Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Fan Stilian Noli dhe jeta e tij. (1882-1965)

Shko poshtë

Fan Stilian Noli dhe jeta e tij. (1882-1965) Empty Fan Stilian Noli dhe jeta e tij. (1882-1965)

Mesazh nga Geri Mon 8 Feb 2010 - 10:47

Fan Noli ishte artist dhe dijetar, perfaqesues e shquar i letersise demokratike, qe u zhvillua ne shqiperi fill pas Rilindjes.
Fan Noli lindi me 6 Janar 1882 ne fshatin Ibrik Tepe, fshat shqiptar ne Thrake, jo shume large nga Ederneja.
Si
disa fshatra te tjere te asaj krahine te banuar nga shqiptare, fshati
kishte ruajtur gjuhen dhe zakonet e te pareve. Noli prejardhjen e tij
fisnore e kishte nga Kolonja. I ati, Stiljani, ndonse trashgoj nje cope
toke, nuk u mor kur me punet e bujqesise, po sherbeu si psalt ne kishen
e fshatit. E ema Maria ishte shtepiake. Familja u shtua shume dhe
jetesa u veshtirsua per te.
Sa qe i mitur Noli kaloi semundje te medha dhe kjo qe dhe arsya qe e filloi shkollen me vonese.
Filloren dhe te mesmen e beri greqisht. Por me shume tek ai ndikoj dashuria per gjuhen shqipe.
Qe ne bankat e shkolles u shfaq krenaria e pavarur dhe fryma e revoltes. Per kete shkak nuk ju dha diploma ne kohen e duhur.
Me
1900 vajti ne greqi qe te nxirte jetesen dhe te vazhdonte fakultetin e
filozofise. Ne Athine u lidhe me nje shoqeri belgjiane, e cila zotronte
tranvajet me kuaj. Nuk i eci mbare me kete shoqeri dhe shkollen nuk e
beri. Filloj te bente pune te tjera si: kopist, sufler dhe aktor prane
nje trupe teatri greke. Atje ju ngjall deshira per tu mare me
dramaturgji. Me 1903 shkoi ne Egjipt, ku zuri pune si mesues i
greqishtes. Nderkoh njihet me levizjen kombetare. I ndihmuar nga
patriot, nisi veprimtarine politike dhe letrare.
Me 1906, i nxitur
dhe i perkrahur nga patriotet, Noli u nis per ne SHBA, me qellim qe te
ndihmonte ne organizimin dhe ne bashkepunimin e shqiptareve te merguar,
qe kercenoheshim nga reziku i percarjes, per shkak te veprimeve te
shovinisteve greke.
Beri pune krahu si puntor ne nje fabrik share,
si pjatalares etj. Megjithese nuk kishte bindje te forta fetare u be
prift me 1908 dhe filloj luften per shkeputjen e kishes ortodokse
shqiptare nga ajo greke, duke bere sherbesa shqip, duke perkethyer ne
shqip librat fetar etj. Nderkohe bashkepunonte me gazeta, mbante
ligjerata, organizonte shoqeri patriotike, te cilat, me 1912, u
bashkuan ne federaten pan-shqiptare "Vatra". Ate vit kreu studimet e
larta ne Universitetin e Harvardit.
Pas shpalljes se pavarsise,
Noli perkrahu qeverine e kryesuar nga I. Qemali. Erdhi ne Shqiperi per
te paren here me 1913. Pastaj shkoj perseri ne ShBA. "Vatra" e zgjodhi
kryetar. Ne kete kohe ai shkroi vjershat e tij te para, qe ishin dhe
shqiperimet e para artistike.
Me 1921 doli vepra e tij madheshtore
ne proze "Historia e Skenderbeut" .Ne Shqiperi erdhi serisht ne fillim
te viteve 1920. Gjeti nje levizje mjafte te gjere per sigurimin e
pavarsise kombetare. Si deputet ne Keshillin Kombetar, mbrojti
platformen e Kongresit te Lushnjes dhe u be udheheqsi i krahut
demokratik kunder feudaleve, qe kryesohej nga A. Zogu. Noli luajti nje
rol te dores se pare ne organizimin dhe drejtimin e Revolucionit
Demokratik te Qershorit me 1924, pas ngadhnjimit ne te cilin u caktua
kryetar i qeverise. Por revolucioni nuk u cua deri ne fund per arsye se
Noli me shoke u treguan shume te bute
. Revolucioni u thye nga bashkeveprimi i reaksionit te brendshem dhe me forca te huaja.
Me 24 Dhjetor 1924 Noli mori rugen e mergimit politik dhe nuk u kthye me ne Shqiperi.
U vendos perkohesisht ne Vjene. Regjimi zogist e denoj me vdekje ne mungese.
Ne
periudhen 1925-1930, krahas veprimtaris politike, zhvilloi nje pune te
dendur krijuese: shkroi vjersha, perktheu ne shqip disa kryevepra te
letersise botrore, botoj artikuj te mprehte per mbrojtjen e
Revolucjonit Demokratik te Qershorit per denoncimin e regjimit zogist
dhe te reaksionit nderkombetar. Pas vitit 1930, Noli u largua nga
Evropa dhe u vendos perfundimisht ne ShBA. Aty ushtroj profesionin e
peshkopit te kishes ortodokse Shqiptare.
Me 1947 botoi perpunimin
qe i beri "Historise se Skenderbeut", nxori ne drite nje botim anglisht
dhe me 1949 nje variant te dyte shqip te saj.
Me1948 botoj vellimin me vjersha "Album".
Me 1960 dha nje "Autobiografi" ne anglisht, mjaft terheqese.
Me 1961-1963 botoj dy vjershat e fundit dhe perketheu ne shqip disa vjersha te poeteve te njohur.
Me 20 Nentor 1963 vajti ne Florida.
Me 13Mars 1965 Fan Noli vdiq, ne Fort Lauderdel, larg atdheut te tij te dashur, qe e deshi me zjar te pashuar.
Fan Noli eshte varosur ne Forest Hill Cemetiry, ne Boston.

40 vjet pas vdekjes, Fan Noli akoma enigmatik per Shqiperine

Është
kthyer dy herë në jetë nga vdekja e sigurtë dhe rreth një shekull pasi
ai ka filluar të shkruajë dhe 40 vjet pas vdekjes provokimi i tij te
lexuesit hap një botë enigmash të përafërta me dilemat e jetuara të
tij. Gati të të njëjtit puls me ato të fëmijës me heronj që rikthehen
ndër të gjallët. Ngaqë e “kish të shkruar” me sa duket ritin e kthimit
“sa të ketë emër”.


Shtegu i çelur për të pritur
vdekëtarin, që e solli trupin e tij dy herë nga e përtejmja për të
“treguar” se çfarë pa “andej” dhe pse mbeti në jetë, ashtu si jo rrallë
i pelqeu Nolit të vetëshpjegohej, i ka bërë lexuesit e çdo kohe dhe
dëgjuesit bashkëkohës të tij të mbartin në një njëfarë mënyre përkimin
me magjinë e ëndrrës - mision të shprehur prej tij. Përkim ky, i vënë
jo rrallë në pikëpyetje nga muzgu i disa fakteve biografike. Të gjitha
udhët e kërkimit të Nolit flasin për prirje, për bëma herojsh. Pasi
ishte shtrënguar ta linte pas jetën private të Egjyptit, detyra e tij
përqëndrohej në bashkimin e turmave “amorfe të shqiptarëve, të cilët
ishin ndarë në tri grupe fetare... Lipsej të mblidhte të holla nga
njerëz skamnore, të cilët, sikurse të gjithë shqiptarët, ishin me
kursimtarë se skotlandasi i njohur koprac. Kish për detyrë të gjente
një udhëheqës të volitshëm për ta, dhe udhëheqësi nuk duhej të priste
një rrogë të mjaftueshme për të jetuar. Kishte për detyrë ta
emanciponte kishën ortodokse shqiptare nga kthetrat e patrikanes së
Stambollit, të cilët e kishin sunduar atë afro dymbëdhjetë shekuj.
Kishte për detyrë të çlironte afër dy milionë shqiptare nga Perandoria
Turke, e cila kishte një popullsi prej mëse gjashtëdhjete milionë
banorësh, lipsej të fitonte simpatinë e fuqive të mëdha të Evropës, të
cilat ishin tërësisht të krishtera, për shqiptarët, të cilët ishin në
pjesën dërrmuese muslimane, dhe urreheshin dhe nga vetë turqit. Kishte
për obligim të siguronte dhe fitonte përkrahjen e opinionit publik
botëror, ndërsa nuk e kishte mënyrën të ndikonte në këtë opinion, veç
disa revistave shqiptare të cilat i lexonin fare pak ata që nuk ishin
shqiptarë, për të qenë puna dhe me pisk, ato lipsej të ndikonin në
shqiptarët, kurse shqiptarët nuk dinin të lexonin shqip!” Detyra është
shqyrtuar përmes tre heronjve të tij të Ibrik-Tepesë: Napoleoni,
Skënderbeu dhe Krishti. “Vota ishte unanime. Kështu dhe Fan Noli eci
përpara duke shpresuar atje ku s’kishte shpresë, duke pasur besim te
Zoti dhe në drejtësinë e çështjes, që kishte marrë përsipër”. Një
mision shenjti do të shënonte fillimin. Nolit 25-vjeçar iu kërkua
autoriteti i tij i parë për t’u ushtruar: të “dorezohej” prift
shqiptar. Kjo ishte “ndeshja e duhur”. Profesioni i mundur për të.
Vepra e mjaftueshme për heronj... Vepra e kishës e parë me kulminacion
si vepër e madhe politike edhe pse e kryer në Amerikë, është një nga
çastet e shënuara me krenari për të gjithë shqiptarët me emrin e Nolit.
Kisha dhe atdheu, që në këtë rast ishte i largët, ka funksionuar si një
vlerë e zhvendosur mbi bazën e binomit retorikë-atdhe. Afrimi me
auditorin përmes kishës është modeli me spërkatje rilindjeje sipas nje
modeli që Zamputi e jep për Fishtën me “binomin Atme e fe”. Përtej
ngërçit që ka kërkuar në vite justifikime për Nolin prift, kisha i
ngjan veprave shqiptare edhe me kryerjen e saj jashtë kufijve. Ngjarjet
e saj provuan se ajo ka qenë një nga institucionet që mund të bëhej pa
patur atdheun e pushteteve civile, në raporte gati të tilla si ato që
sollën dhe lëvrimi i letrave dhe publicistikës shqipe. Po ashtu të
ndërtuarit e kishës shqiptare jashtë Shqipërisë është në vazhdën e
realiteteve, që kryhen për të kryesisht jashtë kufijve. Titulli i tij
zyrtar ishte: “Mitropolit i Durrësit, Gorës dhe Shpatës, primat dhe
zëvendëspatriark i gjithë Ilirisë, detit perëndimor dhe gjithë
Shqipërisë”. Mes një të përditshmeje krijuese dhe ne auditorin e kishës
ai ishte publik siç dëshironte dhe mund të jetonte, si prift. Kisha, që
funksiononte dhe si partnere mediatike, ose adresa ku ishte mbajtur ose
demostruar çështja e javës për komunitetit shqiptar e botuar me pas dhe
në gazetë, ishte atmosfera që e çoi Nolin sipas Lames në drejtimin e
“Dielli”-t. “Prifti u bë gazetar; me 8 qershor 1919, prifti dorëzohet
peshkop dhe peshkopi zgjidhet deputet i Vatrës në Parlamentin e
Shqipërisë… mëshon në kishë, mëshon dhe në shtyp.” Kontributi për
ndërtimin e këtij rrjeti mediatik të shqiptarëve të Amerikës, solli me
një frymë 12 shekuj zhvillimi. Noli predikoi llojin e fundit të quajtur
situativ para një auditori me “atdheun” e largët. Eshtë “pretenca” e
formimit të tij që e çon kah modernia e shekullit në të cilin jetoi,
modernizëm, në themel përshtatjeje me jetën civile. Manifestimi i tij
tregoi se mund të tregonte Shqipërinë moderne edhe pa qenë këtu e qe aq
më pak moderne. I prirur për të përqafuar misione të mëdha, ose për t’i
afruar ato me rastet e jetës së tij, përveç kishës bashkë me gazetën,
rruga shumë shekullore e retorikës në shoqërinë njerëzore, mësyu me
veprën e Nolit drejt e në nivelin e saj bashkëkohor. Dhe për me tepër
në shqip. Kjo ka ndodhur njëkohësisht me rimarrjen e pushteteve dhe
administratave në gjuhën shqipe. Situata është vërtet e rëndësishme dhe
kushtezuese në pikëpamje historike institucionale. Ka qenë vështirësi e
madhe të punoje në një terren bosh thuajse pa atdhe si ai i Nolit, por
nga ana tjetër, të ishe në një situatë të tillë luftarake të imponuar,
kushtet ishin thuajse të llojit ideal për kombinimin e kapaciteteve
folëse (përfshirë retorikët) me ato konfliktuale të mjedisit. Sepse
vetëm atëherë, mund të luheshin skena heronjsh, qoftë dhe një Daniel në
strofkullën e luanit (kupto nje parlamentar si Noli te fshehur nën
karrike për t’iu shpetuar plumbave). Në marrëdhënien e të përditshmeve
të Nolit, retorika ka vazhduar të fitojë terren civil, madje dhe në
mjediset e kishës, ashtu siç ka udhëhequr me intuiteën e tij Noli i
njësuar prej “madheëisë” së misionit. Vlerat e mbetura të gjuhës vijneë
pikërisht nga këto madhësi.
Noli e Konica – Heronjt e Homerit.. Në
një vepër për Nolin, Lefter Lame Dilo -shkruesi i parathënies mendon se
autori ishte shoku i “pandarë të idealit të pastër” për Konicën.
Konflikti kishte shpërthyer me forcë “të mëdhenjsh” mes rreshtash, si
ato të Konicës për ngjarjet e ’20-’24. Drama “politike me tre akte” e
Shqipërisë ishte si vijon: Akt i Parë- Ahmet, Zogu, në lidhje me
marrëveshje të plotë me Fan Nolin dhe shokët, bëri një luftë të fortë
për Partinë e Indipendencës të përfaqësuar nga Vatra, kundra Partisë së
Kollonizimit italian të përfaqësuar prej Luigj Gurakuqit. Zogu triumfoi
dhe Gurakuqi u mund.
Akt i Dytë- Gurakuqi ahere u përpoq dhe arriu
të kllase Fan Nolin me shokët në qarkun e influencës së tij, organizoi
një kryengritje me përkrahjen e Italianëve dhe përzuri Ahmed Zogun nga
Shqipëria.
Akti i Tretë- Ahmed Zogu organizoi dhe ay një
kryengritje me përkrahjen e Serbëve, përzuri Gurakuqin me Fan Nolin nga
Shqipëria, çliroi njerëzit që kish burgosur Gurakuqi, vuri njerëz të
tjerë në burg, dhe u bë i zoti i Shqipërisë.” Po sipas Konicës,
njerëzit e Qershorit 1924 vunë Nolin në krye sepse “besimi i tyre ka
qenë së Fan Noli i lirë nga intrigat lokale, i lirë nga zemërime dhe
klecka malokësh, i lirë nga një të shkuar ngatërresash nënë dhe do të
qeveriste me frymën e re të një njeriu me ideale të ndryshme”. Noli
është larguar nga Shqipëria pas ardhjes së Zogut nëpërmjet Italisë
“(Dhjetor 1924) ftuar nga Musolini”, siç dëshmon Elsi. Pas një
përthyerje joheronjsh në veprën e tij politike, pasojnë dhe disa të
tjera siç ishte pranimi më në fund sërish prej tij i Zogut, madje
rendimin në një llogore me të, pasi i kishte kërkuar pension kur ai
kishte qenë ende mbret i shqiptarëve. Konica është një nga kujtimet e
Nolit në një nga përmendjet ose reagimet e fundit publike të tij dhe
pikërisht në fjalimin me rastin e 50 vjetorit të gazetës “Dielli”. “Sa
i përket punës së tij gazetareske, ju të gjithë dini se nuk ka qenë i
shkëlqyeshëm, ngaqë ndonjëherë e zhyste penën në acidin e gurkalit të
stilit të vërtetë francez…”. Ky njeriu i kishte lënë testamentin e
jetës së tij Lame Kodrës e priftit Noli, që pritshëm do t’i këndonte
mbi varr, por jo me rezervat e paimagjinuara të një grindjeje. Zamputi
sjell Maleshoven për vleresimin që ai e sheh treskajor
Konica-Noli-Fishta. Për të ata “janë fytyrat me të mëdha të Shqipërisë
në fushën e kulturës”.
Noli – misioni politikan?
Roli
“magjepsës dhe fatal njëkohësisht” i “korifej i popullit dhe vendit”,
siç e kanë quajtur me shumë figurë kryeministrin gjashtëmuajsh të
’24-ës, ka disa referime. Duke iu afruar politikës nga pathosi i
komunikatorit dhe nevoja e lindur nga mungesa e atdheut, bëhet e qartë
që ky nuk mund të ishte profesioni i tij. Përveç rrethanave të tjera,
mosmenaxhimi i të cilave, në njëfarë mënyre ishte përgjegjësi e postit
që kishte marrë përsipër. “Një kohë më parë” se Noli të hynte në
histori, atdheu i kërkuar i Nolit që jetonte në modelin-vepër “...ç’ka
qenë, ç’është e ç’do të bëhet”, ushtroi mes kërkimeve të shumta
precedentin e pushtetit të katërt- publicistikës - pa një shtet të
qartë me pushtetet e tjera në Shqipëri. Në mungesë të shtetit shqiptar,
vepra kulturore e shqiptarëve hynte në tregun me të çuditshëm që mund
të kishte patur ndonjëherë. Për auditore që nuk mund të silleshin
kurrësesi pranë: autorët shqiptarë që ishin edhe vetë në formim, i
drejtoheshin popullsisë shqiptare me kufizime dhe rretheve politike me
forcë vendimi mbi Shqipërinë. Realiteti (vendimmarrës) jashtë
Shqipërisë, më i rëndësishëm se ai brenda saj dhe lejet për botim të
drejtuara nga administrata të huaja rezultojnë sot me një inventar të
thjeshtë se, shqiptarët kanë shkruar dhe botuar në disa kontinente,
shtete dhe rreth e rrotull nëpër Ballkan ndoshta më shumë se brenda
Shqipërisë. Në njëfarë mënyrë, të prodhoheshe personalitet shkrimi ose
dhe veprimtar kombi jashtë Shqipërisë, nuk ishte e rrallë, për të mos
thënë që u bë lloj zotërues. Dhe autorë të tillë si Mithat Frashëri
gjejnë se “ca nga ca, në mënyrë inkoshiente, mëmëdheu mori për mua
formën e një perëndie dhe kulti i tij ... vendin e një besimi fetar”.
Noli veçon me shumë nga të gjithë duke na afruar çudinë e të lindurit
shqiptar në një komunitet shumë të ngushtë e të kufizuar siç ishte ai i
një fshati në Turqi të treguar shumë vite më pas mes përkëdhelisë së
misioneve në Autobiogafi: “duket sikur misioni i Ibrik -Tepesë ishte sa
për t’i dhënë një pionier si ju Rilindjes shqiptare. Pasi mbaroi atë
mision, ajo u zhduk nga harta si një ngulim shqiptar në Thrakë”. Atdheu
i ka munguar Nolit dhe disa autorëve të tjerë bashkëkohorë një lloj si
publicistikës. Ai ndjen dukshëm nevoja identiteti profesional dhe
ekzistencë materiale, ngjyra këto që i ngjajne një të përditshmeje të
vështirë për t’u jetuar dhe aq me pak për të ndërtuar vizione
misionesh. Ose dhe aq me shumë për të ëndërruar me lendë heronjsh
mundjen e një realiteti të vështirë. Vetë ardhja ne Shqipëri drejt e
nga metropolet e zhvilluara është gati në kufijtë e një perralle. Në
terma të shtetit, pamundësia për të ushtruar një të tillë shqiptar
solli një kontradiktë të qartë. Kur rasti i shtetit shqiptar erdhi,
figurat që kishin sjellë kontribute të medha edhe pa të, nuk arriten të
ushtronin as mjeshtëritë fillestare për shtetin. Noli është më tipiku
për këtë, por jo i vetmi.
Autorët e kanë vërejtur pashmangshëm
fondin e “misionit” dhe sipas veprash të ndryshme ose përshtypjesh të
përgjithshme,kanë konkluduar për forcën e (mos)veprimit, sidomos në
rastet kur kanë marrë për bazë krahasimi,heronjtë e shpallur të Nolit
ose ata të përafruarit pej tyre. Përhumbja e përmasave të tij konkrete,
sidomos në rastet kur nuk janë me vlerën e mitit, vijnë sipas Qoses, në
një përshtypje krijimi që “Noli ka pasur qejf të madh pastaj, që si
krijues, si historian t’i kapë heronjtë për fyti dhe prej piedestalit
të tyre të lartë e të paprekshëm, t’i zbresë në mesin e njerëzve të
thjeshtë, tek do të jetojnë, të gëzohen dhe të vuajnë, të ngadhnjejnë
dhe të dështojnë bashkë me ta”. Noli dhe heronjtë frekuentojnë
njeri/tjetrin, duke shkëmbyer sipas rastit përmasat mitike me ato
njerëzore. “Gjatë rrethimit të rrezikshëm të Parlamentit, që zgjati
afërsisht katër ore, Fan Noli për herë të parë në jetë, nuk e pyeti
veten:” Si do t’ia bente Napoleoni, ose Skënderbeu, apo Jezui në një
rast të tillë?” 1. Një hero i harruar apo i pamundur? Paraprakisht Noli
e kishte larguar modelin e tij politik të fëmijërisë, Napoleonin,
përmes shqyrtimesh që tingellojnë ndoshta naive në autobiografi, por që
dukshëm nuk e lejojnë të përqaset në gjithë veprimin e tij politik me
formula të njohura individësh ose ideologjish dhe që gradualisht është
shndërruar në gjasë me shumë dilema. Modeli politik përmes heroit të
fëmijërisë, është pjesa me pa përfaqësim gjatë gjithë jetës së Nolit,
dhe për këtë arsye ajo me pa fizionomi,edhe atëherë kur mbetet mes
komunitetesh e aksionesh të majta. Këtu nuk është fjala për emrin
konkret të heroit, sepse për një moment heroi tjetër është gati. “Ai e
dinte se kësaj pyetjeje të tij i gjendej përgjigja tek “Dhiata e
Vjetër”, në episodin ku flitet për Danielin në strofkullen e luanit”2.
Përtej asaj që shumë studiues e përkufizojnë si romatizëm e idealizem
të tij, Noli e “pëson” nga moskonsiderimi i atyre që nuk shqyrtohen nga
këto misione. Autori që ecën “Anës lumenjve” nuk është Noli, siç
zgjodhi dhe siç u shfaq. Qartësisht, Noli nuk është shfaqur vendimtar
për politiken ose nuk ka reflektuar sukses me aksionin e tij politik,
perjashto rastet kur ishte shumë i mbështetur. Brenda konstelacionit të
misionit, me të cilin shfaqet aftësia për të menaxhuar postet e
karrierës, nëse do të ndaleshim tek ai vetëm si politikan, atëhere do
të ishte e vështirë të zbulonim cilësi domethënëse. Jo vetëm sepse ai
dështoi në kulminacionin e kësaj vepre, duke sjellë më shumë se
gjithçka, mospërmbushjen e “pritjes”, që ishte ndërtuar për të edhe nga
vepra politike. Njeriu luftarak i letrave, strategu i rrallë i tekstit,
vrojtuesi më largpamës dhe më i hollë i shtresave të krijimit, armata
më e fuqishme e prodhimit të suksesshëm e voluminoz, madje dhe vepruesi
me përfundim në çështjen ortodokse shqiptare dhe atë diplomatike të
pranimit të Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve, nuk ishte aspak i tillë si
“i pari” i Shqipërisë. Brenda kuadrit të shfaqjes së tij dhe kthesave
që pësoi dhe Shqipëria nga kjo shfaqje, pjesa më e debatuar e Nolit,
politika, është shpërndarë në këto diskutime si vezhgim, për të
vlerësuar aftësite e tij dhe përmes kësaj, rëndësinë e shtuar apo
pakësuar në veprën “Atdheu”, e cila nuk ia kishte sjellë gjithashtu
“pritjen” e tij të madhe, duke e nderur mes dilemash fillestari në
përpjekjet për ta mbajtur brenda tij me forcën e mëparshme. Këtu nuk
është fjala për emocionin e dashurisë ndaj vendit, që nuk e mundi si
politikan, por për vullnetin që ndërtohet dhe nga kompetenca e
përfaqësimit të komunitetit.
Por nuk duhen harruar dhe kushtëzimet
si ato për të cilat bëjnë fjalë burime të sotme gojore të administratës
për Shqipërinë në Departamentin Amerikan, të cilat janë shprehur
publikisht se, kjo njohje nuk do të ndodhte për sa kohë Noli nuk do të
provonte me zgjedhje të lira, sepse ai përfaqësonte vullnetin e vërtetë
të popullit. Kurse përsa i përket programit të tij qeverisës, të
njëjtat burime pohojne se ai ishte diçka e pamundur praktikisht prej
Shqipërisë në atë periudhë. “Bisedonjësit të gatshëm”, i kërkohej
veprim sipas detyrës politike me të cilën vinte. Teksti politik i
Nolit, i dukur si “parathënia” edhe e një veprimi të suksesshëm
politik, ka diferencë të dukshme me aksionin politik. Dhe kjo është
mbetja e vetme nga tekstet i tij. Në kuptimin konkret politik, programi
i qeverisë së Revolucionit të qershorit, kishte shumë më tepër nga
ç’mundej Shqipëria në përgjithësi. Por kjo e fundit, është prova që ka
ndodhur pas hartimit të tekstit. Një aksion është tashmë i sigurt: Noli
vetë, është “shqipëruar” plotësisht si individ, deri në të qenurit
përfaqësues politik i komunitetit, gjuhën e të cilëve pasi e mësoi e
tejkaloi. - E shqipes u bëftë!

Pak fjalë për Fan Nolin
Emri
i Fan Nolit, Theofan Stilian Noli, është lidhur megjithë kulturën e re
shqiptare të shekullit tonë. Vendlindja, Ibrik-tepeja ose Qyteza, një
fshat shqiptar në Traki, afër Adrianopojës. Pasi kreu në greqisht
shkollën fillore dhe gjimnazin, në vitin 1900, në moshën 18-vjeçare, ai
u largua nga vendlindja për të mos u kthyer dot më dhe shkoi në Athinë.

gjimnazin grek ai ishte njohur me letërsinë antike greke, me letësinë
evropiane e sidomos me veprën e Shekspiri. Vetëm më 1912 ai kreu
studimet e larta dhe u diplomua per arte , kurse më pas në moshën
55-vjeçare, mbaroi konservatorin, dhe në moshën 63-vjeçare mori
doktoratën e filozofisë për histori. Për të siguruar jetesën, hyri në
një shoqëri tramvajesh e më pas si sufler në një teatër. Më 1903 shkoi
në Egjipt ku punoi për dy vjet si mësues. Më 1906 Noli u dërgua në
Amerikë nga patriotët e kolonisë së Egjiptit për organizimin e lëvizjes
kombëtare të shqiptarëve të atjeshëm. Brenda një kohe të shkurtër Noli
krijoi shoqërinë “Besa-besë”, që më pas u shkri në federatën “Vatra” si
dhe gazetën “Dielli”.
Noli është dëgjuar ose lexuar si prift,
gazetar, shkrimtar, politikan, kritik letrar, diplomat, historian,
përkthyes, madje dhe si muzikant në kohën e vet. Në vite nuk ka qenë e
mundur të diskutohet mbi Nolin në vetëm njërin prej këtyre
“profesioneve”. Një jetë në kufijtë e legjendës ka nisur me portretet e
përfytyruara të tij. Mes te cilave ngrihet:
Heroi i misionit të
kryer Biri i vetëm që “duhej me doemos... të plotësonte ambiciet e...
kota” të babait të drejtuara nga të qenurit prijes ishte njeriu që “i
pëlqente aq shumë adhurimi i heroit sa dhe muzika”. Njeriu që 18 vjeç
nuk ishte me në vendin e tij të lindjes, por në një shtet e komunitet
nëse mund të thuhet “i kundërt”(në pikëpamje të fesë dhe rivalitetit
rajonal për ndikim) me atë te Turqisë, Athinë, që “të gjente një punë
atje dhe të vazhdonte studimet në universitetin e Athinës” - si
“karrocier trolejbuzi, kopist, sufler, aktor”, kishte qenë “Fan Noli në
imagjinatën e tij, duke mbajtur Dhjatën e Re të Kristoforidhit në
njerën dorë”, që “kerceu mbi kalin e tij Rosinant dhe u bë kalorës i
Skënderbeut si dhe misionar i Krishtit midis popullit shqiptar”. Pasi u
vendos në ShBA, u mor me krijimtari letrare, me studime të ndryshme,
siç ishte “Bethoveni dhe Revolucioni Francez” etj dhe me organizimin e
veprimtarive të kishës shqiptare në Amerikë, e cila shërbente si qendër
e lidhjes së kolonisë shqiptare. Fan Noli mbeti deri në fund të jetës
së tij një demokrat i shquar. Ai vdiq më 13 mars 1965 në ShBA, ku
ndodhen edhe sot eshtrat e tij.

Konica, miku dhe armiku më i madh i Nolit.
Një
tjetër hero i Nolit brenda etikës që i nevojitej shqiptarëve, është ai
që ka gjetur Konica: “Me rastin e kremtimit të Ditës së Flamurit, u
poqa me shokun e vjetër, peshkop Fan Nolin, të cilin nuk e kisha parë
disa vjet. Fan Noli, (njeriu që ka lojtur roll aqë të madh në lëvizjen
t’onë dhe është aq i njohur munt t’i përmendet emëri pa ndonjë titull
si një fytyre historike, pa hyrë në ndonjë pakësim nderimi në këtë
mungesë titulli)…Heronjt’e Homerit ç’këmbejin fjalë t’ashpëra, pastaj
bashkoheshin, si me parë. Sado që s’jemi si ata heronj, m’u kujtuan kur
u poqa me një fytyrë me të cilën kam lëftuar aqë shumë kohë si shok,
edhe pak kohë si kundërshtar”. Heroi tjetër i Homerit - rivali i Nolit,
me sa duket nuk ka qenë thjesht armiku i pakthyeshëm i tij. Faik Konica
- njeriu që e pa Nolin si oguri i bardhë, ka mbetur padrejtësisht deri
vonë fajtori i konfliktit të të dy të mëdhenjve. Prifti i bërë për herë
të parë i tillë në komunitetin që udhëhiqej nga Konica, i ngritur me
kalimin e kohës në meshtar, peshkop e deri kryeministër, ishte
vlerësuar “me plot gojën.. . nga shoku i tij Faiku, që mbeti gjithnjë
Faik i thjeshtë me penë në dorë..” “Kabineti i Fan Nolit është më i
miri që munt të bëhej;...”. Kështu e gjykon Faik Konica kabinetin e
shokut dhe të bashkëpunëtorit të vet Theofanit. Ai që mbeti Faik, dhe
në mërgim për gjithë jetën, edhe kur u shtruan, këtu meshë, u ngritën
pallate, e që grumbulluan pasuri nga njerëz, që nuk e deshën kurrë
Shqipërinë, e që as e dinin në kishte një komb të tyre, “nga tryeza ku
punoi Fan Noli prift” jep vlerësimet maksimale për të.
Geri
Geri
Fondatore St@ff Forum
Fondatore St@ff Forum

<b>Postime</b> Postime : 19707
 <b>Piket</b> Piket : 23805
Regjistruar : 21/04/2009
 <b>Mosha</b> Mosha : 36
 <b>Vendbanimi</b> Vendbanimi : Ne qytetin e dashur Tirone

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Fan Stilian Noli dhe jeta e tij. (1882-1965) Empty Re: Fan Stilian Noli dhe jeta e tij. (1882-1965)

Mesazh nga Geri Mon 8 Feb 2010 - 10:47

Fan S. Noli – Kolos i atdhedashurisë dhe i kulturës sonë

Nga Gjekë Gjonlekaj - Nju Jork

Njeriu
përjeton disa çaste në jetë të cilat nuk shlyhen kurrë nga kujtesa.
Këto momente lënë mbresa të thella që nuk harrohen kurrë.
Me 14 mars
të vitit 1965, një koleg imi i Gjimnazit të Gjakovës më njoftoi heret
në mëngjes për vdekjen e Fan Nolit. Ai tha se këtë njoftim e kishte
dëgjuar në emisionin shqip të “Zërit të Amerikës”. Lajmin për vdekjen e
Fan Nolit e përjetova si një humbje personale. Nuk e di pse.
Antologjitë e letërsisë shqipe të cunguara nga cenzura botonin disa
poezi, një fotografi dhe biografi të shkurtër të Fan Nolit. Ato pak
poezi i mësonim përmendësh dhe në biografi shkruhej se Fan Noli jeton
në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në qytetin Boston. Fotografia e tij
në antologji ishte shumë tërheqëse. Ajo figurë hyjnore menjëherë të
bënte për vete. Rrobet e zeza me kollare të bardhë me kujtonin priftin
e vendlindjes, Dom Simon Filipaj. Noli dhe veprimtaria e tij në Shtetet
e Bashkuara zgjonte për mua një interesim të veçantë. Amerika dhe Noli
përfaqësonin begatinë, diturinë dhe lirinë. Si nxënës atë kohë gëzonim
disa të mira materiale nga Shtetet e Bashkuara. Disa profesorë të
gjuhës dhe letërsisë shqipe nuk e përfillnin shumë cenzurën dhe flisnin
për Nolin me dashuri e adhurim të posaçëm. Natyrisht, ata kërkonin që
shpjegimet e tyre të mos dilnin jashtë klasës. Në atë kohë njerëzit
ishin shumë besnikë.
Marsi për shqiptarë është muaj shqetësues,
bile në mars janë vrarë ose kanë vdekur, shumë personalitete të shquara
të kombit tonë midis tyre edhe Imzot Noli. Dyzetë vjet më parë, më 13
mars u shua si meteor në qiellin e madh të Amerikës rilindasi shqiptar
i fundit. Mund të thuhet lirisht figura më poliedrike e racës arbërore.
Kolos i vërtetë i atdhedashurisë dhe kulturës.
Me 2 prill të këtij
viti, u nda nga kjo jetë Papa Gjon Pali i Dytë.Shtypi dhe
radio-televizioni botëror e përcollën me vëmendje dhe respekt këtë mort
të madh. Patëm rastin dhe morëm pjesë në atë ceremoni madhështore në
Vatikan. U shkrua dhe u fol shumë për jetën dhe veprimtarinë e Papës.
Nuk
e di pse, por tërë kohën mendonim kush është ai shqiptar që mund të
krahasohej me Papën Gjon Palin e Dytë. Ato ditë flitej veçanërisht për
figurën poliedrike të Karol Vojtilës. Të gjitha krahasimet dhe analizat
tona e nxirrnin Nolin më afër Papës se asnjë personalitet tjetër
shqiptar. Papa teolog, Noli teolog. Papa poliglot, Noli poliglot. Papa
poet, Noli poet. Papa ekumenik, Noli ekumenik. Papa aktor, Noli aktor.
Papa diplomat, Noli diplomat. Papa orator, Noli orator. Papa patriot,
Noli patriot e shumë e shumë tituj të tjerë që nuk po i përmendim në
këtë shënim. Edhe jetëgjatësinë e patën të njëjtë. Papa 84, Noli 83 .
Të dy vepruan për të mirën kombëtare dhe pushojnë në amshim jashtë
atdheut.
99 vjet më parë, arriti në Tokën e Re, në moshën 23
vjeçare njeriu që do t’i printe popullit të vet në rrugën e mundimshme
të lirisë dhe pavarësisë. Ky apostull i lirisë do të punojë tërë jetën
për tokën e premtuar. Hyri dhe u laurua në tempujt më të lartë të dijes
në Amerikë. Bashkoi shqiptarët duke themeluar institucione
pan-shqiptare, që gjatë kësaj dekade do të kremtojnë 100-vjetorin e
tyre, siç janë gazeta “Dielli” dhe Kisha Ortodokse Shqiptare. Nderoi
racën arbërore me aftësitë e tij kulturore më shumë se asnjë shqiptar
tjetër jashtë atdheut. Punoi dhe bashkëpunoi me elitën fetare kulturore
dhe politike të Amerikës dhe Evropës. Koleg klase në Harvard me babain
e Presidentit John F. Kennedy. U ftua në Shtëpi të Bardhë nga
Presidenti Johnson të mbante ligjeratë për Shekspirin, me rastin e
400-vjetorit të lindjes, bile Peshkopi ynë bëri edhe lutjet fetare të
rastit. U takua dhe bisedoi me Presidentin Wilson për shpëtimin e
Shqipërisë. Mori pjesë në konferencat më të rëndësishme ndërkombëtare
për çështjen shqiptare. U shqua edhe në fushën diplomatike dhe
politike. Ngriti fonde financiare me vlerë të sotme miliona dollarësh
për shpëtimin e Shqipërisë. Në kohën kur po bënte këtë fushatë shkroi
vargjet poetike që ishin thirrje biblike “Mbahu Nëno mos ki frikë se ke
djemtë në Amerikë”. Kreu detyrat më të larta në atdhe. Themeloi Kishën
Ortodokse Autoqefale Shqiptare. Shkroi shqip dhe anglisht historinë e
Skënderebut. Shkroi vepra të mëdha të letërsisë dhe muzikës, kryevepra
këto që u komentuan nga elita botërore e kulturës. Ngriti 13 kisha
ortodokse shqiptare në Amerikë. Përktheu shqip dhe anglisht libra me
karakter kombëtar e fetar. Ne moshen 80-vjeçare mësoi gjuhën aramaike
të Jesu Krishtit. Shkroi dhe botoi 40 vepra kulturore të fushave të
ndryshme. U shqua në fushën e gazetarisë. Profesor Martin Camaj thotë
se publicistika shqiptare arriti kulmin me Nolin e Konicën , mbasi
sollën në gazetarinë shqiptare përvojën e shkollës amerikane. Shqipëroi
vepra të mëdha të kulturës botërore. Udhëzoi dhe inkurajoi klerikët
myslimanë, katolikë e bektashinj për themelimin e institucioneve të
tyre fetare në Amerikë. Idenë e Monsinjor Zef Oroshit për afrimin dhe e
mundësisht bashkimin e Kishës Orotodokse dhe Katolike Shqiptare e priti
mirë. Por mosha nuk premtoi që kjo vepër të shkonte drejt realizimit.
Nderoi të gjithë ata shqiptarë dhe të huaj që punuan për Shqipërinë. Ua
njohu zotësitë dhe meritat edhe kundërshtarëve më të mëdhenj.
Zhgënjimet më të mëdha i pësoi në jetën politike. Në jetën fetare
shoqërore dhe kombëtare të shqiptarëve të Amerikës, Imzot Noli gëzonte
respekt të jashtëzakonshëm. Shqiptaro-amerikanët e moshuar tregojne
shumë për Peshkopin e tyre të dashur.. Ata thonë se Noli i
paralajmëronte famullitë shiptaro-amerikane për vizita baritore dhe ata
lajmin e vizitës së Uratës e prisnin me gëzim. Në meshët e Nolit
merrnin pjesë të gjithë. Ai predikonte ungjillin shqip dhe anglisht.
Para ose pas meshës tregonte shumë barcoleta. Besimtarët shkonin në
kishë shumë të gëzuar, sepse atë ditë do të dëgjonin edhe humorin e tij
të shkëlqyeshëm. Bile, për të qenë sa më origjinal, ai vetë bëhej
objekt humori. Shumica e sukseseve të shqiptarëve të vjetër të Amerikës
lidhën me Fan Nolin. Dukej si një patrik.
Sipas shkrimeve të
shenjta, dyzet ditët dhe dyzet vjetët e vdekjes shënohen dhe kujtohen.
Me sa dijmë, 40-vjetori i vdekjes së Imzot Nolit kaloi pa asnjë
përkujtim serioz. Bota shqiptare brenda e jashtë atdheut e injoroi
dyzetvjetorin e humbjes së këtij Mojsiu shqiptar. Shtypi shqiptar ka
shkruar se atje në Evropë e këtu në Amerikë janë bërë ceremoni
përkujtimesh për disa njerëz që në krahasim me Nolin nuk kanë asnjë
meritë. Vitin që vjen është 100-vjetori i zbarkimit të Nolit në Tokën e
Re, që për shqiptarët e Amerikës është një Kristofor Kolombo i dytë.
Ata që përgatiten për të hyrë në Evropë dhe në Amerikë me ikonën e
Nolit do të jenë më të besueshëm dhe më të pranueshëm. Bota e
qytetëruar investon shumë për të nxjerrë në dritë personalitetet e
mëdha, siç ishte Fan Noli. Ky injorim u bë për inate politike e ndoshta
edhe për diçka tjetër. Të harrohet dhe lihet në terr një figurë e
ndritur me permasa ndërkombëtare tregon edhe mosrespektin për Shtetet e
Bashkuara të Amerikës, ku gjetëm shpëtimin. Dyftyrësia me Amerikën pas
katastrofës së 11 shtatorit nuk do të pranohet në shoqërinë amerikane
të lënduar.
Eshtë detyrë e Sinodit të Shenjtë të Shqipërisë në
bashkëpunim me institucionet e tjera fetare shqiptare të fillojë
procedurën e shenjtërimit të këtij prelati shqiptar. Kjo figurë
gjeniale dhe e shenjtë meriton të gdhendet në Malin e Dajtit ose në
Malin e Tomorrit, ashtu siç është gdhendur figura e Thomas Jeffersonit
në Malin Rushmore. Në udhën tonë të gjatë dhe të errët, Noli ishte dhe
mbetet për ne si një Yll Drite.

Jorgaqi: Jeta e njeriut nuk mjafton per jeten e Nolit

25
vjet nga jeta e studiuesit Nasho Jorgaqi per jeten e Nolit, e
megjithate ai shprehet se nuk mjafton jeta e asnje njeriu, per te
shkruar gjithcka mbi jeten e tij. Kjo veper eshte fryt i nje admirimi
te studiuesit per Nolin, e duke qene pedagog per disa dekada ne
universitet, pohon ai, qe nje rrethane fatlume qe vete puna shkencore
m'i shtonte mundesite per te qene me prane figures se tij. 1200 faqet
biografike mbajne titullin "Jeta e F.S.Nolit", e prej fare pak ditesh
ndodhen ne librarite tona. Natyrisht qe ai eshte i gezuar e i
lehtesuar, ndaj shprehet: "Kam ate ndjesine qe ia arrita nje qellimi,
ia dola mbane vepres sime me te rendesishme te jetes. Tani kur shoh
prapa, nuk me besohet qe kam pershkruar nje rruge kaq te gjate, dhe
rruga gjithmone eshte me lodhje, pengesa, me kthesa e dilema, por une
jam perpjekur qe t'i permbahem nordit ne kete qellim qe i vura vetes".
Por te gjitha keto vijne pas udhetimeve te shumta, pas shfletimeve
intensive dhe pas shkeljes te atyre vendeve ku Noli jetoi e punoi. Edhe
foton e shtepise me qerpic ne te cilin lindi gjeniu, ai e ka bere me
duart e tij.

Flet studiuesi me i njohur i Fan Nolit, Nasho Jorgaqi

Ju
jeni studiuesi me i njohur i vepres se Nolit. Pyetja me e zakonshme qe
behet ne keto raste eshte: Si ndiheni tani qe vepra mberriti ne duart e
lexuesit?

Ndihem i gezuar, ndihem i lehtesuar. Kam ate
ndjesine qe ia arrita nje qellimi, ia dola mbane vepres sime me te
rendesishme te jetes. Tani kur shoh prapa, nuk me besohet qe kam
pershkruar nje rruge kaq te gjate, dhe rruga gjithmone eshte me lodhje,
me pengesa, me kthesa e dilema, por une jam perpjekur qe t'i permbahem
nordit ne kete qellim qe i vura vetes.

Kur shkruajme e
germojme per nje personalitet, gjithmone mundohemi te gjejme nje fill
qe na lidh me te. Cili eshte filli me i forte qe ju lidh me jeten dhe
vepren e Nolit?

Te gjithe njerezit ne jete perpiqen qe te kene
nje model, nje shembelltyre. Ne rini shembelltyra ime ka qene Qemal
Stafa, figura e nje te riu idealist perkushtuar nje kauze te madhe, sic
eshte ajo e lirise dhe fryti i atij adhurimi tim per te, eshte nje
biografi qe shkrova per figuren e tij. Ne moshen e metejshme, figura
qendrore e adhurimit tim ishte Fan Noli. Ky qe i permasave krejt te
ndryshme, jo vetem per jetegjatesi me te madhe, me nje veprimtari shume
paanshme, por misheronte gjerat kryesore qe mund te pasqyroje njeriu ne
jeten e tij. Frymen demokratike, aspiraten per te care perpara,
dashurine e tij te madhe per kulturen, natyren artistike, boten
emocionale. Gjera keto qe jane themelore ne jeten e nje njeriu,
intelektuali, njeriu te dijes ne jeten e nje artisti. E kam te veshtire
te them se mund te kete nje te dyte ne historine e kultures sone, si
rasti i Nolit. Ishin te tera keto, qe mua ne rini, gjithmone duke u
bere me i ditur, duke mesuar me shume, kuptova se ky eshte njeriu ku
une duhet te mbeshtetem dhe te ndjek rrugen e tij. Ndaj iu vura Fan
Nolit, por duke qene pedagog per disa dekada ne universitet, qe nje
rrethane fatlume qe vete puna shkencore m'i shtonte mundesite per te
qene me prane figures se tij. Nje moment kur une kthej koken pas, me
vjen mire qe, kur Fan Noli vdiq, me ngarkuan mua kryeartikullin ne
gazeten "Drita", pasi asaj kohe une isha i ri. Por qe atehere une
fillova te mendoj seriozisht per t'i treguar edhe publikut vlerat e
ketij personaliteti, dhe kjo do te vazhdonte me faza me serioze. Me pas
vjen nje udhetim qe une ndermora ne fillim te viteve '80-te ne
vendlindjen e tij, ne Ibrik Tepe ne Turqi, dhe qe prej ketu filloi puna
ime kerkimore, hulumtuese, e cila zgjati me vite. Deri ne vitet '90-te
une kisha bere kerkime, hulumtime, por keto qene te pamjaftueshme, dhe
vetem pas viteve '90-te kur une shkova ne Amerike, perfundimisht arrita
te kap thelbin e figures se Nolit, e rroka jeten e tij dhe e pashe ne
driten e se vertetes dhe afer se vertetes, dhe u perftua ajo figure qe
une e kam dhene ne kete veper.

Ne nje pasazh ne kete veper shkruhet: "Noli perngjason me heronjte e tragjedive greke"....

Noli
eshte nje figure... madhore, shume komplekse, ku mbeshtillen te gjitha
komponentet kryesore te njeriut, patriotit, demokratit, klerikut,
dijetarit, por ai mbi te gjitha ishte nje njeri. Dhe momenti njerezor
eshte gjeja me e rendesishme ne nje personalitet. Duke qene nje njeri
me nje bote te madhe shpirterore, me nje mendje te gjere, me kulture te
thelle, me interesa te gjera, me nje ndjeshmeri te larte. Kjo eshte
njera ane, ndersa ana tjeter eshte kontradikta qe ai kishte brenda
vetes. Ai i perjetonte drame, i vuante ngjarjet, rrethanat, problemet e
komunitetit dhe te popullit te tij. Dramat e popullit shqiptar ishin
dhe dramat e Nolit dhe ato dihet sa te mprehta e te dhembshme ishin. Ne
planin personal, une do te kujtoja fjalet qe ka thene biografi i tij i
pare, me nje biografi 40-50 faqe, Qerim Panariti, i cili ka thene se
"Noli kishte te gjitha virtytet dhe te metat njerezore, plus ato te
vetat". Une i jam permbajtur kesaj dhe jam perpjekur qe ta konkretizoj
permes vepres sime.

Ju e ceket pak me pare, qe per kete veper
keni udhetuar shume, por a keni mundur t'i shkelni te gjitha vendet ku
jetoi e punoi Noli?

Kam qene pothuajse ne te gjitha vendet.
Ketu ben perjashtim Egjypti, pasi kam shkuar ne Turqi, Greqi, Rumani,
Bullgari, Itali, Zvicer dhe mbi te gjitha ne Amerike, ku ai jetoi 50
vitet te jetes se tij. Vetem pasi i kam shkelur me kembe, pasi kam
thithur ajrin qe ka thithur ai, sidomos ne Amerike, e kam kuptuar, e
kam prekur me dore, kam pasur ndjesine gati fizike te Nolit.

Biografia
shkruhet kronologjikisht, por a ka risqe kjo menyre e te shkruari, pasi
gjerat me te rendesishme nuk shkruhen e nuk thuhen qe ne fillim?

Po
biografia ka si parim baze kronologjine. Skeleti eshte i tille, dhe une
i jam permbajtur ne kronologjine e jetes se Nolit kesaj kronologjie dhe
me pas jam munduar qe ta mbush. Mund te them me plot gojen, qe vepra
ime eshte ngritur mbi nje baze te pasur dokumentare, dhe gjithcka qe
eshte thene aty, eshte mbeshtetur ne burime autentike, arkive, te
shtypit, doreshkrimet e tij dhe pohimet e tij vetjake, te
bashkekohesve, te afermve, te literatures historike. Ndaj edhe
karakteri dokumentar qe ka vepra, eshte garancia e vertetesise se kesaj
biografie.

Ne 1200 faqe veper flitet per Nolin ne te gjithe
dimensionet e tij. Por ne pak rreshta, cilat do te ishin vlerat e Nolit
si njeri dhe si krijues?

Noli eshte nje personalitet qe te
mahnit me polivalencen e tij krijuese. Jo me kot thuhet se ai ishte nje
gjeni. Ne keto 15 vjetet e fundit, kjo fjale eshte zhvleftesuar. Saqe
tronditet njeriu kur degjon se kjo i mvishet figurave qe padyshim kane
vlera, por qe nuk arrijne ne kufijte e gjenialitetit. Ndofta Noli eshte
figura qe i shkon ky epitet, duke lene menjane edhe adhurimin qe kemi
per te, por duke qene racional. Ai kishte inteligjence dhe mendje te
madhe, fqinjeronte me gjithcka njerezore, dhe ne blloqet e tij
personale te viteve '40-te shikon formula qe lidheshin me energjine
atomike dhe per televizionin. Ai bashkejetonte shpirterisht, menderisht
me vlerat e antikitetit greko-romak. Ai ndihej i lishur shpirterisht
dhe ushqehej vazhdimisht me Rilindjen. Celesi i te gjitha ketyre
lidhjeve te gjithanshme, ishte se Noli ishte zoterues shume i mire i 15
gjuheve, qe i jepte mundesi te hapte shume dyer te dijes dhe kultures
boterore. Asgje njerezore nuk ishte e huaj per te. Eshte fat i madh per
nje popull te vogel, qe ka nxjerre prej vetes nje njeri si ai, dhe
patriotizmi i shkalles me te larte per mua qendron ketu: edhe pse i
takonte nje populli te vogel, te varfer e te roberuar, te prapambetur,
por patriot dhe me vlera te medha shpirterore. Ai nuk pranoi kurre qe
te adoptohej ne kultura te tjera, ai i qendroi deri ne fund besnik
rrenjeve te tij. E kur i thoshnin me shaka sesi i duron shqiptaret, ai
pergjigjej: "Me ka zene shqipja".

Albumi fotografik qe shoqeron 2 vellimet eshte shume i pasur. Sa e veshtire qe per t'i siguruar keto foto?

Para
se te botoja kete veper, une kam botuar qe para 2 vjetesh nje album per
te, me rreth 200 fotografi. Imazhet ne te jane gershetuar edhe me
tekste te Nolit apo cfare kane thene te tjere per te. Duke qene se ajo
i parapriu kesaj vepre, pjesen me te madhe te fotografive une i kam
marre prej tij. Ne nje veper biografike, imazhi eshte nje pjese shume e
rendesishme perberese, dhe eshte ne natyren e njeriut, qe kur lexon nje
biografi do ta shohe ate te shprehur ne imazhe, dhe kjo me ka ndihmuar
ne kerkime dhe kam pasur ndihmen bujare te njerezve te tij.

E
para ne album eshte shtepia ku ka lindur, ne Ibrik Tepe. Jam kurioze te
di per te, eshte fotografi e vjeter apo e afert me ne ne kohe?

Kur
kam shkuar, kam shkelur ne ate vend, kam fotografuar, nuk kam dashur ta
besoj. Kjo ne fillim te viteve '80-te, ndersa ne fund te ketyre viteve
pata fatin te njihem me njerezit e tij. Kontakti me ta me beri te prek
gati Nolin, e kur niperit e tij flisnin shqip me ngazelleu shume. Aty
kuptova qe qe me te vertete shtepia e tij, e cila ishte e ndertuar me
mur qerpici, por kish qendruar ne kembe.

Pas ketyre 25 vjetesh germim, hulumtim, mendoni se ju ka mbetur gje pa zbuluar nga jeta e Nolit, apo e keni shteruar?

Padyshim
qe kane mbetur, dhe per kete jam plotesisht i sigurt e kam pengje. E
them pa asnje lloj druajtje, por nje jete njeriu nuk mjafton per te
shkruar jeten e Nolit. Por jam optimist qe brezi i ri dhe ata qe do
vijne, do ta shfrytezojne vepren time si nje trampoline dhe baze per
t'u cuar me tej. Jeta dhe vepra e tij eshte nje miniere, qe po te
kerkosh, do te zbulosh, dhe koha eshte e pameshirshme, shume e eger dhe
metodat e reja te studiuesit do te sherbejne per te zbuluar edhe me
boten noliane. I lumtur ai popull qe nxjerr njerez si Fan Noli dhe une
do ta quaja ne fat qe ne kemi nje nga shembujt madhore per brezat e
rinj, si nje udherrefyes ne jeten e tyre. Duhet kuptuar edhe nje e
vertete universale, qe edhe Noli ishte njeri, e si i tille kishte te
meta dhe s'duhet te trembemi nga te metat dhe dobesite.

Bisedoi Anisa YMERI - Korrieri
Geri
Geri
Fondatore St@ff Forum
Fondatore St@ff Forum

<b>Postime</b> Postime : 19707
 <b>Piket</b> Piket : 23805
Regjistruar : 21/04/2009
 <b>Mosha</b> Mosha : 36
 <b>Vendbanimi</b> Vendbanimi : Ne qytetin e dashur Tirone

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi