Masakra e Tivarit, si u vranë 8 mijë shqiptarë
Faqja 1 e 1

Cili ishte roli i Miladin Popoviçit dhe përse hesht Ramiz Alia. Historia tragjike e mijëra burrave të tradhëtuar nga Enver Hoxha dhe banda e tij
Shtabi Operativ i "Kosmetit" i urdhëruar nga SHS i UNÇJ-së me qëllim të shpërbërjes së bërthamës së qëndresës shqiptare në Kosovë, gjatë muajve mars-prill 1945 mobilizon me dhunë shqiptarët për t'i dërguar në frontin e dytë të ashtuquajtur të "Adriatikut" në veriperëndim të Jugosllavisë. Skenaristët e Masakrës së Tivarit, për dërgimin e mobilizuesve shqiptarë në pjesët veriperëndimore të Jugosllavisë, kishin zgjedhur rrugën Prizren - Kukës - Shkodër - Tivar - Dubrovnik - Rijekë. Për këtë front mobilizuan shqiptarët nga Vushtrria, Besiana (ish-Podujeva), Prishtina, Kaçaniku, Ferizaji, Gjilani, Lipjani, Shtimja, Theranda, Burimi, Peja, Gjakova, Rahoveci, Sharri, Prizreni.
Sipas kujtimeve të pleqve, që përjetuan këtë mobilizim të dhunshëm, të mobilizuarit shqiptarë, fillimisht janë tubuar nëpër qendrat e rretheve dhe ato komunale e pastaj, të organizuar në njësi ushtarake, të komanduara nga oficerë shqiptarë, kanë udhëtuar në qendrën e përgjithshme mobilizuese (në kazermat ushtarake) në Prizren. Pas sistemimit, shqiptarët e mobilizuar do të çarmatosen, me arsyetimin se armët do t'i marrin në Kroaci e Slloveni! Çarmatosja, atyre iu ka dhënë një sinjal të keq dhe me të drejtë ka lindur dyshimi në përgatitjen e ndonjë skenari shfarosës në prapaskenë. Kjo psikozë u thellua edhe më tepër, atëherë kur u çarmatosën edhe oficerët shqiptarë dhe për përcjelljen e tyre u ngarkua Brigada XXVII e divizionit 46-të serb e njohur për terrorizimin e popullit shqiptarë gjatë muajve të kaluar.
Marrëveshja UNÇ Jugosllave-UNÇ SHqipërisë: Brigada e III dhe e V nga Shqipëria për spastrimin e Kosovës nga çetat që bëjnë rezistencë
Në gjysmën e dytë të vitit 1944, derisa forcat aleate (amerikane-angleze-ruse) përparonin në të gjitha frontet e luftës kundër ushtrisë hitleriane, Shtabi Suprem i UNÇJ-së duke i shfrytëzuar rrethanat e krijuara, në fillim të shtatorit të atij viti Shtabin Kryesor të UNÇJ-së për "Kosovë e Metohi" e degradoi në Shtab Operativ dhe më 14 shtator ia nënshtroi Shtabit Kryesor të UNÇJ-së për Serbi. Dhe për çudi, në emër të Shtabit Operativ të "Kosmetit" do të nisin përgatitjet luftarake gjoja për çlirimin e Kosovës dhe të viseve të tjera shqiptare a në të vërtetë SHS i UNÇJ-së kishte për synim ripushtimin e tyre. Në vjeshtën e atij viti, Shtabi Suprem i UNÇJ-së i drejtuar nga Josip Broz Tito, në emër të internacionalizmit, do të bëjë marrëveshje me ushtrinë e kuqe ruse, më pastaj me forcat bullgare dhe më 2 shtator 1944 edhe me SHP të UNÇ të Shqipërisë, për të zhvilluar operacione të përbashkëta ushtarake kundër forcave gjermane në Jugosllavi... Derisa ushtria gjermane tërhiqej nga shumë fronte të luftës, ideja e Shtabit Suprem të ushtrisë gjermane për forcimin e vijës së frontit në Ballkan, u bë e parealizueshme dhe në këto rrethana armata "E" gjermane, e cila ishte e dislokuar në Greqi, mori urdhërin që të tërhiqet nga ky rajon. Tërheqjen do ta bëjë nëpër Maqedoni, Kosovë dhe Sangjak, për të kaluar mandej në Mal të Zi, Bosnjë e Hercegovinë në drejtim të veriut. Armata "E" për çudi nuk u pengua (përkundër propagandës së bërë nga strategët e UNÇJ-së), por kaloi me shumë pak humbje në veri-perëndim të Jugosllavisë, ndërkohë që luftimet më të ashpra në Kosovë brigadat sllavokomuniste, do t'i zhvillojnë gjoja "kundër forcave të Mbrojtjes Kombëtare të Shqipërisë Etnike dhe bandave shqiptare që po mbretërojnë në Kosovë. Për të argumentuar këtë qëndrim, po i referohemi letrës së Miladin Popoviçit, të cilën në emër të KK të PKJ-së ua dërgoi të gjithë komisarëve politikë në Kosovë. Në letër ndër të tjera, M.Popoviç shkruan: "Edhe pse Kosovë-Metohia janë pa pushtues, ne nuk sundojmë në gjithë terrenin. Pengesa janë bandat e armatosura që përhapin shovinizëm. Tash kemi detyrë të patjetërsueshme spastrimin e Kosovës dhe të Metohisë nga këto banda. Bandat duhen likuiduar energjikisht dhe pa mëshirë. Tokat e atyre që nuk dorëzohen deri në afatin e caktuar do të konsiderohen të shtetit e këtë (konfiskim - vërejtja ime Sh.B) do ta bëjnë shtabet (e UNÇJ-së-vërejtja ime Sh.B). Në fshatrat që është bërë rezistencë duhen gjetur organizatorët dhe duhet dorëzuar gjyqit ushtarak, që do t´i gjykojë menjëherë e fshatarët t´i çarmatosë..." Sipas marrëveshjes, UNÇJ-UNÇSH, në fillim të tetorit 1944 në Kosovë do të futen Brigadat III dhe V të Korparmatës së I-rë të UNÇ të Shqipërisë. Më 17 tetor 1944 edhe Armata II bullgare u nis për Kosovë, ndërkohë që atje (Kosovë) dhe në viset e tjera etnike shqiptare në Maqedoni dhe Mal të Zi, i kishin përfunduar përgatitjet për ofensivë, njësitet e Korpusit të 13-të të UNÇJ-së (Divizioni i 22-të, i 24-të, i 25-të dhe i 46-të serb), Divizioni i 41-të maqedon, brigada e 9-të malazeze dhe të gjitha brigadat e UNÇJ-së për "Kosovë e Metohi". Operacionet ushtarake të këtyre forcave, filluan ofensivën pushtuese në tri drejtime: 1.Kurshumli - Përpallac - Podujevë - Prishtinë; 2.Lebanë - Medvegjë - Prishtinë; dhe 3. Bujanoc - Gjilan-Prishtinë.
Vendosja e administrimit ushtarak në Kosovë dhe mobilizimi i dhunshëm i shqiptarëve në mars 1945
Brigadat III dhe V të Korparmatës së I-rë të UNÇ të Shqipërisë ndihmuan vendosjen e administrimit ushtarak jugosllav
Në kohën kur forcat jugosllave zhvillonin operacionet më të përgjakshme në Drenicë, më 8 shkurt 1945, komandanti suprem i UNÇJ-së J.B.Tito me urdhër të veçantë nr.31 vendosi administrimin ushtarak në Kosovë. Për këtë vendim, Titoja më 7 shkurt në Beograd pati një takim me ushtarakët serb: Savo Dërleviçin, Gjuro Medenicën dhe Kërsto Filipoviçin, të cilëve iu foli për rolin që duhet ta luante Administrimi Ushtarak në Kosovë. Me këtë urdhër, i tërë pushteti në Kosovë do t´i kaloi një grupi të caktuar ushtarakësh serbo-malazez, të cilët do të ushtronin pushtetin politik, ekzekutiv dhe gjyqësor. Me këtë rast pasuan ndryshime në tërë strukturën e kuadrove komandues. Në krye të pushtetit ushtarak, përkatësisht të Shtabit të Ri Operativ u emrua ish-shefi i Armatës së I-rë kolonel Savo Dërleviç, duke e zëvendësuar Fadil Hoxhën, i cili mbeti zëvendës i tij. Shef i Shtabit u emërua nënkolonel Dushan Vukotiç (deri në atë kohë ishte zëvendëskomandant i Divizionit 46 jugosllav), shef i prapavijës u caktua Stevo Dobërkoviç (i dërguar nga shtabi qendror i Serbisë), ndërsa komisar politik u emërua nënkoloneli Gjuro Medenica. Më 10 shkurt 1945, kjo komandë bëri riorganizimin e tërësishëm të ushtrisë duke formuar Divizionin e artilerisë, të kalorësisë, të ndërlidhjes, grupin operativ të brigadave, Divizionin 46, 52 etj. Kjo makineri pushtuese ushtarake në Kosovë, duke i marrë të gjitha masat për "spastrimin" e terrenit nga "mbeturinat e fashizmit" dhe "kundërrevolucionarët" vrau e masakroi mijëra shqiptarë anë e këndë Kosovës. Veçmas pas vendosjes së regjimit ushtarak në Kosovë, për shtypjen dhe shpartallimin e elementeve kryengritëse, Shtabi Operativ i urdhëruar nga SHS i UNÇJ-së nisi mobilizimin e shqiptarëve për t'i dërguar në frontin e Trieshtës dhe Istrës (në veriperëndim të Jugosllavisë), ndonëse mobilizimi i shqiptarëve kishte filluar qysh në fund të dhjetorit 1944 (me dërgimin e tyre në frontin e Sremit, në veri të Serbisë). Më 11.03.1945 në Gjakovë u organizua një demonstratë e grave, kundër mobilizimit me dhunë të djemve, vëllezërve dhe burrave të tyre.
Rrugëtimi i përgjakur i eshaloneve (grupeve)
Vrasjet e para u bënë në mesnatën e 26/27 marsit gjatë një pushimi nën qiellin e hapur në Kukës
Eshaloni i parë që përbëhej nga 3.700 veta, u nis më 24.03.1945 dhe pas 5-6 ditësh arriti në Tivar, ku iu dorëzua reparteve të Divizionit të IX-të jugosllav. Gjatë rrugëtimit, derisa u dorëzuan në vendin e caktuar, të mobilizuarit u keqtrajtuan në mënyrë shtazarake nga kriminelët serbo-malazezë. Të mobilizuarit shqiptarë nga Tivari do të nisen për në Istri, ku fillimisht disa ditë do të ndalojnë për të pushuar në ujdhesën Çiovë afër Trogirit. Dhe ato ditë gjatë kalimit me një anije të vjetër, nga ujdhesa për në Trogirë, u mbytën rreth 65 veta, prej të cilëve 29 qenë vetëm nga Kaçaniku. Eshaloni i dytë i përbërë nga 4.700 veta, u nis dy ditë më vonë (më 26 mars) nën përcjelljen e forcave të Brigadës XXVII dhe më 30 mars në Shkodër iu dorëzua Brigadës X malazeze 6. Gjatë marshimit katër ditor në rrugën Prizren-Zhur-Kukës-Pukë-Shkodër, përkundër lodhjeve e rraskapitjeve të mëdha nga rruga e gjatë, të mobilizuarit u maltretuan e u rrahën dhe në shumë vende shumë prej tyre u vranë, gjatë kohës së pushimit, gjatë kalimit të lumejve apo gjatë tentimit të ndonjërit prej tyre për ta shuar etjen, në burimet e ujit.
Vrasjet e para u bënë në mesnatën e 26-27 marsit gjatë një pushimi nën qiellin e hapur në Kukës. Me këtë rast u vranë njerëzit më autoritativë nga radhët e të mobilizuarve, ishin eprorët e njësive ushtarake ata shqiptarë që komanduan gjatë marshimit nga qendrat komunale për në kazermat ushtarake të Prizrenit. Në mbrëmjen e 27 marsit ky eshalon arrin në Fushë-Arrëz dhe sipas një skenari të parapërgatitur mirë, xhelatët serbo-malazezë, gjatë kohës së pushimit (në mesnatën 27-28 mars) nën qiellin e hapur duke fjetur (në gjumë) vrasin mizorisht rreth 120-140 veta dhe kufomat e tyre u hodhën në një hendek.
Pas këtyre peripecive nga Shkodra nën përcjelljen e malazezëve - në mesditën e 1 prillit 1945 arritën në Tivar. Atë ditë të kobshëm rrugëve të qytetit shihej një mobilizim i ushtarëve serbo-malazezë, të cilët vështronin me përbuzje kolonën e gjatë të shqiptarëve. Kjo kolonë është ndaluar në qendër të qytetit (me urdhër) kinse për të pushuar dhe ndërkohë ndodhë një eksces në mes rojes dhe katër shqiptarëve, të cilët u penguan që të pinë ujë në një krua aty afër. Nga ky konflikt ushtarët e urdhëruar derdhin një breshëri plumbash në trupat e shqiptarëve, me ç'rast vriten disa prej tyre. Situata e tensionuar me qëllim (për ta filluar komplotin e përgatitur) e shtyu masën e shqiptarëve që të shtrihen për tokë, ndërkohë që ajo hapësirë ishte vënë në shënjestër të pushkëve dhe mitralozëve që ishin vendosur në çdo qoshe të rrugëve, dritare dhe tarracë të shtëpive e në shkëmbijtë e kodrave përreth. Gjatë muajve mars-prill 1945, përmes rrugës Prizren-Kukës-Shkodër-Tivar (për në Frontin e Adriatikut) janë deportuar 16.423 shqiptarë nga Kosova, kurse rreth 4. 600 të tjerë u dërguan nga viset shqiptare të Maqedonisë. Ndërkaq, në janar 1945 për në Frontin verior (të Sremit) janë mobilizuar rreth 18.500 shqiptarë në përbërje të Brigadave të "Kosmetit" dhe 5000 të tjerë nga Maqedonia. Nga këto shifra rezulton se gjatë muajve janar-prill 1945, janë mobilizuar dhunshëm rreth 44.523 shqiptarë nga Kosova dhe viset e tjera etnike, për frontet e ashtuquajtura të "Sremit" e të "Adriatikut".
Mobilizimi i bërësve të krimit për zhdukjen e krimit
Për të humbur gjurmët e kësaj vepre mizore, u mobilizuan të gjitha njësitë ushtarake serbo-malazeze, qytetarë e punëtorë të këtij nacionaliteti dhe me kamionë, vagoneta, qerre etj, gjatë tërë natës së ½ prillit i bartën kufomat dhe të plagosurit (bashkë!!!) dhe i transportuan në drejtim të Tivarit të vjetër, tek një vend (humnerë) në mestë shkëmbinjve të bregdetit. Kufomat e shqiptarëve fillimish u dogjën dhe pastaj u hodhën në humnerë, ndërsa pjesa tjetër do të varrosen...!!! Sipas burimeve arkivore rezulton se në Tivar, më 1 prill 1945 u vranë e u masakruan rreth 1700 shqiptarë, ndonëse nga kujtimet e dëshmitarëve që përjetuan këtë masakër, del se ky numër mund të jetë shumë më i madh. Kjo ngjarje tragjike për popullin shqiptar, edhe pse ndodhi larg opinionit të atëhershëm, ishte e qartë se u përgatit nga kreu i udhëheqjes jugosllave edhe pse më vonë Aleksandër Rankoviçi me kompani, këtë ngjarje do të përpiqet ta cilësojë si incident të rëndë të shkaktuar me fajin e vet shqiptarëve!
Barbarizmi i UNÇJ-së kundër popullit shqiptar
Gjatë këtyre operacineve të përgjakshme këto forca kryen krimet më të shëmtuara që njeh historia e njerëzimit, ndaj popullatës shqiptare, si dhe konfiskuan, plaçkitën, dogjën e shkatërruan pamëshirshëm pronat e tyre. Gjatë kësaj periudhe janë vrarë e masakruar në mënyrat më mizore 47.300 shqiptarë. Kështu, në:
1. Gjilanë janë vrarë 7854 veta,
2. Prishtinë 3.675
3. Drenicë 4.820
4. Mitrovicë 1.970
5. Pejë 3.540,
6. Ferizaj 1.260,
7. Podujevë 1.670,
8. Prizren 1.200,
9. Gjakovë 800,
10. Rahovec 750,
11. Suharekë 420,
12. Dragash 500,
13. Preshevë 690,
14. Shkup 1.450
15. Tetovë 4100,
16. Gostivar 715,
17. Kërcovë 490,
18. Sangjak (Jeni Pazar) 1.410,
19. Kumanovë 780
20. Tutin 900,
21. Bihor 3820,
22. Plavë e Guci 710,
23. Ulqin 515 dhe
24. Tivarë e Dalmaci 2.600 shqiptarë
Në këtë situatë e tërë pasuria e shqiptarëve të vrarë ishte konfiskuar, asgjësuar ose ishte plaçkitur nga kolonistët serbë, që qenë kthyer sipas direktivave të Byrosë Politike të KQ të PKJ-së.
Rrugëtimi (Prizren - Kukës - Shkodër - Tivar), lehtësia e forcave jugosllave për të kaluar në territorin shqiptar pa u shqetësuar
Rrëfimi i Azem Hajdinit, i mbijetuari i masakrës së Tivarit
Një rrëfim tronditës do të kujtonte Azem Hajdini shumë vite pas masakrës së Tivarit nga ku ai falë fatit i mbijetoi. Ja se si e kujton Hajdini atë marshim që do t'i çonte drejt vdekjes me mijëra shqiptarë.
Kështu të rraskapitur kemi vazhduar rrugën për në Pukë, ku atë ditë kemi arritur rreth orës 19.00 dhe na kanë vendosur në një luginë të rrethuar me pyje, kurse mbi ne vazhdimisht binte shi si rrëke. Në këto kushte, në periferi të Pukës e kemi kaluar natën. Të nesërmen shumë veta nuk kanë mundur ta vazhdojnë rrugën kurse mbi dhjetëra, mëngjesi i gjeti të vdekur. Kësisoj, radhët tona vazhdimisht zvogëloheshin, sepse një numër i shokëve tanë nuk mund t'i përballonte torturave, helmimit, urisë, veshmbathjes së dobët e sidomos frikës nga likuidimi fizik. Aq sa shtohej numri i të sëmurëve, njëkohsisht rritej edhe numri i të vdekurve sepse edhe ne, të rraskapitur, nuk ishim në gjendje më t'i mbanim për krahësh, sikurse vepruam një ditë më parë. Prej Puke, në rrethana si ato të deritashmet, vazhduam rrugën kurse kah ora 20.00 arritëm në vendin e ashtuqujtur "Ura e Zogut", te një kanion i thellë nëpër të cilin rridhte ujë fare pak. Meqë urën e kishin shkatërruar fashistët italianë, transportimin tonë në anën tjetër të kanionit përpiqeshin ta organizonin përmes një vigu dhe njëlloj vagonete. Në atë vagonetë me qëllim i ngarkuan mëse 50 veta dhe natyrisht teleferiku i improvizuar u këput, kështu që të gjithë ranë në atë greminë të thellë. Disa prej tyre vdiqën kurse disa u lënduan rëndë e lehtë. Tentuam menjëherë t'i ndihmojmë, por na penguan përcjellësit duke na thënë se ata do t'i ndihmojë ushtria, kurse ne duhet të vazhdojmë kalimin nëpër atë vig të improvizuar. Mirëpo, duke e ditur fatin që na priste, refuzuam të vendosemi në atë vagonetë të ndrequr dhe pas shumë bindjesh e rezistencash u detyruan të na dërgojnë këmbë nëpër kanion për të dalë në anën tjetër të tij. Mirëpo, posa kaluam kanionin, sërish na urdhëruan të kthehemi poshtë dhe natën ta kalojmë nën qiellin e hapur. Edhe pse ishim të rraskapitur dhe qullë nga shiu, tërë natën jemi përpjekur t'i ndihmojmë shokët që mbetën gjallë e të lënduar nga rënia prej vigu. Po ashtu kujdeseshim edhe për disa shokë që i kishim bartur tërë ditën në lese të improvizuara, për krahësh apo në supe. Dikur kah mesnata na e kanë kumtuar urdhërin se duhet t'i identifikojmë të gjithë të sëmurët dhe të barten nja 50 metra larg gjoja për t'i dërguar në ndonjë spital të Shqipërisë për shërim. Mirëpo, të udhëhequr nga përvoja e hidhur që e patëm gjatë tërë rrugës, në këtë urdhër të shtabit e refuzuam kategorisht. Në mëngjes vërejtëm se një numër i shokëve që i kishim bartur dhe shumica e atyre që kishin pësuar lëndime pas rënies nga vigu kishin mbetur të vdekur, kurse na u pamundësua bartja edhe të disave që lëngonin nga sëmundjet. Posa u larguam nga ai vend ata i mblodhën në qerre dhe i çuan në drejtim të panjohur. Ne të tjerët vazhduam rrugën dhe arritëm në një vend afër Shkodrës ku duhej kaluar të ashtuquajturin "Vau i Spasës". Edhe këtu, meqë ura ishte e shkatërruar, filloi transportimi ynë me një anije të improvizuar. Të mësuar nga përvoja me këso improvizimesh refuzuam të hipim në atë anije pa prezencën e ndonjë oficeri dhe të së paku dy-tre ushtarëve që na përcillnin. Shtabi, i cili ende nuk kishte kaluar "Vaun e Spasës", pranoi kërkesat e parashtruara kështu që transportimi u bë pa ndonjë vështirësi të madhe. Mirëpo, edhe këtu në anën tjetër mbetën disa shokë të sëmurë rëndë, për fatin e të cilëve kurrë nuk jemi informuar. Në Shkodër arritëm rreth orës 16.00 më datën 30 mars 1945. Në të dy anët e rrugëve na pritën mijëra njerëz, shumica prej të cilëve duke na përshëndetur qanin, duke pëshpëritur "ku jeni duke shkuar", "me siguri në ndonjë vend pa kthim".!? Shumë prej tyre na ofruan bukë e veçmas ujë dhe këtu për herë të parë shuam etjen. Kjo nuk zgjati shumë pasi që shpejt e shpejt na vendosën në kazerma në një kodër bukur të lartë, emri i të cilës nuk më kujtohet, por e di se aty nuk kishte pasur ujë për pije. Por, për çudi, ne këtu veten e ndjenim pak më të sigurtë. Mirëpo, për fat të keq, këtu nuk na lanë të qëndrojmë gjatë. Dikur pas mesnate u nisëm në drejtim të Ulqinit, duke i lënë të sëmurët në mëshirën e ushtarëve serbë e malazezë. Në rrugë e sipër, jo fort larg Shkodrës, kolona jonë aty kah ora 3 pas mesnatës ka hasur në një eksploziv që shtrihej mjedisit të rrugës, në një gjatsi prej 10 deri 20 metrash. Me të ndezur të eksplozivit mes nesh u krijua një panik shumë i madh, por përnjëherë pasoi urdhëri që të mos lëvizim nga vendi. Mirëpo, nga frika shumë prej nesh u rrokullisën në të dy anët e rrugës e më pastaj filluan të shtënat e ushtarakëve me ç'rast u vranë dhe u plagosën shumë shokë tanë, kurse në mesin e tyre kam njohur Tafil Shabanin nga Kozhica. Pas nja 30 minutash na kumtuan se jeta jonë më nuk është në rrezik, duke thënë se, "kjo që ndodhi është vepër e reaksionarëve apo e diversantëve shqiptarë të Shqipërisë, të cilët hakmerreshin ndaj shqiptarëve kosovarë për masakrat dhe torturat që kinse paska bërë Xhafer Deva dhe regjimenti i ashtuquajtur kosovar". Krejt kjo u bë sigurisht për të fshehur qëllimin e vet dhe për të nxitur urrejtjen vëllavrasëse në mes të shqiptarëve. Pas shumë kërcënimeve për ta heshtur këtë situatë jemi detyruar të nisemi dhe të vazhdojmë rrugën. Pos tre të plagosurve që na lanë t'i bartim, të sëmurët dhe të plagosurit e tjerë nuk lejuan t'i marrim me vete, por i ngarkuan në mjete të ndryshme transportuese dhe i dërguan në drejtim të Tivarit me qëllim që të mos bien në sy. Shokët e plagosur i kemi bartur mbi supe deri në një fshat, emri i të cilit nuk më kujtohet, por ishte me pullaze prej guri dhe me pak tokë të plleshme. Aty fshatrët na kanë dhënë kanata qerresh të punuara prej thuprave për t'i bartur të plagosurit dhe të sëmurët. Nga këto tortura dhe reprezalje që na bëheshin gjatë rrugës, sigurisht më vështirësi e kanë pasur ata që ndodheshin në fund të kolonës. Ata edhe kanë pasur mundësi të numërojnë më saktësisht viktimat e rrugës, por sigurisht se në këto rrethana pak kujt i ka shkuar ndërmend ta bënte këtë, nga se në çdo moment ekzistonte mundësia që edhe vet të bëhej viktimë e përcjellësve të tërbuar. Instinkti i vetekzistencës dhe rreziku që në çdo moment mund të likuidohej, nuk lejonte tjetër të mendohej por vetem si të shpëtohet jeta. Këtë gjendje psiqike e bënte edhe më të tmerrshme hasja gjatë rrugës në kufomat që binin në krye apo nga mesi i kolonës. Në këtë pjesë të rrugës sharjet dhe ofendimet si "viste zarobljeni, vodiqemo vas u llogor na prinudni rad", "shoptarsku vam majku", "osvetiqese crnogorska omladina", etj., ishin "përshëndetjet" më të shpeshta që na i drejtonte masa dhe përcjellësit tanë, duke na provokuar vazhdimisht dhe duke na i shtuar reprezaljet. Edhe nëse ndonjeri ishte i gatshëm që nga revolti të reagojë duke ditur se ndoshta do ta paguajë me kokë, këtë nuk e bënte, sepse e dinte se pos tij do të pësojnë edhe shumë të tjerë. Zaten ushtarët serbë e malazezë mezi pritnin reagimin tonë më të vogël për të shtënë mbi ne. Kështu të lodhur e të rraskapitur nga rruga, uria e etja, e më tepër nga pasiguria, në gjendje të tensionit të lartë psiqik, e kaluam rrugën nëpër tërë territorin e Shqipërisë. Me të hyrë në kufirin e Jugosllavisë, afër Ulqinit na kanë urdhëruar që të ndalet kolona gjoja për pushim, kurse të gjithë të sëmurët dhe të plagosurit që ishin me ne, të ndahen në një vend të caktuar, gjoja për të evituar ndonjë epidemi të mundshme. Thanë po ashtu se ata të transportohen në ndonjë spital të Malit të Zi për shërim, por sipas të gjitha gjasave edhe ata i gjeti fati i njëjtë si shokët tanë të mëparshëm, kurse në vazhdim rrugën për në Tivar. Me të arritur në Tivar, dikund në mes të orës 12 - 13.00 në çdo skutë të qytetit diktohej një mobilizim i madh i ushtrisë dhe popullsisë të cilët me armë në dorë të drejtuar kah ne, na shikonin me përbuzje të madhe. Diktuam qartë komplotin dhe grackën që na ishte përgatitur. Shpirtrat tona virgjëresha u gjetën në shenjester të pushkëve dhe mitrolozëve që ishin vendosur në çdo qoshe të rrugëve, dritare dhe tarracë të shtëpive e shkëmbinjtë në kodrat përreth. Fitohej përshtypja se nga kjo bllokadë as zogu s'do të mund të fluturonte gjallë. Në qendër të Tivarit të ri, na kanë urdhëruar të ndalemi dhe të ulemi midis rrugës, gjoja për pushim. Në afërsi të rrugës kishte qenë një krua nga i cili ujë rridhte pa ndërprerë. Pasi që ishim shumë të etur, u morëm vesh që tre shokë tanë të prirë nga Sylë Gllobari të ngriten në këmbë dhe të apelojnë te një oficer që ishte afër çezmës për të na lejuar të pijmë ujë. Mirëpo, me të paraqitur të apelit, përnjëherë diktuam se oficeri u mërdhez dhe filloi piskamën e kërcënimin me fjalë ofenduese "shiptarsku vam majku" etj. Në momentin kur Syla me shokë u përpoq të arsyetojë kërkesën, përnjëherë oficeri ka urdhëruar ushtarët të vërsulen mbi të dhe të shtijnë me armë të zjarrta. Pos vrasjes së tyre, nga plumbat që kishin bredhur anash, u plagosën disa shokë tanë dhe një ushtar malazez. Pas kësaj tragjedie, ne mbetëm të shtangur në mes të rrugës, pa patur guxim të lëvizim apo të bisedojmë dhe me frikë pritnim se çdo të ndodhë me ne, pasi që na ishin drejtuar shumë tyta të armëve dhe bajoneta. Për një çast ushtria u tërhoq nja 50 metra largë nesh dhe zurën pozita më të sigurta - dikush pas shkëmbinjve, dikush pas shtëpive e disa sish edhe brenda tyre. Dhjetë apo pesëmbdhjetë minuta më vonë nga komanda e vendit arritën tre oficirë të lartë dhe shumë oficerë e ushtarë të tjerë. Ardhjen e tyre ne e pritëm me një fije shprese se në mesin e tyre do të gjendet ndonjë revolucionar apo komunist që do t' i jepte fund këtyre torturave tona. Mirëpo, shpresa ishte e kotë, sepse njëri prej tyre zuri pozitë në një lartësi dhe filloi të na sulmoi e kërcënohet me fjalët "shiptarsku vam majku", "sve qemo vas ubiti", "samo minuti su u pitanju" etj. Nuk vonoi shumë dhe përmes altoparlanti na u komunikua se gjoja dikush prej nesh ka tentuar t'ia grabisë ushtarit të plagosur malazez revolen, andej kjo dhe kërkesa e organizuar për ujë u shërbeu si preteksti për ta kualifikuar si tentim kryengritje, për çka u kërcënuan me masa hakmarrjeje më drastike. Mirëpo, ne të gjithë mirë e dinim se ky është vetëm një trillim si bazë për një masakér me përmasa më të mëdha. Pas disa çastesh të heshtjes së varrit u ngrit në këmbë njëri nga shokët tanë për të cilin më vonë mësuam se ishte një i ri nga fshati Kozhicë, i cili pas konsultimeve me shokë ishte drejtuar kah oficieret me kërkesë dhe apel që t'u japin fund këtyre vrasjeve, maltretimeve dhe sjelljeve barbare. Por, pa u ofruar mirë, në të u vërsulën ushtarët malazezë dhe me armë dhe bajoneta që i kishin vu në pushkë e copëtuan, por si lakër. Të shtrënguar dhe të tronditur nga kjo skenë e tmerrshme patologjike, ne nuk dinim më çka të bëjmë, të flasim apo si të veprojmë. Të hutuar e me sy të zgurdulluar, vetëm shikonim para vetes dhe pritnim se çka do të sjellë secili çast e minutë i ardhshëm. Kur më nuk ngrihej askush në këmbë dhe nuk bënte zë, oficierët filluan të kërcënohen se një nga një do të na likuidojnë të gjithëve. Heshtjes sonë të mëtejme filluan t'u përgjigjen me tërbim. Urdhëruan që nga mesi i kolonës të ndahen 80 veta, të cilët i lidhën duart dhe i dërguan pas një ndërtese, e mëpastaj vetëm dëgjuam refallet dhe britmat e klithjet e tyre që u masakruan. Ndër shokët që unë i kam njohur, e që u pushkatuan në mesin e këtyre 80 vetëve, ishte edhe Abdyl Bislimi nga Kryshevci i Drenicës. Me të përfunduar të këtij akti mizor, meqë ne ishim në kolonë për katër, në gjatësi prej 5-6 kilometrash, e mundësia për shfarosje masive ishte më e vogël, na kanë urdhëruar të ngritemi në këmbë dhe të qëndrojmë në vend me duar të lidhura mbi kokë. Pas pak na kanë urdhëruar të ecim drejt një ndërtese të madhe trikatëshe, me një sipërfaqe prej afro 300 metra katror dhe me oborr të rrethuar. Ndërtesa ishte e rrethuar nga të tri anët me kodra shkëmbore, kurse oborri ishte me mure të lartë me rrethojë të hekurt, me maja të prehta, gjë që krijonte kushte shumë të volitshme për likuidimin e të gjithë neve pa marrë parasysh a gjendeshim në oborr apo në ndërtesë. Në të hyrë të oborrit të ndërtesës ishin vendosur nga 10-15 ushtarë në të dy anët e hyrjes të përgatitur me shufra hekuri në dorë. Secili prej nesh që hynte nëpër atë hyrje merrte goditje në kokë, gjoks apo shpinë me shufër hekuri dhe vaj halli për atë që nuk mund t'iu bënte ballë të rënave, sepse akzistonte mundësia çdo herë që të mbetet në vend. Ai që mbetej i shtrirë nga të rënat shkelej pa mëshirë nga turma që kalonte nëpër atë hyrje, pa pasur mundësi askush t'iu ndihmojë. Ishte e pamundur të kaloje nëpër atë hyrje të ngushtë e të mos marrësh goditje. Vetëm gjatë këtij akti, këtu në hyrje të oborrit, mbetën të shtrirë rreth 100 apo 150 veta. Shumica prej tyre edhe të vdekur. Ashtu të përgjakur dhe të rraskapitur nja 1000 veta që ishim në ballë të kolonës, na futën por si lopët në atë ndërtesë. Pasi që ndërtesa u mbush përplot, në oborr sipas një vlerësimi ngelën mbi 2200-2500, kurse në rrugë të gjerë 7-8 metra e të gjatë 80-100 metra, kanë ngelur të rrethuar 1.000-1.100 veta, por tani jo të rreshtuar, por grumbull. Kjo u bë për shkak se në këtë mënyrë bëhej likuidimi më i lehtë i tyre. Me të përfunduar të këtij aksioni, ushtarët e kapën Milazim Haxhiun nga fshati Tërnavc, me pretekst se ai qenka njëri prej atyre që ka tentuar t'ia marrë revolen oficierit malazez që u plagos ashtu siç përshkruam më herët. Edhe pse ky refuzoi akuzat, mbi trupin e tij para syve tanë u zbraz një shanzher i revoles. Edhe pse e dinim se xhelatët e pashpirtë po përgatitin masakër të paskrupullt ndaj nesh, i riu 17-vjeçar Ibrahim Koca nga fshati Polac i Drenicës së bashku me 7 shokë shkoi te komanda e shtabit, e cila ishte e vendosur në oborr dhe urdhëronte "udari majku vam shiptarsku neka znaju da je ovde Cerna Gora i da qemo sve do jednog zaklati...", Për dy qëllime:
a) - të apelojë të ndërpritet masakra e mëtejme, sjelljet brutale, rrahjet në hyrje me shufra hekuri dhe
b) - t'u lejojnë t'u ndihmojnë shokëve të lënduar që kishin mbetur në hyrje të ndërteses nga të rënat që kishin pësuar.
Para se Ibrahim Koca ta kryente paraqitjen e kërkesave të përmendura, me urdhërin e komandantit, në të janë vërsulur shumë ushtarë, e kanë ngulur në bajoneta, e kanë ngritur lartë e pastaj e kanë gjuajtur në një shkamb për t'a parë më lehtë. Pastaj, me një fjalë në mënyrë mizore ia kanë pre hundën, veshët, krahët e kanë bërë copa-copa. Pas këtij akti shtazarak, shtabi dhe ushtarët janë tërhequr anash 100 deri 150 metra. Pas dhënies së sinjalit me një armë të rëndë të kalibrit të madh, përnjëherë nga të gjitha anët janë dëgjuar krisma. Rebeshet e armëve të ndryshme vinin drejtë nesh nga çdo skutë, oborr, shtëpi, shkëmb, dritare e pullaze të shtëpive. Shtihej me armë të zjarrit, si pushkë, automatik, mortajë dore, revole e çka tjetër jo. Kësisoj, brenda një ore, asnjë nga grumbulli i njerëzve, përafërsisht mbi 3 mijë veta që ishin vendosur në oborr dhe shesh, nuk mbeti në këmbë, kështu që rrethi i ndërtesës, oborri dhe sheshi u shndërruan në lumë gjaku që i përgjante një kataklizme të vërtetë.
Masakra e Tivarit, komplot i komunistëve shqiptarë për të vrarë forcat e djathta "reaksionare"
Për masakrën e Tivarit janë shkruar libra dhe kohëve të fundit janë shkruar shkrime nga shumë individë, por duket se akoma nuk është thënë qëllimi i vërtetë i saj. Komunistët shqiptarë në Shqipëri dhe Kosovë heshtën për shumë masakra që i bënë serbo-malazezet gjatë Luftës së Dytë Botërore. Teza të forta janë ngritur nga historianë të cilët e cilësojnë Masakrën e Tivarit si plan për të vrarë forcat e djathta, komplot ky midis Partisë Komuniste kosovare dhe Partisë Komuniste shqiptare që drejtohej nga Enver Hoxha. Asnjë masakër nuk ka guxuar të kalojë pa u dënuar, e sidomos ajo e Tivarit, e paparë ndonjëherë në historinë njerëzore. Tivari ka qenë tabu-temë në atë kohë. Po përse heshtën krerët komunistë të Kosovës, pse heshti Enver Hoxha me kompaninë e vetë komuniste, këtë nuk mund ta kuptojë logjika e shëndoshë, as sot dhe as kurrë. Rezoluta e Bunjajt (1943-'44) ka pasur për qëllim krijimin e Kosovës si njësi të Federatës Jugosllave. Por, në fakt në Bunjaj është aprovuar rezoluta në të cilën është thënë: "…arriti momenti i fundit për bashkimin e popullit shqiptar të Kosovës me Shqipërinë…". Kjo rezolutë është e shkruar në gjuhën shqipe dhe në gjuhën serbo-kroate. Kjo rezolutë është dëshmi se lufta nacional-çlirimtare e Kosovës ka qenë luftë për bashkim me Shqipërinë. Kjo rezolutë ishte e ngjashme me idenë e forcave të djathta shqiptare si Balli Kombëtar, NDSH etj, për bërjen e një Shqipërie etnike dhe demokratike. Një muaj pas mbledhjes së Bunjajt politbyroja e PKJ-së i ka shpallur të pavlefshme këto vendime dhe kështu Kosova ka mbetur me dhunë si pjesë e Jugosllavisë me një autonomi tejet të zbehtë. Në letrën e politbyrosë të PKJ, dërguar Komitetit Krahinor të PK të Kosovës, të cilën e ka nënshkruar Millovan Xhillas, e me të cilën hidhen poshtë vendimet e Bunjajt, është edhe direktiva që orientimi për veprim në Kosovë është diskutimi i Xhavit Nimanit. Kështu, Xhavit Nimani vrante e kthjelltë për 45 vite në Kosovë dhe sot ka njerëz që e adhurojnë siç e adhurojnë edhe Enver Hoxhën, i cili më 1944 i dërgon 2 brigada të ushtrisë shqiptare për të siguruar Kosovën si pjesë të Jugosllavisë. Historiani prof.dr. Zekeria Cana në librat e tij "Ditari i Robërisë" 1998-1999 shkruan se në masakrën e Tivarit nuk u pushkatua asnjë gjakovar, sepse ata i shpëtoi Xhavit Nimani, i cili i nxori nga rreshti që ishin duke shkuar për pushkatim. Vetë kjo të bënë me dije se komunistët shqiptarë të Shqipërisë dhe Kosovës e dinin se po ndodhte kjo masakër. Ata nuk reaguan duke menduar se me këtë akt makabër po vriten vetëm forcat e djathta "reaksionare", me qëllim që pastaj komunistët jugosllavë dhe ata të Shqipërisë të marrin frymë më lehtë.
Përgatiti: Kreshnik MERSINLLARI

Geri- Fondatore St@ff Forum
- Postime : 19707
Piket : 23805
Regjistruar : 21/04/2009
Mosha : 36
Vendbanimi : Ne qytetin e dashur Tirone
Faqja 1 e 1
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi