Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Gramatika e Gjuhes Shqipe

Shko poshtë

Gramatika e Gjuhes Shqipe Empty Gramatika e Gjuhes Shqipe

Mesazh nga engjell a djall Fri 1 May 2009 - 11:53

EMRI, Gjinia e Emrave

  1. Gjinia e emrave në shumicën e rasteve mund të dallohet morfologjikisht nga mbaresat që marrin ata në trajtën e shquar të rasës emërore të njëjësit:
    Emrat mashkullorë marrin mbaresën -i ose -u: plep-i, mendim-i, vëlla-i, burr-i (burrë), gjum-i (gjumë),
    zog-u, dhè-u etj.;

    Emrat femërorë marrin mbaresën -a ose -ja (këtu është fjala për në radhë të parë për emrat e përgjithshëm).

    Gjinia gramatikore e emrave të përveçëm të njerëzve përcaktohen nga seksi i personit përkatës, p.sh. Lekë-Leka, Dedë-Deda, Kolë-Kola, Koço-Koçoja janë emra mashkullorë, megjithëse shkojnë sipas lakimit të emrave femërorë, nga ana tjetër, emra si Nermin-i, Antigoni etj., janë emra femërorë, megjithëse shkojnë pas lakimit të emrave mashkullorë.
    Po kështu disa emra si axhë-axha, dajë-daja, gegë-gega, toskë-toska, që shënojnë frymorë të seksit mashkullor, megjithëse shkojnë pas lakimit të emrave femërorë, i përkasin gjinisë mashkullore, janë emra mashkullorë të lakimit të tretë).

    Gjinia gramatikore e emrave të mësipërm, të përveçëm e të përgjithshëm, shprehet sintaktikisht:
    Fjalët përcaktuese edhe fjalët e tjera që përshtaten me këta emra, vihen në trajtën e gjinisë mashkullore p.sh.: Leka i Madh; Kola është punëtor i dalluar; Nermini është punëtore e dalluar; axha im; daja i vogël etj.
  2. Ka një numër emrash, të cilët dikur përdoreshin në tërë gjuhën si asnjëanës dhe e formonin trajtën e shquar të emërores me mbaresën -t, p.sh,: drithë-t, gjalpë-t etj. Kjo formë dëgjohet ende sot nëpër dialektet e në të folurit të brezit të vjetër. Në gjuhën letrare të sotme këta emra përdoren si mashkullorë, d.m.th. e formojnë trajtën e shquar të emërores së njëjësit me mbaresën -j dhe formojnë trajtën e shquar të emërores me mbaresën -in.

Emrat në fjalë janë:
ballë - balli - ballin
brumë - brumi - brumin
djathë - djathi - djathin
drithë - drithi - drithin
dyllë - dylli - dyllin
dhallë - dhalli - dhallin
dhjamë - dhjami - dhjamin
grurë - gruri - grurin
gjalpë - gjalpi - gjalpin
lesh - leshi - leshin
miell - mielli - miellin
mish - mishi - mishin
mjaltë - mjalti - mjaltin
ujë - uji - ujin
vaj - vaji - vajin
Ttrajtat asnjëanëse të këtyre emrave mund të përdoren në vepra letrare për të individualizuar ndonjë personazh me anë të gjuhës ose për të karakterizuar gjuhën e një epoke të kaluar. Ato mund të përdoren gjithashtu edhe në shprehje frazeologjike, p.sh.: m'u ngjeth mishtë, ose kur kanë marrë një kuptim të veçantë, p.sh.: ujët (në kuptimin "ujët e hollë„ ), dhjamët (në mjeksi, p.sh.: operoi dhjamët).

Emri krye, kur përdoret me kuptimin "kokë", në rasën emërore ose kallzore, është kurdoherë asnjëanës dhe formon trajtën e shquar me mbaresën -t, p.sh.: më dhemb kryet, ndërsa, kur përdoret me kuptimin "kryetar, i parë„ ose "kapitull" (libri) është kurdoherë mashkullor dhe e formon trajtën e shquar me mbaresën -u, p.sh.: kreu i vendit, kreu i tretë e
Një numër emrash, të cilët janë përdorur më parë edhe si mashkullorë, edhe si femërorë ose përdoren ende keshtu nëpër të folme të ndryshme, kanë kaluar sot përfundimisht në gjininë mashkullore, p.sh.:
borxh-i, djep-i, kryq-i, ligj-i, lot-i, nder-i (për këtë arsye duhet thënë faleminderit, falemnderit dhe jo faleminderës, falemnderës), pyll-i, qiell-i, shëndet-i, turp-i etj.;
Po kështu edhe: problem-i, program-i, komunizm-i, marksizm-i, organizm-i, reumatizm-i, sarkazm-i, etj.

Trajtat femërore të tyre, si borxha, djepja, ligja, lodja, ndera, problema, komunizma, reumatizma, sarkazma etj, kanë dalë jashtë normës së sotme letrare dhe nuk duhen përdorur. Emri "furrë" është i gjinisë femërore: furra (dhe jo furri).
engjell a djall
engjell a djall
Hapësira Jonë - Forum
Hapësira Jonë - Forum

<b>Postime</b> Postime : 7372
 <b>Piket</b> Piket : 8226
Regjistruar : 25/04/2009

https://hapesira.albanianforum.net/shkrimtare-shqiptare-f48/poezi

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Gramatika e Gjuhes Shqipe Empty Re: Gramatika e Gjuhes Shqipe

Mesazh nga engjell a djall Fri 1 May 2009 - 11:54

MBIEMRI

Mbiemra quhen fjalët që shënojnë se çfarë lloji është ose çfarë vetie ka emri (qen i zi, qen i vogël, ushtria shqiptare, qeveria italiane). Mbiemri përshtatet në numër, gjini dhe rasë me emrin me të cilin lidhet:


- përshtatje në gjini :
mjeku i ri
mjekja e re
- përshtatje në numër :
mjekët e rinj
mjeket e reja
- përshtatje në rasë :
mjeku i ri
i mjekut të ri
mjekun e ri
mjekja e re
e mjekes së re
mjeken e re
Mbiemrat e shqipes ndahen në dy grupe: mbiemra të nyjshëm dhe mbiemra të panyjshëm.

Mbiemra të nyjshëm janë:

- ata që mbarojnë me -ë : i bardhë, i mirë, i gjatë;
- ata të formuar me prapashtesat -(ë)m, -shëm, -(ët): i mesëm, i shëndetshëm, i hekurt, i ftohtë etj.;
- mbiemrat e formuar nga pjesorja: i shkruar, i zënë, i lodhur;
- disa mbiemra që dalin me -ër : i vjetër, i varfër, i verbër, i shurdhër,

Mbiemra të panyjshëm janë :

- mbiemrat e formuara nga emrat përgjegjës me konversion: tiranas, shkodran, korçar, vlonjat;
- mbiemrat e formuar me prapashtesat -ar, -tar, -ik, -ist, -iv, -or, -tor: bankar, amtar, heroik, feminist, aktiv, verior, baritor;
- mbiemrat e formuar me prapashtesat -(ë)s, -ues, -yes, nga pjesorja ose e tashmja e foljes: djegës, ngjitës, vlerësues, ushqyes, rrëmbyes;
- të gjithë mbiemrat e përbërë: zemërgjerë, zemërgur, tekniko-shkencor, ekonomiko-shoqëror, largpamës, mirëbërës etj.
engjell a djall
engjell a djall
Hapësira Jonë - Forum
Hapësira Jonë - Forum

<b>Postime</b> Postime : 7372
 <b>Piket</b> Piket : 8226
Regjistruar : 25/04/2009

https://hapesira.albanianforum.net/shkrimtare-shqiptare-f48/poezi

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Gramatika e Gjuhes Shqipe Empty Re: Gramatika e Gjuhes Shqipe

Mesazh nga engjell a djall Fri 1 May 2009 - 11:54

NUMËRORI

Numërorë quajmë fjalët që tregojnë numër dhe sasi të caktuar qeniesh ose sendesh:

një, dy, tre, : dy fëmijë tri gra, katër burra, 20 metra

Fjalët që tregojnë radhë si: i parë, i dytë, i dhjetë, të cilat kanë kategoritë gramatikore të mbiemrave, nuk do të trajtohen si numërorë po si mbiemra.
Numërorët përdoren për të treguar :
- datën, vitin:
Me sa jemi sot ? - Me 28 Nëntor.
- një periudhë të caktuar kohe:-
Kur ke qënë në Amerikë ? Nga 1990 deri më 1997 .
- përmasa ose përqindje : 0,5 m, 50 përqind etj.
- notat në shkollë :
Cfarë more sot ? - Dhjetë.
-në domino: katër-treshi, pesë-gjashta.
Kur përdoret me nyjen e përparme "të" numërori ka një kuptim përmbledhës:
Erdhën të dhjetat.
Numërori për të mos përsëritur edhe një herë emrin e dhënë në fjali ose për të mos e zënë në gojë fare, përdoret i emërzuar:
C'të bënin ata tre kundër dhjetëve ?
Numërtori përdoret i emërzuar edhe në veprime atematike:
Pesa te dhjeta hyn dy herë.
Rrënja katrore e nëntës është treshi.
Përdoret në ëmërtimin e viteve:
A anëtar shoqate i nëntëdhjetekatërshit.
Numrat një, dy, tre, emërzohen me anë të prapashtesës -sh : njësh-i, dysh-i, tresh-i.
Numërorët janë :
- fjalë të parme: zero, një, dy, tre, katër etj.;
- fjalë të përngjitura: njëmbëdhjetë, dymbëdhjetë, trembëdhjetë etj.;
- fjalë të përbëra: tridhjetë, pesëdhjetë, gjashtëdhjetë;
- lokucione: tridhjetë e një, pesëdhjetë e katër etj.
Numërorët në përgjithësi nuk e kanë kategorinë gramatikore të gjinisë: katër djem, katër vajza.
Bën përjashtim numërori tre i cili e ka kategorinë e gjinisë: tre djem, tri vajza, por edhe njëzet e tre djem dhe njëzet e tri vajza.
Numërori e ka kategorinë e gjinisë edhe kur ka kuptim përmbledhës:
Sa djem erdhën ? Të dy(të tre).
Sa vajza erdhën ? Të dyja(të trija).
Ky dallim ruhet edhe kur numërori tre/tri përdoret pa emrin përkatës:
Sa djem ishin ? Tre.
Po vajza sa ishin ? Tri.
Numërorët kur tregohen si tregues të emrave, marrin kategorinë gramatikore të rasës:
engjell a djall
engjell a djall
Hapësira Jonë - Forum
Hapësira Jonë - Forum

<b>Postime</b> Postime : 7372
 <b>Piket</b> Piket : 8226
Regjistruar : 25/04/2009

https://hapesira.albanianforum.net/shkrimtare-shqiptare-f48/poezi

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Gramatika e Gjuhes Shqipe Empty Re: Gramatika e Gjuhes Shqipe

Mesazh nga engjell a djall Fri 1 May 2009 - 11:54

PËREMRI

Përemra quhen fjalët që përdorim në ligjërim në vend të emrave ose mbiemrave:
Në strehën e shtëpisë dallëndyshet vit për vit bëjnë folenë.
Ato fluturojnë me shpejtësi para shtëpisë.
Vjollca i do shumë dallëndyshet.
Ajo kënaqet kur i shikon ato duke fluturuar.

Përemrat janë shtatë llojesh :
- vetorë: unë, ti, ai, ajo, ne, ju, ata, ato;

- vetvetorë: vetja, vetvehtja;

- dëftorë: ky, kjo, këta, këto, i këtillë, e këtillë, të këtilla, i tillë, e tillë, të tillë, të tilla; ai, ajo, ata, ato, i atillë, e atillë të atillë, të atilla;

- pronorë: Veta I. im, ime, ynë, jonë, e mi, e mia, tanë, tona,
Veta II. yt, jote, juaj, juaj, e tu, e tua, tuaj, tuaja
Veta III. i tij, e tij, i saj, e saj, e tij, e tija, e saj, e saja, i tyre, e tyre, e tyre, e tyre;

- lidhorë: që, i cili, e cila, të cilët, të cilat, çka, ç, çfarë, kush, sa,

- pyetës: kush, cili, cila, cilët, cilat, ç, çfarë, sa, i sati, (me, për, nga) se;

- të pacaktuar: dikush, ndokush, gjithkush, kushdo, askush, kurkush; një, ndonjë, njëri, ndonjëri, asnjë, asnjëri; secili, gjithsecili, cilido, çfarëdo, gjithçka, diçka, ca, disa, të gjithë etj.
engjell a djall
engjell a djall
Hapësira Jonë - Forum
Hapësira Jonë - Forum

<b>Postime</b> Postime : 7372
 <b>Piket</b> Piket : 8226
Regjistruar : 25/04/2009

https://hapesira.albanianforum.net/shkrimtare-shqiptare-f48/poezi

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Gramatika e Gjuhes Shqipe Empty Re: Gramatika e Gjuhes Shqipe

Mesazh nga engjell a djall Fri 1 May 2009 - 11:55

Foljet

Folje quhen fjalët që tregojnë se subjekti vepron ose pëson diçka ose ndodhet në një gjendje të caktuar.

Kur themi motra, macja, e kuptojmë se është fjala për njerëz, kafshë dhe sende, po nuk dimë se çfarë bëjnë ose çfarë ndodh me ta. Por kur themi motra punon, mollët u poqën, macja fle atëherë prej fjalës punon mësojmë se motra po kryen një veprim (punon), prej fjalës u poqën mësojmë se mollët pësuan diçka (u poqën), prej fjalës fle mësojmë se macja ndodhet në një gjendje të caktuar (fle).
Fjalët punon, u poqën, fle janë folje.

FOLJET KALIMTARE DHE JOKALIMTARE


Kalimtare quhen foljet veprimi i të cilave i kalon një personi ose sendi tjetër, d.m.th. që pranojnë një kundrinor:
Beni çdo ditë lexon gazetën.
Foljet që pranojnë një kundrinor të drejtë janë folje kalimtare të drejta:
Blerta çdo ditë vadit lulet.
Foljet që mund të marrin kundrinor të zhdrejtë pa parafjalë janë kalimtare të zhdrejta:
Iliri i hipi kalit.
Ndodh që një folje të marrë njëkohësisht një kundrinor të drejtë dhe një kundrinor të zhdrejtë pa parafjalë, pra të jëtë njëkohësisht folje kalimtare e drejtë dhe e zhdrejtë
Ia dhashë librin Zanës.
Ia afrova Zanës tufën e luleve.

Folje jokalimtare janë ato që nuk pranojnë kundrinor: fle, eci, rri, qëndroj, dal etj.:
Agroni ecte i shqetësuar.
Dje fjeta gjithë ditën.

Disa folje përdoren herë si kalimtare, herë si jokalimtare. për të gjetur se cilit grup i përkasin duhet parë se në ç'kuptim janë përdorur.



FORMAT VEPRORE DHE JOVEPRORE

Foljet kalimtare të drejta kanë dy forma , formën veprore dhe formën joveprore :
Forma veprore: laj, fshij, thaj
Forma joveprore: lahem, fshihem, thahem
Veprore ( laj, fshij, thaj ) janë foljet që tregojnë se subjekti vepron ( laj fytyrën, fshij dhomën, thaj rrobat )
kurse joveprore foljet që tregojnë se subjekti pëson, d.m.th. i nënshtrohet veprimit të një tjetri (lahem nga dikush) ose tregon se subjekti vepron dhe veprimi i tij kthehet po tek ai ( lahem = laj vetveten ).


Kohët e Foljes

Kohët themelore të foljes janë e tashmja, e shkuara, e ardhmja.
E tashmja tregon diçka që bëhet tani.
Fryn erë dhe bie shi.
E shkuara ka pesë nëndarje: e pakryera, e kryera e thjeshtë dhe e kryera që shprehin veprime të kryera para çastit kur flasim dhe më se e kryera dhe e kryera e tejshkuar që shprehin veprime para një çasti të caktuar të së shkuarës:
Frynte erë dhe binte shi.
Kishte fryrë erë dhe kishte rënë shi.
E ardhmja ka dy kohë të ardhmen
dhe të ardhmen e përparme.
E ardhmja shpreh një veprim që pritet të kryhet pas çastit kur flasim ose që do të kryhet në të ardhmen:
Do të bjerë shi.
E ardhmja e përparme shpreh një veprim që pritet të kryhet para një veprimi tjetër në të ardhmen:
Kur do të ktheheni ju, unë do t'i kem mbaruar detyrat.
Përveç përdorimeve themelore kohët kanë edhe përdorime të tjera më të veçanta.
Kohët e foljeve janë: të thjeshta dhe të përbëra.

Të thjeshta janë e tashmja, e pakryera, e kryera e thjeshtë dhe e ardhmja.

Ato formohen kryesisht me mbaresa që i shtohen foljes: mëso-j, mëso-n, mëso-j-a, mëso-je, mëso-v-a, mëso-v-e

Kohët e përbëra janë:
e kryera ( kam mësuar ),
më se e kryera ( kisha mësuar ),
e kryera e tejshkuar ( pata mësuar ),
e ardhmja e përparme ( do të kem mësuar ).
Këto formohen me ndihmën e foljeve ndihmëse.

Mënyrat e Foljes
Kuptimi i asaj që shprehet nga folja mund të paraqitet prej folësit në mënyra të ndryshme:
- si diçka e realizuar : Ne punuam.
- si diçka e dëshirueshme, e pritshme: Të punojmë apo të mos punojmë.
- si urdhër: Punoni!
- si habi: Punuakan!
Trajtat e ndryshme që merr folja për të shprehur pikërisht këta kuptime quhen mënyra. Në gjuhën shqipe folja ka gjashtë mënyra:
dëftore, lidhore, kushtore, habitore, dëshirore, urdhërore.
Mënyra dëftore e paraqet kuptimin e shprehur prej foljes si diçka të vërtetë ose reale, qoftë ky pohim, mohim ose pyetje:
Iliri po mëson.
Iliri nuk po mëson.
A po mëson Iliri ?
Mënyra lidhore paraqet kuptimin e shprehur prej foljes si diçkaqë dëshirojmë ose presim të ndodhë
Po të punosh do të fitosh.
Mënyra kushtore e paraqet kuptimin e shprehur të foljes si diçka të mundshme që varet (kushtëzohet) nga një veprim tjetër:
Po të punoje më shumë, do ta mësoje më mirë kompjuterin.
Mënyra habitore paraqet kuptimin e shprehur prej foljes si diçka të papritur që shkakton habi:
Sa qënka rritur !
Ju mësokeni shumë !
Mënyra dëshirore paraqet kuptimin e shprehur prej foljes në formë urimi ose mallkimi:
Shkofsh e ardhsh shëndosh !
U bëfsh njëqind vjeç !
Të raftë pika !
Mënyra urdhërore paraqet kuptimin e shprehur prej foljes në formë urdhëri, kërkesë, këshillë:
Punoni më mirë.
Mësoni më shumë.
Dëftorja, lidhorja, kushtorja, habitorja, dëshirorja dhe urdhërorja kanë forma të veçanta për kohë dhe për veta të ndryshme të çdo numri.

Veç këtyre mënyrave ka edhe forma foljore të pashtjelluara të cilat nuk kanë as kohë as vetë as numër.
Format e pashtjelluara të foljeve janë: pjesorja, paskajorja, përcjellorja dhe mohorja:
- pjesorja: punuar, mësuar, blerë, gjetur, tharë etj.;
Foljet kanë edhe një pjesore të shkurtuar e cila gjendet duke i hequr pjesores prapashtesën -r, -rë, -ur, -ë,: punua(r) - punua, bler(ë)- ble(rë), gjet(ur) - gjet
thën(ë) - thën.
- paskajorja: për të punuar, për të mësuar, për të marrë etj.;
- përcjellorja: duke punuar, duke mësuar, duke marrë etj.;
- mohorja: pa punuar, pa mësuar, pa mësuar, pa marrë etj.;
Në këto trajta, ajo që shprehet nga folja nuk mund të paraqitet prej folësit në mënyra të ndryshme, prandaj ato nuk merren si mënyra.

Veta dhe Numri i Foljes
Vetë e foljes quhet forma foljore që tregon se kush e kryen veprimin
(unë, ne, ti, ju, ai, ajo, ata, ato):

Veta I njëjës: unë punoj
Veta II njëjës ti punon
Veta III njëjës ai punon
Veta I shumës: ne punojmë
Veta II shumës: ju punoni
Veta III shumës: ato punojnë

Numër i foljes quhet forma foljore që tregon se veprimi kryhet nga një ose më shumë qënie apo sende. Folja ka dy numra, njëjësin dhe shumësin:
Unë punoj (Veta I njëjës)
Ne punojmë (Veta I shumës)
engjell a djall
engjell a djall
Hapësira Jonë - Forum
Hapësira Jonë - Forum

<b>Postime</b> Postime : 7372
 <b>Piket</b> Piket : 8226
Regjistruar : 25/04/2009

https://hapesira.albanianforum.net/shkrimtare-shqiptare-f48/poezi

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Gramatika e Gjuhes Shqipe Empty Re: Gramatika e Gjuhes Shqipe

Mesazh nga engjell a djall Fri 1 May 2009 - 11:55

NDAJFOLJA

Ndajfolje quhen fjalët e pandryshueshme që plotësojnë para së gjithash foljen, duke treguar mënyrë, vend, kohë, shak, qëllim, sasi:
Blendi shkruan bukur, qartë dhe saktë.
Ndajfoljet mund të plotësojnë edhe një mbiemër ose ndajfolje tjetër:
Detyra ishte tepër e vështirë.
Ata u ngritën shumë herët atë ditë.
Por nga kuptimi ndajfoljet janë gjashtë llojesh:
mënyre, vendi, kohe, shkaku, qëllimi, sasie.

NDAJFOLJET E MËNYRËS

Ndajfoljet e mënyrës luajnë rolin e grupeve parafjalore rrethanor mënyre:
Vjollca e Dritani silleshin natyrshëm (=në mënyrë të natyrshme) me të gjithë.
Ndajfoljet kryesore të mënyrës janë:
- mirë, keq, bukur, pastër, qartë, shkurt, thjesht, që tregojnë cilësinë e veprimit. Të tilla janë edhe ndajfoljet gëzueshëm, natyrshëm, furishëm, etj.;
Vjollca flet bukur frëngjisht.

- menjëherë, pak nga pak, vazhdimisht, shpesh, papritur, etj. Që tregojnë ecurinë e veprimit:
Dritani u ngrit papritur.

- cekët, gjerë, gjtë, thellë, ulët që tregojnë përmasa:
Toka duhet punuar thellë.

- bujarisht, trimërisht, artistikisht, besnikërisht, teorikisht, që kanë kuptimin e togut në mënyrë + mbiemër: bujarisht (në mënyrë bujare), po edhe shqip, frëngjisht, anglisht:
Në Shqipëri më pritën dhe më përcollën bujarisht (në mënyrë bujare).

NDAJFOLJET E VENDIT

Ndajfoljet e vendit luajnë rolin e grupeve parafjalorë plotës vendi.
Ndajfoljet kryesore të vendit janë:
- afër, larg, pranë, rreth, djathtas, majtas, aty, atje, diku, gjëkund, gjithkund, anembanë, gjithandej, kudo, ngado, asgjëkund, kurrkund, etj, që tregojnë vendin ku kryhet veprimi:
Makina u kthye djathtas (në anën e djathtë).

- ku, nga:
Ku po shkon ?
Nga je edhe pse ke ardhur ?
Në të vërtetë ku dhe nga janë ndajfolje pyetëse, po merren edhe si ndajfolje vendi:

NDAJFOLJET E KOHËS

Ndajfoljet e kohës luajnë rolin e grupeve parafjalore rrethanor kohe.
Ndajfoljet kryesore të kohës janë :
- dje, pardje, nesër, pasnesër, paradite, pasdite, sot, sonte, tani, vjet, që tregojnë kohën e saktë të kryerjes së veprimit:
Erdha sot (=ditën e sotme) nga Tirana dhe do të nisem nesër (ditën e nesërme).

- njëherë, një herë e një kohë, gjithmonë, kurdo, së shpejti, së lashti, që tregojnë një kohë të papërcaktuar:
Së shpejti do të organizohet në Tiranë një konferencë për gjuhën shqipe.

NDAJFOLJET E SHKAKUT

Ndajfoljet e shkakut luajnë rolin e një grupi parafjalor rrethanor shkaku.
Ndajfoljet e shkakut janë: përse, pse të cilat përdoren për të pyetur për shkakun e kryerjes së një veprimi:
Pse (për çfarë arsyeje) nuk punon edhe ti si të tjerët?
Përse (për çfarë qëllimi) më kërkon?
Këtu mund të fshihen edhe fjalët prandaj, andaj, (=për këtë shkak, për këtë arsye, për këtë qëllim) të cilat funksionojnë edhe si lidhëza.

NDAJFOLJET E SASISË

Ndajfoljet e sasisë luajnë rolin e grupeve emërore rrethanor sasie.
Ndajfoljet kryesore të sasisë janë:
- shumë, pak, tepër, fort, së tepërmi, për së tepërmi, njëherë, dyherë, etj, që tregojnë në ç`masë realizohet veprimi:
E njoh mirë Butrintin, se e kam vizituar tri herë.
Gjeta një libër shumë të vjetër, të ruajtur shumë mirë.

- fort, tepër, së tepërmi, njëfish, dyfish, trefish, aq, kaq, mjaft, pak, etj. që shprehin intensitetin ose shkallën e një veprimi a të një cilësie.
Dëgjomë, mua plakun, se di më tepër se ti.

SHKALLËT E NDAJFOLJEVE

Ndajfoljet përdoren në shkallën pohore, krahasore dhe sipërore, kryesisht ndajfoljet e mënyrës: mirë, bukur, qartë, si edhe disa ndajfolje vendi e kohe: lart, poshtë, afër, larg, vonë, herët, etj.
Shkalla krahasore dhe shkalla sipërore e ndajfoljeve formohen me po ato fjalë me të cilat formohen shkalla krahasore e shkalla sipërore e mbiemrave.
- Shkalla pohore
Miri ecën shpejt

- Shkalla Krahasore
e barazisë : Mirri ecën aq shpejt sa Genti.
e sipërisë : Miri ecën më shpejt se Genti.
e ultësisë : Miri ecën jo aq shpejt sa Genti.

- Shkalla sipërore
Miri ecën shumë shpejt.
engjell a djall
engjell a djall
Hapësira Jonë - Forum
Hapësira Jonë - Forum

<b>Postime</b> Postime : 7372
 <b>Piket</b> Piket : 8226
Regjistruar : 25/04/2009

https://hapesira.albanianforum.net/shkrimtare-shqiptare-f48/poezi

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Gramatika e Gjuhes Shqipe Empty Re: Gramatika e Gjuhes Shqipe

Mesazh nga engjell a djall Fri 1 May 2009 - 11:55

PARAFJALA

Parafjalë janë fjalët e pandryshueshme që qëndrojnë përpara emrave, përemrave, numërorëve dhe ndajfoljeve duke vendosur marrëdhënie vartësie ndërmjet fjalëve :
Punoj me lopatë.
E njoha nga zëri.
U rreshtuan për tre.
Ka ardhur një ftesë për ty.
Beni është i dashur me të gjithë.
E njohin për mirë.
Parafjalët, sipas strukturës morfologjike, janë të thjeshta, të përngjitura dhe shprehje :
- të thjeshta : me, në, nga, afër, brenda, larg, para etj.;
- të përngjitura : nëpër, përmbi, përveç, sipas, etj.;
- shprehje : ballë për ballë, rreth e qark, në kundërshtim me, në lidhje me etj.
Parafjalët sipas lidhjeve sintaksore klasifikohen në :
- parafjalë të rasës emërore: nga, te (tek):
Është nga Tirana.
U rrëzua nga lodhja.
Nga darka do të dukemi.
Është i madh nga trupi.
Shtëpitë u ndërtuan nga vetë banorët.
Në krye doli një nga ish të burgosurit.
Rrinte te pragu i derës dhe vështronte avionët që fluturonin.

- parafjalë të rasës gjinore : me anë, me anën, në sajë, në vend, për arsye, për shkak, etj.:
Me anë të një miku arrita ta kapërcej kufirin.
Ekonomia e vendit mbahet në sajë të kontributit që jep populli.
Ju kemi në vend të prindërve.
Shtëpia mbeti përgjysëm për shkak të largimit të vëllait.

- parafjalë të rasës kallëzore: në, me, pa, për, më, mbi, nën, ndër, etj.:
Erdhi vonë në shtëpi.
U takua me vëllain në Prishtinë.
Nuk rrihet pa punë.
Mira u nis dje për Bruksel.
Më 10 qershor kam ditëlindjen.
Mos u ul mbi divan.
U shkau dheu nën këmbë.
Parisi është një ndër qytetet më të bukura.

- parafjalë të rasës rrjedhore: prej, ndaj, për, etj.
Ishte prej Durrësi.
Ndaj tij u morën masa të rrepta.
E kapi për gryke.
engjell a djall
engjell a djall
Hapësira Jonë - Forum
Hapësira Jonë - Forum

<b>Postime</b> Postime : 7372
 <b>Piket</b> Piket : 8226
Regjistruar : 25/04/2009

https://hapesira.albanianforum.net/shkrimtare-shqiptare-f48/poezi

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Gramatika e Gjuhes Shqipe Empty Re: Gramatika e Gjuhes Shqipe

Mesazh nga engjell a djall Fri 1 May 2009 - 11:56

LIDHËZA

Lidhëzat janë fjalët e pandryshueshme që shërbejnë për të lidhur fjalë, grupe fjalësh ose fjali midis tyre:

Kur vdiq Skënderbeu, Sulltani tha: "Tani Evropa dhe Azia janë të mijat! Mjerë Evropa, se i humbi shpata dhe mburoja".
Sipas kuptimit që kanë, lidhëzat janë:

- shtuese: e, dhe, edhe, si edhe, as…as…, a, hem…hem…, si…si…, si… ashtu edhe, jo vetëm… por(edhe), jo vetëm që … por as, le që… por(edhe), jo që…po, jo që… po(r) edhe, jo veç (që)… por edhe, jo vetëm (që)… por, jo vetëm (që)… por as, jo vetëm (që)… por edhe, jo vetëm (që)… porse, le që… por as (që), le që… por edhe;

- kundërshtore: po, por, kurse, megjithatë, megjithkëtë, mirëpo, ndërsa, teksa, porse, veç, veçqë, veçse, vetëm, vetëm se etj.;

- veçuese: a, apo, ose, daç… daç, ja… ja, ndo… ndo, qoftë… qoftë, ose… ose, o… o;

- përmbyllëse: andaj, ndaj, pa, prandaj, domethënë, etj.

- ftilluese: se, që, në, nëse;

- vendore: ku, tek, nga, kudo, ngado, tekdo, deri ku, gjer ku, nga ku, që ku, kudo që, ngado që, kurdoherë që, para se, posa që, që kur, që se, qysh se, sapo që, sa herë (që), sa kohë (që), përpara se;

- shkakore: se, sepse, si, pasi (mbasi), derisa, gjersa, përderisa, kur, që, sapo, meqenëse, meqë, ngaqë, ngase, duke qenë se, nga frika se, nga shkaku që, për arsye se, për shkak se, posa që, sapo që, etj.

- qëllimore: që, me qëllim që, në mënyrë që, me të vetmin qëllim që;

- krahasore: sa, aq sa, se, sesa, se ç`, nga ç`, nga sa.

- mënyrore: si, siç, ashtu si(ç), po(r) si, sikurse, sikundërse, etj.;

- kushtore: në, po, nëse, kur, sikur, në qoftë se, në është se, në rast se, po qe se, me kusht që etj.;

- rrjedhimore: sa, saqë, që, aq sa, kështu që;

- lejore: megjithëse, megjithëqe, ndonëse, sado(që), sido(që), edhe në, edhe në qoftë se, edhe po, edhe pse, edhe sepse, edhe sikur.

Lidhëzat mund të grupohen në dy grupe të mëdha: lidhëza që bashkojnë dy gjymtyrë ose dy pjesë që kanë të njëjtën vlerë në fjali (lidhëza bashkërenditëse) dhe lidhëza që bashkojnë pjesë më vlera të ndryshme, njëra kryesore dhe tjetra e varur (lidhëza nënrenditëse).

Bashkërenditëse janë lidhëzat shtuese, veçuese, kundërshtore, përmbyllëse.

Nënrenditëse janë lidhëzat ftilluese, vendore, kohore, shkakore, qëllimore, krahasore, mënyrore, kushtore, rrjedhimore, lejore.
engjell a djall
engjell a djall
Hapësira Jonë - Forum
Hapësira Jonë - Forum

<b>Postime</b> Postime : 7372
 <b>Piket</b> Piket : 8226
Regjistruar : 25/04/2009

https://hapesira.albanianforum.net/shkrimtare-shqiptare-f48/poezi

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Gramatika e Gjuhes Shqipe Empty Re: Gramatika e Gjuhes Shqipe

Mesazh nga engjell a djall Fri 1 May 2009 - 11:56

PJESËZA
Pjesëzat janë fjalë që plotësojnë kuptimin e një fjalie. Pjesëzat, sipas kuptimit, mund të grupohen si vijon:

- dëftuese: ja:
Ja kush erdhi…

- përcaktuese - saktësuese: mu, pikërisht, tamam, porsa, sapo, deri etj.:
Pikërisht ai më ka paditur.
- përforcuese: vetëm, veç, bile, sidomos, veçanërisht, madje etj.;
Të gjithë flasin mirë frëngjisht, sidomos Mira.
- përafruese - veçuese ose kufizuese: vetëm, veç, veçanërisht:
Vetëm të rinjtë punonin.
- përafruese: afërsisht, afro, aty-aty, nja, gati, rreth, pothuaj etj:
Në stadium ishin rreth 10.000 vetë.
- pohuese: po, posi, po që po, po se po, si urdhëron etj:
A do të shkosh në Prishtinë? Posi.
- mohuese: jo, nuk, s', mos, jo që jo, as që etj.;
Nuk e kam takuar.
- pyetëse: a, ë, e:
A erdhi motra nga Vlora?
- dyshuese: ndoshta, mbase, kushedi, sikur, vallë, gjë etj.:
Përse erdhi vallë?
E keni takuar gjë Mirën?
- zbutëse: pa, as, le, para, dot etj.:
Pa shihni kush na ka ardhur.
A nuk e shihni se kush na ka ardhur.
- emocionale shprehëse: ç`, de, pa, pra, se, seç, etj.:
Ja pra kështu ndodhi.
E pse pa, për një fjalë goje u zumë.
Pjesëzat janë dy llojesh: me vend të ngulitur ose me vend të lirë.
Të parat qëndrojnë gjithmonë para apo pas fjalës ose grupit emëror a foljor të dhënë:
- para: nuk, ja, desh, sapo etj.;
- pas: de, dot etj.
Pjesëzat me vend të lirë mund të vendosen në fillim, në mes dhe në fund të fjalës:
Vallë, kush erdhi?
Kush erdhi vallë?
Kush të jetë, vallë, ky që erdhi?
engjell a djall
engjell a djall
Hapësira Jonë - Forum
Hapësira Jonë - Forum

<b>Postime</b> Postime : 7372
 <b>Piket</b> Piket : 8226
Regjistruar : 25/04/2009

https://hapesira.albanianforum.net/shkrimtare-shqiptare-f48/poezi

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Gramatika e Gjuhes Shqipe Empty Re: Gramatika e Gjuhes Shqipe

Mesazh nga engjell a djall Fri 1 May 2009 - 11:56

PASTHIRRMAT

Pasthirrmat janë tingujt ose fjalët e pandryshueshme që shërbejnë për të treguar ndjenjat e folësit ose përdoren për të tërhequr vemendjen e dëgjuesëve:

- O, sa mirë që erdhët! Ishim bërë merak për ju.
Ato janë karakteristike për gjuhën e filur dhe kuptimi i tyre shpesh qartësohet nga intonacioni.
Pasthirrmat grupohen në pasthirrma emocionale, që shprehin ndjenja, dhe në pasthirrma urdhërore, që shprehin dëshirën ose vullnetin e folësit.
Pasthirrma emicionale që shprehin:
- ndjenja të gëzuara: o, oh, oho, hoho, ohoho, të lumtë, urra, ah, sa mirë;
- frikë, tmerr: e zeza, ububu, bobo, korba, kuku, obobo, qyqja;

- habi: au, eu, oj, ou, pa, u, ua, uh;

- mosbesim, mospërfillje, përbuzje: aha, bah, ehe, ahu, i, ohu, ptu, y etj.;

- pakënaqësi, keqardhje, mërzi, dhembje: a, ah, e, eh, of, oi, uf, etj.;

- nxitje (thirrje, urdhër, lutje): ej (hej), o, ore (or, mor, more), moj (ori, mori), pëst, o burra, forca, hop, hë, na, sus, shët, të keqen etj.;

- përshëndetje, mirnjohje, mallkime, sharje, ngushëllime etj: faleminderit, lamtumirë, mirëmëngjes, mirëdita, mirëmbrëma, mirupafshim, mirë se erdhe, mirë se vjen, mirë mbeç, ditën e mirë, natën e mirë, tungjatjeta, udha e mbarë etj.
Pasthirrmat vendosen zakonisht në fillim të fjalisë, por shpesh përdoren edhe në mes edhe në fund të saj. Pas tyre vihet presje. Kur shqiptohet me fuqi të veçantë pas tyre vihet pikëçuditje:
Oh, ç'na gëzove.
Ua! Paske ardhur!
A! - thirri e habitur.
ONOMATOPETË
Janë fjalë që shërbejnë për të riprodhuar tingujt, zërat, zhurmat, britmat. Në dallim nga pasthirrmat ato nuk shërbejnë për të shprehur ndjenja:
Ha, ha, ha qeshte Linda.
Mjau, mjau bënte macja.
Ato mund të përfshihen edhe tek pasthirrmat, po gjithsesi dallohen prej tyre.
engjell a djall
engjell a djall
Hapësira Jonë - Forum
Hapësira Jonë - Forum

<b>Postime</b> Postime : 7372
 <b>Piket</b> Piket : 8226
Regjistruar : 25/04/2009

https://hapesira.albanianforum.net/shkrimtare-shqiptare-f48/poezi

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Gramatika e Gjuhes Shqipe Empty Re: Gramatika e Gjuhes Shqipe

Mesazh nga engjell a djall Fri 1 May 2009 - 12:07

Rregullat e drejteshkrimit

SHENJAT E PIKËSIMIT
Shenjat kryesore të pikësimit janë : pika(.), pikëpyetja(?), pikëçuditja(!), tri pikat(…), presja(,), pikëpresja(;), dy pikat(: ), thonjëzat(" „), viza lidhëse(-) .
Pika , pikëpyetja , pikëçuditësja , dhe tri pikat përdoren në fund të fjalisë për të shënuar pushimin që ndan dy fjali në gjuhën e folur .
Pika shënon intonacionin zbritës që shoqëron zakonisht fundin e fjalisë dëftore :
Gazmendi erdhi vonë në shtëpi (.)
Pikëpyetja shënon gafikisht intonacionin ngjitës që karakterizon pyetjen gjatë të folurit :
Nga na vjen o djalë (?)
Pikëçuditja shënon grafikisht intonacionin ngjitës dhe intensitetin e veçantë që karakterizon shprehjen e një emocioni ( një e papritur , kundërshtim , zemërim , gëzim ) :
Merre lahutën dhe na këndo një këngë trimash (!)
Tri pikat tregojnë që fjalia përmban një nëntext ose që mbetet e pambaruar :
Komandanti i urdhëroi ushtarët të dilnin roje se shejtani besë s'ka (…)
Presja , pikëpresja , kllapat përdoren brenda fjalisë .
Presja shënon grafikisht një pushim të shkurtër brenda fjalisë . Ajo shërben për të vënë në dukje :
- një fjalë a një grup fjalësh në rolin e një gjymtyre të veçuar :
Artani (,) djali më i madh(,) punonte në tregëti …
Një fjalë a një grup fjalësh në rolin e një gjymtyre homogjene :
Skënderbeu mishëronte vetitë më pozititve të popullit : urtësinë (,) mençurinë e trimërinë .
Fjalët e togjet e fjalëve të ndërmjetme :
Agimi (,) për çudi (,) nuk shkoi larg .
Pjesët e një fjalie të përbërë
Sançoja (,) pasi rregulloi kafshët (,) shkoi aty ku zienin ca copa mishi mbi zjarr .
Pikëpresja shënon grafikisht një pushim më të gjatë se presja . Ajo ndan në përgjithësi pjesë të ndryshme të pavarura të një fjalie të përbërë :
Ata që më donin , erdhën (;) ata që s'më donin , nuk erdhën .
Dy pikat shënojnë një pushim që zgjat pothuajse sa pikëpresja , por ndryshe prej saj dy pikat kanë një vlerë , lajmërojnë një shpjegim , një varg shembujsh etj .
Ishte paralizuar; nuk lëvizte dot asgjë (: )as duart, as këmbët. Disa pemë p.sh.(: )
portokallat, limonat , mandarinat i pjekin frutat në dimër .
Kllapat shënojnë një pushim të shkurtër si presja e shërbejnë për të dalluar , shquar dhe veçuar një grup fjalësh që shprehin një sqarim ose një mendim të ndërshtënë :
Te fusha e kuqe ---( ajo quhej keshtu , se në mes të saj një shkëmb i kuq )--- Dritën e priste Agimi .
Thojëzat dhe vizat .
Thonjëzat dhe viza shërbejnë për të rrethuar fjalët e një ose më shumë bashkëbiseduesve në një ligjëratë të drejtë .
(") Zemra e prindit nuk gënjehet aq kollaj(") , - tha plaku .
Thojëzat shërbejnë gjithashtu për të shënuar emertimet e rrugëve , institucioneve, titujt e librave , revistave , gazetave etj .:
Banon në rrugën (")Naim Frashëri(").
engjell a djall
engjell a djall
Hapësira Jonë - Forum
Hapësira Jonë - Forum

<b>Postime</b> Postime : 7372
 <b>Piket</b> Piket : 8226
Regjistruar : 25/04/2009

https://hapesira.albanianforum.net/shkrimtare-shqiptare-f48/poezi

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Gramatika e Gjuhes Shqipe Empty Re: Gramatika e Gjuhes Shqipe

Mesazh nga engjell a djall Fri 1 May 2009 - 12:07

Shkurtimet
Një numër fjalësh të gjata që përdoren shpesh, shkruhen të shkurtuara sipas një mënyre të caktuar. Këto fjalë quhen shkurtime. Shkurtimet më të përdorshme janë:
emrat e gjatë të shteteve, oganizatave, institucioneve, shoqatave etj. : --RSh-- (Republika e Shqipërisë), --PD-- (Partia Demokratike), --ATSh-- (Agjensia Telegrafike Shqiptare). Këto shkurtime shkruhen me shkronja të mëdha, pa vënë pikë, as ndërmjet, as pas tyre;
emrat e personaliteteve të njohura: N.Frashëri, A.Gj.Fishta, F.Konica etj. Në këto raste pas shkurtimeve vihet pikë;
Disa fjalë që përdoren shpesh: d.m.th. (domethënë), p.sh. (për shembull), etj. (e të tjerë), fq. (faqe), e.r. (era e re), shek. (shekulli), vëll. (vëllimi) etj. Në këtë rast pas çdo shkurtimi vihet pikë;
Njësitë që tregojnë masë: 10 cm, 30 m, 70 km, 2 m, 3 m, 20 gr, 40 kg, 56 kv, etj. Pas shkurtimit në këto raste nuk vihet pikë.

Fjalët që shkurtohen lexohen të plota. Disa prej tyre mund të lexohen edhe sipas tingujve të shkurtuar: ATSh (atëshëja), OKB (okëbëja).

engjell a djall
engjell a djall
Hapësira Jonë - Forum
Hapësira Jonë - Forum

<b>Postime</b> Postime : 7372
 <b>Piket</b> Piket : 8226
Regjistruar : 25/04/2009

https://hapesira.albanianforum.net/shkrimtare-shqiptare-f48/poezi

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Gramatika e Gjuhes Shqipe Empty Re: Gramatika e Gjuhes Shqipe

Mesazh nga engjell a djall Fri 1 May 2009 - 12:07

PËRDORIMI I Ë-SË
ë-ja pa zë, ku perdoret??? Rregullen perkatese.

Shkronja ë ka nje rol shumë të vecantë dhe shumë domethënës në gjuhën shqipe.

ë- (pa zë) tregon intonacionin, pra kur në fund të një fjale qëndron shkronja ë, atëherë zanorja që qëndron para ë lexohet gjatë.
P.sh. nje mollë- ketu ë është pazë, mirëpo shkronja o lexohet gjatë (edhe ketu vërej - gjatë, ë është pazë, ndërsa a lexohet gjatë, apo sigurt-këtu u lexohet shumë shkurt, andaj edhe nuk ka në prapashtesë ë)

ë- tregon gjininë femërore, pra nje emer femëror, qoftë emër i veqant apo i pergjithshëm, ne rasën emërore merr prapashtesën ë, si Elirë, Afërditë. Në raste kur nuk je e sigurt se cilës gjini i takon një emër atëherë e bën një test në rasën kallxore, pra me pyetjen- kush?
P.sh. Emri lis - kush? Lisi- nga prapashtesa vëren që është emër mashkullor dhe shënohet pa ë në prapavi, pra vetëm LIS.

ë- tregon shumësin. p.sh. Disa femijë etj. (natyrisht që ka edhe përjashtime)

Kur është fjala për togëfjalësh, atëherë ë largohet nga mesi i togëfjalëshit vetëm atëherë nesë fjala bashkangjitëse fillon me zanore. p.sh. bukëpjekës- këtu ë qëndron, sepse fjala pjekës fillon me bashkëtingëllore. Në të kundërtën anulohet shkronja ë apo zanorja.

engjell a djall
engjell a djall
Hapësira Jonë - Forum
Hapësira Jonë - Forum

<b>Postime</b> Postime : 7372
 <b>Piket</b> Piket : 8226
Regjistruar : 25/04/2009

https://hapesira.albanianforum.net/shkrimtare-shqiptare-f48/poezi

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Gramatika e Gjuhes Shqipe Empty Re: Gramatika e Gjuhes Shqipe

Mesazh nga Sponsored content


Sponsored content


Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye


 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi