Përballja me realitetin e zymtë shqiptar
Faqja 1 e 1
Përballja me realitetin e zymtë shqiptar
Mr. Taulant Malaj
Sa herë që dikush prej nesh guxon të parashtrojë problematikën e gjendjes dhe zhvillimeve politike në trojet shqiptare etiketimet nuk mungojnë duke i quajtur si ekstremistë të djathtë apo të majtë varësisht nga krahu që mbahet në këto analizime. Megjithatë, jo rrallë ka edhe nga ata, ku edhe bëj pjesë vetë, që e shohin problemin si përtej bastioneve politike të njërit apo tjetrit krah politik, dhe duke qenë të tillë epiteti që i vihet këtij grupimi është si “jashtë realitetit”. Problemi shqiptar, nëse e quajmë si të tillë atë që i karakterizon zhvillimet në Tiranë, Prishtinë, Shkup dhe Podgoricë, qëndron te klasa politike në përgjithësi, dhe tek inferioriteti që e karakterizon popullin shqiptar kur vjen moment i ndëshkimit me anë të votës.
Kritikat kanë një funksion shumë të rëndësishëm dhe që ka të bëjë me përmirësimin e gabimeve në mënyrë që ato të mos përsëriten në të ardhmen dhe kësisoj të mund të arrijmë rezultate më të mira në rrugën tonë të zhvillimit. Megjithatë kur kritikat vinë nga jashtë, atëherë i marrim shumë më seriozisht sesa ato që vinë nga brenda, ato që do duhet të ishin parësore, por që trajtohen me nënçmim dhe përbuzje. Dhe vijmë tek një moment kur pas zgjedhjesh lokale që i ngjajnë një tragjikomedie njëri nga ambasadorët e akredituar në Tiranë, dhe konkretisht ai i Danimarkës, arrin të thyej akullin e sjelljes dhe gjuhës diplomatike për të drejtuar shigjetat aty ku politikës shqiptare i dhemb më shumë, kritikës së ashpër ndaj përgjegjësisë së saj për humbjen 20 vjeçare që ka karakterizuar Shqipërinë që nga 1990. Të gjithë, e vlerësojmë intervistën e tij si me vlerë, dhe e tillë është, por harrojmë se këto që po thotë ambasadori danez sot në 2011 janë thënë mijëra herë nga ata zërat e të cilëve mbyten në anormalitetin e zhvillimeve shqiptare.
Sa herë që ngrihet zëri kundrejt padrejtësisë së zhvillimit ekonomik, apo padrejtësive që karakterizojnë administratën publike, apo lidhjen e ngushtë midis politikanëve dhe krimit të organizuar shqiptar e ndërkombëtar, ky zë përplaset në veshët e “shurdhër” të shqiptarëve të cilët duket sikur nuk duan të dëgjojnë atë që edhe vetë e përjetojnë çdo ditë. Produkt i këtij “indiferentizmi” është vazhdimësia dhe qetësia me të cilën politikanët shqiptarë (më saktë hajdutët me pushtet të pakufizuar) ndërtojnë kështjellat e tyre të pasurisë dhe luftës klanore të radhës.
Të thuash që administrata publike është çdo gjë por jo “publike”, pasi nuk përfaqëson interesat e publikut, por ato të klaneve qeverisëse dhe miqësive, është më i vogli konstatim në një vend ku personat me precedent penale mbajnë pozicione zyrtare, apo ku një drejtuesi i lartë i policisë së shtetit është i përfshirë në rrjete ndërkombëtare të trafikimit të drogës, apo ku një person i akuzuar për vrasje merr tenderë publikë në qendër të Tiranës, apo ku një person që ka falsifikuar diplomën universitare qëndron përkrah drejtuesve kryesorë të opozitës, apo aty ku një ministër duart e të cilit janë të lara me gjak mban postin i pashqetësuar nga sovrani. Po ç’mund të thuash kur 4 persona vriten me armët e shtetit gjatë një proteste dhe askush nuk e vë ujin në zjarr për tu dhënë drejtësi shpirtrave të tyre dhe familjeve që humbën dritën e ekzistencës së tyre?
Problemi shqiptar është shumë më thellë sesa thjesht politika e korruptuar në nivele qelizore dhe diktatura që mbajti Shqipërinë pronë të saj për 45 vjet me radhë. Shqipëria dhe shqiptarët janë fajtorë ndaj vetvetes, sepse nuk kanë arritur kurrë të bëjnë një “revolucion” të plotë që do sillte pastrimin e nevojshëm të klasës udhëheqëse nga veset shekullore të luftës ndaj njëri-tjetrit në vend që të bashkëpunojnë. Ambasadori Danez me të drejtë vëren se politika shqiptare ka si lajtmotiv shkatërrimin e kundërshtarit dhe jo bashkëpunimin për zhvillim.
Ish zv.kryeministri Meta nuk meriton të jetë pjesë e qeverisjeve dhe as e skenës politike shqiptare mbase, por shkatërrimi i tij politik nuk duhej të ishte baza e fushatës që opozita shqiptare ndërmori në 2009. Inatet personale dhe lufta klanore është ajo që mbizotëron në Tiranën e 2011, në Tiranën që synon anëtarësimin në BE atje ku inatet personale mes politikanëve edhe nëse ekzistojnë nuk dalin kurrë në publik, sepse kjo do sillte shkatërrimin e të dy palëve. Në Tiranë askush nuk pyet për këtë, sepse në Tiranë e Prishtinë askush nuk pyet për atë se çfarë mendon “Sovrani” dhe çfarë i duhet atij për tu zhvilluar. Ndërkohë, sovrani vazhdon të sillet si një i burgosur ordiner në burgjet e Siberisë - sjellje prej skllavi.
Daljet e tilla të diplomatëve të huaj janë shumë të nevojshme, por përsa kohë ato do jenë dalje individuale, atëherë ato do mbeten të tilla dhe do humbasin në detin e korrupsionit, injorancës dhe inferioritetit shqiptar. Gjuha diplomatike, dhe ajo e interesave që vetë ambasadorët përfaqësojnë, duhet të shërbejë si mjet shtesë në luftën që vetë sovrani duhet të zhvillojë për të larguar ata që janë përgjegjës për dështimin 20 vjeçar të popullit shqiptar, klasën politike aktuale. Në Amerikën, që shqiptarët duan t’i ngjanë, dikur vepronin vigilante sa herë që sistemi i drejtësisë dhe ai i organeve ligjzbatuese nuk funksiononte siç duhej në respekt të zbatimit të ligjit. Ky nocion, në 2011 duhet të jetë reagimi i përgjithshëm i një populli që çdo ditë e më tepër vidhet, poshtërohet dhe masakrohet nga ata që zënë 80 % të kohës në ekranet televizive lokale, ata që deklarojnë pasuri miliona eurosh në një vend ku një nëpunës i shtetit merr 250 Euro në muaj.
Shqiptareve duhet të realizojnë atë që duhet të kishin bërë 20 vjet me parë, pastrimin nga mbetjet më negative të sistemit komunist, pastrimin nga ata që ditën shajnë të kaluarën, ndërsa natën flenë me portretin e Hoxhës nën jastëk.
Vizitor- Vizitor
Faqja 1 e 1
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi