Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Tolstoi, gjeniu i harruar në shtëpinë e tij

Shko poshtë

Tolstoi, gjeniu i harruar në shtëpinë e tij Empty Tolstoi, gjeniu i harruar në shtëpinë e tij

Mesazh nga Geri Sun 21 Feb 2010 - 4:36

Tolstoi I madhi i letrave konsiderohet njëzëri në Perëndim si shkrimtari më i madh i të gjitha kohërave dhe këtë vit bota përkujton edhe 100-vjetorin e vdekjes së tij. Ndërkohë që në vendlindjen e tij, në Rusi, ka një mungesë entuziazmi

Për admiruesit e Tolstoit viti 2010 është një vit i mrekullueshëm. 100 vjet më parë, shkrimtari i madh rus e la shtëpinë e tij në periferi të Moskës për të ndërruar jetë tre javë më pas, në një stacion të vogël treni, diku në një provincë. Iku për të lënë pas një pavdekësi, që vazhdon të emocionojë dhe mrekullojë breza të tërë. Tolstoi la pas jo një vepër, por një planet me personazhe, vende, ngjarje, ndjesi, që duke u ndërthurur me njëra-tjetrën na përcjellin filozofinë e pavdekshme e universale të marrëdhënieve njerëzore. Në Gjermani dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë nisur projektet e ripërkthimeve të veprave të mëdha tolstojane si “Ana Karenina”, në Kubë dhe në Meksikë janë hapur panaire të librave të rusit të madh, dokumentarë të vjetër dhe të rinj priten të transmetohen gjatë gjithë vitit në vende të ndryshme.

Një pjesë e tyre janë konceptuar mbi pamje të reja filmike të nxjerra nga gërmimet në arkivat ruse. Pritet ndërkohë edhe premiera e filmit “Stacioni i fundit”, një dramë e realizuar pikërisht duke u bazuar në ditët e fundit të gjeniut të madh, të cilat i kaloi në stacionin e vjetër të trenit. Tolstoi, i “përndjekur” vitet e fundit nga “paparacët”, që kërkonin të dinin për jetën e tij, ishte në një grindje të vazhdueshme edhe me të shoqen, Sofia Andrejevna, në lidhje me veprat e tij. Tolstoi donte që t’i linte këto vepra trashëgim njerëzimit, pra të drejtën e autorit, ndërsa bashkëshortja donte që të gjitha të ardhurat nga shitja e saj t’i shkonin në xhep. I lodhur kësisoj nga konflikti i vazhdueshëm martesor, Tolstoi vendos që të largohet nga shtëpia. Më pas sëmuret rëndë dhe vdes në rrugëtimin e tij me tren drejt jugut. Filmi për ditët e fundit të mjeshtrit të madh bazohet në një roman që flet pikërisht për këtë periudhë të fundme dhe në qendër të tij është figura e sekretares së re personale të shkrimtarit. Gjatë viteve të fundit të jetës, shkrimtari kishte hequr dorë nga kënaqësitë e pasurisë dhe ato mishtore.

Të paktën kështu thonë disa biografë, ndërkohë që të tjerë pohojnë të kundërtën. Megjithatë ka gjëra që një person i merr me vete në varr. E ndërsa e gjithë bota e letërsisë është e elektrizuar nga ngjarjet përkujtuese të këtij viti, ekziston një vend që po mban një qëndrim çuditërisht të ftohtë ndaj kësaj tolstojmanie. Sipas thashethemeve, Vladimir Putin e ka vizituar shtëpinë e shkrimtarit të madh në fshehtësi, kur ishte një spiun i KGB-së, por për sa u përket veprimtarive përkujtimore, për momentin Kremlini po hesht dhe nuk ka planifikuar ndonjë ngjarje të madhe as me rastin e 20 nëntorit, që shënon edhe 100-vjetorin e vdekjes së gjeniut. Dhe jo vetëm kaq, por autorët e filmit nuk i kanë kryer xhirimet e tij në peizazhet ruse, por në ato gjermane. Shkaku ishte se për të shkuar në shtëpinë e familjes, në Tula, 125 kilometra larg Moskës, nuk kishte asnjë lloj infrastrukture që të mundësonte xhirimet: as rrugë, as hotele dhe nuk ofrohej asnjë lloj garancie nga autoritetet për jetën e stafit dhe të aktorëve. Për më tepër filmimi në Rusi ishte shumë më i shtrenjtë. Por e papritura më e madhe e regjisorit ishte indiferenca e madhe e rusëve dhe e organeve shtetërore ndaj një njeriu që i bën kaq shumë nder vendit, ndaj gjeniut të “Lufta dhe Paqja”, saga e vendosur në viteve e luftërave napoleonike në Europë dhe gjatë sulmit të tij në Rusi.

Në Perëndim Tolstoi konsiderohet si njeriu që ka bërë histori në letërsinë botërore njerëzore. Korrikun e kaluar revista e njohur “Newsweek” e vendosi “Lufta dhe Paqja” në krye të listës së romaneve më të famshme dhe më me rëndësi të të gjitha kohërave. Vendin e dytë e zuri romani i Oruellit, “1984”, ndërsa “Uliksi” i Xhojsit në vendin e tretë. Kritikët janë mahnitur vazhdimisht pas përshkrimit dhe brendisë psikologjike të personazheve të shkrimtarit të madh dhe sa për veteranët ata njëzëri pohojnë se askush nuk ka shkruar si ai për luftën dhe ushtarët. Ndërsa në Lindje, veçanërisht në Japoni, ai konsiderohet si një mendimtar dhe mendjehapur njëherazi. Por kudo, përveçse në Rusi. Sipas disave, qëndrimi aktual i Rusisë ndaj njërit prej bijve të saj më të ndritur ka të bëjë edhe me vetë udhëtimin e trazuar të kombit dhe dështimin në gjetjen e një ideje kombëtare. Njerëzit në kohëra të ndryshme kanë kërkuar objektiva të ndryshëm dhe për shumëkënd në këtë botë objektivi i sotëm është ai i të qenit të lumtur.

Për shumë rusë, shekulli i kaluar ka qenë një shekull i tmerrshëm i mbarsur me dhimbje, luftëra, vdekje dhe izolim. Me pak fjalë ai ka qenë një shekull më shumë dostojevian se sa tolstojan. Shekulli i fundit me errësirën që përçoi ishte i Dostojevskit, ndërsa shekulli i ri duhet të jetë ai i Tolstoit. Stër-stër nipi i shkrimtarit të madh, Vladimir Iliç Tolstoi, pranon se shekulli i dhimbshëm i 20-të është një shekull që i përket më shumë frymës së një shkrimtari si Dostojevski. Me tipare që dukshëm i përkasin racës së tij, Vladimir thotë se Dostojevski përqendrohej në veprën e tij, në problemet dhe çështjet e dhimbshme të shoqërisë dhe në anën e errët të shpirtit njerëzor. Tolstoi ishte e kundërta. Ai mbron vlerat themelore të njeriut dhe jetës, si dashuria, miqësia dhe marrëdhëniet familjare. Ai jep përgjigje dhe zgjidhje pozitive për pyetjet që bën njerëzimi. Në këtë sens ai është një shkrimtar i shpresës dhe i dritës. Vladimir e ka shndërruar Jasnaja Poljanën e famshme në një vend shumë të rëndësishëm kulturor për vendasit dhe të huajt. Mijëra kuriozë të letërsisë dhe të jetës së Tolstoit bëjnë çdo vit pelegrinazh në vilën e tij. Një pjesë e mirë mbërrijnë me tren të shtunave e të dielave nga Moska me “Ekspresin e Tolstoit”.

Është një tren i posaçëm i zbukuruar me skena nga veprat dhe personazhet e tij. Treni ndalon në stacionin e Koslovës dhe me një autobus mund të shkosh deri në shtëpinë ku ka jetuar Tolstoi. Aty gjithçka është siç e ka lënë ai një shekull më parë. Mund të shohësh një ambient klasik, divanin e lëkurtë, në të cilin janë ulur për vite e vite me radhë autori dhe 13 fëmijët e tij. Aty ndodhet edhe karrigia, relativisht e ulët, në të cilën ai shkruante dhe një qen i vogël ornamental, të cilin Tolstoi e vendoste nën jastëk për të fjetur kur ishte djalë i vogël. Në dhomën e ngrënies janë portretet e Tolstoit dhe të familjes së tij, të pikturuara nga i famshmi Riepin dhe fare pranë ndodhet një bibliotekë e stërmadhe, në të cilën renditen plot 22 mijë vëllime. Ajo është një bibliotekë e drunjtë dhe e veçantë.

Aty pranë ndodhet fshati ku Tolstoi u përpoq të edukonte fëmijët e fshatarëve në vitin 1860, ndërsa vetë mbante veshur rrobat prej fshatari për të qenë njësoj me njerëzit që rrinin pranë tij. Sipas Vladimirit, numri i turistëve që vizitojnë Jasnaja Poljanën është rritur shumë 15 vitet e fundit dhe pjesa më e madhe e tyre janë të huaj. Ai është i ndërgjegjshëm që çuditërisht reputacioni i paraardhësit të tij është shumë më i madh jashtë vendit se sa në Rusi. Këtë ai e shpjegon me situatat që ka kaluar Rusia që pas prishjes së Bashkimit Sovjetik dhe mos fokusimit të kulturës vendase në vlerat e vërteta intelektuale të së shkuarës. Ndërkohë, brezat e rinj nuk lexojnë atë sasi librash krahasuar me brezat paraardhës. Rusët janë njohur dhe çmuar gjithmonë si lexues të zellshëm, ndërsa brezi i ri në më të shumtën e rasteve i ka braktisur librat me futjen e internetit në jetën e njerëzve.

Ndërsa për sa i përket Kremlinit, ai tregon shumë pak interes në lidhje me Tolstoin. Putin nuk e ka përmendur kurrë shkrimtarin e madh në fjalimet e tij dhe kritikat e shkrimtarit ndaj fesë ortodokse dhe autoritetit të saj e bëjnë atë një figurë të rrezikshme për pushtetarët dhe kjo vlen si për Rusinë cariste, ashtu edhe për pushtetin e sotëm. Sipas Vladimirit, askush nuk kërkon që të hedhë poshtë idetë e tij, apo reputacionin e tij. Vetëm se Kremlini preferon të heshtë. Marrëdhënia e keqe e Tolstoit me kishën ortodokse është pjesë e këtij problemi. Kisha e shkishëroi atë në vitin 1901, në shenjë proteste ndaj romanit të tij “Ringjallja”. Në vitin 2001, kisha e riafirmoi këtë veprim të saj të një shekulli më parë dhe ata që janë pranë qarqeve ortodokse i kanë vënë veprat e Tolstoit në listën e zezë.

Të tjerë pëshpëritin lart e poshtë se mendimet e kanë bërë atë një antirus dhe madje disa ankohen edhe për sintaksën e tij. Është e vështirë të përfytyrosh Tolstoin të heshtur para mënyrës burokratike dhe autokratike të qeverisjes së Putinit. Një nga ekspertet më të mëdha të letërsisë ruse, Ludmilla Saraskina, është e mendimit se Tolstoi duhet të mbrohet pikërisht në shtëpinë e tij, në Rusi. Sipas saj, ky shkrimtar ndodhet nën një sulm të padrejtë nga pasardhësit e të njëjtave forca, të cilat ai i demaskoi në kohën e tij, pra shteti, ushtria dhe kisha.

Bota Sot
Geri
Geri
Fondatore St@ff Forum
Fondatore St@ff Forum

<b>Postime</b> Postime : 19707
 <b>Piket</b> Piket : 23805
Regjistruar : 21/04/2009
 <b>Mosha</b> Mosha : 35
 <b>Vendbanimi</b> Vendbanimi : Ne qytetin e dashur Tirone

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi