Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Dieta mesdhetare largon bllokimin e arterieve dhe atakun

 :: Show Biz

Shko poshtë

Dieta mesdhetare largon bllokimin e arterieve dhe atakun  Empty Dieta mesdhetare largon bllokimin e arterieve dhe atakun

Mesazh nga Erisa1 Wed 8 May 2013 - 11:45



Rreth 30 për qind e atakëve kardiakë, bllokimit të arterieve dhe vdekjeve nga sëmundjet e zemrës mund të parandalohen mes njerëzve me rrezik të lartë nëse ata kalojnë te dieta mesdhetare, e cila është e pasur me vaj ulliri, arra, groshë, peshk, fruta dhe zarzavate dhe madje edhe nëse pinë verë gjatë çdo vakti, zbuloi një studim i madh dhe rigoroz.

Zbulimet e publikuara në Gazetën e Mjekësisë së Anglisë së Re u bazuan në tentativën e parë madhore për të matur në kushte klinike efektet e dietës në sëmundjet e zemrës. Madhësia e efekteve të dietës i habiti ekspertët. Studimi u përfundua gati pesë vjet para afatit sepse rezultatet ishin kaq të qartë dhe u konsiderua joetike të vijohej më tutje.

Dieta ndihmoi ata që e ndiqnin, edhe nëse ata nuk humbën peshë dhe shumica e tyre sakaq po merrnin ilaçe për uljen e presionit të gjakut apo mbajtjen e diabetit nën kontroll për të reduktuar rrezikun e sëmundjeve të zemrës.

“Me të vërtetë mbresëlënës”, tha Rachel Johnson, profesor nutricionist në Universitetin e Vermontit dhe zëdhënës për Shoqatën Amerikane të Zemrës. Studiuesit nuk morën parasysh faktorë të tjerë të rrezikut si hipertensioni, pesha apo kolesteroli. Ata panë vetëm atakët kardiakë dhe vdekjet. Në fund të ditës, kjo është çfarë ka me të vërtetë rëndësi.

Deri tani, provat që të tregonin se dieta mesdhetare redukton rrezikun e sëmundjeve të zemrës qenë të dobëta, të bazuara më së shumti në të dhëna që tregonin se banorët e Mesdheut dukej se kishin norma më të ulëta të sëmundjeve të zemrës, një tipar që mund të interpretohej edhe me faktorë të tjerë përveç dietës. Ndërsa disa ekspertë kanë qenë skeptikë për faktin që efekti i dietës mund të dallohet, në rast se ai në fund të fundit ekziston, për shkak se shumë më tepër njerëz sakaq po konsumojnë ilaçe të fuqishme për të reduktuar rrezikun e sëmundjeve të zemrës. Ekspertë të tjerë nguronin të rekomandonin dietën mesdhetare për njerëzit që sakaq kishin probleme me peshën për shkak se vaji dhe arrat kanë shumë kalori.

Ekspertët e sëmundjeve të zemrës thanë se studimi ishte me të vërtetë një triumf për shkak se tregoi se një dietë është e fuqishme dhe ka ndikim në reduktimin e sëmundjeve të zemrës dhe se kjo tashmë është provuar përmes metodave shkencore shumë rigoroze. Shkencëtarët zgjodhën në mënyrë rastësore 7,447 njerëz në Spanjë, të cilët qenë mbi peshë, duhanpirës apo që kishin diabet e faktorë të tjerë rreziku. Ata i nënshtruan këta njerëz ndaj një diete mesdhetare dhe një diete të zakonshme me kalori të ulëta.

Dietat me kalori të ulëta nuk treguan në asnjë mënyrë vlera ndërsa për pacientët, një dietë e tillë ishte tepër e vështirë për t’u mbajtur. Dr. Steven E. Nissen, kryetar i departamentit të mjekësisë kardiovaskulare në Fondacionin Klinik Kliveland tha: “Tashmë erdhi ky grup që bëri një studim gjigant në Spanjë, që thotë se mund të hash mirë dhe këndshëm në një dietë të balancuar me fruta, zarzavate dhe vaj ulliri dhe njëkohësisht mund të ulësh rrezikun e sëmundjeve të zemrës me 30 për qind. Dhe ndërsa ul rrezikun, ti e shijon jetën”.

Studimi, nga Dr. Ramon Estruch, një profesor i mjekësisë në Universitetin e Barcelonës dhe kolegët e tij, është planifikuar prej shumë kohësh. Studiuesit udhëtuan nëpër botë duke kërkuar këshilla se si mund t’u përgjigjeshin më mirë pyetjeve nëse dieta më vete mjaftonte për të reduktuar rrezikun. Ata shkuan në Shkollën e Shëndetit Publik në Harvard shumë herë për t’u konsultuar me Dr. Frank M. Sacks, një profesor i parandalimit të sëmundjeve kardiovaskulare. Në fund, ata vendosën të zgjedhin rastësisht subjektet me rrezik të lartë për testin dhe i ndanë ata në tre grupe. Njërit i dhanë dietë me pak yndyrë dhe i konsultuan si ta ndiqnin këtë dietë. Dy grupet e tjera u këshilluan të ndjekin një dietë mesdhetare. Në fillim, ata të dietës mesdhetare morën më shumë mbështetje. Ata u takuan rregullisht me dietologët, ndërsa anëtarët e grupit me yndyrë të ulët morën vetëm një vizitë fillestare trajnimi si t’i nënshtroheshin kësaj diete, pasuar nga një fletëpalosje çdo vit. Pastaj kërkuesit vendosën të shtojnë seancat e këshillave për ta, por sërish ata patën vështirësi në respektim të dietës.

Njërit prej grupeve të dietës mesdhetare iu rekomandua një dozë shtesë vaji ekstra të virgjër ulliri çdo javë me së paku 4 lugë tavoline konsum ditor. Grupi tjetër mori një kombinim arrash, lajthish e bajamesh dhe iu rekomandua të hanin rreth 30 gramë në ditë.

Dieta kryesore përbëhej nga së paku tri vakte në ditë me fruta dhe së paku dy vakte në ditë me zarzavate. Pjesëmarrësit konsumuan peshk së paku tri herë në javë dhe bishtajore, ku përfshihen groshët, bathët apo bizelet. Ata duhej të hanin mish të bardhë dhe jo mish të kuq, dhe për ata që qenë të mësuar me pijen, duhej të pinin së paku shtatë gota verë në javë bashkë me ushqimin.

Ata u nxitën të mos konsumonin ëmbëlsira industriale, si dhe të kufizonin konsumimin e bulmetit apo mishit të përpunuar.

Për të vlerësuar nënshtrimin ndaj dietës mesdhetare, kërkuesit matën nivelin e konsumit të vajit të ullirit dhe elementëve të tjerë në urinë.

Kërkuesit thanë se pjesëmarrësit i qëndruan dietës mesdhetare me lehtësi dhe kënaqësi. Por ata që iu nënshtruan dietës me yndyrë të ulët nuk ia dolën të ulin konsumin e yndyrës mjaftueshëm. Kështu studimi në fund krahasoi dietën e zakonshme moderne që ka konsum të rregullt të mishit të kuq dhe drithërave të përgatitur në shkallë industriale me një dietë që ishte larg këtyre mallrave.

Dr. Estruch tha se ai besonte se efekti i dietës mesdhetare ishte rrjedhojë e së gjithë paketës dhe jo thjesht e vajit të ullirit dhe fruta të thata. Por ai nuk priste të shihte efekt kaq shpejt. “Efekti qe me të vërtetë habitës për ne”, tha ai.

Kërkuesit thanë me kujdes në studimin e tyre se ndërsa dieta dukshëm reduktonte rrezikun e sëmundjeve të zemrës për ata me rrezik të lartë, më shumë kërkime janë të nevojshme për të vlerësuar përfitimet e dietës nga njerëzit me rrezik të ulët.

Dr. Estruch tha se priste që studimi të ndihmonte njerëzit si me rrezik të lartë ashtu edhe me rrezik të ulët dhe shtoi se mënyra më e mirë për të përdorur dietën për mbrojtje është që ta filloje atë në fëmijëri.

Por jo të gjithë janë të bindur. Dr. Caldwell Blakeman Esselstyn Jr., autor i një libri të shumëshitur me titull “Ndalo dhe shëro sëmundjet e zemrës: Kura revolucionare, shkencërisht e provuar përmes ushqimit”, i cili promovon një dietë vegjetariane dhe nuk lejon përdorimin e vajit të ullirit, e hodhi poshtë studimin.

Mendimet e tij si dhe ato të një promovuesi tjetër të dietave me yndyrë shumë të ulët, dr. Dean Ornish, kanë ndikuar shumë njerëz të përpiqen të bëhen vegjetarianë. Ish-presidenti Bill Clinton deklaroi një herë në një intervistë se mendimet e dr. Esselstyn dhe dr. Ornish e kanë bindur atë se mund të shërojë veten nga sëmundja e zemrës në këtë mënyrë.

Dr. Esselstin tha se ata që iu nënshtruan dietës mesdhetare sërish patën atakë kardiakë dhe bllokim arteriesh. Kështu, tha ai, studimi tregoi për ne se “dieta mesdhetare dhe dieta e kontrollit të tmerrshëm qenë në gjendje të krijojnë sëmundje te njerëzit që në raste të tjera nuk do t’i kishin këto sëmundje”.

Shumë njerëz të tjerë e përshëndetën studimin.

“Ky grup duhet të urohet për faktin se kanë kryer një studim që është pothuajse e pamundur të bëhet mirë”, tha dr. Rober H. Eckel, një profesor i mjekësisë në Universitetin e Kolorados dhe një ish-president i Shoqatës Amerikane të Zemrës.

Sa iu përket kërkuesve, ata vetë e kanë ndryshuar dietën e tyre dhe tashmë po kënaqen me ushqimet mesdhetare, tha dr. Estruch.

“Ne të gjithë kemi mësuar nga kjo gjë”, tha ai.

TCH
Erisa1
Erisa1
Hapësira Jonë - Forum
Hapësira Jonë - Forum

<b>Postime</b> Postime : 2039
 <b>Piket</b> Piket : 2564
Regjistruar : 28/04/2009
 <b>Mosha</b> Mosha : 34
 <b>Vendbanimi</b> Vendbanimi : Pran Gjanices

http://www.hapesirajone.com/

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye


 :: Show Biz

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi