Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Si është shkatërruar Jugosllavia

Shko poshtë

Si është shkatërruar Jugosllavia  Empty Si është shkatërruar Jugosllavia

Mesazh nga Vizitor Thu 21 Jul 2011 - 2:11

Si është shkatërruar Jugosllavia  F.0719235103927_m
Dr. Jakup Krasniqi
(Fjala e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Dr. Jakup Krasniqi, në promovim të veprës “Si është shkatërruar Jugosllavia” të autorit Stipe Mesiq)

Shpreh kënaqësinë time për prezencën e ish presidentit të Republikës së Kroacisë në Kosovë dhe për promovimin e veprës së tij monumentale “Si është rrënuar Jugosllavia”.

Miku i sinqertë i Kosovës, zoti Mesiq është burrë shteti dhe personalitet i rrallë në hapësirën e ish Jugosllavisë, që me guxim e sakrifica, me mençurinë dhe vullnetin e pathyeshëm, me ndershmërinë e përgjegjësinë e lartë, u vu tërë jetën në shërbim të idealeve të lirisë, drejtësisë dhe demokracisë.

Kur në fillim të dekadës së fundit të shekullit të kaluar, kishte nisur procesi historik i shembjes së burgut të popujve, të quajtur Jugosllavi, Stipe Mesiq, në 207 ditët e funksionit të kryetarit të Presidencës jugosllave, u bë barrikadë e gjallë kundër regjimit të Milosheviqit, i cili duke sintetizuar gjithë projektet serbomëdha, që nga Garashanini e deri të Memorandumi i Akademisë serbe të Shkencave dhe Arteve, synonte hegjemoninë tragjike të Serbisë, fillimisht në Jugosllavi dhe pastaj në gjithë Gadishullin e Ballkanit.

Duke e pasur për dhjetë vjet rresht president zotin Mesiq, Republika e pavarur dhe sovrane e Kroacisë ka bërë transformime dhe reforma të gjithanshme për të qenë sot në prag të hyrjes në familjen e madhe të Bashkimit Evropian. Gjatë presidencës së tij, Republika e Kroacisë e ka njohur pavarësinë e Kosovës, duke ndërtuar me të marrëdhënie të shkëlqyeshme të miqësisë dhe bashkëpunimit.

Stipe Mesiq, në pozitat që ka mbajtur, ka promovuar aftësi të rralla dhe virtyte të larta morale, politike e kombëtare, kurse libri që po promovojmë sot përbën dëshmi të shkëlqyer të potencialit të tij intelektual, politik e shkencor.

Me gjithë kundërshtimet e vendosura të regjimit të Milosheviqit, Mesiq mori drejtimin e radhës të Kryesisë jugosllave, por ai qe shefi i fundit i atij shteti, sepse para mbarimit të mandatit shpërtheu Lufta, në zjarrin e të cilës u dogjën planet hegjemoniste serbomëdha dhe lindi liria e merituar e popujve. Duke shkruar për shkaqet e Luftës në ish Jugosllavi, autori vë në spikamë tendencën e “zgjerimit të planifikuar të Serbisë në kurriz të të tjerëve, kroatëve, myslimanëve, shqiptarëve, maqedonasve apo hungarezëve”.

Milosheviq i pasionuar pas luftës, e kishte bashkëdyzuar ushtrinë me politikën, duke e yshtur atë madje për të komanduar edhe vetë institucionet politike të nivelit federativ, prandaj Mesiq shkruan me të drejtë: “Kur ushtria udhëheq politikën, atëherë politika flet me gjuhën e armëve”.

Për fatin e keq të Jugosllavisë dhe të popujve të saj, Milosheviq nuk ishte i vetmuar në Serbi, sepse unison mbështetej, jo vetëm nga ushtria e policia, por edhe nga paramilitarë e institucione të tëra shkencore, intelektuale e politike, nga pozita e opozita. Autori sjell në libër dëshminë e deklaratës së Sheshelit të harbuar, kur thoshte se janë të gatshëm “që të bëjnë kurban edhe një milion serbë me kusht që në këtë shtet të mos ketë asnjë shqiptar dhe asnjë kroat”. Në prag të ndërhyrjes së NATO-s në Luftën e Kosovës, më 1999, Sheshel deklaronte sërish, që po të ndodhte kjo, asnjë shqiptar nuk do të mbetej në Kosovë. Shumë shpejt u dëshmua ky qëllim i hapur antihistorik e antinjerëzor, për të dështuar me turp njëherë e përgjithmonë.

Libri është një kronikë tronditëse e shembjes së Jugosllavisë, prandaj përbën një kontribut të pazëvendësueshëm politik, por edhe shkencor e historik, duke sjellë fakte dhe argumente relevante të dorës së parë. Analizat e autorit mishërojnë përvojën e gjatë politike të tij, kulturën e gjerë dhe aftësinë e mprehtë intelektuale.

Për lexuesin kosovar, libri sjell fakte të njohura e të panjohura për skenat e prapaskenat politike të kohës, sjell ndjenjat e miqësisë së hershme dhe të sinqerta të autorit për Kosovën dhe popullin e saj, për fatin e përbashkët që patën Kroacia dhe Kosova, Bosnje Hercegovina etj., gjatë rrënimit të Jugosllavisë.

Shqiptarët në Jugosllavi e kishin provuar në kurriz më shumë se kushdo, politikën shoviniste të serbomëdhenjve, prandaj qenë të detyruar t’i rezistonin shtypjes sistematike kombëtare dhe diskriminimit racial. Në përpjekje për barazi dhe jetë të lirë, ata shpeshherë ishin të vetmuar, por pas Demonstratave historike të vitit 1981, Lëvizja jonë kombëtare gëzonte solidaritet gjithnjë e më të gjerë nga popuj jugosllavë, por edhe në botën demokratike. Në librin e tij, zoti Mesiq, evidenton faktin historik që “...bota për shkak të gjendjes në Kosovë, ka kohë që ia ka kthyer shpinën Jugosllavisë”.

Një ndër personazhet e urryer të librit, për servilizmin dhe injorancën e tij, ishte dhjetari ushtarak dhe politik, Sejdo Bajramoviq, ish shitësi i tiketave të lotarisë, të cilin e kishte ngarkuar politika dhe ironia e fatit me misionin për ta “përfaqësuar” Kosovën në Kryesinë e Federatës dhe për të dëmtuar interesat e popullit të saj, por edhe më shumë.

Tingëllon si shumë aktual në Kosovë, por jo më në kushte lufte, konstatimi i autorit, se regjimi i kohës në Serbi, bënte gjithçka që etniteti serb në Kroaci të getoizohej, në mënyrë që tek ata të shuhej ndjenja e të qenit të barabartë me kroatët dhe me çdo çmim të tërhiqeshin në luftë të armatosur.

Autori Mesiq meriton mirënjohje të thellë për librin, por një falënderim i shkon edhe Forumit të Intelektualëve Shqiptarë në Kroaci, që bënë të mundur botimin e tij në gjuhën shqipe.

Zotit Mesiq i uroj shëndet e jetë të gjatë, me dëshirën që të na dhurojë edhe libra të tjerë.
Anonymous
Vizitor
Vizitor


Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi