyteteve, ashtu edhe për
vetë shtetin ilir.
Të dhënat arkeologjike tregojnë se qysh nga çereku i fundit të shek. IV
p.e.sonë, lidhjet e këtyre qyteteve me botën ilire bëhen më të dendura
dhe më të drejtpërdrejta. Tregtisë së Dyrrahut dhe të Apolonisë iu hapën
lirisht rrugët e gjera të tregut ilir. Që nga kjo kohë në krahinat e
brendshme ilire fillojnë të depërtojnë me lehtësi prodhimet e zejtarisë
së zhvilluar të tyre. Nëpërmjet këtyre qyteteve, në Iliri hynin mallrat e
importit, midis të cilave vendin më të rëndësishëm e zinin ato që vinin
nga brigjet e përtejme të Adriatikut.

Dyrrahu dhe Apolonia fillojnë të hedhin në treg monedha të reja
argjendi, ndër të cilat përhapje të gjerë merr drahma e argjendtë e
këtyre dy qyteteve. Ajo ishte destinuar kryesisht për tregtinë me botën
ilire, prandaj edhe me të drejtë është pagëzuar “drahma ilire”. Shfaqje e
re e kësaj kohe është prerja nga këto qytete e monedhave të bronzit.
Vënia në qarkullim dhe pranimi në masë, siç tregojnë gjetjet, i këtyre
monedhave me vleftë shumë herë më të vogël se monedhat e argjendit,
tregon se ekonomia monetare ishte zhvilluar në një shkallë të gjerë në
Iliri.

Gjatë kësaj kohe Dyrrahu dhe Apolonia jetojnë një periudhë të vërtetë
lulëzimi. Ndërtimet më të rëndësishme e më monumentale në këto qytete i
përkasin periudhës pas mesit të shek. IV p.e.sonë. Forcimi ekonomik dhe
pasurimi i tyre nga tregtia me botën ilire u lejuan të ndërtonin mure të
fuqishme mbrojtëse, që përfshinin në gjirin e tyre sipërfaqe shumë më
të mëdha nga ato që njihnin më parë, të ngrinin tregje e sheshe publike,
shëtitore, tempuj, gjimnaze e godina të mëdha administrative.

Një dukuri e re filloi të përshkojë dhe të ndryshojë në një drejtim të
caktuar jetën shoqërore të këtyre qyteteve dhe përbërjen e mëparshme
etnike të tyre. Emrat ilirë që janë gjetur vitet e fundit mbi gurët e
varreve të zbuluara në nekropolin e Dyrrahut, përbëjnë mbi 1/3 e
tërësisë së emrave të njohur në këtë qytet nga monumentet epigrafike.
Këto emra dëshmojnë praninë në masë të popullsisë ilire në to. Emrat
ilirë të prytanëve dhe të nëpunësve monetarë që gjenden në të dyja faqet
e monedhave prej argjendi dhe bronzi dhe emrat në vulat e tjegullave të
Dyrrahut dhe të Apolonisë, tregojnë se popullsia ilire kishte një peshë
me rëndësi në jetën ekonomike, dhe kishte siguruar të drejta qytetare
të plota deri në zënien e posteve më të larta në jetën administrative e
politike të qytetit. Midis emrave të shumtë ishin edhe këta: ??????,
Ge?????, ?a????, ?aa???da?, ???ta???, ?????????, ???t??, për Dyrrahun,
?at??, ?p??ad?? etj., për Apoloninë.

Kështu qysh nga fundi i shek. IV p.e.sonë, Dyrrahu dhe Apolonia humbasin
karakterin tipik të një kolonie, mbasi popullsia e tyre përbëhet në një
përqindje të madhe edhe nga ilirët. Procesi i ilirizimit të këtyre
qyteteve, rezultat i shtrirjes së sovranitetit ilir mbi to, ushtroi një
ndikim të thellë mbi gjithë jetën sociale-politike e kulturore të
Ilirisë në shekujt e mëpastajmë. Rezultati i këtij procesi qe shkëputja e
plotë e Dyrrahut dhe e Apolonisë nga qytetet mëmë dhe integrimi i tyre i
plotë në jetën ekonomike e politike të shtetit ilir. Këtë integrim e
favorizonte përputhja e interesave të tyre ekonomike e politike me ato
të shtetit ilir. Mbreti dhe shtresa sunduese e shtetit ilir lakmonin
fuqinë ekonomike të këtyre qyteteve të mëdha, kurse skllavopronarët e
Dyrrahut dhe të Apolonisë pushtetin e fuqishëm të sundimtarëve ilirë mbi
një krahinë shumë më të gjerë se sa territoret e ngushta të
qyteteve-shtete të tyre me pasuri dhe treg të gjerë. Rezultati u arrit,
siç tregojnë faktet, sado të pakta, nëpërmjet një lufte të ashpër
politike, mjaft të ndërlikuar, ku u përzien edhe fuqi të jashtme, por
edhe si rrjedhojë e një domosdoshmërie të diktuar nga kushtet objektive
të kohës.
Geri
Geri
Fondatore St@ff Forum
Fondatore St@ff Forum

<b>Postime</b> Postime : 19707
 <b>Piket</b> Piket : 23805
Regjistruar : 21/04/2009
 <b>Mosha</b> Mosha : 35
 <b>Vendbanimi</b> Vendbanimi : Ne qytetin e dashur Tirone

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Shtetet Ilire Empty Re: Shtetet Ilire

Mesazh nga Geri Thu 4 Mar 2010 - 8:42

5. RËNIA E DINASTISË SË GLAUKISË



Gjendja politike në vitet 270-231



Pas luftës së fundit të Mytilit kundër Aleksandrit II të Epirit, në
vitin 270, nuk flitet më në burimet për shtetin ilir. Duke zbritur drejt
vitit 230 dalin të dhëna të reja mbi këtë shtet.
Megjithëse në vështrimin e parë kjo duket si një periudhë e errët, ajo
përbën në vetvete një faqe me shumë interes në historinë ilire. Gjatë
gjysmë shekulli, që nga Glaukia deri te Mytili, shteti ilir kishte
mundur t’i bënte ballë me sukses agresionit të Kasandrit dhe më pas të
Pirros e pasardhësit të tij. Të gjithë këta kishin dështuar në
ndërmarrjet e tyre dhe më në fund qenë detyruar të hiqnin dorë prej
Ilirisë. Ndërkaq gjendja në Greqi mbetej e paqëndrueshme. Sundimtarët
maqedonë, Antigon Gonata dhe i biri i tij Demetri, u gjendën tërësisht
të angazhuar në teatrin grek të veprimeve politike e ushtarake për të
ruajtur hegjemoninë e Maqedonisë në këto anë.

Për shtetin ilir kjo qe një periudhë qetësie në marrëdhëniet me fqinjët,
veçanërisht me Maqedoninë, dhe me këtë duhet shpjeguar edhe heshtja e
burimeve. Por nuk qe Gonata ai që “diti, siç pretendohet, t’u imponojë
paqen fqinjëve veriperëndimorë”. Burimet nuk bëjnë fjalë për një gjë të
tillë. Në qoftë se midis Ilirisë dhe Maqedonisë nuk pati në këtë kohë
ndonjë konflikt, kjo duhet shpjeguar më tepër me faktin se ilirët, të
lodhur nga luftërat e deriatëhershme, nuk mundnin, pra, edhe nuk kërkuan
t’i shfrytëzonin vështirësitë e Maqedonisë në interes të tyre.

Ndërkaq ka të ngjarë që nga mesi i shek. III p.e.sonë ose pak më parë
shteti ilir të ketë njohur një periudhë trazirash të brendshme,
hollësitë e të cilave nuk njihen mirë. Nuk është çudi që zhvillimi i
vrullshëm i qyteteve të veriut, të mbetura jashtë konflikteve luftarake
që prekën pjesën jugore të shtetit ilir bashkë me qytetet e tij, të ketë
ndryshuar raportin e forcave dhe të ketë ndikuar apo të jetë bërë bazë e
ndryshimeve politike që pasqyrohen vetëm në zëvendësimin e dinastisë
sunduese të Glaukisë me atë të Agronit dhe në shkëputjen e dy qyteteve
të rëndësishme të Adriatikut Lindor, të Dyrrahut e të Apolonisë, nga
shteti ilir.
Geri
Geri
Fondatore St@ff Forum
Fondatore St@ff Forum

<b>Postime</b> Postime : 19707
 <b>Piket</b> Piket : 23805
Regjistruar : 21/04/2009
 <b>Mosha</b> Mosha : 35
 <b>Vendbanimi</b> Vendbanimi : Ne qytetin e dashur Tirone

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Shtetet Ilire Empty Re: Shtetet Ilire

Mesazh nga Geri Thu 4 Mar 2010 - 8:42

K R E U V

SHTETI ILIR - FUQI MESDHETARE.

LUFTËRAT KUNDËR ROMËS
(231 - 168)



Në historiografinë moderne është bërë zakon që shtetin ilir të mesit të
shek. III ta quajnë shteti ardian. Studiuesit që e pagëzuan me këtë emër
ia atribuojnë formimin e këtij shteti fisit të ardianëve. Sipas tyre,
ky fis, i shtyrë nga keltët që vinin nga veriu u bart gjatë shek. IV në
bregun e djathtë të Naronës, përballë ishullit Far, në jug të dalmatëve;
pa i braktisur këto krahina, aty nga mesi i shek. III p.e.sonë në kohën
e sundimit të Pleuratit, atit të Agronit, ardianët zbritën gjatë
bregdetit deri thellë në jug. Nën goditjet e ardianëve, sipas këtyre
studiuesve, ranë mbretëritë e vjetra të enkelejve dhe të taulantëve dhe
ardianët u imponuan pushtetin e tyre gjithë fiseve të Ilirisë së Jugut; u
krijua kështu një mbretëri e re, shumë më e gjerë sesa të parat, që
shtrihej nga kufijtë e Epirit deri përtej Naronës në veri.

Kjo tezë, ndonëse përfaqësonte mendimin më të përhapur, nuk mbeti pa u
kundërshtuar. Studiues të tjerë vunë në dyshim rolin e ardianëve në
formimin e shtetit dhe u përpoqën që t’i zëvendësonin ata me labeatët,
të cilët kishin një pozitë qendrore në mbretëri ndaj asaj periferike të
ardianëve. Nuk u pranua gjithashtu origjina ardiane e dinastisë
themeluese të Agronit, e cila u kërkua përsëri te labeatët; u vu në
dukje me të drejtë, se Agroni njihej si mbret i ardianëve, vetëm te
historiani Dion Kasi, një burim i vonë i shekullit II të erës sonë,
kurse autorë të tjerë, më të hershëm e më të besueshëm, e përmendin si
një mbret të ilirëve. Më në fund u përjashtua mundësia e lindjes së
këtij shteti, si rrjedhojë e pushtimeve të një fisi dhe u paraqit si
krijesë e një grupi sundimtarësh, të cilët bashkuan fise që kishin
interesa të përbashkëta dhe lidhje afërie me dinastinë pushtuese.

Me gjithë ndryshimet që paraqesin pikëpamjet e shqyrtuara, ato bashkohen
në vështrimin që i bëjnë thelbit të çështjes: formacioni politik për të
cilin bëhet fjalë paraqitet si një shtet fisnor dhe si një vepër
personale e një sundimtari, qoftë ky Pleurati apo i biri i tij, Agroni.
Teza mbi zhdukjen pas vitit 270 të mbretërisë së enkelejve dhe të
taulantëve dhe formimi rreth mesit të shek. III p.e.sonë i një mbretërie
ardiane shumë më të gjerë e më të fuqishme se të parat paraqitet sot si
një trajtesë mekanike. Me të drejtë është vënë në dukje se kësaj teze i
mungon argumentimi historik dhe se e ashtuquajtura mbretëri e enkelejve
është një krijesë e historiografisë moderne.

Nga ana tjetër, shteti ilir i mesit të shek. III shihet si një dukuri
krejt e re në botën ilire. Sipas autorëve të kësaj pikëpamjeje ilirët
nuk njihnin më parë veçse një rend fisnor dhe vetëm pas mesit të shek.
III u krijua ky “entitet politik krejtësisht i ri”. Analiza objektive e
burimeve tregon se mbretëria e Agronit është trashëgimtare e
drejtpërdrejtë e shtetit të mëparshëm ilir, pa asnjë ndërprerje në
traditën e vet politike. Qendra e këtij shteti ka qenë më në jug se sa
pranohet dhe bërthamën e tij kryesore e përbënin tokat e shtetit të
vjetër ilir, të cilat gjatë konfliktit me Romën u bënë teatri i
veprimeve më të rëndësishme ushtarake. Ardianët banonin gjithashtu më në
jug; sipas autorëve antikë ata nuk janë veçse një nga popullsitë e
rëndësishme që bënin pjesë në shtetin ilir dhe nuk u njihet ndonjë rol i
veçantë në formimin e mbretërisë së Agronit. Përfshirja e tyre në
përbërjen e shtetit ilir ndodhi, sikurse është vënë në dukje me të
drejtë, në drejtim të kundërt nga ai i pranuar, nëpërmjet shtrirjes së
këtij shteti në veri.

Burimet tregojnë qartë se banorët e këtij shteti quhen si më parë
“ilirë”, vendi “Iliri” dhe sundimtarët “mbretër ilirë”.
Meqë në jetën politike të shtetit ilir nuk ka pasur asnjë ndërprerje,
dinastia e Agronit duhet të ketë qenë e re dhe me origjinë veriore.
Midis asaj dhe sundimtarëve të mëparshëm nuk ka pasur asnjë lidhje. Ka
të ngjarë që në mesin e shek. III p.e.sonë ose pak më parë, shteti ilir
të ketë njohur një periudhë trazirash të brendshme, hollësitë e të
cilave nuk i dimë. Nuk është çudi që zhvillimi i vrullshëm i qyteteve të
Veriut, të mbetura jashtë konflikteve luftarake që prekën pjesën jugore
të shtetit ilir bashkë me qytetet e tij, të ketë ndryshuar raportin e
forcave dhe të ketë ndikuar apo të jetë bërë bazë e ndryshimeve politike
që pasqyrohen vetëm në ndryshimin e dinastisë sunduese dhe në
shkëputjen e dy qyteteve të rëndësishme të Adriatikut Lindor, Dyrrahut e
Apolonisë, nga shteti ilir.

Historia e 60 vjetëve të fundit (231-168 p.e.sonë) të shtetit ilir është
kryesisht historia e luftërave me Romën. Ngjarjet që u zhvilluan në
prag të këtyre luftërave janë vetëm një prelud i tyre. Megjithatë këto
janë një dëshmi e rëndësishme për vendin që zinte ky shtet midis fuqive
të tjera të Ballkanit dhe për rolin e tij historik në ngjarjet politike
të kohës.

Burimi më i rëndësishëm për këto luftëra është vepra e historianit grek
Polibi. Por, kjo vepër e shek. II p.e.s., që përfaqëson një histori të
përgjithshme, përshkohet nga një tendenciozitet dhe subjektivizëm i
theksuar, ku nuk fshihet simpatia ndaj Romës. Historia e ilirëve, ashtu
sikurse në përgjithësi historia e kundërshtarëve politikë të Romës,
paraqitet e shtrembëruar. Qëllimi kryesor i Polibit është të justifikojë
në këtë vepër pushtimet romake, të cilat i quan të drejta, të nevojshme
dhe të dëshirueshme nga popullsitë vendase. Për Polibin këto pushtime
ishin të pashmangshme, sepse “fati i kishte caktuar Romës misionin të
sundojë botën”. Një pjesë e burimeve që ka përdorur Polibi vjen nga
historiani më i lashtë romak Fabi Piktor dhe, sipas një mendimi të
përgjithshëm, ka karakter thjesht propagandistik.

Burimet e tjera për këtë periudhë, duke qenë nën ndikimin e një tradite
të korruptuar rëndë paraqiten më të pasakta. Kjo vihet re në radhë të
parë tek Livi, i cili i kushton më tepër vëmendje efektit retorik e
moralizues sesa të vërtetës historike. Për hir të paraqitjes së bukur
dhe tërheqëse të ngjarjeve, ai shpeshherë sakrifikon këtë të vërtetë.
Tregimet e tij janë të veshura me petkun moralizues dhe në mjaft raste
me hollësi fantastike.
Shumë të pasigurta janë edhe njoftimet e shkrimtarëve të tjerë, Dion
Kasi e Apiani, që përfaqësojnë ritransmetime të cunguara, dhe më tepër
të pasakta të tradicionit të vjetër.
Geri
Geri
Fondatore St@ff Forum
Fondatore St@ff Forum

<b>Postime</b> Postime : 19707
 <b>Piket</b> Piket : 23805
Regjistruar : 21/04/2009
 <b>Mosha</b> Mosha : 35
 <b>Vendbanimi</b> Vendbanimi : Ne qytetin e dashur Tirone

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Shtetet Ilire Empty Re: Shtetet Ilire

Mesazh nga Geri Thu 4 Mar 2010 - 8:42

1. NGJARJET NË PRAG TË LUFTËS ME ROMËN



Aleanca iliro-maqedone.

Sulmi kundër Medionit


Në vitet 30 të shek. III p.e.sonë shteti ilir kishte arritur kulmin e
fuqisë së vet. Polibi thotë se “Agroni, mbreti i ilirëve dhe i biri i
Pleuratit, kishte një fuqi detare dhe tokësore shumë më të madhe nga ajo
që kishin pasur mbretërit e mëparshëm të Ilirisë”. Kufijtë e shtetit të
tij përfshinin një trevë të gjerë që nga Narona deri në Aoos me
përjashtim të Dyrrahut e të Apolonisë. Qytetet e veriut, Lisi, Skodra,
Ulqini e Rizoni, me limanet e gjiret e tyre të mbrojtura, strehonin
flotën e fuqishme ilire dhe përbënin bazën e shtetit ilir.

Ndër fqinjët e shtetit ilir vetëm Mbretëria Dardane ishte në ngjitje,
ndërsa vendet jugore jetonin ditë të vështira. Epiri, Maqedonia dhe
Greqia ishin të kapërthyera nga luftërat e ashpra socialo-politike dhe
rivaliteti midis tyre. Në mesin e shek. III pozita e Maqedonisë ishte
lëkundur përsëri. Përpjekjet e Antigon Gonatës për të ruajtur
hegjemoninë e saj në Greqi nuk sollën rezultatet e pritura. Pasardhësi i
tij Demetri II u gjet në një situatë edhe më të vështirë. Lëvizja
antimaqedone ishte forcuar, sepse më në fund dy lidhjet e mëdha greke,
ajo Etole dhe Ahease ishin bashkuar kundër Maqedonisë. Përmbysja e
monarkisë në Epir (viti 234) dhe dalja e këtij vendi nga aleanca me
Maqedoninë për t’u bashkuar me koalicionin republikan, antimaqedon, e
rëndoi edhe më shumë gjendjen. Raporti i forcave ndryshoi në dëm të
Maqedonisë.

Në vitin 231 të dy lidhjet e shtuan presionin e tyre ushtarak mbi
Maqedoninë, duke ndërhyrë me forca të armatosura kundër Akarnanisë, një
vend i vogël që gëzonte mbrojtjen e Maqedonisë. Pothuajse në të njëjtën
kohë një sulm i furishëm dardan i pavarur apo i bashkërenduar, shpërtheu
mbi Maqedoninë nga veriu. I ndodhur ngushtë, si rrallë ndonjëherë,
Demetri kishte nevojë për aleat dhe këtë e gjeti te sundimtari i shtetit
ilir, Agroni.

Kushtet e marrëveshjes nuk pasqyrohen në burimet historike të kohës.
Versioni i Polibit, që është edhe burimi i vetëm për këtë çështje, sipas
të cilit se Demetri ia mbushi mendjen Agronit me të holla për të
ndihmuar qytetin akarnan Medionin, që mbahej i rrethuar nga etolët,
duket se shpreh tendencën e këtij autori për t’u rezervuar ilirëve një
pozitë të padenjë. Ngjarjet konkrete që u zhvilluan pas kësaj e sqarojnë
më mirë politikën e shtetit ilir, si edhe domethënien e përmbajtjen e
kësaj marrëveshjeje.

Sidoqoftë një aleancë midis Maqedonisë dhe Ilirisë qe përfunduar dhe ajo
i vinte këto dy shtete kundër koalicionit republikan në Greqi dhe
kundër rrezikut që vinte prej tij. Ky rrezik qe bërë real në Epir dhe
mund të ndikonte keq edhe përtej kufijve të tij. Ky ishte shkaku i kësaj
aleance, për hir të së cilës Maqedonia do të sakrifikonte, siç do ta
shohim, disa nga interesat e saj në Epir dhe në brigjet e Jonit, për të
kënaqur aspiratat ilire në këto anë.
Aleanca hyri në veprim; ndërsa Demetri ishte i zënë me dardanët, një
flotë ilire prej 100 anijesh me 5 000 veta u dërgua nga Agroni kundër
etolëve në Medion. Etolët, që e mbanin të rrethuar qytetin, prisnin
dorëzimin e tij nga çasti në çast. Ata ishin aq të sigurt saqë kishin
filluar të bënin llogaritë për ndarjen e plaçkës. Të shkujdesur nga çdo
problem i karakterit ushtarak, etolët u gjetën përpara të papriturës së
hidhur. Ilirët që ishin futur në liman natën pa u ndjerë, zbritën me të
shpejtë nga anijet dhe pasi u rreshtuan në formacion luftarak u sulën
kundër lëmit etol. Ilirët ditën ta maskojnë mirë lëvizjen e flotës së
tyre të madhe dhe të hyjnë në gjirin e Ambrakisë, pa u diktuar.

Por edhe sikur të kishte ndodhur ndryshe, asnjëra nga flotat e dobësuara
greke nuk qe në gjendje t’u dilte atyre përpara. Duke përshkruar këtë
fushatë, Polibi i atribuon një rol të veçantë befasisë në taktikën ilire
dhe qëndrimit të shkujdesur të armiqve të tyre. Në të vërtetë ruajtja e
fshehtësisë në lëvizjen e forcave, ashtu sikurse befasia janë elemente
të domosdoshme të taktikës luftarake. Por këta nuk qenë faktorët
kryesorë që vendosën fatin e betejës. Nga vetë zhvillimi i saj nuk është
vështirë të kuptohet se rolin vendimtar në këtë ndeshje e luajti
organizimi më i mirë i ushtrisë ilire dhe epërsia e saj taktike në
manovrimin e forcave. Pesha që kishte “rreshtimi i tyre” dhe përqendrimi
i forcës goditëse në pikën më të dobët të armikut, pohon Polibi, bënë
që ilirët të shkulnin armikun nga pozicionet e tij. Të thyer nga ilirët,
etolët u gjetën pas kësaj midis dy zjarreve. Medionasit, që deri
atëherë qëndronin të mbyllur në qytet, dolën dhe i ranë armikut në
shpinë. Të asgjësuar, etolët lanë në fushën e betejës shumë të vrarë e
të plagosur dhe gjithë pajisjet e tyre luftarake.

Përshtypja që bëri në Greqi kjo ngjarje qe shumë e madhe. Ushtria që
mbahej si më e forta ndër ushtritë greke, që krenohej me traditat e saj
luftarake, për fitoren mbi galët në vitin 270 dhe që për gati 10 vjet me
radhë i kishte shkaktuar kaq telashe Demetrit II të Maqedonisë, kishte
marrë papritur një grusht dërrmues. Jo më i vogël qe edhe shqetësimi që
ngjalli në botën greke kjo ngjarje, që nuk dihej se ç’pasoja mund të
kishte. Por ilirët nuk kishin detyrë tjetër këtë radhë veç zhbllokimit
të Medionit, gjë që u dha mundësi të izolonin Epirin nga kontakti me
etolët, duke përgatitur kështu kushtet për një ndërhyrje të gjerë në
këtë vend. Pas përfundimit të betejës ata ngarkuan menjëherë plaçkën në
anijet e tyre dhe morën rrugën e kthimit. Në atdhe fitorja mbi etolët u
kremtua me të madhe dhe Polibi tregon se mbreti Agron u dha aq shumë pas
të pirit dhe dëfrimeve saqë ato i shkaktuan vdekjen.
Geri
Geri
Fondatore St@ff Forum
Fondatore St@ff Forum

<b>Postime</b> Postime : 19707
 <b>Piket</b> Piket : 23805
Regjistruar : 21/04/2009
 <b>Mosha</b> Mosha : 35
 <b>Vendbanimi</b> Vendbanimi : Ne qytetin e dashur Tirone

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Shtetet Ilire Empty Re: Shtetet Ilire

Mesazh nga Geri Thu 4 Mar 2010 - 8:43

Fushata e vitit 230 kundër Epirit


Trashëgimi në fron i takonte të birit, Pinit, që Agroni e kishte me
gruan e dytë, Triteutën. Meqë ky ishte i mitur, sundimin e mori në dorë
bashkëshortja e tij e parë, Teuta. A ishte ky një veprim i ligjshëm apo
një uzurpim nuk dihet me saktësi, por ardhja e saj në fuqi paraqet një
rast të veçantë në të drejtën e trashëgimisë. Mundet që paaftësia e së
ëmës t’i ketë lënë vendin thjeshtrës; mundet gjithashtu që në vijën
mashkullore të mos ketë pasur një tjetër më të afërt me trashëgimtarin e
ligjshëm, por më shumë ka të ngjarë që thjeshtra energjike nuk donte
t’ia kalonte këtë të drejtë një dege tjetër të familjes mbretërore, e
cila mund të sillte më vonë ndërlikime në fatin e pinjollit të Agronit.
Sidoqoftë ardhja e saj në fuqi nuk u bë në rrugë të zakonshme dhe vdekja
e papritur e Agronit, ka të ngjarë të ketë krijuar në oborrin ilir një
gjendje të nderë. Por çështja gjeti zgjidhjen e vet. E përkrahur nga
përfaqësuesit më të fuqishëm të shtresës sunduese ilire, “miqtë” e
mbretit, ajo u vu në krye të shtetit dhe me ta “ushtroi - siç thotë
Polibi, - drejtimin e punëve”.

Teuta nuk e ndryshoi politikën e jashtme të shtetit ilir dhe veprimtaria
e mëtejshme e tij u zhvillua në frymën e aleancës së farkëtuar nga
Agroni me Maqedoninë. Në vitin 230, një vit pas fitores mbi Medionin,
një forcë ushtarake dhe detare ilire, “jo më e vogël se ajo e Agronit”, u
vu përsëri në lëvizje drejt jugut. Këtë radhë ajo kishte si objektiv
kryesor aleatin verior të etolëve dhe aheasve, Epirin. Njëkohësisht
flota ilire kishte marrë urdhër të konsideronte troje armike gjithë
anëdetjen dhe t’i shtrinte veprimet deri thellë në Elidë dhe në Meseni,
krahina që ishin nën ndikimin etol. Me këtë aksion flota do të mbante
nën presion armikun deri në skajet më të largëta dhe do të përcaktonte
qëndrimin e shtetit ilir ndaj aleatëve të etolëve e të aheasve, kurse
forcat kryesore do të godisnin nga deti dhe nga toka objektivin kryesor,
Epirin.

Forcat detare ilire zbritën në afërsi të kryeqendrës së Lidhjes
Epirote, Foinikes, dhe u drejtuan kundër saj. Pasi bindën mercenarët
galë t’u dorëzonin qytetin, e zunë atë pa vështirësi. Epirotët të
shqetësuar dërguan forcat e tyre në ndihmë të Foinikes. Por pa arritur
mirë të vendosin lëmin e tyre buzë lumit, që rrjedh pranë qytetit
(Bistrica e sotme), morën vesh se një ushtri tjetër ilire prej 5 000
vetash, nën komandën e Skerdilaidit, ishte drejtuar kundër tyre, duke
kaluar nëpër ngushticën e Antigonesë (gryka e Tepelenës). Forcat epirote
që u dërguan kundër tyre nuk e ndaluan dot marshimin ilir. Ndërkaq
ilirët që kishin zënë Foiniken ndërmorën një sulm të fuqishëm kundër
lëmit epirot që ndodhej në anën e përtejme të lumit (Bistricës).
Epirotët u shpartalluan plotësisht, duke lënë në fushë të luftës shumë
të vrarë e të plagosur; vetëm një pjesë mundën të shpëtojnë e të ikin
tek atintanët. Por edhe këtë radhë dështimin e epirotëve Polibi e
shpjegon me befasinë e goditjes ilire dhe shkujdesjen e armiqve të tyre.

Pas këtij dështimi epirotët e humbën çdo shpresë në fuqitë e veta dhe iu
drejtuan për ndihmë aleatëve të tyre etolë e aheas. Ndihma nuk vonoi
t’u jepej dhe forcat e të dy lidhjeve arritën në vendin e quajtur
Helikanon (një vend i paidentifikuar) diku në pellgun e Vurgut. Këtu
erdhën dhe pushtuesit e Foinikes bashkë me forcat e Skerdilaidit, që
duhet të kenë ndjekur rrugën më të shkurtër nga qafa e Skarficës për të
arritur në Foinike. Të dyja palët u radhitën përballë njëra-tjetrës, por
nuk arritën të përleshen, sepse, siç thotë Polibi, ilirët morën urdhër
nga Teuta të tërhiqeshin nga Epiri, për t’u dalë përpara dardanëve që po
sulmonin nga lindja dhe për të qetësuar disa nga fiset që ishin
bashkuar me ta.

Sa qe real dhe serioz ky rrezik dardan nuk mund të thuhet, por fakti
është se ilirët nuk u shqetësuan shumë dhe nuk u shpejtuan të largohen
nga Epiri pa i rregulluar mirë punët e tyre. Ata përfunduan më parë një
armëpushim me epirotët, në bazë të të cilit u kthenin atyre qytetin dhe
robërit që ishin qytetarë të lirë, kundrejt një shpërblimi, kurse
skllevërit dhe plaçkën i mbajtën për vete. Ushtria dhe flota morën
rrugën e kthimit duke marrë me vete, me sa duket, edhe premtimin për një
aleancë të ardhme. Dhe me të vërtetë kjo nuk vonoi të përfundohet.
Përfaqësuesit epirotë arritën me të shpejtë te mbretëresha ilire dhe
përfunduan me të një aleancë, duke marrë përsipër të ndihmonin ilirët
dhe të jenë armiq të etolëve dhe të ahejve. Po këtë gjë bënë edhe
akarnanët, të cilët kishin ardhur së bashku me epirotët. Rezultati u
arrit: Epiri u shkëput nga etolët dhe aleanca me akarnanët krijoi tani
një kufi të largët, por të drejtpërdrejtë midis lidhjeve greke dhe
shtetit ilir.



Shqetësimet në Romë. Përgatitjet për luftë




Shqetësimet në Greqi qenë të mëdha, por më të mëdha ishin ato në Romë.
Reagimi romak është transmetuar në dy versione. Versioni i parë i përket
Polibit. Sipas tij, në këtë kohë senati dërgoi te mbretëresha ilire dy
delegatë për t’u ankuar kundër sulmeve të piratëve ilirë, të cilët prej
kohësh u binin në qafë tregtarëve italikë, por që e kishin tepruar
sidomos gjatë fushatës kundër Foinikes. Bisedimet përfunduan në grindje
dhe fyerje, që çuan në vrasjen, me urdhrin e Teutës, të njërit prej
delegatëve, gjatë rrugës duke u kthyer. Bisedimet janë dhënë me hollësi
megjithatë vërtetësia e tyre është e dyshimtë. Teutës, i është veshur
një qëndrim mendjelehtë prej gruaje, që me të drejtë është konsideruar
si një formulim tipik i huajtur nga historiografia helenistike e llojit
sensacional.

Versioni i dytë, ai i Apianit, ndryshon shumë prej atij të Polibit.
Sipas tij Agroni kishte pushtuar disa vise të Epirit dhe Korkyrën,
pastaj Epidamnin dhe Farin dhe kishte vendosur garnizone në to. Por meqë
zuri të sulmojë me flotën e tij edhe vise të tjera, ishulli Isa kërkoi
ndihmën e romakëve. Këta atëherë dërguan delegatë së bashku me isejtë,
por delegatëve u dolën në det anijet ilire dhe vranë përfaqësuesin e
Isës dhe një romak. Pra në versionin e dytë motivi nuk është aspak
pirateria, por mbrojtja e Isës dhe e qyteteve të tjera të bregdetit;
delegatët vriten, por pa arritur të zhvillojnë bisedime dhe Teuta nuk
zihet aspak në gojë.

Sidoqoftë në të dy rastet, sipas këtyre burimeve, Romës i bëhej një
fyerje dhe shkelej “e drejta njerëzore”. Ky ishte motivacioni me të
cilin do të nxitej opinioni publik dhe do të justifikoheshin veprimet e
mëtejshme të Republikës, një motivacion banal, të cilin politika romake
do ta përsëriste të paktën edhe një herë tjetër më vonë kundër ilirëve
dalmatë. Por këtë herë prej gojës së Polibit mësojmë, për çudi, se
romakët u shpallën luftë dalmatëve për t’i nënshtruar, “por përpara
popujve të tjerë hiqeshin se e bënin këtë për shkak të sjelljes së keqe
të dalmatëve kundrejt përfaqësuesve të tyre”.
Roma filloi të përgatitej haptazi për luftë. Edhe mbretëresha ilire nga
ana e saj nuk vonoi të marrë masa mbrojtëse. Më parë ajo u kujdes për
forcimin e rendit të brendshëm dhe qetësoi fiset që qenë shkëputur pas
sulmit dardan. Por vëmendjen kryesore Teuta ia kushtoi sigurimit të
bregdetit. Ajo e dinte se në gjendjen e krijuar një pozitë me rëndësi
zinin Isa në veri, Korkyra në jug dhe dy qytetet e mëdha të bregdetit,
Dyrrahu e Apolonia. Ishte e qartë se këto ishin pikat më delikate që do
të synonte armiku dhe zotërimi i tyre do të luante një rol të dorës së
parë për fatin e luftës. Prandaj mbretëresha shpejtoi të vërë dorë mbi
to.

Isa u sulmua e para, por meqenëse nuk u dorëzua, ilirët vendosën
bllokadën e saj. Pak më vonë, në pranverë të vitit 229, një ekspeditë e
madhe u vu, njëkohësisht në lëvizje, kundër Epidamnit dhe Korkyrës.
Ndërsa shumica e flotës vazhdoi lundrimin drejt jugut, një pjesë e saj u
ndal në Epidamn. Orvatja për pushtimin e qytetit dështoi. Atëherë
ilirët u tërhoqën në anijet e tyre dhe pasi dolën në det të hapur, u
bashkuan përsëri me forca të tjera për të vazhduar lundrimin drejt
Korkyrës. Sapo mbërritën këtu, forcat ilire zbarkuan dhe rrethuan
qytetin. Korkyrasit e rrethuar kërkuan ndihmën e etolëve dhe të aheasve.
Në të njëjtën kohë erdhën për të kërkuar ndihmë tek ata edhe delegatë
nga Epidamni dhe Apolonia. Kërkesa u mor parasysh.

Flota ahease prej 10 anijesh të mëdha lufte nxitoi drejt Korkyrës.
Ilirët, si morën dhe 7 anijet që u kishin dërguar akarnanët, sipas
marrëveshjes, u dolën ahejve përpara. Ndeshja u zhvillua afër ishullit
Paksos. Flota ahease u shpartallua. Katër anije u kapën dhe një e pestë u
fundos, të tjerat u detyruan të sprapsen me shpejtësi për t’i shpëtuar
fatit të të parave. Lembet e lehta e të shpejta ilire vendosën fatin e
kësaj beteje. Të përdorura me guxim e shkathtësi nga detarët ilirë, ata
triumfuan mbi anijet e rënda katër e pesërremëshe greke. Pas kësaj
Korkyra iu dorëzua ilirëve. Si morën në dorëzim qytetin, ilirët lanë
këtu një garnizon nën komandën e Demetër Farit, kurse forcat kryesore u
kthyen dhe bllokuan përsëri Dyrrahun.
E tillë ishte gjendja kur forcat e paftuara romake u nisën kundër
Ilirisë.
Geri
Geri
Fondatore St@ff Forum
Fondatore St@ff Forum

<b>Postime</b> Postime : 19707
 <b>Piket</b> Piket : 23805
Regjistruar : 21/04/2009
 <b>Mosha</b> Mosha : 35
 <b>Vendbanimi</b> Vendbanimi : Ne qytetin e dashur Tirone

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Shtetet Ilire Empty Re: Shtetet Ilire

Mesazh nga Geri Thu 4 Mar 2010 - 8:43

2. LUFTA E PARË ILIRO-ROMAKE



Shkaqet e luftës. Veprimet ushtarake


Problemi i ndërhyrjes romake në Iliri ka qenë për historiografinë një
tezë e parapëlqyer, rreth së cilës janë zhvilluar mjaft diskutime.
Pikëpamja që ka qenë për një kohë të gjatë më e pranuar është se shkaku
kryesor i kësaj ndërhyrjeje ka qenë pirateria ilire, që i sillte dëme të
rënda tregtisë italike. Duke përsëritur Polibin, kjo ndërhyrje u
paraqit si një konflikt që iu imponua senatit romak, në kundërshtim me
vullnetin e tij, “për të frenuar veprimet e sundimtares mendjelehtë
ilire”. Tezës që e shikonte ndërhyrjen romake si pjesë të një plani për
një ekspansion më të gjerë në lindje iu kundërvu versioni se Roma as në
këtë kohë e as më parë nuk ka pasur një politikë orientale. Më vonë kjo
teori u përsërit dhe në ditët tona. Pasues të saj i atribuojnë monarkisë
ardiane një “rol organizues” që i dha piraterisë ilire “pamjen e një
imperializmi fillestar” dhe si pasojë bëri që “zgjerimi ilir të ndeshet
me interesat romake”.
Është e rëndësishme të sqarohet në këtë rast nëse ishte pirateria ilire
ajo që çoi në konfliktin iliro-romak dhe që bëri të pashmangshme luftën
apo shkaqe të tjera më të thella.

Pirateria lindi dhe u zhvillua tek ilirët, ashtu sikurse dhe te popujt e
tjerë të Mesdheut, në një stad të caktuar të zhvillimit të tyre
historik. Kështu, burimet i përshkruajnë etruskët, në gjysmën e dytë të
shek. IV, si një popull që terrorizonte lundrimin në Adriatik dhe në
Egje; etolët në shek. III kishin gjithashtu një nam të keq si piratë.
Edhe vetë romakët, pretenduesit e mbrojtjes së rendit, e kanë ushtruar
piraterinë në prag të erës sonë. Tek ilirët ajo luajti një rol të
dukshëm qysh nga fundi i shek. IV. Ky mendim pajtohet si me njoftimet e
autorëve antikë, ashtu dhe me vetë zhvillimin shoqëror e politik të
ilirëve në këtë kohë. Pirateria ishte një dukuri e pandarë e shoqërisë
skllavopronare, që e shoqëroi atë në forma të ndryshme gjatë gjithë
ekzistencës së saj.

Por veprimet ilire që përshkruan Polibi dhe që kanë të bëjnë me ngjarjet
në prag të konfliktit të armatosur me Romën, nuk kanë aspak karakter
piratesk. Ato ishin pjesë e politikës së shtetit ilir lidhur me gjendjen
e krijuar në Greqi. Prandaj përpjekja e studiuesve për t’i shpjeguar
shkaqet e ndërhyrjes romake me anë të piraterisë ilire nuk është e
përligjur. Nuk kanë munguar orvatjet për të kërkuar shkakun e luftës
edhe te “frika e zakonshme e romakëve ndaj fqinjit të fortë”. Por edhe
ky nuk është një shpjegim i plotë. Ndërhyrja e Romës lidhej në rastin
konkret me rrezikun që paraqiste ky fqinjë i fortë, aleati i Maqedonisë
për aspiratat e saj në kushtet e një Greqie të dobësuar nga lufta e
brendshme.

Sukseset në perëndim e kishin rritur oreksin e qarqeve sunduese
skllavopronare romake dhe e kishin bërë më të fuqishme tendencën për të
mos e ndarë sundimin e Mesdheut me fuqi të tjera, kurse dalja e shtetit
ilir në arenë u shkonte ndesh këtyre tendencave. Midis kontradiktave të
thella që kishin përfshirë në këtë kohë botën mesdhetare, ato të shtetit
ilir me Romën dolën në plan të parë dhe shkaktuan konfliktin e
armatosur të vitit 229. Në të ardhmen këto kontradikta do të thellohen e
do të shtrihen gjithnjë më në lindje, duke sjellë me vete konflikte të
reja të armatosura.

Që nga sulmi kundër Foinikes deri tek ardhja e delegatëve kishte kaluar
një vit. Megjithatë, kjo çështje ziente qysh prej 2 vjetësh, nga ngjarja
e Medionit. Gjatë kësaj kohe Roma kishte arritur të bënte, siç e pamë,
hapat e nevojshëm diplomatikë për përgatitjen e opinionit publik. Ishin
grumbulluar gjithashtu forca të konsiderueshme ushtarake, të cilat në
rastin e rënies së Korkyrës u vunë menjëherë në lëvizje. Një flotë prej
200 anijesh dhe një ushtri prej 20 000 këmbësorësh do të merrte pjesë në
këtë operacion, të cilin do ta drejtonin dy konsujt që ishin në fuqi
atë vit. Kjo tregon se sa i madh ishte preokupacioni i romakëve për
fushatën ilire dhe sa të ndërgjegjshëm ishin ata për vlerën reale të
kundërshtarit të tyre. Nuk ishte kjo, pra, një çështje kaq e lehtë dhe e
thjeshtë, siç është bërë zakon të paraqitet.

Por zhvillimi i ngjarjeve tregon se mbretëresha nuk arriti t’i dalë
rrezikut përpara. Qytetet e mëdha të bregdetit, Dyrrahu, Apolonia dhe
Korkyra, të cilat do të përbënin pikëmbështetjet kryesore të mbrojtjes,
kishin mbajtur një qëndrim negativ. Plani për pushtimin me forcë të tyre
nuk pati sukses. Kur romakët iu drejtuan Korkyrës, flota dhe forcat
ilire ishin të shpërndara dhe të angazhuara në bllokadën e Dyrrahut dhe
të Isës. Garnizoni ilir i Korkyrës kishte mbetur i izoluar dhe kësaj iu
shtua tradhtia e Demetër Farit. Romakët, që edhe kështu kishin ardhur me
forca të mëdha (200 anije), i gjetën portat e hapura dhe e zunë qytetin
pa vështirësi. Forca të tjera të nisura nga Brindisi dhe ato të
Korkyrës, pasi u bashkuan, iu drejtuan Apolonisë e më pas Dyrrahut dhe i
zunë po me kaq lehtësi. Shtresa sunduese e këtyre qyteteve, e cila e
kishte përcaktuar pozitën e vet që më parë, i mirëpriti pushtuesit; ajo u
tregua e gatshme të hyjë në ombrellën romake mjaft që të ruante pozitat
e veta dhe të siguronte pasurinë e tregtinë.

Këtë politikë ndoqi edhe aristokracia parthine e atintane, e cila ishte e
lidhur ngushtë me interesa ekonomike me qytetet fqinje, Dyrrahun dhe
Apoloninë, ajo shpejtoi gjithashtu, siç thotë Polibi, “t’u nënshtrohej
me dashje” romakëve dhe të sigurojë “miqësinë e tyre”.

Të mbështetur në planin fillestar të mbrojtjes së vijës bregdetare,
ilirët nuk qenë në gjendje dhe nuk patën kohë të organizonin një
qëndresë serioze. Vetëm në krahinat në veri të Dyrrahut romakët ndeshën
në kundërshtimin ilir. Këtu ardianët i pritën me armë në dorë. Polibi
nuk jep hollësira për luftën e tyre, thotë vetëm se i “i nënshtruan”,
por këtë radhë nuk përdor më shprehjen “me dashje” si në rastin e
parthinëve dhe atintanëve. Ai nuk ka mundur, gjithashtu, të heshtë për
qëndresën e fortë të qytetit Nutria, pushtimi i të cilit u kushtoi
romakëve shumë ushtarë dhe oficerë të vrarë. Duke përparuar drejt veriut
gjatë bregdetit, thuhet se romakët morën edhe qytete të tjera, por
emrat e tyre nuk zihen në gojë. Dimë që Isën e bllokuan romakët dhe
ilirët, që e mbanin të rrethuar, u strehuan në qytetin Arbone, kurse
Teuta me forca të vogla u mbyll në qytetin e fortifikuar të Rizonit.

Fushata e asaj vere thuajse e kishte zgjidhur përfundimisht fatin e
luftës. Viset e pushtuara në veri, konsujt i lanë nën mbikqyrjen e
Demetër Farit dhe vetë u kthyen në Dyrrah me flotën dhe forcat e tyre
tokësore. Njëri prej tyre u nis për në Romë duke marrë me vete pjesën më
të madhe të forcave; tjetri mbeti në Iliri me 40 anije dhe si rekrutoi
ushtarë në qytetet që ishin rreth e rrotull, vendosi ta kalojë aty
dimrin për të vigjëluar ardianët dhe popullsitë e tjera që ishin vënë
nën “mbrojtjen” e Romës.
Geri
Geri
Fondatore St@ff Forum
Fondatore St@ff Forum

<b>Postime</b> Postime : 19707
 <b>Piket</b> Piket : 23805
Regjistruar : 21/04/2009
 <b>Mosha</b> Mosha : 35
 <b>Vendbanimi</b> Vendbanimi : Ne qytetin e dashur Tirone

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Shtetet Ilire Empty Re: Shtetet Ilire

Mesazh nga Geri Thu 4 Mar 2010 - 8:43

Paqja e vitit 228 dhe pasojat e luftës së parë


Ndërkaq Mbretëria Ilire kishte filluar të shpërbëhej. Duke parë këtë
gjendje, në pranverë të vitit 228, Teuta dërgoi në Romë përfaqësuesit e
saj që përfundoi paqen me senatin. Kushtet e paqes qenë të rënda. Sipas
Polibit, Teuta detyrohej: 1. t’u paguante romakëve një tribut, 2. të
hiqte dorë nga pjesa më e madhe e Ilirisë duke mbajtur për vete vetëm
pak vende dhe 3. të mos lundronte në jug të Lisit me më shumë se dy
anije, por edhe këto të paarmatosura. Të formuluara me terma kaq të
përgjithshëm këto kushte janë bërë objekti i diskutimeve të shumta.
Përpjekjet që janë bërë për të shpjeguar ndryshimet territoriale që iu
bënë Mbretërisë Ilire dhe për të përcaktuar gjendjen juridike të tokave
të shkëputura prej saj kanë çuar në përfundime të ndryshme, të cilat në
ndonjë rast ishin të tilla që nuk mund të cilësohen as si hipoteza.

Për një kohë ka zotëruar një mendim, sipas të cilit, romakët i ndanë
pushtimet e tyre në dy pjesë. Në veri krijuan një shtet të vogël që
përbëhej nga ishulli i Farit dhe disa toka të bregdetit përballë. Në
krye të atij ata vunë tradhtarin Demetër Farin, me qëllim që të
vëzhgonte dhe të njoftonte për çdo veprim të Mbretërisë Ilire. Me tokat e
tjera të pushtuara në jug romakët krijuan një protektorat, që shtrihej
prej Lisit e deri tek malet Akrokeraune dhe ato Kaone. Në këtë
protektorat u përfshinë, përveç Dyrrahut, parthinëve dhe atintanëve,
edhe qytetet Dimale, Aulona, Oriku, Bylisi, Amantia e deri Antigonea e
largët. Këtyre u shtoheshin edhe ishujt Isa e Korkyra.

Ndryshe nga kjo pikëpamje, më realist është mendimi që nuk njeh ndonjë
teprim lidhur me të ashtuquajturin protektorat romak në Iliri. Me të
drejtë është vënë në dukje se ai nuk ka përbërë kurrë një rrip të
pandërprerë toke, që nga Lisi e deri te bregu kontinental përballë
Korkyrës, por ka qenë përbërë, ashtu si e nënkupton Polibi dhe e shpreh
Apiani, nga Apolonia, Dyrrahu dhe territoret e tyre, nga ishujt Korkyra,
Isa dhe nga parthinët e atintanët, pa asnjë territor më tepër nga ato
që i ishin dorëzuar Romës. Lisi, i cili në bazë të traktatit përbënte
një kufi detar, nuk pranohet edhe si kufi tokësor midis Mbretërisë Ilire
dhe protektoratit romak. Duke u nisur nga kjo është shprehur mendimi se
disa toka në jug të protektoratit mbetën përsëri nën vartësinë e
Mbretërisë Ilire, me gjithë vështirësitë që paraqiste kjo vartësi për të
qenë reale. Me këtë sistem, traktati i siguronte Romës lundrimin e qetë
në ngushticën e Otrantos dhe mbikqyrjen me anë të protektoratit të
Mbretërisë Ilire, duke i hequr kësaj çdo mundësi që të bëhej përsëri një
fuqi e madhe.
Kohët e fundit janë bërë përpjekje që këto mendime të zëvendësohen me
një tezë të re, sipas së cilës zotërimet romake kufizohen gjithashtu me
tokat e Dyrrahut, të Apolonisë, të parthinëve dhe të atintanëve, por
parthinët shtriheshin në luginën e mesme dhe të epërme të Shkumbinit,
kurse atintanët në Çermenikë. Kështu protektorati ngushtohet, por
shtrihet thellë në lindje. Rreth tij pastaj vendosen një sërë zonash të
pavarura, që shërbejnë, sikurse thuhet, si amortizatorë për zotërimet
romake.

Në veri të Dyrrahut deri në afërsi të Skodrës vendoset zotërimi i
Demetër Farit, që ndante protektoratin nga Mbretëria Ilire; në lindje
zotërimet romake, duke depërtuar thellë deri në burimet e Drinit të Zi,
ndanin mbretërinë ardiane nga aleatët e saj maqedonë dhe bllokonin
rrugët nga Maqedonia për në brigjet e Adriatikut; më poshtë Dasaretia,
që zinte territorin midis Devollit dhe Osumit, u bë gjithashtu një zonë e
pavarur dhe formoi një amortizator tjetër ndaj Maqedonisë; më në fund,
në jug zona që hyri në vartësinë e Romës përfundonte në territorin e
Apolonisë, që takonte bregun e Vjosës, por nuk përfshinte Aulonin,
Orikun, Bylisin dhe Amantien. Këto katër qytete formonin një grup të
pavarur ose neutral, me fjalë të tjera një amortizator tjetër ndaj
Lidhjes Epirote.

Është e pabesueshme që romakët të kenë projektuar dhe realizuar një
sistem të tillë mbrojtës, të paktën në mënyrë të ndërgjegjshme, siç na
paraqitet. Senati nuk mund të zbatonte një politikë jo realiste. Shtete
të tilla të vogla nuk mund të kishin një vlerë reale, sepse fuqitë që
qëndronin pas këtyre të ashtuquajturve amortizatorë nuk do t’i
përfillnin ato, nuk do t’i konsideronin si pengesë. Në fakt të gjitha
sulmet që shpërthyen më vonë prej Mbretërisë Ilire apo Maqedonisë kundër
zotërimeve romake nuk kanë ndeshur në pengesën e këtyre lloj shteteve
dhe nuk ka të dhëna që mbrojtja romake të jetë mbështetur në to. Përveç
kësaj, disa fakte të veçanta që përfshihen në këtë tezë janë krejt
arbitrare. Kështu, është e pabazuar vendosja e zotërimeve të Demetër
Farit në veri të Dyrrahut deri në afërsi të Skodrës dhe, po kështu, nuk
qëndron lokalizimi i atintanëve në Çermenikë.

Duke pranuar si të drejtë mendimin që zotërimet romake në tokën ilire
formoheshin nga Dyrrahu, Apolonia dhe parthinët e atintanët, mbetet
sidoqoftë e paqartë shtrirja territoriale e këtyre zotërimeve.
Përpjekjet për lokalizimin e parthinëve dhe të atintanëve nuk kanë dhënë
përfundime të kënaqshme. Në qoftë se për parthinët ka ardhur duke u
saktësuar mendimi që ata, si banorë të tokave në shpinë të Dyrrahut,
shtriheshin prej Ardaksanit e deri në Aps (Apsos), për atintanët
mendimet e studiuesve ende nuk përkojnë. Megjithatë, po t’i çlirojmë
këto pohime nga ndonjë interpretim jo i drejtë i burimeve dhe të lëmë
mënjanë si të dyshimta, ato burime që i shtrijnë atintanët deri në
Dodonën e largët apo në luginën e Drinos, atëherë do të vërejmë se
burimet kryesore e më të besueshme e vendosin këtë popullsi në shpinë të
Apolonisë, në Mallakastrën e sotme. Kështu, parthinët e atintanët së
bashku zinin gjithë bregdetin prej Ardaksanit deri në Aps (Apsos) me një
shtrirje në lindje që përfshinte edhe brezin kodrinor të ultësirës
bregdetare. Në këtë territor bënin pjesë një varg qytetesh ilire, midis
të cilave ka të ngjarë edhe Dimale, por jo Bylisi, që zinte skajin më
jugor.

Me vënien nën sundimin e tyre të tokave më të rëndësishme të bregdetit,
romakët likujduan kështu zotërimet e Mbretërisë Ilire në jug. Edhe në
qoftë se në këto anë mbeti ndonjë zonë që nuk u përfshi në zotërimet
romake, siç mund të ishte Bylisi me rrethin e afërt të tij, Dasaretia
apo ndonjë zonë tjetër e brendshme malore, ato në fakt mbetën të
shkëputura nga Mbretëria Ilire, me të cilën edhe më parë, për vetë
natyrën e shteteve antike, jo gjithmonë kishin lidhje të forta. Koinoni i
bylinëve, si një bashkim i popullsisë dhe i qendrave të vogla përreth,
që na përmendet në burimet epigrafike i takon, me sa duket, kësaj kohe.

Nga analiza e pikave të traktatit arrihet në përfundimin se Roma e
reduktoi shtetin ilir në një mbretëri të vogël në veri të Lisit. Në jug
ajo krijoi një zotërim të vetin që formohej nga Dyrrahu, Apolonia,
parthinët dhe atintanët. Këtë zotërim ajo do ta përdorte si një bazë për
të garantuar respektimin e traktatit dhe për të shtypur çdo përpjekje
për rimëkëmbjen e shtetit ilir. Zotërimet (dinasteia) e Demetër Farit
përbënin gjithashtu një kundërpeshë ndaj Mbretërisë Ilire në veri, kurse
krahinat apo qytetet e tjera të jugut, që mbetën të shkëputura nga kjo
mbretëri, u lanë të papërfillura me besimin që, si njësi të vogla,
favorizonin pozitën e Romës në këto anë. Ndalimi, sipas traktatit, i
lundrimit në jug të Lisit kishte për qëllim të kufizonte nga ana tjetër
fuqinë detare të Mbretërisë Ilire; për këtë do të shërbenin në mënyrë të
veçantë zotërimi i Isës dhe i Korkyrës. Kështu me anë të këtij traktati
Roma siguronte të gjitha masat e mundshme për ta dobësuar shtetin ilir
dhe për ta mbajtur atë nën kontroll, por jo për ta asgjësuar plotësisht.

Në marrëdhëniet me Romën Mbretëria Ilire mbeti, pas përfundimit të
traktatit, një shtet tributar. Është thënë se tributi ka qenë një
dëmshpërblim që do të paguhej me këste, megjithëse masa dhe mënyra e
shlyerjes së tij në traktat nuk përcaktohet. Gjendja juridike e qyteteve
dhe e popullsive që u përfshinë në zotërimet direkte të Romës nuk është
gjithashtu e qartë. Marrja e tyre nën të ashtuquajturën mbrojtje nga
Roma lejon të nënkuptohet se ato qenë vënë nën një lloj varësie. Ka
shumë të ngjarë që këto të jenë konsideruar nga ana formale si “aleatë”
apo “miq” që u lejohej e drejta e një vetadministrimi të kufizuar. Por
në fakt ato ishin të varurit e Romës dhe si të tillë nuk mund të hynin
në marrëdhënie të lira me shtetet e tjera. Përveç kësaj, ata ishin të
detyruar të pranonin në çdo kohë ushtritë romake dhe t’i furnizonin ato
me ushqime apo t’i plotësonin me kontingjente ndihmëse tokësore e
detare, siç ndodhi, qysh në vitin e parë të pushtimit, në dimrin e vitit
229/228 dhe më vonë. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për Demetër
Farin, që u vu në shërbim të Romës, si dinast i varur i një zotërimi të
vogël në ishullin e Farit dhe brigjet e Dalmatisë.

Gjatë konfliktit Maqedonia, Lidhja Epirote dhe Akarnania kishin mbajtur
një qëndrim që nuk pajtohej me detyrimet e tyre si aleatë të shtetit
ilir dhe me interesat e tyre politike në përgjithësi. Ky qëndrim
shpjegohet me një varg rrethanash. Sado me rezerva ta kenë parë këta
aleatë rritjen e fuqisë ilire, dalja e Romës në brigjet lindore të
Adriatikut nuk mund të ishte për ta më e mirë. Por, nga ana tjetër, nuk
shohim, të paktën burimet nuk na e thonë, që krahas masave mbrojtëse me
karakter ushtarak, shteti ilir të ketë marrë edhe masa për vënien në
lëvizje të aleatëve të tij. Duket qartë se ilirët, ashtu edhe aleatët e
tyre nuk arritën t’i përfundonin përgatitjet për t’i dalë përpara
rrezikut që po i kërcënonte.

Jo vetëm kaq, por vetë Maqedonia u gjend në këtë kohë e rrezikuar
seriozisht nga një sulm dardan, i cili i kushtoi jetën sundimtarit të
saj, Demetrit II. Ky fakt nuk ishte pa rëndësi në zgjedhjen e momentit
të përshtatshëm për shpërthimin e konfliktit të armatosur kundër
ilirëve. Edhe në qoftë se ky sulm ishte krejt i pavarur, nuk mund të mos
merret parasysh fakti që ai përkon në kohë me ngjarjet e përshkruara më
lart. Në këto rrethana romakëve nuk u mbetej gjë tjetër veçse të ndanin
dhe të paralizonin aleatët jugorë, Lidhjen Epirote dhe Akarnaninë prej
mbretërive ilire. Këtë detyrë ata e zgjidhën duke drejtuar goditjen e
tyre të parë kundër Korkyrës dhe Apolonisë.

Pasi rregulluan punët në Iliri, romakët përcaktuan edhe qëndrimin e tyre
ndaj aleatëve dhe armiqve të shtetit ilir. Në gjendjen e re të krijuar
senati deshi t’u jepte atyre një provë më të qartë të pozitës së
Republikës. Menjëherë pas përfundimit të traktatit të paqes, konsulli që
mbeti në Iliri u dërgoi një delegacion etolëve dhe ahejve për t’u
shpjeguar arsyet e ndërhyrjes dhe të luftës në Iliri dhe për t’u bërë të
ditur kushtet e paqes që u kishin imponuar ilirëve. Përfaqësuesit bënë
çmos të justifikonin këtë iniciativë të Romës, duke nxjerrë në pah
pasojat e “lumtura” që rridhnin prej saj për helenët. Kujdesit dhe
mirësjelljes së tyre të shtirë, lidhjet e mëdha greke qenë detyruar t’u
përgjigjeshin duke i pritur këto delegacione plot respekt dhe duke dhënë
kështu, miratimin e tyre për këto veprime të Republikës.

Më vonë delegatët vizituan edhe dy qytete të mëdha tregtare, Korinthin
dhe Athinën, që përfaqësonin kundërshtarin më të vendosur të Maqedonisë
dhe jo vetëm gjetën të njëjtën pritje, por si asnjëherë më parë, u
lejuan të merrnin pjesë në lojërat istmike. Krenaria greke ishte thyer
dhe Roma kishte bërë në këtë drejtim hapin e parë konkret. Nga ana
tjetër, Maqedonia, Epiri dhe Akarnania, aleate të Mbretërisë Ilire, nuk u
vizituan. Me këtë qëndrim mospërfillës Roma u dha të kuptojë atyre se
në cilën anë ishin simpatitë e saj.
Geri
Geri
Fondatore St@ff Forum
Fondatore St@ff Forum

<b>Postime</b> Postime : 19707
 <b>Piket</b> Piket : 23805
Regjistruar : 21/04/2009
 <b>Mosha</b> Mosha : 35
 <b>Vendbanimi</b> Vendbanimi : Ne qytetin e dashur Tirone

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Shtetet Ilire Empty Re: Shtetet Ilire

Mesazh nga Geri Thu 4 Mar 2010 - 8:45

3. LUFTA E DYTË ILIRO-ROMAKE



Përpjekjet për t’u shkëputur nga varësia romake.


Lufta e dytë


Në vështrimin e parë mund të duket se punët në Iliri u rregulluan në atë
mënyrë që garantonin respektimin e traktatit të paqes dhe një sundim të
qetë për pushtuesin. Megjithatë, ngjarjet politike treguan se as
ilirët, as fqinjët e tyre maqedonët, nuk donin të pajtoheshin me
gjendjen e krijuar.
Në vitet që pasuan luftën e parë, Demetër Fari u bë regjent i Mbretërisë
Ilire, në vend të Teutës, që thuhet se kishte vdekur apo abdikuar. Nuk
dihet nëse ky akt u krye me pëlqimin e Romës, por është e sigurt se duke
shtrirë pushtetin e tij mbi gjithë Mbretërinë Ilire, Demetri u forcua
mjaft. Nuk duhet përjashtuar që në këtë rast ai të ketë pasur edhe
përkrahjen e komandantit të njohur të Teutës, Skerdilaidit, me të cilin
bashkëpunoi për një kohë.

Pas vitit 225 ose pak më vonë vihet re largimi i Demetrit nga miqësia me
Romën, që u pasqyrua në veprimet e pavarura të tij. Në vitin 223 ai
mori pjesë në invadimin e Peloponezit si aleat i mbretit të Maqedonisë,
Antigon Dozonit dhe në vitin pasues forcat ilire të komanduara prej tij
luajtën një rol vendimtar në betejën e Selanisë. Këto veprime të
Demetrit, megjithëse nuk drejtoheshin haptazi kundër Romës, shprehnin
qartë tendencën e tij për t’u shkëputur nga varësia romake dhe preknin
me këtë pozitën e Republikës në Iliri.

Është pohuar se Farosiani mundi të veprojë lirisht për shkak të
“indiferentizmit” që treguan romakët ndaj ngjarjeve në Lindje, ose sepse
ekzistonte një keqkuptim në përcaktimin e marrëdhënieve midis ilirëve
dhe Republikës, që buronte nga mënyra e ndryshme e të menduarit dhe të
kuptuarit të këtyre marrëdhënieve nga palët. Por do të ishte gabim të
hidhej poshtë vlerësimi që i bënte Polibi situatës dhe të nënvleftësohet
ndikimi që patën ngjarjet në Itali dhe Greqi ndaj qëndrimit të
Demetrit. Nuk ka dyshim se sulmi gal dhe rreziku kartagjenas lehtësuan
veprimet e Dozonit në Greqi dhe përcaktuan pozitën e Farosianit. Para
Romës së kërcënuar në Perëndim Demetri preferoi aleancën me Maqedoninë.
Roma në fund të fundit nuk i kishte kënaqur ambicjet e tij pas luftës së
parë, kurse ai tani donte të forconte pozitat e fituara si sundimtar i
shtetit ilir, duke shfrytëzuar vështirësitë e Republikës.

Senati e kuptoi atë që po ndodhte në Iliri dhe provoi ta frenonte
Demetrin. “E thirri në Romë, sepse ishte bërë kryelartë dhe i rëndë...”,
por pas kësaj ai u tregua edhe më i pabindur dhe u hodh në veprim të
hapur kundër Romës. Në vitin 221 bëri për vete istrianët dhe së bashku
me ta sulmoi anijet italike, kurse më 220 ndërmori veprime edhe më të
guximshme; pushtoi disa nga qytetet e Ilirisë që ishin nën vartësinë e
Romës dhe nxiti një kryengritje të atintanëve, rezultat i së cilës qe
largimi i tyre prej romakëve. Më në fund, në përkrahje të veprimeve
maqedone në Greqi, ai ndërmori së bashku me Skerdilaidin një ekspeditë
detare kundër Pylosit (në Meseni) dhe këndej u hodh me anijet e tij
kundër Cykladeve.
Për shumë vite me radhë, Roma nuk qe në gjendje të merrte masa kundër
Demetrit, por sidoqoftë në vitet e fundit gjendja për të qe bërë më e
favorshme. Ajo ishte lehtësuar nga pesha e rëndë e luftës me galët,
kurse në Greqi pas vdekjes së Antigon Dozonit ishin riaktivizuar, jo pa
nxitjen e saj, armiqtë e Maqedonisë, me shpresën se pasardhësi i tij,
Filipi V, për moshën e re nuk do të ishte në gjendje të mbante frenat e
vendit.

Ndërsa Demetri po e forconte aleancën me pasardhësin e Dozonit, një e
çarë u vërtetua edhe në marrëdhëniet e tij me Skerdilaidin. Ajo u shfaq
pas dështimit të sulmit kundër Pylosit, por shkaqet duhen kërkuar më
thellë. Skerdilaidi nuk e ndoqi Demetrin në ekspeditën e tij në Iliri.
Rrugës u ndal në Naupakt. Këtu, me ndërmjetësinë e mbretit të
athamanëve, që e kishte të tijin, ai mori një vendim të papritur: u lidh
me etolët dhe i ndihmoi në veprimet e tyre kundër aleatëve të
Maqedonisë. Shenja të mospajtimit me politikën e Demetrit ishin shfaqur
në Iliri edhe më parë. Forca ilire të kundërta me të kishin sulmuar
Maqedoninë në kohën kur Demetri luftonte përkrah Dozonit në Selasi dhe
mbreti maqedon qe detyruar të kthehej me të shpejtë për të shpëtuar
vendin nga ky rrezik. Edhe më vonë Demetri qe detyruar të merrte masa të
rrepta ndaj kundërshtarëve të tij në qytetet e Ilirisë e t’ua jepte
pushtetin miqve të besuar. Tani që Skerdilaidi kishte marrë vendim,
Filipi V u detyrua të ndërhynte vetë për ta neutralizuar dhe në takimin
që pati me të mundi ta bindë që të largohej nga etolët me premtimin se
“do ndihmonte për të rregulluar punët e Ilirisë”; megjithëse Skerdilaidi
pranoi të lidhte aleancë me Filipin, marrëdhëniet me Maqedoninë nuk
gjetën në vitet që pasuan terren të përshtatshëm për t’u zhvilluar e
forcuar.

Veprimet e etolëve e kishin detyruar Filipin, nga ana tjetër, t’u
shpallte këtyre luftë, por si përgjigje pati një kryengritje të
“kleomenistëve”, miq të Etolisë në Spartë. I tërhequr nga ngjarjet në
Greqi, Filipi qe detyruar të lërë mënjanë çështjet e Ilirisë dhe
Farosiani mbeti i vetmuar përballë Romës.
Gjendja e turbullt në Iliri dhe në Greqi i lejoi senatit të ndërhyjë me
forca të armatosura për të rivendosur autoritetin e tronditur në brigjet
lindore të Adriatikut. Kjo i duhej Romës edhe për një arsye tjetër të
rëndësishme: në perëndim kishin filluar të bëheshin gjithnjë më të qarta
shenjat e një konflikti të afërt me Kartagjenën.

Në pranverën e vitit 219 romakët zbritën për të dytën herë me ushtritë e
tyre në brigjet e Ilirisë. Këtë radhë ata e drejtuan goditjen kundër
pikave më të rëndësishme të mbrojtjes së Demetrit në jug kundër qytetit
Dimale, kurse në veri kundër kryeqendrës së tij, Farit. Megjithëse këto
dy qendra ishin shumë të fortifikuara dhe me gjithë masat mbrojtëse që
kishte marrë Demetri, Dimale nuk i qëndroi sulmit romak veçse një javë.
Fari ra gjithashtu shumë shpejt si rezultat i një dredhie taktike të
romakëve; konsulli e shkatërroi krejt qytetin. Demetri mundi të shpëtojë
duke u larguar fshehurazi me një anije të vogël dhe arriti te Filipi,
ku qëndroi deri në fund të jetës së tij si këshilltar i keq i mbretit të
Maqedonisë.

Polibi tregon se pas kësaj konsulli “pushtoi dhe pjesën tjetër të
Ilirisë dhe i rregulloi punët si deshi vetë”. Ky pohim nuk duhet të jetë
i saktë, sepse po ky autor e përmend Skerdilaidin ende të pavarur në
veprimet e tij dhe si aleat të Filipit në vitin 218. Me sa mund të
gjykohet prej Apianit, vetëm Pineu iu nënshtrua romakëve dhe nënshkroi
me ta marrëveshje e traktate të dyta, kurse Skerdilaidin ata nuk e
prekën dhe me sa duket e kursyen, megjithëse edhe ai kishte shkelur
traktatin e vitit 228. Kjo mund të mendohet edhe për atintanët
kryengritës apo për ndonjë nga popullsitë dhe qytetet e tjera. Konsujt
duhet të kënaqeshin këtë radhë me dëbimin e Demetrit dhe të ktheheshin
me të shpejtë në atdhe, sepse Hanibali e kishte sfiduar keq Republikën
me veprimet e tij në Spanjë. E konsideruan se me këtë aksion kishin
treguar në mënyrë të mjaftueshme forcën e Romës, pa e zgjeruar luftën në
Iliri dhe pa hyrë në konflikt të hapur me Maqedoninë; morën me vete
skllevër dhe plaçkë të shumtë dhe u kthyen në Romë ku festuan fitoren
mbi Farin me një triumf të bujshëm, megjithëse lufta që kishin bërë nuk e
meritonte këtë.
Geri
Geri
Fondatore St@ff Forum
Fondatore St@ff Forum

<b>Postime</b> Postime : 19707
 <b>Piket</b> Piket : 23805
Regjistruar : 21/04/2009
 <b>Mosha</b> Mosha : 35
 <b>Vendbanimi</b> Vendbanimi : Ne qytetin e dashur Tirone

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Shtetet Ilire Empty Re: Shtetet Ilire

Mesazh nga Geri Thu 4 Mar 2010 - 8:45

Lufta për ribashkimin e shtetit ilir


Lufta e dytë e la shtetin ilir të përçarë dhe në një kaos të brendshëm
politik. Ndërsa Pineu u mbeti “besnik” romakëve, Skerdilaidi vepron ende
më 218 si aleat i Maqedonisë, duke përkrahur Filipin në ndërmarrjet e
tij detare të atij viti. Por i penguar nga komplotet dhe trazirat që i
kishin shkaktuar dinastët e qyteteve të Ilirisë, nuk mundi të dërgonte
më shumë se 15 anije, baras me gjysmën e atyre që kishte premtuar. Nga
ana tjetër, kontingjente ilire, nën komandën e Demetrit vepronin krahas
forcave maqedone në Greqi dhe luanin një rol të parëndësishëm në
operacionet e mbretit maqedon kundër etolëve dhe aleatëve të tyre.

Gjendja në Iliri ishte shumë e rëndë edhe për shkak të luftës së
brendshme, e cila po ziente në qytete prej disa vitesh. Polibi e paraqet
këtë si një luftë që zhvillohej në sferat e larta sunduese, midis
dinastëve të qyteteve dhe sundimtarëve të lartë të shtetit ilir.
Megjithatë nuk ka dyshim se ajo ishte shumë më e ndërlikuar. Në situatën
e rëndë që jetonte Iliria, ajo shprehte si kontradiktat në gjirin e
shtresës sunduese, ashtu edhe ato midis saj dhe shtresave të tjera të
ulëta qytetare. Orientimet promaqedone dhe proromake, si edhe rrymat
decentralizuese dhe centralizuese ishin shprehja e jashtme e saj.

Ndërkaq, ndërsa në Greqi vazhdonte me furi lufta midis Maqedonisë dhe
Lidhjes Etole, në të cilën qenë tërhequr edhe ilirët përkrah aleatëve të
njërës apo tjetrës palë, në perëndim shpërtheu lufta vendimtare midis
Romës dhe Kartagjenës, e njohur si Lufta e Dytë Punike. Kontradiktat
midis fuqive të mëdha mesdhetare dhe rezultatet e kësaj lufte patën një
ndikim të thellë në orientimet politike të fuqive ndërluftuese në Greqi
dhe rënduan edhe më shumë gjendjen e Ilirisë. Kështu me gjithë dështimet
që kishte pësuar në vitin 217, Roma nuk ngurroi të dërgonte përfaqësues
në Iliri për të bërë presion politik me qëllim që të ruante pozitat e
saj në brigjet e Adriatikut dhe të mënjanonte një qëndrim eventualisht
të kundërt nga ana e Pineut. Ajo nuk la mënjanë edhe Maqedoninë, të
cilën e konsideronte si armike potenciale të saj. Të dërguarit e senatit
i vunë në dukje Pineut se ishte vonuar në shlyerjen e tributit dhe se
po të donte ta shtynte duhej të jepte pengje, kurse Filipit i kërkuan
dorëzimin e Demetrit pa përfilluar kështu pozitën e tij të pavarur.

Por rezultatet e luftës me Hanibalin ishin të tilla që nuk mund të mos
errësonin këto hapa të senatit. Në Maqedoni ato u pritën me entuziazëm
dhe ngjallën një shpresë për largimin e rrezikut romak, i cili qëndronte
pezull mbi këtë vend qysh nga lufta e parë iliro-romake. Lajmi i
fitores së Hanibalit, pranë liqenit të Trazimenit e bëri më të vendosur
Filipin. I nxitur edhe nga Demetri, ai mori aty për aty vendimin të
çlirohej nga lufta në Greqi për t’u drejtuar kundër Romës.
Kur Filipi nuk kishte përfunduar ende paqen me etolët në Naupakt (verë e
vitit 217), ishte hedhur në luftë kundër tij Skerdilaidi. Polibi tregon
se një flotë e tij kishte dalë papritmas në Leukas, sulmoi dhe rrëmbeu
disa anije të Filipit dhe pastaj vazhdoi lundrimin drejt Maleas, duke
zënë e plaçkitur rrugës tregtarët. Në të njëjtën kohë, Skerdilaidi
kishte sulmuar Filipin nga toka, kishte pushtuar Piseun, një qytet i
vogël në Pelagoni, dhe, pasi kishte bërë për vete qytetet e Dasaretisë,
midis të cilave edhe qytetin e rëndësishëm Antipatrean, kishte kryer
sulme edhe kundër një pjese të Maqedonisë në kufi me këto qytete.

Shkakun pse sundimtari ilir, ish-aleat i Maqedonisë, u gjend papritur në
luftë me Filipin dhe u prish me të, Polibi e shpjegon në mënyrë të
thjeshtëzuar. Ai thotë se Skerdilaidi ishte zemëruar me mbretin maqedon,
sepse “nuk i kishte dhënë të hollat që i detyrohej sipas marrëveshjes”.
Një shpjegim i tillë nuk mund të jetë bindës edhe në qoftë se ky fakt
është i vërtetë; shkaqe më të thella duhej të kenë tronditur
marrëdhëniet e tij me Maqedoninë.

Ajo që preokuptonte Skerdilaidin vitet e fundit ishte kapërcimi i
vështirësive të brendshme që vinin nga trazirat e dinastëve të qyteteve.
Në verën e vitit 217 ai i kishte eleminuar ato me sukses dhe mbase
përmes tyre kishte arritur t’i jepte fund përçarjes politike që
ekzistonte midis tij, Demetrit dhe Pineut. Nuk ka dyshim se pas kësaj ai
u bë sundimtar i vetëm i shtetit ilir dhe është fakt që për Pineun nuk
bëhet fjalë më në burimet. Roma duhet të mos i jetë kundërvënë
Skerdilaidit, në veprën e tij të ribashkimit, kurse për Maqedoninë kjo
nuk mund të thuhet. Përveç premtimeve, Filipi, që përkrahte Demetrin,
nuk i kishte dhënë atij asnjë ndihmë konkrete. Shtrirja e pushtetit të
Skerdilaidit mbi qytetet e Dasaretisë, që u bashkuan me të
vullnetarisht, nuk duhet të jetë mirëpritur në oborrin mbretëror në Pela
dhe ka shumë të ngjarë që këtu të ketë zanafillën e vet edhe konflikti i
armatosur midis sundimtarit ilir dhe Filipit.
Geri
Geri
Fondatore St@ff Forum
Fondatore St@ff Forum

<b>Postime</b> Postime : 19707
 <b>Piket</b> Piket : 23805
Regjistruar : 21/04/2009
 <b>Mosha</b> Mosha : 35
 <b>Vendbanimi</b> Vendbanimi : Ne qytetin e dashur Tirone

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Shtetet Ilire Empty Re: Shtetet Ilire

Mesazh nga Geri Thu 4 Mar 2010 - 8:45

4. LUFTA MAQEDONO-ROMAKE DHE NGJARJET NË ILIRI


Agresioni i Filipit V kundër Ilirisë



Koha të cilën Skerdilaidi e kishte zgjedhur për t’i rikthyer shtetit
ilir Dasaretinë nuk ishte aspak e përshtatshme. Filipi sapo ishte
çliruar nga lufta në Greqi dhe nuk kishte asnjë vështirësi për t’u
drejtuar kundër tij. Aq më tepër që kjo ndërmarrje përputhej edhe me
planin e tij të madh për të dalë në brigjet e Adriatikut prej nga
ëndërronte të hidhej në Itali. Me një fushatë të shpejtë ai pushtoi
qytetet rreth liqenit Lyhnid dhe ato të Dasaretisë, deri në Antipatrea.
I vendosur në ndërmarrjen e tij, Filipi e zgjeroi vitin tjetër
ndërhyrjen në Iliri, duke iu drejtuar asaj këtë radhë nga deti. Pasi
ndërtoi në skelat e Maqedonisë 100 anije, në verë të vitit 216 doli në
ishujt e Jonit. Kur u sigurua se flota romake ishte larg, lundroi për në
brigjet e Ilirisë.

Në planin e tij ishte pushtimi i Apolonisë, të cilën e mendonte si bazën
më të përshtatshme për aksionin e tij të ardhshëm. Por, kur iu afrua
grykës së Aosit, mori papritur, lajmin se anijet romake ishin drejtuar
për në Apoloni. Pa sqaruar ende fuqinë e kundërshtarit, flota maqedone u
tërhoq në panik. Skerdilaidi që e kishte ndjerë rrezikun e një sulmi
nga deti ua kishte bërë të ditur këtë gjë romakëve dhe kishte kërkuar
ndihmën e tyre. Në përgjigje të kësaj kërkese romakët shkëputën nga
flota e tyre e Sicilisë 10 anije pesërremëshe dhe i dërguan në Apoloni.
Ishte kjo skuadër e vogël që shkaktoi panik te maqedonët dhe dështimin e
tyre.

Pasojat e kësaj ngjarjeje qenë edhe më serioze. I kërcënuar nga
Maqedonia, sundimtari ilir qe detyruar të kthehej me fytyrë nga Roma,
pasi kishte luftuar kaq vjet për të shpëtuar prej saj. Me agresionin
kundër Ilirisë, Filipi kishte bërë një hap fatal për vetë fatin e
Maqedonisë dhe të Ballkanit në tërësi: kishte bërë që interesat e
sundimtarit ilir të përputheshin detyrimisht me ato të Republikës. Që
nga kjo kohë Skerdilaidi do të vepronte si aleat i Romës, duke i dhënë
politikës së shtetit të tij një kurs të ri që do të ndiqej për rreth
katër dekada me radhë.

Drejtimi që kishin marrë punët qysh prej vitit 217 u përcaktua edhe më
qartë pas fitores së Hanibalit në Kanë. Në vitin 215 Filipi dhe Hanibali
përfunduan një traktat aleance sipas të cilit zotoheshin të ndihmonin
njëri-tjetrin në luftën kundër Romës. Në traktat nuk përfilleshin aspak
interesat e shtetit ilir. Klauzola sipas së cilës romakët nuk duhet të
mbeteshin “zotër të Korkyrës, as të Apolonisë e Epidamnit, as të Farit,
as të parthinëve dhe Dimales, as të Amantisë”, i njihte praktikisht
Maqedonisë të drejtën e sundimit në Iliri. Po të pranojmë se përfundimi i
një aleance midis Kartagjenës dhe Maqedonisë ishte objekt bisedimesh
qysh prej kohës së Dozonit dhe se qe vonuar për shkak të pavendosmërisë
së Filipit, atëherë në dritën e klauzolës së sipërme ka arsye të
mendohet se lakmitë e Maqedonisë kanë qenë prej kohësh një shqetësim për
Ilirinë dhe mbase kanë pasur edhe ato ndikimin e tyre në marrëdhëniet
midis Skerdilaidit e Filipit.

Duke përcaktuar sferat e interesave marrëveshja përcaktonte edhe zonat e
veprimeve ushtarake. Në frymën e marrëveshjes të dyja palët ndërmorën
në vitin 214 veprime të përbashkëta në Itali dhe Iliri. Ndërsa Hanibali
sulmoi Tarentin, Filipi u drejtua sërishmi kundër qyteteve bregdetare të
Ilirisë. Me një flotë prej 120 lembesh u fut në Aos dhe provoi të
merrte Apoloninë, por shpejt u bind se kjo nuk ishte një punë e lehtë.
Atëherë papritmas u drejtua kundër Orikut, të cilin e pushtoi me sulmin e
parë, sepse nuk ishte aq i mbrojtur. Ndërkaq mbante të ngujuar
Apoloninë dhe shpresonte ta merrte me qetësi, duke menduar se romakët
nuk do të ishin në gjendje ta shqetësonin në operacionet e tij. Por
ndodhi e kundërta.

Reagimi i romakëve qe i menjëhershëm: një flotë prej 50 anijesh
pesërremëshe u nis nga Brindisi dhe pushtoi Orikun që Filipi e kishte
lënë në duart e një garnizoni të vogël. Pastaj pa u vonuar forcat romake
u gjendën në Apoloni, ku hynë natën pa u diktuar. Këndej së bashku me
forcat e qytetit, sulmuan në befasi kampin e Filipit, të cilin e gjetën
krejt të pambrojtur. Afër 3 000 maqedonë mbetën në fushën e betejës ose u
zunë robër. Mbreti provoi të ikte nga deti, por si e gjeti grykën e
lumit të mbyllur nga flota romake, dogji anijet e veta dhe u tërhoq nga
toka për në Maqedoni me mbeturinat e ushtrisë.
Dështimi para mureve të Apolonisë i tregoi Filipit se plani për daljen
në brigjet e Adriatikut dhe kalimi në Itali nuk ishte një punë e lehtë.
Në të dy vitet që pasuan ai e ndryshoi drejtimin e sulmit të tij:
nënshtroi atintanët, parthinët bashkë me qytetin e tyre Dimalin dhe u
fut në tokat e ardianëve, duke u shtyrë në veri deri në Lis. Mendimi se
atij iu nënshtrua edhe Skodra, madje se u shtri deri përtej lumit
Narona, nuk qëndrojnë dhe kanë gjetur pak përkrahje. Veprimet e dy
viteve të fundit dëshmojnë për një strategji të re politike-ushtarake të
Filipit, që synonte të zgjeronte pushtimet në Iliri.

Marrja e Lisit, megjithëse i siguroi një dalje në det, nuk mund të
lidhet me planin e vjetër të kalimit në Itali. Qyteti ishte shumë larg
brigjeve të përtejme të Adriatikut dhe sa kohë që Dyrrahu dhe Apolonia
ishin në duart e romakëve, çdo kalim përmes detit ishte i paracaktuar të
dështonte. Duket më e besueshme që Filipi të jetë interesuar në këto
çaste në radhë të parë për vendosjen e një sundimi të shëndoshë në Iliri
me perspektivën e dëbimit të plotë të romakëve prej këndej, kurse plani
i kalimit në Itali të ketë ardhur duke u zbehur. Pushtimet e tij ishin
padyshim një rezultat me rëndësi: ato ngushtuan shumë zotërimet romake
në Iliri dhe duke hyrë si pykë midis tyre dhe shtetit ilir, e ndanë këtë
të fundit prej romakëve.


Koalicioni antimaqedon


Në qoftë se më 213 dhe 212 Filipi i kishte duart e lira në Iliri, më
vonë punët ndryshuan. Me marrjen e Syrakuzës dhe të Kapuas (212-211),
romakët filluan të shijojnë frytet e para të epërsisë së armëve të tyre
mbi Hanibalin. Pas kësaj ata riaktivizuan politikën e tyre në lindje: më
211 përfunduan një aleancë me etolët, në të cilën tërhoqën më vonë edhe
disa shtete të tjera greke, Atalin e Pergamit si dhe shtetin ilir, të
përfaqësuar nga Skerdilaidi dhe i biri i tij Pleurati. Duke shfrytëzuar
me kujdes armiqësitë e popujve të ndryshëm ndaj politikës pushtuese të
Filipit, romakët arritën kështu të krijojnë në Ballkan një koalicion të
fuqishëm antimaqedon, që ua lehtësoi shumë peshën e luftës përtej
Adriatikut.

Filipi u njoftua për aleancën në Pela ku ishte duke dimëruar. Duke ditur
se gjendja e krijuar në Greqi do ta tërhiqte plotësisht andej, ai
vendosi të siguronte më parë shpinën e mbretërisë nga rreziku ilir;
ndërmori papritur një ekspeditë kundër tokave të Orikut dhe Apolonisë
dhe shkretoi viset fqinje të Ilirisë me Maqedoninë, me qëllim që të
linte pas frikë dhe terror. Në pranverë iu kthye Greqisë, por aleatët ia
kishin marrë iniciativën dhe duke e goditur në shumë anë e detyruan të
vihet në pozita mbrojtëse.

Në 209 Filipi i mbante ende tokat e pushtuara në Iliri, sepse në
bisedimet për paqe, që u zhvilluan midis tij dhe etolëve në Falaia dhe
pastaj në Aigon, mbretit iu kërkua t’u kthejë romakëve Atintaninë dhe
Skerdilaidit ardiejtë, pra pushtimet e tij më veriore. Bisedimet
dështuan dhe problemi në këtë rrugë nuk gjeti zgjidhje. Por, po këtë
vit, Skerdilaidin e gjejmë në Etoli duke luftuar kundër maqedonëve dhe
një vit më vonë, më 208, midis panikut që kishte kapur aleatët e
Maqedonisë në Greqi, Filipit i erdhi lajmi shqetësues nga mbretëria:
“Skerdilaidi dhe Pleurati ishin vënë në marshim”. Hollësitë rreth këtij
sulmi ilir dhe rezultatet e tij nuk dihen, por fakti që ky marshim
kishte ngjallur shqetësime në Maqedoni tregon se sundimtarët ilirë
kishin zbritur thellë në jug dhe si pasojë i kishin dëbuar forcat
maqedone të paktën nga pushtimet e tyre veriore, Lisi dhe tokat e
ardiejve.

Ndryshe nga këto përfundime, vitet 207 dhe 206 shënojnë një rënie të
luftës kundër mbretit maqedon. Romakët që deri atëherë kishin luftuar
kundër Filipit me forca të pakta, u tërhoqën nga fusha e betejës, duke
menduar se ia kishin arritur qëllimit të tyre për të larguar Filipin nga
ndërhyrja në perëndim. Shembullin e tyre e ndoqi dhe Atali, i thirrur
në atdhe për nevoja të mbretërisë. Pesha e luftës mbeti kështu mbi
aleatët ballkanikë. Duke shfrytëzuar këtë gjendje, Filipi përqendroi
goditjen mbi etolët dhe më 206 i detyroi ata të bëjnë paqe të veçantë.

Në këto rrethana romakët u detyruan të dërgojnë me të shpejtë forca në
Iliri. Në pranverë të vitit 205 zbritën në Dyrrah me 10 000 këmbësorë
dhe 1 000 kalorës me 35 anije. Sapo mësuan ardhjen e romakëve, parthinët
dhe popuj të tjerë fqinjë u ngritën kundër maqedonëve. Duke pushtuar pa
vështirësi tokat e tyre, romakët arritën në Dimale, të cilin e
rrethuan. Ndërkohë ata dërguan një pjesë të forcave të tyre me 15 anije
në Etoli me shpresë se mund të prishnin paqen.

Këtu në Apoloni të dyja palët, nën ndikimin e disa rrethanave, shprehën
dëshirën për të mos e vazhduar më tej luftën. Gjendja në Itali kishte
ndryshuar; Hanibali kishte pësuar humbje të rënda në Itali dhe aleanca
me të kishte humbur çdo kuptim për Filipin. Edhe romakët e ndienin veten
të lodhur nga lufta e gjatë me Kartagjenën. Të dyja palët ishin të
prirura për një paqe ose të paktën për një armëpushim të gjatë. Epirotët
u vunë në rolin e ndërmjetësit dhe Foinike, kryeqyteti i tyre, u bë
qendër e bisedimeve. Paqja u vendos dhe sipas kushteve të marrëveshjes,
romakëve u njihej e drejta mbi parthinët e Dimalen dhe dy qytete të
vogla pranë tij, kurse Filipi mbante Atintaninë dhe, kuptohet,
Dasaretinë. Midis aleatëve të Romës është përfshirë edhe sundimtari i
shtetit ilir, Pleurati, i cili tani përmendet pa të atin, Skerdilaidin.
Në marrëveshje nuk thuhet shprehimisht cilat qenë të drejtat që i
njiheshin atij. Paqja, pa dyshim, i jepte fund gjendjes së luftës midis
mbretit ilir dhe Maqedonisë ndërsa çështje territoriale, të pazgjidhura
midis tyre, me sa duket, nuk kishte. Fakti që në bisedimet e Foinikes
nuk bëhet fjalë më për Lisin dhe ardianët tregon se çështja kishte
gjetur zgjidhje që më parë, mbase që në vitet 209 ose 208.
Geri
Geri
Fondatore St@ff Forum
Fondatore St@ff Forum

<b>Postime</b> Postime : 19707
 <b>Piket</b> Piket : 23805
Regjistruar : 21/04/2009
 <b>Mosha</b> Mosha : 35
 <b>Vendbanimi</b> Vendbanimi : Ne qytetin e dashur Tirone

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Shtetet Ilire Empty Re: Shtetet Ilire

Mesazh nga Geri Thu 4 Mar 2010 - 8:45

Lufta e dytë maqedono-romake. Dështimi i Filipit V



Paqja e Foinikes, ashtu sikurse u përfundua, i la hapur kontradiktat
midis Romës dhe Maqedonisë. Pozita që ruajti Maqedonia në Iliri nuk
ishte aspak e favorshme për Republikën, por ajo e bënte këtë hap vetëm e
vetëm që të çlirohej dhe të përqendronte forcat për betejat e ardhme
vendimtare me Hanibalin. Filipi nga ana e tij e kishte kuptuar se për të
nuk kishte rrugë tjetër, veçse të forconte pozitat në Ballkan dhe në
Lindje, ku ai parashikonte ndeshjen e ardhme me Romën.
Këtë drejtim morën, në fakt, edhe ngjarjet në vitet që pasuan. Ndërsa
Roma ishte duke përfunduar luftën me Hanibalin, Filipi ndërmori një varg
veprimesh diplomatike dhe ushtarake në Lindje: përfundoi një aleancë me
Atalin III të Sirisë, zgjeroi pushtimet në Egje, duke u shtrirë deri në
Helespont, shtoi presionin mbi Greqinë dhe u mori disa toka etolëve,
goditi në veri dardanët dhe në kundërshtim me traktatin e Foinikes bëri
pushtime të vogla në Iliri që i lejuan t’u shkëpuste romakëve parthinët.

Ndërkaq në vitin 201 romakët e thyen përfundimisht Hanibalin dhe e
detyruan Kartagjenën të përfundonte paqen. Fitimtarët, që edhe më parë
nuk e kishin duruar Filipin, nuk mund të lejonin tani që t’u cenoheshin
interesat e tyre në Iliri dhe në përgjithësi nuk mund ta shihnin me sy
të mirë forcimin e pozitave të tij në Lindje.

Goditjen vendosën t’ia japin nga Iliria. Në vjeshtë të vitit 200 dy
legjione zbritën në Apoloni dhe ngritën lëmin në afërsi të lumit Aps.
Këtej filloi sulmi kundër pozitave të Filipit në Dasareti. U dërgua
menjëherë një ekspeditë kundër Antipatreas, sepse ky qytet i rëndësishëm
ishte pika më e përparuar e Filipit në Iliri dhe zinte një pozitë kyçe
në rrugën që kalonte përmes luginës së Devollit për në Maqedoni. Me një
sulm të shpejtë forcat romake zunë tri kështjella në rrethet e qytetit
(Karagun, Geruntin dhe Orgesin) dhe sakaq u gjendën para mureve të tij.
Komandanti romak u mundua të hyjë në Antipatrea me anën e marrëveshjes,
por paria, duke pasur besim te madhësia e qytetit, te muret dhe pozita e
tij e mbrojtur kundërshtoi të dorëzohet.

Atëherë romakëve iu desh ta merrnin me sulm, gjë që u kushtoi shumë
shtrenjtë. Për këtë arësye komandanti romak u soll në mënyrë barbare. Ai
urdhëroi masakrimin e popullsisë prej 16 vjeç e lart dhe pasi plaçkiti
qytetin, e dogji dhe i shkatërroi muret mbrojtëse të tij. Pas kësaj
romakët pushtuan edhe dy qytete më të vogla në thellësi: Kodrionin dhe
Knidin dhe pasi lanë një garnizon në Kodrion u kthyen në lëmin e tyre në
Aps. Kjo ekspeditë e përmirësoi shumë pozitën e romakëve; ata kishin
asgjësuar një bastion të Filipit siç ishte Antipatrea, kurse me
vendosjen e garnizonit në Kodrion kishin shtyrë në thellësi pikën e
kontaktit me armikun dhe kishin hapur rrugën për operacionet e ardhshme.

Gjatë dimrit konsulli romak u kujdes të siguronte aleatë. Thirri në
lëmin e tij në Aps mbretërit e vendeve fqinje me Maqeoninë, midis të
cilëve Pleuratin e Ilirisë, Baton e Dardanisë dhe Aleksandrin e
Athamanisë dhe u mori atyre premtimet për ndihmë në luftën kundër
Filipit. Por përpjekjet për të tërhequr etolët përsëri në luftë
dështuan, kurse Epiri i mbeti besnik Filipit.
Mbreti i Maqedonisë po përgatitej në mënyrë të ethshme për fushatën e
stinës së ardhshme të vitit 199. I siguruar nga qëndrimi i Epirit dhe i
Lidhjes etole në jug ai i përqendroi forcat në veri. Me qëllim që të
mënjanonte rrezikun e një depërtimi dardan në Maqedoni, dërgoi forca për
të mbyllur grykën e Pelagonisë. Me forcat kryesore u vendos diku në
afërsi të malit Lynkus duke pritur një sulm të konsullit dhe të
Pleuratit, që mendonte se do t’i vinte përmes luginës së Genusit në
drejtim të Lyhnidit. Por u gabua. Konsulli nuk e ndryshoi drejtimin e
tij. Duke rimarrë operacionin u shty më tej në Dasareti dhe nëpër
luginën e Apsosit (Devollit) doli në fushën e Korçës. Këtu u furnizua me
drithë nga hambarët e pasur të Dasaretisë dhe prej këndej mbërriti në
Oresti dhe Elimioti.

Kur mësoi për drejtimin që kishte marrë konsulli, Filipi shpërnguli
forcat nga Pelagonia dhe Lynku në drejtim të jugut. Por me këtë i hapi
rrugën Pleuratit i cili, me sa duket, pasi çliroi parthinët, ndoqi
luginën e Genusit dhe arriti në Lyhnid. Edhe dardanët vërshuan nga veriu
në Maqedoni. Në këtë kohë romakët u kthyen përsëri në Dasareti dhe
pushtuan qytetin Peilon. Meqenëse qyteti kishte një pozitë të
përshtatshme për të sulmuar Maqedoninë, konsulli la këtu një garnizon
dhe si mori me vete plaçkën dhe skllevërit, e solli ushtrinë përsëri në
krahinën e qetë të Apolonisë, aty prej nga ishte nisur.
Filipit, përkundrazi, iu desh të bëjë përpjekje të mëdha për të
përballuar pas kësaj, në veri ilirët e Pleuratit dhe dardanët që kishin
hyrë në Maqedoni, kurse në jug athamanët dhe etolët, të cilët pas
sukseseve të romakëve kishin vendosur të hynin përsëri në luftë kundër
mbretit të Maqedonisë. Kështu në dy fushata gjatë viteve 200 dhe 199
Filipi u dëbua nga tokat e parthinëve dhe Dasaretia, ndërsa kundër tij u
ngritën përsëri etolët dhe popullsi të tjera të vogla fqinjë.

Në vitin e tretë të luftës (198) veprimet ushtarake u shpërngulën në
jug, në luginën e lumit Aos. Operacionet e dy viteve të para u kishin
treguar romakëve se rruga për në Maqedoni, përmes Dasaretisë ishte e
lidhur me vështirësi serioze përsa i përket furnizimit dhe rezervat e
kësaj krahine nuk i përballonin dot nevojat e ushtrisë romake. Duhej
kërkuar një rrugë tjetër më e sigurt. E tillë paraqitej lugina e Aosit
që të çonte në Maqedoni përmes Thesalisë. Kjo krahinë ishte një hambar i
sigurt për një ushtri që do të shkëputej kaq shumë nga bazat e saj.
Përveç kësaj, me hyrjen e etolëve në luftë gjendja në jug ishte bërë më e
favorshme për romakët, prandaj depërtimi në zemër të Greqisë përmes
luginës së Aosit u siguronte romakëve bashkimin me aleatët e tyre.
Filipi që e kishte ndjerë këtë rrezik dërgoi në pranverë të vitit 198
një pjesë të forcave që të zinin grykën e Antigonesë, duke menduar se
romakët mund të merrnin rrugën përmes luginës së Drinos dhe fushës së
Malësisë për të dalë në Thesali.

Mbas disa ditësh arriti edhe vetë me forcat kryesore dhe, si e pa
gjendjen, vendosi t’ia kushtojë vëmendjen kryesore mbrojtjes së
ngushticës së Aosit, e cila megjithëse nëpër një rrugë më të vështirë,
por më të shkurtër, të çonte gjithashtu në Thesali. Pa lëshuar grykën e
Antigonesë ai vendosi forcat në të dyja anët e lumit Aos. Mbrojtjen e
krahut të majtë, nga ana e malit Asnau (mali i Golikut), dhe grykën e
Antigonesë ia besoi komandantit të tij, Atenagorës, kurse krahun e
djathtë, d.m.th. atë nga ana e malit Merop (mali i Shëndëlliut) dhe
rrugën që kalonte nga kjo anë buzë lumit, e mbajti vetë.
Romakët që kishin ngritur lëmin e tyre përballë të dyja grykave qëndruan
për një kohë të gjatë të pavendosur për të sulmuar, sepse pozitat e
mbretit maqedon ishin shumë të forta. Gjatë kësaj kohe nuk munguan edhe
përpjekjet për të arritur në një marrëveshje, por Filipi shpresonte në
rezultate më të mira dhe nuk i pranoi kushtet e konsullit.

Ndërkaq romakët mundën të siguronin një dalje në shpinë të Filipit me
ndihmën e njërit prej parisë epirotase. I zënë në befasi nga mbrapa dhe i
goditur me forcë në ballë, Filipi u detyrua të lërë pozicionet e tij të
fuqishme dhe të tërhiqej me humbje të mëdha. Duke ndjekur armikun,
romakët u bënë shumë shpejt zotër të një pjese të mirë të Greqisë
Qendrore.
Pas kësaj Lidhja Epirote, deri tani aleate e Filipit, por që nuk kishte
hyrë në konflikt të armatosur, u afrua me romakët. Së shpejti edhe
Lidhja Epirote-Ahease u shkëput nga aleanca me Maqedoninë.

Në vitin 197 ushtria romake dhe ajo e aleatëve ishin përqendruar në
Thesali. Në betejën që u zhvillua në afërsi të Kinoskefales, Filipi mori
goditjen vendimtare dhe u detyrua të kërkonte paqe. Kushtet e paqes
qenë shumë të rënda. Filipi detyrohej të hiqte dorë nga gjithë Greqia
dhe nga zotërimet e tij aziatike, t’u kthente romakëve tokat e pushtuara
në Iliri që ishin njohur nga paqja e Foinikes dhe të prishte flotën,
duke e zbritur atë në pesë anije. Për të kënaqur kërkesat e aleatëve të
tyre, romakët bënë shumë ndryshime territoriale dhe u njohën autonominë
disa krahinave të vogla, të cilat ishin ngritur kundër Filipit, gjë që e
thelloi edhe më tepër përçarjen politike në Greqi. Me pushtimin e
Dasaretisë dhe të Atintanisë, romakët i zgjeruan zotërimet e tyre në
Iliri dhe e shtynë kontaktin me Maqedoninë në thellësi. Pleuratit i
njohën të drejtën mbi parthinët dhe Lyhnidin dhe me këtë i zgjeruan
kufijtë e shtetit ilir nga jugu deri në Genus, kurse në lindje përfshinë
penestët deri te liqenet Lynkeste, duke vënë kështu edhe shtetin ilir
në kontakt direkt me Maqedoninë në kufijtë e vjetër lindorë.

Por duke e detyruar Filipin të kthehej në kufijtë e vjetër e të ngushtë
të Maqedonisë dhe duke u asgjësuar si fuqi detare, romakët nuk kishin
ndërmend të asgjësonin tani për tani shtetin maqedon dhe as të
shfarosnin vetë Filipin. Duke iu përgjigjur shqetësimeve të aleatëve
grekë lidhur me këtë çështje, konsulli u tha se “ishte e qartë se liria e
Greqisë kërcënohej nga forca e mbretërve maqedonë, por po të
shkatërrohej kjo mbretëri ... trakët, ilirët, grekët ... do të dyndeshin
në Greqi”.
Geri
Geri
Fondatore St@ff Forum
Fondatore St@ff Forum

<b>Postime</b> Postime : 19707
 <b>Piket</b> Piket : 23805
Regjistruar : 21/04/2009
 <b>Mosha</b> Mosha : 35
 <b>Vendbanimi</b> Vendbanimi : Ne qytetin e dashur Tirone

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Shtetet Ilire Empty Re: Shtetet Ilire

Mesazh nga Geri Thu 4 Mar 2010 - 8:46

Pasojat e luftërave romako-maqedone për Ilirinë


Luftërat që u zhvilluan në truallin ilir gjatë çerekut të fundit të
shek. III p.e.sonë patën pasoja të rënda për Ilirinë.
Mbretëria e cunguar dhe e dobësuar ilire, pasi kishte dështuar në
përpjekjet e saj për të dalë nga gjendja e krijuar prej dy luftërave të
mëparshme, u gjend këtë radhë në një aleancë të detyruar me Romën. Si e
tillë asaj i takoi të mbante një pjesë të peshës së luftës në dobi të
Republikës. Krahinat në jug, që ishin shkëputur nga mbretëria prej
kohësh, u kthyen në rezerva strategjike të Romës; qytetet e parthinëve
dhe të atintanëve qenë detyruar të kontribuojnë në këto luftëra
pushtuese të Romës me trupa ndihmëse dhe të strehojnë e të furnizojnë
ushtritë pushtuese. Duke u kthyer në fushë lufte, këto krahina kaluan
herë në duar të romakëve, herë të maqedonëve dhe më se një herë u
grabitën dhe u shkretuan.

Gjatë luftës së dytë maqedone u dëmtua në mënyrë të veçantë Dasaretia.
Qytetet e saj u plaçkitën e u rrënuan; Antipatrean e shkatërruan nga
themelet dhe popullsia e saj u masakrua; Pelioni u plaçkit dhe i morën
skllevër banorët e qytetit që përbënin forcën prodhuese kryesore;
fshatarësia dasarete u detyrua të braktiste vatrat e saj dhe të merrte
malet në kohën kur ushtritë pushtuese romake grabisnin hambaret e saj.

Luftërat e vazhdueshme ndikuan rëndë edhe mbi gjendjen ekonomike të
Dyrrahut dhe të Apolonisë. Si aleatë të Romës këto qytete qenë detyruar
të përballonin një varg detyrimesh ushtarake dhe ekonomike. Dyrrahu, i
cili mbeti pak i mënjanuar nga teatri kryesor i veprimeve luftarake,
duket se i përballoi më me lehtësi këto detyrime. Ruajtja e standardeve
dhe e simboleve tradicionale në prerjet e tij monetare dëshmon për një
farë stabiliteti në jetën ekonomike e politike të qytetit. Por Apolonia,
e cila shërbeu si kryeura e zbarkimit të trupave romake në Iliri dhe si
pika më e synuar e maqedonëve në kundërveprimet e tyre ndaj Romës, e
ndjeu më shumë peshën e luftës. Barra e rëndë e detyrimeve që rridhnin
nga aleanca me Romën dhe shkretimi i tokave nga sulmet e Filipit V e
rënduan shumë gjendjen ekonomike të këtij qyteti.

Për ta përballuar këtë gjendje apoloniatët u detyruan të intensifikojnë
prerjen e monedhave prej bronzi dhe të hidhnin në treg variante të reja
monedhash që ndryshojnë herë pas here simbolet e tyre. Me detyrime të
rënda ngarkuan romakët edhe qytetet e afërta me Apoloninë: Bylisin,
Orikun dhe Amantien. Është për t’u shënuar se në këtë kohë monedhat e
këtyre qyteteve huazojnë simbolet e prerjeve apoloniate, gjë që u
imponohet me dashje ose pa dashje, nga nevoja për të përballuar së
bashku peshën e luftës.
Kështu, paqja e vitit 196 e gjeti Ilirinë të raskapitur nga luftërat e
gjata dhe të dobësuar ekonomikisht e politikisht.
Geri
Geri
Fondatore St@ff Forum
Fondatore St@ff Forum

<b>Postime</b> Postime : 19707
 <b>Piket</b> Piket : 23805
Regjistruar : 21/04/2009
 <b>Mosha</b> Mosha : 35
 <b>Vendbanimi</b> Vendbanimi : Ne qytetin e dashur Tirone

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Shtetet Ilire Empty Re: Shtetet Ilire

Mesazh nga Geri Thu 4 Mar 2010 - 8:46

5. LUFTA E TRETË ILIRO- ROMAKE.
RËNIA E SHTETIT ILIR



Gjendja politike në Ballkan e në Iliri pas vitit 196.



Ardhja në fuqi e Gentit dhe gjallërimi i forcave antiromake në Iliri


Pasi fitoi luftën e dytë me Maqedoninë, Roma u kujdes të forconte
pozitat e saj në Greqi dhe të zinte këtu vendin e Maqedonisë. Për këtë
qëllim ajo shfrytëzoi me mjeshtëri kontradiktat që ekzistonin midis
shteteve greke; duke përkrahur Lidhjen e Ahesë asgjësoi lëvizjen e
Nabisit në Spartë, më pas u dha fund pretendimeve të Lidhjes Etole për
hegjemoni në Greqi dhe njëherësh me këtë u preu rrugën synimeve të
Antiohut të Sirisë mbi këtë vend.
Në këto ngjarje Mbretëria e dobët Ilire, e varur dhe e lidhur me
detyrime ndaj Romës, veproi si aleate e saj. Pleurati qe detyruar të
dërgonte flotën e tij kundër brigjeve të Greqisë dhe të ndihmonte me
këtë për fitoren romake mbi etolët në vitin 189.

Edhe Filipi V mori anën e romakëve. Ai i ndihmoi ata kundër Nabisit dhe
pastaj edhe në luftën kundër etolëve dhe Antiohut. Duke u përzier në
këtë luftë Filipi shpresonte të përmirësonte pozitat e tij dhe u mundua
t’i kthejë Maqedonisë një pjesë të tokave të humbura, por romakët e
detyruan të tërhiqej në kufijtë e vitit 196, duke i dhënë të kuptonte se
nuk kishin ndërmend të ndanin me të pozitat e tyre në Greqi.

Interesat e Maqedonisë u ndeshën përsëri me politikën agresive të Romës.
Filloi një periudhë e re marrëdhëniesh të acaruara, që çuan dalëngadalë
në konfliktin e fundit të armatosur midis tyre. Përgatitjet për luftë
gëlltitën për shumë vite me radhë burimet më të rëndësishme ekonomike
dhe ngritën në këmbë forca ushtarake që nuk kishte njohur më parë
historia e luftërave të këtyre dy vendeve. Me luftën e ashpër politike
për të bërë aleatë dhe përkrahës ato e shtrinë konfliktin mbi një zonë
të gjerë të Ballkanit dhe të Lindjes. Shtetet e kësaj zone dhe shtresat e
ndryshme shoqërore u tërhoqën në konflikt sipas interesave të tyre
politike dhe ekonomike.

Historia e shtetit ilir në këtë kohë është e lidhur ngushtë me
përpjekjet që bëhen në Maqedoni dhe në Ballkan për të përballuar
rrezikun e ri romak. Gjendja që u krijua pas luftës kundër etolëve dhe
Antiohut dhe ngjarjet e lidhura me marrëdhëniet midis Maqedonisë e Romës
gjetën një vlerësim të ri në Iliri. Politika agresive e Romës që
synonte tani asgjësimin e plotë të shtetit maqedon nuk mund të pritej
mirë nga shtetet e vogla të Ballkanit, duke përfshirë këtu edhe shtetin e
dobësuar ilir. Gjendja e ekuilibruar që ishte krijuar nga prania
përballë njëra-tjetrës në Gadishull e forcës maqedone dhe asaj romake,
ishte i vetmi faktor që kishte siguruar, në një mënyrë ose në një
tjetër, mbijetesën e këtyre shteteve. Prishja e kësaj gjendjeje nuk
ishte në interesin e tyre.

Duke vlerësuar drejt këtë rrezik u gjallëruan dhe u aktivizuan forcat
antiromake në Iliri. Si pasojë, në vitet e fundit të sundimit të
Pleuratit vihet re një kthesë në marrëdhëniet e mbretit ilir me Romën,
që u shpreh në afrimin e tij me Maqedoninë. Të dhënat numizmatike
dëshmojnë për vendosjen e lidhjeve të ngushta ekonomike dhe politike
midis shtetit ilir dhe Maqedonisë. Edhe prania e trupave ilire në
përbërjen e garnizonit të Kasandresë që provohet nga Livi dhe që sipas
fjalëve të tij “i pat dërguar prej kohësh Pleurati”, vërteton këtë
mendim.

Senati reagoi me forcë të madhe kundrejt qëndrimit të ri ilir,
veçanërisht pas ardhjes në fuqi të Gentit, i cili pasoi Pleuratin në
vitin 181. Politika romake u drejtua kundër mbretit të ri me tërë
ashpërsinë e saj. Ai u akuzua si nxitës për rifillimin e piraterisë nga
ana e ilirëve dhe për trajtimin e keq që po u bëhej gjoja aleatëve të
Romës dhe qytetarëve romakë në Korkyra Nigra. Me këtë pretekst senati
caktoi në vitin 178 një flotë të posaçme prej 10 anijesh, e cila do të
vepronte në Adriatik për të ruajtur nga flota ilire ujërat midis Ankonës
dhe Tarantos.

Brenda vendit mbreti u vu, jo pa nxitjen e Romës, përpara vështirësive
edhe më serioze. Kundër tij u ngritën dalmatët, të cilët u shkëputën nga
mbretëria. Përpjekje të tilla u bënë edhe nga krerë të fiseve të tjera.
Gentit iu desh të bënte një luftë të ashpër kundër aristokracisë së
lartë me tendenca proromake, e cila kishte përkrahës edhe në oborrin
mbretëror. Në këtë luftë ai nuk u ndal as përpara sakrifikimit të
vëllait, Platorit, që Roma synonte ta vinte në fron në vend të tij.


Përpjekjet për forcimin ekonomik e politik të Mbretërisë


Kërcënimi i ri romak diktonte nevojën e përgatitjeve për t’i dalë
përpara një konflikti të hapur, i cili siç tregojnë ngjarjet, ishte i
pashmangshëm. Duke e kuptuar qartë këtë detyrë, Genti i kushtoi gjithë
vëmendjen e tij forcimit ekonomik dhe politik të mbretërisë.
Midis masave me karakter ekonomik ajo që na dëshmohet më mirë nga
burimet është veprimtaria e dendur monedhaprerëse që zhvilloi Genti.
Krahas Skodrës dhe Lisit mbreti u njohu të drejtën e prerjes së
monedhave edhe dy qyteteve të tjera të mëdha, Rizonit dhe Lyhnidit, si
dhe dy fiseve të rëndësishme Labeatëve e Daorsëve. Kjo zgjeroi shumë
qarkullimin monetar dhe e shtriu atë në viset më të thella të
mbretërisë. Rëndësi të veçantë patën përpjekjet e Gentit për vendosjen e
një sistemi të përbashkët monetar në mbretërinë e tij. Për këtë qëllim
ai ndërpreu prerjet e vjetra të punishtes së Skodrës dhe në vend të tyre
hodhi në treg monedha të reja. Tani monedha kryesore e Skodrës në vend
të Zeusit, mban në faqe portretin e mbretit, kurse në shpinë, duke
ruajtur si simbol anijen ilire, vendin e legjendës së qytetit e zë
titulli dhe emri i mbretit.

Monedhën me mburojë përkrenare që u fut në sistemin monetar të Skodrës
qysh prej kohës së Pleuratit, Genti vazhdoi ta presë, por edhe kësaj i
hoqi legjendën e vjetër dhe në vend të saj vuri titullin dhe emrin e
vet. Kjo tregonte se Genti i kishte hequr Skodrës autonominë monetare
dhe punishten e bashkësisë qytetare e ktheu në punishte mbretërore.
Ndryshe prej Skodrës mbreti u njohu Lisit, Labeatëve dhe Daorsëve të
drejtën që monedhat e tyre t’i siglojë me emrin e bashkësisë qytetare
apo fisnore (?as????? Ge?????), por edhe këta i detyroi të respektojnë
standardin shtetëror: të pajisin monedhat e tyre me portretin e mbretit
dhe anijet ilire, si dhe t’u japin të njëjtën masë e peshë që kishin
monedhat e prera në punishten mbretërore të Skodrës.

Më vonë mbreti shtiu në dorë edhe punishten monetare të Lisit dhe i
ndaloi qytetit prerjen e monedhave autonome; që nga kjo kohë ai krijoi
për Skodrën, Lisin dhe krahinat qendrore të mbretërisë, një sistem
monetar të përbashkët të përbërë nga tri monedha: dy prej tyre ishin
monedhat e njohura që priteshin në punishten mbretërore të Skodrës;
njëra me portretin e mbretit - anijen ilire, dhe tjetra me mburojë -
përkrenare. Monedha e tretë ishte monedha e vjetër, e vogël e Lisit, e
cila paskëtaj do të siglohej me titullin dhe emrin e mbretit. Në
sistemin e ri monedha e parë përfaqësonte nominalin, kurse dy të tjerat
nëndarjet e tij.

Sistemi monetar që vendosi Genti në zonën qendrore nuk u shtri edhe në
qytetet periferike të mbretërisë. Monedhat prej argjendi të Rizonit me
mburojë - pegas dhe ato prej bronzi të Lyhnidit me mburojë gjysmë anije,
të prera në emër të bashkësisë qytetare (??ss?t??, ?aß?at??, ?a??s??)
dëshmojnë për një farë autonomie në marrëdhëniet ekonomike të këtyre
qyteteve me mbretërinë.
Gjatë sundimit të Gentit, Skodra, Lisi dhe qytete të tjera të mbretërisë
fituan një gjallëri të madhe ekonomike. Rrezja e qarkullimit të
monedhave të prera në emër të mbretit apo të qyteteve e të fiseve në
punishtet e Skodrës, Lisit, Rizonit, Lyhnidit etj., u shtrinë në skajet
më të thella të Mbretërisë Ilire dhe në disa raste edhe përtej kufijve
të saj. Në jug monedhat e Gentit zbresin deri në Dyrrah e Apoloni. Vetë
prerjet e daorsëve dhe të labeatëve si dhe monedhat e gjetura në Mat,
Peshkopi, Malësi e Madhe dhe në krahinat e thella të Malit të Zi,
tregojnë se qarkullimi monetar kishte depërtuar dhe në krahinat e
brendshme malore.

Politika e ndjekur prej Gentit në fushën e prerjeve monetare mund të
konsiderohet një reformë e vërtetë, që i lejoi mbretit të përqendrojë në
duart e tij mjete të fuqishme financiare. Dëshmi e qartë e kësaj është
përmbajtja e thesarit mbretëror që u kap nga romakët. Livi na thotë se
në arkën e mbretit u gjetën 27 ponde ari, 19 ponde argjendi, 13 000
denarë dhe 120 000 monedha ilire argjendi. Kjo ishte një shumë e madhe
që mbreti e kishte grumbulluar nga të ardhurat e pronarëve mbretërorë
dhe taksat e rënda që u kishte vënë nënshtetasve.

Dendësimi i prerjeve monetare dhe përpjekja për të përqendruar në arkën
shtetërore sa më shumë mjete financiare diktohej në radhë të parë nga
gjendja ndërkombëtare. Rreziku romak sa vinte bëhej më i qartë dhe
mbreti duhej të shtonte përpjekjet e tij për forcimin e ushtrisë dhe të
flotës. Fakti që në kohën e shpërthimit të konfliktit efektivi i
ushtrisë ilire numëronte 15 000 veta, me të cilët Genti u drejtua kundër
romakëve (pa llogaritur këtu garnizonet e veçanta të qyteteve) dhe
fakti që flota ilire numëronte ende në fund të luftës 220 anije, tregon
se sundimtari ilir e kishte vlerësuar drejt këtë rrezik dhe u kishte
kushtuar gjithë vëmendjen përgatitjeve për ta përballuar atë.

Ato elemente të organizimit shtetëror që në burimet e periudhës së
sundimit të Agronit apo të pasardhësve të tij dolën në mënyrë sporadike,
tek Genti vijnë e plotësohen dhe problemi bëhet më i qartë në tërësinë e
tij.
Në kohën e Gentit, edhe pse e cunguar, Mbretëria Ilire shtrihej ende në
një territor mjaft të gjerë dhe përfaqësonte fuqinë e dytë pas
Maqedonisë, në pjesën perëndimore dhe jugore të Gadishullit. Pasi i
dhanë Pleuratit Parthen dhe Lyhnidin, romakët i njohën Mbretërisë Ilire
si kufi jugor Genusin; në lindje ajo përfshinte edhe tokat e Penestisë,
kurse në veri pas shkëputjes së dalmatëve nuk shtrihej më tej se krahina
rreth gjirit të Rizonit.

Kryeqytet i mbretërisë ishte Skodra. Njësitë administrative të saj duket
se përputheshin me territorin rreth qyteteve. Ato kishin si qendër një
qytet të rëndësishëm dhe rreth tij një varg kështjellash, të cilat
mbronin kryeqendrën dhe gjithë krahinën. Një njësi të tillë formonte
Rizoni me kështjellat e vogla rreth këtij gjiri. Që nga koha që Skodra u
bë kryeqytet i mbretërisë duket se qendra e Labeatëve kaloi në Meteon.
Në jug, si shembull mund të sillet krahina e penestëve, për të cilën
burimet lejojnë të nënkuptohet se formonte një tërësi të tillë. Uskana,
qyteti më i madh i penestëve, ishte kryeqendra e krahinës, kurse
kështjellat që përmenden rreth saj ishin, me sa duket, qendra me
funksione më të ngushta administrative e mbrojtëse.

Burimet nuk sjellin të dhënat e nevojshme për të përcaktuar sa njësi të
tilla kishte mbretëria, megjithatë, duhet menduar se atje ku kemi një
qytet të rëndësishëm, rreth tij kemi dhe një krahinë që formonte një
njësi administrative të mbretërisë. Nuk mund të kërkohet kjo për
krahinat e thella malore ku jeta qytetare nuk u zhvillua. Rolin e
qendrave kanë mundur ta luajnë këtu vetëm fortesat e vogla që shërbenin
si seli e aristokracisë së fiseve.
E mbështetur në ekonominë e përparuar skllavopronare të qyteteve
Mbretëria Ilire e Gentit paraqitet me tipare të qarta të një monarkie të
tipit helenistik. Pushteti më i lartë ishte në duart e mbretit. Ashtu
si dhe parardhësit e tij ai mbante titullin “mbret i ilirëve” dhe
sundonte si një mbret romak dhe nuk njihej në burimet ndonjë organ
tjetër që të kufizonte veprimet e tij. Anëtarë të veçantë të familjes
mbretërore zinin detyra me përgjegjësi në punët e shtetit, por rolin më
të rëndësishëm në jetën politike e luanin “miqtë” e mbretit.

Ata ishin bashkëpunëtorët më të afërt e më të besuar të tij. Këtë
institucion, që ishte tipik helenistik e ndeshim në Mbretërinë Ilire për
herë të parë gjatë sundimit të Teutës; “miqve” ajo u besoi drejtimin e
punëve të shtetit. Në kohën e Gentit “miqtë” e mbretit luanin një rol të
dukshëm në qeverisjen e vendit dhe ngarkoheshin me misione të
rëndësishme diplomatike.
Mbreti ishte kryekomandant i forcave të armatosura tokësore dhe detare.
Veprimet ushtarake i drejtonte vetë ose ua besonte komandantëve të
veçantë. Bërthamën kryesore të ushtrisë që ishte mbështetja kryesore e
pushtetit mbretëror e përbënin kontingjentet e rregullta, të cilat sipas
rastit qëndronin si garnizone në qytete ose përqendroheshin për të
ndërmarrë një ekspeditë apo për të përballuar luftimet në një front të
caktuar. Burimet nuk bëjnë fjalë për forca ndihmëse në përbërjen e
ushtrisë ilire, por nuk duhet përjashtuar mundësia që fiset malore të
kenë ushqyer ushtrinë mbretërore me forca të tilla, sa herë që i
thërriste mbreti, duke qenë të komanduara nga krerët e tyre.

Njësi e flotës ilire është lembi, një anije e vogël, por e shpejtë dhe e
manovrueshme. Çdo lemb, përveç rremtarëve, kishte edhe 50 luftëtarë që
përbënin njësinë bazë të forcave ushtarake detare dhe mbase edhe
tokësore ilire.
Mbreti kishte nën kontroll punishtet monetare dhe autorizonte prerjen e
monedhave në emër të vet ose të bashkësisë qytetare e fisnore. Një
aparat fiskal vilte taksat me të cilat Genti kishte ngarkuar shtetasit;
kurse burgjet dhe nënkuptohet, një aparat dhune garantonin rendin e
vendosur nga shtresa sunduese dhe përfaqësuesi i saj më i lartë, mbreti.
Në marrëdhëniet me botën e jashtme shtetin e përfaqësonte gjithashtu
mbreti; ai shpallte luftën dhe përfundonte paqen, lidhte aleanca,
zhvillonte bisedime të drejtpërdrejta ose përmes përfaqësuesve caktonte
pengje për të garantuar një marrëveshje, merrte hua etj.

Administrimi i qyteteve dhe i krahinës që lidhej me to u besohej
dinastëve, të cilët mbreti mund t’i zëvendësonte. Në zonën qendrore të
mbretërisë Genti arriti ta kufizonte shumë autonominë e qyteteve dhe ta
dobësonte autoritetin e dinastëve lokalë, të cilët në burimet njihen
ndryshe dhe si “principa illyriorum”.
Siç shihet, në këtë periudhë shteti ilir paraqitet me një strukturë të
gjithanshme dhe me organe administrative që ishin ngarkuar me funksione
të ndryshme në veprimtaritë për forcimin e pushtetit qendror dhe
konsolidimin e shtetit. Reforma monetare ishte një shprehje e qartë e
kësaj politike. Kontradiktat në plan ndërkombëtar që mplekseshin me ato
sociale, të brendshme, e diktonin një politikë të tillë. Genti e përçoi
këtë pa ngurrim dhe me rezultat në zonën qendrore të mbretërisë.
Geri
Geri
Fondatore St@ff Forum
Fondatore St@ff Forum

<b>Postime</b> Postime : 19707
 <b>Piket</b> Piket : 23805
Regjistruar : 21/04/2009
 <b>Mosha</b> Mosha : 35
 <b>Vendbanimi</b> Vendbanimi : Ne qytetin e dashur Tirone

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Shtetet Ilire Empty Re: Shtetet Ilire

Mesazh nga Geri Thu 4 Mar 2010 - 8:46

Politika e jashtme e Gentit


Duke qenë në marrëdhënie të ndera me Romën, Genti u kujdes të vendosë
marrëdhënie të mira me fqinjët ballkanikë. Qysh në fillim të sundimit të
tij, ai ia arriti të vendoste lidhje miqësore me fqinjën lindore,
Mbretërinë Dardane. Këto marrëdhënie mbreti i përforcoi me një martesë
dinastike dhe sado e ndërlikuar që u bë më vonë gjendja politike në
Ballkan, nga burimet nuk del që ato të jenë prishur.

Por bazën e politikës së jashtme të shtetit ilir në këtë kohë e përbënin
marrëdhëniet miqësore me Maqedoninë. Synimet ekspansioniste të Romës
kishin diktuar një politikë të tillë qysh në vitet e fundit të sundimit
të Pleuratit. Tani në kohën e Gentit, vazhdimi i kësaj politike bëhej
edhe më i nevojshëm, sepse, në fund të viteve 80 dhe sidomos gjatë
dekadës së re, senati e shtoi presionin politik mbi shtetet e Ballkanit
dhe në mënyrë të veçantë mbi Maqedoninë dhe Mbretërinë Ilire. Burimet
letrare nuk hedhin dritë mbi marrëdhëniet e tij me sundimtarin e
Maqedonisë Perseun, në vitet e para të sundimit të Gentit, por në to
vihet re qartë një paralelizëm në qëndrimin armiqësor të Republikës
(Romës) ndaj tyre. Nga ana tjetër, materiali numizmatik dëshmon për
lidhje të ngushta ekonomike dhe si rrjedhim edhe politike, midis
Mbretërisë Ilire dhe Maqedonisë.

Marrëdhëniet e Gentit me Perseun dokumentohen më mirë në prag të luftës
së fundit. Dy lajme të Livit që lidhen me fundin e vitit 173 dhe
fillimin e vitit pasues hedhin dritë mbi këto marrëdhënie. Njëri ka të
bëjë me vrasjen e Artetaurit, një dinasti të vogël që përkrahte
politikën romake diku në Iliri, ndoshta në zonën e pushtuar nga romakët
dhe që në burime paraqitet si një aksion i kombinuar i Perseut dhe i
Gentit. Lajmi tjetër bën fjalë për dy sulme të Gentit kundër tokave të
Isës dhe përkon në kohë me aktivitetin që zhvillon Perseu për të
përmirësuar pozitat e tij në jug dhe në lindje.


Këto ngjarje që shkaktuan shqetësimin e romakëve dhe të aleatëve të
tyre nuk mund të merren thjesht si një produkt i propagandës romake që
synonte t’i paraqiste të dy sovranët si provokatorë. Livi, sipas
Polibit, pohon se, krahas delegatëve që vijnë nga Lindja me ankesa
kundër Perseut, delegatë nga Isa vijnë para senatit për të akuzuar
Gentin për atë që “ishte në një mendje me mbretin e Maqedonisë dhe që të
dy së bashku po përgatitnin luftën kundër romakëve”. Gjendja ishte e
tillë që u impononte të dy sovranëve nevojën e veprimeve të
bashkërenditura për të përballuar rrezikun romak që sa vinte bëhej më
kërcënues. Megjithatë është fakt se duke u përgatitur për t’i bërë ballë
këtij rreziku, të dy sovranët nuk donin një konflikt të hapur me Romën,
fuqia e së cilës nuk ishte për të mos u përfillur.

Prandaj Genti, ashtu siç bën edhe Perseu, u shpejtua të dërgonte
delegatë në Romë “për të larë nga fajet që i ngarkonin isasit”. Senati
nuk pranoi të bisedonte me të dërguarin e mbretit dhe i bëri të ditur
pakënaqësinë e tij duke e shoqëruar me kërcënime. Duke dashur, nga ana
tjetër, që ta izolonte plotësisht Perseun, senati provoi ta bindë Gentin
që të shkëputej nga miqësia me mbretin maqedon dhe të bashkonte armët e
tij me ato të romakëve. Genti qëndroi në pozitat e tij dhe delegati
romak u kthye në atdhe i dyshuar se ishte korruptuar me të hollat e
mbretit ilir. Me këtë ndërpriten përpjekjet romake për të tërhequr
Gentin nga ana e tyre.

Kështu në pragun e luftës kundër Maqedonisë, kur Roma zhvillonte një
veprimtari të etshme diplomatike, të shoqëruar me presion të madh
politik, për të izoluar Perseun, sundimtari ilir nuk mori anën e
Republikës. Livi e paraqet Gentin të lëkundur, por faktet tregojnë se as
këtë radhë, as më pas, mbreti ilir nuk tregon shenja lëkundjeje në
qëndrimin e tij ndaj Romës. Ishte vetëm përgatitja e pamjaftueshme që do
ta pengonte për të dalë në fushën e betejës kundër saj.


Lufta e tretë romako-maqedone, veprimet luftarake të vitit 171


Krahas përgatitjeve diplomatike, Roma po merrte edhe masat ushtarake për
të asgjësuar Maqedoninë dhe Mbretërinë Ilire që ishin dy forcat
kryesore, të cilat pengonin planet e saj ekspansioniste në Ballkan.
Në nëntorin e vitit 172 senati urdhëroi dërgimin e forcave të para në
brigjet e përtejme të Adriatikut, të përbëra nga 5 000 këmbësorë dhe 300
kalorës. Ky kontingjent i vogël që dërgohej si pararojë e ushtrisë
konsullore, pasi zbriti në Epir, me sa duket në Orik, ngriti lëmin e vet
në afërsi të Nymfeut, në tokat e Apolonisë. Këndej një njësi prej 2 000
vetash u dërgua menjëherë për të zënë, siç na thuhet, “fortesat e
dasaretëve dhe të ilirëve”. Po të gjykojmë nga të dhënat e mëvonshme,
forcat romake duhet të jenë vendosur në këtë kohë në Lyhnid, Uskanë dhe
në disa kështjella rreth saj, aty ku prania e tyre na del papritur në
ngjarjet e dimrit të vitit 170/169. Ky aksion kishte një qëllim të
largët strategjik. Ai duhet të siguronte pozitat romake në Iliri, të
mbante të hapura rrugët kryesore për në Maqedoni dhe të bënte presion
mbi Mbretërinë Ilire, duke e ndarë atë territorialisht nga Maqedonia.

Më vonë forca të pakta u dërguan në Greqi dhe u vendosën nëpër qytete si
garnizone të vogla që kishin më tepër karakter simbolik. Një
kontingjent i veçantë u dërgua në Thesali për të zënë Larisën si një
pikë me rëndësi strategjike. Pasi ishin zënë pozitat e përparuara në
Iliri e Thesali, në pranverën e vitit 171, senati vendosi të fillonte
luftën kundër Perseut. Goditja do të jepej nga Thesalia. Ushtria
konsullore pasi zbriti në Apoloni, përshkoi Epirin dhe ra në ultësirën
thesale; këtu ajo u gjend përpara forcave të Perseut që kishin zënë
rrugën e hyrjes për në Maqedoni; 40 000 ishin forcat konsullore përballë
43 000 forcave të Perseut, megjithatë të dyja palët iu shmangën
betejave vendimtare dhe stina e verës së vitit 171 u mbyll pa ndonjë
rezultat të shënuar, duke i lënë kundërshtarët në pozitat e mëparshme,
fillestare.
Ndërkaq Roma nuk e la krejt pas dore edhe Mbretërinë Ilire.

Ndërsa ushtria konsullore u nis për të zbritur në Apoloni, flota romake
vuri dorë mbi 54 anije të Gentit, pa marrë pëlqimin e mbretit dhe i
përfshiu në përbërjen e forcave detare që do të zinin Qefaloninë dhe do
të vepronin gjatë bregdetit grek në mbështetje të forcave tokësore
romake. Më vonë romakët duket se ndërmorën një aksion të dytë, shumë të
rëndësishëm, kundër Mbretërisë Ilire. Ndërsa po zhvillohej fushata
verore në Thesali, konsulli urdhëroi të nënshtroheshin disa qytete në
Iliri. Midis tyre Karnunti, një qytet i paidentifikuar, u bëri një
qëndresë të fortë pushtuesve, prandaj pretori që komandonte forcat
romake, urdhëroi plaçkitjen e këtyre qyteteve. Nuk është thënë qartë për
ç’qëllim u organizua kjo fushatë, megjithatë një ngjarje që ndoshta
mund të lidhej me të, do të ishte ajo që ka të bëjë me ndryshimet në
kufirin jugor të Mbretërisë Ilire.

Duke qenë në marrëdhënie të ndera me Gentin dhe pasi dështuan përpjekjet
për ta bërë atë për vete, senati urdhëroi aneksimin e tokave dhe të
qyteteve parthine që i pat njohur Pleuratit më 196 dhe e shtyu kufirin e
Mbretërisë Ilire nga Genusi në Ardaksan, aty ku shënohet disa vite më
vonë. Në këtë rast Karnunti dhe qytetet e tjera që u sulmuan bashkë me
të duhen kërkuar në veri të Genusit. Është për t’u shënuar se si për
rastin e grabitjes së anijeve, ashtu dhe për ndryshimet që ndodhën në
kufirin jugor të mbretërisë, sundimtari ilir nuk jep asnjë shenjë
kundërshtimi, sepse, me sa duket, nuk ishte në gjendje ta bënte një gjë
të tillë.
Geri
Geri
Fondatore St@ff Forum
Fondatore St@ff Forum

<b>Postime</b> Postime : 19707
 <b>Piket</b> Piket : 23805
Regjistruar : 21/04/2009
 <b>Mosha</b> Mosha : 35
 <b>Vendbanimi</b> Vendbanimi : Ne qytetin e dashur Tirone

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Shtetet Ilire Empty Re: Shtetet Ilire

Mesazh nga Geri Thu 4 Mar 2010 - 8:47

Fushata e Perseut në Iliri në dimrin e vitit 170/169.


Aleanca iliro - maqedone


Gjendja në frontin thesal edhe në vitin 170 mbeti e pandryshuar. Në
Iliri përkundrazi u zhvilluan ngjarje të rëndësishme. Në verën e këtij
viti romakët i shtuan forcat e tyre rreth Mbretërisë Ilire. Garnizoni i
Isës që kishte më parë vetëm 12 anije të vogla vendase u përforcua me 18
anije të tjera pesërremëshe dhe 2 000 ushtarë, që do të ishin të
gatshëm për çdo rast kundër Gentit. Nga ana tjetër, Senati dërgoi në
Iliri edhe 4 000 këmbësorë dhe kjo forcë u rrit më vonë me 8 000 veta,
me trupat ndihmëse që u mobilizuan midis aleatëve të Romës. Kështu
forcat romake nga 5 000 që ishin në fillim të konfliktit u rritën në
vitin 170 në 15 000 veta. Kjo forcë e konsiderueshme që ushtronte
presionin e vet të vazhdueshëm mbi Mbretërinë Ilire, kishte krijuar një
gjendje lufte të pashpallur.

Gjendja e krijuar në Iliri shqetësonte mjaft edhe Perseun, sundimtarin e
Maqedonisë. Forcat romake që ishin grumbulluar këtu po bëheshin një
rrezik gjithnjë më serioz për të dhe po e ngushtonin Gentin që ai e
quante aleatin e tij të natyrshëm. Prandaj, pasi përfundoi fushatën
kundër dardanëve, Perseu vendosi t’i godiste pozicionet romake në
Penesti dhe, duke u shtyrë në thellësi të Ilirisë, të vendoste kontaktet
me Gentin. Si kohë të përshtatshme për këtë ekspeditë, Perseu zgjodhi
mesin e dimrit (dhjetor-janar 170/169), kur një sulm romak kundër
Maqedonisë nga ana e Thesalisë ishte pothuajse i pamundshëm, meqenëse
bora e madhe i bënte të pakapërcyeshme malet që ndanin këto dy vende.
Pasi përqendroi një forcë goditëse prej 12 500 vetash në Stuberë u
drejtua kundër Uskanës, qytetit më të madh të tokës së penestëve dhe e
rrethoi atë. Mbas një qëndrese të vogël garnizoni romak prej 4 000
vetash dhe forcat ndihmëse të mobilizuara tek ilirët u dorëzuan. Romakët
i ndanë në grupe të vogla dhe i shpërndanë nëpër qytete për t’i mbajtur
në rojë, kurse uskanasit dhe ilirët e zënë rob i shitën.

Pas kësaj Perseu u drejtua kundër qytetit Oene, që zinte një pozitë
strategjike në rrugën për në krahinën e labeatëve, qendër e mbretërisë
së Gentit. Por më parë iu desh të nënshtronte një varg kështjellash,
midis të cilave Draudakun, një qendër e fortë dhe me një popullsi të
dendur, që zinte një vend me rëndësi në mbrojtjen e Oenes. Vetëm pasi
zuri këto kështjella dhe bashkë me to edhe garnizonet e vogla romake,
gjithsej 1 500 veta, Perseu arriti në Oene. Qyteti ishte vendosur në një
vend të mbrojtur mirë nga lumi që i kalonte pranë dhe një mal i lartë
në shpinë të tij. Meqenëse nuk pranoi të dorëzohej, mbreti qe i detyruar
ta merrte me forcën e armëve pas një rrethimi të gjatë e të lodhshëm. I
zemëruar, Perseu urdhëroi të masakroheshin të gjithë burrat; gratë e
fëmijët i mori rob dhe qytetin ua la ta plaçkisnin ushtarakëve.

Pas kësaj fitoreje ekspedita i kishte arritur objektivat e saj: kishte
larguar njëherë për njëherë rrezikun e një invazioni romak nga perëndimi
dhe kishte çelur rrugën për tek Genti. I kënaqur Perseu u kthye në
Stuberë dhe menjëherë u kujdes për të hyrë në lidhje me mbretin ilir,
aleancën me të cilin në këtë çast e çmonte shumë. Për këtë qëllim, nisi
dy përfaqësues të vet, Adeun nga Maqedonia, dhe ilirin Pleurat, i cili
gjendej pranë tij i mërguar dhe që do të shërbente si përkthyes.
Delegatët u porositën të informonin Gentin mbi rezultatet e luftës
kundër romakëve dhe dardanëve, në mënyrë të veçantë t’i vinin në dukje
fitoret që kishte korrur Perseu gjatë fushatës së fundit në Iliri dhe
t’i propozonin aleancë. Pasi përshkuan një rrugë të gjatë, përmes
krahinave malore të Ilirisë delegatët arritën në Skodra.

Genti ndodhej në Lis, prandaj i ftoi ta gjenin atje. Bisedimet që
filluan këtu në janar të vitit 169 dhe që u rimorën disa herë gjatë
këtij viti, përfunduan vetëm në janarin tjetër të vitit 168. Që në
takimin e parë Genti e pranoi idenë e një aleance, por u tha të
dërguarve të Perseut se nuk kishte armë dhe të holla të mjaftueshme për
t’u shpallur luftën romakëve. Pas kësaj përgjigjeje të Gentit,
tradicioni antik dhe pas tij gjithë historiografia moderne, kanë parë
gjithmonë lëkundjet dhe pavendosmërinë e mbretit ilir për t’u prishur
haptazi me romakët dhe dëshirën e tij për të përfituar sa më shumë të
holla. Perseu, nga ana tjetër, paraqitet gjatë traktativave si një
koprac që do t’ia arrijë qëllimit me një çmim sa më të lirë, prandaj
humbet kohën me bisedime të zgjatura dhe pa rezultat. Nuk ka dyshim se
qëndrimi proromak i Polibit, që i transmeton këto bisedime, ka bërë që
të errësohet përmbajtja racionale e këtyre traktativave.

Rezerva që bën Genti në lidhje me mungesën e armëve dhe të të hollave
dëshmon vetëm se ai ishte i papërgatitur për të hyrë në luftë. Kjo
vërtetohet edhe me atë që një vit më vonë ai do ta bënte këtë pa
ngurrim. Fakti që Genti nuk iu përgjigj menjëherë kërkesës së Perseut
tregon se midis tyre kishte, me sa duket, vështrime të ndryshme të
karakterit taktik për çështjen e luftës. Ndërsa mbreti maqedon, mbasi
kishte hyrë në luftë, donte që me aksionet e tij ushtarake dhe politike
t’u imponohej romakëve, t’i bindte se ishte e pamundur fitorja mbi
maqedonët, dhe t’i bënte të pranonin një zgjidhje kompromisi, Genti që e
shikonte ende të balancuar forcën romake me atë maqedone, donte të
fitonte kohë për një përgatitje të mjaftueshme para se të hynte në
luftë, në qoftë se kjo do të ishte e pashmangshme.

Ndërsa këta dy sovranë mendonin dhe vepronin me mënyrën e tyre, romakët
merrnin masa për të kaluar në veprime vendimtare. Në muajt e fundit të
dimrit të vitit 169, aksionet e tyre në Iliri ishin ende të
parëndësishme: ata ndërmorën një sulm që përfundoi pa sukses, për të
ripushtuar Uskanën dhe më pas u kujdesën që të forconin kontrollin mbi
krahinat e pushtuara të Ilirisë, duke marrë për këtë qëllim pengje nga
parthinët dhe disa qytete të penestëve, që kishin mbetur në duart e
tyre. Romakët nuk patën sukses në një aksion që ndërmorën në Epir. Por
në prag të verës gjendja ndryshoi. Në frontin thesal romakët, me një
manovër të shkathët kaluan masivin e Olimpit dhe papritur u gjendën në
Maqedoni, duke e detyruar Perseun të tërhiqej në pozita të reja
mbrojtëse.

Ndërkaq forcat romake në Iliri u rritën në 30 000 veta. Në numrin e
përgjithshëm të forcave tokësore dhe detare që përqendroi Republika në
fillim të vitit 168, kjo ishte një fuqi e konsiderueshme. Në kundërshtim
me tendencën e historiografisë antike dhe moderne për të minimizuar
rolin e Mbretërisë Ilire, kjo shifër tregon qartë se ç’vend zë ajo në
këtë luftë vendimtare për fatet e popujve të Ballkanit, sa kohë që Roma
qe detyruar të drejtonte kundër saj një forcë të tillë ushtarake.
Përpjekjet që u bënë nga Perseu gjatë dimrit 169/168 për të gjetur një
zgjidhje diplomatike të konfliktit, duke përdorur si ndërmjetës shtetet
helenistike, dështuan. Në këto rrethana u bë e qartë se fati i luftës do
të zgjidhej vetëm në fushën e betejës.

Në janar të vitit 168 bisedimet midis përfaqësuesve të Perseut dhe
Gentit morën fund pasi pala maqedone kishte marrë përsipër të jepte një
ndihmë financiare prej 300 talentesh për nevojat e luftës dhe “gjithë
sigurimet e domosdoshme”. Kjo frazë që mbase nënkuptonte rregullimin e
gjithë marrëdhënieve midis dy mbretërive gjatë dhe mbas luftës, mbetet
për fat të keq te Polibi e papërfunduar. Menjëherë pas kësaj Genti
ratifikoi marrëveshjen në Meteon dhe pasi bëri betimin, u dorëzoi
përfaqësuesve të mbretit maqedon pengjet. Perseu që i jepte një rëndësi
të veçantë kësaj aleance, në këtë çast kritik për Maqedoninë, e shpalli
përfundimin e marrëveshjes me një solemnitet të veçantë: ai organizoi në
Dium ceremoninë e betimit dhe të këmbimit të pengjeve në prani të
kalorisë maqedone, duke llogaritur kështu edhe efektin psikologjik që do
të kishte kjo ngjarje në trupat e tij.

Përveç delegacionit që asistoi në ceremoninë e ratifikimit të
marrëveshjes, Genti dërgoi në Maqedoni edhe dy përfaqësues, të cilët së
bashku me një delegacion maqedon do të shkonin në Rod për ta tërhequr
këtë fuqi detare në aleancën e tyre. Këtij misioni sovranët i jepnin një
rëndësi të madhe, sepse sipas tyre po të bënin për vete këtë qytet,
romakëve nuk do t’u mbetej asnjë shpresë për fitore as në tokë, as në
det. Ata kishin shumë besim në suksesin e këtij misioni, sepse edhe
Rodi, me pozitën hegjemone në Mesdheun Lindor nuk e donte daljen e
Republikës në këto anë.

Pas kësaj Genti mori qëndrimin e parë të hapur kundër romakëve, të cilët
kohët e fundit kishin riaktivizuar diplomacinë e tyre për ta bërë për
vete mbretin ilir. Dy delegatë që senati kishte dërguar për këtë qëllim i
arrestoi dhe menjëherë kaloi në masat efektive për fillimin e veprimeve
luftarake. Në këtë pikë tradita polibiane i atribuon Perseut një veprim
të pandershëm që e shpjegon me vesin e tij të kopracisë. Sipas Polibit,
mbreti maqedon i bindur se me këtë hap Genti ishte komprometuar në
marrëdhëniet me romakët, ndërpreu dërgimin e ndihmës financiare, lejoi
vetëm dërgimin e 10 talenteve, kurse shumën tjetër të parave, të
vulosura me simbole ilire, që kishte arritur në kufi, urdhëroi ta
kthenin mbrapsht. Ky pasazh i Polibit, për vërtetësinë e të cilit e
mbrojnë me forcë edhe autorë modernë, është vënë në dyshim me të drejtë,
si një shprehje e qëndrimit të tij, përgjithësisht armiqësor ndaj
Perseut, ashtu sikurse edhe ndaj Gentit, figurat e të cilëve ky
historian dhe pas tij gjithë burimet antike i paraqisnin në një dritë të
rreme.
Geri
Geri
Fondatore St@ff Forum
Fondatore St@ff Forum

<b>Postime</b> Postime : 19707
 <b>Piket</b> Piket : 23805
Regjistruar : 21/04/2009
 <b>Mosha</b> Mosha : 35
 <b>Vendbanimi</b> Vendbanimi : Ne qytetin e dashur Tirone

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Shtetet Ilire Empty Re: Shtetet Ilire

Mesazh nga Geri Thu 4 Mar 2010 - 8:47

Lufta e tretë iliro-romake


Kështu në çastin kur konflikti kishte arritur kulmin e tij, mbreti ilir
kishte vendosur të hynte në luftë kundër Romës, duke e zgjedhur këtë si
të vetmen rrugë për mbrojtjen e pavarësisë politike. Vendimi i tij u
prit me entuziazëm në Maqedoni, në Rod dhe duhet menduar edhe në vise të
tjera të Ballkanit, sepse ngjallte shpresa për fitoren mbi romakët.

Genti nuk vonoi të vepronte. Pasi kishte grumbulluar në Lis një forcë të
konsiderueshme prej 15 000 vetash, u hodh në sulm. Me forcat kryesore u
drejtua kundër qytetit Basania, i cili siç na ka mbërritur në tekstin e
Livit, ishte 5 milje nga Lisi. Ky qytet ishte në aleancë me romakët.
Genti u mundua ta bëjë për vete atë me anë të bisedimeve, por mbasi nuk
pranoi të nënshtrohej, e rrethoi. Ndërkaq të vëllanë Karavandin e dërgoi
me 1 000 këmbësorë dhe 50 kalorës, në veri për të nënshtruar fisin e
Kavëve. Qyteti Durn e priti mirë, kurse qyteti tjetër i mbylli dyert
Karavandit. Genti nuk pati sukses edhe në operacionet detare. Flota e
tij prej 80 anijesh që ishte dërguar të godiste tokat rreth Dyrrahut dhe
Apolonisë dhe, me sa duket, të vendoste kontrollin mbi rrugën detare që
lidhte të dy brigjet e Adriatikut, u thye në afërsi të Apolonisë në
ndeshjen me flotën romake dhe qe e detyruar të tërhiqej në drejtim të
veriut.

Pas kësaj romakët, që kishin përqendruar ndërkaq forcat e tyre në Genus,
u drejtuan kundër mbretit në Basania. Forcat romake, dy herë më të
mëdha në numër, mbasi pushtuan qendrat e rëndësishme gjatë rrugës, u
gjendën para mureve të Skodrës. Boshllëku që është krijuar në tekstin e
Livit nuk jep mundësi për të njohur hollësitë e këtyre veprimeve
luftarake.

Qëndresën e fundit Genti e bëri në Skodra. Ai shpresonte shumë në këtë
qytet që e kishte zgjedhur si kryeqendër të mbretërisë, sepse pozita e
tij ofronte një mbrojtje të sigurt. Dhe me të vërtetë i rrethuar nga dy
lumenj, Klausali dhe Barbana dhe i fortifikuar mirë, qyteti mund të
përballonte me sukses një rrethim të gjatë. Por mbreti nuk diti ta
organizonte mirë mbrojtjen. Në vend që forcat ilire të qëndronin brenda
mureve rrethuese të qytetit dhe t’i shmangeshin përleshjes në fushë të
hapur, u futën në betejë aty ku armiku kishte epërsi numerike, dhe i
theu keqas. Pasi dështuan edhe përpjekjet e vëllait të tij, Karavandit,
për të grumbulluar forca të tjera nga krahinat përqark, Genti u dorëzua.

Dhjetë ditë më vonë pas rënies së Skodrës, në betejën që u zhvillua në
Pydna u shkatërrua përfundimisht dhe ushtria maqedone. Njëherësh me
Ilirinë dhe Maqedoninë romakët nënshtruan dhe Epirin. Genti dhe Perseu
bashkë me familjet e tyre, me plaçkë e robër të shumtë lufte u dërguan
në Romë.
Kështu u nënshtruan dy shtetet e fuqishme të Ballkanit dhe u vendos në
këto krahina sundimi romak.


Copëtimi i tokave të shtetit ilir



Menjëherë pas mbarimit të luftës romakët u morën me ndarjen
administrative të tokave të shteteve të mundura. Senati romak i shpalli
“të lirë” ilirët e maqedonët; në të vërtetë, sikurse e treguan ngjarjet e
mëvonshme, ai shpalli humbjen e pavarësisë së tyre. Në një mbledhje që u
bë në Skodra, në vitin 167 p.e.sonë, ku morën pjesë pesë të dërguar të
posaçëm nga Roma dhe përfaqësuesit e parisë ilire proromake, komandanti i
ushtrisë Lue Anici shpalli vendimet e senatit romak. Tokat e shtetit
ilir u ndanë në tri njësi administrative të veçanta. Në krahinën e parë,
me qendër Lisin, qenë përfshirë tokat përreth këtij qyteti deri te lumi
Mat në jug.

Njësia e dytë administative përbëhej nga krahina e banuar prej
labeatëve, qendra e së cilës ishte Skodra. Në krahinën e tretë bënin
pjesë viset bregdetare ilire në veri të Skodrës deri te lumi Narona,
duke përfshirë qytetet Rizen e Olcin. Pushtuesit romakë shpallën
gjithashtu se të gjithë ilirët, që nuk ishin bashkuar me Gentin në
luftën kundër Romës nuk do të paguanin taksa, kurse ilirët e tjerë do
t’i jepnin shtetit romak gjysmën e taksave që i kishin paguar mbretit
Gent. Romakët larguan nga qytetet dhe kështjellat ushtritë e tyre dhe në
krye të njësive administrative të formuara rishtas vunë përfaqësues nga
paria ilire, përkrahëse të politikës pushtuese të Romës në Iliri.

Çfarë fshihej prapa “Lirisë” së dhënë nga Roma? Për të kuptuar këtë
duhet marrë parasysh pohimi i autorëve antikë, që theksojnë se Iliria e
Maqedonia, të mundura ishin vënë “nën pushtetin e popullit romak” dhe se
ilirët e maqedonët do të jetonin “të lirë” vetëm mbasi romakët t’u
jepnin atyre kushtetutën, duke rregulluar ligjet dhe duke caktuar
taksat. Pastaj tri krahinat ilire të ndara dhe të bazuara mbi autonominë
e “civitates-ve” bashkësive, do të kishin organet e tyre
administrative, por nuk do të kishin të drejtë për të pasur asnjë lloj
marrëdhënie gjinie, ekonomike e politike midis tyre. Në këtë mënyrë
ndërpriteshin lidhjet ekonomike, bëhej i pamundur një bashkim ushtarak i
tyre dhe shmangej kështu rreziku i një kryengritjeje.

Krahinat e qytetet ilire në jug të lumit Mat, të cilat nuk kishin bërë
pjesë në shtetin ilir të Gentit, sundimtarët e paria e të cilëve qysh në
dy luftërat e para iliro-romake kishte mbajtur krahun e Romës, siç qenë
parthinët e atintanët, romakët i mbajtën nën protektoratin e tyre. Të
tjerët që nuk kishin marrë pjesë në luftë, si bylinët, amantët,
dasaretët etj., i lanë përsëri më vete. Qytetet greke Korkyra, Apolonia e
Dyrrahu ruajtën autonominë e tyre, por mbetën baza të rëndësishme
ushtarake për veprimet luftarake të mëvonshme të Romës në Ballkan. Për
pjesëmarrjen në luftën kundër shtetit ilir senati romak u ndau atyre 220
anijet që ishin pjesë e plaçkës së zënë në Iliri.

Në tokat e shtetit të Epirit, ku romakët kishin hasur gjatë veprimeve
ushtarake një qëndresë të fortë, pas shkatërrimeve të mëdha, pas
masakrave që bënë legjionet romake dhe shndërrimit në skllevër të një
pjese të madhe të popullsisë, u vendos një regjim i rreptë ushtarak.
Vetëm qytetit Foinike, bashkë me një territor të vogël të banuar nga
kaonët, romakët u lanë një farë autonomie, sikurse tregojnë disa
mbishkrime dhe monedhat e prera prej këtij qyteti.

Kështu pas mbarimit të luftës së tretë iliro-romake, Iliria e Jugut u
copëtua ekonomikisht e politikisht. Të vëna nën protektoratin e Romës
ose duke pasur një farë autonomie, krahinat e qytetet ilire nuk mundën
të zhvillonin si më parë ekonominë e tyre. Disa degë të prodhimit, si
nxjerrja e metaleve e ndërtimi i anijeve u ndërpre dhe kaluan në duart e
romakëve. Megjithëse disa qytete të Ilirisë së Jugut vazhduan prerjen e
monedhave autonome, qarkullimi monetar dhe marrëdhëniet tregtare nuk
kishin më atë intensitet që kishin pasur para luftërave iliro-romake. Në
këtë kohë u forcua edhe më tepër pozita e shtresës së pasur ilire, e
skllavopronarëve të mëdhenj, të cilët e mbështetnin politikën e Romës
dhe kërkonin të përfitonin nga rrethanat e reja ekonomike e politike për
të shtuar pronat e pasuritë e tyre.

Kjo gjendje që u krijua në Ilirinë e Jugut në fund të shek. III dhe
gjatë shek. II p.e.sonë nuk zgjati shumë. Ajo qe e varur në përgjithësi
nga politika që Republika do të ndiqte në Gadishullin Ballkanik dhe nga
synimet pushtuese të saj. Dy ngjarje që ndodhën brenda një kohe të
shkurtër, agresioni romak ndaj krahinave veriore ilire dhe kthimi i
Maqedonisë në provincë e bënë të qartë qëndrimin që do të mbante Roma
kundrejt ilirëve. Romakët, pas kryengritjes maqedone të vitit 149
p.e.sonë, krijuan provincën e Maqedonisë dhe përfshinë në të të gjitha
krahinat ilire në jug të lumit Mat.
Geri
Geri
Fondatore St@ff Forum
Fondatore St@ff Forum

<b>Postime</b> Postime : 19707
 <b>Piket</b> Piket : 23805
Regjistruar : 21/04/2009
 <b>Mosha</b> Mosha : 35
 <b>Vendbanimi</b> Vendbanimi : Ne qytetin e dashur Tirone

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Shtetet Ilire Empty Re: Shtetet Ilire

Mesazh nga Geri Thu 4 Mar 2010 - 8:48

K R E U VII

QËNDRESA E ILIRËVE KUNDËR PUSHTUESVE ROMAKË




Luftërat e gjata të shtetit ilir dhe atij maqedon ishin bërë pengesa më e
fuqishme kundër pushtuesve romakë. Thyerja e këtyre dy fuqive më të
rëndësishme në Ballkan i kishte hapur Romës rrugën për të vazhduar më
tej politikën e saj ekspansioniste në këtë gadishull dhe më tej në
Lindje. Në shekullin II p.e.sonë dhe në shekujt që pasuan, Roma i shtriu
luftërat e saj pushtuese edhe mbi krahinat e tjera të Ilirisë së
brendshme dhe të asaj veriore.

Objekt i synimeve të Romës u bënë, në radhë të parë Mbretëria Dardane
dhe federata e dalmatëve, dy formacione shtetërore ilire, të cilat dolën
në skenën politike më vonë. Mbretëria Dardane, siç u pa në kreun e
mëparshëm, përmendet në burimet e shkruara edhe para këtyre luftërave
dhe del si kundërshtare e fortë e ekspansionit maqedon në Ilirinë
Verilindore, duke arritur zhvillimin e saj më të madh në pjesën e dytë
të shek. III dhe gjatë shek. II p.e.sonë. Në këtë shekull të fundit
dardanët u bënë gjithashtu edhe kundërshtarët më të fortë të pushtuesve
romakë.

Flamurin e luftës e morën dalmatët dhe fiset e tjera të veriut, që u
bënë simbol i qëndresës kundër romakëve për një shekull e gjysmë.
Kryengritjet e njëpasnjëshme të ilirëve morën karakter të gjerë duke
përfshirë thuaj gjithë trevën ilire nga Danubi në veri deri në skajet
jugore të Ilirisë.
Në prag të erës sonë shpërtheu kryengritja e madhe e ilirëve, e quajtur
kryengritja e Batos, e cila qe kurorëzim i të gjitha kryengritjeve të
mëparshme dhe i solli dëme të ndjeshme Perandorisë Romake duke e
detyruar të hiqte dorë nga politika e saj agresive në Evropën Qendrore.




1. FEDERATA E DALMATËVE




Në veri të shtetit ilir dhe të Mbretërisë Dardane banonin popullsi të
ndryshme ilire, të cilat me përjashtim të ilirëve të bregdetit të
Adriatikut. dalin vonë në burimet e shkruara antike. Midis tyre ata që
përmenden më herët janë “liburnët” të njohur si një nga popullsitë ilire
që zhvilluan detarinë. Por nga ilirët veriorë, të cilët njihen më mirë
dhe që zënë një vend të rëndësishëm në ngjarjet e shekujve II-I p.e.sonë
e në qëndresën kundër pushtuesve romakë, kanë qenë dalmatët.
Kjo gjendje e trashëguar nga përshkrimet e autorëve antikë për ilirët e
veriut është pasqyruar në një farë mënyre edhe në historiografinë e
sotme.

Nuk mund të thuhet se mungojnë studimet për ilirët e veriut, por këto
studime lidhen më tepër me popullsi të veçanta, me shtrirjen e tyre
gjeografike dhe nuk ka një trajtim të përgjithshëm të historisë së tyre.
Këto studime mbështeten pak nga të dhënat e arkeologjisë, edhe pse këto
janë të pasura në krahinat veriore ilire për periudhat prehistorike e
protohistorike dhe për periudhën e pushtimit romak.
Geri
Geri
Fondatore St@ff Forum
Fondatore St@ff Forum

<b>Postime</b> Postime : 19707
 <b>Piket</b> Piket : 23805
Regjistruar : 21/04/2009
 <b>Mosha</b> Mosha : 35
 <b>Vendbanimi</b> Vendbanimi : Ne qytetin e dashur Tirone

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Shtetet Ilire Empty Re: Shtetet Ilire

Mesazh nga Geri Thu 4 Mar 2010 - 8:48

Federata e dalmatëve dhe luftërat kundër pushtuesve romakë


Në shek. II p.e.sonë, dalmatët shfaqen në Ilirinë e Veriut si një fuqi
politike aktive. Tokat e banuara prej tyre deri në atë kohë ndodheshin
në krahinën e brendshme, në jug të Alpeve Dinarike, ku gjendej edhe
kryeqendra politike e tyre, kështjella e Delminit. Në këtë krahinë
dalmatët krijuan një federatë të fuqishme, e cila erdhi duke u shtrirë
në drejtim të bregdetit. Në federatën e dalmatëve u përfshinë edhe disa
popullsi fqinje. Gjatë shek. II p.e.sonë territori i saj u zgjerua
mjaft, në këtë territor qenë përfshirë jo vetëm tokat e brendshme, por
edhe ato bregdetare. Në veri treva e federatës arriti deri te lumi
Titius (Krka e sotme), duke pasur si fqinjë liburnët.

Në jug, në fillim ishte lumi Tilur (Cetina), por më vonë kufiri arriti
deri te rrjedhja e poshtme e Naronës (lumi i sotëm Neretva), në brigjet
jugore të së cilës banonin daorsët. Më i vështirë është përcaktimi i
kufirit lindor, pasi kemi të bëjmë me një krahinë malore, por ka shumë
të ngjarë që ai të arrinte deri tek viset e banuara nga desidiatët, në
Bosnjë. Pjesa më e madhe e trevës së federatës së dalmatëve, brenda
këtyre kufijve dhe detit Adriatik ishte thuajse tërësisht malore, por
nuk mungonin edhe disa pllaja të mëdha. Kjo veçori e relievit të viseve
dalmate dhe kullotat e pasura të rrafshnaltave favorizonin zhvillimin e
blegtorisë, kanë bërë që blegtoria të ishte baza kryesore e ekonomisë
dhe që vetë dalmatët të njihen më tepër si blegtorë. Bujqësia vinte në
rend të dytë, kurse xehtaria ka qenë më pak e zhvilluar.

Të dhënat e arkeologjisë tregojnë se edhe te dalmatët sikurse tek ilirët
e tjerë, në periudhën e parë të hekurit kishte filluar shthurja e
bashkësisë primitive dhe diferencimi ekonomik e shoqëror. Në gjirin e
shoqërisë së dalmatëve ishte krijuar një shtresë e veçantë që zotëronte
kope të mëdha bagëtish të imta, nga e cila doli paria fisnore, që u vu
në krye të federatës dhe e udhëhoqi në luftërat e ndryshme. Kësaj kohe i
përkasin edhe një tok qendërbanimesh të fortifikuara, të quajtura
zakonisht “gradina” të ngritura përreth pllajave të brendshme, rrënojat e
të cilave janë ruajtur deri në ditët tona. Këto qendërbanime të
fortifikuara apo kështjella ngriheshin në majat e sheshuara të disa
kodrave të ulta dhe janë të njëkohshme. Ato përveç mbrojtjes natyrore
ishin të fortifikuara me ledhe gurësh që dalmatët bënë kundër pushtuesve
romakë.

Ndryshonte prej tyre Delmini, kryeqendra e dalmatëve, të cilën Straboni
e ka quajtur një qytet të madh; sikurse del nga përshkrimet e disa
autorëve të tjerë antikë, ai ka qenë shumë i fortifikuar, i rrethuar me
mure të larta dhe i vështirë për t’u pushtuar. Për të njohur natyrën e
qendërbanimeve të fortifikuara të dalmatëve mund të ndihmonte
arkeologjia; por ato qendërbanime kanë mbetur ende të pastudiuara mirë.
Sidoqoftë ato nuk u zhvilluan si qendra qytetare, veçse me ndonjë
përjashtim të rrallë, por i shërbyen kryesisht popullsisë blegtorale.
Duke qenë blegtoria degë kryesore e ekonomisë së viseve të brendshme
dalmate, në këto vise u zhvilluan ato zeje që lidhen me blegtorinë.
Kështu pasuria e madhe me dhen i dha shkas punimit të leshit dhe
krijimit të punishteve të tekstilit. Në popullsinë blegtorale të
dalmatëve pati një zhvillim edhe punimi i drurit, i ndihmuar nga pyjet e
pasura të viseve të tyre.

Të dhënat burimore të shkruara dhe arkeologjike, tregojnë se te dalmatët
e viseve të brendshme u ruajt më gjatë organizimi fisnor; për
marrëdhëniet ekonomike e shoqërore të ruajtura te dalmatët e brendshëm
bën fjalë Straboni kur shkruan se, ende në kohën e tij, dalmatët e
ndanin tokën çdo tetë vjet dhe se ndryshe nga banorët e bregdetit,
përdornin monedhat. Nga kjo e dhënë e Strabonit kuptohet se nuk ishte
fjala për tokat e kulturave bujqësore, ku ekzistonte prona private, por
për kullotat, pyjet etj., të cilat vazhdonin, si edhe tek ilirë të
tjerë, të ishin prona të përbashkëta. Por, në të njëjtin vend Straboni
shkruan se Salona ishte një skelë e dalmatëve dhe se në viset e tyre ka
pasur qendërbanime të shumta (sipas tij numri arrinte në 50); qytete të
rëndësishme, përveç Salonës e Delminit, kanë qenë Propona, Ninia,
Andetri etj. Është e qartë se njoftimi i parë i Strabonit u përket
viseve të brendshme, kurse në krahinën bregdetare gjendja ishte krejt
ndryshe.

Në ishujt fqinjë dhe në bregdet ndodheshin kolonitë greke të Farit e të
Isës dhe qytetet Tragur e Epeti, të varura prej kësaj të fundit. Në
krahinën bregdetare ku ndodheshin të gjitha qendrat qytetare që u
përmendën më sipër, janë gjetur materiale arkeologjike e monedha, midis
të cilave edhe monedha të Dyrrahut e të Apolonisë, tregues të një
zhvillimi ekonomik e shoqëror të përparuar. Në këtë krahinë të gjerë të
federatës së dalmatëve organizimi fisnor po ia lëshonte vendin shoqërisë
skllavopronare. Ka qenë ky zhvillim që pati treva e federatës së
dalmatëve, i cili e bëri këtë të fundit një fuqi politike të rëndësishme
në brigjet e Adriatikut Verior në shek. II-I p.e.sonë.

Në fillim të shek. II p.e. sonë, gjatë sundimit të Pleuratit dalmatët
qenë në vartësinë e shtetit ilir, por për një kohë të shkurtër. Me
vdekjen e Pleuratit dhe me ardhjen e Gentit në krye të shtetit ilir në
vitin 181 p.e.sonë ata u bënë përsëri të pavarur. Pas shkëputjes nga
shteti ilir federata e dalmatëve u forcua shumë. Në këtë kohë dalmatët
bashkuan rreth vetes edhe popullsi të tjera ilire, të cilat qenë
detyruar t’i jepnin federatës si tribut, bagëti dhe grurë. Në viset
bregdetare adriatikase, Traguri e Epeti, dy qytete që ishin nën varësinë
e kolonisë sirakuziane, Isës, dhe që ndodheshin pranë Salonës, qenë
detyruar t’i jepnin gjithashtu një tribut federatës së dalmatëve.
Dalmatët u përpoqën njëkohësisht të nënshtronin daorsët, të cilët
zotëronin vetëm krahinat pas bregut të majtë të rrjedhjes së poshtme të
lumit Naretva. Daorsët para vitit 168 p.e.sonë bënin pjesë në shtetin
ilir dhe me rënien e këtij të fundit kishin hyrë nën protektoratin e
Romës.

Forcimi i federatës së dalmatëve sidomos në viset bregdetare jugore, nuk
mund të mos ngjallte shqetësime në shtetin romak, që ndiqte një
politikë pushtuese në viset veriore ilire. Këtë politikë pushtuese
shteti romak e justifikonte, gjoja për të mbrojtur kufijtë lindorë të
Italisë. Kështu pati vepruar që në kohën e luftërave iliro-romake,
ndërsa në vitin 178 p.e.sonë ushtria romake, pasi kishte thyer qëndresën
e istrëve, kishte pushtuar gjithë gadishullin e banuar prej tyre. Duke
zbatuar më tej politikën pushtuese Roma sulmoi edhe federatën e
dalmatëve. Për luftën kundër dalmatëve romakët përdorën si pretekst
ankesat e daorsëve e të Isës, të cilët ishin nën tutelën e Romës, dhe
sjelljet e këqija të dalmatëve kundër delegatëve të tyre. Vepra e
Polibit, që është burimi kryesor për këto ngjarje, tregon se nuk qenë
veprimet e dalmatëve shkaku i luftës, por plani i Romës, i përgatitur me
kohë për të pushtuar trevën veriore ilire.

“Duke ndërmarrë një fushatë kundër dalmatëve, shkruan Polibi, në njërën
anë do të nxitnin, do të ngrinin shpirtin luftarak të popullit të tyre
dhe, në anën tjetër, do t’u jepnin një mësim ilirëve dhe do t’i
detyronin t’i nënshtroheshin sundimit të Romës. Për këto arsye romakët u
shpallën luftë dalmatëve, por përpara popujve të tjerë hiqeshin se e
bënë këtë për shkak të sjelljes së keqe të dalmatëve ndaj përfaqësuesve
të tyre”.
Në vitin 156 p.e.sonë ushtria romake duke pasur si bazë rrjedhjen e
poshtme të lumit Naretva filloi sulmin kundër dalmatëve. Përpjekja e
parë e ushtrisë romake për t’u futur në viset e dalmatëve përfundoi keq
dhe ajo u detyrua të kthehej përsëri në bazën e nisjes. Konsulli romak
G. Mark Figuli, duke shpresuar se do t’i zinte dalmatët në befasi, i
sulmoi përsëri ata në fillim të dimrit. Dalmatët e përballuan me sukses
sulmin që ushtria romake i bëri kryeqendrës së tyre Delminit, por një
vit më vonë, pas përgatitjesh të mëdha, romakët duke përdorur të gjitha
mjetet mundën të pushtojnë Delminin. Burimet e shkruara nuk bëjnë fjalë
për gjendjen që u krijua pas luftës.

Ngjarjet e mëpastajme tregojnë se lufta vërtet përfundoi keq me
pushtimin e Delminit, por jo me nënshtrimin e dalmatëve. Pas kësaj lufte
romakët e zgjeruan agresionin e tyre në Ilirinë e Veriut duke sulmuar
japodët e panonët. Kësaj radhe sulmet e romakëve patën si pikënisje
kufirin verilindor të Gadishullit Italik dhe si bazë për fushatat e tyre
kundër ilirëve shërbeu qyteti Akuilea, në Gadishullin e Istrisë, ku
shteti romak kishte vendosur një koloni me qytetarë romakë. Japodët e
panonët, ashtu si dalmatët i vazhduan për një kohë të gjatë luftërat
kundër pushtuesve romakë. Me qëndresën që i bënë shtetit romak për më se
njëqind vjet - nga gjysma e dytë e shek. II deri në gjysmën e dytë të
shek. I p.e.sonë - popullsitë ilire të veriut, e detyruan atë të
dërgonte në viset e tyre ushtri të reja, por pa arritur rezultate të
dukshme. Në krye të popullsive veriore ilire, në luftën kundër romakëve,
qëndronin dalmatët, të cilët për shumë vjet me radhë mbetën
kundërshtarët më të fortë të Romës.

Në gjysmën e dytë të shek. II p.e.sonë kundër pushtuesve romakë luftuan
edhe ardianët. Ardianët ishin një nga popullsitë e mëdha ilire që
jetonte në brigjet e Adriatikut të Mesëm deri në afërsi të liqenit të
Shkodrës. Viset e tyre, që bënin pjesë në shtetin ilir, pas vitit 168
p.e.sonë, ishin futur në njërën nga krahinat pseudoautonome të krijuara
nga shteti romak. Nën ndikimin e luftës dhe të qëndresës së federatës së
dalmatëve kundër Romës, ardianët e ndryshuan statusin e vendosur në
vitin 168 dhe u bënë të pavarur. Në përpjekjet për të forcuar pozitën e
tyre në një krahinë të varur politikisht nga shteti romak, ata u ndeshën
së pari me “aleatët” e këtij shteti. Sipas Tit Livit ardianët e
pleurejtë “shkretonin Ilirinë që ishte nën romakët”.

Përpjekjet e ardianëve e të pleurejve për të forcuar pavarësinë e tyre,
në një kohë kur edhe fise të tjera ilire luftonin kundër pushtuesve
romakë, krijuan për Romën një situatë të vështirë, të rënduar edhe nga
kryengritja e skllevërve në Sicili. Për të dalë nga kjo situatë shteti
romak dërgoi në viset e ardianëve e të pleurejve një ushtri relativisht
të madhe, të përbërë nga 10 mijë këmbësorë e 600 kalorës. Mënyra se si u
zhvilluan luftimet tregon se sulmi romak i gjeti ardianët e pleurejtë
të papërgatitur për një luftë e qëndresë të gjatë. Burimet japin
njoftime vetëm për një betejë që u bë në vitin 135 p.e.sonë, ku romakët i
thyen ardianët e pleurejtë. Pas kësaj lufte shteti romak, për të
shmangur një kryengritje e re, i shpërnguli me forcë ardianët nga
bregdeti në viset e brendshme malore të Hercegovinës së sotme.
Geri
Geri
Fondatore St@ff Forum
Fondatore St@ff Forum

<b>Postime</b> Postime : 19707
 <b>Piket</b> Piket : 23805
Regjistruar : 21/04/2009
 <b>Mosha</b> Mosha : 35
 <b>Vendbanimi</b> Vendbanimi : Ne qytetin e dashur Tirone

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Shtetet Ilire Empty Re: Shtetet Ilire

Mesazh nga Sponsored content


Sponsored content


Mbrapsht në krye Shko poshtë

Faqja 1 e 2 1, 2  Next

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi