Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Kush i mbron të varfrit në shoqëri?

2 posters

Shko poshtë

Kush i mbron të varfrit në shoqëri? Empty Kush i mbron të varfrit në shoqëri?

Mesazh nga Vizitor Mon 11 Oct 2010 - 23:13

Kush i mbron të varfrit në shoqëri? Fotoshqiptare





Varfëria nuk është dukuri sociale e re për shoqërinë tonë. Përballimi i varfërisë, mposhtja e injorancës dhe mbrojtja e shëndetit janë sfidat imperative të shoqërisë shqiptare sot. Por duke e parë ca më thellë dhe universalisht problemin e varfërisë,
duhet pranuar se në kohën moderne lufta e vendosur kundër saj është bërë tregues për performancën dhe indikator për verifikimin e natyrës dhe karakterit social të shtetit modern në mijëvjeçarin tonë. Në këtë kontekst, ka dy dekada që shteti, shoqëria shqiptare dhe njerëzit individualisht janë në betejën finale, synimi i së cilës është kthimi i të varfërve në pakicë sociale të pakonsiderueshme. Kjo ka qenë dhe mbetet një sfidë e madhe e parealizuar, me të cilën po përballen dy dekada rresht politikat e qeverive të majta dhe të djathta që janë aplikuar në këtë vend. Nuk mund të mohohen rezultatet, por ato ende janë pak, të pamjaftueshme për të kaluar nga tipologjia e vjetër e shoqërisë shqiptare, e cila tradicionalisht ka pasur dhe vazhdon të ketë me shumicë të varfër dhe me pakicë të pasur, ndërkohë që në një shoqëri normale të rregulluar mirë ka me shumicë qytetarë të mesëm.
Situata në të cilën ndodhen shtresat e varfra sot, niveli ende i lartë i papunësisë, që janë përtej parametrave të shoqërisë postmoderne, bëjnë që të duket i largët momenti social, në të cilin, siç thotë politologu Xhovani Sartori, të “varfrit dhe të uriturit kthehen në pakica përherë e më të vogla”. Nuk duhet të jemi shumë të kënaqur dhe entuziastë që dikotomia midis të pasurve dhe të varfërve në shoqërinë tonë është bërë gjithnjë e më evidente. Sipas mendimit tim, nga pikëpamja sociale dhe ekonomike kjo nuk ka gjë të keqe, nëse nisemi nga parimi i njohur se “pa borgjezi nuk ka demokraci”. Por ndërkaq shoqëritë moderne tanimë po i largohen këtij koncepti të vjetër, tradicional, klasik dhe dikotomik. Që shoqëria moderne të jetë funksionuese dhe në normalitet demokratik, ka nevojë të fuqizojë klasën e mesme, shtresën qytetare, duke zbutur ndërkaq dikotominë midis të pasurve dhe të varfërve. Ka kohë që shoqëritë e konsoliduara, moderne dhe demokratike kanë bërë lajtmotiv social-ekonomik parimin sipas të cilit që të modernizohet dhe demokratizohet shoqëria duhet që forma e vjetër socio-ekonomike “piramidale” t’ia lërë vendin një forme sociale “hekzagonale”, duke zbutur dikotominë midis të pasurve dhe të varfërve.
2. A mund të jetë bota moderne pa ndihmë për të varfrit?
Ka një debat të madh të vjetër për modelet e shtetit social dhe liberal, për raportin e përgjegjësisë së shtetit dhe të individit për varfërinë e tij. Megjithatë, me gjithë ridimensionimet dhe modernizimet që u janë bërë politikave sociale në kohën tonë, duket se kujdesi i shtetit dhe shoqërisë për njerëzit në nevojë, sidomos për fëmijët, personat me aftësi të kufizuara dhe të moshuarit e braktisur apo të vetmuar, është një nga treguesit esencial të natyrës sociale.
Me gjithë vështirësitë që kalojmë të varfrit, të vetmuarit, personat me aftësi të kufizuara, invalidët nuk kanë qenë jashtë kujdesit të shtetit apo vëmendjes së shoqërisë shqiptare. Sigurisht, sipas mundësive social-ekonomike, duke aplikuar politika sociale dhe institucionale të diktuara nga niveli relativisht i qëndrueshëm i varfërisë që përjetojmë. Problemi i varfërisë, evidentimi i qartë i nevojave sociale të njerëzve të margjinalizuar, vulnerabël, të dobët apo të pambrojtur është realisht një çështje e ndjeshme, një nga problemet sociale më kruciale për shtetin dhe shoqërinë shqiptare, ende e pazgjidhur deri në fund. Aktualisht në tërësinë e njerëzve në nevojë apo shoqërisht të paintegruar bëjnë pjesë fëmijët jetimë, njerëzit me aftësi të kufizuara, të moshuarit e vetmuar, familjet që ende jetojnë në varfëri, invalidët e punës, gratë viktima të trafikut dhe prostitucionit etj. Nëse do të bënim një vlerësim numerik dhe statistikor, do të thoshim se numri i njerëzve të “dobët” në shoqërinë tonë është relativisht i lartë. Nuk ka rëndësi si i quajmë apo me çfarë termash i klasifikojmë. Shqetësimi është që si shtet, si shoqëri duhet të përmirësojmë mekanizmat socialë, natyrisht duke intensifikuat paralelisht dhe përpjekjet individuale, të kombinuara në mënyrë të domosdoshme, për zbutjen e shkaqeve ekonomike, sociale apo personale, që i kanë vendosur këta njerëz në “periferi të shoqërisë” shqiptare. Polarizimi pasuror i njerëzve, segmentimi social i shoqërisë nga veprimi i fragmentuar i “lojës së tregut” dhe aftësive të kufizuara të individit për t’u adoptuar me të, janë shkaku kryesor për sasinë e madhe të njerëzve të paintegruar shoqërisht apo që jetojnë në varfëri, të margjinalizuar.
Duhet vlerësuar me seriozitet më të madh, përtej rivaliteteve të politikës së ditës, fakti shqetësues që çdo ditë shoqëria jonë në procesin e stratifkimit modern po diferencohet dukshëm nga pikëpamja pasurore dhe njëherësh po frakturohet nga pikëpamja shpirtërore. Krahas me njerëzit e suksesshëm ekonomikisht dhe të orientuar shpirtërisht dhe kulturalisht po duken individë, shtresa e grupe sociale që kanë vështirësi adoptimi me kërkesat e jetës, që po bëhet gjithnjë e më e vështirë. Realiteti socialekonomik dhe shpirtëror është bërë i padurueshëm, tejet sfidues për disa njerëz që janë “të dobët”, me mangësi kulturore, profesionale dhe sociale. Ata kanë vështirësi për t’u orientuar me kërkesat imperative të tregut të punës, me parametrat e adoptimit shpirtëror të jetës moderne.
3. Individi, varfëria dhe aftësia e kufizuar
Nga përvoja e gjerë e studimit të problemeve që preokupojnë shoqërinë tonë, duket se krahas shkaqeve objektive që kanë ndikim në varfërinë ekonomike, përjashtimin dhe segmentimin social, në realitetin tonë, sipas mendimit tonë, po shtohen shkaqet e jashtme që në mënyrë paradoksale po ndikojnë dukshëm te shumë njerëz, që veç problemeve që vijnë nga jashtë, nga realiteti social, krijojnë probleme subjektive me jetën e tyre, që për shkak të perceptimit të deformuar i japin shkelmin asaj. Varfëria, margjinaliteti, vulnerabiliteti, asocialiteti, frika, pesimizmi dhe shumë përjetime emocionale që ndiejnë një kategori njerëzish në realitetin tonë, nuk janë të lidhura gjithnjë në mënyrë automatike vetëm me vështirësitë objektive, përgjegjësinë e shtetit, me ndikimet e mekanizmit të ekonomisë së tregut, por me qëndrimet e tyre destruktive të disa njerëzve ndaj jetës personale. Në këtë kontekst, bëhet tejet i vështirë integrimi social i njerëzve që vetizolohen, që mbyten nga përtacia mendore dhe fizike, që bëjnë divorc dhe shkatërrojnë familjen, braktisin fëmijët, të cilët për shkak të atësisë apo mëmësisë së “gabuar”, që nuk kontrollojnë instinktet dhe bien në grackat e kriminalitetit, që me sjelljen e tyre bëhen shkak të shtohen të moshuarit që për mungesë kujdesi nga familja, nga bijtë e tyre plëngprishës, mbeten të braktisur, të çoroditur, të dëshpëruar dhe të dëshiruar për të kaluar pleqëri normale, një fund jete me dinjitet personal dhe social.
Në realitetin tonë po shtohen njerëzit që mbeten të paintegruar për shkaqe subjektive të deformimit të jetës personale. Këtu ka ndikim shtimi i njerëzve që bëjnë jetë vanitoze, që e marrin atë lehtë, që nuk bëjnë sforcimin e duhur për të plotësuar imperativat e saj, si mundësia e vetme për të qenë të aftë për t’u përshtatur me kërkesat e rrepta të jetës. Duke u sjellë në këtë mënyrë, natyrisht që një pjesë e tyre pësojnë disfatë në përplasjen me rregullat kaotike të ekonomisë së tregut, mbeten pa punë apo që sigurojnë jetën me një ndihmë ekonomike modeste. Është tepër shqetësues fakti që po shtohen njerëzit, veçanërisht të rinjtë, të cilët janë të dhënë pas një jete që është e varur nga substancat psikotrope, si droga dhe alkooli. Shumë të rinj shfaqin prirje të dukshme asociale, vështirësi për të parë jetën me optimizëm. Ata shfaqen pesimistë, të dëshpëruar, me energji negative, të shteruar nga besimi se jeta e vlen të jetohet kur përpiqesh për të. Nuk janë të pakta rastet e të rinjve që, të rënë në dëshpërim nga jeta boshe e paprogramuar, bëjnë veprime ekstremisht destruktive ndaj vetes apo të tjerëve, që bëjnë vrasje apo vetëvrasje, duke destruktuar gjënë më të shenjtë dhe më të shtrenjtë, siç është jeta e njeriut.
Ky realitet i njerëzve me vështirësi integrimi dhe adoptimi social tashmë duhet konsideruar me kujdes nga shoqëria jonë, sepse ata nuk janë disa njerëz të shkëputur, por janë grupe sociale, moshore që kërkojnë trajtim, kujdes e mbi të gjitha nxitje dhe orientim për të gjetur rrugën e orientimit social, për të dalë nga gropat dhe enklavat e rrezikshme të jetës boshe. Shoqëria jonë nuk mund të jetë indiferente me ta. Kujdesi për ta nuk është vetëm humanizëm social. Ajo është më shumë se kaq: është detyrë sociale për të rregulluar mekanizmin, që njerëz të tillë të integrohen sa më shpejt në shoqëri. Nuk ka të ardhme të mirë shoqëria jonë, nëse do të vazhdojnë të shtohen me këtë rritëm njerëzit e margjinalizuar, të rinjtë viktima të drogës dhe alkoolit, nëse shtohen fëmijët e braktisur si rezultat i shpërthimit të divorceve, nëse rritet numri i të moshuarve të braktisur, viktimave të trafikut dhe prostitucionit.
Në politikat sociale skemat e mbrojtjes së njerëzve në nevojë kanë peshë të madhe. Ato zënë pjesën kryesore të kujdesit, të fondeve sociale që shpenzohen për familjet e varfra dhe personat me aftësi të kufizuara. Në të vërtetë deri tani në trajtimin teorik dhe social këto dy grupe: të varfrit dhe personat me aftësi të kufizuar, janë numerikisht të ndjeshme për shtetin, shoqërinë dhe buxhetin social, janë parë si entitete më vete, si grupe sociale të targetuara nga pikëpamja e përcaktimit terminologjik, definicionit social dhe trajtimit financiar. Mirëpo mendoj se ka ardhur koha të rishikojmë optikën e shikimit të ndarë të këtyre dy grupeve në nevojë. Personalisht mendoj se një shikim i integruar i varfërisë dhe aftësisë së kufizuar, i ndikimeve dhe lidhjes reciproke midis tyre do të ishte një ndihmë në zbutjen e pasojave komplementare. Të kuptohemi, nuk është fjala për të kuptuar në mënyrë metafizike lidhjen midis varfërisë dhe aftësisë së kufizuar. As në mënyrë deterministe, duke i lidhur mekanikisht efektet sociale të varfërisë me aftësinë e kufizuar dhe anasjelltas.
Nëse për varfërinë ka një koncept më të qartë, duke e lidhur atë përgjithësisht më një situatë të mungesës së të ardhurave, apo të faktit se ato mund të jenë të pamjaftueshme, nën minimumin jetik apo vijën zyrtare të varfërisë, për aftësinë e kufizuar ka një perceptim të ngushtë të lidhur me elementet e munguara të zhvillimit fizik, mental, emocional apo psikologjik, që e bën njeriun me aftësi të kufizuara, me mungesa të dukshme në përpjekjen personale për adoptim social. Nëse do të shikojmë më vëmendje strukturën dhe lidhjen e këtyre dy grupeve sociale, pra të varfrit dhe personat me aftësi të kufizuara, nëse do të analizojmë jo en bloc, por një nga një shkaqet e varfërisë apo të aftësisë së kufizuar, do të zbulojmë se një pjesë e kësaj situate personale tregon se ka një lidhje bivalente midis varfërisë që vjen nga aftësia e kufizuar, një aftësi sociale e kufizuar që vjen për shkak të adoptimit të njeriut me “kulturën e varfërisë”, e cila të mpin trupin, mendjen, shpirtin, duke të bërë të paaftë të orientohesh në tregun e hapur të punës.
Nëse do të synojmë që të mundësojmë veprimin social kompakt të shtetit dhe shoqërisë, me siguri që në të ardhmen do të kemi më shumë rezultate konkrete. Është e rëndësishme në këtë ditë të luftës kundër varfërisë të shëndoshim konceptin social dhe mekanizmin multidimensional të zbutjes së varfërisë, aftësisë së kufizuar dhe përjashtimit social…
Anonymous
Vizitor
Vizitor


Mbrapsht në krye Shko poshtë

Kush i mbron të varfrit në shoqëri? Empty Re: Kush i mbron të varfrit në shoqëri?

Mesazh nga Arla Mon 8 Nov 2010 - 1:06

Apsolutisht askush dhe te ndodhur ne keto rrethana duke ju pershtatur ambjentit ata jetojne me ligjin e rruges.Rebelimi dhe qetesia jane dy faktore qe nderthuren tek ata sipas gjendjes shpirterore.Te ndodhur mes rrezikut dhe mjerimit forcohon ne karakter dhe dine te jene me te forte ne perballje me boten, por serisht fatkeq dhe te pashprese mbesin.
Arla
Arla
Hapësira Jonë - Forum
Hapësira Jonë - Forum

<b>Postime</b> Postime : 2501
 <b>Piket</b> Piket : 2696
Regjistruar : 06/01/2010

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Kush i mbron të varfrit në shoqëri? Empty Re: Kush i mbron të varfrit në shoqëri?

Mesazh nga Niku Thu 11 Nov 2010 - 6:25

askush esht per te ardhur keq personalisht skam nanje te varfer ne shoqeri po tani keto gjera jan ndare i pasuri rri me te pasurin i varferi me te varferin po me vjen keq se dhe ata njerz si ne jan si puna jone dhe me habit fakti pse nuk shkojn dhe punojne po rrin rrugeve un tek puna im e kam nje cune qe e kam punesu ne ndermarjen time dhe ai esht shum i varfer vjen ne kemb qe nga fundi tiranes dhe un cdo her ja jap leket
Niku
Niku
Hapësira Jonë - Forum
Hapësira Jonë - Forum

<b>Postime</b> Postime : 945
 <b>Piket</b> Piket : 995
Regjistruar : 30/01/2010
 <b>Mosha</b> Mosha : 39
 <b>Vendbanimi</b> Vendbanimi : tirane

http://www.hapesirajone.com

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Kush i mbron të varfrit në shoqëri? Empty Re: Kush i mbron të varfrit në shoqëri?

Mesazh nga Sponsored content


Sponsored content


Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye


 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi