Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Shpella e Zeze

Shko poshtë

Shpella e Zeze Empty Shpella e Zeze

Mesazh nga Geri Thu 10 Sep 2009 - 9:46

Shpella e Zeze Shpella-e-zeze






Paraardhësit tanë 10 mijë e më shumë vjet më parë
uleshin në hyrjen e kësaj shpelle për të mprehur armët e tyre prej guri
dhe ndarë mishin. Ata sapo kishin mësuar të ndiznin zjarrin. Ne sot nuk
mund të bëjmë më shumë se të imagjinojmë jetën e tyre në Shpellën e
Zezë (Pëllumbasit), rreth 25 kilometra nga kryeqyteti në të majtë të
luginës së Erzenit, ndërsa pushojmë në të dalë të saj duke lexuar
gazetën që kemi marrë me vete. Themi imagjinojmë sepse shpella zor se
t’i rrëfen të fshehtat që “ka ruajtur” për mijëra vjet.

Gjurmët që njerëzit e parë mund të kenë lënë në të
ajo i ka mbuluar ngadalë, ndërsa arkeologët që e kanë zbuluar vonë ende
nuk mund të thonë shumë për jetën që është bërë aty edhe pse në shpellë
janë gjetur shenja të saj. Tani për tani të vetmet histori që mund të
mësosh në hyrje dhe më thellë në muret prej guri gëlqerorë janë ato të
të dashurve që si kanë kaluar andej kanë shkruar me çfarë kanë pasur
mundësi emrat e tyre, duke u dhënë ngjyrë artificiale asaj që natyra
kishte krijuar prej mijëra vjetësh. Behar Duqi, udhërrëfyesi, roja dhe
kujdestari i shpellës na tregon se si më 1992 kur ishte ende 17 vjeç
kishte hyrë këtu për herë të parë sëbashku me një kushuri. “Im atë nuk
e besoi që kishim dalë në fundin e saj, ai dhe njerëzit këtu mendojnë
që shpella është e pafund”, thotë ai. Edhe pse Duqi dhe një kushëri i
tij kanë hyrë në shpellë më 92’, ajo e fundit është vizituar për herë
të parë nga speleologët vetëm më vitin 1995, për t’u shënuar kështu në
hartën botërore të shpellave karstike përkrah vetëm 5 simotra në të
gjithë Evropën...

Shpella e Zeze 3462624941_87fc8be08b

Në Pëllumbas, fshatin që i jep emrin shpellës dhe
në të cilin duhet të kalosh për të shkuar drejt saj, arritëm aty rreth
orës 9 të mëngjesit. Në fakt ne ishim nisur më herët. Autobusi i parë
që të çon në fshat niset nga Tirana në 7 pa 10 të mëngjesit dhe i dyti
vetëm në 5 pasdite, kështuqë ne duhej të zgjidhnim të parin për të
pasur kohë të shihnim shpellën.

Përndryshe nga sa e kishim paragjykuar, autobusi
një nga ata që përdoreshin më parë në unazën e kryeqytetit, u nis fiks
në orarin që thuhej, por përkundër fjalëve të faturinos: “Po, po ky të
çon në Pëllumbas”, ai na la në mes të rrugës për në Elbasan në
degëzimin që të çonte në fshat.

Shpella e Zeze 3462628173_7f275f093c

Këtu në fakt duhej të prisnim për një autobus
tjetër që do të na çonte deri në fshat, mirëpo ne duke mos qenë aq të
duruar vendosëm të hipim në të parin furgon që kalon aty. Shoferi thotë
që edhe ky shkon në Pëllumbas, kështu që ne rehatohemi ndërsa nga
dritarja humbin e shfaqen kodrat e buta që rrethojnë kryeqytetin dhe që
shkëlqejnë nën diellin e sapo lindur të mëngjesit. Furgoni ndalon dy
apo tre herë rrugës për të marrë apo lënë pasagjerë, ndërsa kemi lënë
asfaltin dhe ndodhemi në një rrugë dheu që fillon të gjarpërojë mbi
minierat e Kërrabës dhe vendin ku ruhet thesari i shtetit. “Ai që u
vodh”, na thotë faturino si ka marrë vesh që jemi gazetarë, ndërsa kemi
mbërritur mbi kanionin që ndan Krrabën nga Pashkasheshi. Pikërisht këtu
faturinoja dhe shoferi kujtohen që kanë harruar të na thonë se
Pëllumbasi ka mbetur diku pas kthesave rreth 20 minuta më herët. Ata po
shkojnë në Kllojkë, atje ku dëbora ende nuk ka shkrirë. Prej ku jemi
mund të shohim se si ajo u jep ngjyra laramane maleve në horizont.
Shoferi na thotë se nuk duhej të alarmoheshim edhe pse makina e tij nuk
po ndalonte dhe ne vazhdonim t’i largoheshim destinacionit. “Do t’iu
gjejmë një makinë për tu kthyer pas”, na thotë. Ne fundit fare veç
kohës së humbur asgjë tjetër nuk na shqetëson. Shoferi ndalon afër një
guroreje dhe si ndërron fjalë me disa burra që ndodhen buzë rrugës na
siguron vend në një nga IFA-t që bëjnë trasportin e gurë për në
kryeqytet, pastaj na thotë se e kemi falas xhiron deri në Pashkashesh
dhe largohet bashkë me të tjerët për në fshatin e tij me dëborë. Tre
burrat që i premtuan vend në kamion janë punëtorë të gurores dhe thonë
se janë vendalinj.

Emri i fshatit të tyre duhet të vijë nga sheshi i
pashkëve, por të gjithë janë myslimanë, ndërsa nuk ka asgjë nga ato që
gjen në Ishullin e Pashkëve. Sidoqoftë ne e gjejmë intersant emrin e
fshatit që shtrihet në shpatin e një kodre të butë rreth 800 metra mbi
detë, ku pranvera sapo u ka dhënë ngjyrë arave dhe oborreve, ndërsa në
qetësinë e mëngjesit dëgjohen të thërriturat e një banori që nguc
kafshët me të cilat po punon arën. Kishim mbërritur këtu rastësisht,
por mund të kënaqeshim, qoftë edhe me emrin e sapo mësuar dhe me pamjen
emocionuese të arave që shkëlqejnë ndërsa dielli thyhet në vesën e
mëngjesit. Pashkasheshi një fshat i vogël, që vazhdon të zvogëlohet nga
migrimi i brendshëm nuk është nga ata që të lënë indiferent. Kamioni i
parë erdhi pas ndonja 15 minutash dhe shofei u tregua i gatshëm të na
kthente pas deri në Pëllumbas. Rruga qe më e lehtë dhe sigurisht tashmë
ishim më të sigurtë se do mund të shkonim në destinacion.

“Vazhdo drejt përmes fshatit dhe pyet aty, po ta
tregon vetë rruga për nga shkohet në shpellë”, na thotë shoferi pasi na
ka zbritur në hyrje të Pëllumbasit. Për fatin tonë të mirë nuk na u
desh që të pyesnim shumë dhe as të bënim hamendësime. Si kemi mbërritur
në qendër të fshatit dhe kemi ndarë mendjen të pimë një kafe në lokalin
e tij, takojmë njeriun e duhur. Behar Duqi qëndron këtu në pritje të
vizitorëve për në shpellë. Një njeri që e njeh mirë fshatin e tij nuk
do shumë të kuptojnë që ne jemi të ardhur dhe pas dy tre fjalëve të
para na thotë se ai është i ngarkuari me punë për shpellën. Tani po që
mund ta pinim të qetë kafenë, mirëpo nuk kishte drita dhe ajo s’do mund
të bëhej.Takimi me Beharin sidoqoftë i përmoirësoi planet tona. Kishim
një udhërrëfyes dhe nuk do ecnim kuturu. Përsëpari sipas këshillës së
tij u pajisëm me elektrikë dore dhe ujë dhe dy minuta më vonë ishim në
marshim drejt Shpellës së Zeza.

Rruga është një “shteg dhish” që kalon përmes një
pylli shkozash dhe pak kohë më parë e meritonte këtë emër edhe për nga
niveli i vështirësisë për të kaluar në të. Tani ajo është zgjeruar nja
dy tre pëllëmbë dhe vendet e vështira janë sheshuar nga Behari dhe
punëtorë të komunës duke e bërë më pak të rrezikshme dhe më të lehtë
udhëtimi dhe të shijuarit të pamjes së papërsëritshme të luginës së
Skoranës dhe shkrepave përrreth. Behari është marshues i shpejtë dhe
herë herë na duhet ta ndjekim me vrap. Sidoqoftë është një udhërrëfyes
i mirë dhe i di përmendësh vendet nga ku mund të shihet më mirë Erzeni
teposhtë në luginë ose majat përtej. Gjatë gjithë kohës nuk pushon
sëfoluri për shpellën dhe historinë e saj, por edhe për vendin ku jemi
duke shkelur. Duke ndaluar herë këtu dhe herë atje ai na tregon për atë
që e quajnë “Syri i Kaltër” i Erzenit, një llixhë dhe një gurrë uji dhe
pamja e të cilave mund të të lënë pa mendje. Është i bindur që në maja
ka shqiponja veç skifterëve e hutave, por ne patëm rastin të shihnim
vetëm sorrat dhe pëllumbat e mëdhej e të egër që i kanë dhënë emrin
fshatit.

35-40 minuta pasi ishim nisur nga Pëllumbasi ne
ndodheshim më në fund para hyrjes së Shpellës. Rrugës ndërkohë kishim
mundur të shijonim paqen që të fal të udhëtuarit në mes të një pylli,
ku mund të dëgjosh lehtë këngën e zogjve madje dhe të kapësh nuancat
mes asaj që këndon njëri apo tjetri lloj, dhe kishim pasur kohë të
mahniteshim me format e shkrepave apo ngjyrat e një fshati të braktisur
matan digës që i është vënë Erzenit për të mbledhur ujin për vaditje.
Hyrja e shpellës nuk është aq fort impresionuese, ndoshta përfaj të
zhgarravinave me emra dhe shenja që ndodhen në ballë të saj dhe që të
heqin në një farë mënyre ndjesinë e eksploruesit. Por pasi kemi kaluar
pragun dhe është bërë e nevojshme të ndezësh elektrikët e dorës dhe të
ecësh në tokën e butë që duket se mund të rrëshkasë nga momenti në
moment fillon vetvetiu të bëhesh i vëmendshëm ndaj mureve që hapen valë
valë deri sa zgjerohen në 35 metra (maksimumi) dhe tavanit që ngrihet
deri në 40 metra duke krijuar holle të pashoqe që zbukurohen me
stalaktite që zbresin nga çatia e shpellës dhe stalakmite që ngrihen
nga fundi i saj.

Shpella e Zeze 3463437788_30a72b85c9

Si je brenda ndjen menjëherë se ke humbur
kontaktin me diellin dhe të duhet të vishesh. “Kur të të jenë mësuar
sytë do shohësh që mund të ecësh edhe pa nevojën e dritës”, na thotë
Behari. Ai sqaron se pritet që një specialist të ndihmojë në heqjen e
shgarravinave të mureve dhe se prej kohësh në shpellë nuk kishte më
shgarravina të reja. Ky burrë që prej dy vjetësh është punësuar si
kujdestarë i shpellës duket se është lidhur fort me strukturat që
krijohen nga pikla të vogla uji që bien njëra mbi tjetrën në fragmente
kohohe të sakta duke krijuar zhurmën e dytë të famshme të një shpelle
pas të këlthiturës së lakuriqëve të natës. Si kemi hyrë Bahari zë e na
tregon me nge kollonat e krijuar në shekuj nga piklat e ujit dhe ato që
vazhdojnë të ngrihen duke i dhënë shpellës pamje të mbinatyrshme.
Banorët e Pëllumbasit prej shekujsh ka besuar se gjithçka këtu ishte
mbinatyrore. Behari na tregon ndërsa endemi në shpellë besimin e vjetër
se ajo nuk kishte fund e pak më vonë historinë e maces sëcilës si i
vunë këmborë e lanë të shkonte mes përmes shpellës për të dalë në
krahun tjetër dhe thonë se macja kishte dalë diku larg në një fshat
përtej malit. Në fakt shpella është matur dhe thuhet që ajo është rreth
300 metra. Por 300 metra mes guvash, kollonash dhe stalkatitesh të
panumërta të krijuara në mijëra vjet histori, janë një xhiro që duket e
pafund. Behari na prezanton me dy gërmimet e arkeologëve. Dy gropa të
hapura në dyshemenë e shpellës, ku lehtë duken shtresat e ndryshme që
njëkohësisht përshkruajnë edhe epoka të ndryshme kohore. “Këtu u gjetën
kocka të një ariu”, thotë Behari, pa e ditur që bëhej fjalë për ariun e
shpellave një specie që ka jetuar më shumë se 10 mijë vjet më parë,
ndërsa na shpjegon mëtej se arkeologët do të ktheheshin përsëri. Ata
kishin gjetur në shpellë enë dhe vegla pune që dëshmonin se njerëzit
kishin jetuar aty mijëra vite më parë. E ndërsa zhytemi më tej në
errësirë si kemi kaluar pa mundur të shohim konturet e zonës më të
lartë të shpellës pamjet e gurëve gëlqerorë në formim e sipër bëhen
edhe më fatazmagorike.

Dikund ato janë të rrumbullakëta dhe të latuara,
diku tjetër plot cepa dhe zgavra që duket se imitojnë pamjen e
përgjithshme të shpellës. Fatkeqësisht në dy a më shumë raste njeriu ka
ndërhyrë duke thyer një pjesë të stalaktiteve dhe stalakmiteve duke
lënë në gjysëm një punë që kishte nisur qindra vite më parë. Këto copa
të thyera na duken për një moment si gjymtyrët e një specie të
çuditshme që gjallon paprerë në thellësi të tokës. Behari thotë se të
gjitha mrekullitë që hasim kanë emra. Diku ai na tregon binjaket dy
stalakmite të ngritura një bojë njeriu nga toka dhe diku tjetër
“Mbretëreshën e Shpellës”, një stalaktit dhe një stalakmit me bazë të
ngushtë që vijnë duke u zgjeruar. Sipas Beharit koka e stalakmitit i
ngjan asaj të Deas. Por ne nuk na duket kështu edhe pse përfundimisht
bindemi që atmosfera në shpellë është ajo e një muzeu herojsh bustet
dhe shtatoret e të cilëve janë vërtetë madhështore por të mbetura pa
emra ngase ndodhen aty prej kohësh që njeriu nuk mund t’i mbajë mend.

Elektrikët tonë dolën që nuk punonin edhe aq mirë
dhe drita e tyre ishte mjaft e zbehtë për të ndriçuar mjaftueshëm,
kështuqë ndërsa i largohemi hyrjes, ndriçimi na bëhet mjaft problematik
edhe pse na jep mundësi të shohim aq sa të mund të ecim dhe të shohim
nga afër pamjen e një tjetër “krijese” të mbinatyrshme. Behari thotë se
ajo i ngjan një kafke nga afër dhe nga larg përkrenares së Skënderbeut,
ne biem dakord edhe pse nuk jemi në gjendje të dallojmë fort mirë
ngjashmëritë qoftë me të parën qoftë me të dytën, madje edhe pasi
udhërrëfyesi unë na ka treguar “brirët” dy stalakmite që rriten të
veçuar në kokë të të madhit...

Si kemi mbërritur fare pranë fundit drejtuesi unë
vendos të kthehemi. Pak më tutje tavani është plot me lakuriqë dhe që
tani ne mund të dëgjojmë klidhjen e tyre që me apo pa frikë të ngjeth
mishin. Sidoqoftë arsye se pse po kthehemi është se pak më tej errësira
është e plotë dhe vendi i rrëshkitshëm. Ne i besojmë udhërrëfyesit dhe
kthehemi nëpër shpellë, por pa pasur mundësi të shkelim në të njëjtat
vende duke u dalë në krahë të ndryshëm kollonave dhe duke shkelur me
kujdes në dheun e butë të shpellës. Tani vërtetë që mund të shohim më
mirë dhe sytë, përfundimisht të mësuar me errësirën arrijnë edhe të
shquajnë tavanin e lartë të shpellës që se pamë kur hymë. Tani është
drita që vjen nga hyrja që na i bezdis sytë. “Ju thashë”, thotë Behari
dhe vazhdon të udhëheqë i sigurtë duke na kërkuar herë të ulim kokën
herë të kujdesemi për gropat...

Sërisht jashtë ne mund t’i gëzohemi përsëri dritës
dhe gjelbërimit dhe të dëgjojmë të njëjtën melodi zogjsh. Tani ulemi
për të pushuar në një nga stolat e vënë enkas për ata që vijnë në
shpellë pak metra nga hyrja e saj dhe i kënaqemi për pak minuta
panoramës dhe mund të lëshojmë fantazinë. Si mund të kenë jetuar këtu
të parët tanë? Si e quanin ata shpellën?

Marrim rrugën e kthimit dhe Behari kujtohet
ndërkohë për një histori me barinj që në verë mbyllnin bagëtinë në
shpellë. “Dy net rrjesht ata e gjetën portën të hapur dhe bagëtinë të
shpërndarë në pyll, të tretën vendosën të përgjonin”, tregon ai. Dhe
pikërisht ditën e tretë barijtë hasën me një qenie që gjetën duke
pastruar shpellën. Udhërrëfyesi nuk i vë emër asaj, xhind apo fantazëm,
vetëm thotë se ajo u kishte thënë barinjve të mos ktheheshin më.
Legjenda thotë se prej asaj kohe ai vend nuk u përdor më për të mërzyer
bagëtitë, por njerëzit u futën aty saherë që pati luftë, madje në të
është futur e gjithë Bërzhita në Luftën e Dytë Botërore sipas rrëfyesit
tonë. Ai tani vendos të nxitojë i duhet të jetë në kohë në vendin e tij
për të pritur të tjerë vizitorë dhe ne ende nuk kemi mbërritur tamam në
fshat kur ai shquan autobusin. Kur i takojmë mësojnë se janë
gjimnazistët e Sami Frashërit, që do duan të shikojnë shpellën dhe
ushqejnë fantazinë me pamjen përrallore të stalagmiteve dhe
stalaktiteve e ndoshta të meditojnë për mënyrën se si kanë jetuar të
parët.

Botuar ne Korrieri
Geri
Geri
Fondatore St@ff Forum
Fondatore St@ff Forum

<b>Postime</b> Postime : 19707
 <b>Piket</b> Piket : 23805
Regjistruar : 21/04/2009
 <b>Mosha</b> Mosha : 35
 <b>Vendbanimi</b> Vendbanimi : Ne qytetin e dashur Tirone

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi