Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Visar Zhiti Në kërkim të britmës shqiptare

Shko poshtë

Visar Zhiti Në kërkim të britmës shqiptare Empty Visar Zhiti Në kërkim të britmës shqiptare

Mesazh nga Geri Sun 6 Jun 2010 - 8:07

Visar Zhiti Në kërkim të britmës shqiptare Safe_image.php?d=0fb3286985d1d7b76795aa2d504f67af&url=http%3A%2F%2F2.bp.blogspot.com%2F_jyUtcIwxnSc%2FTArVUn5LNTI%2FAAAAAAAABD4%2FB91DUx53a3M%2Fs320%2Fzhiti-britmes-m
Ali Aliu

Visar
Zhiti, edhe me këtë libër, prek plagën ndër më të hidhurat të
bashkëkohësisë shqiptare: krizën morale, krizën e vlerave, duke mos e
humbur besimin në të nesërmen. Është përplot refleksesh të tilla koha
shqiptare, ku me këtë rast, përmes depërtimit lucid në psikën e
personazheve, përmes gjallërimit të përsiatjeve, dilemave, ëndrrave të
tyre, Zhiti përgjon dhe dëgjon sferën më të pasigurt, më të pakapshme,
më rrëshqitëse - zemrën e njeriut. Është ky një rrëfim mbi ushtrimin e
dhunës dhe pasojat e saj, mbi qëndresën dhe ëndrrat, të një sistemi të
kaluar por të pleksur nëpër këmbët e të sotmes, që, si prani e
projekton dhe e shtyn drejt së nesërmes; rrëfim që vjen sa përmes
gjallërimit të kujtesës, sa përmes absurditeteve dramatike të botës
shqiptare aktuale, sa përmes horizontit të mjegullt dhe kaotik të së
nesërmes, sa përmes britmës individuale të mekur, ngjashëm me britmën
në shkretëtirë, sa përmes një besimi akoma më të vakët se një ditë do
të dilet nga tuneli. Një pleksjeje e tërë ndjesish dhe vizionesh, që
nga zhgënjimi dhe dëshpërimi, ulëritja e heshtur që mëton të
artikulohet zë i fuqishëm i artit letrar-romanor, përsiatjet në radhë
të parë të personazheve, të ëndrrave dhe klithjeve të tyre të heshtura,
për pafuqinë përballë brutalitetit të djeshëm dhe të sotëm, të gjitha
këto rrjedha, të pleksura në kohën dhe hapësirën që përfshin rrëfimi i
romanit , rezultojnë në një vepër të përsosur letrare. Është për të
nënvizuar se , rrëfimi mbase më dëshpërues, kësaj here vjen nga një
krijues që ka qenë vetë viktimë, që i ka provuar dhe ka ecur me vite
nëpër tunelet e burgjeve, por që, si me veprën letrare ashtu dhe me
sjelljen e tij si qytetar është shquar me energji pozitive, pajtim dhe
mirësi, sjellje e dëshmi që është larg mërive dhe revansheve. Nuk ka
manifestuar ndjenjë të tillë as ndaj hetuesve-xhelatë që i ndesh në
rrugë, në kafe. Por kur struktura të tilla arrijnë të bëjnë edhe
ligjin, - këtë, pikërisht këtë s’ka mundur ta pranojë, të paktën jo pa
vënë ulërimën…
Tani më është qartësisht e pranueshme fuqia ngasëse e
Visar Zhitit për të rrëfyer, përkatësisht për t’u çliruar nga mbamendja
e burgosur, e shtresuar palimpsest, që, si synim i brendshëm, në
momente i ankthshëm, mëton kthimin e drejtpeshimit të munguar, gjetjen
e të humburës nëpër kohë, shërimin e çarjes në ne, të qenies sonë,
plasaritje që na shoqëron viteve. Në romanin më të ri vjen shpërthyes
kundër së ligës që e pushton komodshëm hapësirën e përditshmërisë
shqiptare, vjen mëtim drejt gjetjes së drejtpeshimit të humbur, dhe -në
kundërshtim me skeptikët e shumtë – beson se letërsia ende mund të
dëgjohet dhe ndikojë në gjetjen dhe ruajtjen normalitetit dhe kuptimit,
në përputhje me misionin e krijuesit. Brenda ritmit të çrregulluar
shqiptar, në kohë dhe hapësirë, brenda ekstremeve të skajshme që
manifestojnë ata, - që nga vërvitja majave artistike-krijuese europiane
(ekspozita e Evgjenit në Napoli, që “ ia dola të iki nga andej ku ka
vetëm urrejtje…) nga njëra anë, deri tek mafia me imagjinatë më
marramendëse, nga ana tjetër, Visar Zhiti, me ngasje të ethshme
krijuese, gjakon pas gjetjes së humbur të vetvetes shqiptare, nëpër
Arbëri dhe nëpër hapësirën europiane. Arratisjet shqiptare nëpër botë,
përmes imagjinatës gjatë diktaturës dhe realisht pas saj dhe në
vazhdim, në kërkim të së humburës, të vetvetes, prania e hijeve të
këtij kërkimi, dashuria dhe urrejtja e pleksur si një përditshmëri
bashkë, sidomos në një hark kohor kapërcyell, koha e daljes nga tuneli
drejt dritës, që nuk po vjen e plotë sot e gjithëditën, jehojnë
fuqishëm, si klithje ulëritëse e heshtur në romanin më të ri të këtij
autori. Në këtë kohë britmash, Zhiti sjell personazhe që, si të vërtetë
dhe si hije, jepen në kërkim të njëri-tjetrit e që nuk arrijnë dot të
gjenden, që sillen si në një rreth të mbyllur, pa shpresa e gjasa të
sigurta për t’u gjetur. Më mbresëlënësi është Martini që kërkon një të
humbur pa gjurmë, duke trokitur dyerve të emigrantëve shqiptarë nëpër
Europë, me një refren, “.. po të keni dëgjuar për të, a nëse dëgjoni,
më lajmëroni”. Në këtë kërkim-golgotë, regjistrohen dukuri rrëqethëse,
si për shembull: kërkuesi i Gjergj Guraziut, ndër të tjerat, do të hasë
edhe në një administrator shteti, te zyra e të pagjeturve, dhe del ish
hetuesi, ku do të zhvillohet edhe ky dialog: “… ti do më thuash mua
persekutor, por unë të nxjerr dëshminë e persekutimit, kam vuajtur sa
ti, në mos më shumë. Të kam ruajtur, kam bërë policin, spiunin në terr,
në të ftohtë… Dhe mos harroni, ju keni qenë bashkëpunëtorë me ne, keni
kallëzuar njëri-tjetrin…”. Këtë ngarkesë ka e kaluara, e pranishme në
të tanishmen, prandaj, njëri nga personazhet e romanit do të ulërijë:
“Tani që shteti tjetër po bën përpara, shpesh kërkon të hapen dosjet
dhe të dënojë krimet e komunizmit… po të postkomunizmit?”. Ose, “ Është
shtuar liria por është pakësuar morali… Në urrejtje ndihen të fortë
tani njerëzit… duan të jenë individë pa qenë individualitete”.
Mbase
është dashur të jepet në fillim të këtij shkrimi, një shënim i autorit
në fund të romanit, që po e sjellim të plotë, me që del domethënës,
sidomos për ta marrë me mend, shqetësimin krijues dhe njerëzor gjatë
rrëfimit. “…mbresa dhe shënime në një qytet të vogël të atdheut, në
Lushnjë, pastaj në Milano, riparë dhe shtuar në Romë, kësaj vere, kur
jo vetëm shekulli është tjetër. Por mua më dukej se vazhdoja të isha në
“Asgjëkundi”, ndoshta nga që shkruaja mbi një tavolinë të vogël e të
çarë në një korridor gati sa tryeza, sikur të mos ishte apartament i
ambasadës, por banesë e mjerë refugjati. Prandaj, për çdo mëkat të
këtij rrëfimi, fajin e ka e çara mbi tryezë, si një britmë e vdekur, e
cila vijon dhe në kufirin midis vendeve ashtu si edhe në kafkën time…”.
Britma shtrihet në rrëfimin romanor dhe jehon e pazëshme,si vragë e
përhershme e ndërgjegjes së autorit, e nxitur nga një dialog mes
Evgjenit dhe Adrianit :

- E keni pare “Britmën” e Eduard Munch-ut?, e ndërpreu Adriani.
-
Ou, briti Evgjeni, kam vajtur në Norvegji për të, në muzeun e tij në
Oslo. Ato retë e përgjakura, ai ankth… Edhe atje pyeta për Afërditën,
Gjergjin… Kam dashur dhe unë të pikturoj britmën time. Britmën pa gojë,
pa trup, pa njeri, britmën erë, fantazmë.
- Është më i tmerrshëm njeriu pa britmë
- Sigurisht! Britma pa popull, sa e frikshme. Popull pa qeveri edhe mund të ketë, jam dakord, po pa britmë? Mallkim!

Është
britma shqiptare që gjakon të çlirohet, të ekuilibrohet, të pastrohet
nga vuajtjet dhe mëkatet, nga frika dhe nënshtrimi, nga hakmarrja dhe
urrejtja; është britma në kërkim të të pategjurve dhe të pagjeturës, në
kërkim të së humburës dhe të të humburve, në kërkim të vetes dhe
vetvetes së pagjetur… Shtrihet kështu në hapësirën pafund britma e
Visar Zhitit si një fluid ankthi dhe rrëqethje gjatë udhëtimit të
Gjergj Guraziut dhe Afërditës natën e stuhishme shqiptare nëpër një
fushë e terri të pafund, rafshit të vërshuar real e ireal. Në një vegim
të tillë do të humbin ëndrrat e tyre të prangosura, ndjesitë dhe
emocionet që s’arrin t’ua çlirojë as stuhia e jashtme as ajo e
brendshme; çdo gjë do të tretet në pakthim si një hije, për gjetjen e
të cilave do të bredhë nëpër botë si somnabul Martini. Tretja e tyre do
të mbetet një përfytyrim sa i afërt dhe i prekshëm po aq rrëshqitës, pa
qenë të denjë ta kemi, ta meritojmë; vjen si një përftim ëndërror pranë
nesh, duke lënë pas vetëm misterin e natës së gjatë të stuhishme
shqiptare dhe ndjekësit që së bashku do t’i gllabërojnë…

Rrëfimi
në romanin më të ri të Visar Zhitit që ringjall kujtesën dhe mëton
çlirim duke gërvishtur skutave më të padukshme, më të errëta të botës
së njeriut, kryesisht zgjedh, sa bashkëbisedimin me veten, sa rrëfim me
aromën e sentencës, sa me elegancë klasike dhe me përvojë narrative të
kohës, duke mos iu robëruar asnjërës. Rrëfim që krijon atmosferë të
fuqishme, tensionime dramatike që përftojnë nëpër atë hapësirë si fluid
i kudopranishëm, atmosferë edhe në kuptimin e një dokumentari historik,
siç është koha-kapërcyell (fundi i 80 –fillim i 90), brenda së cilës
ushtrohet obduksion narrativ i idealeve të vdekura; rrëfim që sjell një
tjetër pamje të kategorisë kohë, koncept që lejon prani paralele të më
shumë kohëve në prezent, që përmes kësaj estetike të kohës, Zhiti, fare
natyrshëm arrin dekompozimin kronologjik të narracionit dhe artikulimin
e strukturës mozaik të rrëfimit, polifokalitetin, - më shumë
perspektiva vrojtuese të personazheve, poetikë narrative e preferuar
sot... Është në natyrën e këtij narracioni reflektiv, po ashtu,
sentencialiteti që si diskurs shtrihet hapësirës kohore të pakufishme –
pa referenca të domosdoshme kohore, përkatësisht ajo, sentenca,
perceptohet si e gjithëkohshme. Kështu, sentencialiteti dhe përsiatja
refleksive, duke qenë referencë pa kornizë kohore, përkatësisht duke u
shqiptuar si e tanishme, në fakt e universalizon dëshminë e ngarkuar në
roman. Kjo frymë e bën romanin më të ri të Zhitit të përjetohet si
shumëzëshmëri, si shmangie e herëhershme nga boshti fabular, në favor
të heterogjenitetit të diskursit tekstor. Gjuha që përdor personazhi
nuk i drejtohet referentit, (objektit, botës, realitetit) por brenda
saj përqendron vëmendjen te përcjellësi, tek qëndrimi emocional ndaj
asaj që përcjell. Ngacmimet e jashtme shtyhen drejt shpalimit të
relievit të brendshëm të personazheve. Gjatë depërtimeve në thellësitë
e tyre, ndjehet edhe një si dilemë e largët: sa mund të jetë vetëvetja
njeriu, përkatësisht sa i takon vetes e sa botës, sa përplotësohet,
kuptimësohet përmes tjerëve, sa tjerët përmes tij…
Geri
Geri
Fondatore St@ff Forum
Fondatore St@ff Forum

<b>Postime</b> Postime : 19707
 <b>Piket</b> Piket : 23805
Regjistruar : 21/04/2009
 <b>Mosha</b> Mosha : 36
 <b>Vendbanimi</b> Vendbanimi : Ne qytetin e dashur Tirone

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi