Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Martesë apo liri seksuale ?

Shko poshtë

Martesë apo liri seksuale ? Empty Martesë apo liri seksuale ?

Mesazh nga Erisa Mon 11 Jan 2010 - 2:08

Martesë apo liri seksuale ?

Përballë dallgëve të revolucionit seksual të “vonuar”…

Kanë kaluar më shumë se katër dekada që nga koha e Lëvizjes studentore në Francë, në vitet 70-të të shekullit që kaloi, kur u hodh ideja se që shoqëria të bëhet moderne ka nevojë të ndryshojë tipologjinë e lidhjeve seksuale dhe institucionin e martesës që është i bazuar në të. Shoqëria hyri në një fazë të re të zhvillimit modern, shumë filozofë dhe sociologë të asaj kohe me Zhan Pol Sartrin dhe Herbert Markyzen në krye, e konsideruan periudhë të “revolucionit seksual”, të kapërcimit të fazës së moralitetit të vjetër, të thyerjes së tabuve seksualisht ndrydhëse, penguese për realizimin e lirisë së plotë të njeriut. “Revolta e rinisë” franceze dhe evropiane të kohës dolën nëpër rrugë me mesazhin e “braktisjes së modeleve tradicionale shtëpiake dhe zakoneve seksuale të periudhës viktoriane, kur martesa ishte e shenjtë”.Shpesh në historinë modern ajo konsiderohet nga disa autorë si “revolt seksuale” e rinisë. Revolucioni seksual, në fakt është konceptualisht përmbysje e sjelljeve, marrëdhënieve dhe tabuve të vjetra morale për familjen, martesën dhe seksualitetin njerëzor. Liria seksuale ishte dhe vazhdon të jetë flamuri që frymëzoi shoqërinë në thyerjen e tabuve të jetës seksuale, duke e bërë atë më të lirë, më pak detyruese, të frikshme dhe obligative. Ndërkaq, duke e parë tani në distancë pas dyzetë vjetësh rezultatet e tij, duhet thënë se “revolucioni seksual” ai ishte një sulmi i parë i organizuar, i përgjithshëm mbi “institucionin e martesës”, mbi tipologjinë e saj, duke e konsideruar atë si një “mbeturinë” që e kaluara e ka lënë në formë të paprekur.

Martesa si e vetmja mënyrë e “licencuar nga shoqëria” që i mundëson njeriut të drejtën që të ketë marrëdhënie seksuale, u vu në shënjestër të “revolucionit seksual”. Megjithatë duhet të jemi të kujdesshëm në vlerësimin e tij, duke i dalluar sociologjikisht drejt pasojat e tij sipas parimit të njohur “post hoc non propter hoc”. Në këtë kontekst duhen vlerësuar pasojat kontradiktore, emancipuese dhe shkatërruese në të njëjtën kohë. Padyshim ai ka sjellë ndryshime konceptuale, përmbysje të koncepteve të moralitetit dhe seksualitetit të vjetër, të teorive dhe praktikave që “rregullojnë jetën familjare dhe rolet seksuale brenda saj”. Kaq i madh ka qenë entuziazmi për rezultatet e pritshme të “revolucionarizimit të jetës seksuale” sa që superoptimistët e kohës të ekzaltuar, deklaruan se “revolucioni seksual”, ka aq shumë fuqi sociale transformuese në jetën e shoqërisë, sa që mund të spostojë dhe të zëvendësojë edhe idenë e revolucionit proletar të Marksit. Thelbi i këtij revolucioni, objektiv madhor i tij ishte dekurajimi i martesës, konsiderimi i tij si institucion i vjetër social që ndrydh jetën seksuale të njeriut, dhe inkurajimi i konceptit dhe praktikës së “dashurisë së lirë” si kënaqësi personale, por pa përgjegjësi sociale. Rezultatet e tij dihen, janë të prekshme, të dukshme në jetën e shoqërisë modern, sot pak katër dekadave që nga fillimi i tij

Padyshim konceptet dhe realiteti seksual i ndryshuar, është një dukuri masive e jetës sociale moderne të shoqërisë, në dallgët e së cilës është futur dhe “noton” shoqëria jonë. Tani nuk ka më asnjë dyshim, në kaosin e perceptimit anarkik të martesës, të thjeshtëzimit të detyrimeve dhe përgjegjësive reciproke, të zhvillimit të vrullshëm të një jete pa dëlirësi dhe reciprocitet seksual dhe shoqëria shqiptare e ditëve tona. Nuk mund të mohohet fakti, se edhe shoqërisë tonë i kanë rënë përtokë tabutë e vjetra të moralit konservator, të cilat shoqëria jonë është përpjekur t’i ruajë dhe t’i servir ende, përmes pjatës së argjendtë të konservatorizmit moral, të shenjtërimit të “pastërtisë seksuale”, të jetës çiftit “seksualisht të mbyllur” ndaj të tjerëve, etj.

Në mënyrë ca më filozofike mund të themi se tashmë martesa në shoqërinë shqiptare është duke e ndërruar tipologjinë dhe “këmishën e vjetër” të saj. Ajo nuk është gjithnjë, në çdo rast dhe detyrimisht seksualisht e mbyllur, nuk është më relacion në të cilin vetëm dy veta, çifti, burri dhe gruaja kanë rol dhe kuptim ekzistencial. Gjithnjë e më shumë brenda martesës, në mes të lidhjes seksualisht dhe moralisht detyruese (unë dhe ti, burri dhe gruaja), ka filluar të jetë i pranishëm në shumë raste edhe “i treti”, (i dashuri apo e dashura paralele). Në këtë kontekst, ne jetojmë në një shoqëri tashmë të hapur, në të cilën dallgët e vonuara të revolucionit seksual tani janë duke dhënë efekte sociale maksimale mbi martesën, familjen dhe shoqërinë tonë. Nuk do shumë mundim që të sjellësh fakte nga realiteti ynë seksual, brenda apo jashtëmartesor. Martesa në shoqërinë tonë po ndryshon dukshëm. Nga një relacion seksualisht dhe tradicionalisht i mbyllur, tashmë po ndeshim gjithnjë e më shumë konceptin dhe praktikën e martesës si marrëdhënie seksualisht e hapur, nga “njëri krah” apo nga “krahu tjetër”, ose të hapur nga të “dy krahët”. Tani janë bërë të shpeshta dukuritë e martesës së hapur, në të cilën burri ose gruaja kanë ndonjë lidhje dashurore paralele, ose kur të dy kanë rënë në konsensus, që krahas martesës zyrtare, të mbajnë lidhje intime dhe marrëdhënie seksuale me “partner paralel”.

Kjo situatë që ka shenja të qarta të agravimit social, të kthimit në një dukuri të shpeshtë, është pastaj shkak dhe burim i jetës martesës dhe lidhjes familjare të paqëndrueshme, të traumatizuar, e cila si rregull ose kalon në divorc, ose familja dhe marrëdhëniet e çiftit bëhen jo funksionuese. Në analizën e situatës së shpërthimit të “lirisë seksuale” në shoqërinë tonë, duket qartë se një ka një numër në rritje të martesave me jetë seksuale paralele të çiftit, martesa që kanë tendencë të mundësojnë “funksionimin e hapur”, nga njëra anë” (njëri nga pjesëtarët e çiftit ka jetë seksuale paralele, përveç me partnerin) ose e “shqyer nga të dy anët” (kur të dy kanë dashuri me partnerë të tjerë, krahas martesës zyrtare). Natyrisht në jetën seksuale të çiftit “të hapur nga njëri krah apo të shqyer nga të dy anët”, nuk duhet të ekzistojë xhelozia që të qëndrojë “bashkëjetesa seksuale”, sepse një relacion i tillë, nuk mund të quhet martesë, as e shenjtë as me kontratë. Ka qenë një nga parullat e famshme të revolucionit seksual, sipas të cilit që të ekzistojë “liria seksuale” duhet goditur xhelozia, si një ndjenjë borgjeze e trajtimit të partnerit si pronë private, në mënyrë që të realizohen objektivat emancipuese të jetës modern dhe të revolucionit seksual.

Martesa e hapur dhe anarkia e jetës seksuale.

Deri në fund të vitit 90-të në shoqërinë shqiptare ka pasur një ide fikse sipas së cilës tradhtarë dhe provokatorë seksualë janë vetëm meshkujt, ndërsa femrat janë të shenjta ose naive. Koha ndryshoi dhe sondazhet nuk e vërtetojnë më këtë paradigmë morale të trashëguar të përgjegjësisë ekskluzive seksuale mashkullore. Tani problemi i “lirisë seksuale” është prezent, i hapur dhe i barabartë sipas meje për të dy palët, edhe për burrat edhe për gratë. Koha dhe realiteti ynë seksual para, gratë dhe pas martesor vërtetojnë me fakte se nuk janë vetëm burrat, që për t’iu shmangur jetës monotone seksuale të martesës zyrtare, përpiqen ta kompensojnë atë me flirte jashtë martesore, me aventura seksuale paralele. Të njëjtën gjë po e bëjnë, madje me të njëjtin intensitet (për të mos thënë diçka më shumë) edhe gratë. Edhe ato tashmë janë qenie mëkatare si dhe burrat, që kanë fituar të” drejtën” që të sfidojnë “situatën seksualisht gri të martesës”, të lidhjes së lodhur, monotone seksuale me partnerin dhe përpiqen në shumë raste të krijojnë kushte të lulëzimit të “erotizmit paralel” me të dashurit që qëndrojnë jashtë apo në periferi të lidhjes së tyre martesore zyrtare. Për këtë dukuri të blasfemuar dikur si “devijancë morale”, e madhe, e papranueshme për femrën (e cila në përfytyrimin tonë të determinuar, të ngushtë ka qenë gjithnjë më e “ndershme” se mashkulli), tani në shoqërinë moderne flitet hapur. Madje ka sociologë dhe analistë të jetës seksuale, që mendojnë se femrat e kanë më të zhvilluar këtë sensin e “erotizmit paralel”, apo të nevojës më të ngutshëm për realizimin e flirtit jashtëmartesor.

Duke analizuar tipologjinë e martesës shqiptare, numrin e jashtëzakonshëm të divorceve që kryen (afërsisht një në tre martesa prishen për motive të seksualitetit dhe marrëdhënieve seksualisht kaotike dhe të paralelizuara), si dhe lidhjet seksuale jashtëmartesore, mund të flasim pa frikë, për një situatë të re të jetës seksuale të shoqërisë shqiptare. Ajo që dallohet qartë është fakti se ne po përjetojmë si shoqëri ato dukuri që qytetërimi modern perëndimor i kaloi në kohën e duhur, kur vala e revolucionit seksual kapi tërë shoqërinë evropiane dhe amerikane. Në atë kohë ne ishim të mbyllur në “kështjellën tonë” dhe martesa i rezistoi dallgëve goditëse të këtij revolucioni, mbeti relativisht e qëndrueshme dhe e garantuar, jo aq shumë nga vetja se sa nga dhuna totalitariste dhe pasojat që kishte në funksionim diktatura, për çdo devijim moral dhe seksual.

Tani pothuaj nuk ka asnjë ndryshim në kaotizmin e jetës seksuale të shoqërisë modern nga ajo shqiptare, sepse dallgët shpërthyese të erotizmit dhe seksualitetit kanë marrë përmasa të pakontrolluara edhe në shoqërinë tone. Madje deri në kufijtë e asocialitetit dhe amoralitetit seksual. Duket se martesa si koncept i lidhjes së mbyllur seksuale të çiftit, po kalon krizën më të thellë në historinë e vendit tonë. Ajo është tronditur, është coroditur së pari në fondamentin dhe konceptualitetin e vet si “lidhje erotike e mbyllur” e çiftit në martesë, dhe pastaj edhe si institucion social. Tronditja e “bazave të seksualitetit”, është sipas meje, një nga shkaqet themelore, në mos më i rëndësishmi që po i nxjerr asaj rrënjët martesës. Nuk mendoj se është “funksion formal” i martesës ekzistenca e lidhjes seksualisht të mbyllur. Përkundrazi, të gjithë sociologët e familjes, mendojnë se ai është ndoshta më kryesori, në mos kusht ekzistencial që e mban në këmbë logjikën e martesës, pikërisht si lidhje seksualisht e mbyllur e çiftit, në të cilën lidhja seksuale është bipolar, midis burrit dhe gruas. I “treti” ( ie dashura) është gjithnjë ie tepërt. Në se analizojmë situatën në shoqërinë tonë, në lidhjet e tronditura seksuale të martesës, anarkinë e lidhje-zgjidhjeve të shumta duket se është duke u goditur ideja sociale që lidhja seksuale e çiftit duhet të jetë e mbyllur. Sipas mendimit tim, jeta seksuale në shoqërinë tonë po kalon nga koncepti i martesës me marrëdhënie seksualisht të mbyllura, në të cilën “treti është i tepërt” në konceptin që ka marrë një përhapje të dukshme sipas së cilës “ i treti është i domosdoshëm”.

Në se do të analizoni divorcet, prishjet e martesave në dy vitet e fundit do të bindeni se shkaku kryesor destruktiv, më së shumti ka qenë prania e lidhjeve seksuale paralele me martesën, tradhtitë dhe historitë erotike të meshkujve dhe femrave, aventura të shumta dhe “eksperimente” pa fund për të plotësuar “objektivat seksuale personale”. Revolucioni seksual jo vetëm theu tabunë e seksit të mbyllur, të lidhjes seksualisht detyruese dhe reciprokisht besnike të çiftit në martesë, por ajo theu dhe perceptimin klasik të nevojës së “dëlirësisë morale në martesë”. Tani pothuaj nuk përbën më shqetësim personal prishja e martesës për shkak të lidhjeve seksualisht paralele, të zbuluara nga partneri dhe që kanë sjellë divorc. Përkundrazi duket se pasojat morale dhe psikologjike të shkeljes së kurorës, të besnikërisë bashkëshortore e kanë kapërcyer pragun moral, të brejtjes së ndërgjegjes apo të përjetimit të ndjenjës së fajit nga tradhtia bashkëshortore.

Tani po ndeshemi me dukurinë e “martesës së hapur”, e cila sipas mentalitetit të një pjese të meshkujve dhe femrave, bëhet më e “lumtur” kur ekziston paralelisht me lidhjen seksuale me të dashurin. Madje ka akoma më shumë njerëz sot, që sjellin si argument se dashuritë paralele, erotizmi jashtëmartesor mund të kthehet në “energji pozitive”, që e mban gjallë dhe e ushqen “martesën e lodhur”, që të qëndrojë dhe funksionojë si “institucion social”, por me “detyra” të tjera. Meshkujt dhe femrat “tradhtarë”, tani nuk janë më përjashtim për jetën sociale dhe seksuale, brenda martesës apo jashtë saj. Ata përbëjnë një dukuri, një grup social në rritje, që janë “pararoja” e procesit të thellimit të objektivave të vjetra të revolucionit seksual të viteve 70të të shekullit të kaluar. Tani historitë me “tradhti seksuale”, mbajtja e lidhjeve erotike dhe seksuale paralele me burrin apo gruan zyrtare, është temë e zakonshme ditës, që nuk përbën më ngjarje as për individin as për shoqërinë. Erotizmi dhe seksualiteti i shfrenuar, kaotik, janë të zakonshme për shoqërinë shqiptare. Jetojmë në mes tyre dhe shpesh bashkë me to. Realiteti me meshkuj dhe femra “tradhtarë” është tepër empirik, pa ngarkesa të mëdha sociale dhe emocionale, as për “tradhtarët” as për “moralistët” e shoqërisë.

Jeta seksuale e çiftit është bërë sipas mendimit tim “pika e dobët” e martesës. Gjithnjë e më shumë dëgjohen zëra të të pakënaqurve dhe të zhgënjyerve nga martesa, që për këtë shkak përpiqen të sigurojnë lidhje erotike komplementare për të mbajtur gjallë botën erotike dhe seksualitetin personal. Kam mundur në shumë raste të takohem dhe të bisedojë me njerëz “të zhgënjyer nga martesa” që më kanë treguar për lidhjet e tyre paralele. Ajo që më duket se është duke ndodhur “pas revolucionit seksual”, është fakti që ndeshet edhe në shoqërinë tonë: martesa po bëhet e vështirë për t’u menaxhuar me sukses, nga që ajo po shfaqet gjithnjë e më shumë si institucion i lodhur seksualisht, si lidhje që krijon monotoni dhe nuk përmbush kërkesat seksuale të çiftit me gjëra interesante. Në këtë kontekst ie dashura paralele është në një farë kuptimi “antidote”, që përdoret për të shpëtuar institucionin zyrtar të martesës, për të mbajtur gjallë, qoftë edhe të lodhur të erotizmit dhe seksualitetit pa të cilin nuk ka kuptim ekzistencial martesa.

Monogamia kusht apo konvencion social ?…

Padyshim i vetmi “mekanizëm” që e mban në këmbë martesën është lidhja seksuale monogamike e ciftit. Në poligami nuk ka martesë. Sa më shumë të cënohet monogamia, sa më të shthurura të bëhen lidhjet seksuale në shoqërinë tonë, aq më shumë e brishtë, e dobët, e paqëndrueshme do të bëhet martesa. Të gjithë dukuritë morale, të jetës erotike dhe seksuale që po përjeton martesa në këtë periudhë të “post-revolucionit seksual”, po dëshmojnë atë të vërtetë që ka parashikuar filozofi i madh britanik, Bertrand Rassel se ajo është sot institucioni që po përjeton krizën më të rëndë, më të thellë dhe të gjithanshme. Në se më parë lidhja monogamike ka qenë e shenjtë dhe bazë për dashurinë dhe martesën, tashmë duket se gjithnjë e më shumë ajo po bëhet dukuri që rrallohet… Padyshim kur flasim për të kundërtën e saj, sjelljet poligamike të shtuara kohët e fundit në shoqërinë shqiptare, nuk mund të kemi mos themi se poligamia është dukuri seksuale e botës së kafshëve.

Megjithatë situata e jetës seksuale në shoqërinë tonë, numri i madh i divorceve për shkak të tradhtisë apo të mungesës së besnikërisë bashkëshortore, është në rritje, madje në përmasa të frikshme që të bëjnë të mendosh në se në të ardhmen lidhja monogamike do të qëndrojë si model dhe mënyrë humane e realizimit të marrëdhënieve seksuale dhe mënyrë e vetme e “riprodhimit njerëzor” në shoqëri, apo ajo gjithnjë e më shumë do të zbehet deri në kufirin e një “konvencioni social”? Është e vështirë për mua që të bëjë parashikim, apo të japë konkluzione të instancës së fundit. Por një gjë duket qartë, që shoqëria moderne duke e liberalizuar pa limit jetën seksuale, duke dëmtuar seksualitetin human, po i jep goditje monogamisë, kësaj krijese që emancipoi sjelljen seksuale të njeriut, që e shkëputi biologjinë e seksit njerëzor nga bota e kafshëve. Me të drejtë një sociolog thotë se “…vetëm majmunët nuk kanë certifikatë martese..” Në fund të fundit çfarë vlere mund të ketë dashuria si ndjenjë njerëzore në se ajo nuk është monogame, e mbyllur, në çift ?

Në sociologjinë e familjes tema e monogamisë, e shkeljes së kurorës dhe e besnikërisë bashkëshortore është më e diskutuara, nga që midis tyre ka një lidhje të fortë konceptuale dhe empirike. Këtu është problem i trajtimit njerëzor të raportit midis humanitetit të dashurisë dhe instiktit të tradhtisë. I pari është njerëzor, i dyti siç po duket ka filluar të bëhet i vështirë për t’u kontrolluar dhe menaxhuar në kushtet e jetës moderne. Ndaj shumë sociologë si Laura Laurenci, të tronditur, nga analiza e fakteve të jetës seksuale, thonë se “monogamia është një konvencion social” për kohën moderne. Sipas tyre “besnikëria seksuale në kohën modern po bëhet mit”…
Erisa
Erisa
Hapësira Jonë - Forum
Hapësira Jonë - Forum

<b>Postime</b> Postime : 12061
 <b>Piket</b> Piket : 12694
Regjistruar : 24/04/2009
 <b>Mosha</b> Mosha : 34
 <b>Vendbanimi</b> Vendbanimi : Fier

http://www.hapesira.forumotion.net

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi