Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Mbretër Ilirë, 2400 Vjet Më Parë, Në Maqedoninë E Sotme

Shko poshtë

Mbretër Ilirë, 2400 Vjet Më Parë, Në Maqedoninë E Sotme Empty Mbretër Ilirë, 2400 Vjet Më Parë, Në Maqedoninë E Sotme

Mesazh nga Geri Tue 20 Oct 2009 - 5:33

MBRETëR ILIRë, 2400 VJET Më PARë, Në MAQEDONINë E SOTME

Në librin
"Ilirët", të historianit bashkëkohor anglez, John Wilkes, përkthyer edhe në
shqip (2005), jepet ky citim nga vepra e lashtësisë "Illyrike" e historianit
Appiani: Helenët quajnë ilirë ata që banojnë përmbi Maqedoni e Trakë, nga Kaonia
e Thesprotia deri në lumin Danub. Ky është vendi i tyre për së gjati, kurse për
së gjeri ai shkon nga Maqedonia dhe malet e Trakës deri në Panoni e Adriatik dhe
deri rrëzë Alpeve. Mban 5 ditë më këmbë për së gjeri dhe 30 ditë për së
gjati".
Iliria e lashtë përbëhej nga shumë fise me popullsi autoktone ilire
midis të cilëve mund të përmenden: Dardanët, Ardianët, Dokleatët, Labeatët,
Albanët, Taulantët, Enkelejtë, Dasaretët, Paionët, Kaonët, Thesprotët, Molosët,
Japodët, Liburnët, Dalmatët etj. Fise ilire të mirëfillta ishin edhe Japigët dhe
Mesapët në gadishullin Italik, me shtrirje kryesisht në zonën e Apulias (Pulia e
sotme) dhe që u përhapën edhe në jugperëndim të gadishullit Apenin. Më poshtë,
në këtë shkrim po paraqesim një përshkrim për fisin ilir të Paionëve ose
Pejonëve, që shtrihej në territoret e Maqedonisë së sotme dhe përafërsisht aty
ku banojnë shqiptarët autoktonë, si dhe për mbretërinë e Paionisë dhe mbretërit
e saj në shek. IV para erës së re, ose më qartë plot 2400 vjet më
parë.

PAIONIA

Paionia; Paionët (Paeonians) ose Peonët ishin
fise ilire që banonin në luginën e sipërme të Vardarit dhe në kufi me Dardanët.
Në drejtim të lindjes ata shtriheshin deri te lumi Struma, (Bullgari) por dhe më
tej. Përmenden për herë të parë nga Homeri, si aleatë të Trojanëve dhe në
mbrojtje të Helenës në luftën kundër Akejve. Në gjysmën e parë të shek. IV para
erës së re, Paionët krijuan mbretërinë e tyre, e cila u detyrua t‘u bëjë ballë
për shumë kohë sulmeve të maqedonasve. Principatat e Paionëve u përqendruan në
mbretëri duke u shtrirë pranë lumenjve Vardar dhe Struma dhe në disa kohë edhe
më tutje se kaq. Nga perëndimiPaionia përfshinte edhe Pelagoninë, hapësirën mbi
liqenin e Ohrit dhe të Prespës. Qyteti kryesor i mbretërve paionianë ishte
Bylazora (Veleshi i sotëm në Maqedoni -FYROM) pranë lumit Aksios, sot Vardar. Më
vonë, vendqendrimi i mbretërve kaloi në Stobi (në Pusto Gradskon e sotëm).
Ekziston mendimi se qyteti i lashtë ilir i Damastionit, të ketë qenë përfshirë
në mbretërinë e Paionisë. Ky mendim gjen mbështetje edhe nga monedhat e shumta
prej argjendi të shek. IV-III para erës së re, që mbajnë mbishkrimin DAMASTION
dhe që klasifikohen se i përkasin mbretërisë së Paionisë. Paionët u bashkuan me
ilirët e tjerë dhe i bënë qëndresë ekspansionit të Maqedonisë drejt veriut. Në
vitin 360-359 para Krishtit, fiset jugore të Paionisë filluan mësymjen kundër
Maqedonisë, me shpresën e ndonjë sulmi të mundshëm edhe nga viset e tjera të
Ilirisë. Mbreti i Maqedonisë, Filipi II krijoi një ushtri dhe u mundua t‘i
parandalonte pushtimet e mundshme nga ana e ilirëve dhe nga mësymjet e paionëve.
Paionët krijuan dinastinë e tyre e njohur si mbretëria ilire e Paionisë, qysh
nga fillimi i shek. IV para erës së re. Dinastia mbretërore e Paionisë u bë e
njohur dhe pati vazhdimësi për më se një shekull, përmendim: Mbretin Likeu
(Lykkaioy; Lykkaeios, 359-340 para Kr.); Patrai (Patraioy, 340-315 para Kr.),
Audoleoni (315-286 para Kr.). Mbretër të Paionisë kanë qenë edhe Aristoni (286
para Kr.), Leoni (278-250 para Kr.), Dropioni (250-230 para Kr.) etj. Në mesin e
këtyre sundimtarëve, Audeleoni ka mundësi të ketë një nga më të njohurit, ngaqë
një nga vajzat e tij qe martuar me Pirron e Epirit.
Mbretërit e Paionisë kanë
qenë të njohur për prerjen e monedhave, kryesisht prej argjendi dhe të cilësisë
së lartë. Autori i këtij shkrimi, në kërkimet e tij për të njohur sa më gjerë
botën e Ilirisë së lashtë dhe historinë e kombit shqiptar, zbuloi nëpërmjet
internetit në muze dhe arshiva të huaja disa dhjetëra monedha ilire, të njohura
pak, ose aspak të njohura, dhe midis tyre më se 100 copë monedha dhe të gjitha
prej argjendi, të prera nga mbretërit e Paionisë. Këto janë edhe disa nga
monedhat më të hershme të botës ilire (shek. IV, III para Kr.). Kështu Mbreti
Likeu me rreth 40 prerje dhe të gjitha prej argjendi, Mbreti Patrai me rreth 35
prerje prej argjendi, si dhe Mbreti Audoleon, me rreth 30 monedha të ndryshme
dhe të gjitha prej argjendi. Në një monedhë paioniane paraqitet figura e Mbretit
Ariston, që ishte vëllai i Mbretit Patrai, i cili luftoi në krye të 1 000
trupave ilire përkrah Aleksandërit të Madh në fushatat e tij drejt
lindjes.
Panonia përbëhej nga disa nënfise: Aestraei, Agrianes, Derrones,
Doberes, Laiaious, Odomantians, Paioplai, Siriopaiones. Pas pushtimeve romake,
Paionia u përfshi në provincën romake të Maqedonisë së bashku me Ilirinë e
Jugut, Thesalinë, Trakën, dhe Epirin e Veriut. Perandori me origjinë ilire
Diokleciani, gjatë riorganizimit administrativ të Perandorisë Romake, Paioninë
dhe Pelagoninë, i bashkoi në një provincë të vetme me emrin Maqedonia e Dytë ose
Salutaris.


Mbreti: TEUTAMADO

Shek. IV para erës së
re

Teutamado (Teytamado). Një nga mbretërit e Paionisë në Ilirinë
lindore. Rreth shek. IV para erës së re (rreth vitit 325 para Kr.). Në
historiografinë shqiptare ky mbret nuk përmendet fare, pasi ai nuk njihet dhe
nuk është cituar në ndonjë botim në shqip as edhe në gjuhë të huaj. Në një muze
të huaj ruhet një monedhë e Mbretit TEUTAMADO prej argjendi që mendohet të jetë
e shek. IV para Kr. dhe për të cilën thuhet se Teudamado ishte Mbret i Paionisë.
Në faqen e parë të monedhës është vendosur figura e Zeusit me drejtimin
djathtas, ndërsa në faqen e pasme paraqitet Mbreti plak i hipur mbi kalë dhe me
një shpatë të shkurtër në dorë, shpatë tipike ilire. Poshtë, i rrëzuar për tokë,
është figura e një luftëtari armik. Sipër kësaj monedhe, me shkronja të mëdha,
lexohet emri i Mbretit: TEYTAMADO.
Ky emër nuk është fare i panjohur për
historinë e ilirëve (kujtojmë Mbretëreshën Teuta, të shoqen e Mbretit Agron dhe
Triteutën, gruan tjetër të tij, e cila lindi Mbretin ilir, Pin, ndaj mund të
hamendësohet se fjala TUEUTAMADO, mund të kuptohet dhe si TEUTA+MADO (Teuta i
Madh?!). Ky supozim mbështetet edhe me tekstin përcjellës të kësaj monedhe, ku
bëhet fjalë për një mbret plak që lufton mbi kalë kundër armikut. Poshtë dhe në
anën e majtë të monedhës është një shpend mitologjik, që duket sikur ka dy koka
(bycapitis). Sidoqoftë, këto mendime rreth kësaj monedhe duhen marrë thjesht si
"hamendësime", pasi fjalën e saktë dhe shkencore mund ta thonë shkencëtarët,
historianët dhe gjuhëtarët e specializuar. Kjo monedhë unike e me vlera të
jashtëzakonshme për historinë e ilirëve dhe të kombit shqiptar (shek. IV para
erës së re), ndodhet në një muze të huaj dhe është monedha që kushton më shumë
nga fondi i Ilirisë, rreth 30 500 dollarë. Ajo është grupuar me disa monedha të
tjera prej argjendi të qytetit të pazbuluar ilir të Damastionit, monedha ku
dukshëm në njërën anë është figura e Zeusit dhe në anën tjetër, janë vendosur
disa vegla pune për shkrirjen e metaleve dhe ku lexohet fjala:
PELLAG.


LIKEI

356-335 para erës së re

Likei,
Luppeios (Lykkaioy; Lykkaeios). Mbret i Paionisë ilire, në periudhën 356-335
para erës së re. Ishte një nga themeluesit e dinastisë mbretërore të Paionëve,
që sundoi për një periudhë relativisht të gjatë kohe në shek. IV para erës së
re. Demosteni, në veprën e famshme të tij, "Filipiket", u thoshte athinasve se
"për sa u përket Paionëve, ilirëve dhe të gjithë fqinjëve të tij (të Filipit të
Maqedonisë), në përgjithësi, duhet besuar se për ta është më e kënaqshme të jenë
të pavarur e të lirë sesa të nënshtruar" (cituar nga prof. Neritan Ceka në
librin e tij "Ilirët"). Këtu, oratori i shquar e kishte fjalën për një aleancë
të lidhur në vitin 356 para Kr., kur Diodori njofton se tre mbretër, të
Paionisë, Ilirisë dhe Trakisë, u bashkuan për të sulmuar Filipin II të
Maqedonisë. Nga Paionia marrëveshja u nënshkrua nga Likei, nga Iliria prej
Grabosit, ndërsa nga Thrakia prej Ketriporit.
Në literaturën me temë
historinë e ilirëve, të botuar deri më sot në gjuhën shqipe, ky mbret ilir
përmendet shumë pak ose anashkalohet, ndërsa ai mbart me vetë një histori të
rëndësishme për vetë faktin se në periudhën kur sundoi ai preu rreth 50 monedha
prej argjendi, të gjitha të cilësisë së lartë, ashtu siç prenë edhe dy mbretërit
e tjerë, pasardhës të tij, Patrai dhe Audoleoni. Në monedhat kushtuar Likeit, në
faqen e parë paraqitet busti i Zeusit, Apolonit apo Herakliut, ndërsa në faqen e
pasme shihet dyluftimi i një luftëtari me luanin dhe ku shkruhet: "Lykkeioy".
Mbreti Likei sundoi për 21 vjet, pas tij në fron erdhi Mbreti
Patrai.

PATRAI
340-315 para erës së re

Patrai (Patraoy).
Mbreti i Paionisë ilire nga fisi ilir i Paionëve që sundoi në vitet 340-315 para
erës së re. Ai erdhi në fron pas Mbretit Likei (Lykkeioy) dhe u zëvendësua nga
Mbreti Audoleon (shih). Gjatë sundimit të tij, mbretëria e Paionisë zinte
hapësira të gjera dhe shtrihej në lindje deri në qytetin e lashtë Serdika, sot
qyteti Sofje në Bullgari, ndërsa nga perëndimi kufizohej përafërsisht me
hapësirën mbi liqenin e Ohrit, nga veriu shtrihej deri në Dardaninë Jugore,
ndërsa pjesa jugore e Paionisë shkonte deri në qytetin e lashtë Heraklea, sot
Bitola (Manastiri) në Maqedoni. Mbreti Patrai preu rreth 40 monedha prej
argjendi të një cilësie të lartë, ku në njërën anë paraqitet portreti i Apolonit
dhe në anën tjetër një luftëtar mbi kalë që ka mundur armikun, ndërsa disa
syresh kanë figurën e një derri të
egër.


AUDOLEONI

315-286 para erës së
re

Audoleoni (Audoleontoy, 315-286 para erës së re). Mbret i Paionisë, që
erdhi në fron pas Mbretit Patrai (shih). Pas vdekjes së Perdikas III të
Maqedonisë, në vitin 359 para Kr., Paionët ilirë, filluan të rebeloheshin. Me
qëllim që të merrte fronin e Maqedonisë, Filipi II (i ati i Aleksandërit të
Madh, nipi i Fisit ilir të Molosëve në Epir), u bëri atyre shumë premtime.
Paionët (Pejonët) të kanosur nga planet e Filipit, kërkuan ndihmën e Athinës dhe
në verën e vitit 356 para Kr., Mbreti i Paionisë, Likei, nënshkroi një
marrëveshje bashkëpunimi me këtë qytet-shtet. Mirëpo një gjë e tillë nuk pati
sukses, sepse maqedonët nën drejtimin e Parmenionit, e rimorën Paioninë dhe deri
në shekullin e katërt, ky ishte një shtet i "bashkuar". Pas vdekjes së
Aleksandërit IV të Maqedonisë, Paionia u bë përsëri e pavarur. Kasandri i cili
kërkonte të bëhej Mbret i Maqedonisë, siguroi kufirin e tij verior duke ndihmuar
Audoleonin në një marrëveshje mbrojtjeje. Ky bashkëpunim ishte në dobi të
Paionëve, pasi Audoleoni siguroi një aleancë të fuqishme. Ndërkohë, Audoleoni
vazhdoi të forconte lidhjet me fqinjët e tij të Ilirisë, gjë që shprehet qartë
dhe me martesën e vajzës së tij me Pirron e Epirit. Pas vdekjes së Audoleonit,
në fronin e Paonisë erdhi Aristoni dhe më pas Drypioni. Monedhat e shumta dhe
prej argjendi të prera nga Audoleoni tregojnë për nivelin e fuqizimit të
mbretërisë ilire të Paionëve në shekullin e katërt para erës së
re.

DAMASTIONI

Qytet i rëndësishëm i Ilirisë së lashtë që
pati zhvillim sidomos në shek. IV-II para erës së re. Mendohet si kryeqytet i
Dardanisë apo i Paionisë a si një qendër e rëndësishme për prerjen e monedhave
ilire. Përmendet nga Straboni në veprën e tij "Gjeografia" si qytet ilir (shek.
IV para Kr.). Sipas tij, pas Epidamnit dhe Apolonisë, gjer në malet Keraune,
banojnë Bylinët, Taulantët, Parthinët e Brygët; jo larg tyre janë edhe minierat
e argjendit në Damastion, rreth të cilave Dyestët vendosën sundimin e tyre, si
dhe Enkelenjtë, të cilët i quajnë edhe Sesaretë. Në monedhat që i kushtohen
Damastionit, dhe që ruhen edhe në ditët tona, rreth 40 prerje a më shumë dhe
pothuajse të gjitha prej argjendi, në pjesën e parme të tyre, zakonisht gjendet
figura e Zeusit apo Apolonit, hyjnisë së adhuruar të botës antike, kurse në
pjesën e pasme, paraqiten figurina të ndryshme si vegla pune për shkrirjen e
metalit, ku mbizotëron tripodi ilirik me këmbë luani, altarë të faljes, sende si
thika e shpata të shkurtra dhe stilizime të ndryshme. Poshtë, ose në formë
rrethore, zakonisht shkruhet emri i qytetit: DAMASTION. Në disa nga këto
monedha, gjenden mbishkrime të tjera interesante si: HRAKLEIDO; KAKIO; PELLAG
apo ILLY, që nga disa specialistë të huaj lexohet si "Illyricum".
Lidhur me
vendndodhjen e këtij qyteti antik ka mendime të ndryshme. Kështu A. Stipçeviç e
lokalizon në Shqipërinë e Jugut, diku në rrethin e Gjirokastrës, studiues të
tjerë mendojnë se përfshihej në Shqipërinë e Veriut, në zonat e Mirditës a të
Dukagjinit. Ka studiues që mendojnë se ky qytet i lashtë duhet kërkuar në jug të
Dardanisë, a në mbretërinë ilire të Paionisë, diku në perëndim të saj, ku
gjendej edhe krahina e lashtë e Pelagonisë. Problemit të Damastionit i ka
kushtuar vëmendje të veçantë edhe historiani nga Kosova, Zef Mirdita, i cili në
veprën e vet "Studime Dardane" (viti 1979), jep mendimin se kjo qendër e lashtë
ilire duhet të ketë ekzistuar afër Kishnicës, midis Janjevës dhe Prishtinës,
pasi që këtej nuk kanë qenë larg minierat antike të xeherorëve. Duhet thënë se
në studimet numizmatike me temën e Ilirisë, për Damastionin janë botuar vetëm
tri a katër monedha dhe këto të dëmtuara dhe jo tipike. Në fakt, sot, në muzetë
dhe arshivat e huaj të Evropës dhe më gjerë, gjenden më se 50 monedha, pothuajse
të tëra prej argjendi dhe të ruajtura mirë, të cilat po të blihen (ato shiten)
do të sillnin një prurje të re dhe shkencore rreth këtij qyteti të lashtë të
botës ilire. Damastioni i lavdishëm i trojeve të Ilirisë antike pret studiuesit
dhe arkeologët, shqiptarë a të huaj, që ta zgjojnë atë nga heshtja dhe gjumi i
tij shumëshekullor. Zbulimi i tij do të jetë me vlera të jashtëzakonshme për
historinë e ilirëve dhe të autoktonisë së hershme të kombit
shqiptar.

Tiranë, tetor, 2009

nga PASHO BAKU
*Studiues dhe
botues

shqip.
Geri
Geri
Fondatore St@ff Forum
Fondatore St@ff Forum

<b>Postime</b> Postime : 19707
 <b>Piket</b> Piket : 23805
Regjistruar : 21/04/2009
 <b>Mosha</b> Mosha : 36
 <b>Vendbanimi</b> Vendbanimi : Ne qytetin e dashur Tirone

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi