Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Victor HUGO

Shko poshtë

Victor HUGO Empty Victor HUGO

Mesazh nga engjell a djall Tue 12 May 2009 - 17:34

A Villequier

Tani që shkova nga Parisi i vështirë
Mermer, tavane, truall, megull nuk shoh,
Tani jam nën lisa, nën degë i shtrirë,
Dhe bukuria e qiellit mendjen po ma ngroh.

Tani nga zia që më çthuri si germadhë
I zbehtë i gjallë dal,
Me hyn në zemer paqja e natyrës së madhe
Dhe qetësi më fal.

Tani me valët deti i gjerë me gostit,
Më prek I qeti, madhështori horizont;
Tani të thellat të vërteta po nxonit,
Dhe lulet e lëndinës syri m’i gëzon.

Tani, o Perendi, po gjej fuqinë sterrë
Të shoh me sytë e zes
Të shkretin gur nën të cilin vajza e mjerë
Fle gjumin pa mëngjes.

Nga pamjet perëndore mendja mu ndriçua,
Nga fushat, pyet, brigjet, lumi i kulluar,
Shoh vogëlinë time dhe çuditë e tua,
Mbledh mendjen, di që je i madh, i pambaruar.

Ja ku të vij, o Atë që besoj, o Zot,
Të sjell përunjësisht
Zemrën që m’a ke mbushur me lavdi, dhe sot
M’a theve plotësisht.

Ja ku të vij, o Zot, dhe proklamoj që Je
I mirë i embël i dhembshur, Perëndi i Jetës,
I vetemi që di se ç’bën dhe përse.
Njeriu është kallam i shembur i kënetës.

Të të them që varri, kur të vdekurit mbulon,
Portën e qiellit hap,
Që jeta jonë tatëpjetë kur mbaron
Përpjetë nis me vrap.

Je i pasosur, absolut, dhe i vërtetë
Ti vetem, Atë i larte, e pranoj mbi gju;
Pranoj që është e mirë, është e drejtë
Që zemra mu përgjak, se Zoti e deshi ashtu.

Më s’kundreshtoj për asnjë gjë që po më ther,
Se ashtu deshe ti;
Shpirti nga zi në zi, edhe nga vrer në vrer
Shkon në përjetësi.

S’po shohim kurrë asgjë përveçse nga një anë,
Tjetra anë mbytet në mister e në furtunë;
Njeriu vuan nën zgjedhë e s’e di shkakunë,
Çdo gjë i fluturon, asgjë s’i hyn në punë.

O Zot, përherë na rrethon me shkretëtinë,
Me pranga dhe me fre;
S’ke dashur kurrë te na japesh sigurinë
Dhe gazin përmbi dhe.

Sa shohim një të mirë, fati na e tret,
S’na dhe asgjë në jeten rotë edhe rodhan
Që të qendrojë dhe të themi, mor aman:
Kam një shtëpi, një arë, dhe një dashuri.

Çdo gjë e shoim për një çast të kufizuar
Dhe mplakemi pa shteg;
Kështu na qenka, ashtu ka për të vazhduar.
Pranoj edhe s’e prek.

Kjo botë, o Zot, kjo harmoni e pandryshuar
Përbëhet me vajtime edhe me kremtime;
Bërthama jemi në tufan të pambaruar,
Të mirët hipin, dhe të ligjtë zhyten në mundime.

E di, o Zot, ke punë shumë, dhe s’ke nge
Për ne të bëhesh vrer;
Për nënën vdekj’e foshnjës djeg si një rufe,
Po ty s’të bën qeder.

E di që pema bie kur i fryn një erë,
Zogut i bie penda, lulja shkund aromën;
Kriesa është rotë e madhe si potere,
Dhe sillet rotull duke shtypur udhës llomën.

Se ditët, muajt, valët, sytë që vajtojnë
Kalojnë pa pushim,
Se bari do të mbijë foshnjat do të shkojnë,
E di, o Zot im.

Në qiellin tënd përsipër reve të vështira,
Në kaltërsirën e patundur madhështore
Po mbruan e po gatit kush e di ç’mirësira
Ku hyn si pjesë e duhur dhembja njerëzore.

Për planet e panumërta që po përmban
Të duhet pa dyshim
Të mbytësh bukuritë e dheut në tufan,
Në zi, dhe në mjerim.

Kanunet që hartojnë fatin njerëzor
Nuk e tronditën, nuk e zbutën asnjë herë,
Se s’mund, o Zot, t’a ç'thurësh rendin botëror
I shtyrë nga mëshira për njeriun e mjerë.

O Zot I madh, të lutem hidh një sy mbi mua
Shëroje shpirtin tim;
I ëmbël, i përulur posi foshnjë e e grua
Te vijë me adhurim.

Kujto, o Zot, që kam punuar që në krye,
Që jam përpjekur, kam menduar, kam luftuar,
Natyrën kam shpjeguar plot me arsye
Çdo gjë me kthjellësinë tënde e kam ndriçuar.

Detyrën time e mbarova besërisht
Përballa zemërim,
Pra nuk e prisja me të drejtë e natyrisht
Nga ty këtë shpërblim.

Nuk e parashikoja kurrë që dhe ti
Me krahun tënd të më goditje mbi kokë
Dhe mua që kam patur rrallë prokopi
Të ma varrosje bijën kaq shpejt në tokë.

Me zemrën të plagosur kaq rëndë u drodha
Të nëma me furi
Si foshnje, edhe kundër teje ndofta hodha
Një gur në det të zi.

Kujto, o Zot, njeriu po dyshon kur vuan,
Se syri që po qan verbohet në errësirë,
Se në budrumin ku është hedhur nuk të shquan,
S'të sheh, e s'të përfill, e s'të kërkon mëshirë.

Njeriu që fundoset thellë në greminë
Në pis' e në katran,
Nuk është e mundur të gëzojë qetësinë
Të yjeve në mejdan.

Sot unë, që si nënë isha dobësuar,
Në këmbë të përulem nën qiell të lirë,
Nga hidhërimi i egër ndjej që jam ndriçuar
Duke shikuar gjithësinë ca më mirë.

O Zot, e di që jam i çmendur pa kufi
Kur murmurit e shaj;
Pra hesht, s'mallkoj, e s'akuzoj, por nëm liri
Të çirem e të qaj.

Më ler me kujë e lot, me vaj e vrer të ngrysem
Pasi njeriun e bëre për litar dhe hu;
Mbi këtë gur të ftohtë lermë të përmbysem
Dhe të pyes: Moj bijë, a e di që jam këtu?

Më ler t'i ulem mbrëmjeve mbi varr e t'i flas
Kur bota rreth pushon,
Se ndofta ëngjëlli në qiell, kur të bërtas,
Çel sytë e më dëgjon.

Ajme, për kohën e kaluar kam zili;
Tani asgjë në botë ngushullim s'më sjell;
Përherë atë çast me sy e shoh tani
Kur hapi krahët edhe fluturoi në qiell.]

Nuk e harroj gjer sa të vdes çastin e zi;
Ç'të qava, o çast, më kot!
Bërtita: O Zot, qëparthi e kisha, dhe tani
S'e kam! dhe qaj me lot.

Zot, mos u zemëro që sillem si i eger;
Kjo plagë pikon gjak, dhe s'ka asnjë shërim;
Sa vete helmi ashpërohet ca më tepër;
Jam i përulur, po s'kam më aspak durim.

Zot, mos u zemëro, faqen m'a dhe për hall,
Syrin m'a dhe për lot,
Po force dhe takat s'më dhe që t'i përball
Zullmet bot e bot
engjell a djall
engjell a djall
Hapësira Jonë - Forum
Hapësira Jonë - Forum

<b>Postime</b> Postime : 7372
 <b>Piket</b> Piket : 8226
Regjistruar : 25/04/2009

https://hapesira.albanianforum.net/shkrimtare-shqiptare-f48/poezi

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Victor HUGO Empty Re: Victor HUGO

Mesazh nga engjell a djall Tue 12 May 2009 - 17:34

Shiko, fëmijët po na duhen pa dyshim,
O Zot; se fati na përmbyti në errësirë,
Na thuri me andralla, helm e hidhërim,
Po një mëngjes na zbarth me hir edhe mëshirë.

Një foshnje lind, një kokë e dashur dhe e shtrenjtë,
E vogël, gas përhap,
E bukur sa beson që dorë e saj e shenjtë
Portën e qiellit hap.

E pashë lulen që Imzot në kopsht më mbolli,
U rrit me hir, me ëmbëlsi, dhe kthjellësi,
E dashura nga nata në mëngjes na solli,
Na ndriti si një diell zemër dhe shtëpi.

Vazhdoj me vjete si i vetëmi gëzim
Që munda t'ëndërroj;
Tani, o Zot i madh, kuptom se ç'hidhërim
Po ndjej që s'e shikoj.
engjell a djall
engjell a djall
Hapësira Jonë - Forum
Hapësira Jonë - Forum

<b>Postime</b> Postime : 7372
 <b>Piket</b> Piket : 8226
Regjistruar : 25/04/2009

https://hapesira.albanianforum.net/shkrimtare-shqiptare-f48/poezi

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye


 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi