Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Gjirokastra, turizëm në çdo stine

Shko poshtë

Gjirokastra, turizëm në çdo stine Empty Gjirokastra, turizëm në çdo stine

Mesazh nga Arla Wed 12 May 2010 - 10:17






Gjirokastra
është ndoshta qyteti i vetëm në botë, të cilin mund ta “pikturosh” në
secilën nga katër stinët e vitit me një origjinalitet të papërsëritshëm.
Në dimër, dëbora e bardhë sipër vargmaleve që të rrethojnë shikimin,
mplekset me një peizazh ngjyrë qumështi të mjegullës që ngjitet
mëngjeseve, nga Lugina e Drinos në kodrat e pjerrëta, ku ngrihen
shtëpitë marramendëse të Gjirokastrës. Guri i shtëpive miklohet në të
bardhë. Mjegulla nis e zbret sërish në Luginë, për t`u tretur diku nga
mbasditja. Një mbështjellje e butë dhe fantastike që të lë pa frymë!
Në vjeshtë, shiu është ndoshta personazhi më mbresëlënës i qytetit.
Mund të jesh në pjesën e poshtme dhe ta shohësh që larg sesi vjen me
rrëmbim për pak minuta për t`u shtruar më pas në një monotoni
disaditëshe. Grija e çative të shtëpive shndrit nga dërrasat e gurta që
lahen pa pushim.
Një përzierje paqeje dhe mirësie, ku pika e shiut merr vlerën e pikës së lotit që tretet mbi gur! Tej e tej...
Në pranverë, qyteti futet në një të blertë që kacavirret kopshteve
dhe mureve të gurta si shtëpitë që janë kacavjerrë kodrave të buta.
Ajri ka aromën e përzier të luleve dhe pemëve. Qytetit, që të lë ta
shohësh nga lart, (nga kështjella madhështore, Kuculla apo lagjet e
sipërme), i duken vetëm strehët dhe rrugët. Pamja nga këto maja duket
sikur të bën të lundrosh në qiell e të shohësh poshtë vetëm çati të
mbështetura te njëra-tjetra dhe ca labirinthe guri, ku njerëzit lëvizin
si milingonat.
Mistikë në gjelbërim dhe aroma, pamje të denja si në librat magjikë
të Markezit! Por edhe Gabrieli do ta kishte zili mpleksjen e të gjitha
magjive me magjinë e gurit.
Në verë guri djeg dhe vapa e pjek njeriun, por në këtë qytet
shtëpitë e larta marrin frymë lirisht. Freskia e shtëpive të gurta i
bën banorët e saj që të mos mendojnë asnjëherë as për kondicionerët e
sotëm modernë. Guri është i thatë, por vera është e njomësht.
Në këtë qytet për paradoks dielli thyhet nga guri.
Dyqind e kusur vite dërrasat prej guri qëndrojnë ende të paepura mbi shtëpitë madhështore të lyera në të hirtë!
Gjirokastra është ndoshta qyteti i vetëm në botë që ndonëse e ke
parë në dimër, të duket se nuk e ke takuar, kur e has sërish në
pranverë dhe, ndonëse e ke njohur në verë, të ngjan me një të panjohur
në vjeshtë. Stinë të çuditshme në një qytet të çuditshëm!
Gjirokastra ndoshta është ndër të rrallat qytete në botë, ku turizmi mund të rritet në të katër stinët.

Zanafilla e qytetit, një kështjellë mbi Luginën e Drinos

Gjirokastra lindi si një kështjellë që shikonte gjithë luginën, ku
njëri pas tjetrit po binin qytetet, jo vetëm duke u shkatërruar, por
duke u bërë shkrumb e hi nga zjarret e barbarëve.
Ushtritë ia linin vendin karvanëve tregtarë që asesi nuk kishin nga
shkonin pa kaluar poshtë këmbëve të kështjellës së Gjirokastrës. Që
prej gjysmës së dytë të shekullit të XII, në kreshtën e lartë në formën
e një shpine peshku, shtëpitë zgjeroheshin dita-ditës. Kronikanët e
kohës, njëri prej tyre I. Kantakuzenos, në vitin 1336 e citon për herë
të parë në një tekst letrar emrin “Argjirocastron”. Sipas tij,
ekzistonte kështjella dhe qyteti.
Dy shekuj më vonë, Gjirokastra zotërohet nga princët feudalë të
familjes Zenevisë, të cilët nuk rezistuan dot dhe fortesa ra në duart e
turqve. Otomanët e kthyen Gjirokastrën në qendrën më të fuqishme
strategjike të rajonit, duke i dhënë përmasat më të mëdha të zotëruara
ndonjëherë: Gjirokastra bëhet qendra e Sanxhakut të Shqipërisë së
Jugut, që shtrihej nga Çamëria në jug, deri në lumin Mat në veri.
Gjirokastra kthehet në këtë periudhë në një kryeqytet, ku lulëzon
gjithçka. Më pas, Veziri i Tepelenës, Aliu, do ta merrte qytetin në
vitet 1810-1811, për të ngritur një pjesë të madhështisë së tij në
kala. Megjithë madhështinë që i dha Pashai, kalaja nuk e mori asnjëherë
emrin e tij.


Nga udhëtimi i Celebiut te shtëpitë otomane

Në vitin 1672, qyteti vizitohet nga udhëtari turk, Elvia Celebiu, i
cili thotë se qyteti kishte 200 shtëpi të larta me gurë të gdhendur
brenda fortesës. Celebiu jep të dhëna edhe për kalanë, duke pohuar se
ajo kishte formën e një anijeje që ngrihej mbi një shkëmb në formën e
kurrizit të peshkut. Rreth fillimit të shekullit të XVII, duhet të ketë
filluar ndërtimi i Pazarit të Ri, në vendin ku shtrihet sot. Në çerekun
e tretë të shekullit të XVII, Gjirokastra kishte shtrirjen që pothuajse
ka sot. Ndërsa kalaja përfshinte rreth 4/5 e sipërfaqes së kalasë së
sotme. Nën muret e kalasë, aty ku sot ndodhet qendra e qytetit, ishte
ngritur një treg i dytë me 80 dyqane, i cili quhej “Pazari i Ri” ose
“Pazari i Memi Beut”.
Rreth pazarit ishin ndërtuar edhe rreth 150 shtëpi të reja, të cilat
u përfshinë në lagjen “Varosh i Poshtëm”. Duke filluar nga kjo kohë nuk
ishte më kalaja, por Pazari i Ri dhe lagjja “Varosh” si epiqendër. Në
këtë zonë do të ndërtonin sarajet edhe disa nga bejlerët e qytetit. Në
vitet 1813-1814, kalaja e Gjirokastrës zgjerohet nga Ali Pashë
Tepelena, i cili pushton me forcë qytetin. Ndërtimet mbi pjesën e
vjetër dallohen edhe sot në kala. Pas kalasë, lagjja jashtë saj që mund
të jetë zhvilluar e para është ajo që sot quhet “Pllakë”, por atëherë
shënohej si “Varosh i Vogël”, poshtë Pazarit të Vjetër. Fill pas kësaj
duhet të jenë ngritur, sipas studiuesve, edhe lagjet e tjera para
shekullit të XVII, lagjet “Hazmurat”, “Varosh”, “Palorot”, “Dunavat”
dhe “Manalat”. Në shekullin XVIII, qyteti vijon të zhvillohet rreth
Pazarit të Ri, ku ndërtohen mjaft dyqane, aktivitete artizanale. Në
gjysmën e dytë të shekullit të XVIII, ndërtohen shumë nga banesat
karakteristike. Banesat janë zakonisht dy dhe tri kate dhe rrallë katër
kate. Karakteri mbrojtës ka influencuar rrënjësisht ndërtimin e këtyre
banesave. Në bazë të regjistrimit të vitit 1879, Gjirokastra si kaza
kishte 21 625 banorë dhe si sanxhak 103 296 banorë. Gjirokastra si
qytet kishte 12 mijë deri në 15 mijë banorë. Kjo ka qenë dhe një nga
periudhat më të arta të zhvillimit të qytetit. Fillimi i shekullit të
XIX shoqërohet me ngjarje të rëndësishme historike për Gjirokastrën.
Krijohet klubi patriotik “Drita”, “Komiteti i Fshehtë për Lirinë e
Shqipërisë” dhe hapet shkolla e parë shqipe (shtator 1908). Në vitin
1909, në Gjirokastër luhet pjesa e parë teatrore në shqip, ndërsa më 4
dhjetor 1912 në kala ngrihet nga një grup patriotësh flamuri i
pavarësisë. Më 16 mars 1913, Gjirokastra pushtohet nga ushtria greke e
Venizellosit deri në vitin 1916. Në vitin 1916, ushtria italiane e
pushtoi Gjirokastrën, pasi përzuri ushtrinë greke.

Vitet tridhjetë- Vitet e mendimit kulturor dhe të tregtisë

Në vitet 1930 zhvillohen me shpejtësi aktivitete tregtare dhe në
qytet merr udhë tradita e kulturës dhe shtypit. Në Gjirokastër del
gazeta “Demokratia”, ku shkruajnë penat më të njohura shqiptare dhe ku
Branko Merxhani boton për herë të parë platformën e tij për
neo-shqiptarizmën. Qyteti numëron në këtë kohë disa shtypshkronja dhe
klube kulturore që i japin Pazarit jetë dhe mendim. Vitet tridhjetë
konsolidojnë edhe tregtinë dhe pronarët e tokave.
Falë një ritmi shkëmbimesh tregtare me Sarandën, gjirokastritët e
kthejnë portin e vogël të Sarandës në portin e dytë pas Durrësit në
Shqipëri për ritmin e tregtisë. Më 18 shtator 1944, qyteti çlirohet nga
forcat nazi-fashiste. Më 1961, Gjirokastra u shpall Qytet-Muze dhe u vu
nën mbrojtje shtetërore. Pas vendimit pati një zhvillim sasior dhe
cilësor për studimin dhe klasifikimin e ndërtimeve, si dhe për
restaurimin e tyre. Në vitin 1969, Gjirokastra numëronte rreth 16 mijë
banorë, ndërsa në korrik të vitit 1973, hyri në fuqi Rregullorja mbi
Mbrojtjen dhe Administrimin e Qytetit-Muze, Lista e Monumenteve të
Kategorisë së Parë dhe zonifikimi i qytetit. Mbi këtë rregullore,
qyteti ndahet në dy njësi të mëdha: në Qendrën Historike dhe në Zonën e
Lirë. Qendra historike përbëhet nga Zona-Muze dhe Zona e Mbrojtur. Në
Gjirokastër, Lista e Monumenteve Kulturore dhe Historike përbëhet nga
105 objekte prej të cilave 59 Monumente të Kategorisë së Parë (Banesa),
kurse në zonën fshatare 20 (Banesa). Në vitin 1973, edhe Ateljeja e
Monumenteve të Kulturës u kthye në Degë të Monumenteve. Në korrik të
vitit 2005, qyteti pranohet në Listën e Pasurive Botërore që mbrohen
nga UNESCO dhe në dhjetor të vitit 2006, qeveria shqiptare akordon 1,2
milionë dollarë për zonën historike të qytetit.

Pozita e shkëlqyer gjeografike

Gjirokastra ndodhet në një kryqëzim rrugësh të rëndësishme historike
që i lejojnë sot vizitorëve të shijojnë bukuri të rralla natyrore dhe
pasuri historike, arkeologjike dhe kulturore. Një pjesë e tyre lidhen
me gjurmët e vendbanimeve antike e mesjetare të Luginës së Drinos,
ndërsa një pjesë tjetër me vlerat e zonës historike të qytetit të
Gjirokastrës. Gjirokastra ndodhet 210 km larg Tiranës, kryeqytetit të
Shqipërisë. Vetëm rreth 70 km larg nga qyteti antik i Butrintit (pasuri
e UNESCO-s), 30 km larg nga Kakavija dhe 150 km larg nga porti i
Gumenicës që e lidh me Mesdheun, Gjirokastra mund të bëhet lehtësisht e
vizitueshme. Qyteti i gurtë është vetëm 60 km larg nga Saranda, një nga
destinacionet turistike bregdetare më të rëndësishme të Shqipërisë. Në
Sarandë mbërrijnë mijëra turistë, veçanërisht gjatë verës, nga ishulli
grek i Korfuzit. Turizmi drejt Gjirokastrës gjen interesim të rritur në
këto dy-tre vitet e fundit, veçanërisht nga shqiptarët e Kosovës,
Maqedonisë dhe Malit të Zi. Në mjaft raste kombinohet prej tyre vizita
në Gjirokastër me udhëtimin drejt Sarandës. Duke përshkuar Fierin, ku
ndodhet Apollonia, vizitorët mbërrijnë në qytetin e Tepelenës, ku
ndodhet Kështjella e Ali Pashës, përshkojnë Luginën e mrekullueshme të
Vjosës dhe kanë mundësi të ndalen në monumente të rralla të natyrës.
Përparësitë turistike të rajonit shprehen në ekzistencën e mbi 150
monumenteve natyrore të gjalla dhe jo të gjalla. Në rajon, 4200 ha pyje
gëzojnë statusin “Park Kombëtar”, 7060 ha janë “Rezervat Shkencor”,
ndërsa 13.500 ha pyje janë “Zonë Peizazhore e Mbrojtur”.

Turizmi në Gjirokastër

Gjirokastra mrekullon çdo vizitor me pasuritë e saj historike,
kulturore dhe natyrore që gërshetohen me shpirtin mikpritës të
banorëve. Arkitektura e famshme e lagjeve të tëra, kalaja madhështore
që duket sikur “lundron” në qiell, shtëpitë si kështjella të vogla që
rrjedhin poshtë saj si ujëvarë, pazari shekullor, ku katër rrugë
mblidhen në një qafë si me një dorë të artë, rrugët e kalldrëmta, ku
ngjitesh dhe zbret si nëpër përralla…, një ansambël i tërë me gurë të
gdhendur. Dhe jo vetëm kaq: një dekor madhështor malesh rreth e
rrotull, shpina e Malit të Gjerë, vargmalet e Lunxhërisë, majat e larta
të Buretos. Syri më së fundi zbret i magjepsur në pamjet piktoreske të
Luginës së Drinos dhe shkrihet me një peizazh përrallor. Qyteti vazhdon
të ruajë famën edhe prej figurave të shquara në historinë e Shqipërisë:
Gjirokastra është qyteti i lindjes së shkrimtarit më të shquar shqiptar
Ismail Kadaresë, dijetarit me të shquar të gjuhës shqipe, Eqerem
Çabejt. Ishte ai që themeloi edhe tezën më thelbësore të ekzistencës së
shqiptarëve, atë të qenies mes Lindjes dhe Perëndimit. Në “Palorto”,
një lagje në zemër të qytetit, lindi Enver Hoxha, dikatori shqiptar që
udhëhoqi 50 vjet drejt izolimit Shqipërinë komuniste. Tre liderë të
tjerë shqiptarë lindën në Gjirokastër. Omer Nishani u zgjodh në
Kongresin e Përmetit 1944, President i KANC, Adil Çarçani, nga një
fshat afër qytetit u zgjodh si kryetar i qeverisë së Hoxhës pas vdekjes
së Mehmet Shehut (1981), ndërsa Bashkim Fino u zgjodh kryeministër në
Qeverinë e Pajtimit Kombëtar gjatë trazirave të 1997. Dy kryeministra
të tjerë e kanë origjinën nga Gjirokastra: Fatos Nano, nga zona poshtë
këmbëve të Lunxhërisë dhe Pandeli Majko, nga një familje qytetare.
Qyteti i dha botës shqiptare kapacitete intelektuale të përmasave të
mëdha. E gjithë kjo shndritje e mendjeve njerëzore e riktheu
Gjirokastrën në vitet, kur nisi madhështinë: Pasi kishin mbyllur
misionin si zyrtarë të perandorisë osmane në poste e ofiqe, dhjetëra
gjirokastritë riktheheshin në Gjirokastër për ta shkrirë pasurinë, duke
lartësuar shtëpitë e tyre.
Që të gjithë ushqenin veten për të jetuar si “kolonelët në pension”.
Por duke u përpjekur të mbanin brenda mureve të lartë, shtëpive
madhështore dhe brenda vetes së tyre shkëlqimin e dikurshëm.


Gjirokastra në UNESCO

Gjirokastra u pranua më 22 korrik të vitit 2005 në Listën e Pasurive
Botërore që mbrohen nga UNESCO. Prej vitit 1991, qeveria shqiptare,
nëpërmjet Ministrisë së Jashtme i kishte kërkuar zyrtarisht UNESCO-s,
që në listën e monumenteve “Pasuri Botërore” të përfshihen:
qytetet-muze të Beratit dhe Gjirokastrës, Varret Monumentale të Selcës,
amfiteatri i Durrësit dhe qyteti antik i Butrintit. Në nëntor të vitit
1991, Dr. Andrazh Roman, në cilësinë e ekspertit të UNESCO-s, vjen në
Shqipëri për të vrojtuar në vend propozimet e kërkesës shqiptare. Sipas
raportit të tij dërguar në Shqipëri, ai ka shprehur mendimin se
mundësitë më të mëdha për të fituar këtë status të privilegjuar i ka
lagjja “Mangalem” në Berat dhe qyteti i muze i Gjirokastrës. Gjatë
vizitës së tij më 2001, Drejtori i Përgjithshëm i UNESCO-s, Matsura,
deklaroi se Gjirokastra e meritonte të hynte në Listën e Pasurive
Botërore. Dosja e qytetit, e përgatitur nga ekspertët e Institutit të
Monumenteve të Kulturës nën drejtimin e profesor Emin Rizës, në
bashkëpunim dhe me bashkinë e qytetit, u mbështet me asistencë dhe nga
fondacioni “Pacard”. Në fillim të vitit 2004, dosja e Gjirokastrës, e
plotësuar, u dorëzua në Qendrën e Trashëgimisë Botërore. Vendimin për
shpalljen e qytetit muze të Gjirokastrës, pasuri e kulturës botërore, e
mori Komiteti i Trashëgimisë Botërore i mbledhur në sesionin e 29 të
tij në Durban të Afrikës së Jugut, nga data 10-17 korrik 2005. UNESCO e
vlerësoi Gjirokastrën si një shembull të rrallë të qytetit të
mirëmbajtur otoman, që ruan vlera unikale arkitekturore dhe muzeale për
kulturën shqiptare atë evropiane dhe më gjerë. Gjirokastra është
monumenti i dytë nga Shqipëria pas qytetit antik të Butrintit që bëhet
pjesë e trashëgimisë botërore. Në gjithë botën këtë status e gëzojnë
afërsisht 812 site, (nga këto 628 kulturore, 160 natyrore dhe 24 të
përziera), si qendra të rëndësishme të trashëgimisë.

*Botohet nën kujdesin e Zyrës së Administrimit dhe Koordinimit të qytetit-muze të Gjirokastrës
Arla
Arla
Hapësira Jonë - Forum
Hapësira Jonë - Forum

<b>Postime</b> Postime : 2501
 <b>Piket</b> Piket : 2696
Regjistruar : 06/01/2010

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Gjirokastra, turizëm në çdo stine Empty Re: Gjirokastra, turizëm në çdo stine

Mesazh nga Arla Wed 12 May 2010 - 10:20

Banesa Asllan Muhedini[/b]



Viti I ndertimit mendohet shek.XIX. Karakteristike e kesaj banese me dy krahe eshte trasparenca e theksuar e saj.
Gjirokastra, turizëm në çdo stine 44197885

Banesa e Ficajve



Viti i ndertimit 1902. Banese e variantit te thjeshte me dy krahe.Pamja e saj dallohet per dekoracionet e shumta
Gjirokastra, turizëm në çdo stine Ficaj

Banesa e Kikinove



Viti i
ndertimit 1825. Eshte nje nga shembujt me te zhvilluar te baneses
gjirokatrite, e variantit me nje krah.Banesa dallohet per dekoracionet
me piktura
Gjirokastra, turizëm në çdo stine Kikn

Banesa e Resajve



Viti I
ndertimit 1823,ndersa rikonstruksioni ne vitet 1865 dhe 1873. Monument
i kategorise se pare me shume vlere.Nje nga shembujt e perkryer te
baneses gjirokastrite me nje krah.
Gjirokastra, turizëm në çdo stine Resb

Banesa e Torove



Banese e ralle me shume vlera.Banesa eshte e thjeshte por ajo ka rendesi se hedh drite mbi zhvillimin e baneses gjirokastrite
Gjirokastra, turizëm në çdo stine Toroq

Banesa e Vaso Cicos



Viti
i ndertimit 1821.Eshte banese disi e vecante ne dallim nga tipologjia e
baneses gjirokastrite.Banesa shquan per trajtimin e jashtem te krahut
te djathte.
Gjirokastra, turizëm në çdo stine Vaso
Banesa e Zekatëve



Viti I
ndertimit 1811-1812. Nje nga perfaqsuesit me tipike te baneses gjirokastrite te variantit me dy krahe. Banesa shquhet per kompozimin ne lartesi, pamjen monumentale dhe karakterin mbrojtes
Gjirokastra, turizëm në çdo stine Zek
Banesa Totozani (Bejo Beqiri)



Periudha ndertimit fillimi I shek. XIX. Monumenti paraqet nje rast te ralle te variantit te baneses me
Gjirokastra, turizëm në çdo stine Totoy
Shtëpia e Kabilatëve



Shtepia
e Kabilateve-monument kulture i kategorise se pare. Viti i ndertimit
1813-1814. Nje nga shembujt me te zhvilluar te baneses gjirokastrite,
Gjirokastra, turizëm në çdo stine Kabr
Shtëpia Babaramo



Viti i ndertimit mendohet te jete nga fundi I shek. te XVIII Nje nder banesat me te rendesishme te variantit me dy krahe.Gjirokastra, turizëm në çdo stine Babk
Arla
Arla
Hapësira Jonë - Forum
Hapësira Jonë - Forum

<b>Postime</b> Postime : 2501
 <b>Piket</b> Piket : 2696
Regjistruar : 06/01/2010

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi