Ali Podrimja: poeti i parë nga Kosova në greqisht!
Faqja 1 e 1
Ali Podrimja: poeti i parë nga Kosova në greqisht!
‘Harta e Grisur', vëlllim me poezi i poetit të njohur, bardit të
poezisë mbarëkombëtare, tashmë gjendet edhe në duart e lexuesve grekë,
falë krijuesit dhe veprimtarit, Iljaz Bobaj, i cili ka bërë përkthimin e
këtij vëllimi poetik.
‘Harta e grisur’, këtyre ditëve është prezantuar në Athinë, para një
numri të madh të krijuesve grekë dhe shqiptarë, por edhe para shumë
mërgimtarëve tanë që gjenden në Athinë. Ali Podrimja u quaj ikonë e
poezisë sonë, bardi i vargut shqip dhe me epite të tjera. Podrmija, para
të pranishmëve paraqiti kumtesëne tij, të cilëm po e japim në tërësi.
Ali Podrimja
KTHEHU NË VARGUN E HOMERIT
Kthehu në vargun e Homerit
Kthehu atje prej nga erdhe
Koha jote s’është kjo kthehu
Liroji njerëzit prej vetvetes
E hijeve liroji prej maskave
E ikjeve liroji prej pagjumësisë
E heshtjeve liroji prej etheve
E shirave koha jote s’është kjo
Kthehu në vargun e Homerit
Troja ra e Marsejezën
Kahmot s’e këndojnë njerëzit
(1971)
NUK JE VETËM I VETVETËS
Ali Podrimja
Krijuesi ka punë me magjinë dhe me të menduarit. Përkushtimi i
njëmendtë ngrit atë në individualitet. Megjithatë ekzistojnë gjëra që
nuk mund të vësh dorë se je i pari, që merresh me këtë apo atë çështje.
Përpjekjet për origjinalitet janë sizifiane. Bota është harxhuar shumë
dhe aq shumë është eksploatuar gjuha sa njeriu dridhet kur tenton të
lërë diçka në letrën e bardhë.
Rreth motivit të labirinthit ishte diskutuar gjatë kush kë e ka
imituar. Kafka apo Borhesi. Ndikimi për e rreth labirinthit te këta dy
kolosë ishte nga një i tretë, sofisti i lashtësisë greke, Zenon. Gilles
Lapouge, në një tekst të tij rreth këtij problemi te shkrimtarët e
nderuar, e shihte te degëzimi i ideve.
Borhesi mbështet idenë se shkrimtari krijon pasardhësin e vet. Do të thotë se ne jetojmë dhe e lexojmë jetën në variante.
Për përkimet mes krijuesëve kisha dëgjuar. Do përmend dy poetë
gjeniale: Lasgush Poradecin dhe Emineskun: kanë ndonjë afri idesh,
motivesh, simbolesh formash; fjalë karakteristike nga leksiku, por nuk
bën të pranohet rrënimi i gjeniut shkaku i ambicieve të ca liliputanëve,
që artin e jetën e shihnin nga një dritare e zymtë.
Qarku letrar i Prishtinës, siç ka zënë të thuhet e që ishin ndeshur
me Realizmin socialist. Në vitin 1971 botuan një tekst problemor “Vox clamantis in diserto”.
Qëndrimin e tyre e kishin dëshmuar dhe në krijimtari. Arsyet pse nuk e
pranonin ishte se nuk mund ta pranonin një artikulim të dështuar, as
doktrinat ideologjike, ku imazhi shqiptar ishte mjaft pikëllues. Pra
mungonte letërsia e mirëfilltë.
Buzë plazhit të Ilirisë më projektoheshin vitet e 60-ta. Në poezinë
shqipe hetoheshin përkimet me poezinë spanjolle, sidomos me Lorkën e
Maçadën, po edhe me ca poetë europianë, posaçërisht prania e Aragonit.
Përkimet megjithatë luajten rol në afrimin e kulturave dhe popujve. Ca
motive nga lashtësia sot e gjithë ditën trajtohen në mënyrë të vet si te
shqiptarët, ashtu dhe te grekët e sllavët, edhe pse murimi pranohet si
yni. Kujtojeni Urën e Shenjtë, Rozafatin…
Rasti i Lasgushitme Emineskun dhe zhurma rreth përkimeve të tyre
bëhet edhe për arsye të tjera. Krijuesi i formatit të Lasgushit pengon
ata që janë nën hijen e tij, ndërsa degëzimet e tij në poetikën
shqiptare sa vijnë e shtrihen. Geni i tij është i një gjeniu, jo i
ndonjë matrapazi që ngritjen e sheh në rrënimin e vlerës. Nga leksiku i
shqipes voli maksimumin dhe pasardhësve ua tregoi udhën; se fjala është
ajo që bën çudira në ngrehinën e poezisë. Nëse Eminesku paska shkruar
për gjeniun krijues, liqenin apo për ndonjë motiv nga lashtësia hinduse,
bën të shkruajnë dhe të tjerët. Gjeniu mbështet avancimin e ideve, e
mesazheve; elaborimin e vazhdueshëm të motiveve e formave, dhe mbetet
ajo që është më e arritshmja.
Në përkime, megjithatë, ekzistojnë nuanca të theksuara që dallojnë
krijuesit. Eminesku me përkushtim rumun dhe universal me art, disi
kështu thoshte Tudor Argjezi. Ndërsa Lasgushi është diç tjetër, latues i
vargut dhe më ëndërrimtar; ka një artikulim të veçantë për probleme
njerëzore e artin, mbetet një bashkëkohës. Edhe pse dy poetë përkojnë në
ca poezi, janë individualitete të veçanta e të paarritshëm.
Rreth origjinës së Emineskut ka supozime të ndryshme. Quhej Mihal
Eminoviç. Sufiksi viç nuk është karakteristik për rumunët e më së paku
parashtesa emin. Në një shkrim të vetin Mitrush Kuteli thoshte se ky më së paku është rumun edhe pse kritika kishte zënë ta quante: Eminesku është Rumania.
Nder i tillë nuk mbahet mend se i është bërë ndonjë krijuesi. Kjo është
çështje rumune. Por mbiemri i tij Eminoviç mundëson t’i kërkohet
origjina në Dardani. Kuteli e kishte zbritur në hapësirën shqiptare.
Ekziston mundësia se shqiptarët mërgonin dhe shumë nga ta bënin emër në
mjedisin e ri. Ndërrimi i mbiemrit ndodhi se: i dukej Eminesku më bukur,
një lirim nga sufiksi që përkujtonte të kaluarën e tij ndoshta.
Pa marrë parasysh, është i anës sonë apo puro rumun, Eminesku nga
leukonia e mediokërve përjetoi sharje të mëdha.Kjo ndodhi shkaku i
xhelozisë dhe famës së tij që gëzonte jo vetëm në Rumani. Përndjekja
vazhdoi derisa e çmenden. Dy vjet pas Rumania humb njërin nga poetët më
të mëdhenj.
Dhe tek i dëgjoja shqirrjet rreth gjenialitetit të Lasgushit, buzë
plazhit të Ilirisë, më kishte rrëmbyer valë deti dhe gati i ngjaja
Martin Idnit të Xhek Londonit. Thellë isha zhytur. Nuk doja të dëgjoja
paçavure mediokrësh rreth një vlere kombëtare. Gjërat vazhdonin t’i
shikonin nga dritarja e tyre tepër e vogël. Ndërmjet të këtyre dy
poetëve megjithatë ka diçka që i afron: identiteti.
Rrënime vlerash ndodhën dhe te fqinjët veriorë. Vitet e 60-ta lanë
zymtësi të rëndë në kulturën serbe. Poetin e estetin e njohur Branko
Milkoviç, i cili kishte fituar famë me veprën e tij, kopeja e mediokërve
e solli para aktit të rëndë: vetëvrasja. Ishte shpërngulur nga Beogradi
dhe mendonte se në mjedisin e ri do gjente qetësi, por ndodhi më e
rënda. Në mëngjes herët me një litar ia kishte mësyrë parkut të madh të
Zagrebit dhe me një cigare në gojë, pas dy orësh e kishin gjetur të
varur. Ylli i tij ndrit dhe tani, por mediokrit nuk dëgjohen më.
Polemikë e rëndë kishte ndodhur dhe rreth origjinalitetit të librit me tregime Varreza e Boris Davidoviçit, e D. Kishit.
E akuzonin se në tregime ca fragmente kishte inkuadruar nga një libër
rus. Në të vërtetë, lexuesve Kishi u shpaloste shtetin totalitar që
kishte shkaktuar tragjedi të mëdha njerëzore. Ishin pra inserte nga një
botë e vdekur.
Ngjashëm mund të thuhet edhe për Kadarenë, shkrimtarit me famë, i cili
ka merituar të nderohet me çmimin Nobel para disa emrave. Para se ta
shkruante Kadareja romanin Dimri i vetmisë së madhe i ishte
dashur të lexonte tërë një arkiv me dokumente dhe të gjitha
procesverbalet e Konferencës së Moskës, ku ndodhi çarja mes shtetit
shqiptar dhe Bllokut Lindor. Në një vepër ku hijon historia nuk
trillohen gjërat. Këtë mediokrit nuk e kanë të qartë. Kadareja ia kishte
ofruar lexuesit kohën e morbiditetit ballkanas, atë errësirën e imazhit
shqiptar.
Mario Vargas Losa thotë se me përcaktimin për ndërrime fillon dhe
qytetërimi i vërtetë. Disidenti Adem Demaçi, fitues i Shpërblimit
“Saharov”, apelonte në ruajtjen e paqes, që ishte dhe pajtim kombëtar.
Hasmëritë na sollën shpesh buzë varrit. Motoja e tij: jo atyre që rrudhin gishtin, por atyre që zgjasin dorën e pajtimit,
ishte sinjal ndaj së keqes që kanosej. Ndërrimet vështirë të ndodhnin
pa ndërrimin e mentalitetit. Ato që ndodhnin në hapësirë ishin të
dhembshme e tragjike. Në pyetje nuk ishte vetëm ekzistenca e një
populli.
Para teje vështirë të ngrihet mjegulla. Pakëz gjë sheh se çfarë ndodh atje poshtë. Prapë merr të lexosh “Tunelin”
e Sabatos. Dikush ta kujton se e keqja nuk mundet me të keqen. Lirohu
pra nese mundesh nga mentaliteti. Kjo përshtypje lexohet apo dëgjohet
për ndonjë kronikë të zezë. Më tmerron ajo që e shoh e nuk është plagë.
Vazhdoj të bindem se gjendem diku në tunel dhe kjo varet nga unë kur do
ta lë.
Përpara ke një monstro të së keqës. E lexon: nuk bën të përsëritet. U
lë mesazhin brezave. Autobiografia e krijuesit është dhe autobiografi e
popullit. Këtë e heton se nuk je më vetëm i vetvetës.
Ngritet dhe problem i së ardhmës. Nga frika e së kaluarës vështirë të parafytyrosh të nesermen. Libri kombëtar vazhdon të shkruhet. Problemi tjetër: kur të kryhet libri,e ardhmja do jetë ajo e ëndërruara?
Vrasja e një intelektuali na kujton se e zeza mund të gjejë dhe ty,
apo thirrjet: koka – vota. E sheh se gjendesh në tunel. Fije drite nuk
di a sheh. Ndërrimet për të cilat flet Mario Vargas Losa vështirë të
pranohen shkaku i sedrës. Njeriu ynë ndryshe predikon e ndryshe vepron. E
sheh se edhe në atë që ke besuar, ta thotë një hipokrit. Të vjen të
vjellësh e të pajtohesh, se mentaliteti është i tillë, vështirë të
ndodhin ndërrimet. Ndoshta këtë do e kuptojmë se vrasjet janë një tjetër
robëri: dyshimi.
Misteri i vrasjës së Mehmet Shehut: i vetëvrarë apo i vrarë, mbetet
çështje e ndërgjegjës së shtetit ideologjik. Në librat e të birit,
Bashkim Shehut vështirë t’i bihet në gjurmë. Turpin ua la atyre që e
bënë krimin dhe tragjedinë familjare e depersonalizoi: diktatura nuk
rrënoi vetëm majat e veta. Ishte një farë asgjësimi i vetvetës, i cili
na përsëritet shpesh se ne vetë kontribuonim në të keqën. Pse të
vritemi? Pastrimi ideologjik në veprat e Bashkim Shehut lexohet, para së
gjithash, si dramë kombëtare, dhe si flakje e së keqës për ndërrim.
Faik Koncën e çmuan më shumë të huajt. Shteti ideologjik e kishte
përzënë, të themi nga të gjitha trojet tona, mbasi vështirë pranonte “enciklopedinë që ecën”
(Gyom). Frikësohej se guximi i tij qytetar mos bëhej lektyrë e të
menduarit tonë. Duke parë se ku rrëshqasim, pajtohem edhe me sjelljet e
fjalorin e tij, megjithëse nuk e kishte derdhur tërë vrerin. I kishte
lënë shqiptarët të bëjnë gjumë të rehatshëm në një kohë kur lypsej një
vetëdijësim më i madh. Si duket, ne mungojmë vazhdimisht kur nuk duhet.
Fjalët e mëdha janë zbraztësi. Dëgjohen edhe në letërsi, edhe në
politikë, edhe në fjalorin e përditshmërisë. Është mirë të distancohen
se mbjellin shpesh fatkeqësi. Kur i dëgjoj më kujtohet një bekri: më mirë të më ruajë Zoti se robi, thoshte, bile Zoti e di kur duhet me të të ik.
Mund ta priste festën pa i marrë erë rakisë. Shpesh kishte shaluar
qen varresh. Kishte hedhur anash reçeta e këshilla mjekësh. Vend kishte
zënë mes miqve: gotë pas gote. Dikur u kishte kërkuar falje për çdo të
keqe nëse u kishte bërë. Në një vend më solem të sallës ishte shtrirë
dhe kishte dhënë shpirt. Miqtë ia kishin vënë te koka shishën me raki
dhe një gotë. Ishte ndarë nga të gjallët, i përbuzur nga injoranca, një
qejfli i pashoq i boemisë shqiptare, që nuk kishte pranuar të jetojë
gjysmë i vdekur e gjysmë i gjallë…
Prapë fillon ta lexosh “Tunelin” e Sabatos, arbëreshit të
urtë, i bindur se gjendesh diku aty. Dëgjon ndonjë klithmë dhe nuk i
përgjigjesh. Nuk pranon ta ndërpresësh leximin, se nuk ke fuqi të
ndërrosh asgjë. Por ndërrimet janë të domosdoshme për akcilin popull se
shpiejnë përpara. Andaj të pajtohemi me poetrokerin Peter Gabriel: Çfarëdo që bëni nuk mund e ndalni lindjën e ardhshme…
Politika është art që mashtron. Vokacioni im është diçka tjetër, nuk
më lejon të ndëshkoj njeriun. Brenda mundësive ndihmoj proceset që
vëndiçka në levizje. Babai im më thoshte nuk është mirë të përzihesh në
zanatin e primitivëvese dhuna nuk nderon askend e më së pakti atë që e
shkakton. Bën të mbetet liria “vetëm në librat shkollorë” pyet
–poeti roker, Jim Morrison. Një pyetje të tillë bën t’i përgjigjen
ballkanasit. Ndërsa Europa rropatet të shuajë hasmëritë mes popujve e
shteteve dhe liria të dalë nga librat e të bëhet realitet i të gjithëve.
Kësaj iniciative bën t’i bashkohen ata që e duan lirinë, e që nuk
frikësohen nga pavarësia e akcilit popull, apo ta modifikojnë edhe më
dhunën? De fakto formimi i shteteve nacionale vonon, askush nuk pranon
të bën koncesione. Me përfundimin e marrëzisë në Gadishullin tonë nuk do
të mbyllet liria në libra. Tek atëhere do fillojë bashkëpunimi e
respekti mes shteteve e popujve të liruar nga ankthi: se dikush u rri
mbi kokë dhe ua kërcënon lirinë e sovranitetin, pra në pyetje është
paqja jonë.
Pavarësia e Kosovës nuk e frikëson njeriun e mençur, i tmerron
“disejnerët e krimit”, siç do të thoshte një poet, Roger Ëaters, ata që
nuk mund të heqin dorë nga hegjemonizmi e nacionalizmi i verbër: të
rrënohet çdo gjë që nuk është i gjakut tim. Pavarësia mund të frikësojë
dhe ndonjë profiter vendor, se në kaosin kombëtar e rajonal sheh
ngritjën e vet.
Çështje mbetet mbrojtja e pakicave e që dëshmon për etikën e shteteve
që i marrin në mbrojtje. Në lagjën time në Gjakovë nazistët kishin
tubuar dhjetra hebrenjë në fund të Luftës së Dytë Botërore: pritnin t’i
bartnin në veri, e që fqinjët veriorë me trena kafshësh i përcillnin për
në Aushvic, numri i të cilëve nuk dihej. Qyteti im gjendej mes
dilemave. Një ushtarak iu kishte drejtuar atyre, që gjendeshin në
mbrojtjën e të gjorëve: Zotërinj këta nuk janë minj, por njerëz….
Ballkani nuk bën të zgjohet mbi vare e gjak, që shpie te një
katastrofë njerëzore. Përcjell masmediat dhe në shumë tekste që has, kam
bindjen se vrasësit janë lodhur; se kohë e çizmës
ikën dhe ballkanasit duan të ndërtojnë secili shtëpinë në mënyrë të vet.
Kjo është inkurajuese, se popujt krijojnë mozaikun e tyre shpirtëror,
si dhe të etniteteve. Qeniesore është se rajoni ynë nuk pranon të mbesë
bisht i askujt. Ballkanasit hargjuan dhe të paktën fuqi që e kishin për
të ekzistuar.
Pranimi i sovranitetit dhe ekzistencës mes shteteve është fitore e të
gjithëve; pavarësia e akcilit popull shpie te pavarësia dhe shpëtimi
nga ankthi makbethian. Me pushimin e smirës dhe gjakderdhjeve popujt do
vlerësohen e respektohen përmes kulturës dhe vlerave nacionale. Krenohem
që ballkanasit dhanë krijues të mëdhenj; t’i kujtojmë Homerin, Eskilin,
Aristotelin, pastaj Herodotin i cili thoshte: të hapësirës sonë janë dy popujt më të vjetër Helenët dhe Ilirët. Në momentin e pikërishëm kjo duket utopi, por njeriun duhet ta gëzojë liria, përndryshe na pret ndonjë humnerë e re.
Shkaktari i hasmërive qëndron te krijimi i vonshëm i shteteve
nacionale dhe gëllabëruesit që bënin çmos të shtrihen në dëm të tjerit.
Po qe se lirohemi nga kjo çmenduri njerëzore, nuk do të frikësohet kush
nga pavarësia e tjetrit, se liria bëhet realitet.
Kavafisi, poet im i respektuar, “njëri nga lirikët më të mëdhenj të
parnasit neogrek”, siç thotë Kostas Varnalis, ndryshe do shihte zgjimin e
popujve dhe të shteteve me atë buzqeshjen e tij të hidhur në buzë…
Tatëpjetë golgotës zbriste një hije njeriu, ai ishte çami, këngëtari i verbër i Sulit.
(Fjala e lexuar në Athinë me rastin e promovimit të librit “Harta e grisur”në gjuhë greke).
Vizitor- Vizitor
Faqja 1 e 1
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi