Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Naim Frashëri

Shko poshtë

Naim Frashëri Empty Naim Frashëri

Mesazh nga Vizitor Wed 24 Feb 2010 - 4:41

Figura qëndrore e letërsisë shqiptare të Rilindjes, ai që u bë shprehës
i aspiratave të popullit për liri e përparim, si poet i madh i kombit,
është Naim Frashëri, bilbili i gjuhës shqipe. Naimi lindi më 25 maj
1846 në Frashër, që ishte edhe një qendër bejtexhinjsh. Mësimet e para
i mori tek hoxha i fshatit në arabisht e turqisht. Që i vogël nisi të
vjershëronte. Studimet e mesme i kreu në Janinë, në gjimnazin e njohur
"Zosimea". Aty horizonti i tij kulturor u zgjerua së tepërmi, njohu
letërsinë, kulturën dhe filozofinë klasike greke e romake, ra në
kontakt me idetë e Revolucionit Borgjez Francez dhe me iluminizmin
francez. Duke përvetësuar disa gjuhë, si: greqishten e vjtër e të renë,
latinishten, frëngjishten, italishten e persishten, Naimi, jo vetëm që
mori bazat e botëkuptimit të vet, por njohu edhe poezinë e Evropës e të
Lindjes. Të gjitha këto tradita poetike ndikuan në formimin e tij si
poet. Më 1870, pas mbarimit të shkollës, shkoi për të punuar në
Stamboll, por u prek nga turbekulozi dhe u kthye në Shqipëri në klimë
më të shëndetshme.
Gjatë viteve 1872-1877 Naimi punoi në Berat e në
Sarandë si nëpunës. Kjo periudhë pati rëndësi të veçantë në formimin e
tij. Atdhetar e si poet. Ai njohu më mirë jetën e popullit, zakonet,
virtytet dhe aspiratat e tij, gjuhën e bukur e shpirtin poetik të
njerëzve të thjeshtë, krijimtarinë popullore, bukurinë e natyrës
shqiptare.
Ndërkohë vendi ishte përfshirë në ngjarjet e mëdha të
lëvizjes çlirimtare, që do të sillnin formimin e Lidhjes Shqiptare të
Prizerenitmë 1878, udhëheqës i së cilës ishte Abdyli, vëllai më i madh
i Naimit. Naimi dha ndihmesën e vet për krijimin e degëve të lidhjes në
Jugun e Shqipërisë, përkrahu dhe përhapi programin e saj. Më 1880, kur
veprimtaria e Lidhjes ishte në kulm, ai shkroi vjershën e gjatë
"Shqipëria", në të cilën shpalli idetë kryesore të Rilindjes. Me këtë
krijim Naimi niste rrugën e poetit kombëtar. Më 1881 Naimi u vendos
përfundimisht në Stamboll, ku u bë shpirti i Shoqërisë së Shkronjave
dhe i lëvizjes së atdhetarëve shqiptarë. Gjithë forcat dhe talentin ia
kushtoi çështjes kombëtare, punoi për ngritjen e shkollës shqipe dhe
hartoi libra për të, shkroi vjersha, përktheu e botoi vazhdimisht, duke
ndihmuar për zhvillimin e letërsisë sonë, për botim edhe të shumë
veprave të autorëve të tjerë. Lëvizja kombëtare, idealet e çlirimit të
Shqipërisë, të përparimit e të qytetërimit të saj, u bënë faktori
themelor që ndikoi në formimin e Naimit si poet e atdhetar.
Krijimtaria
e gjerë letrare e Naimit, me veprat poetike e didaktike, kap një
periudhë të shkurtër prej 13 vjetësh (1886-1899). Vetëm në vitin 1886
ai botoi veprat "Bagëti e Bujqësia", "Vjersha për mësonjtoret e para",
"Histori e përgjithshme" dhe poemën greqisht "Dëshira e vërtetë e
shqiptarëve", "E këndimit çunavet këndonjëtoreja". Më 1885 botoi
përmbledhjen me vjersha persisht "Tehajylat" (Ëndërrimet) më 1888 botoi
"Dituritë", më 1890 "Lulet e verës", më 1894 "Parajsa dhe fjala
fluturake", më 1898 "Historia e Skënderbeut" dhe "Qerbelanë" dhe më
1889 "Historia e Shqipërisë". Sëmundja dhe lodhja e madhe ia keqësuan
shëndetin poetit, zemra e të cilit pushoi së rrahuri më 20 tetor 1900,
në moshën 54-vjeçare, i zhuritur nga malli për atdheun dhe me brengën
që s'e pa dot të lirë.
Vdekja e poetit qe një zi e vërtetë
kombëtare. Shqiptarët kishin humbur atdhetarin e kulluar, apostulin e
shqiptarizmës, poetin e madh. Dhembjen dhe vlerësimin për Naimin e
shprehu bukur elegjia e Çajupit, që niste kështu:

Vdiq Naimi, vdiq Naimi,
moj e mjera Shqipëri,
mendjelarti, zemërtrimi,
vjershëtori si ai.

****************************

Naim
Frashëri vuri themelet e letërsisë kombëtare shqiptare. Vepra e tij
shënoi lindjen e një letërsie të re me vlera të vërteta artistike. Ajo
shprehte aspiratat e shoqërisë shqiptare të kohës dhe ndikoi fuqishëm
në luftën e saj për liri e progres.
Naimi krijoi traditën e letërsisë patriotike, qytetare, ai solli në letërsi botën shqiptare, aspiratat jetike të popullit.
Dashuria
për Atdheun, popullin dhe njeriun, krenaria kombëtare dhe besimi në të
ardhmen, ideja e madhe e çlirimit, formojnë thelbin romantik të veprës
së tij. Naimi e afroi letërsinë me popullin, duke trajtuar tema të
reja, të ndryshme nga ato të letërsisë së vjetër, temat e problemet e
kohës.
Në formimin e Naimit si poet ndikuan disa faktorë, por
faktori kryesor ishte jeta e popullit të vet dhe lëvizja e tij për
çlirim kombëtar.
Naimi njohu disa tradita poetike të huaja, prej të
cilave mori elemente që u tretën mjaft natyrshëm në veprën e vet. Por
krijimtarisë së tij vulën e origjinalitetit ia vuri jeta dhe tradita
historike e artistike e populli të vet. Traditat poetike popullore, që
përbën një nga burimet e formimit të tij si poet, i dha shumë më tepër
nga çdo traditë tjetër. Lidhja me të u shpreh jo vetëm në gjuhën e
poezisë së Naimit dhe në figuracionin e pasur, por, në radhë të parë,
në përmbatje dhe në frymën e saj.
Naimi është bilbili i gjuhës
shqipe, mjeshtër i fjalës. Vepra e tij vuri bazat e gjuhës letrare
kombëtare shqipe, e cila do të njihte më vonë një zhvillim të
mëtejshëm, për të arritur gjer në shqipen e sotme letrare kombëtare të
njësuar e të zhvilluar. Tradita që krijoi Naimi, është e gjallë dhe
frymëzuese edhe në jetën e shoqërisë sonë të sotme. Naimi më tepër se
shkrimtar, është poeti më i madh i Rilindjes sonë Kombëtare, është
atdhetar, mendimtar dhe veprimtar i shquar i arsimit dhe i kulturës
shqiptare.
Anonymous
Vizitor
Vizitor


Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi