Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Himni Kombetar

Shko poshtë

Himni Kombetar Empty Himni Kombetar

Mesazh nga engjell a djall Sat 6 Jun 2009 - 12:15

Në një vështrim të përgjithshëm,
çështja e himneve kombëtare të vendeve të
ndryshme është një problem i cili filloi të
popullarizohej fillimisht në Angli, diku aty nga mesi i shek.
XVIII. Në fakt, himne ka patur edhe përpara kësaj kohe,
por rëndësia dhe kuptimi i tyre nuk ka qënë në
këtë shkallë kaq të rëndësishme të
cilës i referohemi neve sot, pasi askush nuk e mendonte se ky
llojformimi i ri muzikor do të përfaqësonte një nga
gjetjet gjeniale të të shprehurit të shpirtit të
popujve. Muzikologjia daton si të parin himn atë të
Holandës, himn i cili i përket vitit 1572 - “Wilhelmus
van Nassouwe”. Ndërkohë, himni me fjalët më
te vjetra në origjinë i përket himnit japonez, rreth
shek. IX, tekst i cili rrjedh kryesisht nga folklori. Po në
këtë arsyetim, himni më i gjatë në ekzekutim
është “Marcha de la Patria”, i Argjentinës
kompozuar nga Blas Parera në vitin 1813; ndërkaq himni
kombëtar me më shumë vargje është ai i
Greqisë etj. Pra siç e shohim, historia e formimit të
himneve kombëtare është e ndryshme në vende të
ndryshme. Me sa duket, në përcaktimin ose jo të një
krijimi muziko-letrar si himn kombëtar, rol kryesor kanë
luajtur edhe kontekste të caktuara, kryesisht historike në
historinë e një vendi.

Por ka edhe shembuj të
tjerë. Këtu gjej rastin të përmend faktin, se p.sh
himni zyrtar i Vatikanit u përcaktua në vitin 1949 me
anë të një vendimi zyrtar të Selisë. Në
bazë të himnit të Vatikanit qëndron muzika e
kompozitorit francez Sharl Guno, i cili e shkroi këtë
muzikë në vitin 1846 (vepra quhet “Marcia
Pontificiale” dedikuar papa Piut të XI), muzikë e cila
gati 100 vjet më vonë u vendos të ishte himn zyrtar i
Selisë së Shenjtë. Dhe raste të tilla ka shumë.

Historiku i krijimit të himnit tonë kombëtar
Deri
më tani, poeti Lasgush Poradeci është ai i cili ka
përshkruar dhe botuar i pari historinë e krijimit të
himnit tonë. Në punimin “Himni kombëtar
“Flamurit pranë të bashkuar dhe gjeneza e tij”,
L. Poradeci bëhet kështu edhe rrëfyesi kryesor për
këtë ngjarje madhore. Në rrëfimin e tij të
tërheq vëmendjen një hollësi. Kjo hollesi, lidhet
me faktin e thjeshte se askush në ato çaste historike
për Shqipërinë, nuk mendonte se ajo këngë e
ngritur dhe e kënduar për të parën herë nga
kori i kolonisë shqiptare të Bukureshtit, do të ishte
himni i ardhshëm. Ja ç’thotë Lasgushi:
-…me fjalë të tjera, himni nuk u përgatit me
qëllimin e posaçmë që të shërbejë
si Himn Kombëtar, të përmbushë misionin e
shenjtë të këngës simbolike zyrtare të
popullit”.

Nga këto rradhë, por dhe nga
zhvillimi i mëtejmë i historisë së
Shqipërisë, vëmë re se në kushtet kur nuk
kishte shtet shqiptar ishte jashë mendjeje, që dikush të
mendonte që në fillim të kishim himnin e pastaj të
bënim shtetin, si me thene: “buxhakun para oxhakut”.
Shumë vite më vonë, poeti i shquar Migjeni shkroi
poezinë me titull “Kënga që
s’kuptohet”, kushtuar melodisë sonë
kombëtare. Në përpjekje për ta zhvendosur titullin
e poezisë nga konteksti i saj, do të shohim se ky
emërtim qëndron fare mirë për të, nisur jo
vetëm nga largësia nga data e krijimit të himnit, por
dhe se shkrimet historike për gjenezën e himnit tonë,
kanë shërbyer në të njëjtën kohë
edhe si kronikë besnike e lindjes së tij, por dhe si alibi.

Gjatë
hulumtimeve të materialeve dokumentare rreth lëndës
në fjalë, në librin “The Guinnes Book of
Music”, është shkruar si më poshtë: himni
“Rreth flamurit të përbashkuar” është
pranuar si himn kombëtar i Shqipërisë në vitin
1912, fjalët e himnit janë shkruar nga Asdreni, muzika e
himnit është kompozuar nga Ciprian Porumbesku.

Duke i
shqyrtuar një nga një për sa më sipër, e
vëteta do që të theksohet fakti kuptimplotë, se
përpara se himni të bëhej himn zyrtar i shtetit të
ri shqiptar më 1912, po sipas Lasgushit, “… kjo ngjau
se populli e gjeti të pëlqyer; vetë e dëshiroi ai
ashtu, nga gjiri i tij i dha trajtën dhe frymën, vetë e
shënjtëroi, duke e dashur me zemër gjer në therori
dhe më shumë e përtej vetëtherorisë. Me
të luftuan çetat e kryengritjes që ishin
nëpër gjithë viset e Atdheut, dhe vdiqën vdekjen e
ëmbël dëshmorët e lirisë. Me të u ngrit
Flamuri në Vlorë”. Me pak fjalë, kjo do të
thotë që ngritja e flamurit nën tingujt dhe fjalët
e “Betimit mi flamur” ishte vetëm një akt formal
nga ana e Ismail Qemalit për ta njohur këtë
këngë si këngën tonë kombëtare.


dyti, lidhur me fjalët e himnit. Në asnjë vend të
botës, nuk gjejmë një himn kombëtar i cili
t’i kushtohet po një simboli tjetër kombëtar
siç është flamuri, dhe që të dy së
bashku t’i kushtohen atdheut. Ja poezia e plotë e
“Betimi mi flamur”-(Hymni patriotik) e shkruar dhe
publikuar nga Asdreni në vitin 1908:

Rreth flamurit të përbashkuar
Me një dëshir` e një qëllim,
Të gjith` atij duk` ju betuar
Të lidhim besën për shpëtim.
Prej lufte veç ay largohet
Që është lindur tradhëtor,
Kush është burrë nuk frikohet,
Po vdes, po vdes si një dëshmor!
Në dorë armët do t`i mbajmë
Të mprojmë atdhenë më çdo kënt,
Të drejtat tona ne s`i ndajmë;
Këtu armiqtë s`kanë vënt.
Se Zoti vetë e tha me gojë
Që kombe shuhen përmi dhe,
Po Shqipëria do të rrojë;
Për të, për të luftojmë ne!

O flamur, flamur, shenj` e shenjtë,
Te ty betohemi këtu,
Për Shqipërin` atdhen` e shtrenjtë,
Për nder` edhe lavdimn` e tu.
Trim, burrë quhet dhe nderohet
Atdheut kush iu bë theror;
Për jet` ay do të kujtohet
Mi dhet, mi dhe si një shenjtor!
engjell a djall
engjell a djall
Hapësira Jonë - Forum
Hapësira Jonë - Forum

<b>Postime</b> Postime : 7372
 <b>Piket</b> Piket : 8226
Regjistruar : 25/04/2009

https://hapesira.albanianforum.net/shkrimtare-shqiptare-f48/poezi

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Himni Kombetar Empty Re: Himni Kombetar

Mesazh nga engjell a djall Sat 6 Jun 2009 - 12:17

Lidhur me origjinalitetin e poezisë së himnit do të
citonim përsëri Lasgushin i cili thotë se
“…tituli “Betimi mi flamur”, që i ka
vënë himnit Asdreni, është një koncept dhe
një akt e fakt etnikërisht shqiptar”. Po të
njëjtën gjë në koncept e pohon edhe Migjeni, qysh
në vargun e parë të poezisë kushtuar Melodisë
kombëtare: “U vodh kënga nga zemra e kombit”.
Që të gjithë e njohin edhe kontekstin e betimit popullor
mbi flamur: - “Nën hijen e tij qofshim dhe në
dorën tonë valoftë”.

Së treti lidhur
me muzikën e himnit. Si Migjeni, po ashtu edhe Lasgush Poradeci
anojnë të paktën në karakterizimin e
përgjithshëm të himnit tonë për nga
përbërësi muzikor i tij. “Këngë a vaj?
Çë je? Thuejma, zemër kombi! (Migjeni); “U
bë Shqipëria! Po u bë duke vuajtur me buzëqeshje,
duke u kurajuar me këngën e jetës dhe të vdekjes
nër dhëmbe: me Himnin e saj Kombëtar Shqiptar”
(Lasgushi).

Më tej, Prof. Sokoli thotë se
“… motivi i këtij himni e ka burimin te tradita
muzikore gjermane , meqë këngët e lartpërmendura
(nga kjo traditë-shënimi ynë) janë më të
hershme se kompozimi i Porumbeskut”. Edhe kompozitori i shquar
bashkëkohor George Ligetti konstaton me të drejtë
ngarkesën edhe origjinën internacionale të parakrijimit
të Himnit Shqiptar të Flamurit. Pohimi i kësaj të
dhëne është me rëndësi jo vetëm për
faktin se krijimi i himnit tonë në pikëpamje muzikore
ishte drejtuar përkah orientimit të përgjithshëm
perëndimor, por dhe se në këtë mënyrë nuk
ka arsye që ende të citohet Porumbescu si krijues i tij.
Vetë krijimtaria muzikore e Purumbeskut ka një lidhje të
fortë me traditën e shquar muzikore të Austrisë,
vend ku ai studioi muzikë pranë konservatorit të
Vienës. Tashmë njihet fakti, se në bazë të
himnit të tij qëndron një nga meloditë më te
njohura të rinisë austriake të gjysmës së
dytë të shek. XIX. Në rastin e himnit të
vjetër të Rumanisë “Pe al nostin steag”,
të kompozuar nga C. Porumbescu me fjalë të A. Barteanut,
po sipas Prof. Sokolit, “… mjafton të krahasojmë
fillimet e këtyre këngëve gjermane me fillimin e Himnit
të Flamurit për të parë ngjashmërinë e
madhe, ose pothuajse njëjtësinë e disa masave”.


Shqipëri në vitet 1900-1945, nga muzikologjia jonë
konstatohet se krahas folklorit muzikor dhe tendencave të para
të muzikës profesioniste shqiptare, u krijua dhe kultivua
edhe nje repertor këngësh me origjinë vendase dhe
internacionale, këngë të cilat këndoheshin në
gjuhën shqipe. Kjo gjë u vu re si në aspektin e
këngëve lirike si psh serenatat, po ashtu edhe në
fushën e këngëve patriotike e më pas atyre
partizane. Pa u zgjatur këtu do të përmendja
këngën “Të gjithë ne o djema”, me
fjalë dhe muzikë nga Spiridon Ilo (1876-1950);
këngën “Vlora-Vlora”, me kompozitor Thoma Nasin
dhe poezi nga Ali Asllani; “Këngën e
dëshmorëve të Shkodrës”, me fjalë dhe
muzikë nga Kolë Jakova; “Këngën e Asim
Zenelit” me fjalë nga Qamil Buxheli dhe muzikë nga
Mustafa Krantja; “Bashkohi shokë me ne në
çetë”, me fjalë dhe muzikë nga Kolë
Jakova; “Shkrep me zjarr porsi rrufeja”, me fjalë nga
A. Skali dhe muzikë nga Kristo Kono; këngët
“Kushtrimi i lirisë”, “Britma e
çlirimit”, “Hakmarrja” , “Ato maja
rripa-rripa”, “Rini-Rini”, “Himni i
ushtrisë” me muzikë të Dhora Lekës e
shumë të tjera. E gjithë kjo krijimtari kishte
bërë jetën e saj nga goja në gojë dhe
vetëm gjatë viteve ’50, tek ne u bënë
përpjekjet e para për të grumbulluar dhe notizuar
këngët patriotike edhe partizane që ishin kënduar
nga populli për vite me rradhë duke përfshirë
këtu edhe himnin e flamurit. Dy botimet e para të kësaj
fushe i përkasin vitit 1959 të përgatitura
përkatësisht nga Gaqo Avrazi -“Këngë
patriotike”, dhe nga Baki Kongoli - “Këngë
partizane”.

Në materialet shoqëruese të
tyre me të drejtë konstatohet se në
përgjithësi për të gjithë këtë
repertor vihet re se pjesërisht janë krijime me autor,
pjesërisht të popullit dhe pjesërisht melodira të
importuara që tashmë ato janë asimiluar në thesarin
e muzikës sonë. Konstatimi vazhdon me faktin se populli
këto këngë i ka bërë të tijat duke
marrë formën shqiptare saqë po t’i krahasosh me
origjinalin ndryshojnë mjaft njera nga tjetra. Dhe ky nuk
është vetëm një fenomen shqiptar. Në
kulturën muzikore të ç’do vendi, në të
gjitha kohërat gjendet një repertor i tërë muzikor
i cili qarkullon pa ndërprerë, duke ndryshuar gjuhën si
dhe stilemat muzikore të materialit fillestar. Kjo është
një dukuri normale e shkëmbimit të kulturave.

Për
sa më sipër, edhe muzika e himnit kurrsesi nuk mund të
quhet plagjaturë e për më tepër imitim. Po ashtu,
ajo nuk duhet të konsiderohet si një pamundësi kompozimi
prej krijuesve shqiptarë. Pikërisht zgjedhja e kësaj
melodie ndoshta mund të ketë qënë edhe e
rastësishme, por ne mendojmë se parapëlqimi i saj
synonte zgjedhjen e një gjuhe muzikore tepër të
lexueshme e të qartë për të tjerët, për
të kuptuar aspiratën e kombit shqiptar në ato vite
të errëta të historisë së tij. Duke pasur dhe
përdorur në ndërtimin e tij melodik, gjymtyrë
të tëra pan-evropiane, himni synonte (me gjetjen muzikore
“rastësore”), pikërisht Europën. I krijuar
në kohën e ripërtëritjes së ndërgjejges
historike shqiptare, melodia me tekstin e Asdrenit sillte dhe ende
sjell zërin e njërit prej popujve të rilindur të
Europës.

Rreth historisë së shkrim-notizimit të himnit kombëtar
Duhet
theksuar se që nga krijimi i tij e deri në fund të
viteve 40’ të shek. XX, himni ynë përveç se
është kënduar dendur, ka bërë një
jetë më së shumti gojë më gojë dhe
pjesërisht është interpretuar me nota. Pas vitit 1912,
interpretimi me nota i himnit ishte domosdoshmëri pasi ai ishte i
destinuar të luhej edhe në ceremoni të ndryshme të
shtetit shqiptar jashtë vendit. Në një letër
të dërguar nga Faik Konica, në atë kohë
përfaqësues në legatën e Mbretërisë
Shqiptare në Washington, drejtuar Ministrisë së
Punëve të Jashtme shkruhet shprehimisht se “…
morra nga ministria e detit e Sh.B.A një letrë ku më
luten t’u gjej një kopje për bandë t’avazit
kombëtar të Shqipërisë…kuptova që avazi
ynë ësht i vetëmi avaz kombëtar që nuk e
kanë”.

Për herë të parë për
partiturën e himnit flet Lasgushi kur përshkruan
dërgimin e himnit në atdhe nga kolonia shqiptare e
Bukureshtit në vitin 1908 me anë të Tashko Ilos dhe
Hilë Mosit i cili punonte ne kete kohe si sekretar prane nje
tregetari te madh te Korces. Lasgushi i quan ata me qëllim
kasnecë, pasi ishin në të vërtetë mbartës
të një mesazhi që fillimisht duhej kënduar. Që
të dy erdhën në Korçë “… me
partiturat e himnit të bëra imtësisht gati me fjalë
shqip”, dhe prej këtu filloi mësimi dhe përhapja e
himnit kombëtar në të gjithë Shqipërinë.
Po sipas Lasgushit “…përhapja parashikonte në
krye të të gjithave mësimin e këngës”.
Pikërisht për këtë arsye u zgjodh Hilë Mosi i
cili kishte përveç formimit letrar dhe intelektual edhe
talentin muzikor.

Mendoj se përhapja e himnit në
popull do të ketë pasur vështirësi serioze për
dy arsye. E para lidhet me mungesën e mësimit të
muzikës dhe të sistemit muzikor në Shqipëri në
ato vite, dhe e dyta lidhet me veshin muzikor të shqiptarit.
Përhapja e himnit në një rrugë “gojë
më gojë”, ndërmjet transmetuesve të tij
(shpesh herë pa arsim muzikor), dhe bartësve të tij
të ardhshëm , me siguri duhet ë ketë sjellë
një rikrijim të mundshëm të tij. Së dyti,
historia ka provuar se është tepër e vështirë,
për të mos thënë e pamundur, që një
populli si i yni t’i imponosh një melodi të huaj, aq
më tepër melodinë që do të shndërrohej
më pas në këngën kombëtare shqiptare.


një kohë me ardhjen e Hil Mosit dhe Tashko Ilos në
Korçë, një shtytje mësimit të muzikës
në përgjithësi dhe mësimit të himnit në
veçanti i dha krijimi i “Bandës së
Lirisë” themeluar më 1 tetor 1908. Qysh në formim
banda përbëhej prej 25 muziktarësh me vegla të
ndryshme. Fakt është se komuniteti i ri i muziktarëve
në Korçë, pajtoi me pagesë një dirigjent
italian të quajtur Pasquale i cili shërbeu si dirigjent i
“Bandës së Lirisë”. Aq shumë u lidh ai
me të sa më vonë edhe himnin e bandës së
Lirisë e kompozoi ai vetë me fjalë të Hil Mosit.
Pas kësaj periudhe, me gjallimin edhe të formacioneve të
tjera muzikore nëpër qytetet e Shqipërisë si
Shkodra, Elbasani, Gjirokastra, Vlora, Gjakova etj, përhapja e
himnit me nota u bë më e lehtë.

Mbi regjistrimet muzikore të himnit tonë kombëtar
Regjistrimi
i parë muzikor në disk i himnit tonë kombëtar,
është bërë nga shoqëria diskografike
“Albanian Phonograph Records”. Kjo është
shoqëria e parë diskografike shqiptare e shekullit të
XX, e ideuar dhe themeluar në Amerikë në vitin 1923 nga
muziktari dhe patrioti Spiridon T.Ilo nga Korça. Në
një kontekst më të përgjithshëm, vlera e
“A.P.R” është shumëplanëshe dhe lidhet
me gjithë zhvillimin e kulturës dhe artit muzikor shqiptar
të viteve ‘20-‘40. Himni ynë kombëtar
është kënduar dhe regjistruar në disk nga vetë
Spiridon Ilo së bashku me tenorin arbëresh Giuseppe Mauro.
Vlen të theksohet se tenori arbëresh Giuseppe Mauro, në
vitet 20’ të shek. XX ka qënë një ndër
tenorët me famë botërore. Në kohën kur së
bashku me Spiridon Ilon regjistroi himnin tonë kombëtar
në diskun e prodhuar nga shoqëria diskografike
“Albanian Phonograph records”, me nr. E-3948, G. Mauro
ishte ftuar në New York nga Metropolitan Opera për të
interpretuar atje rolin e Otellos nga opera me të njëjtin
titull e Verdit.

Himni ynë ka njohur shumë versione
të regjistruara në disqe duke filluar prej viteve ‘40 e
deri në fund të viteve ’60. Ndër këto
regjistrime në disqe, përmendim atë te regjistruar
pranë “ODEONIT” me nr. Ab 56 me mbishkrimin:
“Hymni i flamurit”, Një pjes e korit të
shkollës Normale Femërore të Korçës drejtue
prej Maestro Z. Sotir V. Kosmos. Ky kor ka interpretuar gjithashtu
në diskun me nr. Ab 55 edhe “Hymnin Mbrentorë”
etj. Regjistrimi më i mirë profesionalisht i himit tonë
kombëtar, është ai i vitit 1995. Ky regjistrim
është interpretuar nga orkestra simfonike e
Bambergut-Gjermani dhe është orkestruar
posaçërisht për këtë orkestër nga
kompozitori ynë i shquar Prof. Çesk Zadeja
(1927-1997(-“Artist i Popullit”) me rastin e vizitës
së Presidentit gjerman në Shqipëri.
engjell a djall
engjell a djall
Hapësira Jonë - Forum
Hapësira Jonë - Forum

<b>Postime</b> Postime : 7372
 <b>Piket</b> Piket : 8226
Regjistruar : 25/04/2009

https://hapesira.albanianforum.net/shkrimtare-shqiptare-f48/poezi

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Himni Kombetar Empty Re: Himni Kombetar

Mesazh nga engjell a djall Sat 6 Jun 2009 - 12:17

Historiku i përpjekjeve për himne të tjera kombëtare
Na
duhet të themi se mbas pëlqimit të
përgjithshëm të “Rreth flamurit të
përbashkuar” si himn kombëtar (1912), në
mënyrë të vazhdueshme janë shkruar këngë
apo qoftë edhe vetëm poezi për himn kombëtar. Poezi
për himn kombëtar kanë shkruar At Gjergj Fishta më
1913, Ernest Koliqi më 1921 si fitues i vendit të parë
në konkursin për himn kombëtar shpallur nga Ministria e
Arsimit, Fan S.Noli më 14 nëntor 1926 me titull “Hymni
i flamurit”, Mihal Grameno me titull “Kënga
Kombëtare”, Hil Mosi “Himn i Bandës së
Lirisë”. Himn kemi edhe nga poeti Lasgush Poradeci më
1933, të botuar tek “Vallja e yjeve” etj. E
përbashkëta e gjithë këtyre poezive është
fakti se që të gjitha pothuajse i referohen përsëri
simbolit të flamurit, gjë që është edhe
në thelb të poezisë së Asdrenit.
Mbi njatë flamur Perëndia
me dorë t’vet Ai ka shkrue:
Për shqiptarët do t’jet Shqupnia.
At. Gjergj Fishta
O vend e vatër,
O nëne e babë.
Fan Stilian Noli

Një
poezi të shkëlqyer përsa i përket references
sonë lidhur me flamurin kemi edhe nga Zef Serembja:

Flamuri shqiptar
S`i shihet n`horizont i dlirë shkëlqimi
Dhe as nuk i fal ngjyrat për fitore
Më nuk shartohet mbi lavdin njerëzore
Porsi një shenjë drite apo mjerimi.
I grisur ra dhe s`e përfill njeri,
Dhe gjindja e Arbrit, e ndershme e krenare
mori mërgimin dhe as ndalet fare
në një breg mikpritës n`siguri.

N`mëshirë të fatit përherë duke ndeshur
Intruga diplomatësh, n`hidhërim
Ç`do shpresë e ç`do premtim ngadalë i tretet
Dhe koha kalon, rend fluturim.
Nga gjithshka na premtuan asgjë s`mbetet.
Më keq na shkelin se sa truall`n e zhveshur.


Qysh
në vitin e parë të vendosjes së
mbretërisë nga Ahmet Zogu, Shqipëria u bë edhe me
himnin e mbretërisë. Në ndyshim nga himni “Betimi
mi flamur”, himni i i ri mbretërisë i kushtohej
tërësisht figurës së mbretit, një traditë
e njohur kjo për të gjitha himnet e mbretërive, me
muzikë të Thoma Nasit dhe me fjalë të Kristo
Floqit. Një tjetër përpjhekje për himn
mbretëror kemiedhe nga Loni Logori, i cili nuk arriti të
njihej si i tillë. Një variant i himnit të
mbretërisë është interpretuar dhe regjistruar
në disqe nga sazet e Selim dhe Hafize Leskovikut në vitet
’20.

Në vitin 1922, Këshilli i Ministrave shpall
konkursin për bërjen e “Himnit zyrtar
kombëtar”. Për shpalljen e konkursit dhe kriteret e tij
caktohet Ministria e Arsimit ku ndër të tjera u
përcaktua edhe masa e shpërblimit prej 1000 franga ari
për vjershëtarin e himni dhe 3000 franga ari për
kompozitorin e tij. Më tej, në vitin 1937, në
përvjetorin e 25 pavarësisë, u organizua një
konkurs, me qëllim bërjen e një himni tjetër
kombëtar. Sipas arsyetimeve të Komisionit të ngritur
për kremtimet e 25 vjetorit të vetqeverimit, “…
hymni i sotëm i flamurit kombëtar asht fjalë për
fjalë përkëthimi i një marshi rumun dhe gjithashtu
melodija e tij asht nji kopjim i plotë i muzikës
rumune”.

Duke e konsideruar ekzistencën e këtij
himni “… si një cen për ndërgjegjen
kombëtare dhe për sedrën t`onë atdhetare”,
komisioni i përbërë nga Zj. Parashqevi Kyrias, Mati
Logoreci, Kol Rodhe, Telki Selenica, Sotir Papakristo, Karl Gurakuqi,
Zoi Xoxa, Lasgush Poradeci, Qemal Butka dhe Odhise Paskali në
mbledhjen e dates 05. 03. 1937 vendosën hartimin e një himni
tjetër me frymë thjesht shqiptare. Ky komision ngriti edhe
një komison-juri, e cila do të vendoste për caktimin e
krijimit artistik i cili do të ishte himni i ri kombëtar.
Komisioni përbëhej nga At Gjergj Fishta, Mid`hat
Frashëri dhe Konstantin Cipo. Për hir të së
vërtetës, Mid`hat Frashëri bën dorëheqjen nga
kjo Juri, dorëheqje e bërë e ditur publikisht me
letrën e tij të dt.26. 07. 1937. drejtuar Komisionit
qëndror të kremtimeve të vetqeverimit. Nga 76 krijime,
juria e përbërë nga At Gjergj Fishta dhe Kostaq Cipo
shpallën fitues himnin e krijuar nga Beqir Çela[16]., i
cili mbante pseudonimin “Osoja i Ri”.

O Flamur, yll i lirisë,
Valëvit me plot shkëlqim;
E prej qiellit t`Shqipërisë
Të dëgjohet në amëshim

Fakt
është se ky konkurs për poezinë e himnit nuk u
pasua edhe nga një tjetër konkurs i cili do t`i kushtohej
muzikës së tij. Për këtë arsye, duke mbetur
vetëm një tekst, kjo poezi nuk pati popullaritet dhe si e
tillë u fshi nga qarkullimi, megjithëse
pjesëmarrësit dhe krijimet e këtij konkursi u botuan
në shtypin e kohës. Për variacion të temës
së njohur të flamurit, edhe konkursi në fjalë u
quajt “Tekstet për konkursin e Hymnit të
Flamurit”. Më pas kemi edhe një konkurs për
melodinë e himnit kombëtar. Në konkurs u shpall fitues
një kompozitor italian mjaft i njohur, por edhe për
këtë nuk pati një vendim zyrtar të
metëjshëm për ta zyrtarizuar si himnin tonë
kombëtar. Krijime artistike mbi këtë temë, të
konsideruara në vetvete të pavaruara (por me titullin
“Hymni Mbretnor”), kemi të realizuar me vargje të
Loni Logorecit dhe “muzikuar si e këndon Spiridon T.
Ilo” në tonalitetin Fa +. Ky variant është botuar
edhe me nota (facsimile e partiturës) dhe hapet me strofën:


Ardhi koha e bekuar
Për Shqipëri të lëftojmë
Mbretin tonë ta nderojmë
Dhe të vdesim të gëzuar



kopertinë të këtij botimi krahas titullit “Hymni
Mbretnor”, gjejmë edhe foton e tenorit të shquar
arbëresh Giuseppe Mauro dhe shënimin “…
kënduar prej të dëgjuarit tenorit shqipëtar Zotit
Giuseppe Mauro”.

Në këtë kohë,
një përpjekje tjetër për të ndryshuar himnin
ekzistues të flaumurit, u bë edhe nga ana e kompozitorit
Thoma Nasi dhe poetit Kristo Floqi. Në ndryshim nga sa më
sipër, këta dy autorë e ruajtën të paprekur
linjën melodike të “Himnit të Flamurit”, por
synuan ndryshimin e vargjeve të tij. Me këtë rast,
kompozitori Thoma Nasi realizoi të parin klavir të himnit
tonë kombëtar së bashku me harmonizimin
përkatës

Pas pushtimit , në vitet 1942-43,
në malet e Shqipërisë partizanja Dhora Leka krijoi
himnin e ushtrisë çlirimtare, himn i cili njihet edhe sot
zyrtarisht si himni i ushtrisë sonë, kjo krahas shumë
himneve të brigadave partizane apo formacioneve të tjera
luftarake etj. Pas çlirimit të vendit më 29
Nëndor 1944, rreth fundit të vitit 1945-fillimit të
1946, u organizua konkursi i parë shtetëror për himn
kombëtar. Krahas shumë krijimeve të paraqitura, si
krijimi më i mirë u shpall “Himni i
Shqipërisë së re”, me poezi të Skënder
Luarasit dhe muzikë të Kristo Konos, rezultat që u
bë i ditur me shpalljen e Shqipërisë republikë
më 11 Janar 1946. Koha tregoi se edhe ky krijim artistik nuk u
ligjerua që të zëvendësonte himnin ekzistues
për arsye nga më të ndryshmet, megjithëse
“Himni i Shqipërisë së re” (në
ndonjë rast edhe me fjelë të tjera), pati interpretime
të ndryshme, kryesisht nga kori i ushtrisë. Pas kësaj,
përpjekjen tjetër serioze për të shkruar një
himn, e kemi në fillim të viteve ’70. Nga Këshilli
i ministrave të asaj kohe, në bashkëpunim me
ministrinë e arsimit dhe kulturës si dhe Lidhjen e
Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë u
shpall një konkurs për “Himnin e
Republikës”. Në këtë konkurs morën
pjesë ajka e krijuesve tanë, ndër ta Çesk Zadeja,
Ismail Kadare, Tish Daija, Fatos Arapi, Nikolla Zoraqi, Xhevahir
Spahiu, Pjetër Gaci, Feim Ibrahimi, Tasim Hoshafi etj. Sipas ish
sekretar të lidhjes së shkrimtarëve dhe artistëve,
studiueses dhe kritikes së muzikës zj. Hamide Stringa
konkursi pati një organizim shumë serioz si nga ana e
krijuesve ashtu edhe nga organizatorët. Më kujtohet se kemi
bërë shumë takime për të parë materialet
dhe për t’i seleksionuar. Pas seleksionimit u arrit në
dy variante. Në himnin e krijuar nga Çesk Zadeja dhe
në atë të Nikolla Zoraqit me poezi të Fatos Arapit
të titulluar “E lirë u ngrit toka jonë”.
Pati mendime që të njihej si himn edhe kënga e
Pjetër Gacit “Për ty atdhe”.

Historia e
himneve vazhdon edhe më tej, por gjithësesi pa sjellë
ndonjë rezultat i cili të ndikonte në ndryshimin e
himnit tonë kombëtar. Në të gjithë
këtë histori të himneve të tjera, ajo
ç’ka duhet thënë është e lidhur me
faktin se asnjë vendim nga cilido forum artistik apo
shtetëror, nuk ka ndikuar në zëvendësimin apo
ndryshimin e himnit ekzistues të flamurit, për arsyen e
thjeshtë, se himni është ngulitur thellë me
rëndësinë, peshën dhe domethënien e tij
në memorien kolektive të shqiptarëve. Ndoshta
gjithë ç’ka thamë më sipër mund
të jenë një argument i mjaftë për të
kuptuar, se pse kanë “dështuar” përpjekjet
për të ribërë në himn të ri të
Shqipërisë. Kjo nuk do të thotë se s’do
të ketë përpjekje të tjera, por mendoj se mbrapa
tyre, edhe sikur himni “Rreth flamurit të
përbashkuar” të mos njihet më si himn zyrtar,
shqiptarët kudo që të jenë do të
vazhdojnë përsëri të këndojnë thjesht
këngën “Rreth flamurit të përbashkuar”.

Së fundi
Ajo
që duhet ritheksuar është fakti se ndryshe dhe si
në asnjë himn tjetër të botës, himni ynë
ekzistues është një me flamurin tonë kombëtar.
Ky binom shprehet që në titullin e poezisë së
himnit “Betimi mi flamur”, që siç e
përsëritëm është një akt e fakt
etnikërisht shqiptar. Nisur nga ky vështrim, himni
është edhe kënga e flamurit dhe njëkohësisht
edhe kënga jonë zyrtare. Për veçoritë e
popullit tonë, popull i ndarë në katër shtete,
faktor i bashkimit kombëtar, faktor i “prishjes”
së kufijve artificialë, faktor i unifikimit etj, ka
qënë edhe flamuri dhe himni ynë i njëjtë.
Për sa më sipër, e udhës do të ishte që
të presim kohë më të qeta, kohë gjakftohta
të cilat do të na ndihmojnë që të
rishikojmë të gjithë së bashku, me
qetësinë dhe maturinë e duhur gjërat të cilat
mund të ishin bërë ndryshe, ku një ndër
gjërat mbase do të ishte edhe himni.

Deri
atëhere, himni i vërtetë i shqiptarëve apo
“Avazi ynë kombëtar”, siç shprehet Konica
do të jetë ai që do të njihet, do të
këndohet dhe do të respektohet nga të gjithë
shqiptarët, ashtu siç është shkruar në nenin
14, pika 4 të Kushtetutës: Himni Kombëtar
është “Rreth flamurit të përbashkuar”.
engjell a djall
engjell a djall
Hapësira Jonë - Forum
Hapësira Jonë - Forum

<b>Postime</b> Postime : 7372
 <b>Piket</b> Piket : 8226
Regjistruar : 25/04/2009

https://hapesira.albanianforum.net/shkrimtare-shqiptare-f48/poezi

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Himni Kombetar Empty Re: Himni Kombetar

Mesazh nga Sponsored content


Sponsored content


Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi