Si ta kontrollojme xhelozine
:: Zone e Lire :: Kuriozitete
Faqja 1 e 1
Si ta kontrollojme xhelozine
Ka çifte që besojnë verbërisht te njëri-tjetri, të tjerë që ndiejnë pak xhelozi, të tjerë akoma që janë shumë posesivë. Por ka edhe lidhje që mund të shkatërrohen lehtë nga pasiguria, kontrolli i tepërt, fantazma e ish-it, sekretares, apo një të dashure që nuk ekziston. Nëse nuk doni që ta çoni edhe ju dëm lidhjen tuaj, duhet të mësoni të kontrolloni xhelozinë e tepruar. Natyrisht që në disa raste është shumë e vështirë, sepse edhe nëse përpiqesh të kesh besim te partneri, gjithçka është në favorin e tij: është simpatik, ka një pozicion të mirë në punë, shpesh është i rrethuar nga femrat, bën shumë udhëtime pune… Ndoshta ka bërë gabim që ju ka treguar se në të kaluarën ka qenë pak qejfli femrash dhe kur përmend të tilla gjëra dihet se çfarë mendojnë vajzat për temën në fjalë: kush tradhton një herë, herët ose vonë do ta bëjë sërish. Pavarësisht traditës dhe së kaluarës, ai mund të jetë një partner i shkëlqyer dhe nëse xhelozia vazhdon t’iu shqetësojë, problemi mund të jetë i juaji. Ja si të dominoni mbi këtë instinkt, i cili rrezikon t’iu prishë lumturinë.
Pikënisja
Pyetja është e thjeshtë: si e ke hallin? Çfarë të shqetëson? Përpiquni të kuptoni se nga ju vjen kjo xhelozi, ka pasur diçka në të kaluarën që e ka nxitur, apo ka diçka në të tashmen që të bën të pasigurt. Paqëndrueshmëria ekonomike, aspekti fizik, mendimi i tij për martesën. Pasi të keni gjetur përgjigjen, është e rëndësishme të kuptoni që nëse në të kaluarën keni pasur partner jo besnik dhe që ju bënte të vuanit, nuk është e thënë që çdo i dashur mund të sillet në të njëjtën mënyrë. Gjithsesi kjo gjë nuk e justifikon fiksimin tuaj.
Mos e jepni kurrë veten, sidomos në publik
Mos e mbani mendjen te dyshimi. Nuk ka rëndësi se çfarë gjërash të tmerrshme do t’iu bëjë të besoni mendja juaj, sidomos faktin që partneri juaj ka një tjetër. Nëse një herë ai vonohet në zyrë, mund të ketë pasur një mbledhje të papritur në punë me drejtorin dhe jo me një sekretare seksi. Nëse nuk përgjigjet në celular, ndoshta nuk e ndien sepse po dëgjon muzikë me zë të lartë në makinë. Nëse gjeni etiketën e një palë veshjeve intime në makinë, ndoshta ka menduar t’iu bëjë një surprizë juve.
Si të bindeni
Nëse bindjet tuaja konfirmohen dhe jeni të bindur se ai nuk ju qëndron besnik, mos nguroni, por bëjini ndonjë pyetje. E rëndësishme është që të bëhet fjalë për disa pyetje të thjeshta dhe jo për një pyetësor të gjatë. Ta shqetësoni me qindra pyetje boshe nuk do t’iu vlejë asgjë. Po komunikimit, jo torturës psikologjike!
Përmbajtja
Pasi ta keni kuptuar se e juaja është xhelozi që nuk mund të shërohet, mos u përpiqni ta mposhtni këtë ndjenjë, sepse të jeni të bindur se nuk do ta keni aspak të lehtë. Megjithatë ka diçka të cilën mund ta vini në përdorim menjëherë: transformojeni energjinë negative të xhelozisë, në një shtysë pozitive. Bëni gjëra për vete dhe për partnerin tuaj për të përmirësuar raportin tuaj. Shkoni në palestër, filloni një dietë, ndryshoni prerjen ose ngjyrën e flokëve, rinovoni gardërobën. Gjejeni ju mënyrën për të rregulluar veten dhe për t’i dhënë lidhjes jetëgjatësi dhe lumturi.
Me letra të hapura
Sa të rrini të kontrolloni në dollapin e tij të rrobave, të lexoni mesazhet që i vijnë në celular, apo të gjuani me grushte tastierën e kompjuterit të tij për të gjetur fjalëkalimin, do të ishte më mirë t’i vinit letrat në tavolinë. Jeni xheloze? Atëherë është më mirë t’ia thoni gjërat në sy se sa të ziheni. Thojini që ajo mikesha e tij tepër provokuese, ju tërbon, ndoshta do të ishte mirë që herën tjetër ai t’i shmangte qëndrimet e gjata me të.
Mos bëni krahasime
Nëse vajza e parë që ju kalon pranë, ndërsa po bëni një shëtitje, ju çmend, atëherë problemi jeni ju dhe jo ai. Partneri e shikon sepse ka veshur një minifund të shkurtër dhe shumë të ngushtë? Vërtet po tregohet i pa edukatë, por nëse kjo gjë nuk ju pëlqen dhe ju nxeh, problemi jeni gjithmonë ju. Nëse ai është me ju, ju do, ju respekton, dilni së bashku, jetoni të dy, atëherë nuk keni përse të shqetësoheni sepse ju ka zgjedhur juve. Kështu që nuk keni arsye pse të bëheni xheloze për çdo femër që kalon rrugës. Mos e krahasoni fytyrën tuaj, gjendjen ekonomike, simpatinë, bukurinë, rrobat tuaja, me ato të një gruaje tjetër. Ti je ti dhe nëse atij i pëlqeni, pse nuk duhet t’i pëlqeni dhe mendjes suaj.
Shkoni në teatër
Kur ai ju thotë se po e teproni, por ju mendoni se jeni brenda normës, atëherë përpiquni të mbani veten dhe të tregoheni e rritur. Për të zgjidhur këtë çështje dhe për të larguar çdo dyshim që keni, kërkojini partnerit tuaj t’u imitojë, sikur të ishte një aktor i vërtetë, për të parë veten se si silleni, flisni, tonin që përdorni dhe gjestet që bëni. Në atë moment përpiquni të jeni sa më autokritike me veten dhe kur t’iu vijë për të qeshur, ose do të ndjeni turp, ta dini që ai ka të drejtë që mërzitet dhe ka ardhur koha t’i jepni fund kësaj gjëje që nuk po ju lë të qetë.
Lëreni të qetë
Duke e ndjekur kudo, duke i qëndruar nga pas si rrodhe, nuk do të bëni gjë tjetër veçse do ta bezdisnit. Dhe nëse ai ka ndërmend t’iu tradhtojë, do ta gjejë mënyrën dhe momentin për ta bërë, të jeni e bindur për këtë. Kështu që mbani qëndrim nëse nuk dëshironi ta shihni në krahët e dikujt tjetër. Lëreni të dalë me miqtë dhe mos ndërhyni në punët që nuk ju takojnë. Vetëm besimi është baza e një marrëdhënieje.
Shikoni, dëgjoni dhe kritikoni
Pothuajse të gjithë njerëzit xhelozë, e mohojnë një gjë të tillë dhe mendojnë se gjithmonë e kanë situatën nën kontroll, që nuk e ekzagjerojnë asnjëherë. Por a jeni të sigurta për këtë? Bëni disa ushtrime. Shihni me kujdes çiftet e tjera dhe mundohuni të kuptoni se si sillen në publik. Kur vëreni shenja xhelozie, për një frazë të thënë nga ai, për një vështrim gjetkë, apo për një batutë mbi seksin, atëherë vëreni veten në pozicionin e asaj vajzës dhe shihni se si do të reagoni. Do të ndryshonit ndonjë gjë, apo do të silleshit në të njëjtën mënyrë? Nëse mendoni se do të silleshit më keq, atëherë të jeni të bindur se keni problem.
:: Zone e Lire :: Kuriozitete
Faqja 1 e 1
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi