Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Miti i dorëheqjes

Shko poshtë

Miti i dorëheqjes Empty Miti i dorëheqjes

Mesazh nga Geri Sat 5 Jun 2010 - 11:28

Afrim Krasniqi

Në terminologjinë politike akti i dorëheqjes paraqitet si akt politik, civil dhe institucional, një bashkim midis. integritetit e përgjegjësisë individuale me përgjegjësitë publike dhe zyrtare. Dorëheqja nuk është shkarkim. Shkarkimi vjen kur një instancë më e lartë gjykon e vendos për punën e zyrtarit ose politikanit, kurse dorëheqja vjen edhe kur organi më i lartë është kundër largimit, kur e refuzon atë dhe kur mendon se arsyet e dorëheqjes nuk qëndrojnë. Dorëheqja nuk kërkon domosdoshmërisht një skandal apo akuzë të madhe ndaj zyrtarit apo politikanit, ajo mund të vijë nga skandalet, por kur vjen e tillë shoqërohet me hapa të tjerë administrativë, siç janë hetimet nga prokuroria, nevoja për sqarime publike, nevoja për mbrojtje nga akuzat por edhe për detyrimin e transparencës publike. Në kushte normale, dorëheqja mund të vijë edhe në rrethana normale, pa skandale dhe akuza, si një veprim integriteti, ndjesie, përgjegjësie dhe bilanci individual ndaj punës, angazhimit publik apo normave të moralit politik.
Të gjitha këto praktika janë të njohura dhe madje shumë popullore në pjesën demokratike të botës. Së fundi, presidenti gjerman dha dorëheqje sepse ai dhe zyra e tij u sulmuan pa të drejtë; kryeministri i Japonisë dha dorëheqje sepse nuk arriti dot të mbajë premtimin elektoral për mbylljen e një baze ushtarake amerikane; kryeministri belg dha dorëheqje sepse një partner koalicioni votoi kundër angazhimeve ushtarake në misione paqeruajtëse; një ministër britanik dha dorëheqje sepse publiku u njoh me pasaktësi teknike në administrimin e fondeve parlamentare për banesën në përdorim. Këto janë akte të pastra politike, nuk janë dorëheqje për shkak të fajit apo shkeljes thelbësore të ligjit; janë dorëheqje politike të motivuara politikisht dhe me mesazh politik. Të tilla janë edhe dorëheqjet nga politika aktive të ish-kryeministrit britanik Braun apo ish-kryeministrit grek Karamanlis, të ish-kryeministrit italian Prodi apo të ish-kancelarit gjerman Shreder, të gjithë të larguar sapo partia politike e tyre humbi në zgjedhje apo në një votim të rëndësishëm politik. Edhe në rajonin tonë ku bashkëjetojnë kultura perëndimore dhe sjelljet lindore të politikës, kemi pasur akte politike të dorëheqjes. Në Kroaci, ish-kryeministri Salander fitoi zgjedhjet dhe menjëherë më pas dha dorëheqjen nga politika.
Akti i dorëheqjes së përgjegjshme politike ka ekzistuar në periudha e forma të ndryshme edhe në Shqipëri. Në vitet ‘20 kryen akte të veçuara dorëheqjeje Noli dhe Gurakuqi ministër, Bumçi, Biçaku, Peçi apo Çoba si anëtarë të Këshillit të Lartë të Shtetit; Konica, Curri apo Fishta në nivele të ndryshme politike; më vonë dha dorëheqje Frashëri e Harapi, Nosi dhe Mitrovica, Çabej dhe i pari ministër në virgjilje të sistemit njëpartiak, Gjergj Kokoshi. Kjo praktikë deri diku individuale nuk u shndërrua dot në një traditë politike. Kjo edhe sepse në sistemin pasues komunist nuk kishte akte dorëheqjeje; ajo konsiderohej akt nënshtrimi, pra edhe armiqësor dhe me largimin vijonte arrestimi dhe dënimi me burg ose pushkatim. Vetë zyrtarët e asaj periudhe më shumë preferuan vetëvrasjen (Spiru, Ndou, Shehu) sesa dorëheqjen apo shkarkimin, edhe pse në thelb, pothuajse të gjithë e deshën dhe e kërkuan pushtetin personal pa asnjë vetëkufizim profesional apo moral.
Në sistemin demokratik aktet e dorëheqjes janë minimale dhe kryesisht, në dy forma: dorëheqje personale dhe të përkohshme, si dhe dorëheqje të imponuara. Dorëheqjet personale dhe të përkohshme më të njohura janë: ajo e vitit 2002 e kryetarit të Kuvendit, pas një vendimi të Gjykatës Kushtetuese kundër verdiktit parlamentar për prokurorin e përgjithshëm, si dhe dorëheqja e ministrit të Jashtëm më 2007-ën, pas kontradiktave me kryeministrin. Në plan formal ka pasur dorëheqje të tjera, kryesisht proceduriale apo të imponuara, siç janë dorëheqjet presidenciale 1991 dhe 1997, dorëheqjet kryeministrore 1991, 1997, 1998, 2002 etj. Të shumta kanë qenë dorëheqjet “e miratuara përpara” si p.sh, një ministër financash më 1993, një politikan lartë më 1992, rreth 10 ministra më 1994-2009, apo zyrtarë të tjerë partiakë e politikë. Të gjithë dhanë dorëheqje pasi eprorët e tyre e kishin hartuar tekstin dhe vetëm prisnin firmën e tyre formale. Edhe ata u rikthyen në politikë në rastin më të parë, madje herën e dytë më kokulur e më të bindur se kurrë më parë në besnikëri ndaj liderit partiak.
Të pakta, shumë të pakta kanë qenë dorëheqjet përfundimtare, kryesisht një ministër më 1993 dhe një deputet më 2002 ose ndonjë politikan në pension në pragfushatën e 2009-ës. Më shumë dhe më shpesh kemi parë deklarata pompoze dorëheqjeje, por që më pas në rastin më të volitshëm janë shoqëruar me rikthime pompoze në politikë. Kështu, më 1991 nënkryetari i atëhershëm i PD-së dha dorëheqje përfundimtare nga politika, pas një viti krijoi një parti të re dhe pas 19 vjetësh aktiv në politik sot bën pjesë në stafin politik të kryeministrit. Më 1998 dha dorëheqje të bujshme një kryetar partie, i cili në fakt ruajti për veten një post drejtues paralel në parti dhe që atëherë është po aktiv në politikë, madje duke futur në politikën e lartë edhe familjarë të tij. Kemi pasur dorëheqje politike si pasojë e rivalitetit personal dhe më pas krijim të minipartive të reja, shumica imitime të të njëjtit model politik prej të cilit janë larguar. Më 2005-ën kryeministri dhe kryetari i PS-së dha dorëheqje, një akt që fillimisht u cilësua “civil”, por prej vitit 2007 ai rishfaq publikisht pendim dhe ambiciet për rikthim në krye të partisë që kishte drejtuar.
Me këtë traditë të brishtë, përvojë negative dhe mentalitet komunist, sipas të cilit, posti dhe angazhimi i lartë politik vijojnë jo aq gjatë sa keni energji dhe ide politike, por sa të lejojnë rrethanat, shëndeti dhe zoti, Shqipëria politike bën një përjashtim ekstrem nga modelet perëndimore të cituara më sipër. Enver Hoxha prishi marrëdhëniet me Moskën kur Hrushov deklaroi në Korçë se të gjithë jemi të zëvendësueshëm, ai e drejtoi PPSH-në dhe shtetin deri në vdekje; i njëjti mentalitet ishte në Byronë Politike dhe në gjithë nivelet e tjera politike e zyrtare. I njëjti mentalitet është trashëguar dhe vijon edhe në ditët e sotme. Politikanë dhe zyrtarë të shumtë, të cilët kanë përgjegjësi direkte në tragjedi të mëdha, në humbje jetë njerëzore, dëmtim masiv të pronës, shkatërrim të ekonomisë apo dominim të antiligjit dhe korrupsionit, dhe që ne na imponohen si engjëj mbrojtës, të pafajshëm, të gatshëm të fajësojnë për fajet e tyre edhe SHBA-në, edhe krizën botërore, edhe detin, edhe qiellin dhe zotin, por asnjëherë të gatshëm të pranojnë asnjë shenjë përgjegjësie personale.
Kryetarë partish që e drejtojnë partinë e tyre politike si një pronë private që në ditët e themelimit të saj, kryetarë që kanë përjashtuar çdo zë kritik e kundër, që nuk pranojnë votën e lirë, konkurrimin, që identifikojnë veten me partinë, veten me popullin, veten me demokracinë, me integrimin dhe së fundi edhe me Shqipërinë. Politikanë që gjatë tranzicionit kanë ndërruar parti e flamuj, parime dhe programe, në kërkim të mandatit parlamentar të radhës; politikanë që janë të gatshëm të bëjnë aleanca e pazare politike me këdo e për çdo gjë, mjaft që të sigurojnë një ditë, një javë, një muaj apo një vit më shumë pushtet; politikanë që pranojnë te vegjetojnë në politikë si ish Byroja Politike, në këmbim të një imuniteti parlamentar dhe posti politik; politikanë të lidhur me anët e errëta të shoqërisë, grupe informale deri edhe kriminale, në shkëmbim të mbështetjes në zgjedhjet e radhës.
Në zgjedhjet e vitit 2009 ne patëm politikanë që premtuan gjatë fushatës dorëheqje nga politika nëse miratohej një projekt lokal industrial. Për ironi ata jo vetëm nuk dhanë dorëheqje, por morën postet më të larta, madje ishin dyfish votues pro këtij projekti. Në zgjedhjet 2009 patëm politikanë që lajmëruan dorëheqje nga politika nëse nuk arrinin synimin elektoral të partisë, por pas zgjedhjeve, me rezultat 10 herë më të vogël sesa pretendimi, ata morën postet më të larta. Në zgjedhjet 2009 patëm politikanë që deklaronin se nëse një zonë e caktuar voton për palën tjetër ata paraqesin dorëheqje, por pas zgjedhjeve, edhe pse humbën këto zona, morën poste të larta parlamentare e partiake. Rastet janë të pafund, siç janë të pafund skenat e antipolitikës që shohim e dëgjojmë çdo ditë, nga ata që premtuan të ishin shërbëtorë të popullit dhe që prej kohësh janë shndërruar në sundimtarë të popullit.
Kjo pari politike me bindje dhe konsensus ka krijuar modelin e shoqërisë politike në të cilën nuk vlerësohen idetë, kontributet publike, profesionalizmi, integriteti dhe morali politik, por ku peshën kryesore e zënë shërbimet e radhës ndaj liderit dhe të vetë liderit ndaj rrethit të tij besnik. Politikanë me dosje të së kaluarës apo dosje korruptive që në vend të avokatit të duhur kërkojnë partinë e duhur fituese në zgjedhje, për të fituar imunitet ekstra, për të shërbyer pa kushte, për të krijuar bindjen se në shoqërinë tonë është qesharake të flitet ende mbi parimin kushtetuese se të gjithë janë të barabartë përpara ligjit. Na mbetet të ndryshojmë kanale televizive drejt ARD, BBC, CNN etj për të parë e mësuar mbi dorëheqjet politike të radhës, si një dritë në fund të tunelit, se do të vijë një ditë, kur edhe në Shqipëri, dorëheqja të mos jetë tabu e mit, por një praktikë pune, një sjellje normale e atyre, të cilët, prej dy dekadash, vijojnë ta konsiderojnë veten të pandryshueshëm, të paprekshëm, të pazëvendësueshëm.
Sepse europianë në mentalitet e sjellje nuk na bën harta gjeografike apo heqja e vizave, pjesëmarrja në konferenca ndërkombëtare apo misionet ushtarake jashtë. Të jesh europian do të thotë të mendosh dhe të sillesh si i tillë. Dita kur kjo praktikë të ndryshojë, kur dorëheqja të ketë të njëjtën vlerë përgjegjësie si gatishmëria për marrje pushteti dhe angazhimi politik; kur ndonjë politikan të pranojë dështimin e një projekti politik; kur politika të mos trajtohet si qëllim në vetvete, por mision qytetar ndaj shoqërisë; kur të paktën një kryetar partie të pranojë se misioni i tij ka mbaruar; kur një zyrtar të pranojë përgjegjësinë morale për largim nga jeta politike aktive; kur një individ politik të pranojë tërheqjen me të njëjtën lehtësi si ngritjen në politikë, ajo ditë do të jetë realisht dita e parë dhe e vërtetë europiane e Shqipërisë.
Geri
Geri
Fondatore St@ff Forum
Fondatore St@ff Forum

<b>Postime</b> Postime : 19707
 <b>Piket</b> Piket : 23805
Regjistruar : 21/04/2009
 <b>Mosha</b> Mosha : 35
 <b>Vendbanimi</b> Vendbanimi : Ne qytetin e dashur Tirone

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye


 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi